INSAJDERI: “Kuba pret “Beatles”, grup të cilin dikur e censuronte” plus 19 more

INSAJDERI: “Kuba pret “Beatles”, grup të cilin dikur e censuronte” plus 19 more


Kuba pret “Beatles”, grup të cilin dikur e censuronte

Posted: 02 Jun 2017 09:24 AM PDT

Kubanët përgatiten për një koncert të rrallë homazh në nder të "Beatles"-ave, i cili do të mbahet në sheshin "John Lennon" të kryeqytetit Havana, ku u kremtua 50-vjetori i albumit "Sgt. Pepper's Lonely Hearts Club Band", por edhe vet leja për të dëgjuar në ishull muzikën dikur të ndaluar të grupit legjendar britanik.

Mes personave të mbledhur për shfaqjen, që përfshinte 7 grupe muzikore kombëtare, ishte edhe Aleyda Rodriguez. Ajo ka një detyrë të veçantë: të kujdeset për syzet e statujës tejet popullore të John Lennonit.

Rodriguez është shumë krenare për punën e saj, të cilës i përkushtohet 11 deri në 12 orë në ditë. Gjatë natës, syzet i merr me vete.

"Ma ngarkuan mua këtë detyrë, si person në moshë dhe më e përgjegjshmë, në mënyrë që askush të mos i marrë syzet. Kujdesem shumë për to dhe në fund të ditës i çoj në shtëpi", tha Aleyda Rodriguez.

Pas Revolucionit të vitit 1959, që solli në pushtet Fidel Castron, Kuba e ndaloi në radio dhe televizion muzikën e artistëve apo grupeve të tilla si "Rolling Stones", "Beatles" dhe Elvis Presley.

Castro, megjithatë, e tërhoqi më vonë një censurë të tillë, e mori pjesë edhe vet në momentin e vendosjes së statujës së Lennonit në kryeqytet, 8 dhjetorin e vitit 2000, datë kjo që përkonte me 20-vjetorin e vdekjes së këngëtarit të madh.

The post Kuba pret "Beatles", grup të cilin dikur e censuronte appeared first on INSAJDERI.

Jahjaga: Serbia shkeli brutalisht Marrëveshjen e Brukselit

Posted: 02 Jun 2017 09:12 AM PDT

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka marrë pjesë në promovimin e e librit ''Unë dua të dëgjohem'' në kuadër të festivalit "Mirëdita, dobar dan!" në Beograd pasi asaj nuk i është lejuar hyrja në territorin serb.

Sipas Jahjagës hyrja e saj në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd.

"Sot unë kam pasur të jem në Beograd për promovimin e librit "Unë dua të dëgjohem", ka qenë e organizuar në kuadër të festivalit "Mirëdita, dobar dan!", pjesëmarrja ime atje ka qenë e paraparë që të fillojë me një fjalim për të mbijetuarit e dhunimit dhe përdorimin e dhunimit si mjet gjatë luftës".

"Fatkeqësisht pjesëmarrja ime është pamundësuar dhe pamundësia ime që të hyjë në territorin e Serbisë është kthyer me një përgjigje banale e absurde".

Ish-presidentja e Kosovës që është e ftuar në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se të gjitha përgatitjet për vizitën e saj atje, janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë.

"Institucionet, ambasadori ynë atje në Zyrën Ndërlidhëse kanë bërë kërkesën që ka të bëjë me vizita të larta, të gjitha procedurat e protokolit janë përcjellur siç e sheh marrëveshja e Brukselit".

Jahjaga ka thënë se "autoritetet e Serbisë kanë dështuar në ofrimin e sigurisë".

"Serbia ka shkelur brutalisht marrëveshjen e Brukselit", ka thënë Jahjaga.

The post Jahjaga: Serbia shkeli brutalisht Marrëveshjen e Brukselit appeared first on INSAJDERI.

Papunësia në SHBA bie në nivel rekord

Posted: 02 Jun 2017 09:03 AM PDT

Shkalla e papunësisë në SHBA, në muajin maj, ka rënë në nivelin më të ulët në 16 vjet, por hapja mujore e vendeve të punës është ngadalësuar, tha Departamenti amerikan i Punës.

Sipas shifrave të publikuara të premten, papunësia ka rënë në 4.3 përqind në maj, ndërsa vende të reja pune janë hapur vetëm 138,000.

Menjëherë pas përfundmit të Recesionit të Madh në qershor të vitit 2009, papunësia në SHBA ka arritur në 10 përqind.

Departamenti i Punës tha se hapja e vendeve të reja të punës po ngadalësohet, pasi tregu i punës është afër mbushjes.

 

The post Papunësia në SHBA bie në nivel rekord appeared first on INSAJDERI.

Hoti: Kush e kryen fakultetin, do ta ketë të sigurt një vit pune me pagesë

Posted: 02 Jun 2017 08:58 AM PDT

Kryeministri Isa Mustafa është shprehur i bindur se koalicioni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR), Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi  do të shënojë fitore të thellë në zgjdhje, sepse ky ekip ka vullnetin dhe forcën për të fituar në zgjedhje.

