INSAJDERI: “Vuçiq do të propozojë kryeministrin e ri serb” plus 19 more |
- Vuçiq do të propozojë kryeministrin e ri serb
- Kurti: Milionerët e koalicioneve nuk e njohin as luftën e UÇK-së
- Kosova zhvillon stërvitjen e dytë, dëmtohet një futbollist
- Hoxhaj: Lugina e Preshevës do të ketë më shumë vëmendje nga Qeveria
- Futbollisti i Cityt i tmerruar nga Anglia: Vajzës sime i ka ndryshuar ngjyra e fytyrës
- “FC Kosova” e Gjenevës, 20 vjet futboll dhe integrim
- “Rugova është ati i Kosovës, njëjtë sikurse Muhamedi për myslimanët”
- Putin: Askush nuk do ta mbijetonte luftën SHBA – Rusi
- Shtetet që pritet të kenë më së shumti votues nga diaspora në zgjedhje
- U izolua nga shtetet fqinje, Katari kërkon ndihmë për ushqim nga dy shtete
- Dy fëmijët e plagosur në Pejë, ishin kalimtarë rasti
- Fituesi i dy çmimeve Oscar vjen në Prishtinë
- Veseli: PDK mendon më shum për shtetin, sesa për veten
- Momenti nga të shtënat me armë në Pejë [video]
- Rritet numri i të vdekurve nga sulmet në Londër
- Haradinaj: Jemi bërë bashkë për një shtet të së drejtës
- Caktohen gjyqtarët e ndeshjes Kosovë – Turqi
- Behxhet Pacolli: Me Vetëvendosjen po, me PDK kurrsesi
- Ymeri: Me 11 qershor, i japim fund ‘Prontokracisë’
- Katër persona të plagosur në Pejë, dy prej tyre fëmijë
| Vuçiq do të propozojë kryeministrin e ri serb Posted: 07 Jun 2017 10:07 AM PDT Kryesia e partisë serbe SNS ka mbajtur një takim ku ndër të tjreash është vendosur që t'i jepet përkrahje unanime kandidatit për kryeministër që do të propozohet nga presidenti i zgjedhur Aleksandar Vuçiq. Maja Gojkovic, Kryetare e Kuvendit të Serbisë, e cila foli për media pas takimit, ka thënë se Presidenti Vuçiq do të dalë me një propozim Brenda afatit ligjor, njofton portal pink.rs. "Siç e kanë parë njerëzit në Serbi, ai si kryeministër e ka lënë vendin në një situatë stabile politike e financiare," ka thënë ajo për Vuçiqin, njofton B92. Sipas saj, anëtarët e presidencës së partisë kanë shprehur dëshirën që Vuçiq të mbetet në krye të progresistëve. The post Vuçiq do të propozojë kryeministrin e ri serb appeared first on INSAJDERI. |
| Kurti: Milionerët e koalicioneve nuk e njohin as luftën e UÇK-së Posted: 07 Jun 2017 09:58 AM PDT Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në një tubim në Gjakovë, ku ka thënë se me 11 qershor, do të fitojë Vetëvendosje, dhe kjo fitore do ta shpëtojë popullin. Kurti ka krahasuar politikanët e pushtetet e kaluara me telenovelat, në të cilat secili martohet me secilin, për t'iu bërë mënzyrë të tjerëve. Por, duke e vazhduar krahasimin, ka thënë se këto martesa e kjo telenovelë do ndërpritet me fitoren e Vetëvendosjes. "Me votën tuaj do e hapin rrugën për qeverinë e re të Lëvizjes sonë. Me 11 qershor mund t'i humbisni 15 minuta, por do t'i fitoni katër vjet qeverisje me mirëqenie e begati. Me 11 qershor fiton Vetëvendosja, shpëton populli", ka pohuar Kurti. "Milionerët e koalicioneve nuk e njohin as luftën e UÇK-së. Edhe në deklaratën e pavarësisë nuk e kanë përmendur, pra e kanë mohuar. Partitë e tjera ju kanë zhgënjyer, sepse ju kanë gënjyer, Vetëvendosje kurrë nuk do t'ju zhgënjejë, sepse kurrë nuk do t'ju gënjejë", ka thënë ai. Kurti ka shtuar se me qeverisjen e Vetëvendosjes shteti do të jetë më i fuqishëm se pushteti, pasi në të kaluarën pushteti ishte më i fuqishëm sesa shteti. "Për këtë qëllim tonin të përbashkët", Kurti tha se qytetarët do ta punësojnë një qeveri të Vetëvendosjes, e cila nuk punëson sipas mbiemrit, por sipas kualiteteve të personave. The post Kurti: Milionerët e koalicioneve nuk e njohin as luftën e UÇK-së appeared first on INSAJDERI. |
| Kosova zhvillon stërvitjen e dytë, dëmtohet një futbollist Posted: 07 Jun 2017 09:47 AM PDT Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar pasditen e sotme seancën e dytë stërvitorë në stadiumin "Agron Rama" në Kastriot, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Botëror "Rusi 2018" ndaj Turqisë. Lajmi i mirë është se portieri Sajmir Ujkani ka lënë pas shqetësimet fizike dhe ditën e sotme është stërvitur me grupin. Për sa i përket sulmuesit Valon Berisha ai u stërvit veçmas duke kryer disa vrapime rreth fushës dhe nuk dihet nëse do të jetë në formë për tu aktivizuar. Mbrojtësi Avni Pepa ka shqetësuar disi stafin teknik pasi është detyruar të ndërpresë stërvitjen për shkak të një dëmtimi në dukje serioz. Pepa u lëndua pas një dueli me Milot Rashicën. Tekniku në fillim zhvilloi disa ushtrime që kishin të bënin me rreshtimin e skuadrës më pas bëri ndarjen në dy grupe, duke provuar disa skema dhe ushtrime teknike. The post Kosova zhvillon stërvitjen e dytë, dëmtohet një futbollist appeared first on INSAJDERI. |
| Hoxhaj: Lugina e Preshevës do të ketë më shumë vëmendje nga Qeveria Posted: 07 Jun 2017 09:43 AM PDT Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qëndruar sot në Gjilan ku është takuar edhe me qytetarë të Luginës së Preshevës, për të cilët thotë se me "Fillimin e Ri" do të kenë vëmendje edhe më të madhe. "Pas Dardanës, vazhdova në Gjilan ku kam takuar shumë qytetarë mbështetës të PDK-së, si dhe qytetarë nga Lugina e Preshevës, të cilët me Fillimin e Ri do të kenë edhe më shumë vëmendje nga Qeveria e Kosovës. Po ashtu, vizitat në fabrikën RC Cola dhe Bejta Comerce tregojnë vëmendjen që Fillimi i Ri do ta ketë për ndërmarrjet kosovare", ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e tij në Facebook.
The post Hoxhaj: Lugina e Preshevës do të ketë më shumë vëmendje nga Qeveria appeared first on INSAJDERI. |
| Futbollisti i Cityt i tmerruar nga Anglia: Vajzës sime i ka ndryshuar ngjyra e fytyrës Posted: 07 Jun 2017 09:39 AM PDT Futbollisti spanjoll, Nolito ka zbuluar se do të dëshironte të kthehej në Spanjë pas një sezoni të kaluar tek Manchester City në Angli. Sulmuesi i përfaqësueses së Spanjës ka treguar për jetën e vështirë të kaluar në Angli, për gjuhën që nuk e ka mësuar dhe për jetesën e vajzës së tij në Britaninë e Madhe. “Unë kam mësuar shumë pak anglisht, është shumë e vështirë, vetëm ‘nesër’, ‘mirëmëngjes’, ‘pasdite e mirë’ dhe pak më shumë, por fytyra e vajzës sime ka ndryshuar edhe ngjyrën – duket sikur ajo po jeton në një shpellë”, ka deklaruar Nolito, i cili është shprehur i shqetësuar për motin në Angli.
Nolito ka thënë hapur se dëshiron të largohet, raporton Sky Sports. “Unë jam nën kontratë, kështu që klubi do të vendosë, por unë dua të largohem. Unë nuk kam luajtur për gjashtë muaj. Unë do të bëj gjithçka që është e mundshme që të jem në skuadrën e Spanjës për Kupën e Botës”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com
The post Futbollisti i Cityt i tmerruar nga Anglia: Vajzës sime i ka ndryshuar ngjyra e fytyrës appeared first on INSAJDERI. |
| “FC Kosova” e Gjenevës, 20 vjet futboll dhe integrim Posted: 07 Jun 2017 09:31 AM PDT Zvicra thuhet se numëron rreth 200 mijë të migruar shqiptarë, të integruar me sukses në shoqërinë helvetike. Po ashtu të rinjtë tanë mërgimtarë kohën e lirë e programojnë me pjesëmarrje aktive në shoqëri kulturore dhe klube të ndryshme sportive. Në këtë fushë shquhen sidomos të rinjtë e FC "Kosova" të Gjenevës, të cilët sivjet shënojnë njëzetvjetorin e punës dhe të suksesit. Kjo skuadër, aktualisht anëtare e Ligës së Dytë Regjionale të Kantonit të Gjenevës, është zyrtarizuar me regjistrim pranë Asociacionit kantonal të futbollit të Gjenevës, më 1997. Themelues të FC Kosova të Gjenevës, janë vëllezërit Besim dhe Burim Jahiu, me origjinë nga Anamorava e Kosovës. Posaçërisht nga mërgimtarët shqiptarë të Gjenevës, si aktivist i dalluar sportiv dhe si organizator i shkëlqyer njihet Besim Jahiu. Ai mbi një dekadë me mjaft sukses kreu detyrën e Presidentit të Klubit "Kosova" të Gjenevës, duke qenë për aq kohë edhe lojtar aktiv i kësaj skuadre. Brenda një harku të shkurtër kohor së bashku me bashkëpunëtorët e tij sjell në klub futbollistët me emër si Bujar Latifi, ish-lojtar i dalluar i "KF Shkëndija" të Tetovës, anëtare e Superligës së Maqedonisë. Lojtar tjetër në zë ishte edhe Fadil Haliti, sulmues cilësor i disa skuadrave të Kroacisë, anëtare të ish-Ligës së Dytë të Jugosllavisë, e më vonë trajner i suksesshëm e shumëvjeçar i "FC Kosova" të Gjenevës, shkruan albinfo.ch Jashtëzakonisht i dobishëm për "FC Kosova" të Gjenevës tregohet edhe Hysen Bilalli, dikur qendërmbrojtës i pakalueshëm i "KF Borci" të Ferizajt, ish anëtar i Ligës së Parë të Kosovës, tani i njohur me emrin "KF Ferizaj", anëtar i Superligës së Republikës së Kosovës në futboll. Në fund të viteve të 80-ta ky futbollist me një përgatitje të jashtëzakonshme fizike pati luajtur edhe në disa skuadra të kantonit Vaud, si: "FC Saint-Legier"," FC Forward-Morges" dhe "US Terr-Sainte 1940". Paraqitjet e tij të rregullta në fanellën e këtyre ekipeve dhe loja e bukur i mundësuan këtij lojtari me eksperiencë rregullimin e dokumenteve dhe qëndrimin e përhershëm në Zvicër. Përforcim i madh për skuadrën FC Kosova të Gjenevës, për kohën konsiderohen edhe vëllezërit Armend e Arben Selmani, sulmues të spikatur. Armend Selmani me mjaft sukses ka luajtur edhe në FC "Etoile –Carouge" të Gjenevës, në të kaluarën anëtare e Challenge League të Zvicrës. Kurse me skuadrën "FC Kosova", debutojnë qendërsulmuesi efikas Halil Rrahmani, portierët shtatgjatë Reshat Kamberi e Bujar Ahmeti. Mbrojtësit perspektivë e me përvojë Nexhat Xhymshiti –Xhimi, Behxhet Rexha, Samet Mjaku, dhe treshja e vëllezërve Bajrami, loja e të cilëve ndërlidhet për mrekulli me lojtarët e ardhur. E pa konkurrencë, kalon shpejt një rang më lart FC Kosova e përbërë nga lojtarë cilësorë mposht kundërshtarët e saj një nga një me lehtësi dhe rezultat të thellë. Ajo, si lider i grupit, Kampionatin vijues e nis në Ligën e katërt rajonale të Gjenevës. Edhe në këtë Ligë është e pa konkurrencë. Jo vetëm në terren të vet por edhe si mysafire gjunjëzon rivalët e saj. Qendërsulmuesi Halil Rahmani, gati në çdo ndeshje tregohet i frytshëm duke shënuar nga të gjitha pozitat. Ai në fund të Kampionatit radhitet si golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe i grupit të kësaj Lige. FC Kosova pa kurrfarë pengese më 1999-2000 kalon në Ligën e Tretë Rajonale të kantonit të Gjenevës. Ajo edhe në këtë rang garash demonstron lojë të bukur dhe tubon numër maksimal pikësh. Kuota e pikëve të tubuara dy-tre javë para përfundimit të Kampionatit u siguron futbollistëve të kësaj ekipe triumfin. Ata në fund të gushtit të vitit 2000 si anëtarë të Ligës së Dytë Rajonale të Gjenevës, nisin garat me dymbëdhjetë skuadrat më të mira të këtij kantoni. Sukseset e këtyre djemve të vyeshëm do ta kenë edhe mbështetjen e bashkatdhetarëve tanë. Për skuadrën e tyre të zemrës nuk kursejnë asgjë as afaristët e shumtë shqiptarë të cilët veprojnë prej vitesh në Gjenevë. Po ashtu nga ndeshja në ndeshje shumëfishohet edhe numri i tifozëve. Ata, si lojtari i dymbëdhjetë i kësaj skuadre nën tingujt e daulles dhe zurlës krijojnë atmosferë të vërtetë festive në 45 stadiumet e kantonit të Gjenevës. Ish lojtari i Valencias luajti për "FC Kosovën" e Gjenevës! "FC Kosova" tashmë me një përvojë të duhur dhe organizim të shkëlqyeshëm bëhet tërheqëse edhe për lojtarët e komuniteteve të tjera. Anëtarë të kësaj skuadre më 1999 bëhen portieri Antonio Di Marco me origjinë italiane dhe qendërsulmuesi i njohur me ngjyrë nga Kongo, Alex Tekumo, i cili në të kaluarën luajti në skuadrën e famshme "FC Valencia" të Spanjës. Me këta dy lojtarë të klasit të parë dhe me dy-tri përtëritje të tjera "FC Kosova" arrin kulmin e suksesit dhe bën emër në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës. Përveç suksesit në Kampionat, futbollistët e saj pesë herë luajnë edhe në Finalen e Kupës së Gjenevës. Këta dy lojtarë së bashku me bashkëlojtarët e tjerë shqiptarë me të drejtë mund të quhen si gjenerata që la gjurmë të pashlyeshme suksesi në futbollin gjenevas dhe e bëri krenare mërgatën tonë. Sikurse çdo skuadër tjetër futbolli ashtu edhe FC Kosova e Gjenevës, pati momente krizash. Mirëpo ato u tejkaluan shpejt falë ish- futbollistëve veteranë të kësaj skuadre Fadil Haliti, Hysen Billalli e Bujar Latifi, të cilët morën drejtimin e saj. Ata, në cilësinë e trajnerëve ruajtën bërthamën e ekipit dhe shtuan fondin e lojtarëve duke angazhuar lojtarë të talentuar si: Burim Terziun e FC Drita të Gjilanit, Asmir Zenelin e FC Meyr-in LNB të Gjenevës, mbrojtësit perspektivë Liridon Heta e Liridon Imeri, mesfushorët Armend Zatriqi e Përparim Emerllahu, sulmuesit Alban Osmani e Ibrahim Fazlija. Skuadra tregoi formë stabile në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës, në të cilën luajti me mjaft sukses plot 15 vjet. Më 2013, ish-trajnerët Haliti, Bilalli dhe Latifi, u detyruan të lënë drejtimin e skuadrës. Ndërkohë ata zëvendësohen nga lezhjani Durim Lika. Në klub vijnë edhe lojtarët profesionistë të Superligës së Shqipërisë si: Florian Braho, Klodian Asllani dhe Elton Lika. Braho, më herët luajti në "KFLuftëtari" të Gjirokastrës, "KF Kastrioti" të Krujës dhe "KF Partizani" të Tiranës. Ndërkaq, Asllani ka luajtur gjatë viteve 2005-2007 me "KF Dinamo" të Tiranës. Elton Lika, i vëllai i trajnerit Durim Lika ka luajtur në "Besëlidhja" të Lezhës dhe "Skënderbeu" të Korçës, shkruan albinfo.ch Viti 2015 është njëri nga vitet më të rënda të "FC Kosova" të Gjenevës, ngase pas një periudhe të gjatë kohore skuadra largohet nga Liga e Dytë Rajonale. Me gjithë dëshpërimin, konsolidojnë shpejt radhët Rënia në shkallë më të ultë garash natyrisht shkaktoi pakënaqësi tek të gjithë simpatizuesit e kësaj skuadre. Vëllezërit Salihu, sipërmarrës të suksesshëm së bashku me Qamil Sejdiun dhe një grup shokësh të tjerë nisën të veprojnë praktikisht, në mënyrë që FC Kosova të rikthehet sa më parë në shoqërinë e mëhershme. Domosdoshmëri dhe nevojë urgjente paraqitet angazhimi i një trajneri profesionist. Kjo pozitë i besohet profesorit të Edukatës Fizike nga Kosova, Musa Selimit. Ardhja e tij në klub ngjall shpresën për këndellje të skuadrës dhe rezultate të dëshiruara. Kjo shpresë realizohet brenda një viti dhe FC Kosova e Gjenevës, më 2016 rikthehet në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës, në të cilën edhe sot bën gara. Për momentin, skuadra ka një fond prej 100 (njëqind) lojtarëve të licencuar dhe disponon me të gjitha kategoritë. Mirëpo me emërimin e z. Selimi, në detyrën e Dekanit të Fakultetit të Edukimit dhe Sportit, në Universitetin e Prishtinës, çështja e trajnerit mbetet problem në vete. Aktualisht punën e trajnerit e bën Msc. Sokol Salihu, ish-futbollist i kësaj skuadre dhe i FC Etoile- Carouge, anëtare e Premiere League të Zvicrës. Kurse me ekipin e dytë është angazhuar Abaz Nivokazi e me atë të juniorëve lojtari, Anton Grisha, i ardhur kohë më parë nga FC Tërbuni i Pukës së Shqipërisë. Grisha është edhe lojtar standard i ekipit të parë. Ndërkaq veteranët e këtij ekipi udhëhiqen nga lojtari i dikurshëm i "FC Kosova" të Gjenevës, Halil Rrahmani. Në skuadër edhe sot ka futbollistë të talentuar dhe mjaft cilësorë si: Mërgim Osmani ish-portier i FC Grand-Lancy të Gjenevës, anëtare e Premiere League të Zvicrës, Erion Hoti, Blendim Gashi, i ardhur nga "KF Drita" e Gjilanit dhe Liridon Bajrami, dikur lojtar i "FC Shkupi" të Maqedonisë. Formë të jashtëzakonshme po tregon sulmuesi Arben Selmani. Ai tani për tani është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës. Në anën tjetër Erdi Rexhepi, edhe pse vetëm 16 vjeç, po shfaqë dije të admirueshme prej futbollisti të talentuar. Gjithçka në bazë vullnetare Vlen të theksohet se i gjithë ky aktivitet zhvillohet në baza vullnetare dhe si burim financimi ka donacionet e afaristëve shqiptarë të Gjenevës. Ky organizim bëhet me dëshirën që përmes lojës së futbollit të krijohen ura bashkëpunimi dhe miqësie me të gjitha komunitetet në kantonin e Gjenevës. Andaj si stafi udhëheqës i skuadrës ashtu dhe lojtarët u shprehin mirënjohje donatorëve të tyre të rregullt që edhe sot po ndihmojnë pakursyer dhe pa dallim race dhe etnie afirmimin e këtyre të rinjve. Stadiumi, si një nga kushtet themelore pa të cilin nuk mund të imagjinohet zhvillimi i aktiviteteve, ofrohet pa kompensim nga Departamenti i Kulturës dhe Sportit i kantonit të Gjenevës. Kurse shpenzimet tjera si pajisjet dhe pagesa e gjyqtarëve të futbollit bëhet me vetëfinancim dhe donacione të mbledhura. "FC Kosova" e Gjenevës gjithmonë ka qenë dhe mbetet e hapur edhe për lojtarët e komuniteteve të tjera. Këtë e dëshmon edhe prezenca e lojtarëve të tashëm në ekip si: Syzlovec Michael, Chrystian Racchumick, Mourad Hbabaz, Mahamadu Traore etj. Pikë tjetër e lakmueshme e kësaj skuadre është edhe organizimi i turnirëve me rastin e festave tona kombëtare. Sidomos duhet veçuar turniri i parvjetshëm "Gjeneva 2015", në të cilin morën pjesë shumica e ekipeve shqiptare të futbollit të cilat veprojnë në kuadër të Ligave të ndryshme të Zvicrës dhe janë pjesë e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër. "FC Kosova" e Gjenevës, gjithashtu ka krijuar marrëdhënie të shkëlqyera edhe me Klubet futbollistike të Kosovës. Ajo, në nëntorin e vitit të kaluar pati një pritje të ngrohtë nga FC Vëllaznimi i Gjakovës, me të cilin me rastit e Ditës së Flamurit dhe 104 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, zhvilloi ndeshje miqësore. Udhëheqësit e FC Kosova të Gjenevës, kanë hartuar programe afatgjata dhe konkrete. Ata në një të ardhme të afërt synojnë inkuadrimin në Ligën Inter-regjionale të Zvicrës dhe krijimin e një Shkolle të Futbollit, nëpërmjet së cilës do të mundësohej rekrutimi dhe zbulimi më i lehtë i talenteve të rinj të futbollit.(Albinfo.ch) The post "FC Kosova" e Gjenevës, 20 vjet futboll dhe integrim appeared first on INSAJDERI. |
| “Rugova është ati i Kosovës, njëjtë sikurse Muhamedi për myslimanët” Posted: 07 Jun 2017 09:26 AM PDT Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë sot në Viti, se ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova është “ati i këtij shteti”. Mustafa ka thënë se Ibrahim Rugova për Kosovën është sikurse profeti i myslimanëve, Muhamedi, për besimtarët e kësaj feje, apo sikurse është Jezu Krishti për besimtarët e krishterë. "Disa po thonë pse po thirremi në vlerat e Ibrahim Rugovës. Kjo është njëjtë sikur t'u thuash myslimanëve pse thirreni në vlerat e Muhamedit apo t'u thuash krishterëve pse thirreni në vlerat e Jezu Krishtit. Ibrahim Rugova është ati i këtij shteti, themelues i tij, prandaj është fundamenti ynë", ka thënë Mustafa. Ndërkaq, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë në Viti se e gjithë kjo masë e pranishme dhe gjithë kjo përkrahje tregon për modelin e qeverisjes së LDK-së, e cila në esencë e ka qytetarin. "Ju garantoj se ky model, i cili në plan të parë e ka qytetarin do të shpërndahet në tërë Anamoravën dhe në tërë Kosovën. Ne ju besojmë qytetarëve dhe i ftojmë ata të na i besojnë qeverisjen e vendit për tetë vjetët e ardhshme. Partnerët e koalicionit dhe të gjithë të ardhurit po e ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre dhe të gjithë së bashku do ta krijojmë një ekip të shkëlqyeshëm qeverisës", ka thënë Hoti. /Insajderi.com
The post “Rugova është ati i Kosovës, njëjtë sikurse Muhamedi për myslimanët” appeared first on INSAJDERI. |
| Putin: Askush nuk do ta mbijetonte luftën SHBA – Rusi Posted: 07 Jun 2017 09:23 AM PDT Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një dokumentar që do të transmetohet në televizionin amerikan, thotë se "askush nuk do të mbijetojë" një luftë eventuale ndërmjet dy vendeve me armatim atomik. Këto komente ai i bëri për regjisorin amerikan, Oliver Stone, gjatë një serie të intervistave për një film. Kjo seri me katër pjesë, që do të filloj të transmetohet më 12 qershor, po bëhet në kuadër të paraqitjeve publike të Putinit, në të cilat ai i ka ashpërsuar kritikat kundër Uashingtonit, të cilin e akuzon për përzierje në punët e Moskës dhe për shfrytëzimine NATO-s për interesa të veta të politikës së jashtme. Sipas ekstrakteve që janë publikuar paraprakisht në Internet, këto çështje, po ashtu, paraqiten edhe në intervistat me regjisorin Stone, njofton rel. I pyetur nga regjisori, nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin dominuese në "një luftë të nxehtë" me Rusinë, Putin është përgjigjur: "askush nuk do të mbijetojë".
The post Putin: Askush nuk do ta mbijetonte luftën SHBA – Rusi appeared first on INSAJDERI. |
| Shtetet që pritet të kenë më së shumti votues nga diaspora në zgjedhje Posted: 07 Jun 2017 09:15 AM PDT Të gjithë mërgimtarët e Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit kanë mundur ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë e cila ju garantohet me ligj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2017. Deri më 22 maj 2017 në KQZ janë dorëzuar 20,354 aplikacione për regjistrim, nga 57 shtete, duke i përfshirë edhe kombësitë e tjera joshqiptare, ka njoftuar Organizata Jo-qeveritare Germin. Nga 20,354 aplikacione, KQZ ka aprovuar 74% të aplikacioneve, apo 15,118 dhe ka refuzuar 25% të aplikacioneve apo 5236. Arsyeja kryesore e refuzimit të aplikacioneve e raportuar nga KQZ ishte:
Mërgimtarët nga Zvicra janë ata të cilët kanë dërguar më së shumti aplikacione për regjistrim. Numri arrin në 5,432 nga të cilat rreth 15% janë refuzuar, apo 814 aplikacione. Pas Zvicrës renditet Gjermania, nga ku janë dërguar 4,430 aplikacione dhe janë refuzuar 651 sosh. Pas Gjermanisë renditet Austria, nga ku janë dërguar 853 aplikacione, dhe 139 janë refuzuar. Ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur 498 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 93. Më së paku aplikacione KQZ ka pranuar nga shtetet e Afrikës dhe Azisë, një ose dy aplikacione, me përjashtim të Kazakistanit nga ku janë dërguar 331 aplikacione dhe 16 janë refuzuar (shteti me më së shumti aplikacione të aprovuara). Kurse nga Serbia kanë qenë 4395 aplikacione, dhe janë aprovuar 43,66% dhe 56.33% janë refuzuar. Edhe pse statistikisht nga Serbia ka pasur më së shumti aplikacione të refuzuara, përsëri nga diaspora shqiptare janë dërguar më së pakti aplikacione, duke u bazuar në numrin potencial të zgjedhësve shqiptarë jashtë vendit (mbi 300 mijë votues). The post Shtetet që pritet të kenë më së shumti votues nga diaspora në zgjedhje appeared first on INSAJDERI. |
| U izolua nga shtetet fqinje, Katari kërkon ndihmë për ushqim nga dy shtete Posted: 07 Jun 2017 09:08 AM PDT Dy ditë pas shkëputjes së furnizuesve të saj më të mëdhenj, këputjen e lidhjeve tregtare dhe marrëdhënieve diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, Katari, po bisedon me Iranin dhe Turqinë për të siguruar ushqim dhe furnizim të ujit. Një zyrtar i qeverisë së Katarit, ka konfirmuar se shteti arab është në kërkim të partnerëve për importin e mallrave. “Ne jemi në bisedime me Turqinë dhe Iranin dhe vendet e tjera”, tha zyrtari për agjencinë e lajmeve Reuters, në mënyrë anonime për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, duke shtuar se furnizimet do të silleshin përmes fluturimeve të ngarkesave Qatar Airways. Zyrtari tha se në Katar kishte furnizime të mjaftueshme gruri për të kaluar katër javë dhe se qeveria kishte gjithashtu rezerva të mëdha strategjike ushqimore në Doha. Kreu i organit kryesor tregtar të eksportit të Turqisë u tha Reuters, se të mërkurën eksportuesit turq janë gati të plotësojnë kërkesën për ushqim dhe ujë nga Katari. Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) dhe Bahrejni shkëputën marrëdhëniet me Katarin dhe mbyllën hapësirën ajrore të tyre në fluturimet komerciale të hënën, duke e akuzuar atë për financimin e grupeve militante. Katari fuqishëm mohon akuzat. Kjo është ndarja më e keqe midis shteteve më të fuqishme arabe për dekada. Masat që izolojnë Katarin janë ndërprerja e tregtisë së mallrave nga nafta bruto deri në metale dhe ushqim. Importet e ushqimit kanë pasur ndryshime pasi që Arabia Saudite ka mbyllur kufirin tokësor me Katarin, duke ngecur mijëra kamionë që transportojnë furnizime. The post U izolua nga shtetet fqinje, Katari kërkon ndihmë për ushqim nga dy shtete appeared first on INSAJDERI. |
| Dy fëmijët e plagosur në Pejë, ishin kalimtarë rasti Posted: 07 Jun 2017 09:03 AM PDT Policia e Kosovës ka njoftuar se dy fëmijët e plagosur sot nga të shtënat me armë zjarri në Pejë, ishin kalimtarë rasti. Siç ka njoftuar Policia e Kosovës përmes një komunikate, dy personat e tjerë të plagosur në Pejë, me iniciale B.K dhe N.K, janë të moshës 34 vjeç, përkatësisht 41 vjeç. “Njësitet relevante të policisë së Kosovës menjëherë iu kanë përgjigjur vendit të ngjarjes, dhe sipas të dhënave të para është mësuar se nga të shtëna me armë zjarri janë të plagosur katër (4) persona, dy (2) nga të plagosurit ishin të involvuar në rast, ndërsa dy (2) personat e mitur ishin kalimtar rasti”, ka njoftuar Policia e Kosovës. Të plagosurit me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për t'ju ofruar ndihma adekuate mjekësore me ç'rast dy nga të plagosurit (të involvuarit) në këtë rast, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës janë dërguar në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm, sipas vlerësimit të ekipit mjekësor të Spitalit Rajonal Pejë. /Insajderi.com The post Dy fëmijët e plagosur në Pejë, ishin kalimtarë rasti appeared first on INSAJDERI. |
| Fituesi i dy çmimeve Oscar vjen në Prishtinë Posted: 07 Jun 2017 08:45 AM PDT Paul Haggis, fitues i dy çmimeve Oscar, çmimeve BAFTA dhe Emmy, regjisor, skenarist dhe producent me karrierë 42 vjeçare në industri të filmit, do të vizitojë Kosovën i ftuar si mysafir nderi i PriFest – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë – Prishtina International Film Festival. Ai do të nderohet nga festivali me çmimin Hyjnesha e Artë për të arriturat e tij dhe kontributin në kinematografinë botërore. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Haggis do të merr pjesë në shumë aktivitete të cilat jo vetëm që do ta pasurojnë festivalin, por do t'i mundësojnë atij që të njihet nga afër me industrinë e filmit në vend dhe rajon. Përveç që do të merr çmimin Hyjnesha e Artë, ai do të merr pjesë edhe në një master klasë për anëtarë të industrisë së filmit dhe publikut, si dhe në një panel për të drejtat e njeriut. Një program i veçantë i filmit, "Tribute to Paul Haggis", do t'i mundësojë publikut kosovar që të shohin filmat më të suksesshëm të Haggis si regjisor dhe skenarist. "Ne në PriFest jemi shumë të lumtur që Paul Haggis do të merr pjesë në edicionin e sivjetëm", tha Vjosa Berisha, Drejtoreshë e PriFest. "Për shkak të përvojës së Paul si filmbërës i shquar dhe themelues i organizatës Artists for Peace and Justice, ai përshtatet shumë natyrshëm në festivalin tonë". Mysafirin e nderin për këtë edicion e bëjnë të veçantë sukseset e tij që ka arritur përgjatë 42 viteve në karrierën filmike, prodhues i më shumë se 30 filmave, serialeve dhe programeve televizive, shumë prej të cilave kanë fituar çmime. Ai është gjithashtu skenaristi i parë në botë filmat e së cilit janë shpërblyer nga Akademia Amerikane e Filmit – Oscar për dy edicione të njëpasnjëshme (2005/2006). Sukseset e tij si filmbërës e bën filmi i njohur 'Crash'. Për këtë film regjisori Haggis fitoi dy cmime Oscar, në dy kategori, si filmi më i mirë dhe skenari më i mirë, ndërkohë që filmit iu nda edhe Oscar për montazhën më të mirë. Për realizimin e këtij filmi Haggis ka punuar me aktorë të mirënjohur si Sandra Bullock, Terrence Howard, Chris “Ludacris” Bridges, dhe Michael Peña. Suksesi i tij vazhdoi me filmin 'Million Dollar Baby' në të cilin Haggis fillimisht u angazhua si skenarist e pastaj edhe si producent. Ky film i fitoi 4 çmime Oscar. Edicioni i 9të i PriFest do të ndodh në datat 13-20 korrik në Prishtinë, dhe do të mbahet në shumë hapsira të ndryshme në qendër të Prishtinës. Hapsira kryesore e festivalit do të jetë Teatri Kombëtar, kurse do të ketë edhe shumë hapsira të tjera, përfshi edhe ato nën qiellin e hapur. Në ditët në vazhdim festivali do të shpalos edhe programin e vet, juritë ndërkombëtare, mysafirët që pritet të vijnë dhe shumë risi të tjera që do të sjellin fokusin në Prishtinë sa i përket industrisë së filmit në vend. Paul Haggis është skenaristi i parë që i fitoi dy çmime të njëpasnjëshme Oskar për Filmin më të Mirë: me 'Million Dollar Baby' (2004), që ishte film me regji të Clint Eastwood, si dhe me 'Crash', regjinë e së cilit e bëri vet. Me 'Crash' Haggis fitoi në kategoritë Filmi më i Mirë dhe Skenari më i Mirë Origjinal. Ky film gjithashtu u nominua në katër kategori tjera, përfshirë kategorinë e regjisë. 'Crash' fitoi shumë çmime në vitin kur u lansua, prej shoqatave si IFP Spirit Awards, Screen Actors Guild dhe BAFTA.
The post Fituesi i dy çmimeve Oscar vjen në Prishtinë appeared first on INSAJDERI. |
| Veseli: PDK mendon më shum për shtetin, sesa për veten Posted: 07 Jun 2017 08:37 AM PDT Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë sot se Kosova është duke u rritur, dhe vetëm ata që janë të verbëruar nuk e shohin këtë. Në një takim me qytetarë në Klinë, Veseli ka premtuar fuqizimin ekonomik të Kosovës, raporton Insajderi. “Vetëm ata që janë verbëruar nuk e shohin rritjen e shtetit tonë. Duhet me ndërtu këtë shtet, duhet me e fuqizu këtë shtet, ekonomikisht. Ky është fillimi i ri, kjo është e ardhmja e Kosovës”, ka thënë Veseli. “Fillimi i ri do të thotë fuqizimi i bujqësisë, dhe ne do t’i japim prioritet bujqësisë. PDK mendon më shumë për shtetin, sesa për veten”, ka thënë kryetari i PDK-së. Veseli ka thënë se për katër vitet e ardhshme, Kosova do të pesëfishojë eksportet e mallrave. /Insajderi.com The post Veseli: PDK mendon më shum për shtetin, sesa për veten appeared first on INSAJDERI. |
| Momenti nga të shtënat me armë në Pejë [video] Posted: 07 Jun 2017 08:19 AM PDT Katër persona janë plagosur me armë zjarri në Pejë. Drejtori i Spitalit rajonal të Pejës, Skender Dreshaj, ka thënë se katër të plagosurit nuk janë në gjendje të rëndë. Sipas tij, dy prej të plagosurve janë fëmijë. "Gjendja e fëmijëve është kryesisht stabile. Ndërsa dy të lënduarit të tjerë kanë lëndime me armë zjarri afër enëve më të mëdha të gjakut të boshtit të kurrizit dhe gjendja e tyre është stabile. Por, për të qenë më të sigurt, do t'i transferojmë për QKUK, në Prishtinë", ka thënë Dreshaj. Ndërkaq, Gazeta Express ka siguruar një video-inçizim nga momenti kur dëgjohen të shtëna në qytetin e Pejës. The post Momenti nga të shtënat me armë në Pejë [video] appeared first on INSAJDERI. |
| Rritet numri i të vdekurve nga sulmet në Londër Posted: 07 Jun 2017 08:14 AM PDT Policia britanike ka konfirmuar sot numri i përgjithshëm i të vrarëve në sulmin e së shtunës në Urën e Londrës është rritur në tetë. Ndërkohë, sot më herët, policia, e cila po e kërkonte trupin e francezit Xavier THomas, i cili ishte zhdukur që nga sulmi i së shtunës, njoftoi se e ka gjetur një trup të pajetë në Lumin "Thames". Në sulmin e së shtunës, tre militantë e shkelen këmbësorët me furgon në trotuarin e urës para se t'i përdornin thikat për t'i sulmuar të tjerët. 48 persona u plagosen në këtë sulm, po ashtu. Të tre sulmuesit u vranë nga policia britanike. Ndërkohë, ISIS e mori përgjegjësinë për sulmin. Autoritetet britanike i identifikuan tre sulmuesit si, Khuram Shazad, shtetasi britanik, 27-vjeçari, Rachid Redouane 30-vjeçar, i cili gjithashtu jetonte në Londrën lindore dhe Youssef Zaghba 22-vjeçar. The post Rritet numri i të vdekurve nga sulmet në Londër appeared first on INSAJDERI. |
| Haradinaj: Jemi bërë bashkë për një shtet të së drejtës Posted: 07 Jun 2017 08:06 AM PDT Ramush Haradinaj ka vizituar sot Junikun, ku ka mbajtur edhe një takim me qytetarë. Kreu i AAK-së, u ka thënë junikasve se ai me Kadri Veselin e PDK-së dhe Fatmir Limajn e Nismës, u bënë bashkë për shtet të së drejtës dhe zhvillim të hovshëm ekonomik. “Jemi bërë bashkë edhe për një shtet të së drejtës dhe për një zhvillim të hovshëm ekonomik. Kosova nuk guxon të mbetet e fundit në rajon! Këtë ia kemi borxh të kaluarës, të tashmës dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Haradinaj. Kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, thotë së është zotuar se Qeveria do t'i japë zgjidhje problemeve të qytetarëve. “Në Junikun e fjalës e të besës u zotova se Qeveria jonë do t'i jap zgjidhje halleve dhe problemeve të qytetarëve. Do të punojmë bashkë, do të krijojmë kushtet më të mira dhe sigurojmë mbështetje të vazhdueshme për sipërmarrësit – bizneset e vogla dhe të mesme në vend, sepse vetëm kjo qasje mund të rezultojë me hapjen e vendeve të reja të punës”, deklaroi Haradinaj. /Insajderi.com
The post Haradinaj: Jemi bërë bashkë për një shtet të së drejtës appeared first on INSAJDERI. |
| Caktohen gjyqtarët e ndeshjes Kosovë – Turqi Posted: 07 Jun 2017 08:02 AM PDT FIFA ka caktuar gjyqtarin e ndeshjes mes Kosovës dhe Turqisë. Tashmë janë caktuar dhe gjyqtarët që do të ndajnë drejtësinë në ndeshjen mes Kosovës dhe Turqisë. Gjyqtari kryesor do të jetë gjyqtari çek, Miroslav Zelinka, i ndihmuar nga Ondrej Pelikan dhe Jan Patak. Ndërsa, gjyqtari i katër do të jetë Radek Prihoda. Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë do të luhet të dielën në 'Loro Boriëi' në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 'Rusia 2019'. The post Caktohen gjyqtarët e ndeshjes Kosovë – Turqi appeared first on INSAJDERI. |
| Behxhet Pacolli: Me Vetëvendosjen po, me PDK kurrsesi Posted: 07 Jun 2017 07:59 AM PDT Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se koalicioni LDK-AKR mund të krijojë koalicion paszgjedhor me Vetëvendosjen, por Pacolli ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me koalicionin PDK-AAK-NISMA. Në një intervistë me Deutsche Welle, presidenti i AKR-së ka deklaruar se koalicioni paszgjedhor me VV-në “ësht[ goxha afër”. DW: A mund të bashkëpunoni me koalicionin PAN apo me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve? Unë besoj se jemi goxha afër me Vetëvendosjen. Ne do të bisedojmë me ta dhe do të unifikojmë disa synime tonat. DW: Pra jenit të gatshëm për bisedime me Vetëvendosjen? Pacolli: Unë besoj që po, sepse pavarësisht dallimeve dhe problemeve me doktrinën e tyre politlike, synimi i tyre, veç partive të bllokut tonë, është shumë i pastër. DW: Ju keni pasur ca probleme me partitë e koalicionit PAN. A do të thotë kjo se nuk do të bashkëpunoni me këtë koalicion, sepse flitet që keni pasur edhe probleme personale me disa prej tyre? Pacolli: Jo probleme personale, absolutisht jo, sepse unë nuk jam një person që udhëhiqet nga parimet apo tekat personale në politikë. Por besoj se politikisht bashkëpunimi me PDK është pothuajse i pamundur. The post Behxhet Pacolli: Me Vetëvendosjen po, me PDK kurrsesi appeared first on INSAJDERI. |
| Ymeri: Me 11 qershor, i japim fund ‘Prontokracisë’ Posted: 07 Jun 2017 07:51 AM PDT Në tubimin në Rahovec kryetari i VETËVENDOSJE-s Visar Ymeri prezantoi listën e kandidatëve të zonës duke thënë se secili është më i mirë se tjetri dhe më i mirë se cilido kandidat në listat e këtyre zgjedhjeve. Në vazhdim, mbi lidhjen e ngushtë të Lëvizjes me popullin, Ymeri tha, "mbështetja juaj është e thjeshtë dhe e qartë siç janë të gjitha punët e mira, siç është edhe diskutimi ynë për Republikën. Idetë tona për të ndërtuar Kosovën kanë ardhur nga populli i Kosovës, nga ata njerëz që dhanë jetën e punuan për vendin. Të gjithë këta, me zemër, na kanë dhënë pa kufizim edhe ndihmë, edhe ide, edhe përkrahje." Për Ymerin idetë e VETËVENDOSJE-s janë vizioni i vetë qytetarëve për Republikën e Kosovës. Ndërsa përballë dhe në kundërshtim me Lëvizjen, sipas tij, "janë ata që vinë të veshur me arrogancë, që nuk dëgjojnë dhe që duan një popull memec." Ymeri përsëriti vizionin e Lëvizjes duke thënë se, "objektivi ynë është të ndërtojmë një shoqëri ndryshe për të jetuar. Ku qytetarët nuk kanë vetëm një punë ku paguhen, por edhe një vend të dinjitetshëm në shoqëri." Në funksion të këtij ideali, kryetari i VETËVENDOSJE-s rikutoi premtimin për realizimin e ligjit për mbrojtjen e prodhimeve vendore dhe njësimin e tregut për këto prodhime me Shqipërinë. Sipas tij, ky ligj po ashtu forcon pozitat e shqiptarëve në rajon. I bindur në programin e Lëvizjes, Ymeri tha se "qeverisja e VETËVENDOSJE-s do t'i mbjellë tokat, do të ndriçojë mendjen dhe do të hapë zemrat." Ymeri po ashtu nuk ngurroi së sulmuari kundërshtarët e tij politik duke thënë, "organizimi që kanë ngritur pushtetarët nuk është Republika, por Prontokracia. Me 11 qershor i japim fund me vijën tonë të kuqe Prontokracisë." Në mbyllje të tubimit u ripërsërit zotimi i Lëvizjes se "ne jemi të vendosur që asnjë sakrificë e popullit të mos shkojë kot". The post Ymeri: Me 11 qershor, i japim fund ‘Prontokracisë’ appeared first on INSAJDERI. |
| Katër persona të plagosur në Pejë, dy prej tyre fëmijë Posted: 07 Jun 2017 07:37 AM PDT Katër persona janë plagosur me armë zjarri në Pejë, ka konfirmuar Policia e Kosovës për rajonin e Pejës. Sipas policisë, dy prej të plagosurve janë fëmijë. Njësitet relevante të policisë së Kosovës menjëherë iu kanë përgjigjur vendit të ngjarjes, dhe sipas të dhënave të para është mësuar se nga të shtëna me armë zjarri janë të plagosur katër (4) persona, dy (2) nga të plagosurit ishin të involvuar në rast, ndërsa dy (2) personat e mitur ishin kalimtar rasti. Të plagosurit me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për t'ju ofruar ndihma adekuate mjekësore me ç 'rast dy (2) nga të plagosurit (të involvuarit) në këtë rast nën përcjelljen e Policisë së Kosovës janë dërguar në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm, sipas vlerësimit të ekipit mjekësor të Spitalit Rajonal Pejë. Personat e plagosur në këtë rast janë: B.K. m/k/sh (1983) N.K. m/k/sh (1976) B.R. f/k/sh (e mitur) G.L. m/k/sh (i mitur) Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e personave të dyshuar të këtij rasti. Rreth orës 16:05 njësitet policore të DRP Pejë kanë arritur të arrestojnë katër (4) persona të dyshuar dhe janë konfiskuar tri (3) armë të kalibrave dhe llojeve të ndryshme.
The post Katër persona të plagosur në Pejë, dy prej tyre fëmijë appeared first on INSAJDERI. |
| You are subscribed to email updates from INSAJDERI. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |






