INSAJDERI: “Zyrtarët e shtetit s’kanë kohë për Panairin e Librit  – hapet me një poezi të Çun Lajçit” plus 19 more

INSAJDERI: “Zyrtarët e shtetit s’kanë kohë për Panairin e Librit  – hapet me një poezi të Çun Lajçit” plus 19 more


Zyrtarët e shtetit s’kanë kohë për Panairin e Librit  – hapet me një poezi të Çun Lajçit

Posted: 06 Jun 2017 10:09 AM PDT

Panairi i Librit "Prishtina 2017" ka nisur edicionin e tij të 19-të me një ceremoni në të cilën pos kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, folën edhe ish-diplomati dhe publicisti Besnik Mustafai dhe pas tij aktori Çun Lajçi recitoi një poezi.

Asnjë zyrtar i Ministrisë së Kulturës, Zyrës së Kryeministrit e asnjë institucion  tjetër nuk morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit dhe kjo për Demakun nuk përbënë ndonjë rëndësi të madhe.

E ish-diplomati shqiptar Mustafai tha se para 6 muajsh e kishte pranuar ftesën për të ardhur në Panair, i gëzuar se do të ikte nga fushata zgjedhore në Shqipëri.

"Por erdha këtu dhe gjeta një fushatë tjetër në kulmin e saj", tha Mustafai.

"Megjithatë mirë bëjnë politikanët që nuk janë përballë medieve sepse do të duhej të ishin prapa tyre si lexues", shtoi publicisti shqiptar.

E para se shiriti i kuq të prehej nga Mustafai dhe Lajçi, aktori kosovar recitoi një poezi të stilit të tij plot patriotizëm./Insajderi.com

The post Zyrtarët e shtetit s'kanë kohë për Panairin e Librit  – hapet me një poezi të Çun Lajçit appeared first on INSAJDERI.

Ahmeti lavdëron punën e tij në Prishtinë, kritikon qeverisjen qendrore

Posted: 06 Jun 2017 10:01 AM PDT

Kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh edhe kandidat për deputet në kuvendin e Kosovës, Shpend Ahmeti, gjatë një tubimi zgjedhor në Prizren ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta udhëheq Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

"Në komunën e Prishtinës, sot fëmijët kanë shumë çerdhe, kanë shujta, studentët kanë praktika nëpër kompani të ndryshme, punëtorët kanë pagën minimale e cila është më e larta në Republikën e Kosovës, këtë javë do të fillojmë ndërtimin e qendrës për fëmijët me sindromën down dhe autizëm, sot kemi 24 orë ujë, kemi transport publik të transformuar komplet", ka thënë Ahmeti.

"Ne i kemi provuar që 17 vite këto parti, pra kombinimet e tyre i kemi parë, s'ka kombinime që s'i kemi provuar. Sot e kemi shtetin më të varfër në botë, e kemi shtetin me papunësi më të madhe në evropë, boll me këto parti politike, koha është për Lëvizjen Vetëvendosje", deklaroi Ahmeti, njofton Klan Kosova.

Kandidati i VV-së për deputet ka thënë se në listën e partisë që ai përfaqëson ka edhe ish-luftëtarë të UÇK-së.

"Në listën tonë kemi veteranë dhe ish-luftëtarë të UÇK-së, në listën tonë kemi profesorë, mësuesë, arsimtarë, mjekë, dhe profesione të ndryshme që mund të ballafaqohen me problemet në çdo fushë të Republikës së Kosovës", tha Ahmeti. /Insajderi.com

The post Ahmeti lavdëron punën e tij në Prishtinë, kritikon qeverisjen qendrore appeared first on INSAJDERI.

Mali i Zi reagon ndaj kritikave të Rusisë

Posted: 06 Jun 2017 10:00 AM PDT

Mali i Zi ka thënë se Rusia nuk duhet të alarmohet nga anëtarësimi i vendit ballkanik në NATO. Këto deklarata kanë ardhur pasi Moska ka paralajmëruar hakmarrje ndaj “kursit armiqësor” të Malit të Zi dhe ka dënuar “histerinë anti-ruse”.

Më 5 qershor, Mali i Zi edhe zyrtarisht është bërë anëtari i 29-të i NATO-s, në një ceremoni të mbajtur në Uashington.

“Jemi dëshmitarë të pozitës së pafavorshme të Rusisë ndaj pranimit të Malit të Zi në NATO,” ka thënë, Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boskoviq.

“Unë sinqerisht shpresoj që, Rusia do ta kuptojë se kjo nuk ka të bëjë fare me ndonjë ndjenjë anti-ruse dhe se nuk ka histeri anti-ruse në Mal të Zi,” ka thënë Boskoviq, në një konferencë shtypi në Podgoricë

“Përkundrazi, kjo është gjithashtu në interes të Rusisë, pasi paqja në Ballkanin Perëndimor është në interesin më të mirë të Moskës". Megjithatë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka përforcuar qëndrimin e Moskës, ndaj Malit të Zi.

“Ne kemi qartësuar tashmë qëndrimin tonë”, tha ai në një konferencë për shtyp në Moskë, duke shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë “të obsesionuar” me Ballkanin, njofton rel.

Ministria e jashtme e Rusisë përmes një deklarate në ditën e ceremonisë së pranit të Malit të Zi në NATO ka thënë se “histeria anti-ruse që po vazhdon në Malin e Zi ka "shkaktuar keqardhje” në Rusi.

The post Mali i Zi reagon ndaj kritikave të Rusisë appeared first on INSAJDERI.

Kandidati i LDK-së vendos banerin mbi një vepër arti, reagon PDK

Posted: 06 Jun 2017 09:41 AM PDT

PDK në Ferizaj e ka quajtur shkelje të rregullave zgjedhore vendosjen e një baneri të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Blerim Grainca, mbi një mural.

Dega e Partisë Demoratike të Kosovës (PDK), përmes një komunikate për medie, ka thënë se posteri i Graincës është vendosur në një vepër publike të mbrojtur me rregullativa ligjore.

Sipas PDK-së, ky baner i vendosur mbi një mural paraqet cenim të të drejtës autoriale, për të cilën gjë autori e muralit mundet të inicojë procedurë gjyqësore për një akt të tillë, si dhe keqpërdorimin e pushtetit komunal, kjo për faktin se me pushtetin politik në Komunën e Ferizajt, qeveris LDK-ja.

"Aq më skadaloz është fakti se kandidati për deputet Grainca, është në lidhje të afërt familjare (djali i vëllait) me kryetarin e shtabit zgjedhor të LDK-së në Ferizaj, Faik Grainca. Qyteti i Ferizajt, është qytet që për simbolikë ka një mural, andaj aktet e tilla, të njollosjes politike të një vepre publike, janë fyerje për qytetarët dhe provokim i incidenteve mes grupeve politike, pjesë e garës zgjedhore", ka thënë PDK-ja.

Organet monitoruese të procesit zgjedhor, mekanizmat institucional dhe joqeveritar, ekipin e realizimit të muralit, duhet që ta denoncojnë një akt të tillë, si dhe të merren masa konform rregullativës ligjore në fuqi. /Insajderi.com

The post Kandidati i LDK-së vendos banerin mbi një vepër arti, reagon PDK appeared first on INSAJDERI.

Dauti: Ndarjen nuk e solla unë, dhashë gjak të mos bëhet kështu

Posted: 06 Jun 2017 09:40 AM PDT

Ish-deputeti më i drejtpërdrejtë dhe më i zhurmshëm nga rradhët e AAK-së, godet prapë në internet. Në postimin e tij të rradhës ai nuk e lejon ndarjen dhe bën thirrje për bashkim, në të gjitha çështjet me rëndësi për vendin.

'Vendi ynë është ndarë në regjione e fe, në parti politike, në qytetarë me katunarë. Atë ndarje nuk e sjella unë, por dhashë gjak që mos të bëhet kështu.', ka postuar ai, duke u premtuar të gjithëve 'që nuk do ndahemi më kurrë', shkruan ai në postimin e tij të rradhës.

Ka kohë që Dauti po bën bujë në internet me postimet e tija të njëpasnjëshme me të cilat u drejtohet qytetarëve në fushatën e tij zgjedhore. Së fundmi, me qindra komente dhe qindra mijëra shikime, 'zani' i Dautit po pushton rrjetet sociale.

Shikoni postimin e tij të plotë:

https://youtu.be/n4bUiKX2UT8

The post Dauti: Ndarjen nuk e solla unë, dhashë gjak të mos bëhet kështu appeared first on INSAJDERI.

LDK: Thaçi përfshihet në fushatë, në Prizren koordinohet me Kryeziun e PDK-së

Posted: 06 Jun 2017 09:32 AM PDT

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar sërish Presidentin Hashim Thaçi se po përfshihet në fushatën zgjedhore.

"Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është fotografuar në Prizren në shoqëri të Njazi Kryziut, zyrtarit të shkarkuar të komunës së Prizrenit, pas publikimit të "Dosjes Pronto" dhe një serie skandalesh të udhëheqjes së Komunës së Prizrenit prej Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por të shpërblyer prej pasuesit të Hashim Thaçit në krye të PDK-së, Kadri Veselit, me një pozitë këshilltari në kabinetin e tij të stërmadh si ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës", thotë LDK përmes një komunikate për media.

