RTSH: “Rama në 26 vjetorin e PS kërkon mbështetje masive për socialistët” plus 9 more

RTSH: “Rama në 26 vjetorin e PS kërkon mbështetje masive për socialistët” plus 9 more


Rama në 26 vjetorin e PS kërkon mbështetje masive për socialistët

Posted: 12 Jun 2017 01:14 PM PDT

Kryetari i PS, Edi Rama ka shfrytëzuar 26 vjetorin e themelimit të PS, partia më e madhe në Shqipëri, për të bërë thirrje për një mbështetje masive zgjedhjet e 25 qershorit, të cilat ai i konsideroi historike. “Kemi të gjitha arsyet që të vazhdojmë deri në 25 qershor të kërkojmë nga njerëzit një besim të ripërtërirë me një votë shpresoj edhe më të fuqishëm se ajo e 4 viteve më parë ku morëm një mandat për të bashkëqeverisur të cilin kam bindjen se e kemi justifikuar me reformat e mëdha, për të vendosur themelet e një shtëpie të re, modern të shtetit shqiptar” tha zoti Rama në cermoninë e rastit që u mbajt në selinë e PS.
Ai këmbënguli se “Zgjedhjet e 25 qershorit janë zgjedhje që përcaktojnë jo thjesht kush do qeverisë në 4 vitet e ardhshëm, por si do jetë Shqipëria për të paktën pas një dekade”. “Janë zgjedhje historike, sepse janë zgjedhje mes mundësisë reale për të filluar bisedimet me BE dhe për të vazhduar me vendosmëri dhe me më shumë punë për të rritur ekonominë dhe për të rritur edhe punësimin” u shpreh zoti Rama. Edhe një herë ai përmendi premtimin e rritjes së ekonomisë mbi 5 përqind, çka sipas tij do të preki ekonomitë familjare të shqiptarëve.

Shfaqet Fatos Nano: Shqiptarë, në këtë udhëkryq historik votoni PS!

Posted: 12 Jun 2017 12:58 PM PDT

Më pak se dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, në krah të PS ka dale edhe udhëheqësi historik i saj Fatos Nano. Zoti Nano ka shfrytëzuar 26 vjetorin e krijimit të partisë së tij për tu dërguar një mesazh urimi dy figurave kryesore të socialistëve, kryetarit Edi Rama dhe sekretarit të përgjithshëm Gramoz Ruçi. “Të dashur Edi e Gramoz! Uroj nëpërmjet jush, gjithë socialistët anembanë Shqipërisë për 26 vjetorin e familjes sonë të patjetërsueshme! Jam i bindur se fitorja e PSSH në zgjedhjet e 25 qershorit do garantojë Rilindjen e pakthyeshme të Shqipërise Europiane, pa deformimet e pseudoaleancave të deridjeshme!” shkruan zoti Nano në mesazh i cili është bërë publik në Fejsbuk nga vetë zoti Rama. “Ky është destini dhe destinacioni ynë i përbashkët, prandaj kam shumë besim se çdo shqiptar i arsyeshëm do të vendosë që në këtë udhëkryq historik, timonin e qeverisjes se këtij vendi ta besojë në duart tona!” shprehet ish themeluesi dhe udhëheqësi i socialistëve.
Urimi i zotit Nano, i cili ka patur mosmarrëveshje të shumta me pasardhësin e tij zotin Rama, shihet si një moment i rëndësishëm për jetën e PS. Pavarësisht se është larguar prej vitesh nga jeta aktive në parti, zoti Nano është një figurë jo pa influencë në rradhët e socialistëve, por edhe më gjerë. Ndaj dhe deklarata e tij shihet si ftesë për bashkim votash mes socialistëve dhe përkrahësve të tyre.

Volejboll, Martiri dhe Prenga: Në Bjellorusi do japim maksimumin!

Posted: 12 Jun 2017 07:12 AM PDT

I kënaqur, më tepër me lojën dhe karakterin që skuadra e tij dëshmoi në parket, por edhe me rezultatin. Kështu është ndierë trajneri i Kombëtares kuqezi të volejbollit të femrave, Altin Martiri, pasi Shqipëria e ka mbyllur me fitore gjysmën e parë të grupit A të Ligës së Evropës, duke mundur Bjellorusinë 3-1 në takimin e tretë. “Përballë kishim një kundërshtar të vështirë” i tha ai RTSH. “Ashtu siç po zhvillohej loja edhe nëse do të humbiste Shqipëria unë do isha i kënaqur. Skuadra po luante mirë, po luante bukur dhe ne po u dhuronim spektatorëve spektakël” shtoi traineri Martiri.
Kurse për kapitenen Arjola Prenga, rezultati ka qenë shpagimi më i mirë për mundin në stërvitje. “Sigurisht ndjehem e lumtur, e shpërblyer për punën që kemi bërë. Por nuk ka mbaruar e gjitha pasi javën tjetër do të jemi në Rusi” i tha Prenga RTSH.
Trajneri Martiri beson se edhe në Bjellorusi, Shqipëria e tij do të japë gjithçka. “Do të tentojmë me të gjitha mënyrat që ti fitojmë, pse jo të treja ndeshjet” thotë ai.
Ndërsa Prenga tregohet e kujdesshme, duke thënë se Tirana ishte vetëm gjysma e punës. “Ne shpresojmë që edhe në Bjellorusi të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe të marrim suksese” thotë volejbollistja e shquar.
Ndeshjet e kthimit të grupit A të Ligës së Evropës luhen në Bjellorusi në data 16, 17 dhe 18 qershor 2017.

Luan Rama: LSI do ta ndihmojë Ramën të mos jetë më kryeministër!

Posted: 12 Jun 2017 06:46 AM PDT

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama në një deklaratë për median nga selia e partisë, tha se marrëveshja PS-LSI ka qenë parimore, programore dhe jo për tespi dhe timon.  Zoti Rama tha se LSI, nuk është bërë pengesë për asnjë reformë të qeverisë. Zoti Rama tha se kërkonte nga kryeministri të ulej ballëpërballë për të nxjerrë përgjegjësitë, ndërsa i quajti deklaratat e këtij të fundit lidhur me marrëdhëniet në koalicionin PS-LSI si një hipokrizi. “Le të thotë një rast të vetëm kur është kushtëzuar vota në parlament me pazare tepsie apo pazare timoni” tha ai duke shtuar se çdo deklaratë e tillë është gënjeshtër.
Deklaratat e nënkryetarit të LSI erdhën pasi zoti Rama ka deklaruar dendur ditët e fundit se kërkon votën e zgjedhësve shqiptarë për të mbajtur ai timonin e shtetit. Kreu i PS tha se partitë e koalicionit duhet të bashkojnë programet dhe jo të ndajnë pushtetin. Zoti Luan Rama shkoi më tej kur tha se LSI do ta ndihmonte kryeministri Rama të mos jetë më kryeministër pas 25 qershorit.

Zgjedhjet në Kosovë, nuk ka fitues me mbi 35 përqind

Posted: 12 Jun 2017 06:43 AM PDT

Në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një atmosferë të qetë pa ndonjë incident që do te minonte procesin zgjedhor. Koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kryeson me 34.6 për qind, lëvizja Vetëvendosje 26.7 për qind dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e re dhe Alternativës ka 25.8 për qind. Me keto rezultate është e qartë se as fituesi nuk e ka mundësinë të formojë qeverinë pa një koalicion me subjektet e tjera politike. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 41.4 për qind. Mbi 1 milion e 872 mijë qytetarë me të drejtë vote ishin regjistruar për të votuar për 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 nisma qytetare, ndërsa 971 kandidatë konkurrojnë për parlamentin 120 vendesh. Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, tha se Kosova e ka kaluar sprovën me zgjedhjet e 11 qershorit dhe votuesit i kanë dhënë besimin këtij koalicioni. Në mesnatë ky koalicion festoi në qendër të Prishtinës. Në festë ishte edhe lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se është subjekti i parë politik, ndërsa Lidhja Demokratike kërkoi që të priten rezultatet zyrtare. Rezultati i lëvizjes Vetëvendosje është befasia e këtyre zgjedhjeve. Në zgjedhjet e vitit 2014 ajo kishte fituar 13.5 për qind të votave. Vlerësimet e para të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave që ishin përfshirë në vëzhgimin e zgjedhjeve flasin për parregullsi të ndryshme, të cilat nuk ndikojnë në proces. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, e cilësoi 11 qershorin një hap të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë. Ai përgëzoi qytetarët duke nënvizuar se “pavarësisht rezultateve përfundimtare, sfidat dhe mundësitë mbeten. Edhe eurokomisioneri për Zgjerim Johanes Hahn ka deklaruar se BE-ja i pranon të zgjedhurit e popullit në Kosovë. Megjithatë, sipas tij, prej tyre pritet të jenë të vetëdijshëm për perspektivën evropiane dhe jetën më të mirë të qytetarëve të Kosovës. Ai ka porositur liderët kosovarë që ta formojne sa me pare qeverinë e re. Institucionet që do të dalin nga keto zgjedhjet do të përballen me probleme të trashëguara siç janë çështja e kufirit me Malin e Zi, që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës si dhe përballjen me fillimin e funksionimit të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Maturantja: Si duhen bërë llogaritë për degën që preferon?

Posted: 12 Jun 2017 06:30 AM PDT

Muaji Korrik që është dhe periudha që maturantëve u duhet të aplikojnë për në universitet po afron, ndaj dhe shumë prej tyre janë ulur për të bërë llogaritë e fundit për programet e studimit që do të përzgjedhin. Aktualisht të rinjtë kanë në duar rezultatet e 3 viteve të shkollës së mesme, por duke hamendësuar për rezultatet e 5 provimeve të maturës shtetërore Merzai maturante në shkollën "Andon Zako Cajupi" nis të bëje përllogaritjen e pikëve të saj , duke u kushtuar tashmë më shumë vëmendje edhe 3 provimeve të fundit. Synon fakultetin ekonomik, dhe duke ju referuar kritereve të këtij institucioni mesatarja e shkollës së mesme dhe e provimeve të maturës do të përbëji dhe 50% të vlersimit të saj. "Unë kam bërë një llogaritje paraprake të mesatares time dhe del afërsisht 10.3 mesatarja e të treja viteve dhe me ktë mesatare kam dëshirë të shkoj në Fakultetin e Ekonomisë duke llogaritur edhe kriteret që ky fakultet ka nxjerrë. Në dëftesën e vitit të parë ne kemi totalin e pikëve dhe totalin e krediteve, po kështu në vitin e dytë dhe të tretë. Mblidhet totali i pikëve të të treja viteve gjithashtu totali i krediteve të të treja viteve dhe bëhet një pjestim i totalit të pikëve me totalin e krediteve dhe kështu del mesatarja që mka dal 10.3". Pjesa tjetër e vlerësimit do të përbëhet nga gruplëndët preferenciale, të cilat përllogariten nga vetë fakulteti, që maturanti do të përzgjedhe për të aplikuar. Në rastin e Fakultetit Ekonomik matematika do të marre 15% të vlerësimit, ekonomia 15%, fizika dhe gjuha e huaj nga 10%. "Tek kto lëndë, tek matematika, tek ekonomia që kisha ktë vit më doli 10.00. Edhe tek matematika kam dalë shumë mirë diku tek 9.9 ose 9.8 për tre vitet. Mesataren e kam mirë për kto kritere duke qënë se kam zgjedhur matematikë dhe ekonomi më hapen rrugët edhe në degët e tjera". Edhe këtë vit maturantët që do të përzgjedhin të vazhdojnë studimet e larta në një nga Universitetet private të vendit duhet të plotësoje në kriterin e mesatares dysheme ashtu siç ndodh edhe në universitetet publike, në të kundërt nuk do të mund të regjistrohen.

Vuçiç për zgjedhjet në Kosovë

Posted: 12 Jun 2017 06:14 AM PDT

Presidenti i Serbisë  Aleksandër Vuçiç gjatë një deklaratë të mbajtur pas  publikimit të rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë, është shprehur se:Koalicioni i luftës që fitoi zgjedhjet, kërcënon hapur serbët.  "I ashtuquajturi koalicion i luftës ose veteranëve i cili ka fituar shumicën në zgjedhjet në Kosovë është grup që hapur kërcënon serbët, dhe kjo do të na krijojë shumë probleme", tha ai. Më tej Vuçiç shtoi se: "Koalicioni në Prishtinë tani ka kundrejt vetes një bllok të unifikuar të përfaqësuesve politikë të serbëve, të cilat do të mbrojnë interesat e Serbisë dhe serbëve". Kjo ishte dhe deklarata e parë e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve në Kosovë ku koalicioni PDK,AAK dhe Nisma rezulton koalicioni fitues."Ne duam një dialog serioz me shqiptarët, por ata duhet të dinë se ne dëshirojmë t`i ruajmë nteresat e Serbisë dhe serbëve në Kosovë",shtoi Vuçiç për mediat serbe.

Rama: Rilindja Urbane do sjelli transformim rrënjësor dhe epokal!

Posted: 12 Jun 2017 06:10 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ishte të hënë në Shkodër ku inaguroi rehabilitimin e urës së vjetër të Bunës që lidh qyetetin me zonën turistike të Shirokës. Ky ishte një rast që zoti Rama të shpaloste projektet e tjera për Shkodrën. “Projekti kërkon që bregu i Liqenit të Shkodrës deri në Shirokë të transformohet krejtësisht dhe nga ura deri poshtë të krijohet një akses krejt tjetër për të gjithë ata që jetojnë në Shkodër apo vizitojnë Shkodrën” tha zoti Rama. Ai u ndal edhe tek rruga që e lidh Shkodrën me Velipojën. “Pamë fillimin e punës në kantieret për rindërtimin tërësor të rrugës turistike Shkodër-Velipojë, që brenda 18 muajsh do të jetë krejt tjetër nga ajo që është sot. Besoj se kështu realizohet një nevojë e kahershme dhe një dëshirë e madhe e gjithë banorëve të kësaj zone për të pasur një lidhje dinjitoze me plazhin” premtoi kryeministri.
Zoti Rama u ndal edhe tek projekti i “Rilindjes Urbane” që qeveria e tij ka zbatuar gjatë katër vjetëve, por është sulmuar nga opozita. Ai tha se pas qendrave të mëdha, “Rilindjes Urbane” do të shtrihet edhe në zona të vogla. “Ne kemi ngritur 641 kantiere nga Tropoja deri në Konispol, që janë baza e një transformimi rrënjësor dhe epokal” tha zoti Rama.

Basha: Jo investimeve fasadë! Premtojmë ulje taksash!

Posted: 12 Jun 2017 05:32 AM PDT

Kur e konsideron qeverinë Rama si një qeveria fasade dhe palmash, kreu i opozitës së djathtë Lulzim Basha nënkupton edhe investimin e bërë së fundmi në “Sheshin Skënderbej” të Tiranës. Në takimin me banore të Libofshës, zoti Basha tha se në katër vite kjo qeveria ka shpenzuar 16 miliardë euro buxhet, një pjesë e mirë për “Rilindjen urbane”. Zoti Basha e konsideroi të ekzagjiruar vlerën e investimit për sheshin kryesor të kryeqytetit, shoqëruar edhe me spektaklin e fishekzjarreve. Sipas tij kjo shfaqje ka kushtuar midis 200 dhe 400 mijë euro. “Sa veta do të kishin marrë subvencione nga këto para po të kishin shkuar për fermerët? Sa familje do kishin marrë ndihmë ekonomike? Sa pensione do ishin rritur?” pyeti kreu i PD.
Përkundrejt kësaj mënyre qeverisjeje, ku vetëm interesat qytetarëve nuk merren në konsideratë, vlerëson zoti Basha, ai garanton një tjetër model qeverisje që synon për se pari forcimin ekonomik të vendit përmes filozofisë së uljes së taksave. “Plani ekonomik përbëhet nga shtylla të veçanta, por të lidhura me njëra tjetrën. Ato janë ulja e taksave dhe TVSH” tha ai. Sipas zoti Basha vetëm nga ulja e TVSH konsumatorit i mbeten 400 milionë euro. Ai premtoi rivendosjen e taksës së sheshtë në masën 9 përqind, uljen e “taksës Rama” tek nafta me 240 lekë për litër, uljen e çmimit të energjisë. “Ne do të krijojmë një ambient të favorshëm për biznesin” premtoi lideri i opozitës i cili synon që pas 25 qershorit të jetë kryeministri i ri i Shqipërisë.

De Biasi; Kontrata ende në dilemë

Posted: 12 Jun 2017 05:01 AM PDT

A do ta rinovojë kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit, trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi. Në konferencën për shtyp të dhënë përpara ndeshjes me Izraelin, pyetjes së bërë nga kryeredaktori i departamentit të lajmeve në RTSH, Pano Xhixho, ai është përgjigjur me nje jo. Ka qenë një jo e prerë që nuk linte shteg për diskutime. Por pas ndeshjes, fitorja e bukur e skuadrës së tij duket se ia ka ndryshuar mendjen trajnerit të kuqezinjve, teksa në mikrofonin e RTSH është përgjigjur sërish fjalëpak: "Do të takohemi pasneser dhe do të flasim". Kontrata e trajnerit të kombëtares, Xhani De Biazi me FSHF, përfundon në Nëntor. Tashmë asgjë nuk është e sigurt nëse trajneri italian do të vazhdojë të qëndrojë në timonin e kuqezinjve apo aventura e tij me ta do mbyllet.