INSAJDERI: “Rafa Benitez reagon pas vdekjes së ish-futbollistit të tij” plus 19 more

INSAJDERI: “Rafa Benitez reagon pas vdekjes së ish-futbollistit të tij” plus 19 more


Rafa Benitez reagon pas vdekjes së ish-futbollistit të tij

Posted: 05 Jun 2017 09:31 AM PDT

Menaxheri i Newcastle United, Rafa Benítez, ka reaguar pas vdekjes tragjike të ish-futbollistit të Newcastle, Cheick Tiote.

Tiote vdiq të hënën në moshën 30-vjeçare, gjatë stërvitjeve me skuadrën kineze Bejing Enterprises, ku luante gjatë vitit të fundit.

Benítez – i cili ka punuar me ish-mesfushorin e Bregut të Fildishtë – vlerësoi karakterin dhe profesionalizmin e tij.

“Është një trishtim i madh që këtë pasdite kam mësuar për vdekjen e Cheick. Gjatë gjithë kohës që e kam njohur, ai ishte një profesionist i vërtetë, i përkushtuar dhe mbi të gjitha, një njeri i madh”, ka thënë Benitez. /Insajderi.com

The post Rafa Benitez reagon pas vdekjes së ish-futbollistit të tij appeared first on INSAJDERI.

SHBA: Pesë të vrarë nga të shtënat në Orlando

Posted: 05 Jun 2017 09:28 AM PDT

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara thonë se pesë njerëz janë vrarë në vendin e tyre të punës, afër qytetit Orlando në Floridë.

Sherifi i Qarkut Orange, Jerry Demings, u tha sot reporterëve se personi i armatosur ishte një ish i punësuar i pakënaqur, që ishte shkarkuar në muajin prill.

Demings tha se ky person i armatosur e ka vrarë edhe vetveten.

Katër vetë ishin vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pesti kishte vdekur në spital, tha Jerry Demings.

Sipas tij, besohet se të shtënat nuk kanë asnjë lidhje me terrorizëm.

Demings tha se sulmuesi i dyshuar, 45 vjeçar, i cili nuk është identifikuar publikisht, ishte i involvuar në incidente të mëparshme të dhunshme në vendin e punës.

Por, në këtë rast ai nuk ishte akuzuar, njofton rel.

Orlando ishte vendi i të shtënave masive nga një person i armatosur, i cili i vrau 49 vetë në një klub të natës të homoseksualëve në qershor të vitit 2016.

 

The post SHBA: Pesë të vrarë nga të shtënat në Orlando appeared first on INSAJDERI.

Vdes ish-futbollisti i Newcastle, Cheick Tiote

Posted: 05 Jun 2017 09:22 AM PDT

Ish-mesfushori i Newcastle United, Cheick Tiote, ka vdekur në moshën 30-vjeçare, gjatë një sesioni të ushtrimeve në Kinë.

Lajmin e ka konfirmuar një zëdhënës i lojtarit, njofton BBC.

Gjatë shtatë viteve në Newcastle, lojtari nga Bregu i Fildishtë, ka bërë mbi 150 paraqitje, duke përfshirë këtu tri gjatë stinorit të kaluar.

Në shkurt, ai vazhdoi karrierën e tij në Kinë.

Tiote ka qenë në ekipin kombëtar në Kupën e Afrikës në vitin 2015.

Ai filloi karrierën e tij profesionale në Belgjikë me Anderlechtin në vitin 2005, para se të transferohej tek Twente në Holandë, ku ka luajtur 86 herë dhe ka fituar titullin kampion në vitin 2010./Insajderi.com

The post Vdes ish-futbollisti i Newcastle, Cheick Tiote appeared first on INSAJDERI.

100 prokurorë angazhohen për zgjedhjet e 11 qershorit

Posted: 05 Jun 2017 09:19 AM PDT

Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve, prokurorja Laura Pula, sot ka marrë pjesë në thyezën e organizuar në Gjakovë dhe Pejë nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me Demokracia në Veprim (DNV), me titull: "Drejtësi zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit".

Në fjalën e saj të mbajtur para pjesëmarrësve, prokurorja Pula ka thënë Prokurori i Shtetit ka ndërtuar një sistem dhe praktike të mirë, e cila do te avancohet edhe me shumë në zgjedhjet e 11 qershorit, për të krijuar një ambient të sigurt, ku qytetarët do të ndihen të lirë për të zhvilluar procesin e zgjedhjeve. Ajo tha se me qëllim të ngritjes se bashkëpunimit ndërinstitucional, Prokurori i Shtetit ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me KQZ-në, PZAP-in, Policin e Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku janë krijuar procedura standarde të veprimit me qëllim të specifikimit të veprimeve të përbashkëta në të gjitha rastet që ndodhin gjatë procesit zgjedhor.

Koordinatorja Pula po ashtu ka thënë se për zgjedhjet e 11 qershorit janë angazhuar 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i stafit mbështetës në tërë Republikën e Kosovës dhe së bashku me hetuesit nga Policia e Kosovës do të veprojnë menjëherë në ndalimin e personave të cilët do të veprojnë kundër të drejtës së votimit.

Sipas prokurores Laura Pula, Kodi i Ri Penal parasheh 11 vepra penale kundër të drejtës se votimit, të cilat konsiderohen krime të renda dhe parashihen dënime të ashpra, andaj për të gjithë shkelësit e mundshëm do të merren të gjitha masat e parapara ligjore.

Në fund të fjalës së saj, prokurorja Pula ka ftuar që çdo parregullsi të raportohet tek vëzhguesit, komisionerët, stafi përcjellës i KQZ-së, Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, nga se si njësi mobile do të reagojnë menjëherë, posa të dyshohet së është keqpërdorë e drejta e votës.​

The post 100 prokurorë angazhohen për zgjedhjet e 11 qershorit appeared first on INSAJDERI.

Filmi i ri për Tupac – si ia shprehu dashurinë të dashurës [video]

Posted: 05 Jun 2017 09:13 AM PDT

Një muaj përpara lansimit të filmit të shumëpritur, tani fansat mund të shikojnë një sekuencë të biografisë së Tupakut "All Eyez On Me".

Mbrëmë , ekipi i filmit paraqiti një skenë ekskluzive në MTV Movie & TV Award, me aktorin DeDemetrius Shipp, i cili luan rolin e Tupac dhe Kat Graham, aktorja e cila e luan rolin e të dashurës së reperit, Jada Pinkett.

Në video, Tupac me një poemë të cilën e kishte shkruar, shpreh dashurinë e tij për Jada-n, të dashurën të cilën e kishte që nga koha e shkollës së mesme.

"Ti je omega e zemrës sime", fillon poema e Tupakut.

"Ti je themeli për konceptin tim të dashurisë/kur mendoj se si një grua me ngjyrë duhet të jetë/Ti je ajo për të cilën më shkon mendja së pari",  i thotë Tupac, Jadas. /Insajderi.com

Filmi i ri për Tupac – si ia shprehu dashurinë të dashurës

The post Filmi i ri për Tupac – si ia shprehu dashurinë të dashurës [video] appeared first on INSAJDERI.

Ish-trajneri i kombëtares: De Biazi nuk është më lider

Posted: 05 Jun 2017 09:07 AM PDT

Ish-trajneri i Kombëtares dhe aktualisht analist pranë "SuperSport", Astrit Hafizi, është treguar shumë kritik pas humbjes së djeshme të Kombëtares me Luksemburgun. Në fjalën e tij pas sfidës, Hafizi deklaroi se pa një skuadër të pamotivuar, ashtu si edhe trajnerin De Biazi.

"Ishte një miqësore që nuk vlejti fare për Izraelin. Skuadra m'u duk e pamotivuar. Edhe trajnerin e pashë në një situatë të tillë, pasi nuk kishte atë drejtim që i ka bërë më parë ekipit nga stoli. Kam përshtypjen se janë të njëjtit lojtarë që nuk po lënë asnjë gjurmë. Kanë marrë Grezdën, ndërsa më parë Llullakun, që nuk kanë lidhje fare me Kombëtaren", ka thënë ai.

"Ka edhe lojtarë si Lenjani, që ka humbur orientimin dhe disa reflekse, që ndodhin natyrshëm kur ke një kohë të gjatë pa luajtur. Ai humbi raste të çuditshme në 5-metërsh. Janë disa gjëra që nuk shkojnë. Edhe Kaçe mendoj se stonoi, pasi ishte i shkëputur nga grupi. Jam skeptik për të ardhmen, ekipi nuk është i stabilizuar", tha fillimisht Hafizi në analizën e tij.

"Lideri i skuadrës duhet të jetë trajneri. Të tjerët në fushë, që nga kapiteni janë vetëm ndihmës të tij. Tani nuk është më as lider ai. Na ka ikur boshti i skuadrës. Nuk mund të jetë vetëm kapiteni lideri në ekip. Boshti po prishet, me largime të disa lojtarëve. Gjimshiti, me largimin në disa ndeshje, ka mbetur vetëm Mavraj", shton ai.

"Në mesfushë ka ikur Xhaka dhe ka ndryshuar shumë. Në sulm, herë Cikalleshi dhe herë Sadiku e nuk dimë se cili luan", deklaroi ndër të tjera Hafizi gjatë analizës së tij që i bëri humbjes së Shqipërisë në Luksemburg, njofton panorama-sport.

Hafizi prej kohësh po tregohet shumë kritik ndaj teknikut italian të Kombëtares.

The post Ish-trajneri i kombëtares: De Biazi nuk është më lider appeared first on INSAJDERI.

VV shpenzon dy herë më pak në fushatë sesa dy koalicionet e tjera

Posted: 05 Jun 2017 09:01 AM PDT

Në llogaritjet që ka bërë “Demokracia Plus dhe Çohu!” për shpenzimet epartive politike në katër ditët e para të fushatës zgjedhore, del se Vetëvendosje (VV) ka shpenzuar dy herë më pas të holla se sa dy koalicionet tjera PDK-AAK-NISMA dhe LDK-AKR.

Derisa dy koalicionet e tjera harxhuan nga mbi 100 mijë euro për fushatë, Vetëvendosje ka harxhuar mbi 30 mijë euro (35,900 euro).

Të gjeturat, sipas kumtesës së “Demokracia Plus dhe Çohu”, përfshijnë:

Për shpenzimet në gazeta prinë koalicioni LDK, AKR dhe Alternativa me 3560 euro të shpenzuara për katër ditë, përderisa PDK, AAK dhe Nisma kanë shpenzuar 3250 euro. Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar vetëm 260 euro për katër ditët e para të fushatës.

Numrin më të madh të reklamave për subjektet politike e ka pasur gazeta Zëri me 41 reklama, përderisa Epoka e Re me 18 sosh. Gazetat e tjera ditore kanë pasur një numër shumë më të vogël të reklamave.

D+ dhe Çohu! po ashtu kanë bërë monitorimin e televizioneve RTK, KTV, Klan Kosova dhe RTV 21. PDK, AAK dhe Nisma në këtë periudhë kanë shpenzuar 55,251 euro në transmetime të reklamave në media. LDK, AKR dhe Alternativa shpenzuan 25,970 euro, përderisa Lëvizja Vetëvendosje ka paguar 3,661 euro për transmetime. Partitë tjera politike kanë shpenzuar 5,883 euro.

Në anën tjetër është vërejtur një numër i madh i reklamave në portale online për këto katër ditë, të cilat janë monitoruar në bazë të ofertave të vetë këtyre portaleve. Nga monitorimi vërehet se PDK, AAK dhe Nisma kanë shpenzuar 23,350 euro, ndërsa LDK, AKR dhe Alternativa kanë shpenzuar 20,500 euro në këto reklama për katër ditë.

Spotet televizive të transmetuara për të njëjtën periudhë janë vlerësuar me këto shifra: PDK, AAK dhe Nisma kanë pasur vlerë të përafërt të spoteve prej 17,300 euro. LDK, AKR dhe Alternativa kanë pasur 21,400 euro, përderisa Vetëvendosje është vlerësuar se ka shpenzuar më së paku në xhirimin e spoteve, përkatësisht 1,700 euro.

Shumë e madhe e mjeteve është shpenzuar po ashtu për xhirimin dhe transmetimin e tubimeve të partive politike. Për këto katër ditë në katër televizione janë shpenzuar këto shuma të parave. PDK, AAK dhe Nisma kanë shpenzuar 36,000 euro, LDK, AKR dhe Alternativa 44,000 euro dhe Vetëvendosje 28,000 euro.

Shpenzimet e VV-së për sponsozizimin e fushatës zgjedhore, deri më tani:

Për reklama në gazeta: 260 euro

Për transmetimet e reklamave në media: 3,600 euro

Për reklamat në portale: Asnjë reklamë

Për spotet televizive: 1,700 euro

Për xhirimin dhe transmetimin e tubimeve partiake: 28,000 euro

 

The post VV shpenzon dy herë më pak në fushatë sesa dy koalicionet e tjera appeared first on INSAJDERI.

LDK-AKR harxhoi rreth 110 mijë euro për katër ditë fushate

Posted: 05 Jun 2017 08:47 AM PDT

Pas lajmit se koalicioni PDK-AAK-NISMA ka harxhuar mbi 100 mijë euro për katër ditë fushate, llogaritjet për koalicionin tjetër, atë LDK-AKR, tregojnë se edhe ata kanë shpenzuar mbi 100 mijë euro në fushatë.

LDK-AKR, sipas llogaritjeve të “Demokracia Plus dhe Çohu”, kanë harxhuar rreth 110 mijë euro në fushatë.

Koalicioni LDK, AKR dhe Alternativa me 3560 euro të shpenzuara për katër ditë prin në harxhimet për fushatë në gazeta.

“D+ dhe Çohu!” po ashtu kanë bërë monitorimin e televizioneve RTK, KTV, Klan Kosova dhe RTV 21.

Në këto medie, LDK, AKR dhe Alternativa shpenzuan 25,970 euro.

Në anën tjetër është vërejtur një numër i madh i reklamave në portale online për këto katër ditë, të cilat janë monitoruar në bazë të ofertave të vetë këtyre portaleve. Nga monitorimi vërehet LDK, AKR dhe Alternativa kanë shpenzuar 20,500 euro në këto reklama për katër ditë.

Spotet televizive të transmetuara për të njëjtën periudhë janë vlerësuar me këto shifra: LDK, AKR dhe Alternativa kanë pasur 21,400 euro të shpenzuara.

Shumë e madhe e mjeteve është shpenzuar po ashtu për xhirimin dhe transmetimin e tubimeve të partive politike. Për këto katër ditë në katër televizione janë shpenzuar këto shuma të parave. LDK, AKR dhe Alternativa harxhuan 44,000 euro. /Insajderi.com

Shpenzimet e koalicionit LDK-AKR

Për shpenzimet në gazeta: 3,560 euro

Reklamat në medie: 25, 970 euro

Reklamat në portale: 20, 500 euro

Spote televizive: 21,400 euro

Xhirimin dhe transmetitimin e spoteve televizive nga tubimet e koalicionit: 44,000 euro

The post LDK-AKR harxhoi rreth 110 mijë euro për katër ditë fushate appeared first on INSAJDERI.

Akuza brenda koalicionit PDK-AAK-Nisma për dëmtim të posterëve

Posted: 05 Jun 2017 08:32 AM PDT

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në këtë fushatë elektorale, për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Qershorit.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA ka akuzuar "vetën" për dëmtim të posterëve në komunën e Skenderajt, përmes një ankese që është bërë në PZAP (Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa).

Në fotografinë që e ka publikuar në Facebook, Albert Krasniqi, monitorues i zgjedhjeve me koalicionin e organizatave të shoqërisë civile, tregohet se Koalicioni PDK-AAK-Nisma dhe të tjetër kanë akuzuar Koalicionin PDK-AAK-Nisma dhe të tjerët për dëmtim të posterëve në këtë qytet.

Krasniqi ka komentuar si në humor se "koalicioni PDK-AAK-NISMA parashtron ankesë në PZAP kundër vetvetes!!!. Si ato tregimet me polic që e dënojnë veten kur te tejkalojnë kufizimin e shpejtësisë".

The post Akuza brenda koalicionit PDK-AAK-Nisma për dëmtim të posterëve appeared first on INSAJDERI.

Xhepat e “thellë” të partive politike për fushatë

Posted: 05 Jun 2017 08:07 AM PDT

Partitë politike në Kosovë dhe kandidatët që po garojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, janë duke shpenzuar shuma të mëdha parash për fushatën zgjedhore.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se vetëm në katër ditët e para të fushatës, partitë politike kanë shpenzuar para të majme për spotet televizive, transmetime të drejtpërdrejta të tubimeve dhe reklama të ndryshme.

Por, këto shpenzime mbeten të pa evidentuara, për shkak të mungesës së transparencës nga partitë politike të cilat vazhdojnë të mbeten të mbyllura duke mos deklaruar saktë shpenzimet.

Isuf Zejna nga organizata Demokraci Plus, tha për Radion Evropa e Lirë, se partitë politike ngjashëm me të kaluarën edhe tani në prag të zgjedhjeve, nuk po tregohen transparente dhe nuk duan të flasin për të hyrat që kanë dhe shpenzimet për fushatë zgjedhore.

