RTSH: “Oslo, Gega thyen rekordin kombëtar në “Diamond League”” plus 9 more

RTSH: “Oslo, Gega thyen rekordin kombëtar në “Diamond League”” plus 9 more


Oslo, Gega thyen rekordin kombëtar në “Diamond League”

Posted: 15 Jun 2017 01:32 PM PDT

Ashtu siç pritej atletja e njohur shqiptare Luiza Gega ka thyer sërish rekordin kombëtar në 3.000 metra me pengesa. Në garën e turneut "Diamond League", të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës në Oslo të Norvegjisë, ajo arriti kohën 9 minuta 26 sekonda e 05 të qindtat, dhe u rradhit e pesta. Rekordi i saj i mëparshëm ishte 9 minuta 28 sekonda dhe 52 të qindtat. Fituese e garës ishte atletja keniane Norah Jeruto, me kohën 9 minuta, 17 sekonda dhe 27 të qindtat.

Rama: PS kërkon votë masive nga shqiptarët për të ndërtuar një shtet dinjitoz!

Posted: 15 Jun 2017 01:23 PM PDT

Edhe më tej kryeministri Edi Rama, po këmbëngul në një votë masive të shqiptarëve për PS, partia më e madhe në vend, për të marrë mandatet e nevojshme që të mos bëjë koalicion me partitë e tjera. “Investoni me votën tuaj hakmarrjen për gjithë padrejtësitë e këtyre viteve, na autorizoni dhe na jepni mandatin ta përfaqësojmë revoltën tuaj dhe të mos u lëmë kusur gjykatësve të korruptuar, drejtorëve të korruptuar, partive të korruptuara, të gjitha atyre që rriten dhe fryhen me gjakun e ëndrrave dhe shpresave tuaja, gjithë atyre që ju tregojnë plane, platforma, ju tregojnë broçkulla dhe pastaj ju kthejnë kurrizin dhe shohin vetëm pjesën e tyre në tepsinë e pushtetit. Ne nuk jemi në një betejë me të tjerët” tha zoti Rama duke folur në një miting në Gjirokastër. Sipas tij “Kjo nuk është betejë e PS-së me partitë e tjera, kjo është një betejë që nesër shteti ynë të jetë dinjitoz për të gjithë fëmijët tanë”. “Ka parti që vijnë me premtime dhe me programe që sipas tij, janë thjesht broçkulla dhe se interesi i tyre është tepsia e pushtetit” tha zoti Rama.
Kreu socialist ju drejtua veçanërisht grave dhe vajzave që të votojnë Partinë Socialiste. “Nuk do të më zërë gjumi deri më 25 qershor pa iua përsëritur çdo nëne, çdo vajze, se është e patolerueshme që një parti politike si PD që kërkon të marrë votë për të qeverisur mendon se gjithë ky qark nuk ka një grua për të përfaqësuar. Gratë dhe vajzat duhet të bashkohen dhe ta refuzojnë parimin e diskriminimit të grave në shekullin 21 pas kaq shumë betejash për gratë dhe vajzat dhe të votojnë partinë që i ngre gratë dhe vajzat në piedestalin e munguar dhe kjo është Partia Socialiste” tha kreu i saj Edi Rama.

Meta: Vota për LSI -votë kundër oligarkisë!

Posted: 15 Jun 2017 01:11 PM PDT

Presidenti i ardhshëm Ilir Meta, partia e të cilit LSI si asnjëherë më parë po lufton të dali forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit, u shpreh i bindur se vota e shqiptarëve në këtë ditë do të jetë votë kundër oligarkisë. “Demokratët, socialistët të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se zgjidhja më 25 qershor është vetëm një, vota kundër oligarkisë, vota për LSI” tha zoti Meta gjatë një mitingu masiv entuziast në “Sheshin Nënë Tereza në Tiranë”. “Aq mandate sa LSI mori përpara 4 vitesh në 2013 kur ishte në koalicion me Rilindjen aq mandate do ti marrë vetëm në Tiranë në 25 qershor” u shpreh i bindur ai.
Zoti Meta ndërmori një sulm të ashpër ndaj kreut të PS Rama dhe atij të opozitës Basha, marrëveshja mes të cilëve, sipas zotit Meta, ishte kundër LSI. “Gestapoja e krijuar nën 3 orë errësirë, po zhbën reformën e administratës dhe po zhbën statusin e nëpunësit civil. Kur dëgjojmë sesi sekserët e Rilindjes, ose ebolës së Shqipërisë, u turren njerëzve të LSI-së për t'i blerë me paratë e drogës dhe koncesioneve, për t'u shitur se LSI nuk do të jetë më në pushtet dhe në pushtet do të jetë Rilindja” tha zoti Meta. Por për të “…ishte LSI, Ilir Meta dhe faktorët e përgjegjshëm të cilët imponuan që Shqipëria mos binte në greminë nga lider që donte zgjedhje pa opozitën”.

Basha: Opozita e djathtë do të fitojë ndaj dyshes Rama-Meta

Posted: 15 Jun 2017 12:53 PM PDT

Kreu i PD Lulzim Basha, ka garantuar se opozita shqiptare si asnjëherë tjetër ka mbështetjen e vendeve të civilizuara nga SHBA dhe deri tek Gjermani. “Kemi si asnjëherë sytë e gjithë botës, mbështetjen e gjithë botës nga SHBA, në Gjermani të cilët duan një Shqipëri me një qeveri të përgjegjshme që ka vullnetin, përvojën, dëshirën dhe vendosmërinë të punojë për shqiptarët” tha zoti Basha në nnjë takim në rrethin e Durrësit.
Kreu i PD u shpreh i bindur në fitoren e tij ndaj siç i quajti dyshes Rama – Meta që e kanë zhytur vendin në krizë. “Ata e dinë që ju do ti mposhtni në 25 qershor dhe kushdo që përpiqet të ngrejë kokë me kërcënime, me kriminelë, me paratë e ndyra të korrupsionit ta dijë që do ta pijë e zëza. Do përfundojën në burg nga i pari tek i fundit. S’do ketë as Ed Ramë, as Ilir Metë ti nxjerrë nga halli” u shpreh zoti Basha.
Kreu i opozitës ka veçuar edhe programin ekonomik të PD i sili synon ulje taksash dhe mbështetje ndaj biznesit, program i cili po zbatohet në SHBA. Duke ju referuar takimit me presidentin Tramp, zoti Basha tha se “…ulja e taksave, investimi për stazh dhe për rininë. Investimi për të mundësuar që të gjtihë fëmijët amerikanë të vazhdojnë shkollën e lartë. Mbështetja për biznesin e vogël. Krijimi i një klime për investitorët amerikanë dhe të huaj, mbështetja e fermerëve amerikanë. Ky është edhe programi im” tha zoti Basha.

Ruçi: Meta të ndali presionet dhe shantazhet, ndryshe do të shkarkohet!

Posted: 15 Jun 2017 12:41 PM PDT

Marrëdhëniet mes PS dhe LSI dy aleatëve kryesorë në qeveri, po njohin tensione gjithë në rritje. Pas deklaratave të ish kreut të LSI dhe presidentit të ardhshëm Ilir Meta se nuk do të dekretonte asnjë kryeministër dhe ministra nëse cënohej vota, ka reaguar ashpër sekretari i përgjithshëm socialist Gramoz Ruçi. Sipas tij nëse nëse Meta ka ndërmend të mos dekretojë qeverinë e ardhshme, më mirë mos betohet në 24 korrik. “Presionet dhe shantazhet që bën me votat e socialistëve që e zgjodhën edhe president, që nuk do të dekretoj as qeverinë, janë të kota. Nëse ka këto mend të mos e bëjë betimin në 24 korrik. Nëse do shkojë me këto mend e do shkelë kushtetutën, është burri i parë që i ka provuar të gjitha, por do të jetë edhe presidenti i parë që do të provojë shkarkimin dhe i pari që do ta firmosë do të jetë Gramoz Ruçi” tha sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi. Kjo është deklarata më e fortë e dalë nga selia e socialistëve kundrejt aleatit të tyre të deritanishëm. Mjaftë analistë parashikojnë që tensioni mes tyre të rritet.

KQZ u bën thirrje urgjente partive politike: Sillni propozimet për komisionerët e QV

Posted: 15 Jun 2017 09:53 AM PDT

10 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, KQZ ka shprehur shqetësimin e tij maksimal pasi partitë politike ende nuk kanë dorëzuar emrat e anëtarëve të komisioneve për qendrat e votimit. Drilona Hoxhaj zëdhënëse e këtij komisioni,  në një daljee para mediave tha se “Partitë poltike që kanë detyrimin ligjor ti depozitojnë propozimet për anëtarët e KQZ-ve, vijojnë të mos reagojnë duke shlelur afatet ligjore. Ndodhemi në situatën kur 62 KZAZ nuk kanë emëruar asnjë komisionerë për Qendrat e Votimit, dhe në 31 prej tyre nuk është dorëzuar asnjë propzim nga asnjë parti politike”.
Zëdhënësja Hoxha u shpreh se “Kjo sjellje e partive politike është e patolerueshme, pasi tregon mungesë përgjegjshmëri në përmbyshjen e të drejtave dhe detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor”.
Ajo kujtoi se mos emërimi i komisionerëve të Qendrave të Votimit rrezikon trajnimin e komisionerëve nga ana e KQZ-së, dhe mos trajnimi i tyre ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në administrimin e procesit zgjedhor.
Zëdhënësja e KQZ bëri thirrje që “Partitë politike që kanë të drejtën të sjellin propozimet për komisionerët e qendrave të votimit, të depozitojnë në mënyrë urgjente propozimet e tyre pranë KZAZ-ve dhe të mos bëhen shkak për demtimin e procesit zgjedhor dhe cënimin e standardeve të zgjedhjeve”.

Haradinaj për qeverinë e re të Kosovës

Posted: 15 Jun 2017 06:47 AM PDT

Kandidati për kryeministër të Kosovës i koalicionit mes PDK, AAK dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj, deklaron se nuk do të lejohen improvizime për sa i përket qeverisë. Ai tha gjithashtu edhe se qeverinë do ta formojë koalicioni që ka fituar zgjedhjet, siç duhet të veprohet. Haradinaj shprehet se beson se qeveria e re do të formohet një javë pas çertifikimit të rezultateve dhe se ka një traditë të bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila mund të vazhdojë edhe përgjatë qeverisjes së ardhshme.

Londër; Rritet numri i viktimave

Posted: 15 Jun 2017 06:41 AM PDT

Autoritetet në Londër nuk kanë asnjë shpresë se në kullën 24 katëshe që u përfshi nga zjarri mbrëmjen e së martës të ketë të mbijetuar. Mëngjesin e sotëm numri zyrtar i të vdekurve është konfirmuar 17, por ekziston frika për rritje të mëtejshme të bilancit. Ekipet e shpëtimit thonë se ka ende 'numra të panjohur' të njerëzve të vdekur brenda, por për momentin është shumë e rrezikshme që të përpiqen t'i rimarrin ato nga katet e sipërme të kullës Grenfell, e shkatërruar nga zjarri dhe e paqëndrueshme. Shefja e zjarrfikëses së Londrës, Dany Cotton, tha: "Fatkeqesisht nuk presim të gjejmë ndonjë person tjetër gjallë. Nisur nga ashpërsia dhe nxehtësia e zjarrit do të ishte një mrekulli absolute për këdo që do të mbijetonte". Ajo shtoi se duhet të kryhen kontrolle të plota të kateve të sipërme, por vetëm pasi ndërtesa të shpallet e sigurt. Kryeministrja Theresa May vizitoi skenën e tragjedisë këtë mëngjes dhe foli me shërbimet emergjente. Ajo ka premtuar një hetim të plotë të tragjedisë.

Mbifaturimet e ujit të pijshëm; Qytetarët reagojnë

Posted: 15 Jun 2017 06:31 AM PDT

Shqetësimet e qytetarëve për mbifaturimet e ujit të pijshëm janë ende prezente pavarësisht angazhimit të pushtetit vendor për të verifikuar e anulluar rastet dhe për të ndëshkuar autorët e këtyre mbifaturimeve. Banorë të disa zonave të Tiranës shprehen se pavarësisht përdorimit me kursim, përsëri faturat që u duhet të paguajnë janë të kripura. " Shumë e kripur ishte këtë muaj, nuk mora vesh pse." "Uji dhe dritat me ndërmarrjet e tyre po e rrjepin këtë popull." "Në stratosferë çmimet. Sapo pagova 16 mijë lekë për një familje që jemi ne." Problemi i mbifaturimit çoi në protestë dhjetra banorë të zonës së Kombinatit, në muajin Shkurt , pas të cilës u premtua zgjidhja e kësaj çështjeje , por në fakt, praktika e mbifaturimeve vijon njësoj shqetësuese në disa zona të kryeqytetit.

Senati Amerikan diskuton situatën në Ballkan

Posted: 15 Jun 2017 06:29 AM PDT

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee tha të mërkurën se Ballkani Perëndimor përballet me sfidat më serioze që nga viti 1990. Në një seancë për rajonin në Senat, Zoti Yee tha se nëse kërcënimet e jashtme dhe të brendshme, nuk marrin përgjigje, ato mund të kenë pasoja serioze për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
"Ballkani Perëndimor përballet me një numër kërcënimesh: Institucione të brishta, mangësi në shtetin ligjor dhe media jo e lirë, i kanë hapur rrugën një korrupsioni të rrënjosur thellë. Ky korrupsion vë në rrezik këto demokraci të reja dhe u hap rrugën aktorëve destabilizues, përfshirë ekstremistë të dhunshëm, grupe të krimit të organizuar dhe vende që duan të ushtrojnë ndikim keqdashës" tha zoti Yee.
Zyrtari i lartë amerikan ka argumentuar se problemet e brendshme, u kanë hapur rrugën kërcënimeve të jashtme si Rusia që synon të frenojë përpjekjet për të ndjekur një rrugë euroatlantike. Por përveç tyre Yee, përmendi disa përparime të arritura me mbështetjen amerikane, përfshirë zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
"Me angazhimin tonë dhe të Evropës, gjatë muajit të kaluar, kemi parë disa suksese reale, me hyrjen e Malit të Zin ë NATO, sigurisht me ndihmën e Senatit, udhëheqësit e Maqedonisë bashkëpunuan për të formuar një qeveri të re, opozita e Shqipërisë ra dakord që t'i japë fund bojkotit dhe të marrë pjesë në zgjedhje më 25 qershor dhe Serbia pritet të hapë dy kapituj të ri me Bashkimin Evropian këtë muaj" tha zoti Yee.
Pas një vizitë në rajon, edhe Kryetari republikan i nënkomisionit Ron Johnson, nenvizoi mesazhet e qarte që vijnë nga vendet.
"Udhëheqja amerikane është e nevojshme në Evropën juglindore. Kur tërhiqen Shtetet e Bashkuara, vakuumi i ndikimit mbushet nga vende me synime të dëmshme” tha zoti Johnson.
Edhe nënkryetari demokrati i nënkomisionit, Chris Murphy kërkoi më shumë vëmendje për Ballkanin.
"Tre nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet politika e jashtme amerikane, gërshetohen në Ballkan. Së pari, sfida e maskuar dhe e hapur e ndikimit rus që minon mbështetjen e instutucioneve perëndimore dhe gërryen më tej, qeverisjen demokratike; së dyti korrupsioni i rrënjosur që frenon përparimin ekonomik dhe i destabilizon qeveritë në gjithë rajonin dhe së treti radikalizimi në rritje i të rinjve myslimanë dhe numri relativisht i atyre që kanë shkuar në Siri nga ky rajon që të luftojnë me ISIS-in" tha zoti Myrphy.
Diskutimet në senat për rajonin kanë përfshirë dhe qëndrime të ndryshme për çështjet e shkurtimit të paraqitur të buxhetit amerikan në këtë zonë. “Ka një mospërputhje totale mes ekspozesë që bëni ju dhe sfidave të shumta që kanë nevojë për shtimin e burimeve dhe buxhetit që është paraqitur” ju drejtua zotit Yee zëvendës presidenti ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson. “Mesazhi im qendror është se paqartësia e vazhdueshme e mesazhit amerikan sot, mund të shkaktojë një krizë nesër, që nga ana tjetër do të kërkonte një angazhim shumë më të madh amerikan sesa do të ishte dashur për shmangien e krizës që pa filluar" tha zoti Wilson.

Related Posts: