“Ngërçi paszgjedhor – koalicione të reja për formimin e Qeverisë ” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Ngërçi paszgjedhor – koalicione të reja për formimin e Qeverisë ” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Ngërçi paszgjedhor – koalicione të reja për formimin e Qeverisë 

Posted: 12 Jun 2017 09:03 AM PDT

Kosova mund të përballet me një ngërç të ri kur është në pyetje formimi i Qeverisë së ardhshme. Nëse përqindjet e votave të fituara kthehen në ulëse të Kuvendit, përbërja e re e legjislativit do të dukej afërsisht me 39 apo 40 deputetë të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma. Pastaj, me 31 apo 32 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës me 29 ulëse. Ndërkaq, komunitetet mbeten në kuotat e njëjta, serbët marrin 10 ulëse dhe pakicat tjera po ashtu 10 vende të garantuara. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, vlerësohet se nuk kanë nxjerrë një koalicion apo parti politike si fituese bindëse të zgjedhjeve. Andaj, lidhja e koalicioneve paszgjedhore mbetet e pashmangshme nëse synohet të evitohen zgjedhjet e reja. Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma i njohur edhe si PAN, me mbi 34 për qind të votave të fituara, mund të sigurojë nga 39 deri në 40 ulëse në Kuvend. Ky numër, nuk i mjafton këtij koalicioni ta formojë Qeverinë, pavarësisht që si pjesë e Qeverisë, në bazë të Kushtetutës, duhet të jenë edhe komunitetet pakicë. Formim i Qeverisë, kërkon minimumin prej 61 votave të deputetëve të Kuvendit. Kështu që, koalicioni PAN edhe nëse do të llogariste në të gjitha votat e pakicave, 20 gjithsej, nuk do të arrinte ta formonte Qeverinë e ardhshme pa lidhjen e një koalicioni me ndonjë prej subjekteve shqiptare, qoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) apo edhe partitë më të vogla si Aleanca Kosova e Re (AKR) apo Alternativa. Ndërkaq, mbetet fare pak e besueshme që koalicioni PAN të lidhë ndonjë koalicion me Vetëvendosjen, si partia që shënoi rritjen më të lartë në këto zgjedhje, por që megjithatë është renditur e dyta. Zgjidhja më e lehtë do të ishte që PAN të lidhte koalicion të ri me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke ia kaluar drejtimin e Qeverisë së ardhshme, koalicionit PAN. Modeli i Maqedonisë Marrë parasysh që koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma do ta ketë mjaftë vështirë ta formojë Qeverinë e ardhshme, formula logjike do të ishte që nëse subjekti fitues i zgjedhjeve nuk arrin ta formojë Qeverinë, mandati t'i kalohej subjektit të dytë, ngjashëm me modelin e Maqedonisë. Sipas këtij modeli, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën do ta formonin Qeverinë, kurse subjekti fitues, do të dilte të opozitë. Megjithatë, nëse procesi i ndërtimit të Qeverisë do të thirrej në precedentin tashmë të krijuar, ky model do të binte poshtë menjëherë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në vitin 2014, e kishte interpretuar formimin e Qeverisë si të drejtë ekskluzive vetëm për koalicionin apo partinë politike që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast del të jetë vetëm, koalicioni PAN. Bazuar në këtë interpretim, Vetëvendosje mund të futet në Qeveri, vetëm nëse e pranon koalicionin me PAN-in, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës, me të cilën Vetëvendosje është deklaruar se nuk do të lidhë në asnjë rrethanë koalicion qeverisës. Prishja koalicioneve dhe lidhja e aleancave të reja politike Një formulë tjetër "magjike", e cila përflitet, mund të jetë prishja e dy koalicioneve parazgjedhore sapo që Kuvendi i Kosovës të konstituohet. Sipas kësaj formule, Partia Demokratike e Kosovës do të ndahej nga partitë aktuale në koalicion, duke synuar që të merr sipër mandatin për formimin e Qeverisë me një subjekt tjetër, përkatësisht Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila tashmë nuk është partia e dytë, por e treta. Në anën tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të ndahej nga Aleanca Kosova e Re apo edhe Alternativa dhe në fund, do të përsëritej ajo formula e njohur e koalicionit të gjerë, PDK, LDK dhe pakicat. Për jetësimin e kësaj formule, përfshirja e faktorit ndërkombëtar në negociatat ndërpartiake, vlerësohet se do të ishte e domosdoshme, marrë parasysh që Lidhja Demokratike e Kosovës për të satën herë është deklaruar se nuk do të kthehet më në koalicion me Partinë Demokratike. Naim Rashiti: Rezultati vështirëson formimin e Qeverisë Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti parasheh mundësinë e vonesave dhe turbulencave në raport me formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. "Ende mbetet e panjohur krejt gjendja përderisa t'i shohim edhe rezultatet finale, por ajo që dihet është se partitë e koalicionit PAN dhe LDK-ja me koalicionin e saj, kanë humbur shumë në këto zgjedhje dhe ka një rritje enorme, që vjen si rezultat i pakënaqësisë shumëvjeçare në raport me politikat e tyre (PDK –LDK), e cila është përkthyer në votë për Vetëvendosjen", thotë ai. "Rezultati është i pakënaqshëm, i pakëndshëm për blloqet (PAN dhe LDK-në) i cili e vështirëson edhe formimin e institucioneve dhe Qeverisë", vlerëson Rashiti. Nëse PAN është nën 42 – 41 ulëse në Kuvend, sipas tij, kjo situatë do ta vë atë në vështirësi të mëdha rreth formimit të Qeverisë. Në anën tjetër, vijon Rashiti, LDK-ja dhe Vetëvendosje së bashku mund t'i bëjnë 61 vota për formimin e Qeverisë. "Por, kjo varet pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe mbetet të shihet se si do të rrjedh procedura e formimit të institucioneve", thekson Naim Rashiti. "Ky rezultat, duke i ditur edhe qëndrimet e partive politike, parashikon disa vonesa dhe turbulenca, përveç nëse ndodh ndryshimi radikal i qëndrimeve të njërit apo tjetrit subjekt politik", parashikon ai. Formimi i institucioneve Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë. Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës. Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota). Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ambasada amerikane shpreson në bashkëpunim me "këdo që formon qeverinë"

Posted: 12 Jun 2017 08:30 AM PDT

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë përgëzoi popullin e Kosovës për, siç tha, zgjedhjet demokratike të mbajtura të dielën. Përmes një deklarate për media, ambasada tha se pret "me interesim të lartë" raportimet e misionit zyrtar vëzhgues. "Përderisa jemi të shqetësuar nga disa raportime për prezencën e listave të vjetra të votuesve, votimeve të dyfishta dhe parregullsive tjera sporadike, përgëzojmë Komisionin Qendror Zgjedhor, komisionarët nëpër vendvotime, OSBE-në dhe të gjitha ekipet tjera monitoruese dhe vëzhguese për punën e tyre të jashtëzakonshme", thuhet në deklaratë. Sipas së njëjtës, votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet të fillojë. "Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake, do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë euro-atlantik", thekson komunikata e ambasadës amerikane në Prishtinë.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB: Mbi 125,000 persona të shpërngulur nga Afganistani më 2017

Posted: 12 Jun 2017 08:23 AM PDT

Kombet e Bashkuara kanë deklaruar që më shumë se 125,000 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë këtij viti në Afganistan, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm. Të dhënat nga Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, në kuadër të Kombeve të Bashkuara, kanë treguar që më shumë se 22,000 persona janë shpërngulur gjatë dy javëve të kaluara. Kjo zyrë po ashtu ka njoftuar se ka ulje për rreth 28 për qind të shpërnguljeve, në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar. Një ndër arsyet për këtë rënie, sipas analistëve të kësaj organizate, është fakti se disa prej luftimeve po vazhdojnë në të njëjtat vende si vitin e kaluar, që i bie se shumë prejbanorëve të atyre zonave tashmë janë larguar. Por, edhe rritja e varfërisë po ashtu është tregues se shumë persona nuk kanë mundësi që të shpërngulen nëpër vende të tjera, ka thënë raporti i kësaj organizate.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dalja e ulët në votime, pasojë e zhgënjimit apo listës së papërditësuar ?!

Posted: 12 Jun 2017 07:43 AM PDT

Vetëm 40 për qind e qytetarëve të Kosovës me të drejtë votë kanë dalë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor. Këto të dhëna, dalin nga rezultatet e prezantuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas KQZ-së, lista e votuesve kalon shifrën prej 1.8 milion persona me të drejtë vote. Nga këto vota, Partia Demokratike e Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka fituar mbi 34 për qind të votave. Lëvizja Vetëvendosje 27 për qind, kurse koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike e Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës ka fituar mbi 25 për qind të votave. Njohësit e proceseve zgjedhore konsiderojnë se përqindja e prezantuar e daljes së votueseve nga KQZ-ja nuk është e saktë, pasi që sipas tyre, lista e votuesve nuk është pastruar me emrat e personave që nuk jetojnë më dhe nuk është përditësuar. Njohësi i proceseve politike, Adnan Merovci, ish-Kryeshef Ekzekutiv të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë për Radion Evropa e Lirë se përqindja e daljes së votuesve e proklamuar nga KQZ-ja, nuk është reale. "Numri 40 për qind, nuk e paraqet në fakt numrin real. Është një numër pak më i madh dhe mund t'i afrohet fjala vjen, 50 përqindëshit apo edhe më shumë. Megjithatë, edhe kjo shifër është e vogël në krahasim me pretendimet dhe le të themi edhe me pritjet që duhet të jenë në rastin e Kosovë", tha Merovci. Po ashtu, edhe Valmir Ismajli nga organizata joqeveritare "Demokraci Plus", tha për Radion Evropa e Lirë se dalja e votuesve në zgjedhje e proklamuar nga KQZ-ja, nuk është reale. Sipas tij, edhe nëse dalja e votuesve është e vogël, kjo vjen për faktin se partitë politike nuk janë duke ofruar programe e projekte të duhura për qytetarët. "Nëse themi se kanë dalë rreth 40 për qind, sipas shifrave zyrtare, atëherë lirisht mund të themi se kanë dalë 60 për qind të qytetarëve me të drejt vote, e që jetojnë në Kosovë. Po, nëse do të ishte një pyetje tjetër; pse nuk kanë dalë në votime, një nga arsyet kryesore mund të jetë që koalicionet të cilat janë bërë në momentet e fundit, nuk respektojnë vullnetin e qytetarëve, por, respektojnë interesat e ngushta", tha Ismajli. Merovci thekson se një nga faktorët që ka mundur të ndikojë në një dalje jo të kënaqshme të qytetarëve, është edhe, siç thotë ai, turbulencat politike të partitë politike dhe koha e shkurtë e shpalosjes së programeve. "Fushata më tepër ishte deklarative sesa në fakt kishte diçka premtuese. Kjo mund të ndikoj dhe ka ndikuar në dekurajimin e njerëzve", tha Merovci. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë të ditur po ashtu se në një numër i konsiderueshme i qytetarëve, kur kanë votuar i kanë bërë të pavlefshme fletëvotimet. KQZ-ja ka treguar se janë mbi 50 mijë fletëvotime të pavlefshme. Njohësit e proceseve zgjedhore thonë se ky fakt duhet të jetë shqetësues për partitë politike dhe institucionet. Valmir Ismajli thotë se janë dy faktorë që mund të ndikojnë në këtë drejtim, duke nënvizuar se këta faktorë janë lodhja nga partitë politike ekzistuese dhe së dyti nga gabimet në plotësimin e fletëvotimit. ​ "Pjesa më e madhe mund të jetë që personat qëllimisht e kanë bërë të pavlefshme dhe mund të jetë arsye tjetër që njerëzit nuk kanë dashur të votojnë për asnjërin subjekt poetike", tha Ismali. Kurse, Adnan Merovci thotë se duhet të shihet si brengosëse kjo mënyrë e veprimit. "Kjo është një shifër brengosëse. Këtu mund të jetë edhe faktori njeri dhe gabimet e rastit që mund të bëhen, por jo në shifra kaq të mëdha. Unë këtë e kuptoj edhe si një zë proteste", u shpreh Merovci. Sidoqoftë, partitë politike në Kosovë, por edhe vëzhguesit, duke lënë anash pjesëmarrjen e ulët, zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit i kanë vlerësuar të suksesshme dhe demokratike.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Partia e Macronit, në rrugë drejt shumicës parlamentare

Posted: 12 Jun 2017 07:28 AM PDT

Rezultatet përfundimtare të raundit të parë për zgjedhjet parlamentare në Francë, tregojnë se partia e qendrës e presidentit Emmanuel Macron, do të fitojë shumicën në Asamblenë Kombëtare. Zyrtarët e zgjedhjeve kanë thënë më 12 qershor, se pasi janë numëruar gati të gjitha votat, partia e Macronit, "Republika Përpara", ka fituar 28 për qind të votave në zgjedhje, mirëpo së bashku me aleatët partia ka fituar 32.3 për qind të votave. Republikanët konservativë kanë 16 për qind të votave, derisa Fronti Nacional i ekstremit të djathtë ka fituar 14 për qind të votave. Partia e ekstremit të majtë, ka fituar 11 për qind derisa socialistët e ish-presidentit Francois Hollande, kanë rënë në 7 për qind. Sipas sondazheve, rezultatet do të përkthehen ashtu që, partia e qendrës së Macronit së bashku më aleatët e MoDem nga partia e qendrës së djathtë, do të fitojnë nga 390 deri në 455 ulëse, nga 577 sa janë në Asamblenë Nacionale. Zyrtarët e zgjedhjeve kanë thënë se pjesëmarrja në votime ishte 49 për qind, që konsiderohet si rekord i pjesëmarrjes më të ulët në Francën moderne. Rreth 7.882 kandidatë janë duke garojnë për 577 ulëset e shtëpisë së Parlamentit. Në rast se asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind në raundin e parë, të gjithë kandidatët që kanë siguruar të paktën 12.5 për qind, do të garojnë në raundin e dytë më 18 qershor. Deri më tash vetëm tre kandidatë kanë siguruar ulëset gjatë raundit të parë, kanë bërë të ditur zyrtarët. Nëse rezultatet nuk do të ndryshojnë shumë, pas raundit të dytë, presidenti pro-evropian Macron, do të ketë një mandat shumë stabil qeverisës. Presidenti aktual Emmanuel Macron është presidenti më i ri që prej ish-liderit Nepoleon Bonaparta. Ish-bankieri i investimeve ka thënë se do të shtyjë përpara reformat ekonomike dhe sociale, duke përfshirë lehtësimin e ligjeve të punës, si dhe reformimin e sistemit të pensioneve. "Franca është rikthyer", i ka thënë televizionit francez, kryeministri Edouard Philippe. "Të dielën tjetër Asambleja Kombëtare do të shpërfaq fytyrën e re të republikës sonë", ka shtuar ai. Rivalët e Macronit kanë paralajmëruar për rrezikun që mund të shkaktojë përqendrimi i pushteti në duart e një partie. "Nuk është as e shëndetshme, as e dëshirueshme për një president, i cili ka mbledhur vetëm 24 për qind të votave në raundin e parë… dhe i cili është zgjedhur në raundin e dytë, vetëm pas mohimit të së djathtës ekstreme, të përfitojë tani nga monopoli i përfaqësimit kombëtar", ka thënë lideri i Partisë Socialiste, Jean-Christophe Cambadelis. Republikani konservator, Francois Baroin, ka thënë se fuqia politike nuk duhet të jetë e koncentruar vetëm në një parti, dhe ka ftuar përkrahësit e tij të dalin në votime në raundin e dytë. "Sot, më pak se gjysma e popullit francez e kanë shprehur preferencën e tyre", ka thënë ai. Ky nivel rekord i abstenimit, dëshmon për thyerjet e vazhdueshme të shoqërisë franceze. Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rreth një e treta e popullsisë në botë vuan nga mbipesha

Posted: 12 Jun 2017 07:15 AM PDT

Afër një e treta e popullsisë në botë vuan nga mbipesha, si dhe një numër i madh i njerëzve vdesin nga problemet shëndetësore, shkaqe të cilat sipas një raporti të publikuar sot, konsiderohen si "shqetësuese për krizën globale të shëndetit publik". Bazuar në këtë raport, rreth katër milionë persona kanë vdekur nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, kanceri dhe sëmundje të tjera të ndërlidhura me peshën gjatë vitit 2015. "Personat, të cilët shtojnë peshë, e rrezikojnë veten e tyre", ka thënë Christopher Murray, njëri nga autorët e raportit të publikuar nga New England Journal of Medicine. Në vitin 2015, shtimi i peshës ka prekur 2.2 miliardë persona, ose rreth 30 për qind të popullsisë së botës", thuhet në raport. Në hulumtimin, që është zhvilluar në 195 vende, pothuajse 108 milionë fëmijë dhe më shumë se 600 milionë të rritur vuajnë nga mbipesha. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i personave me mbipeshë, është dyfishuar nga viti 1980, duke arritur nivele epidemike. Sipas raportit, mbipesha ka qenë më e shprehur tek fëmijët, se sa tek të rriturit në disa vende duke përfshirë, Algjerinë, Turqinë dhe Jordaninë. Në anën tjetër, bazuar në Kombet e Bashkuara, rreth 800 milionë njerëz, duke përfshirë 300 milionë fëmijë, janë të uritur çdo ditë. Dietat e pashëndetshme dhe mënyra e jetesës, kanë qenë ndër arsyet kyçe, që kanë ndikuar në rritjen e mbipeshës, kanë thënë ekspertët. "Njerëzit, po konsumojnë çdo herë e më shumë ushqim të procesuar, i cili përmban shumë sheqer, si dhe ata secilën herë po ushtrojnë më pak", ka thënë nutricionisti Boitshepo Bibi Giyose, anëtar i Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë, në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Parregullsitë dhe shkeljet në procesin zgjedhor

Posted: 12 Jun 2017 06:30 AM PDT

Organizatat joqeveritare që kanë monitoruar procesin e zgjedhjeve të 11 qershorit, vlerësojnë se procesi në përgjithësi ka përfunduar pa ndonjë parregullsi serioze, që do të dëmtonte integritetin e zgjedhjeve. Albert Krasniqi, nga Koalicioni i Organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim", thotë se parregullsitë më të shpeshta që kanë përcjell procesin, kanë qenë tentimet për të votuar më shumë se një herë, votim familjar, fotografimi i votës dhe votimi jashtë kabinave.  "Në fillim të hapjes së vendvotimeve, në mëngjes, ka pasur shumë persona të paautorizuar të cilët kanë qëndruar në vendvotime dhe ky ka qenë një lloj presioni ndaj votueseve. Por, ky numër në mënyrë drastike është zvogëluar pas orës 12:00 dhe gjendja ka qenë më e mirë". "Pastaj këto fenomenet që po përsëriten pothuajse në të gjitha proceset zgjedhore, si fotografimi i fletëvotimit, votimi familjar. Po ashtu ka pasur probleme edhe më listat e votueseve, shumë qytetarëve iu është ndërruar qendra e votimit", thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë. Organizata tjetër që ka qenë aktive gjatë ditës së djeshme, është Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), përmes fushatës "Voto dhe Vëzhgo". Visare Aliu, nga ky Fondacion i tha Radios Evropa e Lirë, se gjatë procesit zgjedhor kanë pranuar mbi 3.100 mesazhe për parregullsi të ndryshme. Kurse deri më tani në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), nuk është paraqitur asnjë ankesë për procesin zgjedhor, kurse 53 ankesa janë paraqitur për thyerje të heshtjes zgjedhore. Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të këtij Paneli, duke shtuar se ankesat eventuale për ditën e votimit mund të parashtrohen edhe një ditë pas zgjedhjeve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Brexiti i Theresa May ka rënë në ujë

Posted: 12 Jun 2017 06:19 AM PDT

Mbështetësit e Brexitit kanë mbetur "të vdekur në ujë", që nga humbja e shumicës parlamentare nga kryeministrja britanike Theresa May, ka thënë Nicola Sturgeon, ministrja e parë e Skocisë. Ajo i ka bërë këto deklarata për televizionin Sky News, duke shtuar se "nisma e konservatorëve, për një Brexit të vështirë, tashmë është çështje që ka rënë në ujë". Sturgeon, që është edhe lidere e Partisë Kombëtare Skoceze, ka kundërshtuar planet për nxjerrjen e Britanisë së Madhe, jashtë Bashkimit Evropian. Kryeministrja May, ka thënë se planet për Brexit kanë qenë për kontrollim më të mirë të migrimit. Sturgeon po ashtu ka shtuar, se rezultatet e zgjedhjeve "kanë ngritur një pyetje të rëndësishme, nëse kjo kryeministre do të mund të funksionalizojë qeverinë".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Thaçi e Ahmeti, në koalicion parazgjedhor?

Posted: 12 Jun 2017 06:16 AM PDT

Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se takimi kokë më kokë mes liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe atij të Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, ka të bëjë me paralajmërimin se këto parti në zgjedhjet e ardhshme lokale do të mund të garojnë si koalicion. "Nxitja e një bashkëpunimi më të qëndrueshëm mes BDI-së dhe PDSH-së, i cili do të nënkuptonte dhe një koalicion të mundshëm parazgjedhor në zgjedhjet e ardhshme lokale. Që të dyja këto parti pësuan rënie të thellë në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare, ndërkohë që partitë e tjera arritën tua marrin një pjesë të konsiderueshme të terrenit politik. "Kjo i solli para një rreziku që ua imponoi bashkëpunimin si mundësi për të ndaluar këtë rënie, ose të vazhdojnë të veprojnë veç e veç dhe të humbin gjithnjë e më shumë besimin tek elektorati i tyre", vlerëson Xhelal Neziri analist politik. Ilir Luma, ish-politikan, konsideron se Ali Ahmeti si lider i Bashkimit Demokratik për Integrim, synon të krijojë një komoditet më të madh në kuadër të koalicionit qeveritar, i cili mori mbështetjen e 62 deputetëve. "Deklaratat që janë në drejtim të zgjerimit të veprimeve të mëtutjeshme të partive politike shqiptare në funksion të avancimit të çështjes shqiptare në kuadër të qeverisë aktuale mund të jenë vetëm blof politik nga ana e zotit Ahmeti". "Megjithatë, këtu nuk besoj se bëhet fjalë për veprime prapa skene si ajo për të eliminuar ndokënd nga koalicioni, më saktësisht Aleancën për Shqiptarët, siç mëtohet të prezantohet nga ana e disa zërave që dalin në publik përmes rrjeteve sociale sepse çdo votë është shumë e rëndësishme për Ali Ahmetin për ta bërë funksional koalicionin qeverisës pjesë e së cilës është ai", thotë Luma. Analistët politikë nënvizojnë se divergjencat e shumta dhe përplasjet e ashpra mes këtyre dy partive gjatë 15 viteve të fundit nuk duhet parë si hendek që pamundësojnë bashkëveprimin, sepse për momentin që të dyja këto parti synojnë të ndalojnë të ashtuquajturën "rënie të lirë" veçanërisht pas përgjysmimit të numrit të deputetëve në zgjedhjet e fundit. Ndryshe, pas takimit të së dielës, Ahmeti dhe Thaçi para mediave thanë se kanë diskutuar siç u shprehën rreth "shtrirjes së bashkëpunimit për çështjet që i prekin dhe shqetësojnë shqiptarët". Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, tha se në qendër të vëmendjes ka qenë realizimi i platformës së partive politike të shqiptarëve si dhe marrëveshja mes partive politike e njohur si Marrëveshja e Përzhinos, në të cilën janë të inkoporuara reformat që kërkohen nga grupi i ekspertëve të BE-së në krye me Reinhard Priebe. Përderisa, lideri i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, tha se nuk bëhet fjalë për asgjë të jashtëzakonshme, por thjeshtë ky takim duhet parë si një komunikim të natyrshëm mes pozitës dhe opozitës. Thaçi ka mohuar se gjatë këtij takimi është biseduar edhe për mundësinë që edhe partia e tij të jetë pjesë e Qeverisë së re të Maqedonisë e cila drejtohet nga Zoran Zaev. Ndryshe, Menduh Thaçi është lider i vetëm i partive politike parlamentare i cili refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen politike të mbështetur nga të gjitha partitë politike shqiptare me ndërmjetësimin e Tiranës dhe Përzhinos. Thaçi u arsyetua se nuk dëshiron të vendos firmën e vet në një dokument i cili tkurrë kërkesat e shqiptarëve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Iran: Policia thotë se i ka vrarë 4 militantë të lidhur me IS-in

Posted: 12 Jun 2017 06:03 AM PDT

Mediat iraniane kanë raportuar se policia i ka vrarë katër persona të armatosur të ndërlidhur me grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS). Shefi i policisë në provincën jugore Hormozgan në Iran, Azizollah Maleki, është cituar duke thënë sot se forcat e tij dje i vranë "terroristët e armatosur" gjatë të shtënave në qytetin jugor, Roudan. Maleki tha se gjatë këtij operacioni janë konfiskuar një flamur i IS-it, pushkë automatike, plumba, materiale eksplozive, e të tjera. Sipas zotit Maleki, dy prej të vrarëve ishin të jashtëm. Autoritetet e Iranit kanë thënë se pesë persona të involvuar në sulmet vdekjeprurëse në kryeqytetin Teheran, javën e kaluar, ishin iranianë, që i ishin bashkuar grupit ekstremsit, Shteti Islamik, në Irak dhe Siri. Këto autoritete, po ashtu, thanë se ideologu i sulmeve të 7 qershorit n Parlamentin e Iranit dhe në një mauzole të Ajatollah Khomeinit, është vrarë nga forcat e sigurisë, ndërsa dhjetëra të tjerë të dyshuar janë arrestuar lidhur me këto sulme.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rruga drejt formimit të Qeverisë së re të Kosovës

Posted: 12 Jun 2017 05:08 AM PDT

Kosova mund të futet në bllokadë rreth formimit të Qeverisë së re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 11 qershor, parashikojnë njohës të çështjeve politike. Ata thonë se bllokada rreth formimit të Qeverisë së re mund të diktohet nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, e që sipas rezultateve të deritanishme asnjëra nga subjektet politike nuk kanë fituar më shumë se 35 për qind të votave.  Nga 99 për qind e votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ka fituar 34 për qind të votave. Pasohet nga Lëvizja Vetëvendosje me 27 për qind, kurse koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.7 për qind të votave. Derisa, Lista Serbe ka fituar mbi 5 për qind. Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se mund të ketë vështirësi të mëdha në krijimin e Qeverisë së re pas zgjedhje të parakohshme parlamentare të 11 qershorit. "Pas proceseve që janë zhvilluar kohëve të fundit besoj që do të ketë probleme serioze për formimin e Qeverisë së ardhshme për arsye se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve është i përafërt. Në një situatë të rezultateve të përafërta të tri blloqeve do të jetë shumë vështirë të gjendet një emërues i përbashkët", ka theksuar Beqaj. Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione paszgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në Qeveri. Avni Mazreku, njohës i rrethanave politike dhe profesor i së Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se duhet të ketë një konsensus politik nacional si i vetmi instrument që mund të shpie përpara agjendën shtet-formuese të Kosovës. "Faktorët politik parlamentar pas zgjedhjeve të 11 qershorit do të duhet të arrinin në një pikë konsensuale politike pavarësisht se në cilin krah do t'i poziciononte rezultati si parti në pushtet apo opozitare, për tema me interes nacional të ketë kompromis politik", ka theksuar Mazreku Ndërkohë, nëse do të arrihet që të formohet Qeveria e re e Kosovës, sipas analistëve politikë, Kosovën do ta presin çështjet për të cilat mbeten të papërfunduara nga Qeveria në largim dhe për të cilat vendi shkoi në zgjedhje. Belul Beqaj, thotë se janë pikërisht çështjet si Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave me shumë serbe, me të cilat do të merret Qeveria e re. "Dy temat që kanë qenë oguri i zi deri më tani fatmirësisht apo fatkeqësisht do të jenë çështjet imediate që do të mundohet për t'i zgjedhur Qeveria e ardhshme. Këto janë detyrat që janë trashëguar dhe kanë shërbyer për të shkuar në zgjedhje të parakohshme", thekson Beqaj. Në anën tjetër, Avni Mazreku, thotë se Qeverinë e re e pret një agjendë jo e lehtë politike. "Qeverinë e re e pret një agjendë jo shumë e lehtë politike. Në fakt, pikat kritike për të cilat ka dështuar koalicioni i cili ka qeverisur vendin që nga viti 2014, e që ajo agjende ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme në kontekst të shtet-ndërtimit të Kosovës. Koalicioni fitues i zgjedhjeve e pret një agjendë siç është procesi i ngecur i shtet formimit të Kosovës", thekson Mazreku. Kosova, që prej shpalljes së pavarësisë së saj, nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme që ka kryer mandatin kushtetues prej katër vjetësh, meqë pothuaj secila prej tyre është detyruar të dorëhiqet pas votimeve të mosbesimit në Kuvend. Edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat janë mbajtur më 11 qershor pasuan votimin në Kuvend të një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë më 10 maj.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Katari angazhon ish-prokurorin amerikan pas akuzave për mbështetje të terrorizmit

Posted: 12 Jun 2017 05:05 AM PDT

Qeveria e Katarit e ka angazhuar ish-prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, John Ashcroft, për të ndihmuar vendin rreth akuzave të fqinjëve arabë dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, se Katari e mbështet terrorizmin. Katari do të paguajë kompaninë ligjore Ashcroft, 2.5 milionë dollarë, për 90 ditë pune. Me këtë veprim Katari synon të konfirmojë përpjekjet për të luftuar terrorizimin si dhe të përputhë rregulloren financiare, duke përfshirë rregullat e thesarit amerikan. Njoftimi për angazhimin e kompanisë Ashcroft ishte i përfshirë në një dosje të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, në përputhje me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj. Në një letër të paraqitur në dosjen e kompanisë ligjore Ashcroft, bashkëpunëtori, Michael Sullivan ka thënë se puna e kompanisë "do të përfshijë menaxhimin e krizave, programin dhe analizën e sistemit, punën e mediave, edukimin dhe mbrojtjen e klientave varësisht nga historiku i tyre, si dhe përpjekjet aktuale dhe ato të ardhshme për të luftuar terrorizmin global". Katari është duke u përballur me izolim nga vendet e tjera arabe, siç janë Arabia Saudite, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, të cilat kanë shkëputur marrëdhëniet e tyre me kryeqytetin Doha më 5 qershor, pas akuzave se Katari po mbështet militantët e Shtetit Islamik dhe kundërshtarin e tyre Iranin. Katari i ka mohuar këto akuza. Më 8 qershor, shtetet arabe të udhëhequra nga Arabia Saudite, kanë prezantuar një listë të personave dhe organizatave duke i cilësuar si "terroriste" dhe që janë të lidhura me Katarin. Në këtë listë është i përfshirë edhe Yousef al-Qaradawi, udhëheqësi egjiptian i Vëllazërisë Myslimane, së bashku me 12 organizata tjera bamirëse të financuara nga Katari. Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë më 9 qershor se Katari "ka qenë historikisht financues i terrorizmit në një nivel të lartë". Deklaratat e presidentit Trump kanë ardhur pak pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u ka bërë thirrje Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj të zbusin "bllokadën e tyre" ndaj Katarit. Arabia Saudite ka thënë të ketë vlerësuar vërejtjet e presidentit Trump rreth Katarit. Moska ka bërë thirrje për dialog në mënyrë që të rregullohen marrëdhëniet. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu ka thënë më 10 qershor se Ankaraja shpreson që ndarja mes "vendeve myslimane" do të përfundojë "përmes një dialogu paqësor para festave fetare", duke iu referuar kështu festës së Bajramit që shënon fundit e Ramazanit. Turqia, sikurse Katari, ka mbështetur Vëllazërinë Myslimane, e cila ka udhëhequr Qeverinë e Egjiptit në vitin 2013, por më pas është larguar nga pushteti prej presidentit egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi. Ndërkohë, grupi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut Amnesty International, ka paralajmëruar se njerëzit kanë ndjerë "zemërim dhe frikë" pas këtij kryqëzimi diplomatik. Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Moskë: Navalny u arrestua pak para demonstratës antikorrupsion

Posted: 12 Jun 2017 04:12 AM PDT

Aktivisti kundër korrupsionit dhe lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, është arrtestuar sot para banesës së tij në Moskë, pak kohë para fillimit të protestës masive antikorrupsion, të cilin e organizon ai. Yulia Navalnya, bashkëshortja e Navalnyt, ka shkruar në rrjetin Twitter, se bashkëshorti i saj ka kërkuar nga mbështetësit për ta vazhduar mbajtjen e demonstratës, ashtu siç ishte planifikuar. Burime në Fondacionin Antikorrupsion të Navalnyt kanë raportuar se qasja në Internet dhe rryma elektrike në zyrat e këtij fondacioni, janë ndërprerë. Leonid Volkov, ndihmësi më i afërt i zotit Navalny, tha në kanalin YouTube të Navalnyt, se rryma ishte ndërprerë në edhe në studion e tyre. Demonstrata në Moskë planifikohej të fillonte në orën 14 sipas kohës lokale. Demonstrata të ngjashme janë mbajtur ose planifikohen të mbahen në më tepër se 200 qytete të Rusisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nga forcat amerikane janë vrarë 3 civilë afganë pas eksplodimit të bombës

Posted: 12 Jun 2017 03:41 AM PDT

Tre civilë afganë janë vrarë nga forcat e Shteteve të Bashkuara në provincën lindore Nangarhar të Afganistanit, kanë thënë zyrtarët lokalë. Abdul Wahab, zyrtar i rajonit, Ghani Khel, tha se ushtarët amerikanë kanë hapur zjarr kundër civilëve sot herët në mëngjes, pasi makina e tyre ishte goditur nga një bombë në rrugë. "Ata hapën zjarr kundër civilëve që ecnin në afërsi, duke i vrarë të tre personat", tha Wahab, dhe ka shtuar se "ata mund të kenë menduar se këta njerëz ishin ata që e kanë aktivizuar bombën". Nuk ka pasur informacione të menjëhershme për viktima eventuale amerikane nga ky eksplodim. Komanda ushtarake e Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin Kabul tha se po zhvillonte hetime lidhur me raportet për këtë incident. Talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për këtë eksplodim, duke thënë se nga ai janë vrarë pesë trupa të jashtme, ka raportuar agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pakistan: Rasti i parë në histori që kryeministri paraqitet para hetuesve

Posted: 12 Jun 2017 02:25 AM PDT

Kryeministri i Pakistanit, Nawaz Sharif, pritet që këtë javë të paraqitet para një paneli hetues, lidhur me akuzat kundër familjes së tij për posedim të kompanive të jashtme dhe pastrim të parave. Në një letër të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, Ekipi i Përbashkët Hetues, ka kërkuar që zoti Sharfi të paraqitet para këtij paneli më 15 qershor dhe "të sjell dokumente të rëndësishme" për këtë rast. Kjo do të jetë rasti i parë në historinë e fundit të Pakistanit, që kryeministri aktual të paraqitet para një paneli hetues. Zoti Sharif, që i ka hedhur poshtë akuzat për keqbërje, është nën hetime prej vitit 2016 nga ana e Gjykatës Supreme të Pakistanit. Hetimet, e ndërlidhura me publikimin e të ashtuquajturave Letra të Panamasë, janë të fokusuara në miliona dollarë, që familja e Nawaz Sharifit i mbanë në pasuri të jashtme dhe nëse ai i ka gënjyer autoritetet lidhur me këtë çështje. Në muajin prill gjykata ka vendosur se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për ta larguar Sharifin nga zyra e kryeministrisë, por ka urdhruar hetime të mëtejshme lidhur me akuzat. Ekipi i Përbashkët Hetues tashmë i ka marrë në pyetje edhe djemtë e Sharifit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusi: Protesta anti-korrupsion të mbështetësve të Navalnyt

Posted: 12 Jun 2017 02:24 AM PDT

Policia në Lindjen e Largët të Rusisë i ka arrestuar disa vetë në përpjekje për të demonstruar në kuadër të protestave kundër korrupsionit në gjithë Rusinë, të organizuara nga politikani opozitar, Aleksei Navalny, dhe mbështetësit e tij. Së paku katër vetë janë arrestuar sot në qytetin Blagoveshçensk, përfshirë edhe organizuesit e protestave të pautorizuara në këtë rajon, sipas faqes në Internet, OVD-Info, që i gjurmon protestat dhe aksionet policore në Rusi. Mediat lokale kanë raportuar se policia speciale është përleshur me demonstruesit, derisa qindra njerëz kanë protestuar në Vlladivostok, që është 7 orë para Moskës, dhe e kanë arrestuar një numër të paspecifikuar të njerëzve. Në pamjet në disa video shihen oficerët me helmeta dhe me shkopinj, duke i tërhequr dy pjesëmarrës nga masa e njerëzve, derisa protestuesit e tjerë brohorisnin "turp, turp". Një masë e madhe e njerëzve është mbledhur në Barnaul, në rajonin Altai Krai, në kufi me Kazakistanin, ndërsa protesta janë mbajtur edhe në qytete të tjera në Kazan dhe Tatarstan. Këto protesta u bënë derisa policia në Moskë ka tërhequr vërejtjen kundër demonstratës në rrugën Tverskaja, që çon kah Kremlini, pas thirrjes së fundit të Navalnyt për të protestuar aty e jo në një lokacion që nuk është në qendër të Moskës. Zoti Navalny, që është luftëtar anti-korrupsion dhe lideri më i njohur opozitar rus, synon një pjesëmarrje masive, derisa bën fushatë për zgjedhjet presidenciale në mars të vitit të ardhshëm, përkundër paqartësisë nëse ai do të lejohet të garoj nga ana e qeverisë së presidentit, Vladimir Putin. Policia e Moskës ka tërhequr vërejtjen se "çfarëdo aksionesh provokuese nga protestuesit, do të konsiderohen kërcënim për rendin publik dhe do të ndalen menjëherë". Demonstratat në më se 200 qytete mbahen sot për të protestuar kundër asaj që Navalny thotë se është sistem i korrupsionit dhe nepotizëm, në krye të të cilit është presidenti, Vladimir Putin. Navalny po përpiqet ta shfrytëzojë momentin e krijuar pas protestave gjithkombëtare në muajin mars, në të cilat papritur kanë marrë pjesë masa të mëdha të njerëzve dhe kanë përfunduar me arrestimin e më se një mijë protestuesve nga policia, vetëm në kryeqytetin Moskë. Navalny, po ashtu, ishte arrestuar dhe dënuar me 15 ditë burg, pas protestave të 26 marsit, që ishin demonstratat më të mëdha opozitare në Rusi, prej valës së protestave në periudhën 2011-2012, të cilat ai i ndihmoi të organizohen. Navalny aktualisht i ka akuzuar autoritetet për krijimin e situatës së pamundshme për demonstruesit, që të mbajnë tubim në Moskë, duke u bërë presion bizneseve, nga të cilat organizatorët e demonstratave kërkonin huazimin e pajisjeve. Në një video të transmetuar në këtë aspekt, përfshihet edhe një bisedë telefonike, ku një kontraktor thotë se shefat e tij i kishin thënë se është "e ndaluar" të bëhen shërbime për grupin e Navalnyt. Lidhur me këtë situatë, Navalny tha se "e drejta është krejtësisht në anën tonë". Pak para demonstratave, një video e prodhuar nga Navalny dhe mbështetësit e tij, ku kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, akuzohet për korrupsion, është publikuar në dy faqe të qeverisë ruse në Internet. Pasi kjo video ishte publikuar edhe në faqet në Internet të administratave rajonale në Jaroslavl dhe Shën Petersburg, prokurorët thanë se ka dyshime se këto faqe ishin sulmuar nga hakerët. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Numërimi i votave në QNR

Posted: 12 Jun 2017 01:49 AM PDT

Qendra e Numërimit dhe Regjistrimit ka mbledhur kutitë e votimit nga mbarë Kosova, për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Në QNR do të numërohen edhe votat e diasporës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Porto-Riko: Votim për tu bërë shtet i SHBA-ve në referendumin joobligues

Posted: 12 Jun 2017 12:52 AM PDT

Banorët në Porto-Riko kanë votuar për të qenë shtet në Shtetet e Bashkuara në referendumin joobligues, i cili është përshkruar me dalje të vogël për shkak të bojkotit nga ana e disa grupeve. Rezultatet e referendumit të djeshëm tregojnë se 97.2% kanë votuar për shtetësi, 1.5% e kanë mbështetur pavarësinë, ndërsa 1.3% nuk kanë dëshiruar kurrfarë ndryshimi në statusin e këtij ishulli në Karaibe. Megjithqë më se 480 mijë votues janë përcaktuar për shtet, dalja në referendum ishte afro 23%, prej 2.2 milionë votuesve të regjistruar. Kjo pjesëmarrje e ulët është pritur pas thirrjes nga partitë opozitare për ta bojkotuar referendumin, duke e quajtur atë "ngjarje të parëndësishme" dhe "cirk". Në përgjithësi, ata që kanë bojktuar, nuk kanë mbështetur ndryshim të statusit ose pavarësi. Pavarësisht nga kjo, guvernatori i Porto-Rikos, Ricardo Rossello, është angazhuar për lëvizje, që ky ishull të bëhet shteti i 51-të amerikan. "Ne do të shkojmë para forumeve ndërkombëtare për ta mbrojtur argumentin e rëndësisë që Porto-Riko të jetë shteti i parë hispanik në Shtetet e Bashkuara", tha Rosello. Ky referendum koincidoi me 100 vjetorin, që Shtetet e Bashkuara u kanë garantuar shtetësi banorëve të këtij ishulli. Megjithatë, këta banorë nuk lejohen të votojnë në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe kanë përfaqësim të kufizuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Përkundër referendumit, i takon Kongresit amerikan, që të bëjë çfarëdo vendimi lidhur me ndryshimin e statusit politik të këtij territori.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kryeministri i Maqedonisë takohet me zyrtarë të BE-së dhe NATO-s

Posted: 11 Jun 2017 11:35 PM PDT

Kryeministri i ri i Maqedonisë, Zoran Zaev, sot në viztitën e tij të parë zyrtare në Bruksel, takohet me zyrtarët e lartë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Siç është kumtuar, qëllim i kësaj vizite është që Qeveria e Maqedonisë ta vërtetojë përkushtimin e saj të plotë për integrimet në BE dhe NATO, si qëllim strategjik i këtij vendi dhe që të paraqes prioritetet e reformave, në agjendën për kthimin e Maqedonisë në rrugën e integrimeve evroatlantike. Delegacioni i Maqedonisë, që kryesohet nga kryeministri Zaev, takohet me presidentin e Bashkimit Evropian, Donald Tusk, me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, dhe me komisionarin për fqinjësi dhe negociata për zgjerim, Johannes Hahn.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusi: Nga përplasja e autobusit janë vrarë së paku 12 vetë

Posted: 11 Jun 2017 11:25 PM PDT

Nga përplasja e një autobusi të udhëtarëve në rrugën ndërmjet qyteteve siberiane ruse, Irkutsk dhe Çita, janë vrarë së paku 12 vetë, kanë thnënë zyrtarët e Rusisë. Agjencia shtetërore e lajmeve TASS ka raportuar se janë plagosur 30 udhëtarë të tjerë, në përplasjen që ka ndodhur pak para mesnatës, pasi autobusi ishte rrotulluar. Autoritetet thanë se në autobus gjendeshin 51 pelegrinë ortodoks rusë, që kishin marrë pjesë në një ceremoni religjioze në një manastir.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now