“E para është se donatorët nuk duan t’u zbulohet emri. Partitë politike nuk i deklarojnë të gjitha se pastaj bien në kundërshtim më limitet ligjore, kufizimet të cilat i vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në rastet e tjera, partitë politike nuk i kanë nën kontrollin e vet as kandidatet individual".

"Pra, një kandidat për deputet nuk i jep llogari partisë politike se sa është duke shpenzuar. Disa nga ta janë edhe me të pasur ose kanë pozita të larta në Qeveri ose Kuvend dhe kanë lidhje me bizneset, kështu që shumë kompani janë të gatshme t’i mbështesin fuqishëm”, tha Zenaj.

Partitë politike veçmas gjatë procesit të zgjedhjeve nuk janë gjendje të tregojnë burimet e financimit të fushatave të tyre zgjedhore, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Organizata Demokraci Plus dhe Çohu, në një konferencë për media thanë se dy koalicionet, përkatësisht ai i Partisë Demokratike e Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, si dhe koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa, janë shpenzuesit më të mëdhenj të parave gjatë kësaj fushate 4 ditore.

Në bazë të të dhënave nga një hulumtim 4 ditor, thuhet se vetëm për spote televizive, PDK, AAK dhe NISMA, si koalicion, ka shpenzuar 55 mijë euro.

Ndërsa LDK, AKR dhe Alternativa, si koalicion ka shpenzuar mbi 25 mijë euro.

Ndërkohë, për Lëvizjen Vetëvendosje u tha se për spote të transmetuara në televizione, ka shpenzuar 1.700 euro.

Zenaj tha se edhe kur partitë politike deklarohen, sipas Ligjit për zgjedhje në KQZ, lidhur me shpenzime gjatë fushatës zgjedhore të dhënat janë në shpërputhje me atë që deklarohet dhe shpenzimet e bëra në terren.

“Partitë politike shumë shpesh i zvogëlojnë shpenzimet në deklarimet e tyre, duke i paraqitur si shumë më të vogla. Nga e kaluara presim që edhe kësaj here të kemi të njëjtën gjë”, tha Zenaj.

Drejtoresha për Regjistrimin e partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Miradije Mavriqi, tha për Radion Evropa e Lirë se partitë politike nuk mund të shpenzojnë më shumë para, sesa që është e caktuar me ligj.

Në bazë të KQZ-së, partitë politike nuk mund shpenzojnë më shumë para se 0.50 cent për votues. Në bazë të numrit të votuesve dhe shumës totalë të buxheti të ndarë, del se kjo shumë mund të arrijë diku rreth 942 mijë euro.

“Në rast se [partitë politike] shpenzojnë më shumë, sigurisht se gjatë kontrollimit apo të auditimit të atyre raporteve që i dorëzojnë subjektet politike, auditori do të caktojë, do të jap vërejtje lidhur me atë se sa ka shpenzuar. Ekzistojnë sanksione apo gjoba që mund të shqiptohen ndaj tyre”, tha Mavriqi.

Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro.

Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Përveç mjeteve që u ndahen nga buxheti i Kosovës, partitë politike thuhet se financohen edhe nga burime tjera, që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, nuk dihet se kush janë, pasi që nuk bëhen transparente.

Ndryshe, financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër Raportet e Progresit që publikon Komisioni Evropian. /Rel

The post Xhepat e “thellë” të partive politike për fushatë appeared first on INSAJDERI.

Përkrahësi i Simiqit e bën për spital shoferin e Jabllanoviqit [video]

Posted: 05 Jun 2017 07:57 AM PDT

Përkrahësit e kryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, e kanë rrahur shoferin e kryetarit të "Srpska" Aleksandar Jabllanoviq, shkruan radiokontaktplus.org.

Siç thuhet, Sllavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, me afërsisht 150 simpatizant të kësaj liste kanë shkuar para zyrave të Aleksandar Jabllanoviqit ku edhe e kanë sulmuar shoferin e tij, shkruan Klan Kosova.

Sulmi i përkrahësve të Simiqit vjen pas kërcënimit që Jabllanoviq ua bëri atyre.

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë mbrëmë se Aleksandar Jabllanoviq, kryetari i subjektit politik "Srpska", u arrestua pasi kërcënoi me armë aktivistët e partisë së Simiqit.

"Jabllanoviq vuri armën e tij në njërin prej aktivistëve tanë dhe filloi të bërtas: Kjo është Kosovë, dhe jo Serbi – hiqni posterat nëse nuk dëshironi që unë të ju vras juve", ka thënë Simiq për Tanjug.

Jabllanoviq është arrestuar mbrëmë së bashku me gruan e tij për shkak të këtij incidenti, ndërsa është liruar sot pas intervistimit që i është bërë atij.

Përkrahësi i Simiqit e bën për spital shoferin e Jabllanoviqit

The post Përkrahësi i Simiqit e bën për spital shoferin e Jabllanoviqit [video] appeared first on INSAJDERI.

Mediumi norvegjez: Celina luan kundër miqve të tij në vendlindje

Posted: 05 Jun 2017 07:34 AM PDT

Rreth një vit e gjysmë më parë, Bersant Celina luante për kombëtaren U-21 të Norvegjisë. Më 12 qershor, mesfushori do të luajë për Kosovën U-21 ndaj Norvegjisë U-21, në qytetin ku është rritur – Drammen.

“Patjetër që është e veçantë. Nuk ka diçka më shumë për të shtuar në këtë gjë”, deklaroi Celina për mediumin norvegjez Aftenposten.

Siç shkruan Aftenposten, Celina ishte vlerë e shtuar për kombëtaren norvegjeze, mirëpo dy vite më parë ai u largua nga kombëtarja nordike për të zgjedhur Kosovën.

Më 12 qershor, në stadiumin Marienlyst, Celian do të përballet me disa miq të tij. Ai ka luajtur së bashku me Martin Odegaard dhe Iver Fossum në skuadrën e Stromsgodset dhe në kombëtaret e moshave të Norvegjisë.

“Ata janë të gjithë shokë të mirë. Do të jetë kënaqësi të luaj kundër atyre. Nuk kam luajtur futboll në tri apo katër javët e fundit, mirëpo do të mundohem që të kthehem në formë”, deklaroi Celina, i cili nuk është përzgjedhur nga Albert Bunjaki për përfaqësuesen A të Kosovës.

Përveç Celinës, trajneri i përfaqësueses së Kosovës e ka lënë jashtë listës edhe mbrojtësin 20-vjeçar të Hajduk Splitit, Ardian Ismajlin. Edhe Ismajli do të jetë pjesë e Kosovës U-21 për ndeshjen eliminatore ndaj Norvegjisë. /Insajderi.com

The post Mediumi norvegjez: Celina luan kundër miqve të tij në vendlindje appeared first on INSAJDERI.

Gjermani: Numër i lartë neonazistësh në kërkim

Posted: 05 Jun 2017 07:19 AM PDT

A ekziston në Gjermani rreziku i krijimit të një rrjeti ekstremistësh të djathtë në ilegalitet?

Policia i kërkon ata shpesh për muaj të tërë e megjithatë për qindra shkelës të ligjit për vepra ekstremiste të djathta mungon çdo lloj gjurme. Politikanët e majtë paralajmërojnë për krijimin e një rrjeti gueril në ilegalitet.

“Mendoj se numri i lartë i neonazistëve që janë të fsheshur dhe arrijë t’u shpëtojnë arrestimeve për një periudhe të gjatë është tepër shqetësues”, tha Ulla Jelpke, eksperte për politikën e brendshmE të partisë E Majta, njofton DW.

Gazetat e grupit mediatik Funke njoftojnë se partia E Majta i kishte dërguar Ministrisë së Brendshme një kërkesë parlamentare në lidhje me gjendjen e hetimeve dhe nga kjo del se deri tani nuk kanë arritur të  përmbarohen urdhër arrestet për 462 vetë që akuzohen për vepra penale me sfond ekstremist të djathtë.

Ky është “të paktën një tregues për krijimin e një rrjeti nazist në ilegalitet”, tha Jelpke. Në skenën e ekstremistëve të djathtë ka një gatishmëri të vazhdueshme për krim dhe dhunë. “Për fat të keq nuk më duket se autoritetet po e veprojnë ndaj tyre me kujdesin e mjaftueshëm”, shtoi Jelpke.

Më se njëqind autorë veprash penale me sfond ekstremist të djathtë janë shpallur, sipas njoftimeve të medias, në kërkim për krime të motivuara politikisht. Gjithashtu të shpallur në kërkim janë që nga viti 2015  të paktën edhe 98 meshkuj dhe femra. Në shtator 2015, kishte rreth 372 autorë veprash penale me sfond ekstremist të djathtë që ishin hedhur në ilegalitet.(DW)

 

The post Gjermani: Numër i lartë neonazistësh në kërkim appeared first on INSAJDERI.

Veseli: Pas 12 qershorit do t’i largojmë strukturat paralele

Posted: 05 Jun 2017 07:11 AM PDT

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në tubim në qytetin e Mitrovicës tha, se ajo do të zhvillohet me "Fillimin e Ri".

Para qytetarëve të Mitrovicës ai u shpreh se 'Fillimi i Ri', është një fillim që nënkupton rritje ekonomike për tetë përqind.

"Fillimi i punës është një fillim i ri që nënkupton rritje ekonomike për tetë përqind minimum, fillimi i ri është rritje e pagave për pensionistët, për zjarrfikësit, për kategoritë e personave me aftësi të veçanta", tha Veseli para qytetarëve të Mitrovicës.

Ai qytetarëve të Mitrovicës ju premtoj se "do të punojmë që Mitrovica të jetë një qendër industriale dhe fillimi i ri nënkupton që Mitrovicë nuk do të ketë më mure, nuk ka trena më në Kosovë dhe me 12 qershor Serbia do të marrë fund", ka deklaruar Veseli.

Ndër tjerash Veseli u shpreh se "me 12 qershor do t'i largojmë strukturat paralele të serbëve, në të njëjtën kohë do të vazhdojmë t'i ndihmojmë të gjithë edhe serbët, edhe turk edhe egjiptian ashtu siç i ka hije Mitrovicës", ka thënë Veseli. /Insajderi.com

 

The post Veseli: Pas 12 qershorit do t'i largojmë strukturat paralele appeared first on INSAJDERI.

Konfiskohen 36 vetura të padoganuara në Prishtinë

Posted: 05 Jun 2017 07:08 AM PDT

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën gjatë një aksioni të realizuar në rajonin e Prishtinës kanë identifikuar dhe konfiskuar gjithsej 36 vetura të pa-doganuara të cilat janë hasur duke qarkulluar në trafikun rrugor.

"Mjetet në fjalë nuk u nënshtrohen rregullave teknike dhe atyre procedurale, janë të pasiguruara dhe u shmangen të gjitha taksave të parapara ligjore. Gjithashtu, këto mjete jo rrallë herë janë pjesëmarrëse në aksidente të trafikut rrugor, me çka rrezikohet siguria e pjesëmarrësve në trafik", thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia kërkon nga ngasësit e veturave të pa-doganuara që të mos dalin me vetura të tilla në trafik, pasi veturat e tilla do të ndalohen dhe sekuestrohen.

The post Konfiskohen 36 vetura të padoganuara në Prishtinë appeared first on INSAJDERI.

Vëzhgues ndërkombëtarë në tubimin e VV-së në Mitrovicë

Posted: 05 Jun 2017 07:00 AM PDT

Vëzhgues nga Bashkimi Evropian, të cilët kanë arritur në Kosovë për fushatën zgjedhore, janë duke monitoruar tubimet e partive politike.

Ata janë parë edhe në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.

KQZ ka njoftuar ditë më parë se nga BE-ja në Kosovë do të vijnë rreth 100 persona që do të bëjnë monitorimin e zgjedhjeve. Përveç kësaj, monitorimin e zgjedhjeve do ta bëjnë edhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

Fushata elektorale deri më tani ka kaluar pa incidente serioze. Megjithatë, VV ka njoftuar të dielën në mbrëmje se disa persona janë përpjekur të prishin tubimin e kësaj partie në fshatin Studençan të Therandës.

Vetëvendosje ka akuzuar koalicion PDK-AAK-NISMA për këtë duke iu referuar me emrin që ia kanë vënë kohës kur është lidhur ky koalicion.

"Rritja e madhe e VETËVENDOSJE!-s i ka nxjerrë nga takti koalicionet e territ. Sulm me mjete shpërthyese në tubimin e Lëvizjes", thuhet në nisje të komunikatës lidhur me këtë incident./Insajderi.com

The post Vëzhgues ndërkombëtarë në tubimin e VV-së në Mitrovicë appeared first on INSAJDERI.

Paralajmërohen ndryshime tek Juventus pas finales së Championsit

Posted: 05 Jun 2017 06:59 AM PDT

Massimiliano Allegri ka ngritur dyshime te Juventusi për të ardhmen e tij, edhe pse në publik ka konfirmuar qëndrimin në pankinën e kësaj skuadre.

Sipas asaj që publikohet në mediat italiane, pritet që tekniku livornez të nisë bisedimet me drejtuesit e "Zonjës së vjetër" për kontratën e re, ndërkohë që situata e tij ka filluar të monitorohet nga Paris Saint Germain.

Francezët janë gati t'i garantojnë Allegrit një kontratë me pagë 10 milionë euro në sezon, kur pretendimet e italianit ndaj Juventusit janë për një pagë prej 8 milionë eurosh. Por, Allegri i kërkon "Zonjës së vjetër" edhe garanci të tjera, që kanë të bëjnë me aspektin teknik.

Synimi është ndërhyrja në merkaton e transferimeve për të blerë 3-4 futbollistë cilësorë, për të arritur te triumfi në Champions League. Kampionët e Italisë e shohin si domosdoshmëri ardhjen e një qendërmbrojtësi, duke parë edhe moshën e Barzaglit e Chiellinit.

Në këtë pikë, Allegri do të kërkojë Marquinhos, gjithnjë nëse ai do të largohet nga Torino. Ndeshja me Realin e Madridit tregoi se edhe mesfusha duhet të përforcohet me të paktën dy elementë të rinj, ku Matiç dhe Schick janë ata që po përmenden më shumë, ndërkohë që ëndrra e bardhezinjve është Di Maria.

Por Juventusi rrezikon të humbasë edhe Leonardo Bonuccin, një prej futbollistëve më të rëndësishëm të tij. Vitin e kaluar, Bonucci kishte shprehur dëshirën për të ndryshuar ambient, diçka që mund të ndodhë gjatë kësaj vere.

Skuadrat e interesuara për të janë kryesisht nga Premier League, si Chelsea e Manchester City. Nëse ndonjëra prej tyre do të bëjë ndonjë ofertë të rëndësishme, atëherë italiani nuk do të ngurrojë që ta pranojë atë.

The post Paralajmërohen ndryshime tek Juventus pas finales së Championsit appeared first on INSAJDERI.

Rita Ora vallëzon Vallen e Rugovës

Posted: 05 Jun 2017 06:55 AM PDT

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, gjatë ditës së diel ka qenë në Shqipëri ku ka qëndruar në Tiranë në dasmën e kushërirës së saj, Amantina Tolaj.

Rita, ka ndarë me fansat e saj fotografi të ndryshme nga kjo dasmë, ku ajo është paraqitur madhështore si gjithmonë, shkruan Kultplus.

Ndërsa në një video e cila po qarkullon në Facebook, Rita shihet teksa vallëzon edhe vallen e Rugovës.

The post Rita Ora vallëzon Vallen e Rugovës appeared first on INSAJDERI.

Të shtëna dhe viktima në Orlando

Posted: 05 Jun 2017 06:49 AM PDT

Disa viktima nga të shtënat, kjo është çfarë po hetojnë policët e kantonit Orange, në Orlando të Floridës, pas raportimeve për shkëmbimzjarri në një seli biznesi atje.

Zyra e shefit e konsideron situatën si të qëndrueshme, e këtë e ka thënë edhe kapiteni Angelo Nieves, por ende nuk ka një informacion mbi ngjarjen apo numrin e saktë të viktimave.

Ngjarja ka ndodhur në një zonë industriale në periferi të Orlandos, më saktësisht në veriperëndim.

Rrugët përreth vendit të ngjarjes janë bllokuar dhe është krijuar edhe një perimetër sigurie. Policia ndodhet në vendngjarje, të mbledhur në një parking makinash jashtë disa magazinave.

The post Të shtëna dhe viktima në Orlando appeared first on INSAJDERI.

Apeli lë në fuqi aktakuzën ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes

Posted: 05 Jun 2017 06:46 AM PDT

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka lënë në fuqi aktakuzën kundër katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi dhe Egzon Haliti, të akuzuarve për veprën penale "kryerje  e veprës penale terroriste".

"Në këtë mënyrë kolegji penal i kësaj gjykate, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës të akuzuarve A.A., F.K., dhe E.H., kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 14.04.2017, me anë të se cilit ishin refuzuar si të pa bazuara kërkesat e mbrojtësve për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës", thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore nuk janë të bazuara ngase gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë, se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen, ndërsa tani nuk ka argumente bindëse dhe që nuk përmbajnë asnjërën prej bazave ligjore për të cilën mund të hudhet aktakuza./Insajderi.com

The post Apeli lë në fuqi aktakuzën ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes appeared first on INSAJDERI.