“Londër: Së paku 12 të vrarë, ndërsa 20 të tjerë në gjendje kritike” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Londër: Së paku 12 të vrarë, ndërsa 20 të tjerë në gjendje kritike
- Prokurori që mbështeti politikat e Gruevskit, para shkarkimit
- "Linçimi", kërcënim për dialogun Kosovë - Serbi
- Tillerson: Kërkohet fleksibilitet para votimit për Rusinë
- SHBA: Kongresmeni i plagosur është në gjendje stabile shëndetësore
- LDK: S’ka asnjë mundësi koalicioni me PAN
- Parlamenti Evropian fton pesë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën
- Kocijas: Së pari ndryshimi i emrit, pastaj anëtarësimi i Maqedonisë në NATO
- Kongresistët amerikanë sulmohen me armë zjarri
- Haradinaj: S’ka improvizime, Qeverinë e formojmë ne
- Haradinaj: Qeverinë e formojmë ne
- Kongresmenët amerikanë sulmohen me armë zjarri
- Forcat irakiane zbrapsin militantët e Shtetit Islamik në Mosul
- SHBA: U evitua një disfatë e rëndë e administratës së re amerikane
- Kosovë: Publikohet pasuria e zyrtarëve publik
- Duma ruse miraton planin për shkatërrimin e ndërtesave të periudhës sovjetike
- Aktakuzë ndaj 9 personave për terrorizëm
- Trump vazhdon sanksionet ndaj Bjellorusisë
- Katari tërheq trupat nga misioni kufitar në mes të Xhibutit dhe Eritresë
- Zjarri përfshin ndërtesën në Londër
Londër: Së paku 12 të vrarë, ndërsa 20 të tjerë në gjendje kritike Posted: 14 Jun 2017 09:43 AM PDT Numri i të vrarëve nga zjarri në një ndërtesë shumëkatëshe në pjesën perëndimore të Londrës, ka arritur në 12 vetë dhe ka shqetësime se ky numër mund të rritet, ka njoftuar policia. Flaka e cila e kishte përfshirë ndërtesën ishte e intensitetit të tillë që nuk ishte parë "për vite" të tëra, tha sot shefi policor i Londrës, Stuart Cundy. Njëherësh, ekipet e zjarrfikësve thanë se i kanë shpëtuar 65 vetë. Kryetari i qytetit të Londrës, Sadiq Khan, tha se "ka shumë" banorë që ende konsiderohen të zhdukur. Zjarrfikësit ende po përpiqen ta vënë nën kontroll zjarrin e fuqishëm në ndërtesën, Grenfell Tower, që kishte filluar në orët e mëngjesit. Shërbimi Ambulantor i Londrës tha se 70 vetë po trajtohen në spital, ndërsa 20 prej tyre janë në gjendje kritike. Nuk është i nohur shkaku i shpërthimit të zjarrit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Prokurori që mbështeti politikat e Gruevskit, para shkarkimit Posted: 14 Jun 2017 09:39 AM PDT Maqedoni ka nevojë për zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm, larg ndikimeve politike, profesionist, i moralshëm dhe i gatshëm të përballet me sfidat e mëdha që e presin në kthimin e besimit humbur të qytetarëve në gjyqësorin në vend. Kështu vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike duke komentuar nismën për shkarkimin e prokurorit aktual, Marko Zvërlevski. Procedura e iniciuar nga Qeveria tani më ndodhet në procedurë parlamentare dhe për shkarkimin dhe zgjedhjen e prokurorit të ri nevojiten shumicë e thjeshtë, apo 61 vota të deputetëve. "Populli pret ndryshime, ndryshime të rëndësishme dhe me këtë rast jam i bindur se çdonjëri prej tyre do të pyetet se kush do të jetë Prokuror i ri Publik i Maqedonisë. Ai duhet të jetë një personalitet i pakompromis, personalitet i respektueshëm, personalitet që nuk duhet të jetë nën ndikime politike dhe që do të ketë integritet të fortë personal", thotë Aleksandar Nakov, ish-prokuror. Kandidat për zëvendësimin e Zvërlevskit ende nuk ka, por kryeministri Zoran Zaev ka thënë se preferon që ai të jetë në mesin e ekspertëve të angazhuar në prokuroritë aktuale. Nisma për shkarkimin e Marko Zvërlevskit, Prokurorit aktual të Përgjithshëm, vjen pas një sërë akuzash ndaj tij për përfshirje në afera të ndryshme, por edhe në pengimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë në veprimtari kriminale. Zvërlevski ishte pjesë edhe e aferës së përgjimeve të publikuar nga opozita për lidhjet e tij me pushtetin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski. "Sjellja e prokurorit aktual ka çuar në formimin e Prokurorisë Speciale. Ai ishte inert, nuk e ushtronte detyrën e tij. Më shumë merrej me politikë se sa me obligimet që kërkohen sipas dispozitave ligjore, mendoj në Ligjin për prokurori publike dhe Ligjin për procedurë penale", thotë Nakov. Këto fakte, sipas ekspertëve, janë dëshmi se si nuk duhet të jetë një prokuror, i cili sipas tyre, në vend se të jetë në shërbim të qytetarëve dhe luftimit të krimit, ai bën të kundërtën duke i shërbyer politikave të caktuar që stimulojnë dhe udhëheqin me krimin. Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, thotë se puna e Marko Zvërlevskit duhet të jetë e mjaftueshme për të marrë mësim partitë e koalicionit të ri qeveritar se çfarë prokurori duhet të zgjedhin. Nëse këtë nuk e bëjnë, atëherë do të shuhen edhe shpresat për mëkëmbjen e sistemit të rrënuar gjyqësor. "Nëse Maqedonia kësaj radhe e ka seriozisht që të vë në funksion shtetin e së drejtës, do të ishte mirë që të zgjidhte një prokuror pa ndikime aspak partiake. Në bazë të përvojës së deritanishme, vlerësoj se ai duhet të jetë nga sfera e ekspertëve juridikë, qoftë nga avokatët, profesorëve apo personave që kanë luftuar në veprimtarinë për rrënimin e shtetit të së drejtës, pra kundër Gruevskit. Por, nëse nuk bëhet një zgjedhje e tillë, pra nga ana e ekspertëve apo njerëzve të guximshëm, atëherë do të kemi një dështim të plotë dhe një mashtrim i elektoratit", thotë Selmani. Kritika ndaj punës së Prokurorit të Përgjithshëm, por edhe ndaj sistemit të drejtësisë janë dëgjuar në vazhdimësi edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kishte ndihmuar në formimin e një Prokurorie Speciale për hetimin e skandaleve të zyrtarëve qeveritar. Në mungesë të gatishmërisë së prokurorit Zvërlevski për të hetuar aferat kriminale, këtë e ka bërë Prokuroria Speciale e cila po heton mbi 50 zyrtarë për shpërdorim detyre. Deri në fund të muajit pritet zyrtarizimi i të paktën 15 padive penale. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
"Linçimi", kërcënim për dialogun Kosovë - Serbi Posted: 14 Jun 2017 08:54 AM PDT Është shndërruar në një model shqetësues në Serbi së voni: ata që tentojnë të përmirësojnë marrëdhëniet me Kosovën fqinje, mund të ndeshen me të rinjtë ultra-nacionalistë me mendime të "dhunshme" dhe të zjarrtë në përpjekjet e tyre. Megjithëse mund të duket ngjarje e pa dëmshme - një shfaqe filmi, festival, vizitë nga ndonjë zyrtar i lartë - të rinjtë serbë e shohin si mundësi për përçarje, duke bërë thirrje për presidentin e ri serb Aleksandar Vuçiq që të përmbush zotimin e tij për nisjen e dialogut të brendshëm për Kosovën. Së fundi, kërcënimet nga një grup i të rinjve të krahut të djathtë që e quajnë veten "Zavetnici", kanë nxitur organiztorwt e shfaqjes së dokumentarit "Kosovo Cheers" në Novi Sad, ta ndërrojnw lokacionin. Filmi nuk ka përmbajtje të luftës së Kosovës në fund të viteve '90, apo rrugës së Kosovës për pavarësi. Më shumë shfaq një pjesë të përditshmërisë në Kosovë, duke u fokusuar në shpresat dhe shqetësimet e komuniteteve - serbë etnikë dhe shqiptarë etnikë. "Ideologjia e mbyllur" Regjisori i filmit Aleksandar Reljic, i tha Radios Evropa e Lirë se qëllimi ishte të promovohej dialogu dhe jo të shtypet ai. "Ironia është se filmi trajton njerëz të rëndomtë, të lirë nga ideologjitë e kufizuara që mund t'i ndalojnë nga komunikimi me të tjerët dhe kjo duhej të shërbente si shembull për njerëzit që bashkëjetojnë pavarësisht nga politika apo dallimet tjera etnike", tha ai. Edhe pse u morën masa për siguri të mjaftueshme të kësaj ngjarjeje, grupi "Zavetnici" ia doli të pengojë shfaqjen e dokumentarit më 12 qershor. Ata akuzuan producentët e dokumentarit, duke deklaruar se kanë shtrembëruar rolet duke shfaqur ushtrinë serbe si okupatore, ndërkaq ushtrinë kosovare si çlirimtare. Këto zhvillime ndodhën më pak se dy javë pas incidentit që bëri Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), të dërgojë një letër të hapur për presidentin Vuçiq, duke i kërkuar që të mbrojë hapësirën publike nga të gjitha format e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës. "Zemra e Serbisë" Letra erdhi pas disa ngjarjeve të organizuara nga YIHR dhe organizata të tjera në Beograd - duke përfshirë edhe festivalin Mirëdita, Dobar dan - që u pengua dhunshëm nga Zavetnici. Duke përdorur fjalor poshtërues për shqiptarët e Kosovës, pjesëtarët e këtij grupi mbanin fotografi të politikanëve kosovarë dhe vëllezërve Bytyqi që u vranë gjatë mbajtjes nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë - duke i quajtur terroristë. Zavetnici ka penguar një performancë nga artistët kosovarë, duke kënduar këngë nacionaliste dhe duke e quajtur Kosovën "Zemra e Serbisë". Një vizitë e planifikuar nga ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në këtë festival, që mbahej nga 31 maji deri më 3 qershor, u anulua pas veprimeve dhe kërcënimeve të Zavetnici. Ajo iu adresua publikut përmes një videoje nga Prishtina, duke shprehur keqardhje për pamundësinë për të marrë pjesë në këtë festival. Jahjaga do të promovonte një libër që adreson një nga krimet më të paraportuara të luftës - dhunimin. Ajo kishte shkruar parathënien e librit "Dua të Dëgjohem", duke u bazuar në dëshmitë e viktimave. Gjatë punës së saj, Jahjaga ka shfrytëzuar autoritetin për të hapur temën e dhunimeve gjatë luftës dhe ky libër ishte vazhdimësi e kësaj iniciative. Megjithatë, autoritetet serbe nuk ishin në gjendje të ofronin masat e duhura të sigurisë për vizitën e saj. "Një turmë e zhurmshme" Në letrën dërguar presidentit, YIHR ia kujtoi Vuçiqit premtimin që bëri në fjalimin inaugurues për inicimin e dialogut për Kosovën në Serbi. "Vetëm duam t'ju informojmë se një dialog shumë substancial dhe intensiv për këtë çështje ka qenë në vazhdimësi për vite nën rrethanat e shoqërisë civile në rajon. Por, në ditët e fundit dialogu është rrezikuar nga kërcënimet fizike dhe atmosfera linçuese e krijuar nga djathtistët dhe grupet e tifozerive të futbollit". "Ngjarjet që shërbejnë si platformë për dialogun, janë penguar dhunshëm, kërcënimet ndaj anëtarëve të organizatave joqeveritare janë të hapura dhe eskalimi i dhunës është i pashmangshëm, derisa shteti është i përgatitur të marrë masa. Universiteti i Beogradit dhe Klubi i Rinisë në Beograd (Dom Omladine) nuk janë më gardianë të lirisë së mendimit dhe debatit të hapur, sepse kanë qenë të izoluar nga një turmë e zhurmshme që është e aftë t'i shpreh pikëpamjet vetëm me dhunë". Mirëdita, Dobar Dan, që u mbajt për vitin e katërt me radhë, sjell artistë, gazetarë dhe figura publike nga Kosova në Beograd, për tu takuar me anëtarë të shoqërisë civile në Serbi dhe organizata kulturore. Festivali u krijua për të normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë, një funksion që e ka kryer me liri relative deri tash. Këtë vit, megjithatë, 30 anëtarë të Zavetnici filluan të pengojnë ngjarjet e festivalit dhe përkundër pranisë së forcave të sigurisë, ata ia dolën të futen brenda hapësirës së festivalit. Çdo ditë e më shumë gjatë festivalit, veprimet e tyre bëheshin më të dhunshme. Festivali i vitit 2017 u inaugurua zyrtartisht nga Alban Ukaj, një aktor kosovar që u paraqit shpesh në teatrot e Beogradit. "Organizatorët kanë bërë bashkë një program shumë të mirë. Të rinjtë po bëhen bashkë për të diskutuar, për të shkëmbyer mendimet, për të menduar bashkë.. është shumë mirë. Por, ka edhe diçka që nuk është edhe aq e lehtë dhe ndoshta jo shumë e duhur për ta diskutuar lidhur me hapjen e festivalit", tha Ukaj. "Ajo "diçka" është turp. Sot, nuk është turpëruese të urresh, sot askush nuk është i turpëruar për pjesëmarrje në vrasje dhe pastaj mbulim të krimit, sot nuk jemi të turpshëm të qëndrojmë të heshtur", tha Ukaj, duke shtuar se ndjen keqardhje që festivali duhet të mbahet në rrethana të frikës së dhunës. Sipas portalit serb Pescanik, festivali Mirëdita, Donar Dan - i mbështetur nga Vuçiq vitin e parë - nuk promovon politikanët kosovarë, por jep një platformë për "artistët që kanë qëndruar përballë politikanëve të tyre me më shumë guxim dhe vendosmëri se sa "Zavetnici" dhe tifozët e futbollit të kësaj bote". Nën rrethimin e ultra-nacionalistëve të trimëruar sikur Zavetnici - anëtarët e të cilës u takuan me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë vizitës në Beograd dhe u pritën nga partia e kontrolluar nga Kremlini e Rusisë së Bashkuar gjatë vizitës në Moskë më 2016, - YIHR po kërkon nga Vuçiq të përdorë autoritetin si president " për të mbrojtur gardianët e të drejtave të njeriut, siguria e të cilëve është nën kërcënim. "Ne besojmë se fraza dhe baza për një dialog të vazhdueshëm mund të jetë slogani "Urrejtja është e turpshme", shkruhet në letër. Presidenti Vuçiq ende nuk është përgjigjur. Përgatiti: Flandra Marmullaku This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Tillerson: Kërkohet fleksibilitet para votimit për Rusinë Posted: 14 Jun 2017 08:34 AM PDT Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, ka kërkuar që ligjvënësit të mos e kufizojnë mundësinë e Shtëpisë së Bardhë për të zhvilluar negociata me Rusinë, derisa Senati po lëvizë më afër forcimit të sanksioneve ekzistuese kundër Moskës dhe imponimit të rundit të ri të sanksioneve. Këto komente të mbrëmshme të zotit Tillerson në Komitetin e jashtëm të Dhomës Përfaqësuese, u bënë disa orë para votimit kryesor procedural në Senat, për legjislacionin e ri të sanksioneve. Me këtë masë do të konfirmohen sanksionet ekzistuese për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë, duke e vështirësuar mundësinë që presidenti, Donald Trump, t'i tërheq ato në mënyrë të njëanshme. Zoti Tillerson u tha anëtarëve të Dhomës Përfaqësuese se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për dyshimet lidhur me përzierjen e saj në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar. Megjithatë, ai tha se "do të kërkoja…të lejohet që presidenti të ketë fleksibilitet për përshtatjen e sanksioneve me plotësimin e nevojës në atë që çdo herë është një situatë diplomatike në zhvillim". Sipas tij, administratës i duhet "aftësia për të ndërmarrë masa, por, po ashtu, ta mbajë aftësinë që të ketë dialog konstruktiv me Rusinë". Kremlini është kërcënuar me masa hakmarrëse, nëse Shtetet e Bashkuara imponojnë sanksione të reja. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
SHBA: Kongresmeni i plagosur është në gjendje stabile shëndetësore Posted: 14 Jun 2017 08:09 AM PDT Një person i armatosur ka hapur zjarr në një fushë të bejsbollit, sot në shtetin Virgjinia, duke e plagosur anëtarin e lartë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Steve Scalise, republikan nga Luiziana, dhe tre persona të tjerë, derisa ekipi i ligjvënësve dhe stafi i tyre ushtronin para një loje për qëllime humanitare. Steve Scalise, që është i treti për nga pozita e republikanëve në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit amerikan, është në gjendje stabile shëndetësore dhe i është nënshtruar operacionit, për shkak të plagës nga sulmuesi me armë në vendin Aleksandria të Virgjinias, ka njoftuar Zyra e tij. Nga ky sulm janë plagosur edhe dy policë, megjithqë zyrtarët thonë se lëndimet e tyre nuk konsiderohen të rrezikshme për jetë. Zyra e anëtarit tjetër të Kongresit, Roger Williams, tha se një anëtar i stafit të tij është qëlluar dhe është dërguar në spital. Senatori republikan, Jeff Flake, u tha reporterëve në vendin e ngjarjes, se 25 senatorë dhe kongresmenë ishin duke ushtruar kur janë shkrepur afro 50 të shtëna nga personi i armatosur, derisa njësitet e sigurisë së ligjvënësve janë përgjegjur me zjarr. Zoti Flake tha se i dyshuari ishte njeri i bardhë me flokë të zeza, në moshën 40 e deri në 50 vjeçare. Ligjvënësi republikan, Mo Brooks, i tha rrjetit CNN se duket se ishte vetëm një sulmues. Shefi i policisë, Michael Brown, u tha gazetarëve se policia në Aleksandria është përgjigjur tre minuta pasi ishte thirrur dhe se i dyshuari është në arrest, pasi ishte plagosur nga policia. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai dhe zëvendëspresidenti, Mike Pence, "janë të vetëdijshëm për incidentin me të shtëna në Virgjinia dhe për së afërti po i monitorojnë zhvillimet". "Steve Scalise nga Luiziana, një mik i vërtetë dhe patriot, është lënduar keq, por do të ripërtrihet plotësisht. Mendimet dhe lutjet tona janë me të", ka shkruar presidenti Trump në rrjetin Twitter. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
LDK: S’ka asnjë mundësi koalicioni me PAN Posted: 14 Jun 2017 07:49 AM PDT Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR), Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, hedhin poshtë mundësinë e përfshirjes në një koalicion me subjektin fitues të zgjedhjeve të 11 qershorit, koalicionin PAN. "Deklarimet e z.Haradinaj se do të bisedojë për koalicion me LDK-në, janë në kundërshtim të plotë me qëndrimin e të gjitha strukturave të LDK-së, partnerëve të saj dhe elektoratit tonë, i cili më 11 qershor me votë plebishitare vendosi për ta dërguar PDK-në në opozitë", thuhet në një komunikatë të LDK-së. "Koalicioni përjashton çdo mundësi bashkëpunimi dhe nuk ulet për diskutuar me askënd që ka për qëllim ta mbajë PDK-në në pushtet. Insistimi i çdokujt për të bashkëpunuar me LDK-në, për t'ia zgjatur pushtetin kapësve të shtetit nuk do të vije në konsiderim asnjëherë", thekson LDK. Po ashtu, LDK konsideron se Ramush Haradinaj (kandidat i PAN-it për kryeministër) thirret në bashkëpunimin me LDK-në në kohën e Presidentit Rugova, "por ai bashkëpunim kishte një qëllim tjetër, dërgimin e PDK-së në opozitë, ndërsa tani Haradinaj kërkon bashkëpunim me LDK-në për ta mbajtur PDK-në në pushtet". "LDK i qëndron prapa vendimit të koalicionit të djathtë se nuk ulet për të biseduar për koalicion eventual me PDK-në dhe as me partnerët e saj dhe e konsideron të kotë dhe tendencioz çdo deklarim të çdokujt për mundësinë e përfshirjes së LDK-së në ndonjë formulë qeverisëse me PDK-në", thekson LDK. Në fund thuhet se "LDK dhe partnerët e saj të koalicionit janë duke pritur certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit dhe veprimet do t'i ndërmarrin në përputhje me vullnetin e elektoratit të tyre". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Parlamenti Evropian fton pesë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën Posted: 14 Jun 2017 06:50 AM PDT Parlamenti Evropian edhe një herë u ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë në mënyrë që të rrisin kredibilitetin e BE-së. Këtë thirrje, sikur edhe shumë herë më parë, Parlamenti Evropian e ka përsëritur përmes Rezolutës, e cila është miratuar në seancë plenare. Ajo u miratua me 474 vota në favor, 134 kundër dhe 64 abstenime. Në raportin e miratuar, të cilin e kishte përgatitur, zëvendëskryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, bëhet thirrje edhe për vazhdimin e dialogut me Beogradin, për zbatimin e dy kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave, për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për vazhdimin e reformave në drejtësi. Thirrja për normalizim të raporteve i është dërguar edhe Serbisë në një Rezolutë tjetër që u miratua edhe për këtë shtet të njëjtën ditë. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek pas miratimit të kësaj rezolute ka thënën se votimi i sotëm, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, dërgon një sinjal të fortë se e ardhmja e Republikës së Kosovës është në Bashkimin Evropian. "Para se gjithash ky raport u bën thirrje politikanëve dhe partive politike që shpejtë të formojnë qeverinë në një frymë Evropiane dhe të vazhdojnë rrugën drejt BE-së, si dhe të lëvizin drejt liberalizimit të vizave që e meritojnë aq shumë qytetarët e Kosovës", ka thënë ajo. Në tekstin e Rezolutës, përmendët edhe rëndësia e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe miratimi që pritet t'i bëhet marrëveshjes kornizë për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së. Gjatë debatit i cili i ka paraprirë votimit të këtij raporti, shumë deputetë kanë tërhequr vërejtjen edhe për përzierjen e Serbisë në çështje e Kosovës, sidomos përmes serbëve të Kosovës. Kanë inkurajuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që të integrohen në institucionet e Kosovës dhe që më shumë të veprojnë në mënyrë të pavarur nga Beogradi. Disa deputetë kanë përsëritur shqetësimet për rastet e ekstremizmit dhe radikalizmit fetarë në Kosovë, por shumë prej tyre kanë shprehur mirënjohje edhe për sukseset e Kosovës në luftë kundër terrorizmit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Kocijas: Së pari ndryshimi i emrit, pastaj anëtarësimi i Maqedonisë në NATO Posted: 14 Jun 2017 06:21 AM PDT Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian nuk do të mund të bëhet pa zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqisë, ka deklaruar ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kocijas, pas takimit në Athinë me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov. Shefi i diplomacisë greke tha se Athina mbështet integrimin euroatlantik sikur edhe integritetit territorial të fqiut verior, por shpreson që kjo të arrihet pas bisedimeve për çështjen e emrin, problem ky të cilin siç tha Kocijas, Qeveria e kaluar e shndërroi nga problem gjeografik në problem identitar. "Greqia mbështet fuqishëm integritetin territorial të shtetit, pa ndërhyrje nga palët e treat. Ne jemi kundër sanksioneve ndaj fqiut tonë. E dimë se fqinji jonë dëshiron të anëtarësohet në organizata të ndryshme, ne jemi të gatshëm ta mbështesin por së pari duhet të zgjidhet çështja e emrit. Qeveria e mëparshme nuk punonte për kompromis dhe çështjen e emrit nga problem gjeografik e shndërroi në identitar. Shpresojmë në negociata për emrin që do të çojnë në zgjidhje", ka deklaruar shefi i diplomacisë greke Nikos Kocijas duke iu përgjigjur ftesës së homologut të tij maqedonas, Nikolla Dimitrov për të vizuar siç ka thënë "Shkupin e bukur". Nga ana tjetër, Dimitrov e ka informuar Ministrinë e Jashtëm të Greqisë me prioritetet e Qeverisë së re dhe përkushtimin e saj për zgjidhjen e kontestit të emrit që do t'i hapte rrugën integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. "Ne duam që nëpërmjet projekteve konkrete të krijojmë një fotografi të re në rajon. Ne do të bëjmë punën tone dhe do të vazhdojmë të japim argument, me fjalë e vepra se në interes të fqinjit tonë me ndikim është që të jemi demokraci evropiane e cila do të anëtarësohet në NATO dhe e cila do të fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nuk jam naiv, ky është takimi i parë, rruga nuk do të jetë e lehtë, por dua të përcjell mesazhin se këtu jam për të kërkuar mbështetje. Neve na duhet nxitje për të ecur rrugës të cilët e dëshirojmë", ka deklaruar Dimitrov. I pyetur lidhur me "irredentizmat" për të cilat flet pala greke, Dimitrov tha se nuk është nga ai që i jep rëndësi skulpturave dhe emrave, duke aluduar në përmendoret e projektit "Shkupi 2014" që kanë nxitur reagime të shumta nga pala greke për shkak se shumë shihen se provokim për palën greke, siç është ajo e Aleksandrit të Madh. Maqedonia kërkon nga Athina, por edhe bashkësia ndërkombëtare që të mundësojë pranimin e saj në NATO me referencën IRJM dhe paralelisht me këtë të zhvillohen negociata për zgjidhjen e kontestit me emrin. Problemi me emrin daton që nga pavarësia e Maqedonisë nga ish federata jugosllave në vitin 1991. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Kongresistët amerikanë sulmohen me armë zjarri Posted: 14 Jun 2017 06:18 AM PDT Një person i armatosur ka shtënë drejt politikanëve republikanë në Virgjinia të Shteteve të Bashkuara, derisa ata ishin duke luajur bejsboll. Njëri nga kongresmenët amerikanë është lënduar së bashku me disa persona të tjerë. (Video Reuters) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Haradinaj: S’ka improvizime, Qeverinë e formojmë ne Posted: 14 Jun 2017 06:17 AM PDT Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj, thotë se nuk do të lejohen improvizime dhe se Qeverinë do ta formojë koalicioni që i ka fituar zgjedhjet. Ai beson se Qeveria e re do të formohet një javë pas certifikimit të rezultateve dhe beson se ka një traditë të bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila mund të vazhdojë edhe në qeverisjen e ardhshme. Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, ju jeni kandidat për kryeministër i një koalicioni që ka dalë fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit. Por, mandatet e fituara në Kuvend, sikur nuk ju garantojnë formimin e Qeverisë pa një koalicion të ri. Si do të veproni në këtë rast? Ramush Haradinaj: Tash jemi në pritje të rezultatit final, por afërsisht dihet numri i deputetëve të koalicionit tonë. Kushtetuta jonë parasheh edhe rolin e komuniteteve e të gjithëve në Qeveri. Po ashtu do të diskutojmë, do të konsultojmë edhe organizime politike ose parti politike shqiptare për ndërtimin e Qeverisë. Radio Evropa e Lirë: Do të diskutoni apo keni filluar diskutimet për një koalicion të ri? Ramush Haradinaj: Tani kuptohet, komunikimi ekziston dhe është i vazhdueshëm, por ato zyrtaret duhet të ndodhin kur përmbyllet certifikimi i rezultatit dhe pasi të marrë nominimin zyrtar, por po, jemi në punë e sipër këto ditë. Radio Evropa e Lirë: I bëni ftesë ndonjërit prej subjekteve politike nga koalicioni i LDK-së me AKR-në dhe Alternativën që të bëhen pjesë e Qeverisë tuaj eventuale? Ramush Haradinaj: Unë kam pasur një traditë bashkëpunimi më LDK-në nga Qeverisja në të kaluarën në kohën e koalicionit me presidentin Rugova. Jam i hapur për të biseduar me ta. Pra, është e mundshme. Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj e dimë se si kanë qenë raportet në të kaluarën, por po flasim tash për tash, sot për sot? Ramush Haradinaj: Nuk mund ta precizoj nëse është ftesë, por ne jemi në përgatitje e sipër të marrëveshjeve potenciale me partnerët. Pra, unë kam një traditë pune me LDK-në nga e kaluara. Kemi një komunikim, ta quaj ashtu ,të hapur dhe është e mundshme, por nuk mund ta paragjykoj kaq herët ose si do të shkojë rrjedha. Radio Evropa e Lirë: Me Vetëvendosjen, jeni të gatshëm të shkoni në koalicion? Ramush Haradinaj: Njihemi edhe me ta po ashtu. Me siguri do të komunikoj edhe me ta që të shohim si është perspektiva e punëve në të ardhmen. Mirëpo, ju thash që jemi në nivel punë që votuesit kanë vendosur kush është fitues i zgjedhjeve. E kemi numrin e caktuar të deputetëve, i kemi komunitetet që në bazë të Kushtetutës e kanë rolin e vet kushtetues edhe në Qeveri edhe në Parlament, do të diskutojmë edhe në organizimin e politikës shqiptare, por s'dua ta precizoj si do të rrjedhë. Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, ju nuk keni diçka konkrete aktualisht, sa i përket asaj se si do të duket Qeveria e ardhshme? Ramush Haradinaj: Unë kam diçka konkrete, por nuk e kam ende për ta lajmëruar për opinion. Por, ajo që mund t'i siguroj qytetarët e vendit është se në një afat të shkurtër kohor pas nominimit zyrtar, pas certifikimit të rezultateve, mendoj në më pak se një javë, do të formojmë qeverinë e vendit. Radio Evropa e Lirë: Të martën, ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje u deklarua se ai do të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së ardhshme. Si e shihni ju pretendimin e Albin Kurtit? Ramush Haradinaj: Nuk e marrë në shqyrtim atë që ai e thotë. Proceset janë të qarta. Dihet se si rrjedh procedura. Ne e kemi bërë një përvojë nga e kaluara. Pra, nuk kemi mundësi që të krijojmë improvizime që bllokojnë e as improvizime që e vonojnë Kosovën. Nuk do të bëjmë më improvizime, jemi serioz në punë. Pra, mandatin që na është dhënë nga qytetari, do ta zbatojmë. Radio Evropa e Lirë Pra, ju nuk parashikoni ndonjë afat të gjatë kohor për formimin e Qeverisë? Ramush Haradinaj: Jo, nuk do t'i humbim kohë vendit. Pra, në afatin më të shkurtër kohor do të veprojmë me Qeverinë. Radio Evropa e Lirë: Përafërsisht kur i bie? Ramush Haradinaj: Një javë nga certifikimi, por certifikimin final e bën KQZ-ja. Në momentin kur ata kryejnë punë, ne brenda javës do të jemi të gatshëm. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Haradinaj: Qeverinë e formojmë ne Posted: 14 Jun 2017 06:10 AM PDT Ramush Haradinaj, i nominuar për kryeministër nga koalicioni PAN, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se ai do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Kongresmenët amerikanë sulmohen me armë zjarri Posted: 14 Jun 2017 05:50 AM PDT Një person i armatosur ka shtënë drejt politikanëve republikanë në Virgjinia të Shteteve të Bashkuara, derisa ata ishin duke luajur bejsboll. Njëri nga kongresmenët amerikanë është lënduar së bashku me disa persona të tjerë. Përfaqësuesi amerikan, Mo Brooks i ka thënë CCN-it se personi i armatosur ka shtënë disa herë drejt politikanëve, në fushën e lojës. Reuters ka cituar policinë dhe dëshmitarët të kenë thënë se Steve Scalise, kongresmen i lartë nga Luiziana ka qenë një nga personat e lënduar. Brooks ka deklaruar se duket të ketë qenë vetëm një sulmues. Ai ka thënë se forcat e sigurisë kanë shtënë në drejtim të sulumesit, pas i njejti kishte përdorur armën për afro 20 të shtëna drejt kongresmenëve. Presidenti Donald Trump ka thënë se ai dhe nënkryetari Mike Pence, "janë të shqetësuar nga të shtënat në Virgjinia dhe janë duke monitoruar zhvillimet nga afër". "Jemi shumë të mërzitur për këtë tragjedi"."Jemi duke u lutur për anëtarët e Kongresit, shtabet e tyre, dhe të gjithë të tjerët që janë tëprekur nga sulmi", ka deklaruar Trump. Sipas Brooks në vendin ku ka ndodhur sulmi kanë qenë rreth 25 politikanë republikanë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Forcat irakiane zbrapsin militantët e Shtetit Islamik në Mosul Posted: 14 Jun 2017 05:28 AM PDT Forcat irakiane kanë zbrapsur forcat e militantëve të Shtetit Islamik, gjatë mëngjesit të sotëm, gjatë një kundër-sulmi të madh, në një distrikt të qytetit të vjetër të Mosulit, ka thënë një komandant i policisë. Dhjetëra luftëtarë të Shtetit Islamik janë vrarë, shumë prej tyre të veshur me jelek bombë, ka deklaruar komandati për Reuters. "Terroristët erdhën nga qyteti i vjetër dhe sulmuan forcat tona duke përdorur snajpera. Ata më pas përkohësisht morën kontrollin në disa ndërtesa, por ne i detyruam të tërhiqen pasi sulmuam pozicionet e tyre", ka thënë një oficer i policisë federale. Përmes një deklarate online, Shteti Islamik ka bërë të ditur se ka vrarë 40 persona nga forcat policore federale irakiane, të vendosura në Mosul dhe ka shkatërruar tetë automjete ushtarake. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
SHBA: U evitua një disfatë e rëndë e administratës së re amerikane Posted: 14 Jun 2017 05:21 AM PDT Senati i Shteteve të Bashkuara, me dallim të vogël, nuk e miratoi masën e bllokimit të shitjes së planifikuar të armatimit për Arabinë Saudite, nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump. Me këtë propozim do të bllokohej shitja e municionit të udhëhequr në mënyrë precize për Mbretërinë saudite, në vlerë prej 500 milionë dollarësh. Në këtë mënyrë u evitua një disfatë e rëndë e administratës së re amerikane. Votimi i mbrëmshëm 53:47, tashmë e ka pastruar rrugën që shitja të finalizohet. Shitja e këtij municioni preciz është pjesë përbërëse e pakos së propozuar të shitjes së armatimit, në vlerë prej 110 miliardë dollarëve për Arabinë Saudite. Administrata thotë se kjo kontratë do të krijojë vende të reja të punës në Shtetet e Bashkuara dhe do ta përmirësojë kapacitetin ushtarak të Riadit, që është ndër aleatët kryesorë në rajon. Por, kundërshtarët e kësaj marrëvshjeje, të udhëhequr nga senatori republikan, Rand Paul, dhe ai demokrat, Chris Murphy, ishin jashtëzakonisht kritikë për rolin e Arabisë Saudite në luftën civile në Jemen dhe për abuzimet e të drejtave të njeriut në këtë vend. Ata thanë, po ashtu, se kanë shqetësime se armatimi i sofistikuar mund të përdoret në konfliktin kundër civilëve në Jemen. Megjithqë, propozimi i tyre nuk u mbështet nga shumica e senatorëve, demokrati Murphy këtë zhvillim e shpalli si fitore të pjesërishme, pasi rezoluta i ka siguruar 20 vota më tepër se sa një masë e ngjashme e mëparshme, të cilën ai dhe kolegu i tij republikan, Rand Paul, e kishin përpiluar në muajin shtator të vitit të kaluar, për ta bllokuar shitjen e tankeve të prodhimit amerikan dhe të armatimeve të tjera për Arabinë Saudite, në vlerë prej një miliard dollarëve. "Votimi i këtillë nuk do të mund të mendohej para një kohe, por tash Kongresi përfundimisht e ka parasysh se Arabia Saudite po e përdorë municionin amerikan për goditjen e qëllimshme të caqeve civile brenda Jemenit", tha zoti Murphy. Republikani Rand Paul, i cili e pat kundërshtuar nominimin presidencial të Donald Trumpit nga ana e partisë së tij, si lider i krahut jointervenues të Partisë Republikane, ka bërë kritika të ashpra në adresë të Arabisë Saudite, gjatë fjalimit të tij në Senat. Ai vlerësoi se Riadi është "eksportuesi numër 1 i filozofisë xhihadiste" dhe tha se shitja e municionit paraqet kërcënim për jetët e shtetasve të pafajshëm të Jemenit. "Jam i tmerruar se si njerëzit po përpiqen për ta mbështetur fitimin e korporatave me qëllim të shitjes së këtij armatimi", tha Paul dhe ka shtuar se "Arabia Saudite nuk është partner i besueshëm". Lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, dhe senatorët e tjerë që e mbështesin shitjen, thanë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të mos u shesin armatim të nevojshëm aleatëve kryesorë në Lindjen e Mesme, që u duhet për ta luftuar grupin ekstremist, Shteti Islamik, dhe për ta kundërshtuar agresionin e Iranit në rajon. Në Jemen po luftojnë Qeveria e mbështetur ndërkombëtarisht, e cila përkrahet nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, kundër kryengritësve shiitë huti, të mbështetur nga Irani, që janë aleatë me njësitet ushtarake lojale ndaj një ish-presidenti të Jemenit. Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, prej marsit të vitit 2015, ka ndërmarrë sulme ajrore në Jemen, ndërsa Kombet e Bashkuara thonë se nga luftimet janë vrarë mijëra civilë. Senatori republikan, Lindsay Graham, tha se refuzimi i shitjes së municionit preciz në Arabinë Saudite, do të ishte fitore për Iranin. "Nëse ju nuk mendoni se duke e frenuar Iranin dhe duke i mbajtur ata që të mos e përmbysin Jemenin, Irakun, Sirinë dhe Libanin, nuk është në interesin tonë kombëtar, atëherë ju bëni gabim të madh", tha ai. Senatori republikan, Bob Corker, kryesues i Komitetit të Jashtëm të Senatit, ka sugjeruar se së paku një numër i votave për bllokimin e shitjes së municionit ishin bërë nga senatorët që dëshironin ta pengonin presidentin Trump. Veprimi i zotit Trump për të lëvizur me shitje duket se ishte bërë me qëllim, që të shkatërrohej vendimi i ish-presidentit Barack Obama, për ta mbajtur pezull shitjen e municionit preciz për forcat e armatosura të Arabisë Saudite, pas sulmeve ajrore të saduitëve në një funeral në Jemen, vitin e kaluar, me ç'rast u vranë më tepër se 40 vetë. Përgatiti: Fatmir Bujupi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Kosovë: Publikohet pasuria e zyrtarëve publik Posted: 14 Jun 2017 05:01 AM PDT Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë ka publikuar në faqen zyrtare të saj regjistrat e deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik. Deklarimi i pasurisë i zyrtarëve publik në Kosovë është një obligim ligjor dhe shmangia ose fshehja e të dhënave, thonë zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, mund të çojë drejt padisë në gjykata. "Agjencia njofton se gjatë bartjes së të dhënave të deklaruara nga formularët e deklarimit të pasurisë tek regjistrat e deklarimeve, mund të ndodhin lëshime teknike apo formulime të gabuara andaj kërkojmë nga zyrtarët e lartë publik që ta njoftojnë Agjencinë në mënyrë që të bëhen përmirësimet", thuhet në një komunikatë për media të Agjencisë Kundër Korrupsion. Pas përfundimit të të gjitha çështjeve teknike të këtij procesi, sipas kësaj Agjencie do të organizohet aktiviteti publik i hedhjes së shortit për kontrollin e plotë të pasurisë. Sipas Ligjit për deklarimin e pasurisë, procesit të kontrollit të pasurisë do t'i nënshtrohen 20 për qind e listës së përgjithshme të zyrtarëve te lartë publik që kanë deklaruar pasurinë për vitin 2017. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Duma ruse miraton planin për shkatërrimin e ndërtesave të periudhës sovjetike Posted: 14 Jun 2017 04:10 AM PDT Duma shtetërore ruse e ka miratur projektligjin kontravers për shkatërrimin e mijëra ndërtesave të periudhës sovjektike në Moskë. Ligjëvënësit e Dhomës së Ulët të parlamentit, e kanë miratur projektligjin derisa policia ka arrestuar shumë qytetarë që po protestonin jashtë objektit të Dumës. Shefi i partisë opozitare Yabloko, Sergei Mitrokhin, ka qenë në mesin e të arrestuarve në serinë e fundit të protestave që janë mbajtur kundër këtij plani. Pavarësisht kundërshtimit të shumë banorevë të Moskës që theksojnë se po cenon të drejtat pronësore dhe liritë individuale, projektligji pritet të kalojë edhe në Dhomën e Lartë të parlamentit dhe të nënshkruhet nga presidenti Vladimir Putin. Projekligji propozon që 4,500 ndërtesat e ndërtuara në periudhën e viteve 1950-1960 nga lideri sovjektik Nikita Khrushchev, të shkatërrohen dhe të zëvendësohen me ndërtime të larta. Autoritetet në Moskë kanë deklaruar se objektet janë të shkatërruara dhe të vjetruara, por shumë banorë dhe aktivistë i shohin planet si një justifikim, pasi sipas tyre ndërtimi i lartë do të bëhet për arsye të përfitimit. Ndërkohë këta aktivistë kanë përmendur edhe zvogëlimin e dukshëm të hapësirave të gjelbëruara. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Aktakuzë ndaj 9 personave për terrorizëm Posted: 14 Jun 2017 03:30 AM PDT Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 9 personave për vepra terroriste. Sipas aktakuzës, të pandehurit me qëllim që të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike,kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit, "me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste IS-is të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste", thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Ky grup ndaj të cilit janë ngritur aktakuzat kishte planifikuar pos tjerash të kryejnë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar ndeshjen futbollistike mes ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit më 12 nëntor 2016. Prokuroria, në komunikatë thekson se të pandehurit në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale "kryerja e veprës terroriste". "Disa nga të pandehurit gjatë muajit tetor 2016, sipas kërkesës së të pandehurit Lavdrim Muhaxheri me të cilin kanë pasur kontakte të vazhdueshme përmes internetit, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes me të njëjtin, kanë planifikuar ta bëjnë sulmin terrorist - atentat në ndërkombëtarët ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë, ashtu që i pandehuri L.G., ka filluar të interesohet për blerjen e armëve automatike, për të cilat brenda disa ditëve në vijim i pandehuri, Lavdrim Muhaxheri, përmes njerëzve të tij, ende të paidentifikuar, do t'ia dërgonte të pandehurit A.A., prej shumën 1500 euro", thuhet në komunikatën e Prokurorisë . Me këto veprime dhe të tjera secili, veç e veç, kanë kryer veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 372 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në komunikatë, sipas Prokurorisë në mesin e të pandehurve ka persona që ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, Al Nusra. Lavrim Muhaxheri, qytetar nga Kaçaniku, më 8 qershor u raportua se është vrarë në luftimet e fundit në Siri. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Trump vazhdon sanksionet ndaj Bjellorusisë Posted: 14 Jun 2017 02:26 AM PDT Presidenti amerikan Donald Trump i ka vazhduar sanksionet kundër presidentit bjellorus Alyaksandr Lukashenka, dhe anëtarëve të aparatit të tij drejtues edhe për një tjetër vit. Trump e ka nënshkruar letrën në të cilën është marrë vendimi për zgjatjen e emergjencës kombëtare, dhe e ka dërguar drejt Kongresit amerikan. Një këtë letër ndër të tjera thuhet se "veprimet dhe politikat e disa anëtarëve të qeverisë bjelloruse dhe personave të tjerë për të minuar proceset demokratike ose institucionet e Bjellorusisë, për të kryer abuzime të të drejtave të njeriut dhe për t'u angazhuar në korrupsion, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara". Emergjenca kombëtare ishte deklaruar fillimisht nga presidenti George W. Bush në vitin 2006. Që nga ajo kohë ajo kohë, sanksionet janë vazhduar çdo vit. Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë thënë se Lukashenka ka mbajtur pushtetin që nga viti 1994 duke shtypur mospajtimin, duke lënë anash kundërshtarët e mundshëm dhe duke u mbështetur fort tek Rusia për subvencione ekonomike. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Katari tërheq trupat nga misioni kufitar në mes të Xhibutit dhe Eritresë Posted: 14 Jun 2017 02:03 AM PDT Katari ka tërhequr trupat ushtarakë nga kufiri në mes të Xhibutit dhe Eritresë, vend në të cilin vendet e Gjirit Arab kanë qenë ndërmjetësuese në mosmarrëveshjen për kufinjtë, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit. Anipse ende nuk është dhënë ndonjë arsye se pse janë larguar trupat nga ai vend, ky veprim ka ndodhur pas problemeve të shumta me të cilat është përballur Katari nga vendet fqinje. Disa nga vendet e Gjirit Arab kanë akuzuar Katarin se mbështet militatët islamikë dhe Iranin. Katari i ka dënuar fuqishëm këto akuza, transmeton Reuters. "Katari ka qenë një ndërmjetësues i paanshëm diplomatik në zgjidhjen e krizave dhe mosmarrëveshjeve midis vendeve vëllazërore dhe miqësore dhe do të vazhdojë të jetë një pjesëtar i rëndësishëm në bashkësinë ndërkombëtare", ka thënë ministria përmes një deklarate. Ministria e Katarit, po ashtu ka thënë se e ka informuar qeverinë e Xhibutit për tërheqjen e trupave. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Zjarri përfshin ndërtesën në Londër Posted: 14 Jun 2017 01:39 AM PDT Të paktën 30 persona janë dërguar në spital, pas një zjarri të madh që është hapur në një kullë, në perëndim të Londrës, ka thënë shërbimi i ambulancës. Zjarri në Grenfell Tower është raportuar sot në orët e hershme pasi rreth 200 zjarrfikës ishin ende duke i luftuar flakët. [Video: REUTERS] This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |