“Putin kritikon fuqishëm politikat amerikane” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Putin kritikon fuqishëm politikat amerikane” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Putin kritikon fuqishëm politikat amerikane

Posted: 02 Jun 2017 09:28 AM PDT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kritikoi fuqishëm politikën e jashtme amerikane gjatë dy dekadave të kaluara. Ai tha se bëhet fjalë për një "shpërdorim të pushtetit", i cili ka destabilizuar Lindjen e Mesme dhe gjithë rendin ndërkombëtar. Duke folur në një sesion me pyetje-përgjigje, në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, të moderuar nga gazetarja amerikane, Megyn Kelly, Putin akuzoi SHBA-në për "ndërhyrje të ashpra dhe sistematike në çështjet ruse për vite të tëra". Putin po ashtu tha se SHBA-ja ka promovuar "grushtshtetin antiqeveritar në Ukrainë". Po sipas tij, SHBA është përgjegjëse për jostabilitetin në Libi, Egjipt, Irak dhe Siri, ndërsa raportet e Perëndimit se Qeveria siriane ka kryer sulm kimik në muajin prill "kanë qenë provokim, me qëllim diskreditimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad". Për NATO-n, Putin tha se është "instrument i politikës së jashtme amerikane".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

ANEB: Irani po respekton marrëveshjen bërthamore

Posted: 02 Jun 2017 09:05 AM PDT

Irani është duke vepruar në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, raportojnë mediat duke cituar një vlerësim të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB). Vlerësimi tremujor i ANEB-it tregon se stoku i uraniumit të pasuruar në Iran është nën kufirin e përcaktuar me marrëveshje. Uraniumi i pasuruar më pak mund të përdoret për qëllime paqësore, por kur pasurohet më shumë mund të përdoret për armë. ANEB po ashtu tha se stoku i ujit të rëndë, i cili mund të përdoret në reaktorët që prodhojnë armë me plutonium, është 128.2 tonë - nën kufirin prej 130 tonësh. Me marrëveshen e vitit 2015, midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Republika Islamike ka reduktuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Por, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka kritikuar vazhdimisht marrëveshjen, duke e quajtur atë "katastrofë". Gjatë fushatës presidenciale, Trump është zotuar se do të tërheqë SHBA-në nga marrëveshja.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Papunësia në SHBA bie në nivel rekord

Posted: 02 Jun 2017 08:33 AM PDT

Shkalla e papunësisë në SHBA, në muajin maj, ka rënë në nivelin më të ulët në 16 vjet, por hapja mujore e vendeve të punës është ngadalësuar, tha Departamenti amerikan i Punës. Sipas shifrave të publikuara të premten, papunësia ka rënë në 4.3 përqind në maj, ndërsa vende të reja pune janë hapur vetëm 138,000. Menjëherë pas përfundmit të Recesionit të Madh në qershor të vitit 2009, papunësia në SHBA ka arritur në 10 përqind. Departamenti i Punës tha se hapja e vendeve të reja të punës po ngadalësohet, pasi tregu i punës është afër mbushjes.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Jahjaga: Autoritete e Serbisë me mendësi të viteve të nëntëdhjeta

Posted: 02 Jun 2017 08:12 AM PDT

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se Serbia e ka shkelur rëndë Marrëveshjen e Brukselit për vizita zyrtare, për shkak se ia ka pamundësuar vizitën në Beograd, vizitë kjo e cila ishte paraparë të niste ditën e enjte. Ish-presidentja Jahjaga është ftuar të marrë pjesë në festivalin "Mirëdita, Dobar dan", i cili po mbahet në Beograd, për të marrë pjesë në promovimin e librit "Dua të dëgjohem: Libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë". Fjalimi i ish-presidentes Jahjaga për temën të cilën e trajton libri, është paraparë të bëhet të premten, më 2 qershor, në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor. Ish-presidentja Jahjaga, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se Serbia ia ka pamundësuar hyrjen e sigurt në këtë shtet, duke u thirrur më pas në justifikime absurde. Ish-presidentja Jahjaga ka shpjeguar se autoritetet e Kosovë i kanë njoftuar me kohë autoritetet e Serbisë për vizitën e saj dhe se përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Sipas saj, shteti serb është dashur të garantojë sigurinë e saj gjatë rrugës për në Beograd, por se në pikën kufitare në Merdarë, në anën serbe të kufirit, nuk ka pasur ekip policor që do të garantonte sigurinë. "Arsyetimi ka qenë shumë banal, kinse zyrtarët e mi të sigurimit nuk janë prezantuar, çka nuk ka qenë e vërtetë sepse në hyrjen e tyre të parë, në pikën kufitare në Merdare në anën e Serbisë, janë prezantuar se janë mbrojtja e afërt e ish-presidentes së Republikës së Kosovës, dhe të cilët i kanë të gjitha dokumentet, siç e parasheh Marrëveshja e Brukselit për lehtësimin e kalimit të pikës kufitare. Dhe kur kanë pyetur se ku është sigurimi që do ta përcjellë, ashtu siç e parasheh marrëveshja presidenten Jahjaga, përgjigja e tyre ka qenë se nuk ka sigurim dhe sigurimi nuk ka ardhur", tha Jahjaga. Jahjaga ka shpjeguar se pjesëtarët e sigurimit të saj të afërt, kanë tentuar katër herë që të sqarojnë situatën me palën serbe, por këto tentime kanë qenë të kota. Më pas, sipas saj, sigurimi i saj i afërt nuk ka lejuar që ajo ta vazhdojë rrugën, pa garantim të sigurisë nga shteti serb, autoritetet e të cilit kishin ndërprerë çdo komunikim. "Totalisht komunikimi është ndërprerë, përkundër qindra tentimeve të ambasadorit tonë, që është shef i Zyrës ndërlidhëse në Beograd, që të komunikojë me zyrtarët e ministrisë, me zyrtarët e sigurisë, është ndërprerë totalisht komunikimi. Do të thotë nuk ka pasur asnjë përgjigje. Përgjigja e vetme ka ardhur pas orës 5 pasdite, me këto arsyetimet kinse nuk janë prezantuar si duhet atje", tha Jahjaga. Ish-presidentja Jahjaga theksoi se nuk ka iluzione që autoritetet e sotme të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen e tyre ndaj Kosovës sepse, siç tha ajo, "sjellja e tyre është e njëjtë sikurse në vitet e nëntëdhjeta, kur ata edhe ishin protagonistët kryesorë". Megjithatë, sipas saj, e gjithë kjo është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit dhe u mbetet autoriteteve të Kosovës që të mendojnë për masa reciproke, si dhe të kërkojnë nga Bashkimi Evropian të sqarojë se pse shkelet kjo marrëveshje. "Mosgatishmëria dhe mosvullneti i autoriteteve të Serbisë, për implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nuk shkon në frymën e normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona", u shpreh Jahjaga. Ish-presidentja Jahjaga, megjithatë ka falënderuar organizatorët e festivalit "Mirëdita, Dobar dan", ku është dashur të marrë pjesë në promovimin e librit. Festivali ka nisur të mërkurën mbrëma, më 31 maj, dhe është penguar përkohësisht nga pjesëtarë të lëvizjes ekstreme djathtiste "Zavetnici". Të enjten, një grup prej qindra personash janë tubuar para Shtëpisë së rinisë në Beograd, ku edhe po mbahet festivali "Mirdita, Dobar dan!". Ata kanë ofenduar dhe u kanë hedhur ujë organizatorëve të Festivalit të Iniciativës së të rinjve për të drejta të njeriut. Para Shtëpisë së Rinisë, të tubuarit kishin vendosur stenda me përmbajtje ofenduese për shqiptarët e Kosovës, ndërkohë që disa dhjetëra policë, të cilët qëndronin aty pranë, nuk kanë reaguar.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vritet themeluesi i agjencisë së lajmeve të Shtetit Islamik

Posted: 02 Jun 2017 07:32 AM PDT

Themeluesi i agjencisë së lajmeve të grupit militant Shtetit Islamik është vrarë, së bashku me të bijën, gjatë një sulmi ajror javën e kaluar në Siri. Lajmin e ka konfirmuar i vëllai i tij dhe disa aktivistë opozitarë në Siri. Vetë IS-i nuk ka njoftuar mbi vdekjen e themeluesit të agjencisë Amaq, Baraa Kadek, i njohur gjithashtu edhe si Reyan Meshaal. Aktvistët thanë se Meshaal ishte i afërt me lidershipin e IS-it dhe thuhet të jetë takuar me liderin enigmatik të grupit, Abu Bakr al-Baghdadi. Vëllau i Meshaalit, Hozaifa, ka thënë në rrjetin social Facebook se ai ka vdekur gjatë një sulmi ajror nga Shtetet e Bashkuara, në qytetin Mayadeen, në provincën Deir el-Zour. Agjencia e lajmeve Amaq, e themeluar në vitin 2014, konsiderohet si promotore e grupit militant dhe është shfrytëzuar nga IS-i për të marrë përgjegjësinë mbi disa sulme terroriste në botë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shoqëria civile kërkon reforma nga Qeveria e re e Maqedonisë

Posted: 02 Jun 2017 06:23 AM PDT

Organizatat joqeveritare të cilat ishin më të zëshme ndaj politikave të Qeverisë së kaluar, duke organizuar madje edhe protesta, thonë se Qeveria e Maqedonisë duhet të përvesh mëngët dhe me shumë seriozitet t'i qaset punës në kthimin e drejtësisë, pastrimin nga politika të institucioneve shtetërore, përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, luftën kundër korrupsionit dhe reformat thelbësore në sistemin arsimor. Petrit Saraçini nga Organizata Joqeveritare "CIVIL", për Radion Evropa e Lirë konsideron se më thelbësore është që të gjithë qytetarët e vendit të ndjehen të barabartë para organeve të drejtësisë. "Fillimisht të gjithë qytetarët, ne si sektor civil dhe opinioni publik, duhet të shohim se në vend fillon të funksionojë drejtësia. Në Maqedoni nuk funksionon drejtësia, sistemi juridik çdo gjë është shkatërruar si rrjedhojë e okupimit nga ana e partisë që ishte në pushtet dhe partnerëve të koalicionit qeverisës gjatë dhjetë ose njëmbëdhjetë vite qeverisje". "Dhe e dyta që me urgjencë duhet të bëhet është të çlirohen mediat nga okupimi partiak epolitik", thekson Saraçini. Ndërkaq, Albert Hani nga Organizata Joqeveritare "Qendra për Menaxhimin e Konflikteve", për Radion Evropa e Lirë thotë se për të ardhmen e vendit me rëndësi të veçantë është që Qeveria e re e Maqedonisë të angazhohet për vendosjen e vlerave të reja demokratike në sistem. "Një nga prioritetet kryesore që Qeveria e re e Maqedonisë duhet të ketë është ballafaqimi me konceptin e eliminimit të nacionalizmave që ka qenë burim i frymëzimit mbi bazë të cilit është ruajtur pushteti i Qeverisë së kaluar". "Kësaj mënyre të qeverisjes ku si mekanizëm kryesor përdorej ankthi dhe frika nga shqiptarët, duke i perceptuar si kërcënues më të mëdhenj të shtetit të Maqedonisë, besoj se i ka ardhur fundi dhe besoj se tani ka ardhur koha që Qeveria e re të eliminojë këtë lloj nacionalizmi dhe të përqendrohet në mirëqenien për të gjithë qytetarët", thotë Hani. Nga ana tjetër, Arianit Xhaferi nga shoqata ekologjike "EKO Guerila", e cila gjithashtu ka organizuar protesta të shumta kundër ndotjes së ambientit nga ana e gjigantit metalurgjik Jugohom në Tetovë, tha se Qeveria e re do të ballafaqohet me protesta edhe më të ashpra nëse nuk mban premtimet për zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me ruajtjen e ambientit jetësor edhe në praktik. "Po si sektor civil që në fokus ka ruajtjen e ambientit jetësor, presim që Qeveria e re e Maqedonisë, ruajtjes së ambientit jetësor t'i jap një pozitë më të rëndësishme në agjendën e saj politike". "Sigurisht si organizatë joqeveritare që veprojmë nga Tetova, kërkojmë që pa u përmbushur standardet, në asnjë mënyrë të mos lejohet hapja e Jugohomit, ndotësit më të madh në këtë rajon, por njëkohësisht të gjendet edhe një zgjidhje për ndotësit e mëdhenj të dy termocentraleve, atij në Manastir dhe Osllomej të Kërçovës". "Njëkohësisht, presim që Qeveria e re e Maqedonisë të angazhohet që deponitë e egra të shumta në numër po edhe ajo e Drisllës në Shkup, të futen në një sistem funksional të menaxhimit nga shteti dhe trupave të pavarur përmes një kontrolli të rreptë se çka digjet në ta. Përfundimisht shteti duhet të investojë në ndërtimin e qendrave moderne për riciklimin e mbeturinave", thotë për Radion Evropa e Lirë, Arianit Xhaferi. Qeveria e re e Maqedonisë arriti të formohet pothuajse gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor të vitit të kaluar, pas një krize të thellë prej më shumë se dy vitesh politike dhe institucionale.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vëzhguesit: Partitë politike po përdorin resurset publike në fushatë

