INSAJDERI: “Vonesat për formimin e Qeverisë zvarrisin liberalizimin e vizave” plus 19 more

INSAJDERI: “Vonesat për formimin e Qeverisë zvarrisin liberalizimin e vizave” plus 19 more


Vonesat për formimin e Qeverisë zvarrisin liberalizimin e vizave

Posted: 13 Jun 2017 10:27 AM PDT

Vonesat eventuale rreth formimit të Qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, vlerësohet se do ta ngadalësonin procesin e liberalizimit të vizave.

Njohës të çështjeve të integrimeve evropiane thonë se edhe nëse Qeveria formohet pa vonesa, mund të ketë efekte pozitive në procesin e liberalizimit, sikurse që mund të ketë efekte negative zvarritja.

Por, nuk përjashtohet as mundësia që procesi të ngecë edhe në Bashkimin Evropian, ku besohet se te disa vende anëtare të BE-së, nuk ka shumë vullnet që Kosovës t'i hiqen vizat.

Zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë nuk kanë nxjerrë një koalicion apo parti politike si fituese bindëse të zgjedhjeve, duke krijuar kështu vështirësi të mëdha në krijimin e Qeverisë së re.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e krijimit të Qeverisë së re nënkupton faktin se është e pamundur që të shkohet më tutje me ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe të bëhen hapa konkret në luftimin e korrupsionit. Sipas tij, këto janë edhe kriteret që duhet të plotësohen, që t'i hapet rrugë liberalizimit të vizave.

"Ne urojmë që të mos ketë ngërç polik, por rezultat preliminare që dalin nga zgjedhjet, nuk janë optimiste në raport më atë se mund të kemi një formim të Qeverisë se re në afat shkurtër. Dhe, vonesat që do te jenë, për çfarëdo arsye në krijimin e Qeverisë, do të kenë ndikimin e përgjithshëm në gjithë ciklin e politikëbërjes, dhe në këtë perspektivë, natyrisht që do ta afektonte edhe procesin që ndërlidhet ngushtë me plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave", thekson Ujkani.

Kosova, shton Ujkani ka humbur hapin në procesin e liberalizimit të vizave. Sipas tij, në dy vjetët e fundit është shënuar regres i madh në këtë proces.

Procesi i liberalizimit të vizave ishte konsideruar i bllokuar për shkak të mosarritjes së përmbushjes së dy kushteve të fundit, ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Megjithatë, Besa Shahini njohëse e integrimeve evropiane, procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën e konsideron më të komplikuar.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Shahini thotë se ky proces ka ngecur në Bashkimin Evropian dhe jo në Kosovë.

"Procesi i liberalizimit të vizave, ne kemi një përshtypje që ka mbetur këtu dhe ngecja ka ndodhur në Kosovë, por ngecja nuk është në Kosovë. Teknikisht, për të zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave duhet të kalohet Marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe duhet të luftohet korrupsioni, në një masë që është i pranueshëm për Komisionin Evropian".

"Por, edhe nëse ndodhin këto të dyja, procesi zhbllokohet në Parlamentin Evropian, pastaj ajo kalon në Këshill të Ministrave, e që unë besoj që do të jetë i bllokuar prapë, pasi që vendet e Bashkimit Evropian nuk janë të interesuara që në këtë fazë, t'i japin mundësi Kosovës për liberalizimin e vizave, për shkak të rrezikut për migrim", thekson Shahini.

Kosova dy vjet më parë u përball me valën më të rëndë të ikjes të qytetarëve të saj drejt shteteve të BE-së.

Shahini thekson se edhe në rastin më të mirë, që do të përfshinte procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, procesi do të merr kohë.

"Pjesët teknike që kanë mbetur të kryhen në Kosovë, janë sfida që duhet të kalojnë, mirëpo nuk ta garantojnë se mund të merret liberalizimi i vizave. Edhe në rastin më të mirë nëse kalohen këto pika – ratifikimi i demarkacionit dhe luftimi i krimit e korrupsioni- kalon në Parlament edhe kalon edhe në Këshill të Ministrave, që unë nuk e besoj, pasi që nuk po shoh disponim në BE. I gjithë procesi do të merr 1 vit prej tani", thekson Shahini.

Sidoqoftë, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mbetet një nga temat dhe çështjet më të diskutuara viteve të fundit. Premtimet për liberalizimin e vizave për Kosovën nga liderët politikë dhe përfaqësues të institucioneve të vendit ishin bërë që nga viti 2010.

Komisioneri i BE-së për Negociata dhe Zgjerim, Johanes Hahn ka kërkuar së fundit që Kosova të formojë një Qeveri pro-evropiane dhe t'i qaset punës rreth plotësimit të kritereve të fundit, në mënyrë që Bashkimi Evropian më pastaj të marrë hapin tjetër, drejt heqjes së vizave.(REL)

 

The post Vonesat për formimin e Qeverisë zvarrisin liberalizimin e vizave appeared first on INSAJDERI.

