RTSH: “Arsimi i Lartë, thellohet debati Mehmetaj – Nikolla” plus 9 more

RTSH: “Arsimi i Lartë, thellohet debati Mehmetaj – Nikolla” plus 9 more


Arsimi i Lartë, thellohet debati Mehmetaj – Nikolla

Posted: 05 Jun 2017 07:09 AM PDT

Deklarata e deputetes së LSI Kejdi Mehmetaj nëpërmjet një statusi në Fejsbuk se skema e pranimeve në universitete është klienteliste, ka sjellë përplasjen e rradhës mes saj dhe ish ministres së arsimit dhe sporteve Lindita Nikolla.
Po nëpërmjet Fejsbukut zonja Nikolla i është drejtuar me disa pyetje deputetes së LSI. “-Ku ishe ti moj vajzë, kur u mbyllën 22 universitet private, piramida të ngritura edhe kur forca jote politike bashkëdrejtonte Ministrinë e Arsimit?
– A ke diçka për të thënë për bashkëpërgjegjësinë tuaj në hapjen e universiteteve private piramidale si kërpudha deri në 2013-ën?
Kejdi je një vajzë e re, dhe nuk ka dëm më të madh që i bëhet kauzës së të rinjve në politikë, sesa kur dikush, që i janë dhënë të gjitha mundësitë për të kontribuar, zgjedh politikën e baltës” shkruan ish ministrja Nikolla.
Pas reagimit të zonjës Nikolla ka ardhur edhe përgjigjia e deputetes Mehmetaj. Sipas saj ish ministrja e Arsimit nuk e ka kuptuar Ligjin e Arsimit të Lartë dhe pasojat që ai sjell. “Unë kam qenë disa herë në zyrën tuaj për të diskutuar për ligjin dhe me keqardhje po konstatoj sërish, se ju si ish ministre ende nuk e kuptoni ligjin dhe pasojat e tij. Ju nuk keni si ta dini çfarë kam thënë në komision apo parlament, sepse ju vetë as nuk keni qenë në komision dhe as keni marrë pjesë në hartimin e ligjit të arsimit të lartë, për të janë kujdesur oligarkët e arsimit privat me të cilët ju dhe të tjerë kanë lidhur interesat në kurriz të të rinjve shqiptarë” shprehet deputetja e LSI Kejdi Mehmetaj.
Debati aktual shihet jo vetëm si pjesë e fushatës zgjedhore, por edhe më tej. LSI dhe PD kanë premtuar se nëse vijnë në pushtet do ta ndryshojnë ligjin e arsimit të lartë, ndërsa PS deklaron se do ta përmirësojë akoma më tej.

Linja 400 kv me Kosovën, Shqipëria sugjeron arbitrazhin

Posted: 05 Jun 2017 06:20 AM PDT

Shqipëria i propozon Kosoves që ti drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar për të ndryshuar kushtin e marrëveshjes me Serbinë që mban peng prej një viti vënien në punë të linjes së interkonjeksionit 400 kv Kosovë-Shqipëri. Linja përfundoi në Qershor të 2016 por ende nuk ka nisur nga puna, pasi Serbia nuk njeh operatorin e transmetimit të Kosoves. Administratori i Operatorit të transmetimit të energjisë, Engjëll Zeqo thotë se situata duhet të marrë zgjidhje pasi investimi 75.5 mln euro amortizohet nëse nuk vihet në funksion. Nga ana tjetër, kushti i Serbisë po prodhon kosto si për Shqipërinë po ashtu edhe për Kosovën, pasi vendet vazhdojnë të paguajnë kredinë ndaj bankës gjermane KFW, ndërkohë që humbja më e madhe nga ky projekt lidhet me sigurinë energjitike. Vetëm për këtë vit Kosova dhe Shqipëria kanë humbur nga 500 mijë deri në 1 milionë euro vetëm nga pagesat që duhet të jepnin kompanitë që do të përdorin këtë linje.

“Radikalizmi dhe e shkuara” ekspozitë e studentëve të FAB

Posted: 05 Jun 2017 06:10 AM PDT

"Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të kuptojmë të vërtetën"…. mbi këtë thënie të piktorit të famshëm Pablo Picasso mund të sendërtohet raporti ynë me të kaluarën apo edhe me tema që na shkundin siç është radikalizmi fetar.
I tillë është edhe reflektimi në të cilën janë ftuar studentët e Universitetit të arteve përmes konkursit "Radikalizmi fetar dhe Marrëdhënia me të shkuarën" mbeshtetur nga OSBE dhe ambasada italiane. Nën kurimin e Ermir Hoxhës dhe Ilir Kasos studentët kanë reflektuar mbi këto tema të nxehta në furinë e të cilave nuk kalon vetëm shoqëria shqiptare.
Kuratori Ilir Kaso, thotë se pjesa e reflektimit është një përballje për të gjithë. “Në momentin kur ne kalojmë nje reflektim, kemi një përballje me të shkuarën, por edhe me radilaizmin, besimin e tjeterit, me besimin tonë” thotë ai.
Studentët u janë përgjigjur me një reflektim real dhe të thellë të dy tematikave që prekin në një mënyrë apo tjetër jetën e përditshme edhe pse për të kaluarën flitet shumë dhe për radikalizmin fetar me pak. Bashkëorganizatorët kanë dashur ta vënë theksin te misioni komunikues që arti bën pavarësisht mediumit.
Bern Boscard, ambasador i OSBE në Tiranë tha se përgëzonte artistët e rinj për realizimin e veprave për krijimin e veprave kaq kreative. “Siç thoshte Pikasoja arti ka për detyrë të shkundi pluhurin e të përditshmes nga shpirtërat tanë dhe ai i shërben komunikimit” tha ai.
Nga kokëprerja e Shpatarakut tek “Barra”, apo nga “Metamorfoza” tek “Kujtesa” veprat e studentëve të arteve janë një ftesë për reflektim se si përballemi me tema të tilla delikate që përfshijnë emocione apo përmbysin fate të tëra njerëzish.

Luan Rama : LSI në Pukë është dhe do jetë forcë e parë!

Posted: 05 Jun 2017 05:49 AM PDT

11 janë kandidatët e LSI në qarkun e Shkodrës të cilët të hënën u prezantuan para zgjedhësve në qytetin e Pukës. Nënkryetari aktual i LSi Luan Rama tha se fitorja e LSI është një  shans për të gjithë. “Ne vijmë të marrim besën tuaj, për shërbim të pushtetit ndaj qytetarëve, për një qeverisje me drejtim të ri që qytetarin e ka të parin dhe interesin e tij mbi çdo interes tjetër. Prandaj në 25 qershor duhet votuar numri 1 në fletën e votimit, numri 1 që është LSI” tha zoti Luan Rama. “Fitorja e LSi është fitore dhe shans për të gjithë, edhe për PS, edhe për PD edhe për ata pa parti” theksoi ai. Sipas zotit Rama kjo pasi LSI është forca e rinisë, themeli i institucioneve demokratike në Shqipëri, stabiliteti dhe e ardhmja europiane e saj. Nënkryetari i LSI vlerësoi se partia e tij është forcë që në themel ka solidaritetin. “Pukjanët ja kanë dalë të fitojnë ndaj vështirësive në saje të solidaritetit me njeri tjetrin, solidaritet që ju bën ju të veçantë” tha zoti Luan Rama. “Është kjo arsyeja që LSI është dhe do të jetë forcë e parë në Pukë” shtoi ai.

Sulm terrorist në Australi, 2 viktima dhe 3 të plagosur

Posted: 05 Jun 2017 05:35 AM PDT

Një incident terrorist u regjistrua sot në qytetin Melburn të Australisë. Sulmi që përfshinte edhe pengmarrjen u mbyll me dy të vdekur dhe 3 policë të plagosur. Një person i armatosur vrau një njeri në rrugë dhe më pas u mbyll në një apartament ku mori peng një grua. Policia ndërhyri duke e vrarë agresorin. Përpara ndërhyrjes së policisë, ai i telefonoi një televizioni lokal dhe tha; Kjo është për Shtetin Islamik dhe për Al Kaeden".

Kryeministrja Mei: Niveli i alarmit vazhdon të mbetet i lartë

Posted: 05 Jun 2017 05:25 AM PDT

Policia e Londrës po i zgjeron operacionet pas sulmit terrorist të dy netëve më parë. Policia njoftoi se sot në mëngjes kreu bastisje në dy adresa në NjuHem dhe Barking në lindje të qytetit dhe se ka bërë disa arrestime. Policia po ashtu njoftoi lirimin e njërit nga 12 personat e arrestuar gjatë bastisjeve ditën e diel në Barking. Ndërkaq, shtatë femrat dhe katër meshkujt e arrestuar dje ende janë në arrest. Arrestimet janë kryer në banesat ku mendohet se kanë jetuar terroristët, të cilët tashmë janë identifikuar por emrat nuk janë bërë publike për arsye hetimore. Nga ana tjetër, kryeministrja britanike Tereza Mei zhvilloi një mbledhje tjetër emergjente të kabinetit me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe inteligjencës. Pas takimit, zonja Mei tha se niveli i alarmit vazhdon të mbetet i lartë, çka do të thotë se ka mundësi për sulme të tjera terroriste. Sulmi në urën e Londres nuk drejtohej vetëm kundër qytetit, por kundër Britanisë dhe gjithë botës së lirë. Kemi rritur jo vetëm buxhetin e njësive antiterror të policisë, por edhe armatimin e tyre, lajmëroi kryeministrja.

Thethi; Mes bukurisë dhe nevojave për ndryshim

Posted: 05 Jun 2017 05:14 AM PDT

Megjithëse në ditët e para të sezonit, fshati turistik i Thethit në bashkinë e Shkodrës, është i populluar në masë nga vizitorët e huaj, të apasionuar ndaj turizmit malor, që vijnë nga vende të ndryshme të botës dhe shprehen të befasuar nga ajo çfarë ofrojnë alpet shqiptare. Një turist gjerman shprehet: "Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Jam që një ditë më parë me famijlen, gruan dhe dy femijët, këtu në Theth . Impresioni i parë që na la ky vend është ai i një vendi shumë të bukur, njerëz të këndshëm dhe miqësorë. Po ia kalojmë shumë mirë." Pavarësisht rrugës tejet të amortizuar në një gjatësi prej 15 kilometrash, gjatë vitit të shkuar, Thethi u vizitua nga afro 70 mijë turistë, ndërkohë që për sezonin e sivjetshëm turistik, pritshmëritë janë për një fluks edhe më të lartë. Adminsitratori i njësisë Petrit Arra, thotë se, "Pritshmëritë janë shumë të larta, sidomos tani që rezervimet bëhen edhe online. Para pak ditësh, Thethi është shpallur dhe park historik, dhe gjithmonë e më shumë njerëz po kërkojnë me ardh. Nga infrastruktura me thënë të drejtën kemi shumë probleme." Resurset natyrore të Thethit së bashku me trashëgiminë kulturore dhe historike kanë tërhequr vazhdimisht edhe vëmendjen e organizmave ndërkombëtare që kanë ndikuar në zhvillimin e turizmit. Një ditë më parë ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, në vizitën e saj të parë në Theth, prezantoi një projekt të BE-së që synon zhvillimin e turzimit vendor në katër zona të vendit ku bën pjesë edhe kjo pjesë e Alpeve të Shqipërisë.

Beteja për çdo vote në Tiranë

Posted: 05 Jun 2017 05:11 AM PDT

Në Tiranë në datën 25 Qershor do të luftohet për çdo votë sepse partitë për herë të parë që pas vitit 2008 kur u ndryshua sistemi zgjedhor do të konkurojnë të vetme dhe jo në koalicione. Tirana është fushë beteja më e fortë edhe për faktin se çon në parlament gati një të pestën e deputetëve njëherësh dhe nga vota e kryeqytetasve kanë varur shpresat për t’ u zgjedhur thuajse të gjithë kryetarët e partive të vogla parlamentare ose jo të tilla. Pas Bashës që i prin listës në Tiranë edhe Mediu, Dashamir Shehi, Ben Blushi, Shpëtim Idrizi, Gazmend Oketa, Skender Gjinushi do të përballen të dielën e 25 Qershorit. E vetmja gjë që llogaritet për momentin me përafërsi është sa vota duhen për një mandat deputeti në kryeqytet. Pjesëmarrja në zgjedhje është ajo që përcakton edhe numrin e votave që duhet të mbledhë secili prej kandidateve të rrjeshtuar në listat e kryeqytetit. Ekspertet thonë se për të qënë deputet në Tiranë duhet të mbledhësh rreth 13.460 vota dhe kjo shifër llogaritet sipas pjesëmarrjes së votuesve në vitin 2013. Ndërsa në zgjedhjet lokale te vitit 2015 numri i votuesve ishte më i vogël, dhe sipas kësaj pjesëmarrjeje , një deputeti do t’ i duhen të paktën 12.100 vota për të qenë fitues i garës parlamentare. Beteja do të jetë më e vështirë për partitë e vogla që deri në zgjedhjet e shkuara jetonin nën ombrellën e partive të mëdha.

Rama në Poliçan dhe Divjakë: Duam mandat për të shumëfishuar punët e nisura!

Posted: 05 Jun 2017 05:11 AM PDT

Nga Policani në qarkun e Beratit, kryeministri Edi Rama, kërkoi të hënën edhe një mandat tjetër të plotë për të shumëfishuar sipas tij punët e nisura. Sipas kreut socialist, 25 qershori është dita ku shqiptarët duhet të marrin një vendim të rëndësishëm. “Duam besimin tuaj për të marrë një mandat të plotë më 25 qershor, sepse çka mbetet për tu bërë është ende shumë dhe ka nevojë për vendosmëri, kurajo dhe mbi të gjitha ka nevojë për këmbënguljen tonë, të PS” tha zoti Rama. “Ju jeni dëshmitarë se vetëm falë këmbënguljes sonë shqiptarët, sot kanë perspektivën deri dje të pa imagjinueshme të një drejtësie të re, të një drejtësie ku të gjithë të barabartë në dyert e gjykatave dhe ku drejtësia të mos jetë më mall që i shitet atij që paguan më shumë” shtoi ai.
Zoti Rama iu premtoi banorëve të Policanit se në katër vitet e ardhshme, në kuadër të Rilindjes Urbane, projektet do të shtrihen nga qendrat e qyteteve në zonat rurale të bashkive të reja.

Ndërkohë më herët, kryeministri Rama inspektoi fshatrat e Divjakës ku premtoi se mbështetje për fermerët dhe zgjidhjen përfundimtare të ciklit të pastrimit për herë të parë të kanaleve ujitëse e kulluese. Duke pranuar se ende mbetet shumë punë për tu bërë, kryeministri socialist tha se përfundimi i programit të vaditjes dhe kullimit do të sjellë përmirësime të ndjeshme sezonin e ardhshëm. Gjatë inspektimit, zoti Rama deklaroi se qeveria do të shkojë hap pas hapi drejt krijimit të një modeli suksesi tërësor në këto zona.

Ish kreu i postave Lazimi, kallzon penalisht ministren Ikonomi

Posted: 05 Jun 2017 04:46 AM PDT

Lufta politike mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, i ka kaluar caqet, duke arritur deri në nivel administrate. Pak ditë pasi mësoi shkarkimin e tij nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Postës Shqiptare, Majlind Lazimi merr një tjetër hap ligjor. Ai dorëzoi në prokurorinë e përgjithshme një kallzim penal ndaj Milva Ikonomit, ministre e Ekonomisë. Padia e ngritur ndaj ministres ka të bëjë me akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Sipas tij vendimi për shkarkim është thjesht politik. Edhe ministrja e vënë në dijeni për këtë padi ka reaguar publikisht, duke pretenduar se ka bërë detyrën. "Kam të drejtën që më jep ligji për emërime dhe shkarkimi edhe për shoqëritë anonime. Jam në zbatim të detyrave që më jep ligji" tha Milva Ikonomi . Shkarkimi i Lazimit u bë tre ditë më parë menjëherë pas ngritjes së Task Forcës së Monitorimit të Administratës. Nga ana e tij Majlind Lazimi e cilësoi nul vendimin pasi nuk ka raport të këshillit mbikqyrës të postës. Pritet që prokuroria të njihet më kallzimin penal dhe nëse do të nis hetime për këtë rast. Ndërkohë që ish kreu i postave deklaron se do ta çojë çështjen edhe në gjykatën administrative ku do të kërkojë pavlefshmërinë e shkarkimit të tij.