Posted: 02 Jun 2017 06:20 AM PDT

Rreth 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian pritet të përcjellin nga afër procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Udhëheqësi i Misionit vëzhgues nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle tha se zgjedhjet e 11 qershorit, kur do të zgjidhen përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Kosovës, janë shumë sfiduese dhe shihen si një mundësi e mirë për të demonstruar pjekurinë demokratike të Kosovës. Misioni vëzhgues i zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian për të tretën herë po përcjell nga afër proceset zgjedhore në Kosovë. Vëzhgimi i zgjedhjeve, sipas Peterle, do të monitorojë gjithë procesin dhe jo vetëm ditën e votimeve. Ai tha se tashmë kanë zhvilluar takime me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë dhe të gjithë akterët e përfshirë në proces. "Të gjithë akterët politikë duhet të përmbahen nga gjuha fyese ose format e trysnisë dhe frikësimit e cila do të minonte integritetin e procesit zgjedhor", tha Peterle. Ai tha po ashtu se Misioni vëzhgues nga BE-ja, dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit me të drejtë vote nga të gjitha komunitetet të kenë mundësinë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Sa i përket pjesës veriore të Kosovës të banuar nga shumica serbe, dhe ku ndikimi i Serbisë është i theksuar, Peterle tha se kjo nuk e ndryshon misionin dhe as metodologjinë e punës së vëzhguesve nga BE-ja. "Ne do të jemi njësoj të vëmendshëm në procesin zgjedhor, këtu dhe atje, në veri", u shpreh Peterle. Ndërkohë, edhe vëzhguesit vendorë tashmë janë duke e përcjellë nga afër procesin. Koalicioni i organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim", ka prezantuar vlerësimet e para rreth ditëve të deritashme të fushatës. Ismet Kryeziu nga "Demokracia në Veprim" tha se janë përcjellë 77 takime apo tubimeve publike nga të cilat ai nxori edhe konkludimet e para. "Deri tani kemi arritur të përcjellim 77 takime publike të subjekteve politike, gjatë dy ditëve. Në të gjitha këto takime siguria publike për pjesëmarrje ka qenë e garantuar dhe siguruar nga Policia e Kosovës dhe qytetarët kanë mund të marrin pjesë pa e ndjerë ndonjë kërcënim apo rrezik për pjesëmarrje në këto takime". "Resurset publike të cilat janë përdorur nga partitë, nga 77 aktivitete, në 13 prej tyre kemi parë që partitë politike kanë përdorur resurse shtetërore, përfshi veturat zyrtare dhe shërbyesit civilë që kanë marrë pjesën për tubime", tha Kryeziu. Kurse David Ondraçka nga Transparency International tha se nga fillimi i këtij viti është duke u punuar me Institutin Demokratik të Kosovës, me qëllim të rritjes së transparencës së partive politike rreth fondeve që shfrytëzojnë. "Standardi evropian është që partitë politike të raportojnë se ku i marrin fondet, kush janë donatorët e tyre dhe si i shpenzojnë ato para, sepse publiku ka nevojë të dijë se si i shpenzojnë partitë politike paratë e tyre dhe kjo ka të bëj edhe me luftën kundër korrupsion", tha Ondraçka. Vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë, kanë paralajmëruar se do të dalin me raporte mbi ecurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke nxjerrë si anët pozitive ashtu edhe ato negative të gjithë procesit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Katër persona janë vrarë gjatë protestave në Kabul

Posted: 02 Jun 2017 05:56 AM PDT

Autoritetet në Afganistan kanë bërë të ditur se katër persona janë vrarë gjatë konfrontimeve mes policisë dhe protestuesve, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Presidentit Ashraf Ghani dy ditë pas shpërthimit vdekjeprurës me kamion - bombë në Kabul. Zëdhenësi i Ministrisë së Shëndëtësisë, Waheed Majrooh, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se katër persona janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur gjatë protestës. Policia ka shtënë në ajër, ka hedhur gaz lotsjellës si dhe ka përdorur topa uji për të shpërndarë protestuesit dhe për ti parandaluar ata në rrugën drejt pallatit presidencial. Thuhet se policia gjithashtu ka hapur zjarr tek protestuesit të cilët u përpoqën të hynin në ndërtesë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin bën thirrje për normalizmin e marrëdhënieve SHBA - Rusi

Posted: 02 Jun 2017 04:26 AM PDT

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar nga përfaqësues të biznesit amerikan të punojnë me administratën e presidentit Donald Trump, për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Duke folur në ngjarjen "Dialogu i Biznesit Rusi-SHBA" në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg , Putin u kërkoi udhëheqësve të pranishëm të SHBA-ve, "të ndihmojnë në rivendosjen e një dialogu normal politik". Ai ka deklaruar se Moska është duke punuar për të " normalizuar" marrëdhëniet dypalëshe. Rusia dhe Moska kishin nivel të ulët të bashkëpunimit gjatë udhëheqjes së ish presidentit amerikan, Barack Obama. Disa nga çështjet problematike ishin, aneksimi i rajonit ukrainas të Krimesë nga Rusia, mbështetja aktive e Moskës ndaj separatistëve në Ukrainën lindore dhe mosmarrëveshjet mbi konfliktin në Siri. Putin shtoi se Moska mbështet projekte të përbashkëta midis bizneseve ruse dhe amerikane. "Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë qenë një partner tregtar i rëndësishëm për ne", ka thënë Putin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia heq kufizime për disa ushqime nga Turqia

Posted: 02 Jun 2017 04:22 AM PDT

Rusia ka hequr kufizime mbi importin e disa ushqimeve nga Turqia. Kjo është lëvizja e fundit për të rregulluar marrëdhëniet të cilat u dëmtuan rëndë kur avionët turq qëlluan një avion luftarak rus më 2015. Vendimi u nënshkrua nga kryeministri rus, Dmitry Medvedev, si dhe u publikua në faqen zyrtare të qeverisë ruse, ku thuhet se mbaron ndalimi për importimin e disa ushqimeve nga Turqia si: mishi i pulës, tranguj, molla, dardha dhe rrush. Ndalimi vazhdon të jetë në fuqi për domate nga Turqia. Më 31 maj, presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret që hoqi kufizimet për punësimin e punëtorëve turq dhe firmave turke që veprojnë në Rusi. Rusia pati vendosur sanksione mbi importet ushqimore turke pasi një avion luftarak turk hodhi poshtë një avion luftarak rus në nëntor 2015 pranë kufirit me Sirinë. Që nga ajo periudhë, presidenti rus Vladimir Putin dheai turk Rexhep Tajip Erdogan kanë ndërmarrë disa hapa për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy palëve. Herën e fundit kur këta të dy u takuan ishte 3 majii këtij viti në Soçi, 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tahiri: Me ndalimin e Jahjagës, Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit

Posted: 02 Jun 2017 03:31 AM PDT

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës në largim, Edita Tahiri, përmes një komunikate për medie ka reaguar lidhur me ndalimin e vizitës së ish- presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Beograd nga ana e autoriteteve të Serbisë. Në komunikatë thuhet se ministrja Tahiri ka njoftuar Bashkimin Evropian për këtë ndalesë, duke theksuar se " me këtë akt refuzimi Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve". "Zonja Atifete Jahjaga kishte respektuar procedurat zyrtare të parapara në Marrëveshjen e Brukselit dhe vizita e saj ishte për qëllime kulturore dhe humanitare", thuhet në komunikatën e ministres Tahiri. Ajo ka theksuar se "akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i Dialogut të lehtësuar nga BE". Ministrja Tahiri ka kërkuar nga BE-ja që të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më parë që të jetë e mundur, si dhe të mundësohet vizita e ish presidentes Jahjaga, që sipas saj, është në funksion të paqes dhe fqinjësisë mes dy shteteve.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kabul: Të shtëna në ajër dhe topa uji kundër protestuesve

Posted: 02 Jun 2017 02:42 AM PDT

Forcat afgane të sigurisë kanë shtënë në ajër, në afërsi të një turme protestuesish, të cilët po kërkonin dorëheqjen e qeverisë së presidentit Ashraf Ghani, dy ditë pasi një kamion me mjete shpërthyese vrau së paku 90 persona në Kabul. Policia ka përdorur edhe topa uji për të shpërndarë protestuesit e mbledhur të premten, më 2 qershor, dhe për të parandaluar depërtimin e tyre në pallatin presidencial. Disa protestues janë lënduar gjatë përplasjeve me focat e rendit. Disa prej tyre mbanin në duar fotografi të viktimave të sulmit, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.  Të tjerët mbanin posterë me mbishkrimin: "Derisa Ghani të jetë në pallat, vdekja është pranë". Sulmi ka nxitur debatin mbi aftësinë e qeverisë së mbështetur nga Perëndimi për të mbrojtur qytetarët nga grupet militante në vend. Asnjë nga këto grupe nuk ka marrë përgjegjësinë mbi sulmin. Lëvizja Talibane ka mohuar të ketë qenë e përfshirë, ndonëse agjencia e lajmeve Reuters raporton se agjencia afgane e zbulimit beson se sulmi është kryer nga rrjeti Taliban Haqqani, me ndihmë nga Pakistani.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Beograd: Incident në festivalin "Mirëdita, Dobar dan"

Posted: 02 Jun 2017 02:10 AM PDT

Një grup prej rreth njëqind njerëz u mblodhën të enjten në mbrëmje para Qendrës Rinore në Beograd, ku po mbahet festivali "Mirëdita, Dobar dan!". Ata kanë përdorur gjuhë të urrejtjes dhe u kanë hedhur ujë organizatorëve. Pjesëmarrësit e festivalit u strehuan në Qendrën Rinore, dhe grupi u shpërnda pas një ore. Në hyrje qëndronte një grup i pjesëtarëve policorë, të cilët nuk kanë reaguar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Jahjagës i pamundësohet vizita në Beograd

Posted: 02 Jun 2017 12:43 AM PDT

Ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk i është mundësuar vizita në Beograd, siç ishte paraparë të niste të enjten. Jahjaga, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar ndaj ndalimit të hyrjes së saj në Beograd, duke e cilësuar të paarsyeshëm. "Unë sot do të duhej të isha në Beograd për promovim të librit "Unë dua të dëgjohem" në kuadër të festivalit "Mirëdita, dobar dan!", ku u ftova të mbaj fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Hyrja ime në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd". "Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë.Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me marrëveshje, por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t'i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time", thuhet në këtë reagim. Tahiri: Me ndalesën e Jahjagës, Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit Ish presidentja Jahjaga është e ftuar të marrë pjesë në festivalin "Mirëdita, dobar dan", i cili po mbahet në Beograd, për të promovuar librin "Dua të dëgjohem: Libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë". Promovimi është paraparë të bëhet të premten, më 2 qershor, në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor. Festivali ka nisur të mërkurën mbrëma, më 31 maj, dhe është penguar përkohësisht nga 20 pjesëtarë të lëvizjes ekstreme djathtiste "Zavetnici".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Bashkimi i Doganës dhe ATK-së shtyhet për vitin tjetër

Posted: 01 Jun 2017 11:47 PM PDT

Bashkimi i Administratës Tatimore dhe Doganës se Kosovës në një institucion të vetëm, pritet të ndodh në fillim të vitit të ardhshëm dhe jo gjatë këtij viti, siç është thënë më herët. Ekrem Hysenaj, koordinator i grupit për procesin e bashkimit të këtyre dy agjencive buxhetore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky proces ende nuk ka përfunduar për shkak të prolongimit të miratimit të projektligjit që rregullon këtë çështje. Ai tregon se në shtator të vitit të kaluar në bashkëpunim më zyrën e Komisionit Evropian është harmonizuar projektligji dhe si tillë është dërguar në Qeveri. "Për shkak të specifikave të natyrës, që unë nuk i di pse, nuk është miratuar si i tillë ai projektligj që është hartuar nga grupi punues". "Duke e parë se po vonohet miratimi i këtij projektligji, atëherë në bashkëpunim më Fondin Monetar Ndërkombëtar që po na asiston në mënyrë të vazhdueshme në këtë proces se bashku edhe më Ministrinë e Financave, ky proces është shtyrë për 1 janar 2018", ka thënë Hysenaj. Autoritetet e Kosovës vitin e kaluar kishin miratuar bashkimin formal të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganave të Kosovës (DK) në një agjenci të përbashkët, të quajtur Agjencia e të Hyrave e Kosovës. Unifikimi i sistemit të mbledhjes së të hyrave për buxhetin e Kosovës, do të përmirësojë shërbimet për tatim-pagues, njëherësh do sjellë rezultate në luftimin e evazionit fiskal, thotë Hysenaj. "Në planin inicial janë specifikuar edhe objektivat e Qeverisë së Republikës së Kosovës me themelimin e Agjencisë së të Hyrave, që një ndër to janë edhe ofrimi i shërbimeve më të mira për tatim-paguesit". "Meqenëse tani shumica e shërbimeve kryhen në të dy agjencitë, në të ardhmen planifikohet të kryhen në një vend, me kosto më të ulët dhe më të shpejtë", thotë ai. "Objektiv tjetër është edhe funksionalizimi i përbashkët i disa funksioneve apo departamenteve, siç është Departamenti i hetimeve dhe intelegjencës, analizat dhe vlerësimit të riskut. Objektiv tjetër i radhës është krijimi i kapaciteteve për mbledhje të TVSH-së në brendi të vendit, që do të lehtësonte barrën e biznesit dhe do të rriste likuiditetin e tyre", thotë Hysenaj. Edhe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se funksionimi i këtyre dy agjencive në një institucion të vetëm, do të sillte rezultate pozitive, nëse objektivat e parapara zbatohen në mënyrë efikase. Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati, konsideron se efektet pozitive nga ky projekt do mund të vërehen nëse Tatimi mbi Vlerën e Shtuar grumbullohet brenda në territorin e Kosovës dhe jo në pikat doganore. "Ajo do të kishte efekte pozitive, sepse bizneset importin nga jashtë nuk do ta paguajn para se ta përdorin, ta shesin ose të përdorin në procesin e prodhimit. Këto do të ishin efektet pozitive nëse bashkohet Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore", ka thënë Kastrati për Radion Evropa e Lirë. Kastrati thotë se institucionet e reja, të krijuara pas zgjedhjeve të 11 qershorit, duhet të marrin më prioritet miratimin e disa ligjeve të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, rrjedhimisht lehtësimin e kushteve për sektorin privat. Ndryshe, Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës, janë dy institucionet kryesore, nga të cilat mbushet buxheti i Kosovës. Sipas parashikimeve të ekzekutivit për këtë vit, Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë mbi një miliard e 100 milionë euro, kurse Administrata Tatimore e Kosovës duhet të mbledh 423 milionë euro.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Japonia miraton projektligjin për heqjen dorë nga posti i perandorit

Posted: 01 Jun 2017 11:16 PM PDT

Dhoma e Ulët e parlamentit në Japoni ka miratuar një projektligj, i cili lejon perandorin Akihito të heqë dorë nga ky post. Japonia nuk ka pasur një ligj specifik për t'u përballur me vendimin e 83 vjeçarit, Akihito, për largimin nga froni pas tri dekadave. Akihito, i cili është mjaft popullor në Japoni, befasoi të gjithë vitin e kaluar kur mori vendim që me dëshirë t'ia dorëzonte kurorën, djalit të tij të madh, Princit Naruhito. Ai i mori këtë vendim për shkak të moshës dhe problemeve shëndetësore. Ky projektligj pritet të miratohet javën e ardhshme. Herën e fundit kur Japonia është përballur me tërheqje nga froni të një perandori, ka qenë para më shumë se 200 vitesh. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Administrata e presidentit Trump i kërkon Gjykatës Supreme të rikthejë urdhërin për ndalimin e udhëtimit

