INSAJDERI: “Ibrahimoviç kërkohet nga skuadra modeste e Gjermanisë” plus 19 more |
- Ibrahimoviç kërkohet nga skuadra modeste e Gjermanisë
- Hoti: Fitorja jonë çliron Kosovën
- Lista Serbe gjobitet me 25 mijë euro
- De Biasi cakton formacionin e Shqipërisë për Izraelin [foto]
- Rriten kërkesat për lirim nga varshmëria e drogave
- Ahmeti: Mërgimtarët po më shkruajnë se po vijnë për të votuar VV-në
- PDK-AAK-NISMA shpenzuan mbi 300 mijë euro për reklama në media
- Katalonja cakton datën e referendumit për pavarësi
- Në shërbim të kujt është Bashkësia Islame në Kaçanik?
- Një i ri theret me thikë gjatë tubimit të Listës Serbe
- Zyrtare: Spalletti, trajner i Interit
- Përfundon renovimi i stadiumit Adem Jashari
- Gjermania kërkon t’i jepet fund “bllokimit të Katarit”
- Limaj heziton të ngjitet në skenë me Veselin dhe Haradinajn
- Partia Socialiste e Francës mbështet Vetëvendosjen në zgjedhje
- “Al Jazeera” nën sulm, hakerat godasin rrjetin satelitor të Katarit
- Mustafa: Nuk bëjmë koalicion me PDK-në
- Haradinaj ripërsëritë premtimet në përmbyllje të fushatës
- ISIS kërcënon Ballkanin, thotë së shpejti do të ecim edhe nëpër Prishtinë
- KQZ: Janë certifikuar 29 mijë vëzhgues për zgjedhjet e së dielës
| Ibrahimoviç kërkohet nga skuadra modeste e Gjermanisë Posted: 09 Jun 2017 10:31 AM PDT Hertha Berlin i ka bërë kërkesë publike Zlatan Ibrahimoviçit që të shkojë në Berlin dhe të luajë atje sezonin e ardhshëm. Përmes një shkrimi në Twitter, faqja zyrtare e Hertha Berlin i bëri ofertë Zlatan Ibrahimoviçit që të luajë për ta, raporton Insajderi. “Zlatan Ibrahimoviç pa kontratë – ne nuk kemi para mjaftueshëm, por kemi tifozë të mëdhenj. Por ti mund ta fitosh bundesligën për herë të parë. Mendoje këtë Ibrahimoviç”, thuhet në postimin e skuadrës modeste nga Gjermania. Ibrahimoviç ka mbetur pa ekip pas përfundimit të kontratës 1-vjeçare me Manchester United, me të cilën skuadër luajti sezonin që lam pas. /Insajderi.com The post Ibrahimoviç kërkohet nga skuadra modeste e Gjermanisë appeared first on INSAJDERI. |
| Hoti: Fitorja jonë çliron Kosovën Posted: 09 Jun 2017 10:20 AM PDT Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të premten në Prishtinë në tubimin përmbyllës se fitorja e tyre "nënkupton çlirimin e Kosovës dhe krijimin e një perspektive për fëmijët tanë". "Të nderuar qytetarë. Sot, iu shoh të lumtur. Sytë tuaj e tregojnë këtë. Dhe keni të drejtë. Fitorja është afër. Kjo fitore e çliron të ardhmen tonë. Kjo është fitore për fëmijët tanë. Askush më nuk mund të mbajë peng të ardhmen e vendit tonë. Fitorja jonë lindi në Podujevë, Obiliq, Fushë-Kosovë, Kaçanik, Junik, Deçan, Drenas, Shtime. U rrit në Pejë, Gjakovë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Viti, Gjilan. Sot, po kulmon këtu në Prishtinë, me këtë masë të jashtëzakonshme", ka thënë Hoti. Ai i ka garantuar të gjithë qytetarët e Kosovës se do ta mbrojmë fitoren tonë dhe askush nuk mund të shkelë mbi të, sepse ne Brezi i Republikës bashkë me qytetarët jemi më të fortë se kurrë, njofton LDK përmes një komunikate për media. "Kur baballarët tanë, në krye me arkitektin e pavarësisë, Presidentin Historik Ibrahim Rugova, filluan projektin për pavarësinë e Kosovës, shpresa ishte e madhe. Ajo ishte shpresë për një Kosovë të pavarur, të zhvilluar, demokratike, me rend dhe ligj, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Sot, ai testament i baballarëve tanë na është besuar ne, Brezit të ri, Brezit të Republikës. Ne jemi të gatshëm ta marrim këtë përgjegjësi. Mua më është besuar ta udhëheqë këtë projekt historik. Dhe unë e mbaj fjalën", ka potencuar Hoti. Ai ka deklaruar se Republikën mund ta bëjnë vetëm njerëz të ndershëm e atdhetarë dhe ky është ekipi im, kjo është lista që ne ua prezantojmë. "Lista jonë përbëhet nga njerëz që e njohin Republikën si atdheun e tyre të vetëm. Mbrojtës të lirive themelore. Liberalë. Ithtarë të pushtetit të deleguar. Legalistë. Ëndërrimtarë për Kosovën që duam. Por, mbi të gjitha, njerëz të dashuruar në atdheun dhe familjen e tyre. Këta njerëz jemi ne, Brezi i Republikës", ka thënë Hoti. Kandidati i djathtë për kryeministër ka deklaruar se na duhet patriotizëm qytetar, që mbron të drejtën tonë për jetë më të mirë, që mbron mundësitë tona të barabarta dhe na duhet patriotizëm qytetar, për t'i mënjanur ata që na mbajtën peng kaq gjatë, njofton LDK përmes komunikatës. "Kosova ka nevojë për një rrugë të re politike. Unë kam marrë përgjegjësinë, që bashkë me aleatët, ta bëj këtë. Dhe unë e mbaj fjalën e dhënë", ka shtuar Hoti. "Nuk mund të lejojmë më tutje dhunimin e lirisë sonë. Nuk mund të ketë indiferencë ndaj shkeljes së lirisë. Ky është rasti ynë për të realizuar ëndrrën e lirisë. Ne jemi përcaktuar për Republikën. Ne do t`ia dalim. Fatin tonë do ta marrim në duart tona më 11 qershor. Kthim prapa nuk ka. Republika u përket qytetarëve", ka potencuar kandidati për kryeministër. Ai ju ka drejtuar qytetarëve, në mënyrë të veçantë vajzave dhe djemve që për herë të parë u drejtohen kutive të votimit. "Unë kërkoj nga ju, të dashur të rinj, që votën, ashtu si dinjitetin, ta ruani si të shenjtë. Vota juaj është përcaktuese për të ardhmen tuaj. Ajo do ta bëjë ndryshimin e duhur. Ju lus që më 11 qershor të dilni në zgjedhje, krenarë dhe besimplotë se ndryshimi po vjen bashkë me ju", ka qenë mesazhi i Hotit për rininë. Ai është shprehur i bindur se do t'i fitojë këto zgjedhje, por ne na duhet një fitore e madhe, për ta çkapur shtetin, për t'i çuar në opozitë kapësit e saj. The post Hoti: Fitorja jonë çliron Kosovën appeared first on INSAJDERI. |
| Lista Serbe gjobitet me 25 mijë euro Posted: 09 Jun 2017 10:18 AM PDT Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) e ka gjobitur me 25,000 euro Listën Serbe për shkak të një video-inçizimi të publikuar gjatë fushatës zgjedhore, ka njoftuar sot Lista Serbe. Paneli zgjedhor vendosi që ta ndëshkojë Listën Serbe për shkak se videoja e publikuar “përmbante mesazhe kërcënuese kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe funksionimit të plotë të shtetit të Kosovës, duke bërë thirrje për ruajtjen e institucioneve serbe në Kosovë, ndërsa Kosovën e kanë quajtur ‘Kosovë dhe Metohi'”. Sipas PZAP-së, video-mesazhi i Listës Serbe nxiste kundërshtime ndaj ekzistencës së shtetit të Kosovës. Lista Serbe mbajti sot në tubimin përfundimtar të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit, njofton gazeta Online Insajderi. Lista Serbe ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Supreme të Kosovës për këtë gjobitje. /Insajderi.com The post Lista Serbe gjobitet me 25 mijë euro appeared first on INSAJDERI. |
| De Biasi cakton formacionin e Shqipërisë për Izraelin [foto] Posted: 09 Jun 2017 10:08 AM PDT Armando Sadiku duket se ka fituar balotazhin me Sokol Cikalleshin për pozicionin e sulmuesit të vetëm në skemën 4-1-4-1 në Kombëtaren shqiptare të futbollit, ku Gianni De Biasi ka krijuar idetë e qarta sa i përket rreshtimit që do të hedhë në fushën e lojës. Gjatë seancës së sotme stërvitore, tekniku i kuqezinjve ka zhvilluar një ndeshje brenda grupit, duke rreshtuar në një anë titullarët e mundshëm dhe nga ana tjetër zëvendësuesit, për të shpjeguar më mirë lëvizjet taktike që pret prej tyre.
Naser Aliji pritet të jetë titullar në krahun e majtë të mbrojtjes në vend të Agollit, ndërsa treshja e qendrës së mesfushës pritet të jetë Kukeli-Abrashi-Memushaj, me Roshin e Hykën nga krahët. Sa i përket Sadikut, kjo është ndeshja e parë si titullar me kombëtaren që nga fitorja 2-1 e kuqezinjve në shtator kundër Maqedonisë. The post De Biasi cakton formacionin e Shqipërisë për Izraelin [foto] appeared first on INSAJDERI. |
| Rriten kërkesat për lirim nga varshmëria e drogave Posted: 09 Jun 2017 10:00 AM PDT Numri i personave që duan të detoksikohen si rezultat i përdorimit të drogave ka shënuar rritje në Klinikën e Psikiarisë në QKUK. Kjo konfirmohet nga zyrtarë të kësaj klinike. Gjatë tërë vitit 2016, 96 pacientë kanë kërkuar që të detoksikohen, për t'u liruar nga varshmëria ndaj drogave. Por, për gjashtë muajt e parë të këtij viti, numri i rasteve që duan të braktisin drogat përmes trajtimit në Klinikën e Psikiatrisë ka shënuar rritje. Samire Gashi – Braina, shefe e repartit të sëmundjeve të vartësisë në Klinikën e Psikiatrisë ka thënë se për dallim nga gjashtë muajt e parë të vitit 2016 kur ishin gjithsej 38 pacientë që kërkonin lirim nga varshmëria e drogave, këtë vit tashmë janë paraqitur 50 pacientë, për vetëm 5 muajtë e parë të vitit. "Vitin e kaluar i kemi pasur 96 pacientë, prej tyre 14 femra. Ndërkaq nën moshën 18 vjeçare kemi pasur 8 pacientë. Këtë vit deri më sot (9 qershor) i kemi 50 pacientë", ka thënë Gashi – Braina për rtklive.com. "Në repartin tonë bëhet detoksikimi, që nënkupton marrjen e tretjeve infuzive dhe vitaminave përkatese, si dhe terapinë tjetër simptomatike për menaxhim të krizave abstinenciale", ka thënë Gashi-Braina. Doktoresha ka thënë se trajtimi bëhet sipas protokoleve mjekësore të cilat janë të njejta në gjitha spitalet. Sipas saj, trajtimi zgjatë 10 ditë, që ndryshe njihen si ditë protokolare. Ajo ka thënë se gjatë trajtimit të këtyre pacientëve, në raste tek ta paraqiten edhe probleme tjera, qofshin ato shqetësime, dhembje muskujsh etj. Grupi i karabioideve ku hyn marihuana, sipas doktoreshës Gashi-Braina nuk manifestohet me kriza gjatë trajtimit për dallim nga substancat opioide e që janë më potente në tretman. Në grupin e dytë, siaps saj, hyn edhe heroina. "Tek këto raste jepet edhe terapi kundër dhembjes, trodon për qetësim etj", ka thënë doktoresha Gashi-Braina. Ajo ka thënë se motivi për të kërkuar detoksikimin vie nga vet personat që duan të largohen nga rruga e drogës. "Ky është edhe kriteri kryesor për t'iu nënshtruar mjekimit – dëshira e vet personit", tha ajo. Ajo ka thënë se me këta pacientë bisedohet dhe njoftohen me gjithë procedurën. "Njihen me rendin spitalor dhe trajtimi bëhet së bashku me përcjellje të familjarëve", ka thënë ajo. Doktoresha Gashi – Braina ka thënë se ka edhe shumë raste që pas përfundimit të procedurave të detoksikimit, pacientët iu rikthehen drogave, njofton rtklive. Shqetësues, sipas doktoreshës është mosha e re e përdoruesve të drogave. "Ka edhe raste që na vijnë të shoqëruar nga policia, sidomos të tilla me over dozë (dozë të tepruar)", ka thënë ajo. The post Rriten kërkesat për lirim nga varshmëria e drogave appeared first on INSAJDERI. |
| Ahmeti: Mërgimtarët po më shkruajnë se po vijnë për të votuar VV-në Posted: 09 Jun 2017 09:59 AM PDT Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet, Shpend Ahmeti, në tubimin elektoral të Shtimes, ka thënë se përkrahja nga populli ka ardhur si rezultat i asaj që VV në vazhdimësi e ka dashur popullin. “Na e kemi dashtë e duam dhe do ta duam popullin se jemi vetë qytetarë të kësaj Republike”, ka thënë Ahmeti në Shtime. Ahmeti ka thënë se shumë mërgimtarë i kanë shkruar nga diaspora, të cilët i kanë thënse se po nisen drejt Kosovës për të përkrahur VV-në. Ndërsa në këtë tubim mori pjesë edhe kandidati tjetër për deputet nga radhët e VV-së, Dardan Sejdiu, i cili deklaroi se “Vetëvendosje është gati për ta udhëhequr Kosovën”. /Insajderi.com The post Ahmeti: Mërgimtarët po më shkruajnë se po vijnë për të votuar VV-në appeared first on INSAJDERI. |
| PDK-AAK-NISMA shpenzuan mbi 300 mijë euro për reklama në media Posted: 09 Jun 2017 09:47 AM PDT Demokraci Plus (D+) dhe Çohu! kanë publikuar sot pjesën e dytë të të dhënave për tetë ditë (31 maj – 7 qershor 2017) nga procesi i monitorimit të kostos së fushatës zgjedhore 2017. D+ dhe Çohu! dy organizatat të cilat monitorojnë shpenzimet e fushatës zgjedhore në Kosovë, kanë publikuar sot të dhënat që lidhen me shpenzimet që kanë bërë partitë politike në televizione, portale, gazeta si dhe xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore. Bazuar në të dhënat e monitorimit, D+ dhe Çohu! kanë identifikuar se koalicioni në mes të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, janë shpenzuesit më të mëdhenj gjatë kësaj fushate. Për këtë koalicion, D+ dhe Çohu! kanë identifikuar shpenzimet në vlerë tregu prej: 116,560.00 euro në transmetimin e reklamave dhe spoteve elektorale; 104,000.00 euro në xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore; 57,410.00 euro në xhirimin e video spoteve zgjedhore; 52,000.00 euro në reklama ne portale; 8,170.00 euro në reklama në gazeta ditore. Totali në media: 338,140.00 euro Koalicioni në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Alternativa, i janë identifikuar këto shpenzime në raport me çmimet e tregut: 70,850.00 euro në transmetimin e reklamave dhe spoteve elektorale; 80,000.00 euro në xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore; 64,130.00 euro në xhirimin i video spoteve zgjedhore; 44,100.00 euro në reklama në portale; 10,360.00 euro nëreklama në gazeta ditore. Totali në media 269,440.00 euro Në anën tjetër, Vetëvendosjes i janë identifikuar këto shpenzime: 12,638.00 euro në transmetimin e reklamave dhe spoteve elektorale; 60,000.00 euro në xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore; 4,150.00 euro në xhirimin e video spoteve zgjedhore; 6,325.00 euro në reklama në portale; 1,300.00 euro në reklama në gazeta ditore. Totali në media 84,413.00 euro Në kuadër të këtij monitorimi janë përcjellë katër televizione duke përfshirë Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Radio Televizionin 21 (RTV21), Kohavision (KTV) dhe Klan Kosova. Në anën tjetër janë monitoruar pesë gazeta ditore, duke përfshirë Koha Ditore, Zëri, Kosova Sot, Bota Sot, Epoka e Re. Ndërsa portalet e monitoruara janë Gazeta Express, Telegrafi, Koha.net, Zeri.info, Indeksonline, Insajderi, Lajmi.net dhe Gazeta Blic. Të gjitha çmimet janë llogaritur në bazë të çmimeve aktuale të tregut dhe ofertave të këtyre operatorëve medial. Edhe shërbimet eventuale të ofruara pa pagesë apo si shërbime në natyrë është obligim ligjor që të raportohet, pasi e njëjta mund të kthehet në favore të ndryshme nga partitë politike pas zgjedhjeve. Në vazhdim të këtij monitorimi D+ dhe Çohu! do të dalin me të dhëna të shpenzimeve të subjekteve politike nga terreni duke përfshirë shpenzimet e tubimeve dhe materialeve zgjedhore propaganduese si dhe shpenzimet në mediat e tjera duke përfshirë edhe ato lokale. Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS). The post PDK-AAK-NISMA shpenzuan mbi 300 mijë euro për reklama në media appeared first on INSAJDERI. |
| Katalonja cakton datën e referendumit për pavarësi Posted: 09 Jun 2017 09:35 AM PDT Kreu i rajonit të Katalonjës në Spanjë, Carles Puigdemont, ka thirrur mbajtjen e referendumit për pavarësi më 1 tetor. Pyetja do të jetë: A dëshironi që Katalonja të jetë shtet i pavarur në formën e një republike? Spanja është aktualisht monarki kushtetuese dhe Katalonja është një prej rajoneve më të pasura të saj. Qeveria në Madrid ka thënë vazhdimisht se pavarësia e Katalonjës do të shkelte Kushtetutën. Sondazhet tregojnë se votuesit në Katalonjë do të kundërshtonin pavarësinë, megjithëse shumica favorizon mbajtjen e referendumit. Në nëntor të vitit 2014, Katalonja ka mbajtur një referendum jodetyrues, në të cilin 80 përqind e atyre që kanë votuar, e kanë mbështetur pavarësinë. Megjithatë, vetëm 2.3 milionë nga 6.3 milionë njerëz me të drejtë vote, kanë marrë pjesë në votim, njofton rel. Nuk është e qartë ende nëse referendumi në tetor do të mbahet.
The post Katalonja cakton datën e referendumit për pavarësi appeared first on INSAJDERI. |
| Në shërbim të kujt është Bashkësia Islame në Kaçanik? Posted: 09 Jun 2017 09:19 AM PDT Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik vendosi të shfrytëzojë xhaminë e qytetit dhe mikrofonët në minarenë e saj për të njoftuar komunitetin për vdekjen e militantit famëkeq të grupit Shteti Islamik [IS], Lavdrim Muhaxheri. Madje, në xhami u dhanë të gjitha njoftimet, në emër të familjes së tij, për ata që donin të shprehnin ngushëllimet e tyre. Muhaxheri thuhet të jetë vrarë gjatë një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara në Siri, në natën ndërmjet 7 dhe 8 qershorit. Florim Neziraj, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është i vetëdijshëm për atë që ka bërë dhe tregon se për rastin dhe veprimet e tij ka biseduar edhe me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava. “Normalisht, Myftiut nuk i ka ardhur mirë, por ne e bëjmë këtë për të gjithë qytetarët, dhe nuk kam llogaritur se u bë keq diçka. Këtu ka qenë në pyetje familja, e jo Lavdrimi. Absolutisht, unë i kam bërë një shërbim familjes. Pra, unë i kam bërë një shërbim familjes dhe nuk e ndjej si një gabim. Nuk jam penduar për ketë punë”, tha shkurtimisht Neziraj. Muhaxheri kishte shkaktuar bujë gjithandej, me postimin e disa fotografive të tij në rrjetin social Facebook, ku shihej duke i hequr kokën një njeriu. Zyrtarët në qendrën e kryesore të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë, nuk deshën të flasin për rastin e përfshirjes së Këshillit të kësaj Bashkësie në Kaçanik. Në kabinetin e Myftiut Naim Tërnava deklaruan se lidhur me këtë çështje ka folur vetë drejtuesi i Këshillit. Nga ana tjetër, njohës të çështjeve të sigurisë, por edhe profesorë të religjionit, konsiderojnë se Bashkësia Islame e Kosovës, duhet gjithsesi të distancohet nga veprimi i fundit i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik. Ismail Hasani, ekspert i çështjeve të sociologjisë së religjionit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka kritikuar Këshillin, duke thënë se me ato veprime nuk i ka bërë shërbim të mirë as fesë islame, e as opinionit në Kosovë. “Ofrimi i një shërbimi të tillë brenda BIK-ut është një frymëzim për njerëzit, të cilët mund të kenë dilema ose mund të kenë prirje për të marrë udhën e pa kthim. Mendoj se, të paktën në nivel të Bashkësisë Islame të Kosovës, është mirë që të behet një distancim publik nga ky akt, sepse jemi në një kohë tepër të ndjeshme. Jemi në një proces, i cili nuk lejon gjera të tilla. Normalisht që jemi të mbikëqyrur edhe prej faktorit ndërkombëtar, sepse jemi deklaruar si pjesë e koalicionit global anti-terrorist”, tha Hasani. Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se në rastet kur bëhet fjalë për persona të njohur për terrorizëm, sjelljet e institucioneve, të cilitdo nivel qoftë, duhet të jenë në kuadër të sjelljeve që i ndihmojnë të tjerët, që mos të ndjekin shembullin të ngjashëm. Ramadani mendon se Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik në rastin e fundit gaboi. “Është e qartë se shembulli i Lavdrim Muhaxherit nuk duhet të ndiqet nga asnjë qytetar i Kosovës, e sidomos nga të rinjtë. Ai është shembulli më i keq se si një djalë i ri shqiptar nga Kosova arrin deri në atë shkallë sa që shkon dhe terrorizon qytetarët e pafajshëm dhe popullatën e pafajshme civile në Siri". "Një sjellje e tillë, në këtë rast e BIK-ut në Kaçanik, është në kundërshtim me vlerat që Kosova synon t’i promovojë dhe është në kundërshtim me ndërtimin e narracionit të shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës se shembujt e tillë nuk duhet të ndiqen”, tha Ramadani. Së paku, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra. Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona. Kosova tashmë ka miratuar ligjin, i cili sanksionon pjesëmarrjen në konfliktet e huajadhe që parasheh dënimin me burg deri në 15 vjet.(REL)
The post Në shërbim të kujt është Bashkësia Islame në Kaçanik? appeared first on INSAJDERI. |
| Një i ri theret me thikë gjatë tubimit të Listës Serbe Posted: 09 Jun 2017 09:00 AM PDT Një i ri nga fshati Koretisht i Novobërdës është therur sot me thikë në veri të Mitrovicës gjatë një tubimi të Listës Serbe. I plagosuri u transferua menjëherë në spitalin e Mitrovicës. Incidenti thuhet se ndodhi menjëherë pas fillimit të tubimit. Informacion mbi incidentin për mediumin KoSSev është konfirmuar nga Policia e Kosovës në rajonin veri, duke mos konfirmuar nëse incidenti ka të bëjë me tubimin apo jo. /Insajderi.com The post Një i ri theret me thikë gjatë tubimit të Listës Serbe appeared first on INSAJDERI. |
| Zyrtare: Spalletti, trajner i Interit Posted: 09 Jun 2017 08:43 AM PDT F.C. Internazionale ka njoftuar se Luciano Spalletti është emëruar trajner i ekipit të parë, i cili do të prezantohet të mërkurën dhe do t'i nis përgatitjet për sezonin e ri me 3 korrik. Ish-trajneri i Romës ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me Interin, që do ta mbajë atë në "Giuseppe Meazza" deri në vitin 2019. Spalletti më parë ka qenë trajneri i Romës dhe Zenit St. Petersburg në Rusi. /Insajderi.com
The post Zyrtare: Spalletti, trajner i Interit appeared first on INSAJDERI. |
| Përfundon renovimi i stadiumit Adem Jashari Posted: 09 Jun 2017 08:41 AM PDT Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, vizitoi Stadiumin Olimpik "Adem Jashari" në Mitrovicë, ku sot kanë përfunduar punimet të cilat sipas qeverisë "e kanë shndërruar në Stadium me standardet e UEFA-së dhe FIFA-së, duke zgjidhur përfundimisht problemin e ndeshjeve të Kosovës." Gjatë kësaj vizite, ishin të pranishëm dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ministri Kujtim Shala, bëri të ditur se sot është dita e fundit e punimeve në Stadiumin Olimpik "Adem Jashari" dhe se ky është kthyer në stadium të kategorisë së dytë. "Punimet janë verifikuar, janë testuar sistematikisht dhe përfundimisht janë pranuar në UEFA dhe FIFA. Kjo do të thotë që ne praktikisht kemi zgjidhur problemin e garimit të klubeve tona në garat ndërkombëtare. Po ashtu, kemi zgjidhur problemin e ndeshjeve miqësore të kombëtares së Kosovës, ndërkaq bashkë me Federatën e Futbollit kemi kërkuar që UEFA të sugjerojë edhe kushtet shtesë, që brena dy- tre muajve të plotësojmë edhe standardet për një stadium të kategorisë së katërt", tha ministri Shala, njofton Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media. Ai, po ashtu, bëri të ditur se janë bërë investime në stadiumin e Prishtinës dhe se ai do të jetë gati për Kombëtaren e Kosovës. "Investimet tjera në stadiume, të cilat ne i bëjmë me qëllim që edhe ato stadiume t'i kthejmë në stadiume që plotësojnë kushtet për zhvillimin e garave ndërkombëtare do të jenë Gjilani dhe Peja, si dhe do të vazhdojmë investimet në të gjitha qytetet e mëdha dhe të vogla që brenda katër- pesë vjetëve të ardhshme të finalizojmë të gjithë rrjetin e stadiumeve bashkë me palestrat të tjera dhe kështu të zgjidhim përfundimisht problemin e infrastrukturës", tha ministri Shala. Ministri Shala, po ashtu, ka bërë të ditur se ka nisur faza e parë për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar "Dardania Arena" që do të ndërtohet në Bërnicë të Poshtme dhe se do të vazhdojnë investimet derisa të finalizohet në tërësi. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka cilësuar një ditë të veçantë duke falënderuar kryeministrin e vendit, por edhe ministrin e Kulturës, i cili ka ndarë fonde të veçanta rreth 2.4 milionë euro për këtë Stadium. "Këtë stadium e ka pranuar edhe UEFA dhe është stadiumi i parë në Kosovë i këtij lloji. I gëzohemi këtij investimi, këtij suksesi dhe falënderoj kryeministrin, e sidomos ministrin, që ka bërë të pamundurën duke përkrahur çdoherë dhe tani po shihen edhe rezultatet", tha kryetari Bahtiri.
The post Përfundon renovimi i stadiumit Adem Jashari appeared first on INSAJDERI. |
| Gjermania kërkon t’i jepet fund “bllokimit të Katarit” Posted: 09 Jun 2017 08:29 AM PDT Gjermania tha sërish se duhet të bëhen përpjekje diplomatike për të zgjidhur krizën mbi Katarin, të cilin fqinjët arabë e akuzojnë për financim të terrorizmit. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahrejni kanë ndërprerë udhëtimin dhe të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin qysh të hënën. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, tha se "bllokada e trafikut ajror dhe tokësor" duhet të hiqet. Ai i bëri këto komente në qytetin gjerman Volfenbutel, gjatë takimit me homologun kataras, sheik Mohammed bin Abdulrahman al-Thani. Gabriel ka takuar dy ditë më parë edhe ministrin e Jashtëm saudit, të cilit i ka thënë se të gjitha palët duhet të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, njofton rel. Katari i mohon akuzat për mbështetje të ekstremistëve islamikë.
The post Gjermania kërkon t'i jepet fund "bllokimit të Katarit" appeared first on INSAJDERI. |
| Limaj heziton të ngjitet në skenë me Veselin dhe Haradinajn Posted: 09 Jun 2017 08:21 AM PDT Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit. Këtu është parë kryetari i Nisma, Fatmir Limaj që ka hezituar për të dalë në skenë, me të nominuarin e tyre për kryeministër, Ramush Haradinajn dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Veseli ka qenë i fundit që ka folur dhe për të përmbyllur gjithçka, ai ka ftuar në skenë Haradinajn që është nisur menjëherë dhe Limajn – por që ky nuk ka lëvizur nga vendi, shkruan sot Klan Kosova. Aty është parë Haradinaj teksa e ka tërhequr për dore Limajn. Është dashur një sinjalizim i Kadri Veselit që ka shtyrë kandidatin për kryeministër të kthehej sërish mbrapa e ta merrte Limajn. Limaj është parë se hezitoi, por që në fund iu bashkua lartë atyre, për të përmbyllur fushatën për zgjedhjet e së dielës.
The post Limaj heziton të ngjitet në skenë me Veselin dhe Haradinajn appeared first on INSAJDERI. |
| Partia Socialiste e Francës mbështet Vetëvendosjen në zgjedhje Posted: 09 Jun 2017 07:51 AM PDT Pas mbështetjes për zgjedhjet parlamentare 2017 që Lëvizja Vetëvendosje mori këtë javë nga Internacionalja Socialiste, grupacioni më i madh ndërkombëtar i partive social demokrate, sot kryetari Visar Ymeri ka pranuar edhe një letër mbështetëse nga Partia Socialiste e Francës. Kjo letër është dërguar nga Sekretari Nacional i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Partisë Socialiste të Francës, Maurice Braud. “Jam po ashtu i bindur që Lëvizja juaj do të dijë të japë prova të pjekurisë si konfirmim që është një parti progresive, moderne dhe pro-evropiane, e hapur sidomos ndaj dialogut me të gjitha Shtetet fqinje”, thuhet mes tjerash në letrën e Partisë Socialiste të Francës, dërguar VV-së. Letra e plotë e Partisë Socialiste të Francës, dërguar Vetëvendosjes: Visar Ymeri, Kryetar, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Kosovë I dashur shok, Më 11 qershor 2017, në Republikën e Kosovës do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në emër të Partisë Socialiste, dhe në emrin tim personal, dëshiroj t'ju shpreh urimet e mia për suksesin e kandidatëve të partisë tuaj, Lëvizjes Vetëvendosje. Që prej fundit të konfliktit, në qershor të vitit 1999, e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, vendi po kalon një fazë të gjatë tranzicioni për ndërtimin e institucioneve dhe të sovranitetit të tij. Partia Socialiste është e vetëdijshme për rëndësinë e punës që keni si përgjegjësi për të mbrojtur e plotësuar arritjet dhe për ta bërë Kosovën një Shtet plotësisht funksional, të trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të integruar në rajon. Përfitoj nga kjo mundësi për t'ju shprehur besimin tonë që pas disa vitesh ndryshimesh e transformimesh, partia juaj është tashmë alternativa kryesore për të ushtruar përgjegjësitë e për ta drejtuar Kosovën kah drejtësia sociale, zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe integrimi dinjitoz i të gjitha minoriteteve. Jam po ashtu i bindur që Lëvizja juaj do të dijë të japë prova të pjekurisë si konfirmim që është një parti progresive, moderne dhe pro-evropiane, e hapur sidomos ndaj dialogut me të gjitha Shtetet fqinje I dashur shok, dalë prej shoqërisë civile, partia juaj ka bërë një rrugëtim të gjatë. Është e pakontestueshme që ka arritur të konsolidojë rreth vetes një mbështetje të gjerë të të gjitha shtresave të shoqërisë, në veçanti falë dinamizmit të rinisë. Partia Socialiste ju përsërit mbështetjen e saj, në emër të shpresave që ju keni bërë të lindin dhe perspektivës që ju propozoni për një Kosovë më në fund demokratike dhe të shqetësuar për interesin e të gjithë qytetarëve të saj. Vëllazërisht, Maurice BRAUD Sekretar Nacional i Marrëdhënieve Ndërkombëtare
The post Partia Socialiste e Francës mbështet Vetëvendosjen në zgjedhje appeared first on INSAJDERI. |
| “Al Jazeera” nën sulm, hakerat godasin rrjetin satelitor të Katarit Posted: 09 Jun 2017 07:38 AM PDT Rrjeti satelitor i Katarit, Al Jazeera është përballur me një sulm të fortë kibernetik, por mbetet sërish funksional thane burime pranë kompanisë mediatike për gazetën britanike "The Guardian". "Po ndeshemi me një ndërhyrje të hakerave, por jemi duke u kundërpërgjigjur", citohet të ketë thënë një drejtues i lartë i saj, emri i të cilit nuk bëhet publik. Disa orë më vonë, televizioni shtetëror i Katarit njoftoi se do të mbyllte përkohësisht faqen e tij online për arsye sigurie. Incidenti vjen në kohën kur Katari përballet me fushatën e paprecedentë të kryesuar nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahreini për shkëputjen e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike me të nën argumentin se shteti i Gjirit ka lidhje me Vëllazërinë Myslimane, Hamasin dhe Iranin. Që të katër këto vende tërhoqën ambasadorët e tyre nga Doha e kulmi i krizës mbërriti të enjten, kur emiratët e çuan ngërçin një hap më tej duke refuzuar të dërgonin postën në Katar. Ky i fundit ka reaguar ashpër ndaj bllokadës së fqinjëve e thotë se izolimi i tij do të destabilizojë të gjithë rajonin. Gjermania bën thirrje që kriza e Katarit të zgjidhet në rrugë diplomatike. "Jemi të bindur se tani është momenti i diplomacisë, se duhet të flasim me njëri-tjetrin. Bashkë me kolegët tanë amerikanë, por mbi të gjitha ata në rajon, ne duhet të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që të hiqen bllokadat ajrore e detare e kjo situatë të marrë fund", tha Sigmar Gabriel , ministër i Jashtëm gjerman. Nismës së Arabisë Saudite iu bashkuan edhe Jemeni e Maldivet, ndërsa Katari pretendon se komentet online që nxitën këtë armiqësi, ishin rrjedhojë e një sulmi kibernetik. The post "Al Jazeera" nën sulm, hakerat godasin rrjetin satelitor të Katarit appeared first on INSAJDERI. |
| Mustafa: Nuk bëjmë koalicion me PDK-në Posted: 09 Jun 2017 07:32 AM PDT Kryeministri në largim, Isa Mustafa, që njëherësh është edhe kryetar i LDK-së, ka thënë se partia e tij kishte bërë koalicion me PDK-në për shkak të vendimi të Gjykatës Kushtetuesë në vitin 2014 dhe sugjerimeve të partnerëve ndërkombëtar. Por, sipas tij, një gjë e tillë nuk do të ndodhë më. "LDK nuk do të bëjë koalicion me PDK-në. Interesi i vendit, kufizimet nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe të LDK-së, bënë që ne të hyjmë në koalicion me PDK-në para 3 vjetësh. Por, jo më!", ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook. "Ata e shkelën marrëveshjen dhe treguan se nuk u intereson shteti por interesat e tyre partiake", ka shtuar ai. "Më 11 Qershor ne do të fitojmë dhe do të ndërtojmë Qeverinë me njerëz të besës"./Insajderi.com The post Mustafa: Nuk bëjmë koalicion me PDK-në appeared first on INSAJDERI. |
| Haradinaj ripërsëritë premtimet në përmbyllje të fushatës Posted: 09 Jun 2017 07:26 AM PDT I nominuari për Kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj në përmbyllje të fushatës 'Fillimi i Ri', ka treguar për pikat kryesore të programit të koalicionit që garon më 11 qershor për ta mandatuar atë kryeministër. Me të hipë në binë, kreu i AAK'së, ka borohritur emrat e Kadri Veselit dhe Fatmir Limajt, gjatë tubimit përmbyllës të fushatës zgjedhore të koalicionit 'Fillimi i Ri', në Prishtinë. "T'i aktivizojmë minierat, të përkrahim shpirtin tonë krijues të të rinjve, të krijojmë vlerë të re në ekonomi. Ta rrisim buxhetin e Kosovës, por jo duke i rritur taksat, por duke gjeneruar vende të reja të punës. Ti rrisim pagat, ti rrisim pensionet, ta nderojmë atdheun duke i nderuar kategorinë që dhanë kontribut, ti nderojmë të përndjekurit politik të të gjitha brezave, ti nderojmë punëtorët dhe minatorët, ta shërojmë shëndetësinë, të sigurojmë për fëmijët tanë aftësim për tregun e punës", ka thënë Haradinajn. "Ta ruajmë token tonë, ujin, malin. Ta ruajmë identitetin tonë, kulturorë e fetarë", ka shtuar tutje ai në tubim njofton Express. Kurse, Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se Kosova zhvillohet jo me veprime individuale, por me ekip. "Besoj është e qartë ngado që kemi shkuar e kemi shpalosur pogram, problemet e vështirësitë që ballafaqohet Kosova mund t'i tejkalojmë", ka thënë ai. "Vizionin tonë mund ta implementojmë, jo me veprime individuale, jo me arogancë, jo me shpirtngushtësi, por ka ardhur koha që Kosova brenda vetes dhe të tjerëve të veprojë si ekip në realizimin e objektivave madhore". Ai ka treguar edhe njëherë në tubimin përmbyllës të koalicionit PDK, AAK, Nisma se pse u krijua ky koalicion. "Me ne nuk humb askush, ne nuk u bashkuam për të mundur njerëzit tanë, u bashkuam për të ja dhënë një mundësi vendit tonë", citon atë Klan Kosova.
The post Haradinaj ripërsëritë premtimet në përmbyllje të fushatës appeared first on INSAJDERI. |
| ISIS kërcënon Ballkanin, thotë së shpejti do të ecim edhe nëpër Prishtinë Posted: 09 Jun 2017 07:23 AM PDT Shteti islamik kërcënon të vrasë serbë, kroatë dhe tradhëtarë të muslimanëve në Ballkan në paralajmërimin e tij më të fundit ndaj rajonit, publikuar në variantin boshnjak të revistës se xhihadistëve Rumiyah, raporton Top-channel. Betohemi për Allahun se nuk e kemi harruar Ballkanin, thuhet në mesazhin e cituar nga BIRN. Në shkrimin me titull: "Ballkani- Gjak për armikun, mjaltë për miqte", grupi terrorist lëshon paralajmërime të drejtpërdrejta për serbët dhe kroatët nisur nga roli i tyre gjatë luftërave në rajon e sidomos mizorive të kryera mbi muslimanët e Bosnjes. Por nuk harron dhe pjesën tjetër. Shumë shpejt, ushtarët e kalifatit do të ecin në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Tiranë, Prishtinë, Shkup e qytete të tjera duke derdhur gjakun e tradhëtarëve, trumpetohet me të madhe në artikull. "Mos mendoni se jeni të sigurtë. Të gjithë tradhëtarët e fesë islame në Bosnje, në rajonin serb të Sanxhakut, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni do të asgjësohen me shpata e kama, nëse nuk i kthehen islamit është kërcënimi i egër i Shtetit Islamik", vazhdon artikulli, edhe pse pretendon më tej se gjaku i banorëve të një pjese të këtyre vendeve është më i dashur dhe i ëmbël për xhihadistët sesa ai i serbëve dhe kroatëve. Autori i referohet ndër të tjera dhe sulmeve të ISIS-it në Britani, Francë, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, vende për të cilat thotë se janë më të forta sesa ato ballkanike, por sërish të pambrojtura ndaj goditjeve të befasishme. Që prej shtatorit 2016, versioni boshnjak i revistës së Shtetit Islamik vazhdon të justifikojë sulmet e ndërmarra nga grupi terrorist në mbarë botën. Të dhënat zyrtare tregojnë se Bosnja është një prej eksportuesve më të mëdhenj rajonalë të xhihadistëve në Lindjen e Mesme dhe qëllimi i revistës në fjalë është të ndikojë më së shumti tek muslimanët e varfër dhe të papunë të këtij vendi. The post ISIS kërcënon Ballkanin, thotë së shpejti do të ecim edhe nëpër Prishtinë appeared first on INSAJDERI. |
| KQZ: Janë certifikuar 29 mijë vëzhgues për zgjedhjet e së dielës Posted: 09 Jun 2017 07:20 AM PDT Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ditën e zgjedhjeve me 11 qershor, mbarëvajtja e zgjedhjeve do të monitorohet nga 29 mijë e 264 vëzhgues të certifikuar. Sipas njoftimit nga KQZ-ja, 160 vëzhgues do të jenë nga 8 Ambasada dhe 301 vëzhgues nga 7 Organizata Ndërkombëtare. "8 mijë e 830 vëzhgues nga OJQ – Vendore, 3 mijë e 657 vëzhgues nga Partitë Politikë pjesëmarrëse në këto zgjedhje, 15 mijë e 784 vëzhgues nga Koalicionet pjesëmarrëse në këto zgjedhje, 27 vëzhgues nga Institucione Ndërkombëtare (Trupa të Menaxhimit të Zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës), 1 vëzhgues nga 1 Institucion Vendor, 468 vëzhgues të akredituar që përfaqësojnë Media Vendore, dhe 36 vëzhgues të akredituar që përfaqësojnë Media Ndërkombëtare", njofton KQZ. /Insajderi.com The post KQZ: Janë certifikuar 29 mijë vëzhgues për zgjedhjet e së dielës appeared first on INSAJDERI. |
| You are subscribed to email updates from INSAJDERI. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |








