RTSH: “Partizani- Botev Plovdiv 1-3, Tomorri jep dorëheqjen” plus 9 more

RTSH: “Partizani- Botev Plovdiv 1-3, Tomorri jep dorëheqjen” plus 9 more


Partizani- Botev Plovdiv 1-3, Tomorri jep dorëheqjen

Posted: 29 Jun 2017 01:38 PM PDT

Ekipi i Partizanit ka humbur 1-3 me skuadrën bullgare Botev Plovdiv në takimin e raundit të parë të kupës Europa League të luajtur në “Selman Stërmasi”. Goli i Sukajt ishte shumë pak ndaj tre golave të bullgarëve. Rezultati duket se ka detyrua drejtorin e përgjithshëm të klubit të Partizanit, Genci Tomorri të japë dorëheqjen, para se ndeshja e kthimit të luhet në Burgas të Bullgarisë më 6 korrik. I dëshpëruar traineri Sulejman Starova tha se “Do të përpiqemi të bëjmë maksimumin në ndeshjen e kthimit edhe pse me këtë humbje 3-1 ndaj një kundërshtari kaq të fortë është e vështirë”.

Humbja në zgjedhje dhe dorëheqja e Bashës, debatohen në PD

Posted: 29 Jun 2017 06:57 AM PDT

Kërkesat e njëpasnjëshme të firmosur nga shumë figura të njohura të PD për dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të partise, si përgjegjës për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit të demokratëve, ka përfshirë këtë forcë politike në debate të forta. Palët duket se janë ndarë pro dhe kundër zoti Basha, por askush nuk është në gjendje të thotë se nga anon peshorja.
Sekretari për aksionin qytetar Ervin Salianji, tashmë i zgjedhur deputet, gjykon se zoti Basha i është permbajtur statutit te Partise Demokratike, që sipas tij nuk përcakton detyrimisht dorëheqjen. Ai thotë për RTSH-në, se kjo është një vepër e orkestruar nga të njëjtët njerëz që kanë kundështuar qeverinë Berisha, si edhe garën Basha-Olldashi në 2013-tën. Shumë shpejt, thekson Salianji, ky grup do të përfaqësohet me kandidatin e saj në garë, duke nënkuptuar Astrit Patozin. “Është dhe kandidati tretë gati, që para zgjedhjeve i grupimit tjetër në PD, të cilët edhe në 2013 kanë bërë të njëjtën gjë, të humbin zgjedhjet për të marrë partinë” ironizon Salianji.
Por një prej firmëtarëve Leonard Olli, kreu i këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës thekson se nuk është pjesë e asnjë klani brenda PD-së. Ai kërkon vetëm respektimin e statutit të PD-së, që në asnje rresht nuk sanksionon "ngrirjen" e të drejtave ekzekutive të Kryetarit, sikundër apelon për garancitë për një garë të ndershme. “Kjo e ndihmon shumë partinë për të dalë nga momentet e uni-t. Jemi në një moment të frikshëm të kultit të individit në vitin 2017. Plot 27 vite pasi ne e kemi dërmuar komunizmin, de fakto ai është kthyer” thotë zoti Olli për RTSH.
Sipas zoti Ollit, kryetari Basha duhet të marrë përgjegjësinë që i takon për këtë humbje të thellë, dhe të mos përpiqet të fshihet pas gishtit, duke ia faturuar humbjen atyre që sikundër u shpreh Basha nuk punuan në zgjedhje për shkak të qefmbetjeve personale.
Por për zotin Salianji, humbja ka ardhur për shkak të blerjes masive të votës. Ndërsa "ish funskionarët dhe deputetët që nuk u përfshinë në lista sipas tij, nuk kanë më asnjë peshë në elektorat”. “Ne na kanë kërkuar
llogari kudo, pavarësisht se unë kam qenë kandidat për herë të parë, na kanë kërkuar llogari për qeverisjen e tetë viteve” tha zoti Salianji. Por kryekëshillatri Olli pyet: “Kush mban përgjegjësi për rezultatin? Shpërndarja e përgjegjësisë më kujton kohët e frikshme të përgjegjësisë kolektive, rikthim i frikëshëm i koncepteve totalitare” thotë ai.
Debatet pritet të forcohen akoma më shumë, me të nisur dhe zyrtarisht gara e kandidatëve. Zoti Basha dhe zoti Selami, janë deri tani kandidaturat e vetme, ndërkohë që priten edhe emra të tjerë të bëhen pjesë e garës, siç mund të jetë presidenti në detyrë Bujar Nishani, ish deputeti dhe ish nënkryetari i PD Astrit Patozi, por edhe të tjerë.

Ristani: Vendimet e Bashës të pambështetur në statut

Posted: 29 Jun 2017 06:33 AM PDT

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani e ka konsideruar sot si të pa mbështetur në Statut dhe pa përmbajtje, vendimin e kreut të deritanishëm të partisë Lulzim Basha për delegimin e kompetencave organizative nga kryetari tek nën kryetarët, pasi sipas tij kompetencat organizative i takojnë sekretarit të përgjithshëm. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat zoti Ristani thekson se neni 43 i statutit parashikon, se në rast dorëheqje të kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar i cili komandon nënkryetarin të drejtojë Partinë. Pra kompetenca e komandimit i takon Këshillit Kombëtar i cili thirret nga Sekretari i Përgjithshëm.
Vendimi i dy nënkryetarëve për të thirrur zgjedhjet dhe caktimin e datës së zgjedhjeve dhe datës së paraqitjes së kandidaturave, është vendim i pa mbështetur në statut, shton zoti Ristani. Sipas tij shpallja e datës së zgjedhjeve dhe e datës së paraqitjes së kandidaturave është kompetencë e Kryesisë Partisë. Sekretari i përgjithshem i Partisë Demokratike thekson se për ta vendosur në shtratin statutor dhe për të garantuar integritetin e zgjedhjeve në Parti, është e nevojshme rinisja e procesit mbi bazat e statutit të Partisë Demokratike.

Fleckenstein: Shqipëria meriton BE-në

Posted: 29 Jun 2017 05:43 AM PDT

Mbajtja e zgjedhjeve i ka hapur rrugën çeljes së bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë nga BE. Konfirmimi ka ardhur nga raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein.
Në një intervistë për seksionin shqip të radios Deutsche Welle, eurodeputeti gjerman thotë se zgjedhjet ishin shumë më të kënaqshme se të mëparshmet referuar atmosferës. “Kur dëgjoj vëzhguesin tonë, zotin Kukan që ishte aty, përmirësimi është i dukshëm. Besoj se nuk ka si bëhet ndryshe, veçse ta themi qartë se tani duhet që të hapen negociatat” tha ai. “Ndoshta do të kalojnë pak javë e muaj derisa të ulen të gjithë në një tavolinë, por nuk duhet të vendosim pengesa të reja, sepse kjo nuk do ishte e drejtë” u shpreh eurodeputeti gjerman.
Zoti FLeckenstain i ka parë pretendimet për blerje votash si një çështje që duhet të shqyrtohet se si do të luftohet, madje deri diku edhe një çështje nderi për një vend. Në të njëjtën kohë vlerësimet kanë njerrë në pah marrëveshjen politike para zgjedhjeve. “Sigurisht ajo ka luajtur rolin e saj. Dhe unë jam i gëzuar që mund të themi, se zgjedhjet kaluan kryesisht në një atmosferë paqësore, ashtu siç duhet të jetë, dhe se këtu kryeministri Rama dhe Basha me ujdinë e tyre dhanë një kontribut të madh për këtë” tha zoti Fleckenstein.
Pritmëria e eurdeputetit dhe një prej zërave kyç për Shqipërinë në BE është e madhe edhe përkundrejt forcës fituese. “Kryeministri Rama e ka tani rrugën e hapur, për të mbetur tek imazhi tij, dhe nëse ai di ta përdorë si duhet këtë pushtet, ai do të gjejë shumicën që i duhet edhe në parlament. Këtë tani Rama duhet ta vërtetojë” tha zoti Fleckenstein. “Detyrat që qëndrojnë para qeverisë janë zbatimi i vërtetë i reformës në drejtësi, ajo duhet të çojë përpara luftën kundër drogës, korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar. Në pikë tjetër e rëndësishme do duhet të jetë trajtimi i çështjes së vështirë të pronës dhe gjetja e një zgjidhjeje për këtë. Rama nuk ka për t’u ankuar, se tavolina e tij e punës do të jetë plot” tha në një intervistë për seksionin shqip të radios Deutsche Welle, eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein.

Merkel: E vendosur për vazhdimin e marrëveshjes mbi klimën

Posted: 29 Jun 2017 04:58 AM PDT

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Bashkimi Evropian “është më i vendosur se kurrë për ta shndërruar Marrëveshjen e Parisit për Klimën në sukses”. Duke folur para Parlamentit gjerman, Merkel tha se BE qëndron pas angazhimeve që parasheh marrëveshja dhe se ajo “është e pakthyeshme dhe e panegociueshme”. Më 1 qershor, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të tërheqë SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, e nënshkruar në vitin 2015 nga 195 vende. Marrëveshja është pakti i parë ligjor për luftimin e ndryshimeve klimatike. Me të, pothuajse çdo vend ka rene dakord vullnetarisht per te reduktuar emetimet e gazrave serë – akumulimi i të cilave besohet se ngroh planetin. Trump ka thënë se kjo marrëveshje është në dëm të industrisë amerikane. Merkel do të jetë pritese e samitit të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, muajin e ardhshëm në Hamburg, ku çështja klimatike pritet të jetë pjese kryesore e agjendës.

Vasili, Kreu i LSI jep dorëheqjen

Posted: 29 Jun 2017 04:57 AM PDT

Kryetari i LSI Petrit Vasili ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i LSI-së, bëhet e ditur nga burime të brendshme të kësaj partie. Sipas tyre zoti Vasili e ka bërë të ditur vendimin e tij në mbledhjen e Kryesisë. “Dorëheqja ime është për çështje organizimi që LSI të jetë më aktive në opozitë” citohet të ketë thënë zoti Vasili.

Petrit Vasli erdhi në krye të LSI në fillim të majit të këtij viti pas zgjedhjes së Ilir Metës president. Në zgjedhjet e 25 qershorit zoti Vasili u angazhua fuqimisht nën moton për ta nxjerrë LSI forcë të parë në këto zgjedhje. Rezultati ishte jo ai që pritej. LSI ndonëse mori mbi 40 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara, u rradhit e treta me 19 deputetë, 3 më shumë se legjislaturën e kaluar. Sipas statutit të LSI drejtimi i partisë i kalon nënkryetares Monika Kryemadhi, bashkëshorte e ish kreut të LSI dhe presidentit të zgjedhur Ilir Meta.  Të mërkurën LSI do të mbajë Konventën Zgjedhore.

Presidenti kinez në Hong Kong

Posted: 29 Jun 2017 04:53 AM PDT

Presidenti Xi Jinping mbërriti në Hong Kong, në vizitën e parë si president i Kinës, me rastin e 20-vjetorit të dorëzimit të këtij qyteti shtetit kinez nga Britania e Madhe. Hong Kongu ka qenë koloni britanike që prej vitit 1841. Xi Jinping, për të cilin është vizita e parë që prej betimit të tij si president në vitin 2013. "Pas nëntë viteve ndodhem sërish në tokën e Hong Kongut", theksoi presidenti në një fjalim të shkurtër. "Jam shumë i lumtur. Hong Kongu ka gjithmonë një vend në zemrën time", shtoi ai. Kjo vizitë triditore zhvillohet nën masa të larta sigurie.

Italia kërcënon: Nuk do të lejojmë zbarkimin e anijeve me emigrantë

Posted: 29 Jun 2017 04:49 AM PDT

Italia kërcënoi se do të ndalojë anijet e vendeve të tjera që të zbarkojnë emigrantë në portet e saj. Kërcënimi nga Roma vjen ndërsa i dërguari Italian në BE Maurizio Macri, paralajmëroi bllokun se situata në Itali ishte bërë e papërballueshme. Më herët, kryeministri italian Paolo Gentioloni tha se vendet e tjera europiane kanë kthyer kokën në krahun tjetër duke braktisur Italinë. Vetëm gjatë katër ditëve të fundit, besohet se rreth 10 000 njerëz kanë tentuar të shkojnë në Europë nga Afrika e Veriut. Në Itali, gjatë këtij viti kanë mbërritur më shumë se 73 000 emigrantë, një rritje prej 14% nga e njëjta periudhe e nje vitit më parë. Roja Bregdetare italiane udhëheq operacionet e shpëtimit, por shumica e anijeve në Mesdhe drejtohen nga organizata jo qeveritare dhe i përkasin vendeve të tjera, përfshirë vende të BE-së si Gjermania dhe Malta. Por Italia ka mbërritur në pikën e ngopjes dhe nuk mund të pranojë me emigrantë.

Usain Bolt në garat e lamtumirës

Posted: 29 Jun 2017 04:42 AM PDT

Në Ostrava, në stadiumin “Mestski”, në mitingun botëror “Golden Spice”,15 mijë spektatorë, ishin të fokusuar në garën e 100 metrave, ku do të merrte pjesë kampioni dhe rekordmeni i botës e olimpik, Usain Bolt. Pas një pritje të ngrohtë mes mijëra duartrokitjesh për xhamajkanin nis gara. Bolt ishte disi i ngadaltë në 50 metrat e para. Por më pas ai gjen ritmin e duke parë me bisht të syrit ndjekësin më të afërt kubanezin Perez, mbërrin në finish duke dhënë kohën 10.06. Nuk ishte koha e tij më e mirë, por gjithsesi Usain Bolt ka mbetur i kënaqur me veten.
Në këtë mbrëmje kryesisht e fokusuar si një festë lamtumire për Usain Bolt, në edicionin e 56-të të mitingut të Ostravës, ishte edhe Van Niekerk, i cili rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve kur në përfundim të garës së 300 metrave, vendosi kohën 30.81, që ishte edhe rekordi i mitingut. Ai theu rekordin 30.85, të vendosur nga Majkëll Xhonson, që në vitin 2000. Niekerk shihet si trashëgimtar i fronit të atletikës xhamajkane, pas largimit të Usain Bolt.
Thomas Rohler mbizotëroi në garën e shtizës. Ai nënvizoi formën e tij gjatë vitit 2017, teksa ka realizuar shumë hedhje mbi 90 metra. Këtë gjë atleti gjerman e vërtetoi edhe në Ostrava kur në hedhjen e dytë fiskoi rezultatin 91.53 metra.
Një garë e bukur u bë edhe në kërcim së larti. Polaku Silvester Bednarek arrin rezultatin 2.32 m, rezulati më i mirë për të për këtë sezon.
Në 100 m/p për femra gjermania Pamela Dutkieviç renditet e para me kohën 12.72. Ndërsa për meshkuj në 110 m/p Darrien pret i pari finishin me kohën 13"10. Një garë spektakolare u zhvillua edhe në 10 mijë metra. Dy herë kampioni olimpik Mo Farah fiton garën e Ostravës me kohën 27’12"10 duke lënë mjaft nga konkurruesit rreth një xhiro mbrapa.

SHBA ndërmerr masa të reja për rritjen e sigurisë së fluturimeve

Posted: 29 Jun 2017 04:37 AM PDT

Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare i ka kërkuar kompanive ajrore dhe aeroporteve të forcojnë kontrollet e udhëtarëve dhe të bagazheve. Kush nuk bindet, mund të përballet me masa të ashpra. Ndalimi i laptoveve megjithatë, i cili u vendos në SHBA në muajin Mars për 8 vende me shumicë myslimane, nuk do të zgjerohet më tej. Sipas kreut të këtij institucioni, John Kelly, ndryshimet janë të nevojshme nisur nga interesi i lartë i terroristëve për të shënjestruar sektorin e aviacionit. Duhet të vendosim rregulla të reja në mënyrë që ta mbajmë të sigurtë transportin publik dhe t'ia bëjmë më të vështirë suksesin terroristëve", tha Kelly. Masat e përmendura nga zyrtari i lartë i administratës amerikane i diktojnë linjave ajrore përmirësimin e kontrollit të pasagjerëve, detektimin e lëndëve plasëse dhe verifikimin e vetë personelit të aeroportit në përpjekje për të shmangur mundësinë e një sulmi me bashkëpunëtor të brendshëm. Ndryshimet do të aplikohen mbi gati 2 100 fluturime të përditshme në Shtetet e Bashkuara nga 280 aeroporte, 180 kompani ajrore e 105 vende të botës. Nga sa pohojnë zyrtarët amerikanë e ata të BE-së, masat në fjalë do të hyjnë në fuqi brenda tre javësh.