Posted: 01 Jun 2017 10:06 PM PDT

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara, që menjëherë të rivendosë urdhërin për ndalimin e udhëtimit. Ky urdhër, i cili është pezulluar ndalon përkohësisht udhëtimin e personave nga gjashtë vende me shumicë myslimane, me arsyetimin se kjo do t'i bënte Shtetet e Bashkuara më të sigurta. Së paku pesë anëtarë nga nëntë të Gjykatës së Lartë duhet ta miratojnë kërkesën e administratës. Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë deklaroi se administrata është "e bindur se vendimi i presidentit Trump është brenda autoritetit të tij ligjor, dhe vjen si kërkesë për të mbajtur kombin të sigurtë, por edhe për të mbrojtur komunitetet nga terrorizmi". Urdhëri i ndlaim-udhëtimit, ishte nënshkruar më 6 mars, mirëpo u pezullua më vonë nga gjykatat e Shteteve të Bashkura. Ky urdhër do të ndalonte përkohësisht hyrjen në Shtetet e Bashkuara të të gjithë refugjatëve, si dhe vizitorëve nga Irani, Libia, Somania, Sudani, Siria dhe Jemeni.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin flet për tentimet e vrasjes kundër tij në dokumentarin e ri

Posted: 01 Jun 2017 09:47 PM PDT

Presidenti rus Vladimir Putin, ka deklaruar në një dokumentar të regjisorit amerikan Oliver Stone, se ka shpëtuar nga disa tentim-vrasje ndaj tij. Ky dokumentar do të transmetohet gjatë këtij muaji në një televizion kabllor në Amerikë. Në dokumentarin me katër seri të titulluar "Intervistat e Putinit", regjisori Stone ka thënë se gjatë kësaj kohe ka dëgjuar për rreth pesë përpjekje të pasuksesshme për të vrarë Putinin.  Stone ka shtuar se "mënyra e parë e vrasjes" është gjithmonë "tentimi për t'u inkuadruar si pjesëtar i sigurisë së presidentit". Mirëpo Putin, ka thënë se për të është thelbësore që të besojë në ekipin e tij të sigurisë. Stone po ashtu i ka kërkuar Putinit që të bëjë të ditur se cili mendon që do të jetë fati i tij në të ardhmen. "Vetëm Zoti e di fatin tonë – timin dhe tuajin," ka deklaruar Putin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Bën vetëvrasje sulmuesi i Manilas

Posted: 01 Jun 2017 09:22 PM PDT

Një person i armatosur ka vrarë veten të mërkurën, pas shpërthimit në një kazino të Manilas, ka thënë policia e Filipineve. Policia bëri të ditur se 34 persona kanë vdekur gjatë sulmit në kazino, të cilët me sa duket vdiqën nga asfiksia, derisa kazinoja po digjej. Motivet e vrasjes nuk janë bërë të ditura dhe Policia ka thënë se incidenti nuk është i lidhur me terrorizëm. Shefi i Policisë Kombëtare Ronald dela Rosa i ka thënë radios DZM se i sulmuesi mund të ketë qenë duke u përpjekur për të vjedhur. Herët në mëngjes, trupi i të dyshuarit të armatosur u gjet në një dhomë hoteli në kompleksin pranë aeroportit ndërkombëtar në Manila. Sipas policisë, i dyshuari kishte vrarë veten duke e ndezur veten me benzinë.  Zyrtarët thanë se të paktën 54 vetë u lënduan në zjarrin e kazinosë, si dhe gjatë betejës sulmuesit me policinë.  Shefi i Policisë gjithashtu ka paralajmëruar se grupi ekstremist Shtetit Islamik (IS) mund të pretendojë gabimisht se qëndron prapa incidentit. Kjo pasi ushtria e vendit po lufton militantët e lidhur me Shtetin Islamik, për kontrollin e qytetit mbizotërues mysliman të Maraëit në ishullin jugor të Mindanao.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Reagime të ashpra pas tërheqjes së SHBA-së nga Marrëveshja për Klimën

Posted: 01 Jun 2017 12:40 PM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA do të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now