"Njazi Kryziu, për më tepër, është një prej drejtuesve të PDK-së në Prizren," thuhet tutje në komunikatë.

"Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilës të martën i ka mbërritur kjo fotografi nga një qytetar i Prizrenit, të kulturës dhe traditës, shpreh shqetësimin se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kundërshtim me mandatin e tij kushtetues, po vazhdon të përfshihet në fushatën parazgjedhore në Kosovë, në përpjekje për t'u dalë në ndihmë bashkëpartiakëve të tij të PDK-së", thuhet në reagimin e LDK-së.

"LDK konsideron se nuk ka asnjë shpjegim objektiv që e arsyeton praninë e një Presidenti të shtetit nëpër aktivitete jozyrtare, në kohë fushate dhe me eksponentë të njohur të një subjekti politik. Sigurisht PDK-së".

"Kabineti i Presidentit të Kosovës, për të martën, kur është zhvilluar "vizita" e Hashim Thaçit në Prizren, nuk ka njoftuar për asnjë aktivitet zyrtar të tij.  Siç duket, vërejtja publike që iu bë atij nga LDK dhe shoqëria civile e mediat, për denoncim në Gjykatën Kushtetuese, ka bërë që Thaçi të mos e vazhdojë fushatën e tij në mbështetje të PDK-së nëpër shkolla", thotë LDK.

The post LDK: Thaçi përfshihet në fushatë, në Prizren koordinohet me Kryeziun e PDK-së appeared first on INSAJDERI.

Bitcoin shënon rritje rekord, më të lartën ndonjëherë

Posted: 06 Jun 2017 09:18 AM PDT

Mondha virtuale, Bitcoin ka shënuar sot rritjen më të madhe në histori të saj. Bitcoin shënoi sot rritje rekorde prej 8 për qind, duke eklipsuar rritjen më të lartë që ishte arritur më 25 maj të këtij viti.

Kjo monedhë virtuale ka trefishuar vlerën e saj që nga fillimi i vitit 2017, shkruan sot Bloomberg, përcjell Insajderi.

Skeptikët kanë thënë se kjo mund të dërgojë drejt një prishje të të gjithë sistemit, pasi bitcoin ka thyer rekorde në mënyrë të përsëritur pa treguar shenja të rënies.

Përpos bitcoin, së fundmi edhe një monedhë tjetër virtuale ka shënuar rritje. Ajo është konkurrentja e bitcoin, e quajtur Ethereum. /Insajderi.com

Grafiku që pasqyron rritjen e monedhës virtuale gjatë këtij viti:

The post Bitcoin shënon rritje rekord, më të lartën ndonjëherë appeared first on INSAJDERI.

Pas Mavrajt, një tjetër shqiptar pranë transferimit tek Hamburgu

Posted: 06 Jun 2017 09:14 AM PDT

Sulmuesi Admir Mehmedi është shumë pranë transferimit te skuadra e Hamburgut.

Futbollisti i cili përfaqëson Zvicrën, gjatë sezonit të fundit është aktivizuar rrallëherë te Bayer Leverkusen dhe parashikohet largimi i tij në verë.

Mediat zvicerane bëjnë të ditur se Mehmedi është në bisedime me klubin e Hamburgut dhe shumë shpejt pritet të nisin negociatat edhe mes klubeve për transferimin e tij, meqë sulmuesi ka një kontratë deri në vitin 2019 me Bayer Leverkusen.

Te Hamburgu, Mehmedi do të gjejë Mërgim Mavrajn, i cili është pjesë fikse e formacionit të kësaj skuadre dhe ku brenda pak muajsh ka arritur të renditet mes liderëve në ekip. /Insajderi.com

The post Pas Mavrajt, një tjetër shqiptar pranë transferimit tek Hamburgu appeared first on INSAJDERI.

Krijuesi i lojës “Orbavoid”, një shqiptar

Posted: 06 Jun 2017 09:11 AM PDT

Revolucioni në fushën e teknologjisë informative, i cili ka kapluar viteve të fundit mbarë rruzullin tokësor, duket se nuk po ngec as në hapësirën shqiptare.

Herë pas here në studio kemi pasur të rinj e të reja të talentuara, që bëjnë shpikje teknologjike, nga Shqipëria e Kosova. Por  me sa duket, talente të tilla i gjen në gjithë trevat tona, përfshi Luginën e Preshevës.

Në mesin e shumë entuziastëve në industrinë e " IT "-së është edhe Miran Behluli, nga Bujanoci. Me të mbaruar shkollën e mesme, në Shkup të Maqedonisë, Mirani ka prezantuar një aplikacion që ka të bëjë me zhvillimin e një loje atraktive e që është i disponueshëm për dy sistemet kryesove operativë të telefonave: Android dhe iOS.

Aplikacioni i quajtur "Orbavoid” ka parë dritën javën e fundit, ndërsa është mirëpritur nga dashamirësit e lojërave.(tch)

The post Krijuesi i lojës "Orbavoid”, një shqiptar appeared first on INSAJDERI.

Plani i Juventusit, rreth 130 milionë euro për disa blerje të mëdha

Posted: 06 Jun 2017 08:58 AM PDT

Nga Champions League i ka fituar tashmë 128.5 milionë euro. Buxheti i Juventusit mund të rritet më tej. Një vit më parë kishim "bum"-in e Higuain, tani pritet një tjetër merkato verore maksimale te bardhezinjtë. Mediat italiane, corrieredellosport.it, zbulon edhe disa nga objektivat e kampionëve të Italisë, të cilët kanë vendosur diktatin në Seria A, por i ka zënë mallkimi në Champions. Brenda tri viteve të fundit kanë humbur dy finale.

Fabinho: Braziliani i lindur në vitin 1993, mesfushori e Monakos. Kontrata e tij skadon në vitin 2021. "Monegasque" e blenë atë për vetëm 6 milionë euro nga Rio Ave, në verën e vitit 2015.

Angel Di Maria: Argjentinasi, i lindur në vitin 1988, është nën kontratë me PSG-në deri në vitin 2019.  Ai mbërriti në Paris nga Manchester United në verën e vitit 2015 për 63 milionë euro. "Djajtë e Kuq" kishin paguar më herët 75 milionë euro te Real Madridi, për ta marrë në vitin 2014.

Keita: Senegalezi i lindur në vitin 1993 është një nga pikat e forta të Lazio, por kontrata e tij skadon në vitin 2018. Pa rinovim, ai ka për qëllim të lëvizë këtë verë.

Patrik Schick: I lindur në vitin 1991, sulmuesi çek bëri debutimin e tij ndërkombëtar këtë vit me Sampdorian. Kontrata e tij skadon në vitin 2020, por ka një klauzolë lirimi prej 25 milionë eurosh.

Douglas Costa: Braziliani i lindur në vitin 1990 është i kontraktuar të Bayern Munich deri më 30 qershor 2020. Juventusi e do për krahun e majtë për t'i dhënë një dorë në këtë korsi, me Mandzukic që pritet të kthehet në rolin e vet origjinal. /Telesport.al

The post Plani i Juventusit, rreth 130 milionë euro për disa blerje të mëdha appeared first on INSAJDERI.

Lotaria e Belgjikës ndryshon rregullat, shkaku i kosovarit që fitoi 168 milionë euro

Posted: 06 Jun 2017 08:49 AM PDT

Të premten e kaluar, një shtetas i Belgjikës fitoi çmimin e madh të lotarisë 153.873.716 euro, në lotarinë EuroMillions. Ai është i vetmi lojtar qe ka qëlluar plot 5 numra të saktë (8-10-24-33-42) dhe dy prej yjeve saktë (3-9), për ta fituar çmimin e madh.

Me gati 154 milion euro të fituara, ai kështu u bë fituesi i dytë më i madh të regjistruar ndonjëherë në Belgjikë dhe gjithashtu fitimi i tetë më i madh në historinë e EuroMillions.

Që nga e marta e javës së ardhshme çmimi do të bjerë në 17 milionë euro.

Por, tani Lotaria Kombëtare e Belgjikës ka ndryshuar rregullat në raste të fitimeve të milionave. Deri më tani, fituesi nuk është bërë i njohur. Asnjë informacion nuk është dhënë për fituesin e ri për shkak të ngjarjes së fundit, kur një burrë nga Kosova që fitoi shumën prej 168 milionë eurove.

Kosovari, që fitoi çmimin prej 168 milionë eurove, ishte ngacmuar aq shumë sa që është detyruar të largohet fare nga Belgjika, njofton mediumi belg La Derniere Heure.

Kjo ishte si rezultat se Lotaria Kombëtare kishte zbuluar shumë shpejt emrin dhe adresën e librarisë se ku bileta fituese ishte blerë. Duke e dhënë këtë informacion, fituesi, një burrë me origjinë nga Kosova, nuk ishte më anonim.

Kolegët e tij shpejt vunë re mungesën e tij nga puna. Fituesi 50 vjeçar, një baba i martuar i katër fëmijëve, kishte ikur për të mbrojtur privatësinë e tij.

Gjatë kësaj kohe, fituesi ishte kthyer disa herë për vizitë në Belgjikë. Ai ishte parë disa herë tek FC Kosova, klubi lokal i futbollit të Schaerbeek.

Rekordi më i madh i regjistruar në EuroMillions ishte 190 milion euro, të fituara dy hera në vitin 2012 dhe 2014, nga një anglez dhe portugez.  /Insajderi.com

The post Lotaria e Belgjikës ndryshon rregullat, shkaku i kosovarit që fitoi 168 milionë euro appeared first on INSAJDERI.

Kuinti: Përpjekjet për frikësim në veri janë krejtësisht të papranueshme

Posted: 06 Jun 2017 08:33 AM PDT

Gjatë pak ditëve të kaluara, përfshirë ditën e sotme, "ne kemi pranuar një numër të raporteve thellësisht shqetësuese për përpjekje për ndikim në rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, nëpërmjet kërcënimit", thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave në Prishtinë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Mëtutje, në këtë deklaratë theksohet se "veçanërisht, duket se ekziston përpjekje për frikësim dhe detyrim të komunitetit serb të Kosovës, për të votuar në mënyrë të caktuar. Aksionet e këtilla janë krejtësisht të papranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që janëangazhuar, për tu ndalur, dhe kërkojmë nga autoritetet dhe policia në Kosovë të bëjnë hetime të plota".

"Të gjithë shtetasit e Kosovës duhet të kenë mundësi të votojnë sipas vetëdijes së tyre dhe të lirë nga frikësimi, ndërhyrja dhe keqtrajtimi. Këto zgjedhje janë mundësi për shtetasit e Kosovës që t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm shtetasit e Kosovës e kanë këtë forcë dhe përgjegjësi. Si pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar, ne do të punojmë me secilin që zgjedhet", theksohet në fund të deklaratës./REL

The post Kuinti: Përpjekjet për frikësim në veri janë krejtësisht të papranueshme appeared first on INSAJDERI.

Sulmi në Paris, njerëzit ngujohen brenda katedralës së Notre-Damit

Posted: 06 Jun 2017 08:32 AM PDT

Policia franceze thotë se e ka qëlluar një njeri jashtë katedrales së Notre-Dame në Paris, pasi ai u përpoq të sulmonte një oficer të policiës me një çekiç.

I dyshuari është plagosur në gjoks, njofton The Guardian.

Të shtënat kanë nxitur panik në mesin e vizitorëve. Zona rreth katedrales është mbyllur dhe njerëzve u kërkohet që të qëndrojnë larg.

Por, siç shkruan Daily Mail, qindra persona kanë mbetur të ngujuar brenda katedralës së Notre-Damit në Paris.

Vizitorët që ishin brenda katdralës kanë mbetur brenda me urdhër të policisë. /Insajderi.com

The post Sulmi në Paris, njerëzit ngujohen brenda katedralës së Notre-Damit appeared first on INSAJDERI.

Sulm ndaj një polici në Paris, policia e qëllon sulmuesin

Posted: 06 Jun 2017 08:25 AM PDT

Policia franceze thotë se e ka qëlluar një njeri jashtë katedrales së Notre-Dame në Paris, pasi ai u përpoq të sulmonte një oficer të policiës me një çekiç.

I dyshuari është plagosur në gjoks, njofton The Guardian.

Të shtënat kanë nxitur panik në mesin e vizitorëve. Zona rreth katedrales është mbyllur dhe njerëzve u kërkohet që të qëndrojnë larg.

Franca është në gjendje të jashtëzakonshme, pasi sulmet e xhihadistëve në Paris lanë 130 të vdekur në vitin 2015.

Personi sulmoi oficerët në detyrë në selinë e policisë së Parisit, e cila është pranë katedrales, thonë mediat franceze.

Sulmi vjen vetëm tre ditë pasi ekstremistët përdorën një furgon dhe thika për një sulm në Londër, i cili la shtatë të vdekur. /Insajderi.com

The post Sulm ndaj një polici në Paris, policia e qëllon sulmuesin appeared first on INSAJDERI.

Komisioneri i BE-së sugjeron kosovarët çfarë qeverie të zgjedhin

Posted: 06 Jun 2017 08:17 AM PDT

Bashkimi Evropian pret që Kosova të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit me një Qeveri pro-evropiane dhe që institucionet e reja t'i përmbushin sa më shpejt kriteret e mbetura për heqjen e vizave, deklaroi Komisioneri për Negociata dhe Zgjerim, Johannes Hahn.

Këto komente, Komisioneri Hahn i bëri në Bruksel, gjatë një konference në lidhje me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se BE-ja planifikon që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina) të jenë pjesë e unionit. Në këtë aspekt, Hahn tha se më 12 korrik në Triestë të Italisë, do të zhvillohet një takim i radhës ku do të diskutohet çështja e tregut të përbashkët ekonomik të rajonit.

Sa i përket Kosovës, Hahn dërgoi mesazhe për përmbylljen me sukses të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, dhe konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Sipas tij, nëse liderët politikë në Kosovë dhe akterët tjerë tregohen serioz në lidhje me perspektivën evropiane, atëherë ata duhet të sigurohen për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, fer e demokratike.

"Shpresojmë që ata të themelojnë më shpejt Qeverinë sesa herën e kaluar", tha Hahn. Themelimi sa më i shpejtë i Qeverisë, sipas tij, do të ndikonte që Kosova t'i kthehet shumë shpejt punës së madhe që e pret.

Ndër tjera, ai ka inkurajuar Prishtinën që edhe pas zgjedhjeve të vazhdojë dialogun me Beogradin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e negociatave që po lehtësohet nga Brukseli.

"Liderët evropianë në disa raste e kanë thënë se përparimi në dialog është parakusht për perspektivën evropiane dhe se ky parakusht nuk ka alternativë tjetër", theksoi Hahn, duke iu referuar të ardhmes evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Komisioneri i BE-së tha po ashtu se është me rëndësi që Kosova ta ketë sa më shpejtë Qeverinë e re e cila do të duhej të ishte pro-evropiane dhe e pranueshme nga faktori i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar.

Ndërkaq, në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Hahn ritheksoi se gjithçka varet nga përmbushja e dy kritereve të parashtruara nga Komisioni Evropian, ku bëjnë pjesë luftimi i korrupsionit dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Marrë parasysh faktin që Kosova është në proces zgjedhor, ai tha se sa më shpejt që të konstituohet Kuvendi dhe të jetë në gjendje të marr vendime, aq më shpejt mund të përmbyllet procesi i heqjes së vizave.

"Kushtet janë mirë të njohura dhe nëse merren vendimet ne kemi prezantuar tashmë raportin para një viti e gjysmë, kështu që nëse plotësohen edhe dy kushtet e fundit, atëherë ne do të prezantojmë raportin final tek vendet anëtare të BE-së", u shpreh Hahn.

Sipas tij, marrë parasysh rastet e fundit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, edhe pas përmbushjes së dy kritereve të fundit, procesi deri në heqjen e vizave për Kosovën mund të marrë kohë.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së u adresoi mesazhe të gjitha qeverive dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, që t'i vazhdojnë reformat evropiane, në mënyrë që ta përshpejtojnë rrugën e integrimit të vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Kohë më parë, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogerini, ka inkurajuar kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të angazhohen më shumë për përmbushjen e synimeve për përafrim me Bashkimin Evropian.

Gjatë një takimi jo formal që Mogherini pati zhvilluar në Bruksel me kryeministrat nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Maqedonia, ajo kishte adresuar sugjerime liderëve ballkanik t'i vazhdojnë reformat evropiane.

The post Komisioneri i BE-së sugjeron kosovarët çfarë qeverie të zgjedhin appeared first on INSAJDERI.

Pesë ditë para ndeshjes me Kosovën, Turan pensionohet nga kombëtarja

Posted: 06 Jun 2017 07:54 AM PDT

Arda Turan i ka dhënë fund karrierës së tij me kombëtaren turke të futbollit, pas vendimit të federatës turke që futbollisti të mos luante ndaj Kosovës, më 11 qershor.

Turan u përjashtua nga skuadra pasi kishte sulmuar një gazetar sportiv për shkak të disa publikimeve që kishte bërë ky i fundit.

Në një konferencë të shkurtër për media, Turan ka thënë se pas vendimit që të mos luajë ndaj Kosovës në kualifikimet për Botëror, ka ardhur koha që t'i japë fund karrierës për fanellën e Turqisë.

"I jap fund karrierës sime për ekipin kombëtar. Shpresoj që kombëtarja të ketë sukses. Bisedova me ekipin dhe presidentin e federatës dhe vendosën që të mos jem pjesë e ndeshjes ndaj Kosovës. Ishte e rëndë për mua dhe tani mendoj se është koha që të ndahem nga karriera ime për fanellën kombëtare", ka thënë ai. /Insajderi.com

The post Pesë ditë para ndeshjes me Kosovën, Turan pensionohet nga kombëtarja appeared first on INSAJDERI.

Arda Turan përjashtohet nga Turqia për ndeshjen ndaj Kosovës

Posted: 06 Jun 2017 07:48 AM PDT

Arda Turan sot gjatë ditës është në vënë nën akuzë pasi ishte grindur me një gazetar, madje flitet se kishte edhe sulm ndaj tij .

Arda thuhet se ka qenë i zemëruar që gazetari – i quajtur Bilal Mese – u lejua të udhëtonte me aeroplan për shkak të raporteve.

Ky i fundit kishte shkuar se në Euro 2016, kishte mosmarrëveshje mes ekipit kombëtar të Turqisë dhe Federatës Turke të Futbollit (TFF) në lidhje me shpërblimet.

Mediat turke, Fanatik dhe Milliyet, shkruajnë se Arda e kishte kapur gazetarin për fyti.

30-vjeçari ka shkuar në Instagram duke treguar se sulmi ndodhi për shkak të gënjeshtrave të gazetarit dhe sulmit ndaj familjes së tij.

Por federata turke ka reaguar duke e përjashtuar për ndeshjen me Kosovën.

Madje në deklaratën e tyre zyrtare shkruhet si e nuk do të luajë më për Turqinë.

The post Arda Turan përjashtohet nga Turqia për ndeshjen ndaj Kosovës appeared first on INSAJDERI.

Bonucci në “radarin” e klubeve angleze

Posted: 06 Jun 2017 07:36 AM PDT

Tre skuadra angleze në ndjekje të Leonardo Bonucci-t. E ardhmja e mbrojtësit të Juventusit, pas humbjes së finales së Champions League, mbetet në dilemë. Sipas mediave britanike tre janë skudrat që janë vënë në ndjekjë të mbrojtësit 30-vjecar.

Manchaster City një kandidat i hershëm dhe United i Jose Mourinho, i gatshëm për ti besuar celsat e rapartit të prapavijës. Chelsea gjithashtu e dëshiron Bonuccin. Trajneri i "Bluve të Londrës" Antonio Conte i njeh mirë aftësit e futbollistit për shkak se ata kanë bashkëpunuar më njeri tjetrtin gjatë kohës kur tekniku toskan ishte pjesë e Juventusit.

Janë kampionët e anglisë ata që kanë parqitur një ofertë konkrete.

55 milionë Euro për kartonin e mbrojtësit, ndërsa për lojtarin pagë vjetore prej 7 milionë Euorsh në sezon, 2 më shumë nga cpërfiton aktualisht me fanellën e bardhezinjve.

Vetë Bonucci në disa raste është shprehur mëse i bindur për të vazdhuar aventurën e tij në Torino, por ngjarjet e fundit, ndoshta e kanë detyruar atë të ndryshojë mendje. Ndërkohë drejtuesit e Juventusit, janë gjithnjë e më pranë firmës me sulmuesin e Sampdorias, Patrick Shick, ku pritet që deri në fund të javës të arrihet akordi mes palëve.

 

The post Bonucci në "radarin" e klubeve angleze appeared first on INSAJDERI.

Trump sfidon OKB përmes tërheqjes nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut

Posted: 06 Jun 2017 07:29 AM PDT

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mendojnë tërheqjen nga organizmi i OKB-së përgjegjës për të drejtat e njeriut, duke nxjerrë si argument atë që e cilësojnë  "qëndrim të anshëm" ndaj Izraelit.

Ambasadorja amerikane ne OKB, Nikki Haley u shpreh se Washingtoni po e sheh me kujdes rolin e tij në këshillin e të drejtave të njeriut. Sipas Haley-t, është vështirë të pranohet fakti që janë kaluar 5 rezoluta kundër izraelit, aleat i ngushtë i Amerikës, por askush nuk ka marrë mundimin të diskutojë situatën në Venezuelë.

Në një artikull të botuar më herët në gazetën Washington Post, Haley shkruante se këshilli duhet t'i japë fund praktikës së gabuar të drejtimit të gishtit nga shteti hebre për kritika.

Ambasadorja e lartëson punën e bërë nga grupi, por sërish thotë se nuk është bërë mjaftueshëm për të kritikuar Iranin, një vend me të dhëna të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe Venezuelën e përfshirë nga trazira të mëdha politike, ku këto muajt e fundit janë vrarë me dhjetëra protestues.

"Të jesh anëtar i këtij Këshilli është një privilegj dhe asnjë vend që shkel të drejtat e njeriut nuk duhet lejuar të ulet në këtë tryezë. Megjithatë është e vështirë të pranohet sesi Këshilli nuk ka menduar kurrë të paraqesë një rezolutë kundër Venezuelës, por ama ka miratuar pesë të tilla në muajin mars kundër një shteti të vetëm, Izraelit. Është e një rëndësie thelbësore që ky organizëm ta zgjidhë çështjen e anësisë së tij kronike ndaj Izraelit nëse dëshiron që të ketë ndonjë lloj besueshmërie", u shpreh Nikki Haley, ambasadorja e SHBA në OKB.

Paraditen e së martës, drejtuesi i Këshillit, komisioneri i lartë Zeid Ra’ad al-Hussein kishte apeluar për fundin e pushtimit Izraelit në territoret palestineze, me argumentin se pas 50 vitesh armiqësie, nga një lëvizje e tillë do të përfitonin të dyja palët.

The post Trump sfidon OKB përmes tërheqjes nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut appeared first on INSAJDERI.

Premtimet për rritje ekonomike, larg parashikimeve të Bankës Botërore

Posted: 06 Jun 2017 07:22 AM PDT

Premtimet e partive politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, për rritje ekonomike deri në 8 për qind apo edhe më shumë, janë në mospërputhje të plotë me parashikimet e Bankës Botërore.

Banka Botërore në raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor të publikuar në prill të këtij viti, ka vënë në pah se Kosova kishte shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016, kurse gjatë këtij viti, rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.9 për qind.

Derisa, në raportin e fundit të publikuara nga Banka Botërore për rritjen ekonomike botërore, në pjesën për Kosovën, thuhet se për dy vitet e ardhshme 2018 dhe 2019, rritja ekonomike nuk do të jetë më e lartë se 4.4 për qind.

Ndërkohë, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportet për Kosovën, nuk ka parashikuar rritje ekonomike më shumë se 3.5 për qind në vitin 2017.

Kosova, rritjen ekonomike më të lartë e kishte shënuar në vitet 2010 dhe 2011 dhe atë jo më shumë se mbi 5 për qind.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se premtimet e partive politike për rritje ekonomike deri në 8 për qind nuk janë në harmoni me parashikimet e Bankës Botërore, dhe se si të tilla nuk mund të jenë edhe të realizueshme.

Sipas tij, me trendet aktuale ekonomike në të cilat është Kosova, premtimet për dyfishim të rritjes ekonomike, janë të parealizueshme.

"Nëse marrim parasysh projektet aktuale të cilat janë planifikuara dhe janë në zbatim e sipër, rritja ekonomike në dy vitet e ardhshme nuk parashikoj të jetë mbi 5 për qind, do të sillet rreth 4 për qind", thekson Gashi.

Për përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, premtimet për rritje ekonomike dhe më pas rritjen e buxhetit të shtetit, që po bëhen nga përfaqësuesit e partive politike, ekonomikisht janë të parealizueshme.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini i tha Radios Evropa e Lirë se premtimet e partive politike për rritje ekonomike, nuk kanë bazë ekonomike.

"Premtimet për rritje ekonomike, jo që nuk janë të realizueshme, por janë të pamundshme me rritjen ekonomike aktuale. Për me keq në vitin 2017 do të kemi rritje ekonomike më të ulët, pasi që do të shënojmë rënie gati në të gjithë sektorët. Parametrat për këtë vit janë negativ, do të kemi rënie të investimeve, të eksporteve. Pra, gjithë kjo çka e premtojnë partitë politike në kohën dhe në gjendjen që është Kosova nuk mund të realizohen", thekson Shahini.

Ndërkohë, mundësia për të pasur rritje më të lartë ekonomike se 4 për qind, sipas ekspertit të ekonomisë Naim Gashi, në Kosovë duhet të ketë investime të mëdha si në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, investime në fushën e minierave dhe mineraleve, në turizëm si dhe në realizimin e projektit për Brezovicën.

"Të gjitha rritjet ekonomike që janë mbi 7 për qind janë vështirë të realizueshme, por jo të pamundshme, pasi nëse në Kosovë mund të vijnë investitorë të huaj të cilët investojnë në kapacitete të reja energjetike, siç është termocentrali 'Kosova e re', atëherë do të ketë nxitje ekonomike e cila mund të ndikojë në masën e përgjithshme të bruto produktit vendor deri në 2 për qind shtesë rritje ekonomike në rritjen aktuale", thekson Gashi.

Partitë politike u kushtojnë rëndësi premtimeve për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës, për faktin se Kosova mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë dhe me shkallë të lartët ë papunësisë.

Rritjet ekonomike që Kosova ka pasur përgjatë viteve, ndonëse ishin konsideruar të jenë më të lartat në rajon, për analistët ekonomikë ishin konsideruar të jenë të pamjaftueshme për t'i adresuar problemet thelbësore që ka Kosova, siç janë papunësia dhe varfëria.

Në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se 17.6 për qind e popullsisë së Kosovës jeton nën kufirin e varfërisë, me 1.82 euro në ditë dhe 5.2 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë së skajshme me 1.30 euro për të rritur në ditë. Ndërkaq, papunësia në Kosovë është 28.7 për qind.

The post Premtimet për rritje ekonomike, larg parashikimeve të Bankës Botërore appeared first on INSAJDERI.