Mattis: Shtetet e Bashkuara po humbin në Afganistan

Posted: 13 Jun 2017 10:15 AM PDT

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, i ka thënë Kongresit se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke fituar në Afganistan dhe se gjatë muajit korrik do të prezantojnë një strategji të re duke synuar ndryshimin e situatës.

Mattis gjithashtu ka thënë në dëshminë e Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, se goditjet e fundit kundër forcave qeveritare siriane kanë qenë në vetëmbrojtje, pasi sipas tij Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrur të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur ushtarët e saj në terren.

“Ne nuk jemi duke fituar tani në Afganistan. Do ta korrigjojmë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë ai duke shtuar se Pentagoni ka gjasa të kërkojë një rritje prej 3-5 për qind të buxhetit të saj nga 2019 deri në vitin 2023.

Në Shtetet e Bashkuara, mediat kanë raportuar se Mattis do të rekomandojë dërgimin e 3,000 deri në 5,000 trupave amerikane për të shkatërruar, atë që ai e quajti “bllokadë” midis forcave të mbështetura nga SHBA-të dhe talibanëve.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar një dron të armatosur të qeverisë siriane i cili kishte sulmuar forcat e mbështetura nga SHBA-të, në Siri. Në po të njejtën ditë, këto forca të mbështetura nga SHBA-të, sulmuan dy kamionë të qeverisë siriane afër qytetit jugor, At Tanf, njofton rel.

Rusia në anën tjetër ka thënë më 10 maj, se i konsideron të papranueshme sulmet e Shteteve të Bashkuara kundrejt forcave qeveritare në Siri.

 

The post Mattis: Shtetet e Bashkuara po humbin në Afganistan appeared first on INSAJDERI.

“Përfaqësuesja e Kosovës duket si bandë”

Posted: 13 Jun 2017 10:05 AM PDT

Trajneri i njohur kosovar, Ismet Munishi, nuk e ka pranuar humbjen e thellë të Kombëtares së Kosovës.

Munishi e ka kritikuar lojën e përfaqësueses kosovare ndaj Turqisë, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

"6 ndeshje, 18 gola të pësuar, 3 gola për ndeshje. Kjo do të jetë historia më e zezë e përfaqësueses së Kosovës. Edhe Burundi është 30 vende para nesh në ranglistën e FIFA-s. Ndeshja me Turqinë ishte katastrofa e radhës. Nuk ishim dinjitozë kundër një Turqie me probleme, e cila nuk luajti mirë. Ne nuk jemi ekip, dukemi si bandë. E ju vazhdoni me tregu përralla me mbret", ishin fjalët e Munishit në rrjetet sociale.

Pas kësaj humbjeje, trajneri Bunjaki është vënë në një pozitë mjaft të vështirë.

Dhe ndeshja e radhës në shtator ndaj Kroacisë mund të jetë vendimtar për të ardhmen e tij në krye të përfaqësueses. /Insajderi.com

The post "Përfaqësuesja e Kosovës duket si bandë” appeared first on INSAJDERI.

Haziri: Nuk bëjmë koalicion me PDK-në

Posted: 13 Jun 2017 10:04 AM PDT

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, ka folur edhe për mundësitë e koalicioneve paszgjedhore.

Ai ka thënë se LDK nuk do të ketë asesi një koalicion me PDK-në.

"LDK ka takuar partnerët e koalicionit, jemi duke pritur rezultatin e kandidatëve, me të vetmit që nuk hyjmë në koalicion janë koalicioni i PDK-së, këtë e kemi bërë të ditur menjëherë pas rrëzimit të Qeverisë", ka thënë ai.

"Me LDK-në nuk kanë çfarë diskutojnë për këtë", ka shtuar ai.

Haziri në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se rregullat e njëjta vlejnë edhe për AAK-në që është në koalicion me PDK-në.

"Haradinaj përderisa është në koalicion të PDK-së ka rregullat e njëjta", ka deklaruar Haziri.

"AAK nuk mund të largohet nga ky koalicion, marrëveshja me partnerë është e kushtëzuar edhe në zgjedhjet lokale", thotë ai, njofton Klan Kosova.

"Nëse marrëveshjet politike shkelen atëherë askush askujt nuk i beson askujt. Ata kanë një marrëveshje politike, për dy nivele, nivel qendror dhe lokal, kjo është marrëveshja që e ka rrëzuar Veselin për postin për kryeministër".

The post Haziri: Nuk bëjmë koalicion me PDK-në appeared first on INSAJDERI.

Haziri: Ftesa e VV-së për koalicion është e vonuar, por e mirëpritur

Posted: 13 Jun 2017 09:53 AM PDT

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se thirrja e kandidatit për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, që LDK t'i bashkohet në një koalicion për formimin e Qeverisë, është e vonuar, por megjithatë e mirëpritur.

"Mendoj që është e vonuar, është dashur të ndodhë dje. Sot përkundër që është e vonuar është e mirëpritur, i takon të bëjë veprime të tilla, ne jemi unik me partnerët e koalicionit. Ne garantojmë që në raport me PDK-në, historia e partneritet është mbyllur", ka thënë ai.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se duhet të diskutohet çështja e bashkëpunimit me Vetëvendosjen. Por ai nuk ka pranuar që të flasë nëse LDK e pranon Albin Kurtin si kryeministër.

"Nuk mund të flasë se nuk e kemi diskutuar, nuk e ka kërkuar Vetëvendosja këtë", ka shtuar ai.

The post Haziri: Ftesa e VV-së për koalicion është e vonuar, por e mirëpritur appeared first on INSAJDERI.

Celina: Do të shkojë në njërën nga këto tre skuadra

Posted: 13 Jun 2017 09:48 AM PDT

Bersant Celina do të kalojë nga Manchester City në huazim tek njëra nga tri skuadrat e kategorisë së dytë angleze: Leeds United, Ipswich apo Bolton.

Në një prononcim për gazetën norvegjeze NRK, pas ndeshjes që Kosova U-21 e humbi ndaj Norvegjisë 5-0, Celina ka treguar se njëra nga tri skuadrat e “Championship” do të jetë skuadra e tij e ardhshme.

“Do të jetë njëra nga këto tri skuadra. Kështu që, do të shohim”, ka thënë mesfushori nga Prizreni, njofton Insajderi.

Celina u paraqit për 72 minuta në humbjen e Kosovës U-21 ndaj Norvegjisë U-21 me rezultat 5-0, që u zhvillua në qytetin ku ai ishte rritur në Norvegji, Drammen. /Insajderi.com

The post Celina: Do të shkojë në njërën nga këto tre skuadra appeared first on INSAJDERI.

E kërkon Napoli dhe Ajaxi, Rashica vazhdon me Vitessen

Posted: 13 Jun 2017 09:42 AM PDT

Milot Rashica ka vazhduar kontratën me Vitessen në Holandë, edhe pse mediat italiane kanë raportuar se ka pasur një interesim të Napolit në drejtim të sulmuesit kosovar.

Rashica ka nënshkruar kontratë të re me klubin holandez që e mban atë në Vitesse deri në vitin 2020.

Rashica debutoi për këtë klub në korrik të vitit 2015 në gara evropiane ndaj Southamptonit.

21-vjeçari në sezonin e fundit ka shënuar dy herë dhe ka asistuar nëntë herë.

"E ndjej veten mirë te Vitesse dhe e di se mund të zhvillohem edhe më shumë këtu. Pas ndeshjes me Kosovën do të pushoj, por mezi pres të zhvilloj ndeshjet në Ligën e Evropës", ka thënë Rashica për uebfaqen e klubit.

Agjenti i futbollistit, Altin Lala ka deklaruar para një muaji se për Rashicën kanë shprehur interesim Napoli, Ajaxi dhe PSV-ja. /Insajderi.com

The post E kërkon Napoli dhe Ajaxi, Rashica vazhdon me Vitessen appeared first on INSAJDERI.

Vuçiq e falënderon Putinin për ndihmën lidhur me Kosovën

Posted: 13 Jun 2017 09:39 AM PDT

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot i ka uruar presidentit, Vladimir Putin, Ditën e Rusisë, dhe i ka bërë thirrje për vizitë në Serbi.

"Jam i sigurt se marrëdhëniet miqësore tradicionale, të cilat karakterizohen me hapje, mbështetje dhe partneritet strategjik, në të ardhmen do të zhvillohen në mënyrë të suksesshme, në interes të popujve tanë dhe prosperitetit tët tyre", thuhet në urimin e zotit Vuçiq, raporton agjencia Beta.

Mëtutje, ai i ka shkruar Putinit, se Serbia e vlerëson lartë dhe falënderohet për ndihmën e Rusisë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe se nuk mund të matet mbështetja ruse për luftën diplomatike të Serbisë.

"E shfryrtëzoj këtë rast që juve, edhe njëherë, t'ju shpreh respektin tim personal dhe t'ju dërgoj ftesë për vizitë në Republikën e Serbisë, ku çdoherë jeni i mirëseardhur dhe mysafir i dashur", thuhet në urimin e Vuçiqit dërguar Putinit.

 

The post Vuçiq e falënderon Putinin për ndihmën lidhur me Kosovën appeared first on INSAJDERI.

Bieber refuzon të këndojë “Despacito”, fansat e gjuajnë me këpucë

Posted: 13 Jun 2017 09:38 AM PDT

Një fans i pakënaqur i Justin Bieber ka gjuajtur me këpucë këngëtarin, pasi që ai kishte refuzuar të këndojë këngën "Despacito", gjatë kësaj jave në festivalin "Summerburst" në Stokholm.

Javë më parë, në një klub nate në Nju Jork, Bieber nuk ka mundur të këndonte remixin e këngës së tij, "Despacito". Këngëtari nga Kanada në video është kapur duke kënduar "blah blah blah", në pjesën kur kënga është në spanjollisht.

“Nuk mund ta bëj,” i tha 23-vjeçar i pop turmës. “Nuk i di fjalët … Nuk mund ta bëj.”

Ky justifikim nuk e përmbushi të paktën një tifoz, i cili hodhi menjëherë këpucën e tij drejt këngëtarit.

“Mos më gjuani me gjëra, ju lutem”, u përgjigj Bieber, pasi i shpëtoi këpucës fluturuese. /Insajderi.com

The post Bieber refuzon të këndojë "Despacito", fansat e gjuajnë me këpucë appeared first on INSAJDERI.

Rezultatet nga komunat ku nuk ka përfunduar ende numërimi i votave

Posted: 13 Jun 2017 09:34 AM PDT

Komuna e Mitrovicës dhe Komuna e Prizrenat janë dy vendet e vetme në Kosovë ku nuk ka përfunduar ende numërimi i të gjitha votave.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), numërimi i votave është duke vazhduar në komunat e Mitrovicës dhe Prizrenit.

Në Komunën e Mitrovicës janë numëruar zyrtarisht 98.99 për qind të votave, nga të cilat prin koalicioni PDK-AAK-NISMA me 36.35 për qind të votave të fituara, raporton Insajderi.

Në vendin e dytë, në këtë komunë është radhitur Lëvitja Vetëvendosje me 36.02 për qind të votave të fituara. LDK është e treta me 23.04% të votave të fituara në Mitrovicë.

Ndërkaq, në Komunën e Prizrenit janë numëruar 99.08 për qind të votave, njofton KQZ. Nga numërimi i këtyre votave prin koalicioni PAN me 31.04 për qind të votave të fituara.

Vetëvendosje edhe në këtë komunë është radhitur e dyta, me 25.84 për qind të votave të fituara, raporton Insajderi.

LDK-AKR, në vendin e tretë, ka arritur të fitojë 17.33 për qind të votave. /Insajderi.com 

 

The post Rezultatet nga komunat ku nuk ka përfunduar ende numërimi i votave appeared first on INSAJDERI.

Veprimi ‘magjik’ që ju ndihmon të përmirësoni kujtesën

Posted: 13 Jun 2017 09:21 AM PDT

Ju duhet të kujtoni ndonjë fakt të rëndësishëm, që pas shumë përpjekjesh përsëri nuk ju vjen në mendje? Shkencëtarët thonë se kjo është shumë më e thjeshtë nga ç'e pandehni.

Mjafton të shtrëngoni grushtin dhe të përpiqeni përsëri. Ky veprim do t'ju sjellë në mendje pa asnjë problem të dhënat që po përpiqeni t'i mbani mend, apo ato që kishit harruar. E kush e mendonte se do të ishte kaq e thjeshtë të kujtosh diçka?

Ky zbulim vjen prej një studimi të ri që ka për autor Ruth Proper, një profesoreshë e asociuar dhe drejtoreshë e laboratorit të Universitetit Montclair. Proper prej kohësh ka qenë e intriguar në lidhje me impaktin që japin disa lëvizje të caktuara të trupit në tru.

Ajo ka qenë gjithnjë në kërkim të gjetjes së mënyrës së duhur, për të kuptuar sesi funksionon truri. Teksa shumica e njerëzve e kanë të qartë se është truri qendra kryesore që jep komandën për sjelljen e trupit, si për shembull truri i thotë trupit të lëvizë një gjymtyrë dhe indet e bëjnë këtë të mundur, është shumë më pak e kuptuar gjendja e kundërt, pra kur trupi e urdhëron trurin të bëjë një reagim të caktuar.

Kërkimet e mëparshme këshillonin se shtrëngimi i grushtit mund të provokojë emocione. Kur njerëzit shtrëngojnë dorën e djathtë, hemisfera e majtë e trurit bëhet më aktive. Ky reaksion njihet si "afrimi i emocioneve", të ndjenjave, siç janë lumturia apo ekzaltimi.

Duke shtrënguar dorën e majtë, njerëzit nxisin hemisferën e djathtë të trurit, e cila kontrollon "emocionet e tërheqjes", siç janë frika ose ankthi. Duket sikur kjo nuk është shumë e nevojshme, por këto dituri të ndihmojnë shumë në situata të rrezikshme.

Proper shtroi teorinë se nëse të shtrëngosh grushtin ndikon te ndjenjat, atëherë duke vepruar po kështu mund të ndikohet edhe në tru për të tjera nxitje.

Për të kuptuar sesi shtrëngimi i grushtit ndikon te kujtesa, ajo u kërkoi 51 personave që shkruanin me të djathtën, të mësonin përmendësh 72 fjalë dhe në mënyrë rastësore i kërkoi një nga pesë personave të shtrëngonte dorën.

Në studim u përfshinë vetëm personat që shkruanin me të djathtën, pasi mëngjarashët shfaqin një kujtesë episodike më të mirë, ndaj kjo do të përbënte një avantazh të padrejtë.

Autorja e studimit gjeti kombinimin perfekt për një kujtesë më të mirë. Kur një person shtrëngonte grushtin e djathtë, ndërsa memorizonte diçka, dhe shtrëngonte më pas grushtin e majtë kur dëshironte ta kujtonte atë, kjo sillte një kujtesë më të mirë.

Përfundimet janë interesante kur i krahason me gjendjen normale, kur asnjë veprim shtrëngimi nuk kryhet. Jep pothuajse 15 për qind më shumë rezultat sesa të mos bësh asgjë për të kujtuar.

Për ata që mendojnë se kjo është një gjë thuajse e padobishme, autorja e studimit Proper shprehet se një veprim kaq i thjeshtë, siç është shtrëngimi i dorës, mund të bëjë ndryshimin midis një tete dhe një dhjete në provim.

Është e qartë se studimi ka nevojë për më shumë eksperimente për ta provuar atë në masën më të sigurt dhe ndoshta në rezultate akoma më të larta, por përfundimet e deritanishme janë shumë frymëzuese për shkencëtarët që po merren me këtë studim, njofton gazeta-shqip.

Këshillohet se sa herë të keni nevojë të kujtoni diçka që ju duket gati e pamundur për t'ju ardhur në mendje, të shtrëngoni grushtin dhe të përpiqeni përsëri.

Nuk është diçka magjike, thjesht një zbulim i ri i funksionimit të ndërlidhur të trupit me mendjen.

 

The post Veprimi 'magjik' që ju ndihmon të përmirësoni kujtesën appeared first on INSAJDERI.

Votat e pavlefshme arrijnë në 7.2%

Posted: 13 Jun 2017 09:14 AM PDT

Zgjedhjet e mbajtura me 11 qershor, treguan për një rritje masive apo gati dyfishim të votave të pavlefshme, me një përqindje të frikshme,- rreth 7.2 përqind. Votat e pavlefshme në përqindje më të larta janë në bastionet e PDK-së, fenomen ky i dokumentuar edhe në zgjedhjet lokale.

Numri i qytetarëve që nuk kanë ditur të votojnë në këto zgjedhje apo që kanë votuar gabimisht, pothuajse është dyfishuar në raport me zgjedhjet e mbajtura në vitin 2014. Zgjedhjet e vitit 2017, nxorrën të pavlefshme një sasi rekord të votave. Nga 750 mijë votues që dolën në zgjedhjet e 11 qershorit, të pavelfshme u shpallën plot 7.2 përqind apo shprehur me numra , gati 55 mijë vota të pavlefshme.

Votat e pavlefshme në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2014 ishin 4.47 përqind, apo një rritje shumë e vogël krahasuar me votat e pavlefshme të 2010. Në zgjedhjet e mbajtura gjatë këtij viti,- në 2010, votat e pavlefshme ishin në nivelin e 4 përqindëshit, apo saktësisht 4.14 përqind.

Në bastionet e PDK-së, prin Drenasi me 2,446 vota të pavefshme ndërsa në Skenderaj ishin 1,966.

Shqetësim për numrin e madh të votave të pavlefshme përveç Partisë Demokratike të Kosovës, shprehu edhe Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim.

"Gjatë ditës së zgjedhjeve nuk ka pasur incidente serioze, por që janë regjistruar parregullësi gjatë votimit si cenim i fshehtësisë së votimit që është shprehur permes votimit familjar, votimi jashtë kabinave të votimit. Po ashtu, ai tha se pasaktësia e listës së votuesve vazhdon të mbetet element negativ në të gjitha proceset zgjedhore. Si dhe numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme ështe shqetësues", tha Albert Krasniqi nga organizata KDI.

PDK shprehu shqetësim veçmas për komunën e Drenasit, Betim Berisha nga Dega e PDK-së në Drenas, ka thënë se koalicioni PAN është dëmtuar nga rreth dy mijë fletëvotime të pavlefshme.

Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se ky trend po përsëritet në të gjitha zgjedhjet e parakohshme, njofton rtklive.com

​"Afatet e shkurta ndikojnë edhe në informimin publik, sidomos votuesit e rinj nuk dinë të votojnë. Ka ndoshta edhe arsye të tjera, edhe pse ne në fakt nuk e dimë saktësisht pse fletëvotimet janë të pavlefshme. Mundet të ketë edhe arsye tjera, ka edhe njerëz që janë të pakënaqur me gjithë situatën politike dhe thjeshtë e shprehin pakënaqësinë e tyre duke prishur fletëvotimin. Pra, ka lloj- lloj arsyesh. Por, ne vetëm pasi të bëjmë një analizë të përgjithshme të tyre, do të dimë se cilat janë arsyet kryesore", ka thënë Daka

The post Votat e pavlefshme arrijnë në 7.2% appeared first on INSAJDERI.

Demi: Si u dogjën AAK dhe NISMA nga koalicioni me PDK-në

Posted: 13 Jun 2017 09:10 AM PDT

Anëtari i Institutit GAP dhe analisti politik, Agron Demi, vlerëson se AAK me koalicionin me PDK-në e ka ndihmuar partinë e Kadri Veselit që të mbijetojë në skenën politike në Kosovë.

Demi thotë se dy partitë AAK-Nisma janë djegur nga bashkimi me PDK-në.

"AAK dhe Nisma kanë ndikuar në rritjen e kundërshtimit të qytetarëve në qeverisjen e PDK dhe LDK, duke kundërshtuar aktivisht politikat e qeverisë për demarkacionin dhe asociacionin. Por, në sekondat e fundit, duke lakmuar postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj i ra shkelëm krejt aktivitetit të tij opozitar dhe vendosi të ndaj përgjegjësinë me PDK – "me të keqen më të madhe të këtij vendi", qysh kish me thanë ajo e moçmja. Përderisa VV përfitoi nga mos ndryshimi i qëndrimeve, AAK-Nisma u djegën afër PDK", ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Demit, nëse nuk do të bëhej koalicioni PAN, AAK-ja dhe Nisma do të kishin bashkë mes 16 dhe 18 për qind të votave dhe PDK do të ishte partia e tretë, e që s'do të kishte probleme për krijimin e një qeverie pa PDK-në.

"Në rast se nuk do të hynin në koalicion me PDK, AAK-Nisma mund të merrnin 16-18% të votave. Kësisoj, PDK do të dilte partia e tretë, pas VV dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa. E sot, nuk do kishte asnjë problem në krijimin e një qeveria pa PDK. Për dallim nga LDK, të cilët së paku kanë qenë në pushtet me PDK, ani pse janë tradhtuar disa herë, AAK i ka ndihmuar mbijetesës së PDK, pa pas nevojë fare me nda pushtetin me ta", ka shtuar më tej ai. /Insajderi.com

The post Demi: Si u dogjën AAK dhe NISMA nga koalicioni me PDK-në appeared first on INSAJDERI.

Skandali i LDK-AAK në ndërmarrjen publike në Ferizaj

Posted: 13 Jun 2017 09:00 AM PDT

Nënkryetari i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Ferizaj, Izet Rushiti, në nëntor të vitit 2016 ishte vendosur në krye të ndërmarrjes Publike "Ambienti" në këtë komunë, ani pse ai në të njëjtën kohë ka qenë edhe asamblist komunal i koalicionit LDK-AAK.

Rushiti u zgjodh Kryeshef Ekzekutiv i kësaj ndërmarrje publike në vitin 2016, pavarësisht se e kishte të ndaluar me Ligjin për Ndërmarrjet Publike të emërohej në këtë post, pasi në të njëjtën kohë ka qenë edhe i zgjedhur i popullit në legjislativin komunal.

Sipas nenit 17 të këtij ligji që parasheh Kushtet e Kualifikimit dhe Përshtatshmërisë Profesionale për drejtuesit e ndërmarrjes publike, në krye të ndërmarrjes nuk mund të vie një person që "është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike".

Rushiti që në zgjedhjet komunale të vitit 2013 ishte zgjedhur këshilltar komunal nga AAK-ja, edhe pas marrjes së drejtimit të ndërmarrjes në vitin 2016, nuk kishte hequr dorë, deri kur Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) e mori vendimin, në qershor të vitit 2017.

Ndërkaq, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Izet Rushiti ndodhej në konflikt interesi dhe se duhej të hiqte dorë nga njëra pozitë.

"Pas informatës së marrë nga raportuesi i rastit, Agjencia kundër Korrupsionit ka filluar hetime administrative për gjendje të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Prandaj, zyrtari i lartë fillimisht është njoftuar me një shkresë zyrtare nga Agjencia kundër Korrupsionit, pas së cilës është organizuar një takim me zyrtarin e lartë", ka njoftuar AKK.

Sipas AKK-së, Rushiti ka dhënë dorëheqje nga posti i anëtarit të asamblistit në Komunën e Ferizajt, raporton Insajderi.

"Gjatë këtij takimi Rushiti ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga ky funksion publik – anëtar i Kuvendit Komunal në Ferizaj", thuhet ndër tjerash në arsyetimin e Kundër Korrupsionit.

Pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte pranuar dokumentin e dorëheqjes së Rushitit nga pozita e asamblistit, ajo e mbylli rastin ndaj tij.

"Mbyllet rasti për Izet Rushiti, Kryeshef Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike Lokale ‘Ambienti’-Ferizaj, për shkak se zyrtari i lartë ka dhënë dorëheqje nga funksioni Anëtar i Kuvendit Komunal në Ferizaj, prandaj është shmangur gjendja e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik", thuhet në vendimin e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Mirëpo AKK në vendimin e lëshuar me 12 qershor nuk ka treguar se nga cila datë ka dhënë dorëheqje Izet Rushiti, por vetëm se e ka mbyllur si rast dhe se mund ta hapë në çdo moment që mund të paraqiten fakte të reja.

Përgjegjësinë për funksionimin dhe emërimet në bordet e ndërmarrjet lokale i ka komuna. Ashtui siç në këtë rast përgjegjësia për këtë skandal i faturohet qeverisjes lokale. E Komuna e Ferizajt udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), e cila ka krijuar koalicion me AAK-në.

Emërimi i Izet Rushitit në krye të ndërmarrjes komunale "Ambienti", ishte kritikuar nga organizata Jo-Qeveritare IMPO në komunën e Ferizajt.

Sipas INPO-së ai ishte zgjedhur në këtë pozitë në mënyrë joprofesionale.

"Gjetjet tregojnë se përpilimi i testit me shkrim për të gjitha pozitat ka qenë joprofesional. Është kërkuar prej kandidatëve që  të shkruajnë ese për "Stinën e dimrit", "28 Nëntorin" ose "Pavarësinë e Kosovës", si dhe pyetje të tjera jo relevante për pozitat në të cilat kanë aplikuar kandidatët, është zgjedhur në këtë detyrë, ndonëse ka pasur pikë të barabarta me kandidatin tjetër", thuhet në gjetjet e INPO-së. /Insajderi.com

The post Skandali i LDK-AAK në ndërmarrjen publike në Ferizaj appeared first on INSAJDERI.

Ambasada britanike e shqetësuar me frikësimin e votuesve serbë

Posted: 13 Jun 2017 08:48 AM PDT

Me një kumtesë për medie Ambasada britanike ka mirëpritur raportin preliminar të Misionit Vëzhgues të BE-së dhe konkluzionet e tij për zgjedhjet në Kosovë.

Një demokraci e fortë dhe një sistem i shëndoshë zgjedhor është jetik për përparimin e Kosovës. Jemi të kënaqur që zgjedhjet u zhvilluan në një mënyrë shumë paqësore dhe se shumica e qytetarëve të Kosovës ishin në gjendje të shprehnin vullnetin e tyre demokratik përmes votës. Gjithashtu, përgëzojmë shoqërinë civile për rolin e saj të rëndësishëm në vëzhgimin e zgjedhjeve, njofton Ambasada britanike.

Megjithatë, shton kumtesa, raporti preliminar vë në dukje një numër shqetësimesh përfshirë edhe frikësimin e votuesve serbë të Kosovës, votimin jashtë Kosovës si dhe listat e pasakta të votuesve.

Kumtesa në fund shfaq shpresën se autoritetet e Kosovës do të ndërmarrin veprime ndaj atyre që janë përfshirë në frikësime apo keqpërdorime zgjedhore dhe të punojnë pa humbur kohë për të adresuar dobësitë e identifikuara në sistemin zgjedhor. /Insajderi.com

The post Ambasada britanike e shqetësuar me frikësimin e votuesve serbë appeared first on INSAJDERI.

Kina nis me 5G-në, shpejtësia 7 Gbps

Posted: 13 Jun 2017 08:34 AM PDT

"Huawei" ka përfunduar verifikimin e zgjidhjeve teknologjike të "5G"-së. Kompania kineze, e konsideruar udhëheqës global në fushën e informacionit, teknologjisë dhe komunikimit, e realizoi provën në terrenin më të madh të testimit, atë të "Huairou"-së në Pekin.

"Niveli i transferimit të të dhënave për 'smartphone'-t mbërriti 7 Gbps. Kjo është një shpejtësi e paprecedentë në rrjetet e telefonisë së lëvizshme. Tani kemi shumë indekse teknike që klasifikohen në vendin e parë në rang ndërkombëtar kundrejt teknologjive të tjera të avancuara të botës", tha Tong Wen, shkencëtar i "Huawei"-t.

Kjo është e dyta e 3 fazave të testimit të organizuara nga grupi promovues i kësaj teknologjije, "IMT-2020", i krijuar në vitin 2013 për koordinimin e përpjekjeve të operatorëve më të mëdhenj të shërbimit të telefonisë së lëvizshme në vend, prodhuesve dhe instituteve kërkimore.

Testet e nisura një vit më parë duhet të përfundojnë në vitin 2018 dhe përfshijnë verifikimin kyç të teknologjisë, atë të zgjidhjeve teknologjike dhe në fund, verifikimin e sistemit.

Standartizimi ndërkombëtar i "5G"-së, sipas kreut të Komitetit të Konsultimit Strategjik në Shoqatën kineze në Stadardeve të Komunikacionit, Xi Guohua, nisi në vitin 2017 dhe niveli i parë i tij duhet të kompletohet nga fundi i vitit.

Komercializimin e rrjeteve "mobile" "5G", Kina synon ta arrijë në vitin 2020. Shpejtësia e internetit që ajo premton të sjellë mjafton për të shkarkuar një film në format "Ultra HD" në më pak se 10 sekonda.

The post Kina nis me 5G-në, shpejtësia 7 Gbps appeared first on INSAJDERI.

Hagë: Ka filluar rigjykimi i dy të dyshuarve për krime të luftës nga Serbia

Posted: 13 Jun 2017 08:22 AM PDT

Rigjykimi i dy ish-zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, të akuzuar për krime të luftës gjatë luftërave ballkanike në vitet e 90-ta, ka filluar sot në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë.

Prokurori Douglas Stringer, i tha panelit të përbërë nga tre gjyqtarë në Hagë, se Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, kanë luajtur rol kryesor në lehtësimin e mizorive nga paramilitarët serbë në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Prokurori Stringer tha se Stanishiq, 66 vjeçar, dhe zëvendësi i tij, Simatoviq, 67 vjeçar, "kanë bërë që këto krime të ndodhin nëpërmjet drejtimit të tyre dhe mbështejtes së vazhdueshme për forcat serbe, që janë përdorë për t'i kryer ato".

Këta dy persona ishin liruar në vitin 2013 lidhur me akuza për krime të luftës, pasi gjyqtarët që kishin vendosur për këtë rast kishin thënë se nuk kishte dëshmi të mjaftueshme për lidhjen e tyre me krime.

Por, gjyqtarët e apelit, në vitin 2015, e kanë rrëzuar këtë vendim duke thënë se kishin ndodhur disa gabime juridike në procesin gjyqësor, njofton rel.

Rrjedhimisht, ishte vendosur që Stanishiq dhe Simatoviq të rigjykoheshin për katër pika për krime kundër njerëzimit dhe një pike për krime të luftës, të kryera nga njësitë serbe të vdekjes në Bosnjë dhe Kroaci, pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, në vitin 1991.

 

The post Hagë: Ka filluar rigjykimi i dy të dyshuarve për krime të luftës nga Serbia appeared first on INSAJDERI.

Harta zgjedhore 2017 me subjektet fituese nëpër komuna

Posted: 13 Jun 2017 08:18 AM PDT

Demokracia në Veprim ka prezantuar një uebfaqe të veçantë me hartën zgjedhore 2017 në të cilën ka treguar subjektet fituese në të gjitha komunat.

Në këtë hartë me ngjyra sipas subjekteve shihet se koalicioni PAN ka fituar në 14 komuna. Lista Serbe ka fituar në dhjetë komuna. Vetëvendosje ka fituar në nëntë komuna e koalicioni LAA në katër komuna. KDTP ka fituar Mamushën.

Shiko hartën duke klikuar KËTU.

The post Harta zgjedhore 2017 me subjektet fituese nëpër komuna appeared first on INSAJDERI.

Korea e Veriut liron studentin amerikan

Posted: 13 Jun 2017 08:16 AM PDT

Koreja e Veriut ka liruar studentin amerikan Otto Warmbier, i cili është mbajtur atje rob që nga janari i vitit 2016, tha të martën sekretari i shtetit të SHBA-ve Rex Tillerson.

Warmbier, një student i Universitetit të Virxhinias, po kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha Tillerson në një deklaratë, raporton Reuters.

Departamenti i Shtetit po vazhdon të diskutojë situatën e tre amerikanëve të tjerë të ndaluar me Korenë e Veriut, tha Tillerson. /Insajderi.com

The post Korea e Veriut liron studentin amerikan appeared first on INSAJDERI.

Numërohen mbi 99% të votave në Prizren: Ky është rezultati

Posted: 13 Jun 2017 07:57 AM PDT

Janë numëruar 99.08 për qind të votave në Komunën e Prizrenit, njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, nga numërimi i mbi 99 për qind të votave, PDK ka arritur të fitojë 17.636 vota, apo 31.04%.

Në vendin e dytë është radhitur Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka arritur të fitojë 14.679 vota në këtë komunë, apo 25.84% të votave, raporton Insajderi.

Koalicioni LDK-AKR numëron 9.844 vota në Komunën e Prizrenit, dhe radhitet në vendin e tretë në këtë komunë.

Në Prizren, një parti turke ka arritur të fitojë mbi 8 për qind të votave. Është Partia Demokratike e Turqve të Kosovës që ka arritur të fitojë 8.37 për qind të votave. /Insajderi.com

 

The post Numërohen mbi 99% të votave në Prizren: Ky është rezultati appeared first on INSAJDERI.