RTSH: “Kreu i LSI-së Vasili i është përgjigjur akuzave të Bashës” plus 9 more

RTSH: “Kreu i LSI-së Vasili i është përgjigjur akuzave të Bashës” plus 9 more


Kreu i LSI-së Vasili i është përgjigjur akuzave të Bashës

Posted: 03 Jun 2017 05:07 AM PDT

Akuzave të Bashës ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrimi i është përgjigjur me një postim në rrjetin social facebook kryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili. E ndërsa e ka akuzuar Bashën për mosmirënjohje si ndaj ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Berisha, ashtu dhe ndaj ish-kreu-t të LSI-së, tashmë president i zgjedhur, Ilir Meta, Vasili i kërkon Bashës të përballen në debat, për të vërtetat e shpk-ve të Bashës apo shumë të vërteta të tjera që Vasili thotë se i di nga takime shumë të rëndësishme.

Kongresmeni Eliot Engel letër Mogherinit

Posted: 03 Jun 2017 04:40 AM PDT

Anëtari njohur i Komitetit të punëve të jashtme të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel, demokrat, ka dënuar veprimin e autoriteteve serbe për ndaljen e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërsa ajo përpiqej të hynte në Serbi. Jahjaga do të fliste për përdorimin e dhunimit si armë gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Për këtë çështje, Engel, i ka shkruar një letër përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ku thekson se mosgatishmëria e Serbisë për tu ballafaquar me krimet e saj në të kaluarën, është arsye për ngadalësimin e procesit të këtij vendi për integrim në Bashkimin Evropian. "Për vendin ballkanik, Serbinë, të shmangësh diskutimin dhe pranimin e përgjegjësisë për krimet e luftës, paraqet një problem shumë serioz. Nëse nuk adresohet, kjo mund të çojë në përsëritjen e sjelljes nga e kaluara. Beogradi thjesht nuk është i gatshëm të bashkohet me komunitetin e demokracive të BE-së nëse nuk e pranon plotësisht të kaluarën dhe nëse nuk merr përgjegjësinë për krimet e luftës", shkroi ligjvënësi Engel. Në letrën e tij, Engel shpreh respektin për punën e BE-së në nxitjen e dialogut, mirëkuptimin dhe normalizimin mes Serbisë dhe Kosovës. Autoritetet në Kosovë thanë se ndalimi i vizitës së ish- presidentes Jahjaga në Beograd, është shkelje e marrëveshjes së Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve.

BE refuzoi ofertën e Trump për marrëveshjen klimatike të Parisit

Posted: 03 Jun 2017 04:08 AM PDT

Bashkimi Europian refuzoi në mënyrë kategorike ofertën e presidentit amerikan Donald Trump për të rinegociuar marrëveshjen klimatike të Parisit dhe bëri të qartë se do të anashkalonte Uashingtonin, për të bashkëpunuar me krerët e bizneseve në SHBA dhe guvernatorët shtetërorë për implementimin e angazhimeve të ujdisë historike. Në Britani, kryeministrja Theresa May u përball me kritika për mosnënshkrimin e një deklarate të përbashkët nga Gjermania, Franca dhe Italia, kundër vendimit amerikan. Ndërkaq Kina, BE-ja dhe India, që  së bashku me SHBA, përfaqësojnë ndotësit më të mëdhenj, kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjes klimatike të Parisit. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha pas një takimi me kreyministrin kinez se Brukseli dhe Pekini do të intensifikojnë bashkëpunimin. Një zëdhënëse e ministrisë së jashtme kineze tha se Pekini ishte gati të merrte rolin e liderit, në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Mes lumit të reagimeve të ashpra ndërkombëtare, presidenti rus ishte mes të vetëmve që tha  se nuk do ta gjykonte Donald Trumpin. Organizata meteorologjike botërore e OKB bëri të ditur se në skenarin më të keq, tërheqja e SHBA nga marrëveshja, mund të ndikojë në një rritje prej 0.3 gradë celsius, të temperaturave, deri në fund të shekullit. Godinat rreth botës u ndriçuan me të gjelbër në shenjë proteste kundër vendimit të Trump.

Irlandë-Për herë të parë zgjidhet një kryeministër homoseksual

Posted: 03 Jun 2017 03:59 AM PDT

Leo Varadkar, 38 vjeç, mulat dhe pjesë e komunitetit LGBT, u zgjodh kreu i partisë irlandeze së qendrës së djathtë "Fine Gael" dhe do të bëhet kryeministri i ardhshëm i vendit brenda 10 ditëve."Nëse dikush si unë, i një race të përzier dhe me të gjitha gjërat e tjera që formojnë karakterin tim, mund të bëhem kryeministër, atëherë mendoj që kjo përçon një mesazh të qartë te çdo i ri", u shpreh Varadkar në fjalimin e tij pas zgjedhjes si kreu i Fine Gael. Zgjedhja e një kryeministri homoseksual, ka hasur kundërshtime të mëdha nga populli irlandez i cili njihet si popull me tradita të forta katolike. Leo Varadkar e ka pranuar orientimin e tij seksual që në 2015 dhe do të jetë kryeministri më i ri në historinë e shtetit irlandez. Varadkar është fëmi i një infermiereje irlandeze dhe një doktori nga India dhe pjesa dërrmuese e mediave britanike është fokusuar tek origjina dhe seksualiteti i tij. Ish-kryeministrja e Irlandës së Veriut, e uroi atë në telefon e po ashtu bëri edhe kryeministrja britanike Theresa May.

Gjermani-Anullohet festivali “Rock am Ring” pas një kërcënimi terrorist

Posted: 03 Jun 2017 03:53 AM PDT

Alarmi i një sulmi të mundshëm terrorist në festivalin muzikor “Rock am Ring” në qytetin e Nurenbergut, në Gjermani, ka ndaluar zhvillimin e këtij koncerti. Ky organizim i cili bëhet që nga viti 1985, është koncerti më popullor ‘rock’ që zhvillohet në Gjermani, i cili u ndërpre për shkak të një kërcënimi jo të konfirmuar. Njoftimi për ndërprerjen e koncertit u bë në rrjetin social Facebook nga vetë organizatorët. Festivali nuk do të zhvillohet as ditën e shtunë, ndërkohë do të vazhdojë deri më 4 qershor. Këto masa të rrepta sigurie në Gjermani vijnë si pasojë e kërcënimeve terroriste dhe sulmit terrorist në Manchester Arena, gjatë koncertit të këngëtares Ariana Grande. Sulmi në Manchester i 10 ditëve më parë shkaktoi 22 viktima dhe djetëra të plagosur, mes tyre shumë fëmijë, dhe u mor përsipër nga i ashtëquajturi Shteti Islamik.

SHBA: Jo militarizimin e Kinës në ishujt e Kinës jugore

Posted: 03 Jun 2017 03:49 AM PDT

Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranojnë militarizimin e Kinës në ishujt në Detin e Kinës Jugore. Paralajmërimi ka ardhur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Mattis. Duke folur në një konferencë për sigurinë në Singapor, Mattis u shpreh se të tilla lëvizje dëmtojnë stabilitetin rajonal. Pretendimet territoriale të Kinës në Detin plot burime të Kinës Jugore kundërshtohen nga kombe si Taivani, Vietnami, Filipinet, Malajzia, Brunei dhe vetë Kina. Tensionet mbi Detin e Kinës Jugore janë shtuar që prej korrikut 2016, kur një gjykatë vendosi kundër pretendimeve territoriale kineze, vendim të cilin Pekini nuk e respektoi. Presidenti Donald Trump dhe të tjerë zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar vazhdimisht se ata do të mbrojnë interesat e tyre në Detin e Kinës Jugore, një rrugë kryesore detare. Sidoqoftë, nga forumi në Singapor, Gjenerali Mattis prezantoi një marrëdhënie të mirë mes SHBA-së dhe Kinës, duke thënë se teksa gara mes dy vendeve "është e destinuar të ndodhë, konflikti mes tyre nuk është i pashmangshëm". Megjithatë, pyetja më e madhe për delegatët aziatikë që ndoqën forumin lidhet me rolin që Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të luajnë në rajon. Përtej toneve paralajmëruese, Gjenerali Mattis ka përgëzuar përpjekjet e Pekinit për të frenuar aktivitetin bërthamor të Koresë së Veriut. Komentet e tij erdhën vetëm pak pasi Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara zgjeroi sanksionet ndaj Koresë së Veriut, në përgjigje të një serie testesh me raketa të kryera gjatë këtij viti.

Shqipëria turistike në amerikanen “Paste Magazine”

Posted: 03 Jun 2017 03:43 AM PDT

Bregdet mahnitës, plazhe përrallore, ushqim të mrekullueshëm me shpenzime që nuk e rëndojnë xhepin, mund të jenë fjalët të cilat nuk do të mjaftonin për të përshkruar Shqipërinë, vendin e gjallë ballkanik. Kështu e ka filluar shkrimin e saj të publikuar në revistën amerikane Paste Magazine (Peist Magëziin), gazetarja Italiane Franceska Massoti. E ndërsa Shqipëria, po bëhet gjithnjë e më e vizituar nga turistët, ajo mbetet akoma e pazbuluar. Aty mund të gjendet një vijë bregdetare e mrekullueshme, dhe site historike fort tërheqëse, por arsyeja për të shkuar në Shqipëri është të zbulosh një vend të panjohur i cili mbështillet nga misteri pas dekadave të tëra të izolimit. Përgatituni të bini në dashuri me këtë vend të mrekullueshëm, që nga kryeqyteti Tirana, te ujrat e kristalta të jugut e deri tek qytezat antike. Një eksurksion nëpër Shqipëri është një aventurë e vërtetë, shkruan Massoti në shkrimin e saj.

"Harroni Londrën, Parisin apo Romën. Për një qytet të pasur me kulturë, histori dhe gastronomi, provoni Tiranën. Qendra e këtij destinacioni të gjallë, është Blloku, lagjia më e njohur e këtij qyteti’ shkruan gazetarja në shkrimin e saj, duke u sugjeruar më pas turistëve të vizitojnë me patjetër Beratin dhe Gjirokastrën, dy qytete të mbrojtura nga UNESKO dhe unike për historinë dhe mënyrën e ndërtimit të tyre. Sipas saj, Riviera Shqiptare eshte një zbulim për shumë udhëtarë sepse në të ndodhen plazhet e fundit të paprekura të Europës. Por para se të largoheni nga ky vend, duhet të kaloni disa orë në Parkun Arkeologjik të Butrintit, i cili ndodhet më pak se një orë larg Sarandës. Rrënojat antike të këtij qyteti dëi banuar që në kohërat prehistorike, e perfundon shkrimin e saj të publikuar në revistën amerikane Paste Magazine ( Peist Magëziin) gazetarja italiane Francesa Massoti.

Nishani vlerëson harmoninë fetare si dhe kontributin e klerit në luftën kundër terrorizmit

Posted: 03 Jun 2017 03:30 AM PDT

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës së punës dhe pjesëmarrjes në Takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit, mori pjesë gjithashtu dhe mbajti ligjëratën kryesore në Konferencën e zhvilluar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani, në bashkëpunim me Fondacionin "Nehemiah" me temë: "Komunitetet Fetare në Shqipëri: një model frymëzimi harmonie fetare në kohëra të ekstremizmit fetar". Kreu i Shtetit, e konsideroi traditën shumë shekullore të bashkëjetesës, respektit reciprok dhe harmonisë fetare në Shqipëri, një vlerë të patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare në përgjithësi, pavarësisht besimit apo orientimit politik e shoqëror. "Ky model bashkëjetese dhe harmonie përbën një nga kolonat qendrore të vetë ngrehinës së shtetit shqiptar" – u shpreh Presidenti Nishani. Presidenti Nishani evidentoi gjithashtu martirizimin e klerit në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit. "Është e drejtë e gjithkujt të besojë ose jo në Zot. Por gjithashtu mendoj se askush nuk e ka, jo vetëm të drejtën, por as mundësinë të ndalojë të tjerët të besojnë në Zot. Kjo gjë u vërtetua më së miri në Shqipëri" – u theksua nga Presidenti Nishani. Kreu i Shteti i njohu të pranishmit edhe me kontributin e krerëve e përfaqësuesve të besimeve fetare në Shqipëri për kapërcimin e sfidave e kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi me baza fetare e ekstremizmi i dhunshëm. "Ata kanë dhënë një ndihmesë shumë të vyer për të gjithë shoqërinë shqiptare, duke demonstruar se për çështje të tilla madhore e me interes kombëtar, ata janë gjithmonë bashkë e solidarë" – shtoi Presidenti Nishani. Të ftuar nderi në këtë konferencë ishin dhe krerë e përfaqësues të disa prej besimeve kryesore fetare në Shqipëri, si nga komuniteti musliman, ashtu edhe nga ai katolik e orthodhoks, por edhe nga vëllazëria ungjillore.

Miss Shqipëria 2017-Seti fotografik

Posted: 03 Jun 2017 03:18 AM PDT

Kompeticioni i Miss Shqipërisë i edicionit të 19-të tij, tashmë po merr trajtën e vet të plotë. Vajzat sapo kanë realizuar dhe përfunduar, përgjatë dy ditëve, setin fotografik të Revistes Zyrtare të Miss Shqipëria si dhe publikimin e tyre në web-sajtin e Miss Shqipërisë. Këto foto do të publikohen së bashku me të dhënat e konkurrentëve finaliste dhe publiku do të ketë mundësi të njihet me profilet e tyre gjatë ditëve në vijim. Gjithashtu ata do të mund dhe t’i votoje për Çmimin e Publikut, një nga çmimet më të forta të kompeticionit www.missshqipëria.com. Nga data 5 qershor të gjithë do kenë mundësi të ndjekin ekskluzivisht në rtsh 1 hd dhe rtsh art, rrjetin e kanaleve të rtsh, në pritje të Miss Shqipërisë, do të njihen dhe me turin turistik që ky format bën që prej 19 vitesh. Seti i bukurosheve është realizuar nga fotografi Toni Golloshi.

Qeveritë marrin borxh për të paguar borxhin

Posted: 03 Jun 2017 03:03 AM PDT

Debati publik lidhur me rritjen ose jo të pensioneve, të pagave apo shpërblimeve të tjera për punonjësit buxhetorë e jobuxhetorë sjell në vëmendje shifrat historike zyrtare të borxhit publik. Kjo që shikoni është tabela e borxhit të ri publik të marrë nga qeveritë nga viti 2004 deri në vitin aktual.

Sikurse shihet, me përjashtim të vitit 2004, në të gjithë vitet e tjera borxhi i ri publik i qeverive nuk i mbulon asnjëherë detyrimet që llogariten si interesat e borxhit të vjetër plus defiçitin e fondit të pensioneve. Vini re nga tabela se si ka ndryshuar në rritje fondi i pensioneve, i cli gllabëron një pjesë të madhe të parave publike. Vetëm për vitin 2017, qeverisë i duhet të paguajë 114 miliardë lekë nga 69 miliardë që planifikohet të mbledhë nga kontributet.

A do të ulet borxhi publik? Sipas parashikimeve afatgjata borxhi do të sillet sipas kësaj trajektoreje. Por trajektorja e uljes së borxhit është e varur nga zhvillimet e rritjes ekonomike, pra do të ndikohet edhe nga të gjithë faktorët (të brendshëm e të jashtëm) që ndikojnë rritjen ekonomike. Nëse rritja ekonomike rezulton jo në nivelin e pritshëm, edhe ulja e nivelit të borxhit (në raport me PBB) do të duhet bëhet në mënyrë më të moderuar, për të mos ndikuar negativisht në zhvillimin e vendit.

Nën këtë analizë duhet të shihen edhe premtimet elektorale për rritjen e pagave, pensioneve dhe shpërblimeve për kategori të caktuara punonjësish.

Related Posts: