“Mattis: Shtetet e Bashkuara po humbin në Afganistan” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Mattis: Shtetet e Bashkuara po humbin në Afganistan
- Vonesat për formimin e Qeverisë zvarrisin liberalizimin e vizave
- Kush do ta formojë Qeverinë e Kosovës?
- Presidenti Trump konfirmon pjesëmarrjen në samitin në Poloni
- Homofobia shprehet hapur në shitoret ruse
- Hagë: Ka filluar rigjykimi i dy të dyshuarve për krime të luftës nga Serbia
- Maqedonia dhe Greqia aktualizojnë kontestin e emrit
- Mandiq: Mali i Zi në teh të luftës civile
- Kurti fton LDK-në, AKR-në dhe Alternativën ta formojnë Qeverinë e re
- Vuçiq e uron Putinin dhe e falënderon për ndihmën lidhur me Kosovën
- Maqedoni: Mbështetet propozimi për shkarkimin e prokurorit shtetëror
- Arabia Saudite akuzohet për "mbështetje të terrorizmit në Iran"
- Rreth 200 milionë euro për shërim jashtë Kosovës
- Hungaria miraton ligjin kontrovers për OJQ-të
- Putini dhe mbreti saudit bisedojnë për krizën rreth Katarit
- Prokurorët spanjollë ngrenë padi kundër Ronaldos
- Misioni i BE-së vë në pikëpyetje besueshmërinë e zgjedhjeve në zonat e banuara me serbë
- Lista Serbe kremtoi fitoren ndaj institucioneve të Kosovës
- Hakerët rusë mund të godasin sistemin elekrtik në gjithë botën
- Kritika Rusisë për shtypjen e protestave
Mattis: Shtetet e Bashkuara po humbin në Afganistan Posted: 13 Jun 2017 09:53 AM PDT Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, i ka thënë Kongresit se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke fituar në Afganistan dhe se gjatë muajit korrik do të prezantojnë një strategji të re duke synuar ndryshimin e situatës. Mattis gjithashtu ka thënë në dëshminë e Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, se goditjet e fundit kundër forcave qeveritare siriane kanë qenë në vetëmbrojtje, pasi sipas tij Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrur të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur ushtarët e saj në terren. "Ne nuk jemi duke fituar tani në Afganistan. Do ta korrigjojmë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur", ka thënë ai duke shtuar se Pentagoni ka gjasa të kërkojë një rritje prej 3-5 për qind të buxhetit të saj nga 2019 deri në vitin 2023. Në Shtetet e Bashkuara, mediat kanë raportuar se Mattis do të rekomandojë dërgimin e 3,000 deri në 5,000 trupave amerikane për të shkatërruar, atë që ai e quajti "bllokadë" midis forcave të mbështetura nga SHBA-të dhe talibanëve. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar një dron të armatosur të qeverisë siriane i cili kishte sulmuar forcat e mbështetura nga SHBA-të, në Siri. Në po të njejtën ditë, këto forca të mbështetura nga SHBA-të, sulmuan dy kamionë të qeverisë siriane afër qytetit jugor, At Tanf. Rusia në anën tjetër ka thënë më 10 maj, se i konsideron të papranueshme sulmet e Shteteve të Bashkuara kundrejt forcave qeveritare në Siri. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Vonesat për formimin e Qeverisë zvarrisin liberalizimin e vizave Posted: 13 Jun 2017 09:53 AM PDT Vonesat eventuale rreth formimit të Qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, vlerësohet se do ta ngadalësonin procesin e liberalizimit të vizave. Njohës të çështjeve të integrimeve evropiane thonë se edhe nëse Qeveria formohet pa vonesa, mund të ketë efekte pozitive në procesin e liberalizimit, sikurse që mund të ketë efekte negative zvarritja. Por, nuk përjashtohet as mundësia që procesi të ngecë edhe në Bashkimin Evropian, ku besohet se te disa vende anëtare të BE-së, nuk ka shumë vullnet që Kosovës t'i hiqen vizat. Zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë nuk kanë nxjerrë një koalicion apo parti politike si fituese bindëse të zgjedhjeve, duke krijuar kështu vështirësi të mëdha në krijimin e Qeverisë së re. Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e krijimit të Qeverisë së re nënkupton faktin se është e pamundur që të shkohet më tutje me ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe të bëhen hapa konkret në luftimin e korrupsionit. Sipas tij, këto janë edhe kriteret që duhet të plotësohen, që t'i hapet rrugë liberalizimit të vizave. "Ne urojmë që të mos ketë ngërç polik, por rezultat preliminare që dalin nga zgjedhjet, nuk janë optimiste në raport më atë se mund të kemi një formim të Qeverisë se re në afat shkurtër. Dhe, vonesat që do te jenë, për çfarëdo arsye në krijimin e Qeverisë, do të kenë ndikimin e përgjithshëm në gjithë ciklin e politikëbërjes, dhe në këtë perspektivë, natyrisht që do ta afektonte edhe procesin që ndërlidhet ngushtë me plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave", thekson Ujkani. Kosova, shton Ujkani ka humbur hapin në procesin e liberalizimit të vizave. Sipas tij, në dy vjetët e fundit është shënuar regres i madh në këtë proces. Procesi i liberalizimit të vizave ishte konsideruar i bllokuar për shkak të mosarritjes së përmbushjes së dy kushteve të fundit, ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit. Megjithatë, Besa Shahini njohëse e integrimeve evropiane, procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën e konsideron më të komplikuar. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Shahini thotë se ky proces ka ngecur në Bashkimin Evropian dhe jo në Kosovë. "Procesi i liberalizimit të vizave, ne kemi një përshtypje që ka mbetur këtu dhe ngecja ka ndodhur në Kosovë, por ngecja nuk është në Kosovë. Teknikisht, për të zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave duhet të kalohet Marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe duhet të luftohet korrupsioni, në një masë që është i pranueshëm për Komisionin Evropian". "Por, edhe nëse ndodhin këto të dyja, procesi zhbllokohet në Parlamentin Evropian, pastaj ajo kalon në Këshill të Ministrave, e që unë besoj që do të jetë i bllokuar prapë, pasi që vendet e Bashkimit Evropian nuk janë të interesuara që në këtë fazë, t'i japin mundësi Kosovës për liberalizimin e vizave, për shkak të rrezikut për migrim", thekson Shahini. Kosova dy vjet më parë u përball me valën më të rëndë të ikjes të qytetarëve të saj drejt shteteve të BE-së. Shahini thekson se edhe në rastin më të mirë, që do të përfshinte procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, procesi do të merr kohë. "Pjesët teknike që kanë mbetur të kryhen në Kosovë, janë sfida që duhet të kalojnë, mirëpo nuk ta garantojnë se mund të merret liberalizimi i vizave. Edhe në rastin më të mirë nëse kalohen këto pika - ratifikimi i demarkacionit dhe luftimi i krimit e korrupsioni- kalon në Parlament edhe kalon edhe në Këshill të Ministrave, që unë nuk e besoj, pasi që nuk po shoh disponim në BE. I gjithë procesi do të merr 1 vit prej tani", thekson Shahini. Sidoqoftë, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mbetet një nga temat dhe çështjet më të diskutuara viteve të fundit. Premtimet për liberalizimin e vizave për Kosovën nga liderët politikë dhe përfaqësues të institucioneve të vendit ishin bërë që nga viti 2010. Komisioneri i BE-së për Negociata dhe Zgjerim, Johanes Hahn ka kërkuar së fundit që Kosova të formojë një Qeveri pro-evropiane dhe t'i qaset punës rreth plotësimit të kritereve të fundit, në mënyrë që Bashkimi Evropian më pastaj të marrë hapin tjetër, drejt heqjes së vizave. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Kush do ta formojë Qeverinë e Kosovës? Posted: 13 Jun 2017 08:57 AM PDT Nga rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, asnjë nga subjektet pjesëmarrëse nuk mund ta formojë Qeverinë e re, pa ndonjë koalicion paszgjedhor. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Presidenti Trump konfirmon pjesëmarrjen në samitin në Poloni Posted: 13 Jun 2017 08:34 AM PDT Presidenti polak, Andrzej Duda, ka thënë se samiti që është planifikuar të mbahet muajin e ardhshëm nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Wroclaw, të Polonisë, do të zhvendoset në Varshavë, pas konfirmimit të pjesëmarrjes në samit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Samiti Iniciativa e Tre Detrave do të mbahet në datat 6-7 korrik, duke mbledhur së bashku udhëheqësit e 12 vendeve për bisedime rreth forcimit të rajonit përmes zhvillimit të lidhjeve energjetike dhe infrastrukturore në territorin që kalon nga Deti Baltik në veri, deri nëAdriatik në jug, si dhe Detit të Zi në lindje. Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar vizitën e presidentit Trump në Poloni dhe pjesëmarrjen në samit, para se ai t'i bashkohet samitit të G-20-tës në Hamburg. Presidenti polak Andrzej Duda ka thënë sot gjatë ditës gjatë një vizite në Kroaci, se për "arsye logjistike dhe të sigurisë", samiti do të mbahet në kryqytetin e Polonisë, në Varshavë. Duda ka thënë se ky takim do të jetë një rast për udhëheqësit e rajonit, që të zhvillojnë bisedime me presidentin Trump. Përveç Polonisë, Iniciativa e Tre Detrave, përfshin edhe vendet si Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë, Lituaninë, Letoninë, Estoninë, Austrinë, Rumaninë, Bullgarinë, Kroacinë dhe Slloveninë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Homofobia shprehet hapur në shitoret ruse Posted: 13 Jun 2017 08:03 AM PDT Një rrjet i vogël por në rritje i shitoreve të një stili të vjetruar në Rusi, aktualisht është bërë i njohur, pasi në secilën prej dhjetëra pikëve të shitjes në mënyrë të dukshme i ka vendosur mbishkrimet e vrazhda: "nuk lejohet hyrja e homoseksualëve". Tash një degë e këtij rrjeti ka lëvizur edhe një hap përpara. Mediat lokale kanë raportuar se shitroja e kompanisë, Bukë e Kripë, në qytetin qendror rus, Kirov, ka filluar shitjen e shenjave prej druri të punuara me dorë të këtij sllogani, me çmim prej 2 mijë rublash (35 dollarë amerikanë). Duket se pjesa më e madhe e banorëve lokalë në Moskë, Shën Petersburg dhe Kirov, nuk janë të shqetësuar nga këta artikuj, përkundër faktit se në ta përdoren fjalë poshtëruese, të cilat shumica e mediave ruse nuk pranojnë t'i shtypin të plota. Kalimtarët e rastit, shpeshherë, shihen para këtyre shenjave duke e fotografuar vetveten me telefonat mobilë. Në Moskë, nga ana tjetër, më 1qershor ishte thyer një dritare gjatë natës në një shitore, dhe kjo e ka shtyrë televizionin shtetëror rus që të komentojë se shitoret "për një kohë të gjatë ishin në shënjestër të komunitetit LGBT". Në një pikë shitjeje të kompanisë në Shën Petersburg, një kliente e cila nuk ka dëshiruar të identifikohet, i tha Radios Evropa e Lirë se shenja ishte një indikator se sa tolerant është ky qytet. Ajo konsideron se, fundi i fundit, secili ka të drejtë të shprehet dhe të mendojë ashtu siç dëshiron. Kompania, Bukë e Kripë, që shet ushqim natyror, kozmetikë dhe artikuj të tjerë të prodhimit të "bujqve rusë", është ide e biznesmentit tejet të pasur e ekscentrik, German Sterligov. Biznesmeni i ftoi njerëzit të hedhin vezë në portretin e Einsteinit Biznesmeni Sterligov është një monarkist i deklaruar, i cili jeton sikur të jetë në shekullin e 19, duke e ndjekur kalendarin e pararevolucionit të Rusisë, që e ka modifikuar, duke ia shtuar tetë vite për të reflektuar interpretimin e tij se kur ka lindur Jezu Krishti. Në të kaluarën ai është angazhuar për shitjen e gjithë territorit rus në lindje të Maleve Ural te perëndimi dhe rivendosjen e popullatës nga ky rajon në fermat e fshatarëve në pjesën evropiane të Rusisë. Në hapjen e fundit të një shitoreje të tij në Shën Petersburg, Sterligov u ka bërë thirrje mbështetësve që të hedhin vezë në portertin e shkencëtarit, Albert Einstein, dhe të tjerëve, për shkak se zbulimet e tyre supozohet se kanë çuar në "helmimin e gjithë njerëzimit". Sterligov e ka qëndirmin e tij edhe për religjionin ortodoks rus. Ai thotë se nuk është anëtar i Kishës Ortodokse Ruse, pasi konsideron se pothuajse të gjithë klerikët janë heretikë. Ai ka pikëpamje sociale ultrakonservatore dhe shprehet fuqishëm kundër abortit dhe homoseksualitetit. Ai ishte akuzuar për organizimin e një kampi të trajnimit për neonazistët dhe për pagesë të banditëve për t'i sulmuar homoseksualët. Shtypje sistematike e homoseksualëve Shenjat që publikisht dhe në mënyrë të hapur janë vendosur në shitoret e këtij bznesmeni të pasur dhe ekscentrik, janë manifestim i valës në rritje të homofobisë në Rusi. Në vitin 2003, në Rusi është miratuar legjislacioni me të cilin nuk lejohet shpërndarja e "propagandës së marrëdhënieve seksuale jotradicionale" ose "ideve të çrregulluara për vlerën e njejtë sociale të marrëdhënieve seksuale tradicionale dhe jotradicionale". Kohëve të fundit, Qeveria e Rusisë dhe mediat shtetërore në masë të madhe i kanë injoruar raportet nga mediat e pavarura dhe grupet e aktivistëve, se homoseksualët janë persekutuar në mënyrë sistematike në Çeçeni, në Kaukazin Verior të Rusisë. Më 30 maj, një gjykatë në Shën Petersburg e ka dënuar studentin 21 vjeçar, Sergei Kosyrev, me 8 vjet e gjysmë burg, për vrasje të gazetarit, Dmitry Tsilikin, i cili ishte homoseksual. Megjithqë procesi gjyqësor ishte mbajtur me dyer të mbylluara, aktivistët besojnë se vrasja ishte krim i urrejtjes homofobike. Megjithatë, jo të gjithë rusët janë indiferent ndaj shenjave të dyqaneve të biznesmenit Sterligov. Vera Vrubel, 45 vjeçare, jeton në një ndërtesë ku ndodhet një shitore e kompanisë, Bukë e Kripë. Ajo e kishte pyetur vetveten, e nxitur nga vajza e saj 15 vjeçare, se "si është e mundur kjo?" "Pronari i kësaj shitoreje po na fyen të gjithë neve, po e fyen qytetin e Shën Petersburgut dhe personalisht guvernatorin", i tha Radios Evropa e Lirë, zonja Vrubel. Tmerrin e saj ajo e ka bartur në rrjetin Facebook, dhe postimi i saj me të shpejtë ka zgjuar interesim të konsiderueshëm duke i marrë më tepër se 1,600 "likes". "Derisa shitorja homofobike është në fqinjësi timen, unë jam homoseksuale", tha Vrubel. Pastaj ajo ishte ankuar në policinë lokale, por shenjat e kompanisë, Bukë e Kripë, mbeten aty ku ishin. Njëherësh, mbështetësit e biznesmenit Sterligov, janë ankuar masivisht në rrjetin Facebook, që e hoqi postimin e saj dhe për një kohë të shkurtër e pezulloi profilin e saj. Në Moskë, gazetari, Denis Shlyantsev, po e udhëheq një fushatë të ngjashme. Në muajin prill ai e ka bërë një ankesë tek Agjencia për mbrojtjen e konsumatorëve rusë. Megjithatë, më 31 maj, Sterligov i tha agjencisë së lajmeve Interfax se nuk ka marrë ndonjë urdhër nga autoritetet për largimin e shenjave ose për ndaljen e diskriminimit kundër homoseksualëve. "Nuk është vitit 1937, por 2017" Zonja Vrubel e shikon fushatën e saj në mënyrë pragmatike, duke thënë se "nuk jam ndonjë lloj i kundërshtarit të regjimit" dhe shprehet se "e kupton se një grua e vetmuar nuk mund të luftojë kundër gjigantit". Megjithatë, ajo thekson se "nuk do të dorëzohet" dhe do ta vazhdojë betejën kundër këtyre shenjave homofobike. Në këtë kuadër, ajo shprehet e befasuar me indiferencën e të tjerëve ndaj kësaj çështjeje. "Dëshiroj të theksoj se ky është viti 2017 e jo 1937", thotë Vera Vrubel, duke iu referuar terrorit të madh të Stalinit në vitet e 30-ta, dhe u bënë thirrje të tjerëve që të bëjnë diçka të mirë për qytetin dhe shtëpinë e tyre. Përgatiti: Fatmir Bujupi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Hagë: Ka filluar rigjykimi i dy të dyshuarve për krime të luftës nga Serbia Posted: 13 Jun 2017 07:34 AM PDT Rigjykimi i dy ish-zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, të akuzuar për krime të luftës gjatë luftërave ballkanike në vitet e 90-ta, ka filluar sot në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë. Prokurori Douglas Stringer, i tha panelit të përbërë nga tre gjyqtarë në Hagë, se Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, kanë luajtur rol kryesor në lehtësimin e mizorive nga paramilitarët serbë në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Prokurori Stringer tha se Stanishiq, 66 vjeçar, dhe zëvendësi i tij, Simatoviq, 67 vjeçar, "kanë bërë që këto krime të ndodhin nëpërmjet drejtimit të tyre dhe mbështejtes së vazhdueshme për forcat serbe, që janë përdorë për t'i kryer ato". Këta dy persona ishin liruar në vitin 2013 lidhur me akuza për krime të luftës, pasi gjyqtarët që kishin vendosur për këtë rast kishin thënë se nuk kishte dëshmi të mjaftueshme për lidhjen e tyre me krime. Por, gjyqtarët e apelit, në vitin 2015, e kanë rrëzuar këtë vendim duke thënë se kishin ndodhur disa gabime juridike në procesin gjyqësor. Rrjedhimisht, ishte vendosur që Stanishiq dhe Simatoviq të rigjykoheshin për katër pika për krime kundër njerëzimit dhe një pike për krime të luftës, të kryera nga njësitë serbe të vdekjes në Bosnjë dhe Kroaci, pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, në vitin 1991. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Maqedonia dhe Greqia aktualizojnë kontestin e emrit Posted: 13 Jun 2017 07:10 AM PDT Maqedonia kërkon anëtarësim në NATO me referencën ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM) dhe paralelisht me këtë proces të zhvillohen edhe negociatat me Greqinë për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar më emrin e saj kushtetues, Republika e Maqedonisë. Një kërkesë të tillë e konfirmoi edhe kryeministri, Zoran Zaev pas takimeve në Bruksel me kreun e NATO-së, Jens Stoltenberg, por edhe më zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian. "Unë pres mbështetje nga qytetarët e Greqisë që nëpërmjet pushtetit dhe opozitës të zgjidhim këtë problem. Për këtë ka alternativa dhe ne shpresojmë se edhe më referencën e përkohshme mund të bëhemi shtet anëtar i NATO-së, dhe paralelisht me këtë të vazhdojnë bisedimet me Greqinë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne, do të jemi një arsye më shumë për gjetjen e zgjidhjeve pozitive, që do të jenë për të mirën e stabilitetit në rajon", ka deklaruar kryeministri Zaev. Këto mesazhe Athinës do t'ia dërgojë edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili të mërkurën do të qëndrojë në Greqi, në vizitën e parë të një zyrtari të lartë të Qeverisë së re. "Mbi qëndrimin e palës greke do të di shumë më tepër pas vizitën në Athinë të mërkurën. Do të shohim se cilat janë sinjalet e palës greke. Është një proces që nuk mund të mbyllet brenda natës, por gjithsesi se ne do të bëjmë gjithçka që të zgjidhin këtë kontest, pasi është në të mirën e të gjithëve, është në të mirën e paqes dhe stabilitetit në rajon. Do të ishte shumë keq nëse e lëshojmë këtë shans", ka deklaruar Dimitrov, i cili më parë ka qenë pjesë e delegacionit të Maqedonisë në bisedimet me Greqinë që janë zhvilluar nën patronatin e Kombeve të Bashkuara. Lidhur me kontestin e emrit, zyrtarët e lartë grekë në disa prononcime që janë transmetuar nga mediat maqedonase, kanë thënë se çështja e emrin mbetet kusht për zhbllokimin e procesin euro-integrues të Maqedonisë. "Pa zgjidhjen e këtij kontesti, pala greke nuk do të lejojë anëtarësimin e Maqedonisë, qoftë në NATO apo BE-në", kanë deklaruar zyrtarët grekë. Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, thonë se qëndrimet e tilla janë normale dhe tani më të njohura. Ish-ambasadori në NATO, Nano Ruzhin, thotë se kontesti me emrin duhet të zgjidhet, dhe në këtë pret një mbështetje të fuqishme nga bashkësia ndërkombëtare. "Ne kemi një problem të cilin ne duhet ta zgjidhin. Pala greke ka një qëndrim të fortë se pa zgjidhjen e çështjes së emrit, Maqedonia nuk mund të anëtarësohet në NATO ndërsa Maqedonia kërkon që paralelisht me bisedimet për zgjidhjen e kontestit të pranohet në Aleancë me emrin e përkohshëm IRJM. Mendoj se janë normale pozicionet e tilla, duke marrë parasysh të kaluarën, dhe këtu pres ndihmën e faktorit ndërkombëtar për të arritur një zgjidhje të pranueshme për të dyja vendet", thotë Ruzhin, duke shtuar se veç çështjes së emrit, Maqedoninë e presin edhe reforma tjera të domosdoshme që kanë ngecur për shkak të krizës së thellë në të cilën shteti është pothuajse qe tri vjet. "Ne nuk duhet të harrojmë se krahas çështjes së emrit ne kemi edhe shumë reforma tjera që duhet të bëjmë pasi kemi humbur shumë kohë si në procesin e përmbushjes së obligimeve për anëtarësim në BE ashtu edhe në procesin e NATO-së. Megjithatë, është mirë se Maqedonia u kthye në këtë rrugë pas një krize të gjatë e cila besoj se është pas nesh. Qeveria e re është deklaruar se prioritet do të ketë integrimin euroatlantik dhe kjo është me rëndësi sikur edhe përbërja e shumetnike e delegacionit në Bruksel që është një mesazh i fuqishëm i unitetit brenda shtetit", thotë Ruzhin. Problemi mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen emrit daton që nga pavarësia e Maqedonisë. Athina nuk e pranon emrin e saj me arsyetimin e pretendimeve territoriale ndaj pjesë veriore të Greqisë me të njëjtin emër, por gjithashtu ajo nuk pranon pretendimin e maqedonasve se kanë prejardhje nga Maqedonia Antike. Bisedimet e deritanishme për zgjidhjen e kontestit nuk kanë dhënë rezultat dhe si pasojë Athina po mban të bllokuar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Mandiq: Mali i Zi në teh të luftës civile Posted: 13 Jun 2017 06:45 AM PDT Lideri i Frontit Demokratik opozitar në Mal të Zi, Andrija Mandiq, ka deklaruar sot se ky vend ndodhet në teh të luftës civile dhe ka paralajmëruar se kjo parti ka të drejtë në vetëmbrojtje. Këto komente në një konferencë të sotme për gazetarë u bënë pasi dje Këshilli administrativ i Kuvendit të Malit të Zi ia ka tërhequr imunitetin zotit Mandiq dhe deputetëve të Frontit Demokratik, Nebojsha Medojeviq dhe Millan Knezheviq, raporton Radio Evropa e Lirë, redaksia për Ballkanin. Mandiq tha se "të gjithë deputetët që kanë votuar për heqjen e imunitetit i konsideron armiq personal". Ai, mëtutje, theksoi se Fronti Demokratik "nuk pranon që deputetët e vet të poshtërohen dhe arrestohen" dhe e ka akuzuar qeverinë për sjellje jokushtetuese. Në këtë kuadër, zoti Mandiq tha se Fronti Demokratik ka të drejtë në vetëmbrojtje. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Kurti fton LDK-në, AKR-në dhe Alternativën ta formojnë Qeverinë e re Posted: 13 Jun 2017 06:24 AM PDT I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Albin Kurti i ka ftuar partitë politike që t'i fillojnë bisedimet me Vetëvendosjen, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se vota e 11 qershorit ka treguar se qytetarët duan ndryshime, duke "ia ka mohuar" koalicionit fitues të zgjedhjeve të drejtën që ta formojë Qeverinë e re. Vetëvendosje ka dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit si subjekti i dytë pas koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma. Por, Albin Kurti ka thënë se Vetëvendosja, si partia sipas tij më e votuar, tashmë është e gatshme të marë nën drejtim Qeverinë e re. "Ata janë tkurrur shumë përkundër investimeve të jashtëzakonshme. Tash u pa se pse janë bërë koalicionet. Koalicionet janë bërë për të shpëtuar politikanë të veçantë, mirëpo nuk po i shpëtojnë dot as koalicionet. Fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje. Populli e do një Qeveri tonën", tha Kurti. Sipas tij, Qeveria e re duhet të jetë Qeveri e ndryshimeve. Ai ka ftuar sidomos Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën që të ulen dhe bisedojnë me Vetëvendosjen për formimin e Qeverisë së re. Po ashtu, Kurti ka thënë se një subjekt tjetër që mund t'i bashkohet këtij koalicioni është edhe partia Nisma për Kosovën, pakicat, si dhe deputetët veç e veç. "Ne ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK, AKR, Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK, AAK dhe NISMA që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të klanit 'pronto' që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar për situatën e re politike në vend pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një Qeverie të re, të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje", tha Kurti. Kurti e ka përjashtuar mundësinë që Vetëvendosje të heq dorë nga posti i kryeministrit, duke thënë se ndryshimet nuk mund të bëhen me emra e figura të kaluara politike. Sidoqoftë, mbetet çështje diskutabile mundësia Kushtetuese që Vetëvendosjes, si subjekti i dytë i dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, të mund ta formojë Qeverinë e re. Lexoni edhe këtë: Koalicionet parazgjedhore mund të shthuren pas 11 qershorit Sipas interpretimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 2014, rastin e parë për formimin e Qeverisë e fiton koalicioni apo partia politike që i fiton zgjedhjet. Kurse në rastin e dytë, shumëçka ka mbetur e pasqaruar. Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë. Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës. Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota). Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Vuçiq e uron Putinin dhe e falënderon për ndihmën lidhur me Kosovën Posted: 13 Jun 2017 06:23 AM PDT Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot i ka uruar presidentit, Vladimir Putin, Ditën e Rusisë, dhe i ka bërë thirrje për vizitë në Serbi. "Jam i sigurt se marrëdhëniet miqësore tradicionale, të cilat karakterizohen me hapje, mbështetje dhe partneritet strategjik, në të ardhmen do të zhvillohen në mënyrë të suksesshme, në interes të popujve tanë dhe prosperitetit tët tyre", thuhet në urimin e zotit Vuçiq, raporton agjencia Beta. Mëtutje, ai i ka shkruar Putinit, se Serbia e vlerëson lartë dhe falënderohet për ndihmën e Rusisë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe se nuk mund të matet mbështetja ruse për luftën diplomatike të Serbisë. "E shfryrtëzoj këtë rast që juve, edhe njëherë, t'ju shpreh respektin tim personal dhe t'ju dërgoj ftesë për vizitë në Republikën e Serbisë, ku çdoherë jeni i mirëseardhur dhe mysafir i dashur", thuhet në urimin e Vuçiqit dërguar Putinit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Maqedoni: Mbështetet propozimi për shkarkimin e prokurorit shtetëror Posted: 13 Jun 2017 06:12 AM PDT Këshilli i prokurorëve të Maqedonisë e ka mbështetur propozimin për shkarkimin e prokurorit të shtetit, Marko Zvërllevski. Për mbështetje të propozimit ishin tetë antarë të këtij këshilli, ndërsa njëri votoi kundër. Prokurori Zvërllevski, i cili është anëtar i Këshillit të prokurorëve, nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë mbledhje, pasi shqyrtohej kërkesa për shkarkimin e tij, por mundet në formë të shkruar të përgjigjet dhe të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të maqedonisë, në të cilën do të diskutohet për shkarkimin e tij. Në këtë seancë, për shkarkim nevojiten së paku 61 vota, derisa Kuvendi i Maqedonisë i ka 120 deputetë. Qeveria e Maqedonisë më 6 të këtij muaji e ka filluar procedurën për shkarkimin e prokurorit të shtetit, Marko Zvërllevski, për shkak të "kryerjes joligjore dhe jo me kohë të funksionit". Kjo procedurë po bëhet, pasi zoti Zvërllevski nuk e ka pranuar thirrjen e kryeministrit, Zoran Zaev, për të dhënë dorëheqje. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Arabia Saudite akuzohet për "mbështetje të terrorizmit në Iran" Posted: 13 Jun 2017 05:53 AM PDT Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, akuzoi Arabinë Saudite për "mbështetje aktive" të grupeve terroriste në perëndim dhe lindje të Iranit. Duke folur në margjina të një konference në Oslo, Zarif tha se Teherani "ka njoftime se Arabia Saudite është e angazhuar në mënyrë aktive në promovimin e grupeve terroriste" në provincën juglindore Sistan-Baluçistan të Iranit. Kjo provincë kufizohet me Afganistanin dhe Pakistanin dhe ka popullsi të madhe sunite. "Në anën perëndimore, po bëhet i njëjti aktivitet", tha Zarif. Ai i bëri këto komente pak ditë pas sulmeve vdekjeprurëse në Parlamentin e Iranit dhe në tempullin e Ajatollah Ruhollah Khomeinit në Teheran. Përgjegjësinë për këto sulme e ka marrë grupi militant Shteti Islamik, ndërsa zyrtarët iranianë kanë përsëritur akuzat se Arabia Saudite i financon militantët islamikë, përfshirë Shtetin Islamik. Arabia Saudite e ka mohuar përfshirjen në sulme. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Rreth 200 milionë euro për shërim jashtë Kosovës Posted: 13 Jun 2017 05:52 AM PDT Shuma e parave që qytetarët e Kosovës shpenzojnë për trajtim jashtë vendit ka arritur në 200 milionë euro në vit. Këto shifra i ka bërë të ditur kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, duke potencuar faktin se çdo vit kjo dukuri po shënon rritje. "Banka Botërore ka dalë me raport, ku thuhet se mbi 100 milionë euro në vit shpenzohen nga qytetarët jashtë vendit për trajtime mjekësore. Por, ne konsiderojmë se edhe 100 milionë të tjera dalin jashtë Kosovës për të njëjtën gjë". "Në qoftë se kthehemi tek statistikat që i ka dhënë shteti i Kosovës, nga 1.5 milionë sa ka qenë para tre vitesh, tashmë kjo shumë ka arritur në 8 milionë euro për trajtim jashtë vendit në Ministrinë e Shëndetësisë. Këto janë shifra marramendëse sipas nesh", ka thënë Syla. Në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë në largim të Kosovës, thonë se këtë vit janë ndarë mbi 5 milionë euro për programin e trajtimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore. Janë 30 mijë euro të ndara për një pacient, si shumë maksimale që pacienti mund të përfitojë nga Ministria, për trajtim jashtë Kosovës. Lulzim Uka, zyrtar për informim, tha se aplikimet më të shpeshta për trajtim jashtë Kosovës janë për kardiokirurgji, sëmundjet malinje, ortopedi. "Në bazë të raportit që na është përcjellë, për kërkesat që kanë bërë pacientët deri në muajin maj të këtij viti, janë 430 aplikime. Janë 230 raste urgjente, të cilat kryesisht janë për kardiokirurgji", ka thënë Uka. Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2016, ka ndarë rreth 6 milionë euro për programin e dërgimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore. Në vitin 2016, kanë qenë 1958 aplikime për shërbime shëndetësore jashtë Kosovës, të formave të ndryshme. Prej tyre, kanë përfituar 1.100 pacientë. Kurse, shpenzimet për mbulimin e këtyre rasteve kapin shifrën prej 8 milionë euro. Rreth 2 milionë euro, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë shpenzime shtesë dhe janë bartur si borxh për këtë vit. Në anën tjetër, zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, ka bërë të ditur se rastet që nuk trajtohen brenda kësaj qendre, si institucion terciar referent për tërë Kosovën, referohen për trajtim jashtë vendit. Ai ka thënë se në kuadër të secilës klinikë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ekziston konsiliumi prej tre anëtarësh dhe drejtorit të klinikës, që shqyrtojnë sëmundjet që duhet trajtuar jashtë institucioneve publike shëndetësore. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Hungaria miraton ligjin kontrovers për OJQ-të Posted: 13 Jun 2017 05:34 AM PDT Ligjvënësit hungarezë miratuan një ligj kontrovers mbi organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë. Ligji u kërkon grupeve që marrin mbi 26,000 dollarë fonde të huaja në vit, të regjistrohen si "organizata të mbështetura nga jashtë", përndryshe rrezikojnë të mbyllen. Me ligjin e ri, organizatave joqeveritare po ashtu u kërkohet të bëjnë të ditur çdo sponsor të huaj që u ofron atyre mbi 1,800 dollarë në vit. Ligji është hartuar nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban, e cila thotë se masa synon të përmirësojë transparencën, si dhe të luftojë shpëlarjen e parave dhe financimin e terrorizmit. Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut thonë se me ligjin e ri synohet të heshten zërat kritikë. Parlamenti Evropian, muajin e kaluar, ka dënuar Hungarinë për "përkeqësim serioz" të sundimit të ligjit dhe i ka bërë thirrje qeverisë të tërheqë ligjin në fjalë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Putini dhe mbreti saudit bisedojnë për krizën rreth Katarit Posted: 13 Jun 2017 05:15 AM PDT Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe mbreti saudit, Salman, kanë biseduar përmes telefonit për krizën diplomatike rreth Katarit. Në deklaratën e Kremlinit thuhet se mosmarrëveshja midis Katarit dhe disa vendeve arabe në Lindjen e Mesme nuk u ndihmon përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit në Siri ose luftës kundër terrorizmit. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti kanë ndërprerë lidhjet me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetje të elstremistëve islamikë dhe të Iranit. Doha i ka hedhur poshtë këto akuza. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të martën se izolimi ekonomik dhe politik i Katarit është "çnjerëzor dhe kundër vlerave islamike" "Është sikur të jetë marrë dënim me vdekje për Katarin", tha Erdogan. Irani po ashtu e mbështet Katarin. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Prokurorët spanjollë ngrenë padi kundër Ronaldos Posted: 13 Jun 2017 04:31 AM PDT Zyra e Prokurorit të Shtetit në Madrid tha se ka ngritur padi kundër yllit të futbollit, Cristiano Ronaldo, nën dyshimet se ka mashtruar autoritetet spanjolle të tatimit në periudhën 2011-2014. Në deklaratën e lëshuar sot thuhet se Ronaldo me vetëdije ka përdorur "një strukturë biznesore" të krijuar në vitin 2010, për të fshehur të ardhurat në Spanjë. Sipas prokurorëve spanjollë, dëmi kap vlerën e 14.7 milionë eurove. Prokurorët po ashtu thanë se padia bazohet në një raport që u ka dërguar agjencia spanjolle e taksave AEAT. Në muajin maj, disa gazeta spanjolle kanë raportuar se Ronaldo ka transferuar paratë në Ishujt Virgjinë të Briatnisë. Futbollisti i Real Madridit, Ronaldo, më herët ka mohuar çdo keqbërje. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Misioni i BE-së vë në pikëpyetje besueshmërinë e zgjedhjeve në zonat e banuara me serbë Posted: 13 Jun 2017 03:54 AM PDT Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian ka vlerësuar se zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë ishin konkurruese në pjesën më të madhe të vendit, por ëshët kërkuar vullnet politik për adresimin e dobësive të vjetra. Është apostrofuar sidomos "frikësimi në rajonet e banuara me serbë të Kosovës". Shefi i këtij Misioni, Alojz Peterle, deputet i Parlamentit Evropian tha se votuesve në përgjithësi u janë ofruar informacione pluraliste për forcat politike që ishin në garë. "Megjithatë, zgjedhjet u ndikuan negativisht nga dobësitë e vjetra, veçanërisht nga listat e pasakta të votuesve që janë të cenueshme ndaj mashtrimeve, një sistem zgjedhor që lë mundësi për abuzim, dhe një sistem me shumë të meta për votim jashtë Kosovës", theksoi Peterle. Andaj, ai kërkoi reforma për adresimin e këtyre çështjeve. Një vëmendje e posaçme iu kushtua zonave të banuara me shumicë serbe. "Procesi zgjedhor u dëmtua nga frikësimi dhe rastet e dhunës brenda komunitetit serb të Kosovës kundër kandidatëve dhe votuesve. Po ashtu pati një reagim të pamjaftueshëm nga prokuroria dhe policia ndaj atyre incidenteve", theksoi Peterle. Andaj, sipas tij, "kjo ngrit pyetje rreth besueshmërisë së procesit demokratik në këto zona". Dita e zgjedhjeve, sipas Misionit Vëzhgues të BE-së ishte e qetë dhe nuk është vërejtur ndonjë incident i theksuar, përfshi edhe në veriun e Kosovës. Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian kishte 100 vëzhgues në Kosovë për monitorimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 qershorit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Lista Serbe kremtoi fitoren ndaj institucioneve të Kosovës Posted: 13 Jun 2017 03:50 AM PDT Lista Serbe, e cila sipas rezultateve të deritashme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë mbi 5 për qind të votave, e ka përjetuar këtë rezultat si fitore jo vetëm karshi subjekteve tjera politike serbe pjesëmarrëse në zgjedhje, por edhe karshi institucioneve të Kosovës dhe faktorëve të caktuar ndërkombëtarë. Përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar, kanë festuar të dielën në mbrëmje, në komunat veriore të Kosovës, siç e kanë quajtur ata, fitoren e tyre, si dhe vazhdimësinë e pranisë së shtetit të Serbisë në Kosovë. Gjatë kremtes së Listës Serbe dhe simpatizantëve të tyre në Leposaviq, Slavko Simiq, kryetar i kësaj liste, ka thënë se deri në fitoren e subjektit që ai drejton, është zhvilluar luftë e vërtetë përball institucioneve të Kosovës. "Na qoftë me fat vëllezër dhe motra. U qoftë me fat edhe qytetarëve të Komunës së Leposaviqit, por edhe qytetarëve të komunës së Graçanicës, të cilët kanë udhëhequr një luftë të vërtetë kundër institucioneve të Prishtinës, në ditët e kaluara, sepse vërtetë kemi hasur në obstruksione. Me fat i qoftë, para së gjithash, popullit serb në Kosovë, por edhe Qeverisë së Serbisë. Me fat i qoftë edhe kryetarit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq", ka thënë Simiq. I pranishëm në veri të Kosovës, gjatë gjithë ditës sa ka zgjatur procesi zgjedhor në vend, ka qenë edhe Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë. Ai gjithashtu ka marrë pjesë në kremten e Listës Serbe dhe simpatizantëve të saj. Gjuriq ka akuzuar institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare se kanë dashur që komunitetit serb në Kosovë t'ia imponojnë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në institucionet qendrore të Kosovës. "Të gjithë kanë dashur që përfaqësuesit serb t'i zgjedhin në vend të serbëve. Vendet e QUINT-it kanë dashur t'i zgjedhin përfaqësuesit e serbëve. Këtë ka dashur ta bëj edhe Prishtina. Të gjithë kanë dashur ta bëjnë këtë përkundër dëshirës së serbëve. E pra, kjo nuk mund të bëhet. Populli serb në Kosovë i ka zgjedhur përfaqësuesit e saj legjitim dhe i është përgjigjur thirrjes së Aleksandar Vuçiqit. Serbia dhe populli serb janë fituesit e vërtetë dhe absolut këtu në Kosovë", ka thënë Gjuriq. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën u ka thënë medieve serbe se Lista Serbe ka arritur rezultat të mirë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe i ka falënderuar serbët e Kosovë, për siç ka thënë ai, disiplinën e treguar. Sipas tij, rezultati i Listës Serbe nuk është i kënaqshëm për qarqe të caktuara ndërkombëtare dhe për shqiptarët, të cilët, siç ka thënë ai, dëshirojnë të kenë kontrollin mbi serbët. "I falënderoj serbët që kanë qenë të disiplinuar dhe kanë votuar për interesat e veta dhe kanë treguar se dëshirojnë vazhdimin e bisedimeve, vazhdimin e dialogut. Ata jetojnë në atë territor dhe dëshirojnë të kemi dialog serioz me shqiptarët, por edhe e dinë se duhet t'i ruajmë interesat serbe, por edhe të Serbisë në Kosovë", tha Vuçiq. Presidenti i Serbisë gjithashtu ka komentuar rezultatet e subjekteve politike shqiptare, duke e quajtur fitoren e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, si fitore të koalicionit "luftarak, terrorist" ose "koalicion i veteranëve", të cilët, siç ka thënë ai, i kanë kërcënuar gjithmonë dhe hapur serbët. Lëvizjen e Vetëvendosje ai e ka cilësuar si lëvizje ekstremiste. Në anën tjetër, mbetet mjaft diskutabile nëse Lista Serbe do të pranonte të jetë pjesë e një Qeverie, të cilën do ta drejtonte një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Presidenti serb Vuçiq ka theksuar se mundësia e vazhdimit të bisedimeve me përfaqësuesit e subjekteve politike fituese, kushdo që do të qeverisë Kosovën, do të paraqesë vështirësi për Serbinë, ndonëse dialogu, sipas tij, nuk ka alternativë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Hakerët rusë mund të godasin sistemin elekrtik në gjithë botën Posted: 13 Jun 2017 02:56 AM PDT Hakerët që besohet se kanë lidhje me Qeverinë e Rusisë kanë krijuar një "armë kibernetike" që ka potencial të jetë mjaft shkatërruese për sistemet elektrike në botë, thanë hulumtuesit. Softueri, të cilin hulumtuesit e kanë quajtur CrashOverrideose ose Industroyer, ka penguar sistemin elektrik në Ukrainë në muajin dhjetor. Firma për sigurinë kibernetike, Dragos, me seli në Uashington, tha se hakerët e Qeverisë ruse kanë treguar interes për të sulmuar rrjetet e energjisë elektrike edhe në vendet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara. "Softueri është në gjendje të sulmojë sistemet e energjisë elektrike në Evropë dhe Azi dhe, me modifikime të vogla, mund të përdoret edhe në SHBA dhe të shkaktojë ndërprerje deri në disa ditë", tha Dragos. Njoftimi i Dragos-it bëri që Departamenti për Siguri Kombëtare i SHBA-së të këshillojë të gjithë operatorët e infrastrukturave të rëndësishme që të veprojnë në përputhje me praktikat e rekomanduara të sigurisë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Kritika Rusisë për shtypjen e protestave Posted: 13 Jun 2017 02:21 AM PDT Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe grupet për të drejtat e njeriut dënuan arrestimin e qindra protestuesve paqësorë në Rusi. Rreth 1,560 mbështetës të udhëheqësit opozitar, Aleksei Navalny, u arrestuan gjatë protestave anti-korrupsion, që u mbajtën të hënën në gjithë Rusinë - përfshirë 866 të arrestuar në Moskë dhe 548 në Shën Petersburg. OVD-Info, një organizatë ndërkombëtare joqeveritare që monitoron aksionet policore në protesta, tha se shumica e të arrestuarve janë liruar mëngjesin e së martës. Vetë Navalny është arrestuar të hënën, përpara se të niste protesta në Moskë, dhe është dënuar me 30 ditë burgim për, siç është thënë, organizimin e tubimeve të paautorizuara. Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Rusisë të lirojë të gjithë demonstruesit, duke thënë se arrestimi i tyre është "fyerje ndaj vlerave themelore demokratike". Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se arrestimi i protestuesve paqësorë "kërcënon liritë themelore të shprehjes". Shtypja e protestave tregon se autoritetet "përbuzin të drejtat themelore të njeriut", tha organizata Amnesty International. Navlany ka thirrur protesta mbarëkombëtare më 12 qershor për të kundërshtuar, siç ka thënë ai, sistemin e korrupsionit dhe nepotizmin e kryesuar nga presidenti rus, Vladimir Putin. "Nuk i kam parë protestat me sytë e mi, por edhe tubimet në Moskë, edhe në Shën Petersburg kanë qenë të mëdha. Dhe, në të dyja vendet, autoritetet kanë bërë gjithçka për të zvogëluar numrin e pjesëmarrësve. Jam shumë i lumtur që njerëzit kanë dalë, jam krenar që jam pjesë e kësaj lëvizjeje dhe që njerëz të guximshëm dhe të mrekullueshëm nuk kanë frikë të dalin në rrugë, madje edhe me kërcënimin e arrestimit", tha Navalny për gazetarët në dhomën e gjykatës në Moskë. Navalny ka akuzuar kryeministrin rus, Dmitry Medvedev, për akumulimin e një pasurie të madhe private. Medvedev e ka mohuar. Në thirrjen për protesta më 12 qershor, Navalny ka thënë: "Dua ndryshime. Dua të jetoj në një shtet modern demokratik. Dua që taksat tona të konvertohen në rrugë, shkolla dhe spitale, e jo në jahte, pallate e vreshta". Navalny ka organizuar protesta të ngjashme anti-korrupsion edhe në muajin mars, të cilat po ashtu kanë përfunduar me qindra të arrestuar. Navalny, 41 vjeç, synon të garojë në zgjedhjet presidenciale, vitin e ardhshëm. Por, Putin, i cili mban pushtetin në Rusi qysh në vitin 1999, herë si president, herë si kryeminsitër, pritet të sigurojë mandatin e katërt presidencial. Përgatiti: Valona Tela This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |