Mesazhi.com: “Treni i manifestimit “Kandilat e Bajramit” sërish në Shkup” plus 9 more

Mesazhi.com: “Treni i manifestimit “Kandilat e Bajramit” sërish në Shkup” plus 9 more


Treni i manifestimit “Kandilat e Bajramit” sërish në Shkup

Posted: 24 Jun 2017 03:42 PM PDT

Manifestimi tradicional "Kandilat e Bajramit", i cili organizohet nga Shoqata Kulturore "Vizion M" në mbështetje të Qytetit të Shkupit, edhe këtë vit ndriçoi qytetin, si dhe gëzoi fëmijët e shumtë të cilët ndoqën dhe morën pjesë në një sërë aktivitetesh të këtij manifestimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky manifestim kulturor, i cili organizohet tradicionalisht para festës së Bajramit, si zakonisht filloi me marshutën e "Trenit të Bajramit", i cili shëtiti dhjetëra fëmijë nëpër lagjet e Shkupit, duke filluar nga xhamia e Mustafa Pashës deri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në sheshin para xhamisë Murat Pasha.

Koordinator i projektit “Kandilat e Bajramit”, Erduan Dauti, tha se qëllimi i manifestimit është që të sjellë gëzim tek të vegjlit. Ai bëri të ditur se manifestimi ka filluar që nga viti 2005.

"Manifestimi ka filluar në vitin 2005 duke u organizuar katër vite me radhë, pastaj ka pasur një ndërprerje disa vjeçare. Ndërsa, prej vitin 2012 çdo vit është duke u organizuar në prag të Fitër Bajramit. Ky projekt kryesisht u dedikohet fëmijëve deri në moshën 10 vjeçare", u shpreh Dauti.

Këtë vit, motoja e manifestimit ishte "Ejani të përcjellim mikun e mirë Ramazanin – Ejani të presim Bajramin", ndërsa ndërkohë, në vendin ku përfundoi marshuta e "Trenit të Bajramit", para xhamisë Murat Pasha, vijuan aktivitetet tjera në kuadër të këtij manifestimi tradicional.

Organizatorët kishin përgatitur ekspozitën e titulluar "Ekspozita Stringëll (bizhuteri) dhe art", ndërsa nuk mungoi edhe koncerti për fëmijë "Fidanët e Bajramit", ku u recituan poezi dhe u performuan valle tradicionale nga të rinjtë. Manifestimi përfundoi me shpërndarjen e pakove ushqimore për fëmijët e pranishëm.

The post Treni i manifestimit "Kandilat e Bajramit" sërish në Shkup appeared first on Mesazhi.com.

Shqipëria voton

Posted: 24 Jun 2017 03:39 PM PDT

3 milionë e 452 mijë shqiptarë kanë të drejtë të votojnë të dielën e 25 qershorit për 2666 kandidatë për deputetë të 18 partive politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare.

Nesër, e diel, do të votojnë për herë të parë 136.239 persona ndërsa për herë të parë në vendin tonë, si pasoje e ligjit të dekriminalizimit, nuk do të kenë të drejtë vote 1367 të dënuar.

Në mbarë vendin janë ngritur 5362 qendra votimi ndërsa zgjedhjet dhe mbarëvajtja e tyre do të vëzhgohen nga 5351 vëzhgues, nga të cilët 896 janë nga misionet vëzhguese ndërkombëtare. KQZ ka mbyllur sot përfundimisht punën përgatitore për ditën e votimit duke shpërndarë të gjitha materialet zgjedhore, nga KZAZ drejt qendrave të votimit.

Në ditën e heshtjes zgjedhore, pas mbylljes së fushatës, kandidatët, përfaqësues apo krerë të subjekteve politike duhet të shmangin cdo aktivitet apo dalje publike në funksion të fushatës.

Qendrat e votimit në mbarë vendin do të happen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19 të mbrëmjes, orar pas të cilit komisionerët e qendrave të votimit do të mbyllin kutitë me materialet zgjedhore shoqëruar me procesverbalet përkatëse. KQZ ka një thirrje të fundit për votuesit, komisionerët, numëruesit dhe kandidatët në këto zgjedhje.

"Procesi zgjedhor është më i rëndësishëm se cdo parti. Komisionerët dhe numëruesit janë në detyrë dhe në shërbim të ligjit dhe jo të partive politike. Sot dhe nesër fuqinë e kanë zgjedhësit, ndaj u bëj thirrje subjekteve zgjedhore të respektojnë rigorozisht ligjin, të ushtrojnë vetfrenim dhe vetëkufizim dhe të heqin dorë nga cdo aktivitet apo dalje publike në funksion të fushatës, si dhe mediave të ndërpresin promovimin dhe anësitë në favor të partive apo kandidatëve", tha kreu i KQZ-së, Klement Zguri.

Në fund, kreu i KQZ-së pati një thirrje për të marrë pjesë në votim.

"Demokracia është pjesëmarrje. Sa më e madhe pjesëmarrja në zgjedhje, aq më e madhe demokracia. Nesër shqiptarët kanë mundësinë të bëjnë demokraci, ndaj në emër të KQZ iu bëj apel të gjithë zgjedhësve të marrin pjesë masivisht në votime dhe të ushtrojnë në liri të plotë në respect të ligjit masivisht të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e votës", apeloi ai.

The post Shqipëria voton appeared first on Mesazhi.com.

Vetëvendosje distancohet nga gjuha fyese e Sadri Ramabajës

Posted: 24 Jun 2017 03:33 PM PDT

Lëvizja Vetëvendosje është distancuar nga deklarata e kandidatit të saj për deputet Sadri Ramabaja, i cili në mënyrë të vrazhdë ka fyer myslimanët, duke ka komentuar një iftar të organizuar në komunën e Dardanës.

Ky është reagimi i VV-së:

Përmes një statusi në facebook, kandidati ynë për deputet, Sadri Ramabaja, ka komentuar një iftar të organizuar në komunën e Dardanës, me ç’rast ka përdorur gjuhë të papërshtatshme e cila ka bërë të ndjehen të fyer besimtarët muslimanë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! distancohet nga gjuha e përdorur dhe qëndrimi i Ramabajës. Shprehim keqardhje për të gjithë ata që janë ndjerë keq nga reagimi i Ramabajës, si dhe mbesim të përkushtuar dhe angazhohemi që liria e besimit të jetë e pacenueshme.

The post Vetëvendosje distancohet nga gjuha fyese e Sadri Ramabajës appeared first on Mesazhi.com.

Emocione dhe lot gëzimi në dy familje që përfituan banesa të reja (VIDEO)

Posted: 24 Jun 2017 03:25 PM PDT

Të shtunën, në natën e Fitër Bajramit dy familje skamnore njëra në Mitrovicë dhe tjetra në Vushtrri janë bërë me banesa të reja.

Kjo falë bamirësve të cilët përmes shoqatës "Jetimat e Ballkanit", arritën të grumbullojnë mjetet e nevojshme për t’i gëzuar këto dy familje të cilat jetonin kë kushte të mjerueshme.

Për më shumë emocione shikoni videon e plotë:

The post Emocione dhe lot gëzimi në dy familje që përfituan banesa të reja (VIDEO) appeared first on Mesazhi.com.

Namazi i Fitër-Bajramit falet në ora 05:37 minuta

Posted: 24 Jun 2017 03:17 PM PDT

Myslimanët në mbarë botën festojnë festën e Fitër Bajramit.

Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Manifestimi fillon në ora 04:15, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Ekrem ef. Maqedonci.
Namazi i Fitër – Bajramit falet në ora 05:37 minuta të cilit do t'i prijë, Sabri ef. Bajgora-kryeimami i BIK-ut.

Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t'u drejtohet opinionit të gjerë me mesazh për këtë festë.

 

The post Namazi i Fitër-Bajramit falet në ora 05:37 minuta appeared first on Mesazhi.com.

Tradita nga vise të ndryshme të botës: Ushqimet unike që shërbehen për festën e Bajramit

Posted: 24 Jun 2017 02:45 PM PDT

Po afron fundmi i muajit të Ramazanit dhe pas agjërimit prej katër javësh do të festohet Bajrami.

 Fëmija sirian ndihmon në përgatitjen e ushqimit tradicional

Egjipt mysafirët priten me Kahk – biskota që përgatitet me mjaltë dhe shërbehen me një gotë qumësht.

Pasi hanë drekë me familje, banorët në Jemen shërbehen edhe me Bint Alsahan, që është një ëmbëlsirë e krijuar nga petë të mbledhura që kanë brenda mjaltë dhe fara nigella.

Afganët duke blerë për festë

Kulaqët e brumit të njohura si Bolani, të cilat përmbajnë spinaq, kungull apo patate, janë ushqimi që shërbehet në Afganistan gjatë kësaj feste.

Përgatitja e biskotës Kahk në Egjipt

Afro 16 milionë myslimanë që jetojnë në Rusi, festojnë Bajramin duke ngrënë manti që punohen me mish qengji apo viçi. Festimet fillojnë në qendër të Moskës, aty ku ndodhet edhe xhamia më e madhe në vend.

Aseeda është një pjatë me grurë, sipër të cilës i shtohet sos domatesh e që hahet për drekën e Bajramit në Sudan.

Tregtari në Kalkutë të Indisë ofron ushqime për Bajram

Mbi 180 milionë mysliman në Indi festojnë me Sevaiyan ki Kheer që është një specialitet tradicional sipër të cilës hidhen bajamet.

Kërkesa të shumta për specialitete tradicionale

Fillimin e festës së Bajramit në Kinë e shënojnë me You Xiang, që janë brumëra të holla të pjekura gjatë, të cilat shërbehen me supë dhe oriz.

Hari Raya e quajnë Bajramin në Malajzi, teksa atje festohet duke ngrënë Luih. Këto janë ëmbëlsira të vogla, sa një kafshatë, që punohen me gjalpë, vezë të rrahura dhe sheqer.

Procesi i përgatitjes të Cambaaburit në Somali

Ndërkaq, myslimanët në Somali përgatisin Cambaabur, një ushqim me grurë dhe mel, sipër të cilës hidhet sheqer dhe shërbehet me jogurt.

The post Tradita nga vise të ndryshme të botës: Ushqimet unike që shërbehen për festën e Bajramit appeared first on Mesazhi.com.

Pas 18 vitesh, falet namazi i Bajramit te Xhamia e Ibrit

Posted: 24 Jun 2017 02:41 PM PDT

Falja e namazit të Bajramit do të realizohet për herë të parë, pas 18 vitesh, tek vendi ku ka qenë Xhamia e Ibrit në veri të Mitrovicës.

Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Burim Veliu. Sipas tij, pas shumë bisedimeve me organet gjegjëse, para pak çastesh është arritur një marrëveshje e tillë.

"Komuna e Mitrovicës Veriore, si dhe Policia, kanë garantuar siguri për një gjë të tillë", ka thënë Veliu.

Ndryshe, në këto momente vërehen masa të shtuara të Policisë tek lokacioni i xhamisë.

The post Pas 18 vitesh, falet namazi i Bajramit te Xhamia e Ibrit appeared first on Mesazhi.com.

Kurti kujton hoxhallarët e imamët që punuan për kombin

Posted: 24 Jun 2017 02:39 PM PDT

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka publikuar një shkrim të gjatë në profilin e tij në Facebook, ku ka përmendur veprimtarët shqiptarë që të besimit myslimanë. Shkrimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.

"Sot është dita e fundit e një muaji të shenjtë për besimtarët myslimanë, siç është Ramazani. Ky muaj karakterizohet nga sakrifica e përditshme që bëhet për të përmirësuar vetveten e për t'iu afruar idealit që dëshirojnë vetë besimtarët. Por, edhe përtej komunitetit të besimtarëve, mesazhi e shembulli i sakrificës së përditshme është i vlefshëm. E si do të mund ta ndërtojmë vendin e atdheun tonë, si do të mund ta përparojmë kombin e shoqërinë tonë pa sakrifica të përditshme? Këto sakrifica janë të vogla po t'i shohim sakrificat e mëdha që kanë bërë njerëzit e shquar të kombit tonë, pa dallim feje a besimi. Ne i përkujtojmë ata me respekt, e meqë nesër do të jetë festa e madhe e besimtarëve myslimanë, Bajrami, unë sot dëshiroj të kujtoj me nderim kontributin dhe sakrificën e disa veprimtarëve atdhetarë myslimanë të shquar nga Kosova. Sigurisht, për arsye vendi e kohe nuk do të mund t'i përmend të gjithë.

Mund t'ia nisim duke përmendur rilindasin e shquar, një nga figurat themelore të shqiptarizmës, Ymer Efendi Prizrenin, intelektualin atdhetar, veprimtarin e Komitetit të Stambollit bashkë me vëllezërit Frashëri, organizuesin e kuvendit e kryesuesin e qeverisë autonome të Lidhjes së Prizrenit. Po ashtu mund të përmendim Hoxhë Kadri Prishtinën, veprimtar i çështjes kombëtare, kryesues i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet ´20, promovues i kulturës dhe gjuhës shqipe, botues e dijetar, bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe i Hasan Prishtinës, i cili qysh atëherë kërkonte që arsimi fillor e ai gjysmë i mesëm të ishte falas dhe për të gjithë fëmijët.

Ose, mund të përmendim edhe Mulla Hasan Masuricën nga Kamenica e Hafiz Ymer Shemsiun nga Prishtina, që përveçse dijetarë të fushave të ndryshme, luftuan me armë në dorë kundër pushtuesve bullgarë e kundër atyre serbë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ose, imami Arif Shala nga Drenica, i cili në vitet 1930 u shqua për aktivitetin e tij kombëtar, duke i thirrur njerëzit në edukimin shqip, duke e kundërshtuar shpërnguljen e popullit shqiptar të Kosovës në Turqi, e duke dalë hapur kundër politikave kolonizatore të Serbisë, por po ashtu edhe kundër pushtuesve nazi-fashistë. Imami Arif Shala pas Luftës së Dytë Botërore doli komit, në përpjekje për ta çliruar Kosovën e për ta bashkuar atë me Shqipërinë, dhe aty ra dëshmor.

E nuk mund të lëmë pa përmendur figurën e shquar, Mulla Idriz Gjilanin, edukuesin e arsimuesin e dhjetëra mijëra shqiptarëve, me frymën kombëtare, me idealin e bashkimit, dhe me dashurinë për shqipen. Bamirës i madh, hapës i shkollave, ndërtues i veprave publike dhe themelues i organizatave patriotike, edhe Idriz Gjilani i përket atij grupi atdhetarësh myslimanë që për çështjen kombëtare kanë kapur armën e kanë luftuar. Ai ra dëshmor në përballje me represionin e armatosur serb e jugosllav në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.

Përveç këtyre pionierëve të atdhedashurisë, kanë qenë dhjetëra hoxhallarë e imamë, me mijëra besimtarë myslimanë, që kanë vepruar bashkë me shqiptarë të besimeve të tjera apo edhe me ateistë, për ta mbajtur gjallë frymën e organizimin kombëtar gjatë viteve të regjimit jugosllav, e shumë prej tyre kanë përfunduar të ekzekutuar apo kanë mbajtur vite të gjata në burgjet jugosllave. Ia vlen po ashtu të kujtojmë se gjatë viteve të '90-ta Medreseja e Prishtinës ishte bërë vendi i tubimeve politike të rezistencës shqiptare kundër Serbisë dhe se 37 hoxhallarë kanë rënë dëshmorë në luftën për çlirimin e Kosovës duke luftuar në radhët e UÇK-së.

I kujtojmë ata gjithmonë me nderim, të bindur se shqiptarët myslimanë edhe në të tashmen, edhe në të ardhmen, do të vazhdojnë të bashkëpunojnë e të bashkëveprojnë me bashkatdhetarët e tyre të cilitdo besimi qofshin, që të kontribuojnë edhe më shumë për kombin, për dijen, për shkencën, për artin, për ekonominë e për shoqërinë, si dhe për përparimin e kombit tonë drejt barabarësisë me kombet e tjera", ka shkruar Kurti.

The post Kurti kujton hoxhallarët e imamët që punuan për kombin appeared first on Mesazhi.com.

Thaçi, Mustafa e Pacolli urojnë Fitër Bajramin

Posted: 24 Jun 2017 09:27 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka uruar Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve islam.

Ai ka thënë se qytetarët gjithmonë e më shumë po e thellojnë frymën e tolerancës.

Ky është urimi i tij:

Të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj festën e Fitër Bajramit.
Në këto ditë feste, që gjithmonë kremtohen me solidaritet dhe humanizëm të madh, me unitet dhe mirëkuptim mes njerëzve, ne çdo herë e më shumë po ndajmë me njëri-tjetrin vlerat që kemi, po ndajmë devotshmërinë tonë dhe po e thellojmë edhe më shumë frymën e tolerancës.

Qytetarët tanë gjithmonë kanë qenë të bashkuar rreth kultivimit të këtyre vlerave humane.

Mustafa: Ramazani dhe Bajrami forcojnë besimin dhe vlerat e larta njerëzore

Kryeministri Isa Mustafa ka uruar festën e Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë e Muajit të Ramazanit si një muaj i Shenjtë, muaj i sakrificës, dashurisë e mirësisë.

Mustafa ka thënë se festa të tilla janë të mira që të fuqizohet përkushtimi dhe vendosmëria për të ardhmen.

Ky është urimi i plotë i tij:

Urimet më të përzemërta për besimtarët myslimanë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e përfundimit të Muajit të Ramazanit dhe kremtimit të Festës së Fitër Bajramit.

Muaji i shenjtë i Ramazanit dhe përmbyllja e tij me Festën e Bajramit, forcojnë besimin dhe vlerat më të larta njerëzore të humanizmit, sakrificës, dashurisë dhe mirësisë.

Festat e tilla janë, po ashtu, një rast i mirë për njerëzit e vullnetit të mirë që të fuqizojnë përkushtimin dhe vendosmërinë për të ardhmen. Urime!

Pacolli: Urime Fitër Bajrami besimtarëve islamë

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli i ka uruar besimtarët myslimanë festën e Fitër Bajramit.

Ai ka uruar që të gjithë qytetarët të bashkuar të festojnë në begati dhe harmoni.

Ky është urimi i plotë i tij:

Të nderuar qytetarë,

Më lejoni që në emër të Aleancës Kosova e Re dhe në emrin tim personal, t'Jua uroj festën e Fitër Bajramit të gjithë qytetarëve të besimit Islam. Në këtë ditë të veçantë, pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, muajit të mëshirës, solidaritetit dhe paqes, uroj që të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkuar të festojnë në begati dhe harmoni.

Në këtë ditë kremte, le të reflektojmë për punën dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, familjes, miqve dhe shoqërisë. Të shtrijmë dorën e ndihmës për të gjithë ata që kanë nevojë dhe të punojmë me përkushtim, për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për vendin tonë, duke kultivuar kështu traditën e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore si vlera të rëndësishme të popullit tonë.

The post Thaçi, Mustafa e Pacolli urojnë Fitër Bajramin appeared first on Mesazhi.com.

Familja Fejzullahu Natën e Bajramit bëhet me banesë të re

Posted: 24 Jun 2017 07:07 AM PDT

Festën e Bajramit, familja gjashtë anëtarëshe e Murat Fejzullahut, do ta kremtojë në banesën e re të dhuruar nga Shoqata "Jetimët e Ballkanit", nga Prizreni.

Deri sot kjo familje jetonte në kushte tejet të rënda në një hapësirë prej 20 metrash katrorë, në një barakë të ish ndërmarrjeve të paraluftës nga Serbia.

Çelësat e banesës që gjendet në qendër të qytetit, mu para ndërtesës komunale, familjes Fejzullahut, ia kanë dorëzuar të shtunën kryetari i Shoqatës së lartpërmendur, Halil Kastrati dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ndërkohë që ishte i pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe Integrime Evropiane, Qazim Nimani.

Ishte tepër emocionuese momenti kur familja befas u njoftua sot për këtë vendim të Shoqatës "Jetimët e Ballkanit" dhe Komuna e Mitrovicës, që e përzgjodhi atë të jetë përfituese dhe ai kur iu dorëzuan çelësat. U derdhën shumë lot gëzimi, por Edona, nxënëse e shkëlqyeshme e klasës së gjashtë dhe shtylla e familjes, nëna e kryefamiljarit, plaka 87 vjeçare, Zahidja, e cila kishte bërë pesë operacione deri tash për shkak të sëmundjeve të ndryshme që kishte pas.

Të gjithë anëtarët e familjes ishin shumë mirënjohës dhe falënderuan donatorin e komunën, për banesën e dhuruar, për të cilën thanë se kishin ëndërruar, por nuk kishin shpresa se do ta kenë.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pasi ua uroi çelësin e banesës familjarëve, falënderoi kryetarin e Shoqatës, Halil Kastratin për këtë dhe ndihmat tjera të shumta që ka dhënë për Mitrovicën.

Kryetari i Shoqatës "Jetimët e Ballkanit", Halil Kastrati, tha se është tepër i gëzuar që pati mundësinë të ndihmoj këtë familje.

"Kur i pash kushtet e vështira në të cilat po jeton dhe në veçanti nënën Zahide në këtë moshë e me gjithë këto telashe shëndetësore, nuk u hamenda fare për të dhuruar banesën, e cila është donacion i bamirësve të ndryshëm që kontribuojnë në shoqatën tonë për të zgjidhur raste të këtilla anembanë Kosovës. Në Mitrovicë kemi ndërtuar edhe një shtëpi në Kqiq të Madh dhe jemi duke e ndërtuar një tjetër në Tunelin e Parë", tha ai.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pas vendosjes së familjes Fejzullahu në banesë, për basshkëpunimin e shkël;qyeshëm me këtë shoqatë dhe kontributin e saj dhënë familjeve në nevojë nga komuna e Mitrovicës, i ndau një mirënjohje kryetarit të kryetarit të Shoqatës "Jetimët e Ballkanit", Halil Kastrati, si dhe një i dhuroi një hartë të Kosovës të punuar nga kristalet e Trepçës.

Shoqata "Jetimët e Ballkanit", po sot në Mitrovicë u ndau nga 50 euro 10 familjeve në nevojë mitrovicase, ndërsa një gruaje të prekur nga kanceri i dhuroi 550 euro.

The post Familja Fejzullahu Natën e Bajramit bëhet me banesë të re appeared first on Mesazhi.com.