"Jam i bindur se më 11 qershor do të shënojmë fitore. Vetëm qytetarët si ju e sjellin fitoren, duke i përkrahur deputetët që i kemi në listë nga LDK, AKR, Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi në krye me kandidatin për kryeministër, z. Avdullah Hoti", ka thënë Mustafa.

Ai ka kërkuar nga qytetarët të votojnë për Avdullah Hotin dhe këtë koalicion, pasi në këtë mënyrë do të votojnë për perspektivën dhe ardhmërinë e vendit.

Të pranishmëve u është drejtuar edhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti.

"Është kënqësi që jemi këtu para jush me kryeministrin tonë, me partnerët e koalicionit, me vajzën e Presidentit Rugova. Po mundohemi që në takimet tona të komunikojmë me qytetarët dhe t'u tregojmë kush jemi ne dhe çfarë përfaqësojmë ne, e jo të komunikojmë me sllogane të ndryshme siç jemi mësuar të dëgjojmë", ka thënë Hoti.

Ai i ka siguruar qyetarët e Zhurit se ky koalcion është zgjidhja më e mirë për vendin.

"Është një koalicion i jashtëzakonshëm me njerëz të jashtëzakonshëm dhe do të zbatojë një plan të jashtëzakonshëm. Po i shpalosim zotimet tona për të gjithë, për studentë, pleq, bujq, të gjitha shtresat e shoqërisë. Të rinjtë që e kryejnë fakultetin do ta kenë të sigurt një vit përvojë pune me pagesë, ndërsa do t'i mbështesim idetë e tyre për biznes", ka shtuar Hoti, i cili ka paralajmëruar edhe eliminimin e skemave korruptive.

"Kemi premtuar përkrahjen e madhe për bujqit dhe nga janari i vitit të ardhshëm do t'i eliminojmë skemat korruptive dhe për të siguruar ata se granti do të arrijë te bujku e jo gjysma e tyre të ndalet deri sa të arrijë aty ku është destinuar", ka theksuar i nominuari për kryeministër nga LDK-ja.

"Gjatë qeverisjes sonë kemi dëshmuar për zvogëlimin e papunësisë dhe jam i sigurt se gjatë mandatit tonë do ta zvogëlojmë edhe më tepër. Me kryeministrin Mustafa i kemi rritur pensionet 60 për qind e do t'i rrisim edhe më shumë për t'u siguruar se ato janë pensione dinjitoze" është shprehur Hoti.

Ai e ka pasur edhe një premtim konkret për banorët e Zhurit.

"Jemi në një lokalitet të veçantë dhe e dimë kërkesën tuaj për themelimin e Komunës së Zhurit. U garantojmë se do ta shqyrtojmë këtë kërkesë me shumë kujdes dhe çdo kërkesë eventuale që ka edhe gjithandej Kosovës. Të jeni të bindur se këto premtime nuk janë vetëm premtime fushate siç jeni mësuar t'i dëgjoni në tri fushatat e fundit, por premtime që ky koalicion do t'i realizojë", ka premtuar Hoti, i cili në fund e ka pasur edhe një përgjigje për ata që po përpiqen ta kritikjnë.

"Keni dëgjuar slloganin se nuk kemi marrë vendime të vështira. Në fakt është LDK-ja ajo që i ka marrë të gjitha vendimet e mëdha tash e 27 vjet me radhë. Ne nuk e rrahim gjoksin, por ne kryejmë punë. Po thonë se unë jam teknokrat, nuk jam populist e të tjera. Ne nuk jemi populistë, ne jemi njerëz që kryejmë punë edhe ato më të vështirat. Detyra jonë është të krijojmë shtetin si duhet, të çojmë përpara amanetin e themeluesve të LDK-së dhe ta forcojmë miqësinë e përhershme me SHBA-të", ka thënë Hoti.

Përkrahjen e plotë për të e ka shprehur edhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli.

"AKR-ja ka vendosur të mbështesë Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm. Me profesorin e nderuar do të shihni se është një qeverisje ndryshe, që udhëhiqet me dituri, me përkushtim, pa hajni, pa zhvatje, pa korrupsion. Të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët e duan një Kosovë dinjitoze, që me 11 qershor të votojnë këtë koalicion", ka thënë numri një i AKR-së.

"I ndjeri, Presidenti Rugova ka folur shumë për shpresën dhe ne anëtarët e këtij koalicioni e kuptuam pse qytetarët po na quajnë koalicion i shpresës, por ne do të jemi ata që shpresën do ta bëjmë realitet. Vota juaj është kundër të keqes, kundër mashtrimit, korrupsionit, zhvatjes, hajnave dhe hajnive.Votoni njerëzit e drejtë, punëtorë dhe ta ndërtojmë një Kosovë madhështore", ka shtuar Pacolli. /Insajderi.com

 

The post Hoti: Kush e kryen fakultetin, do ta ketë të sigurt një vit pune me pagesë appeared first on INSAJDERI.

Dënohen PDK-AAK-Nisma, vendosën poster kundër rregullave

Posted: 02 Jun 2017 08:35 AM PDT

Koalicioni PDK-AAK-Nisma, është dënuar me 1200 euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për shkak të një posteri të kandidatit për deputet, Bekim Haxhiu, i cili ishte vendosur në objektin e Degës së Ujësjellësit Rajonal "Prishtina", në Komoran kundër rregullave të fushatës zgjedhore.

Dënimi ka ardhur pas ankesës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Bekim Haxhiu, e kishte mohuar akuzën, duke kundër-akuzuar se janë aktivistë të Vetëvendosjes që vet e vendosen posterin që t'i bëjnë problem më pas Haxhiut.

Por vendimi i PZAP thotë se ankesa e Vetëvendosjes, pranohet si e bazuar dhe koalicionit PDK-AAK-Nisma i shqiptohet dënim prej 1200 eurosh, njofton Klan Kosova.

Klan Kosova kishte raportuar e para për vendosjen e këtij posteri.

 

The post Dënohen PDK-AAK-Nisma, vendosën poster kundër rregullave appeared first on INSAJDERI.

Milani zyrtarizon blerjen e dytë

Posted: 02 Jun 2017 08:28 AM PDT

Milani ka konfirmuar transferimin e mesfushorit të Atalantas, Franck Kessie.

Gjiganti italian bën të ditur se ai është transferuar në formë huazimi për dy vjet, me obligim të blerjes pas përfundimit të huazimit.

"AC Milan ka nënshkruar me Franck Kessien nga Atalanta në huazim dy vjeçar me obligim për ta blerë", thuhet në komunikatën e Milanit.

Ky është transferimi i dytë këtë verë për Milanin, pas mbrojtësit Mateo Musacchio, të cilin e ka blerë nga Villarreali. /Insajderi.com

The post Milani zyrtarizon blerjen e dytë appeared first on INSAJDERI.

Gjykimet e pazakonshme të një gjyqtari amerikan [video]

Posted: 02 Jun 2017 08:27 AM PDT

Në një gjykatë në Rhode Island në ShBA, gjykatësi vë drejtësi në një mënyrë të pazakontë, në shumë raste edhe me humor duke bërë gjithë të pranishmit të qeshin.

Gjykatësi 80 vjeçar me këtë sens humori, Frank Caprio, përveç drejtësisë shpërndanë edhe të qeshura në sallën e gjykatës. Ai është një gjykatës i mirënjohur televiziv, i cili gjykon njerëzit në emisionin "Caught in Providence" ("Të kapur mat").

Këto më poshtë janë disa nga rastet më të njohura, të gjykimeve të tij, të cilat të bëjnë të qeshësh dhe mund t’i ndiqni edhe në videon më  poshtë.

Njëherë gjykatësi kishte marrë bijën e të akuzuarit të bisedonte me të lart tek tavolina e gjykatësit. Shtatëvjeçarja Raven ngjitet tek tavolina e gjykatësit, ndërsa gjykatësi e pyet se cila lëndë shkollore i pëlqen më shumë.

"Më pëlqen të këndoj", thotë vogëlushja.

Ndërsa kur gjykatësi e pyet se çfarë dëshiron të bëhet kur të rritet, duke i propozuar që ajo të bëhet gjykatëse, ajo thotë "gjykatëse".

"Të pëlqen këtu lart?", pyet gjykatësi. Raven iu përgjigj – "po, më pëlqen".

Rasti i dytë në gjykim ishte për një djalë të ri i cili ka kaluar me makinë kur në semafor ka qenë drita e kuqe.

"Isha i hutuar, nuk e di se çfarë ka ndodhur, jam fajtor aty por në atë moment nuk kuptoja se ç'po ndodhte", thotë i akuzuari.

Gjykatësi ia shpjegon rastin të akuzuarit duke ardhur në përfundim që ai nuk kishte qenë fajtor, por faj ka arkitekti i rrugës i cili nuk ka vendosur dritat rrugore si duhet në mënyrë që të jetë e qartë.

Edhe gjatë kësaj, gjykatësi i bëri të qeshnin të pranishmit duke e shpjeguar rastin e të akuzuarit dhe duke thënë se "ashtu shumë mirë e shpjeguat", pasi vetë i akuzuari nuk di të shpjegojë se çfarë ka ndodhur.

Rasti i tretë është një grua e cila ka parkuar në një kohë që nuk lejohet të parkohet. Koha jo e lejuar është deri në orën 10:00, ndërsa ajo kishte parkuar në orën 9:58 dhe kishte marrë dënimin në 9:59 e 58 sekonda.

"Në atë rrugë nuk lejohet parkimi nga ora 8 deri në 10. Dhe ju ishit aty… oh jo…", thotë gjykatësi, dhe zonja vazhdon të tregojë që është parkuar në orën 9:58.

Pas disa momenteve humori ku gjykatësi thotë se "ju keni shkelur këtë ligj", duke e ngrehur librin, ai thotë se 9:59 është mjaft afër orës 10:00 dhe me këtë rast e lë të ikë pa dënim gruan, e cila gjatë gjithë kohës qeshte e turpëruar.

Një rast tjetër i këtillë, i cili ka bërë bujë dhe ka si personazh kryesor përsëri një fëmijë, është rasti kur gjykatësi thërret një pesëvjeçar të ulet afër tij dhe së bashku ta vendosnin dënimin për babanë e djalit.

"Kam disa probleme me këtë rast pasi babi juaj ka parkuar në rrugë dhe tani kam tri zgjidhje; ta dënoj 90 dollarë, 30 dollarë, apo të mos e dënoj fare. Çfarë mendon se duhet të bëj?", e pyet gjykatësi pesëvjeçarin.

Pasi e mendoi për një moment, fëmija tha se babi i tij duhet të dënohet me 30 dollarë.

Gjykatësi e vlerësoi për mprehtësinë e gjykimit, pasi pesëvjeçari gjeti një mes, ndërsa vendosi që t'ia ofrojë një marrëveshje.

"Marrëveshja është që nëse babi të dërgon të hash mëngjes, atëherë unë do ta liroj nga akuzat dhe do ta anuloj tiketën", tha gjykatësi i cili e porositi Jacobin që të hajë një mëngjes të bollshëm, sepse po ia kursente babait të tij 30 dollarë.

Rasti i fundit është një vajzë e cila mundohet ta bindë gjyqtarit që t’ia ulë dënimin duke bërë një qëndrim në duar, ndërsa çuditërisht para kësaj, gjykatësi ia qëllon që vajza ka qenë valltare, vetëm nga lëvizjet e trupit gjatë të folurit dhe shpjegimit të rastit.

"Mund të bëj qëndrim në duar këtu dhe të marr një paralajmërim?", pyet ajo.

Në fund, pasi që gjykatësi e di vetë atë rrugë ku vajza ka kaluar limitin për vetëm 5 km në orë, e lë atë të kalojë pa dënim.

Gjykimet e pazakonshme të një gjyqtari amerikan

 

The post Gjykimet e pazakonshme të një gjyqtari amerikan [video] appeared first on INSAJDERI.

Bllokohet autokolona e ushtarëve shqiptarë në Greqi

Posted: 02 Jun 2017 08:18 AM PDT

Një forcë ushtarake shqiptare që udhëtonte tranzit në territorin grek drejt Rumanisë ëshë bllokuar prej protestuesve të Partisë Komuniste greke në aksin që lidh Kozanin me Verian, në Greqinë veriore.

Sipas burimeve lokale, dy autobusë me ushtarë dhe 20 makina shoqëruese të tyre, që po udhëtojnë në kuadër të një stërvitjeje të NATO-s, të quajtur Noble Jump, janë bllokuar dhe nuk lejohen të kalojnë drejt kufirit, njofotn Tch.

Lëvizja e forcave ushtarake ishte paralajmëruar më parë dhe ka vijuar normalisht gjatë ditëve të fundit, ku sipas njoftimeve kanë kaluar nëpër territorin grek forca ushtarake nga pothuaj gjithë vendet perëndimore, anëtare të NATO-s, përveç shqitparëve, për të cilët protestuesit kërkojnë të kthehen mbrapsht.

Vlen të përmendet se në zonë ka forca të shumta të policisë dhe nuk kërcënohet aspak jeta e ushtrakëve tanë. Qeveria greke ka premtuar se gjatë orëve në vazhdim do të hapet rruga dhe autokolona e ushtarëve shqiptarë do të vazhdojë normalisht rrugën

The post Bllokohet autokolona e ushtarëve shqiptarë në Greqi appeared first on INSAJDERI.

Kryeprokurori i Shtetit: Pasojat e korrupsionit janë shumë të mëdha

Posted: 02 Jun 2017 08:17 AM PDT

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka marrë pjesë në konferencën “Ngritja e kapacitetit te prokuroreve te Kosovës per tu marr me korrupsion”, me fokus ne konfiskimin e organizuar nga EULEX-i në Kosovë.

Në ketë konferencë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se korrupsioni i vërtetë apo i perceptuar për të cilin aq shumë po flasim dëmton besimin e publikut në institucionet e drejtësisë, dhe ka efekt tejet të dëmshëm për shoqërinë.

“Pasojat e korrupsionit janë shumë të mëdha sepse korrupsioni zvogëlon luftën kundër krimit të organizuar, dobëson moralin politik gjatë proceseve për vendimmarrje, bllokon shërbimet publike, drejtësinë e bën joefikase, dëmton sektorin privat, rrënon themelet e vlerave shoqërore dhe dëmton sundimin e ligjit”, ka thënë Lumezi.

“Lufta kundër korrupsionit është një element shumë i rëndësishmëm drejt rrugës për integrimin e shtetit tonë në BE dhe është një kusht thelbësor për të plotësuar kriterin për liberalizim të vizave”, ka thënë ai.

Kryeprokurori Lumezi ka thënë se askush nuk duhet të ketë dominim mbi tjetrin.

“Kushtetuta ka përcaktuar shumë qartë, se dikush duhet të jetë në institucionin e Prokurorit të Shtetit, dikush në gjykata, dikush tjetër në Polici, Inteligjencën Financiare, Administratën Tatimore apo në Agjensionin Kundër Korrupsionit, nga të gjithë ne kërkohet njohje e mirë e dispozitave ligjore dhe zbatim i drejtë i tyre, profesionalizëm dhe integritet. Duhet të kuptoni se askush nuk mund të ketë dominim mbi tjetrin, kjo është fizionomia e institucioneve në një shtet demokratik”, ka thënë ai. /Insajderi.com

 

The post Kryeprokurori i Shtetit: Pasojat e korrupsionit janë shumë të mëdha appeared first on INSAJDERI.

Vritet themeluesi i agjencisë së lajmeve të Shtetit Islamik

Posted: 02 Jun 2017 08:15 AM PDT

Themeluesi i agjencisë së lajmeve të grupit militant Shtetit Islamik është vrarë, së bashku me të bijën, gjatë një sulmi ajror javën e kaluar në Siri. Lajmin e ka konfirmuar i vëllai i tij dhe disa aktivistë opozitarë në Siri.

Vetë IS-i nuk ka njoftuar mbi vdekjen e themeluesit të agjencisë Amaq, Baraa Kadek, i njohur gjithashtu edhe si Reyan Meshaal.

Aktvistët thanë se Meshaal ishte i afërt me lidershipin e IS-it dhe thuhet të jetë takuar me liderin enigmatik të grupit, Abu Bakr al-Baghdadi.

Vëllau i Meshaalit, Hozaifa, ka thënë në rrjetin social Facebook se ai ka vdekur gjatë një sulmi ajror nga Shtetet e Bashkuara, në qytetin Mayadeen, në provincën Deir el-Zour, njofton rel.

Agjencia e lajmeve Amaq, e themeluar në vitin 2014, konsiderohet si promotore e grupit militant dhe është shfrytëzuar nga IS-i për të marrë përgjegjësinë mbi disa sulme terroriste në botë.

 

The post Vritet themeluesi i agjencisë së lajmeve të Shtetit Islamik appeared first on INSAJDERI.

Mbetje tjera trupore në arkivolin e presidentit polak

Posted: 02 Jun 2017 08:10 AM PDT

Autoritetet polake kanë thënë të enjten që kanë gjetur mbetjet e dy njerëzve të tjerë në arkivolin e ish-presidentit Lech Kacazynski përderisa po hulumtonin rrëzimin e aeroplanit në Rusi me ç'rast mbetën të vdekur ai dhe 95 të tjerë në vitin 2010.

Arkivolet e 11 viktimave të tjera gjithashtu përmbanin pjesë trupore të njerëzve të tjerë, thanë prokurorët pasi ekzaminuan 24 arkivole nga rrëzimi. Për këtë rast disa zyrtarë ia lanë fajin një shpërthimi në rrethinë, pa dhënë prova, raporton Reuters.

Rrëzimi i prillit të vitit 2010 afër qytetit rus të Smolenskit – katastrofë kjo më e madhja për Poloninë që nga lufta e dytë botërore – ka lënë shoqërinë polake thellësisht të ndarë, edhe pse përfundimi i qeverisë qendrore nga hetimet ishte që gabimi i pilotit ishte shkaktar i rrëzimit.

Qeveria e tanishme nën partinë e Ligjit dhe Drejtësisë, e drejtuar nga vëllai binjak i ish-presidentit, Jaroslaw Kaczynski, ka marrë kontroll të drejtpërdrejtë të zyrës së prokurorëve dhe ka filluar ri-hetimin e rrëzimit të aeroplanit, me arsyen se hetimet e kaluara nuk ishin bërë siç duhet.

Prokurori i përgjithshëm në detyrë, Marek Pasionek, i ka thënë reporterëve që në 12 prej 24 arkivoleve të hapura që nga viti i kaluar, trupat ishin të ndara, njëri arkivol mbante gjysmën e një personi tjetër përderisa nëntë arkivole tjera përmbanin mbetje të shpërndara të viktimave tjera.

Ai tha që arkivoli i kryepeshkopit Miron Chodakowski përmbante vetëm pjesën e epërme të trupit të tij, përderisa pjesa e poshtme i përkiste gjeneralit Tadeusz Ploski.

Në arkivolin e gjeneralit Bronislaw Kwiatkowski ishin 14 pjesë trupore të cilat i përkisnin shtatë njerëzve të tjerë, ka thënë Pasionek, duke shtuar se autopsitë do të përfundonin në prill të vitit tjetër.

Në Moskë, ministria e jashtme e Kremlinit dhe Rusisë nuk është përgjigjur menjëherë thirrjeve dhe emailave të cilat përmbanin pyetje për koment lidhje me çështjen.

Disa familjarë të viktimave fajin ia lënë Rusisë. E veja e një zyrtari të Ministrisë së Kulturës në Poloni, Magdalena Merta, akuzoi Rusinë për "shfaqjen e qëndrimeve të pista kundrejt të vdekurve tanë". /Insajderi.com

The post Mbetje tjera trupore në arkivolin e presidentit polak appeared first on INSAJDERI.

Thaçi reagon ndaj Serbisë për ndalimin e vizitës së Jahjagës

Posted: 02 Jun 2017 07:49 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Slloveni, ka reaguar ndaj ndalesës që Serbia ia bëri vizitës së ish-presidentes kosovare Atifete Jahjaga.

Thaçi ka thënë se ky është një veprim i turpshëm i Serbisë, në një shkrim në rrjetin social Facebook.

“Presidentja Jahjaga ka bërë një punë të shkëlqyer duke u angazhuar për të drejtat e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo u dha zë mijëra grave të cilat me vite jetonin me dhimbje dhe stigmë”, ka thënë Thaçi.

“E turpshme dhe e papranueshme që Serbia pamundësoi pjesëmarrjen e Presidentes Jahjaga në një festival në Beograd, i cili kishte për qëllim të vërtetën dhe pajtimin”, ka deklaruar ai.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka udhëtuar për në Beograd të enjten, ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë.

Jahjaga është ftuar të marrë pjesë në festivalin "Mirëdita, dobar dan" i cili po mbahet në kryeqytetin serb, për të promovuar librin "Dua të dëgjohem: Libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë."

Të mërkurë, dhjetëra persona kanë protestuar kundër këtij festivali në Beograd. /Insajderi.com

The post Thaçi reagon ndaj Serbisë për ndalimin e vizitës së Jahjagës appeared first on INSAJDERI.

Lista Serbe ia nis fushatës me intonimin e himnit të Serbisë

Posted: 02 Jun 2017 07:28 AM PDT

Lista Serbe ka mbajtur tubim parazgjedhor në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë, duke hapur kështu zyrtarisht fushatën në Kosovën qendrore.

Raporti thekson se ishin të pranishëm disa qindra ithtarë të kësaj partie, të cilët kanë mbështetur kandidatët e saj për deputetë. Bëhet e ditur se tubimi kishte filluar me intonimin e himnit të Republikës së Serbisë.

Kandidati i Listës Serbe (Srpske liste) për deputet, Branimir Stojanoviq ka përsëritur pohimin se vetëm Lista Serbe mund të pengojë formimin e ushtrisë së Kosovës, shkruan Radio KiM.

"Nesër ndoshta do të ndodhë që fëmijës tuaj, kushëririt, fqinjit dikush t'ia vesh uniformën e Ushtrisë së Kosovës që sikur duan ta formojnë, t'ia lënë në dorë pushkën dhe pastaj me pushkën tjetër ta detyrojnë të shkojë në veri të Kosovës ose diku tjetër. Detyrë jona është të themi jo, meqë gjatë tri vjetëve të shkuara nuk e kanë formuar ushtrinë fal nesh, e as që do ta formojnë", ka thënë Stojanoviq.

Lista Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 11 qershorit ka paraqitur 20 kandidatë.

The post Lista Serbe ia nis fushatës me intonimin e himnit të Serbisë appeared first on INSAJDERI.

Aktakuzë ndaj personave për vjedhje në shtëpinë e kryeprokurorit Lumezi

Posted: 02 Jun 2017 07:26 AM PDT

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve L.K., M.M. dhe N.G., për veprat penale 'Vjedhje e rëndë', 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve', 'Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë', 'Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale', si dhe 'Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare'.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, më 22 nëntor 2016, rreth orës 03:25, në lagjen ''Veternik'' në Prishtinë, të pajisur me maska dhe armë zjarri, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja, të luajtshme dhe që vetes t'i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, duke depërtuar me forcë kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Aleksandër Lumezi-Kryeprokuror i Shtetit, ku kanë marrë një telefon celular të markës „Samsung" të papërdorur dhe në momentin që kanë dëgjuar familjarët duke lëvizur janë larguar me shpejtësi nga shtëpia.

"I pandehuri L.K. gjatë deklaratës së dhënë në polici e ka pranuar se e ka kryer veprën penale të vjedhjes në shtëpinë e të dëmtuarit Aleksandër Lumezi", thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Po ashtu, sipas aktakuzës, tre të pandehurit L.K., M.M. dhe N.G., nga muaji tetor deri në muajin dhjetor 2016, përveç vjedhjes së lartcekur, në shtëpi të ndryshme kanë kryer edhe shtatë raste të vjedhjeve, të veturave të shtrenjta, stolive të arit dhe gjësendeve tjera me vlerë.

Gjatë bastisjes së shtëpive të tre të pandehurve dhe veturës së njërit prej tyre, prokuroria thotë se janë gjetur prova të ndryshme materiale.

"Andaj me këto veprime të pandehurit ngarkohen se kanë kryer veprat e lartcekura penale. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit t'i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t'i dënojë sipas ligjit", thuhet në fund të komunikatës së prokurorisë./Insajderi.com

The post Aktakuzë ndaj personave për vjedhje në shtëpinë e kryeprokurorit Lumezi appeared first on INSAJDERI.

Kaçe dhe Abrashi tregojnë të vërtetën e marrëdhënieve me De Biasin

Posted: 02 Jun 2017 07:24 AM PDT

Dy mesfushorët e Kombëtares, Ergys Kaçe dhe Amir Abrashi kanë dalë në një konferencë për shtyp për mediat ku kanë folur në lidhje me grumbullimin si dhe për marrëdhëniet që këta dy futbollistë kanë me trajnerin De Biazi.

Si Kaçe dhe Abrashi janë optimist dhe besojnë te fitorja në sfidën ndaj Izraelit.

"Besoj se në futboll gjithmonë ka luhatje, edhe unë nuk isha në gjendje shumë të mirë pasi ndryshova skuadër. Prandaj nuk isha pjesë e Kombëtares. Gjërat kanë ndryshuar tani dhe mendoj që jam më mire. Jam i gëzuar që u ktheva në Kombëtare", ka thënë Kaçe.

 

Kaçe foli edhe për repartin e mesfushës.

"Skuadra para 1 viti ishte më mirë, mesfusha ishte shumë mirë dhe kemi bërë ndeshje mjaftë të bukura. Mendoj që ka pësuar një rënie po shpresoj që në ndeshjen me Izraelin ta marrim veten dhe të kthehemi në formën e mëparshme."

Ndërkaq Abrashi ka thënë se nuk ka asnjë problem me trajnerin De Biasi.

"Është trajneri ai që vendos, nuk jam i vetmi që dua të luaj, të gjithë duam të luajmë. Mesfushorë kemi shumë, edhe lojtarë të mirë Unë kam për detyrë të jap maksimumin në stërvitjen. Pres momentin të jap maksimumin dhe të kem sukses", ka thënë ai. /Insajderi.com

 

The post Kaçe dhe Abrashi tregojnë të vërtetën e marrëdhënieve me De Biasin appeared first on INSAJDERI.

Mungon në kombëtare, Xhaka i dërgon mesazh thumbues De Biasit

Posted: 02 Jun 2017 07:18 AM PDT

Nuk mund të mungonte një reagim i mesfushorit Taulant Xhaka për mos grumbullimin në ekipin kombëtar nga trajneri Gianni De Biasi për dy sfidat, atë ndaj Luksemburgut në 4 qershor dhe ndaj Izraelit në 11.

Nëpërmjet një postimi në "Facebook" mesfushori ka "thumbuar" italianin duke nxjerr në pah dashurinë e tij për kombëtaren pavarësisht se nuk është pjesë e saj.

Postimi i Xhakës në Facebook:

"…Vijnë dhe ikin, por unë gjithmonë kuqezi. Me fitore."

( … nënkuptojnë trajnerët nën drejtimin e Kombëtares)

Xhaka

The post Mungon në kombëtare, Xhaka i dërgon mesazh thumbues De Biasit appeared first on INSAJDERI.

Thaçi takon presidentin e Sllovenisë, e falënderon për organizimin e Samitit Brdo-Brione

Posted: 02 Jun 2017 07:12 AM PDT

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, në Lubjanë dhe kanë konfirmuar edhe një herë marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve.

Presidenti Thaçi ka udhëtuar në Slloveni për të marrë pjesë në Samitin Brdo-Brione të vendeve të Ballkanit që do të mbahet më 3 qershor në Brdo.

Në takim me presidentin Pahor, Presidenti Thaçi shprehu mirënjohje për presidentin Pahor dhe presidenten Grabar-Kitaroviq, si bashkë organizatorë të Samitit Brdo-Brione, që kanë bërë bashkë krerët e shteteve të Ballkanit në një moment të rëndësishëm për rajoni.

"Samiti vjen në kohën kur në shtetet e Ballkanit shohim artikulim më të qartë të aspiratës euro-atlantike dhe gatishmëri për të lëvizur me hapa konkretë drejt BE-së", u shpreh Presidenti Thaçi.

Këtë vit, mysafir special i Samitit Brdo-Brione është presidenti i Federatës Gjermane, Frank-Walter Steinmeier.

The post Thaçi takon presidentin e Sllovenisë, e falënderon për organizimin e Samitit Brdo-Brione appeared first on INSAJDERI.

Hoti: Ne jemi trashëgimtarët e denjë politikë të Rugovës

Posted: 02 Jun 2017 07:02 AM PDT

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Dragashit, ka thënë të premten se LDK dhe lidershipi i saj janë trashëgimtarët e  Presidentit Historik Ibrahim Rugova.

"Arkitekti i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidenti ynë doktor Rugova, na la një bagazh të madh intelektual, politik dhe kombëtar. Një jetë të tërë ai u sakrifikua për popullin dhe shtetin e tij. Rugova ishte figura më e pastër politike që njeh Evropa. Bota me të drejtë e quante Gandi i Ballkanit", ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se ne ja kemi borxh Rugovës dhe popullit të Kosovës një lidership politik me duar të pastra, të dijshëm dhe vizionar, njofton LDK përmes një komunikate për media.

"Ne jemi Brezi i Republikës, të cilin e kishe ideuar dhe parashikuar Presidenti ynë historik Ibrahim Rugova. Ne jemi trashëgimtarët e denjë politik të Presidentit Rugova, profesionalë dhe me duar të pastra, pa asnjë aferë korruptive dhe kriminale. Ne do ta jetësojmë vizionin e Rugovës për një Kosovë demokratike të zhvilluar, anëtare të BE-së dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara", ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se, nëse dëshironi të jetësoni idealin e doktor Rugovës për një Kosovë demokratike, dilni më 11 qershor votoni numrin 16 dhe listën e kandidatëve tonë.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se tubimi në Dragash dhe tubimet tjera në gjithë Kosovës janë dëshmia që ne do të fitojmë.

"Salla nuk ka mjaftuar për t'i pranuar të gjithë, prandaj kanë mbetur shumë njerëz jashtë. Jam shumë i bindur që ky koalicion i përbërë nga LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi do t'i fitojë këto zgjedhje. Kam qenë shpeshherë këtu, u kam vizituar, por sot dëshiroj t'u flasë kandidati për kryeministër, z. Avdullah Hoti. Është i përgatitur, njeri i duhur për Kosovën dhe njeri i cili do t'i dalë në krye t'i kryejë përgjegjësitë që i ka marrë", ka thënë Mustafa.

Sylejman Kryeziu, kryetar i LDK-së, Dega e Opojës ka thënë se secili prej jush ka tejkaluar vetveten për të bërë një koalicion, të cilin mua po më pëlqen ta quaj koalicion i diellit, që është në kundërshtim me atë koalicionin e territ dhe natës.

"Jemi në ditën e dytë të fushatës dhe tashmë përkrahja për koalicionin nuk ka të ndalur. Ky është koalicion i fitores, koalicion i dritës. Më 11 qershor, ju do të dëshmoni që vendi do të drejtohet nga njerëzit më të mirë që i ka vendi. Fitorja na takon ne dhe fitoren do ta vulosim bashkë. Ky koalicion e ka vetëm një qëllim, bërjen e Republikës një vend ku secili respektohet dhe ndihet i barabartë në familjen evropiane", ka thënë Kryeziu.

The post Hoti: Ne jemi trashëgimtarët e denjë politikë të Rugovës appeared first on INSAJDERI.

Davids: Problemi i madh i Juventusit është Ronaldo

Posted: 02 Jun 2017 07:01 AM PDT

Edgar Davids, ish-futbollisti holandez i Juventusit, ka bërë prognozën e tij për finalen e madhe të Champions-it, që do të luhet nesër mbrëma në Cardiff.

Ai ka thënë se në finale është gjithmonë vështirë të parashikohet por që mund të përfundon tek penaltitë.

"Finalja është shumë e vështirë, si përherë. Nuk ka favoritë. Një vit më parë, Real Madrid me Atletico Madrid luajtën mirë, por përfunduan te penalltitë. Kjo mund të ndodhë sërish, sepse finalet e Champions-it janë të paparashikueshme", ka thënë ai.

"Torino është shtëpia ime, ndihem pjesë e Juves, natyrisht do të doja të isha në fushë duke luajtur me të. Djemtë kanë arritur në finale, çka është një ëndërr për çdo lojtar. Shpresoj që bardhezinjtë ta fitojnë trofeun. Unë mendoj se Juve është shumë më e fortë se dy vjet më parë", ka shtuar ai.

Davids ka thënë se Ronaldo është problemi i madh për Juventusin.

"Real Madridi ka dy apo tre lojtarë, të cilët mund të bëjnë diferencën. Ata kanë një të quajtur Ronaldo, që mund t'i bëjë gjëmën kujtdo. Ky është problemi i madh për Juventusin. Real Madridi, edhe nëse luan keq, ka lojtarë që shpikin diçka nga e pamundura. Kjo është diferenca midis një klubi normal dhe merenguesve. Partneriteti Dybala-Higuain? E shoh si referencë të lojës së Juventusit. Janë një duet i mirë, por jo në nivelin e Cristiano Ronaldos", ka shtuar ai.

"Në të ardhmen do të vazhdojnë të përmirësohen, por tani portugezi është mbi to. Dybala është një talent shumë i madh, por nuk e krahasoj dot me Messin, siç kam dëgjuar. Leo është unik. "Topi i Artë"? Do ta meritojë një nga skuadra që fiton finalen e Champions-it. Unë shpresoj se mund të jetë vendimtar Gigi Buffon", ka përfunduar Davids.

The post Davids: Problemi i madh i Juventusit është Ronaldo appeared first on INSAJDERI.

Avioni më i madh në botë

Posted: 02 Jun 2017 06:55 AM PDT

Ndërtimi i "Stratolaunch", avionit më të madh në botë, zgjati 4 vjet. I dizajnuar nga "Systems Stratolaunch", krahët e avionit janë më të mëdha se sa një fushë futbolli.

Avioni është bërë për qëllime të veçanta për të bartur raketa në stratosferë para se të lëshohen në hapësirë. Avioni ka gjashtë motorë, që i përdor Boeing 747, dhe është duke u përgatitur për një fluturimin testues, transmeton albinfo.ch.

Aeroplani është 15.24 metra i lartë dhe mund të mbajë një ngarkesë prej 226,796 kg.

The post Avioni më i madh në botë appeared first on INSAJDERI.