INSAJDERI: “Hahn shpreson që Kosova ta formojë shpejt qeverinë, jo si herën e kaluar” plus 19 more

INSAJDERI: “Hahn shpreson që Kosova ta formojë shpejt qeverinë, jo si herën e kaluar” plus 19 more


Hahn shpreson që Kosova ta formojë shpejt qeverinë, jo si herën e kaluar

Posted: 12 Jun 2017 09:37 AM PDT

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Negociata, Johannes Hahn, ka shprehur dëshirën që Kosova do të formojë së shpejti qeverinë e re.

Pas rezultateve të përafërta të zgjedhjeve që lanë partitë në pozitë që të mos mund të qeverisin pa formuar koalicion, Hahn shpreson që të mos zgjasë përsëri deri në nëntë muaj formimi i qeverisë si herën e kaluar, shkruan Radio Evropa e Lirë.

"Rezultati është i tillë sa të mos mund të krijosh menjëherë një shumicë të qartë për qeveri, dhe shpresoj që nuk do të zgjasë deri në nëntë muaj si ndodhi herën e fundit, sepse është e rëndësishme për këtë shtet të qëndrojë e përkushtuar në reformë", ka thënë ai në Bruksel.

Ai është shprehur gjithashtu se për ta është "qenësore që shteti dhe përfaqësuesit e saj të jenë të përkushtuar në perspektivën Evropiane", duke shtuar se "kushte më të mira të jetesës mund të arrihen në Bashkimin Evropian". /Insajderi.com

The post Hahn shpreson që Kosova ta formojë shpejt qeverinë, jo si herën e kaluar appeared first on INSAJDERI.

Al Jazeera: Ish-luftëtarët e Kosovës deklarojnë fitoren në zgjedhjet e përgjithshme

Posted: 12 Jun 2017 09:28 AM PDT

Një koalicion i ish-komandantëve të forcave guerile shqiptare ka fituar shumicën e  votave në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës, por pavarësisht kësaj atyre u mungon shumica për të formuar qeverinë, shkruan Al jazeera.

Aleanca, e quajtur “krahu i luftës” nga mediet e Kosovës dhe e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), fitoi 35.78 për qind të votave, bazuar në një numër prej rreth 70 për qind të fletëvotimeve tw numwruara.

Ramush Haradinaj, të cilin koalicioni udhëheqës e ka propozuar të jetë kryeministër, i përshëndeti kosovarët “për besimin që i është dhënë koalicionit”, duke shtuar se “këto janë zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë” në Kosovë.

“Fitorja është bindëse dhe na bën të aftë të veprojmë më tej për të krijuar qeverinë e vendit,” tha ai.

Por partia nacionaliste e krahut të majtë, Vetëvendosje, duket ta ketë dyfishuar mbështetjen e saj që nga zgjedhjet e fundit, duke zënë 26.6 për qind të votave pasi premtoi të marrë përsipër korrupsionin e papërmbajtur.

Udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti e quajti rezultatin “fitore të madhe” ndërsa përshëndeti ndjekësit e tij.

Ai tha se partia e cila është e njohur për metodat e saj radikale në opozitë, siç është hedhja e gazit lotsjellës në parlament. Mirëpo anash kësaj, partia kishte "shumë fitore përpara”.

Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, erdhi e treta me 25.3 për qind të votave.

Zgjedhjet parlamentare të parakohshme, të cilat u zhvilluan të dielën, u zhvilluan pasi 78 deputetë nga 120, votuan kundër mosbesimit të mënyrës së qeverisjes.

Kjo është zgjedhja e tretë legjislative e Kosovës që kur shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008.

The post Al Jazeera: Ish-luftëtarët e Kosovës deklarojnë fitoren në zgjedhjet e përgjithshme appeared first on INSAJDERI.

KDI tregon se nga sa ulëse do të kenë secila parti në Kuvend

Posted: 12 Jun 2017 09:21 AM PDT

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, që si pjesë e koalicionit të OJQ-ve Demokracia në Veprim ka monitoruar procesin e zgjedhjeve ka bërë një llogari se si do të shpërndahen ulëset në Kuvendin e Kosovës, edhe kur janë numëruar 99.56 për qind të votave.

Krasniqi ka thënë se nga rezultatet preliminare të deritanishme, shpërndarja e ulëseve duhet me qenë kështu:

PAN: 39

VV: 31

LAA: 30

Komunitetet: 20

Kësisoj, asnjë prej subjekteve shqiptare nuk mundet ta bëjë shumicën në Kuvend edhe pas koalicionit me pakicat.

The post KDI tregon se nga sa ulëse do të kenë secila parti në Kuvend appeared first on INSAJDERI.

Kushtetuesja vendos në favor të Dakës, gjen parregullsi në emërimin e kryetarit të Supremës

Posted: 12 Jun 2017 09:18 AM PDT

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Valdete Dakës, e cila ishte ankuar se në procedurën e përzgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës – ku u zgjodh, Enver Peci, dhe ku kandidate ishte edhe Valdete Daka – ka pasur parregullsi të cilat kanë reflektuar në cenimin e të drejtave të saj të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetueses, Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të mbajë proces të ri votimi për përzgjedhje të kandidatit për pozitën e Kryetarit të Gjykatës Supreme.

Gjykata kushtetuese paraprakisht me këtë aktgjykim e shpall të pavlefshëm edhe zgjedhjen e Pecit në detyrën e kryetarit të Supremes dhe tani rasti është kthyer në pikën zero, raporton Klan Kosova.

Në arsyetimin që e ka dhënë Kushtetuesja në marrjen e këtij vendimi thuhet që "mekanizmi i votimit i zbatuar nga KGJK-ja për kandidatët për emërim në pozitën e Kryetarit të Supreme, nuk ka parashikuar masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e mjaftueshëm të parimeve të barazisë, transparencës dhe hapjes gjatë procesit të votimit".

"Si rezultat i këtij procesi të votimit të gabuar dhe jokoherent, të gjithë kandidatet për Kryetar të Gjykatës Supreme, duke përfshirë edhe parashtruesen e kërkesës, ishin vendosur në një pozitë të pasigurisë juridike, pabarazisë dhe përzgjedhjes së pamerituar", ka thënë Gjykata Kushtetuese.

 

 

The post Kushtetuesja vendos në favor të Dakës, gjen parregullsi në emërimin e kryetarit të Supremës appeared first on INSAJDERI.

SHBA përkrah secilin subjekt që mund të formojë qeveri pas zgjedhjeve

Posted: 12 Jun 2017 08:55 AM PDT

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon popullin e Kosovës për zgjedhjet demokratike të mbajtura dje.

SHBA, përmes Ambasadës së saj në Kosovë, thotë se me interesim të lartë i pret raportimet e misionit zyrtar vëzhgues.

"Përderisa jemi të shqetësuar nga disa raportime për prezencën e listave të vjetra të votuesve, votimeve të dyfishta dhe parregullsive tjera sporadike, përgëzojmë Komisionin Qendror Zgjedhor, Komisionerët nëpër vendvotime, OSBE-në dhe të gjitha ekipet tjera monitoruese dhe vëzhguese për punën e tyre të jashtëzakonshme. Gjithashtu, zotohemi për mbështetjen tonë të vazhdueshme gjatë tërë kohës sa zgjat procesi i certifikimit të votave dhe të gjitha raportimet mbi parregullsi të jenë hetuar hollësisht dhe zgjidhur në përputhje me ligjet e Kosovës", thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Më tej, SHBA thotë se votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar.

"Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës pavarësisht përkatësisë partiake do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik", përfundon deklarata e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

The post SHBA përkrah secilin subjekt që mund të formojë qeveri pas zgjedhjeve appeared first on INSAJDERI.

Përfundon numërimi në Podujevë: 2 mijë vota diferencë mes vendit të parë dhe të dytë

Posted: 12 Jun 2017 08:44 AM PDT

Ka përfunduar numërimi zyrtar i të gjitha votave në Komunën e Podujevës, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), raporton Insajderi.

Nga numërimi i të gjitha votave në Komunën e Podujevës, vërehet diferencë jo e madh ndërmjet koalicionit LDK-AKR dhe Vetëvendosjes.

LDK-AKR ka fituar numrin më të madh të votave në këtë komunë, teksa ka arritur të fitojë 38.60 për qind të votave (12.887 vota).

Vetëvendosje ka arritur të fitojë rreth dy mijë vota më pak, e që në përqindje kthehet në 31.75 për qind.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA arriti të fitojë mbi 9 mijë vota, apo 27.05 për qind të votave. /Insajderi.com

The post Përfundon numërimi në Podujevë: 2 mijë vota diferencë mes vendit të parë dhe të dytë appeared first on INSAJDERI.

Emigrantët shqiptarë që u bënë të suksesshëm në SHBA

Posted: 12 Jun 2017 08:43 AM PDT

Janë rreth 431 shqiptarë që u bënë të suksesshëm në SHBA. Sigurisht që ne nuk do i përmendim të gjithë, por ato që me të vërtetë lanë gjurmë.

Në fillim si të gjithë emigrantët bënë gavetën e tyre. Punuan si punëtorë të thjeshtë dhe dalëngadalë me kursimet e tyre nisën të bëhen të suksesshëm. Shqiptarët e Amerikës jo vetëm që e kanë nderuar vendin e tyre po e kanë lartësuar atë më shumë me punën dhe veprimtarinë e tyre në kontinentin e lakmuar nga të gjithë. Janë rreth 431 shqiptarë që u bënë të suksesshëm në SHBA. Sigurisht që ne nuk do i përmendim të gjithë, por ato që me të vërtetë lanë gjurmë.

Antony Athanas

Fillimisht shiste fruta, perime me karrocë dhe gazeta dhe më pas qymyr për lokalet e ndryshme. Në vitin 1937 hapi restorantin e parë në Lynn Mass. Lokali u bë qendra e shqiptarëve të Amerikës, veçanërisht e udhëheqësve shpirtërore si Fan Noli. Sotir Peçi etj. Më pas hapi dhe disa lokale të tjera ku "Pier 4" në Boston do të frekuentohet nga personalitete të shtetit dhe artistë të njohur si presidenti Kenedi, Elisabeth Taylor, Hitckok etj.

Sotir Noke nga Dardha

Shkoi në Amerikë në vitin 1905 dhe studion në kolegjin "American International College". Pas studimeve do të ngrejë shtypshkronjën e shqiptarëve në SHBA, shkruan Konica.al.

Gjon Mili

Emigroi në vitin 1923. Pasi studioi për inxhinieri u mor me artin e fotografisë. Punoi në revista të njohura amerikane dhe konsiderohet si një nga fotografët më të mëdhenj botërore.

Spiridon Ilo

Ka emigruar në vitin 1916 në New York. Ai themeloi shtëpinë e parë diskografike "Albanian Phonograph Records." Realizoi shumë disqe duke regjistruar himnin kombëtar shqiptar dhe 30 disqe me këngë patriotike shqiptare

Kristaq Sotiri

Ka emigruar në vitin 1901 në New York. Pasi punoi në një fabrikë tekstili hapi një studio fotografie ndër më të njohurat.

Vëllezërit Kristo Lubonja, "Nderuan gjithë shqiptarët e Amerikës duke blerë restorantin më të mirë dhe aristokrat në Lynn.

George A. Pano Katundi

Ndërtuan në vitin 1917 një fabrikë që prodhon pjesë këmbimi. Kompania amerikano-shqiptare ka një kapital prej 40.000 dollarë me vlerë 100 dollarë aksioni.

Tasi Cikozi & Salesmar

Kompani amerikano-shqiptare "Perodi Cigar". Ndërtoi fabrikën e parë për prodhimin e cigareve në vitin 1923 në New York. Në vitin 1938, ndërtoi një fabrikë tjetër në New Jersey me kapital 50.000 dollarë.

Thanas Maksim & James Toli

Bënin tregti me artikuj sheqeri, sheqerka me kompaninë amerikane "American Sugar Cone". Makineritë për prodhimin e sheqerkave ishin shpikur nga vetë James Toli.

John Gjergji Kolçe

Nga fshati Qytezë i Korçës. Në Amerikë fillimisht punoi si rrobaqepës e tapicier. Pasi merr pjesë në Luftën e dytë Botërore do të kthehej dhe do të punonte në bujqësi. Pasioni që kishte për mekanikën e shtyu që të hapë një kompani "Century Plating" duke fituar menjëherë reputacion. Pas sukseseve të para dhe rezultateve në këtë fushë merr licensën për prodhimin e pajisjeve të industrisë bujqësore. U bë një nga bizneset më të fuqishme në Amerikë dhe punën e tij e vazhduan dhe fëmijët e tij.

Pronarë restorantesh

Sot emigrantët shqiptarë janë pronarë kafenesh dhe restorantesh nga më të njohurat ku dallojnë Miçe Grogor në Portland, Nuçi Mangjozi restorant në New York , Rakip Idriz restorant në New York, Spiro Kaçi restorant në New York, Harif M Tresteniku, Kafe "Kruja", Boston; Xhafer Shaqir Floqi, Kafene, New York; Elias Lazarati, Restorant, Philadelfia, e shumë të tjerë.

Pronarë agjencish e vaporësh

Shqiptarët e suksesshëm në SHBA drejtojnë biznese të fuqishme që merren me ndërtimin e vaporëve (T. Karameta, Agjenci vaporësh, New York), kanë agjenci turistike nga më të njohurat, drejtojnë biznese me influencë dhe kontribuojnë jo vetëm për familjen e tyre por janë një bazë e shëndoshë për mbështetjen e aktiviteteve me karakter kombëtar, duke na nderuar në të gjitha qytetet amerikane me punën dhe suksesin e tyre, shkruan.

(janë shfrytëzuar të dhënat nga Viron Prodani, dhe shoqata "Vatra").

The post Emigrantët shqiptarë që u bënë të suksesshëm në SHBA appeared first on INSAJDERI.

Vetëvendosje fiton më së shumti vota në Fushë Kosovë

Posted: 12 Jun 2017 08:31 AM PDT

Lëvizja Vetëvendosje, e cila në rrafsh kombëtar ka arritur të dalë si parti e dytë pas numërimit të 99 për qind të votave të zgjedhjeve të 11 qershorit, fitoi më së shumti vota në Komunën e Fushë Kosovës.

Në atë komunë që njihej si bastion i kahmotshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Fushë Kosovë, Vetëvendosje arriti të fitojë 4.582 vota (34.57%).

Pas numërimit të të gjitha votave në këtë komunë, koalicioni LDK-AKR ka arritur të fitoi rreth 100 vota më pak se VV-ja. LDK-AKR arriti të fitoi 4.484 vota (33.83%), raporton Insajderi.

Në vendin e tretë në këtë komunë përfundoi koalicioni PDK-AAK-NISMA, i cili fitoi 2.648 vota, apo kthyer në përqindje: 19.98. /Insajderi.com

 

 

 

The post Vetëvendosje fiton më së shumti vota në Fushë Kosovë appeared first on INSAJDERI.

Haradinaj: Do ta krijojmë qeverinë

Posted: 12 Jun 2017 08:20 AM PDT

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë përfunduan me renditjen në vend të parë të koalicionit të luftës. Surpriza ishte renditja e Lëvizjes Vetëvendosje në vendin e dytë, ndërsa në vend të tretë është LDK.

Megjithatë, asnjë nga grupimet nuk ka shumicën për të krijuar qeverinë. Me daljen e rezultateve të para nisën të festojnë si kosovarët, ashtu edhe serbët.

"Formimi i qeverisë do të bëhet në përputhje me detyrimet kushtetuese, me mandatin kushtetues. Por nuk shohim vështirësi sa i përket formimit të saj. Ne jemi në punë e sipër që kjo të ndodhë brenda afatit të duhur kohor”, deklaroi Haradinaj për Top-channel.

“Axhenda e Kosovës nuk do të mbahet peng nga askush, përfshi këtu edhe Beogradin, e jo më prej Listës Serbe. Ne jemi një brez që kemi qenë në gjendje për çdo sakrificë për atdheun, ndaj jemi të vendosur t'i kryejmë punët e Kosovës. Por do të punojmë me komunitetet joserbe dhe serbe, gjithsesi jo duke e lënë Kosovën të jetë peng i votës penguese", deklaroi kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, nga koalicioni PDK-AAK-Nisma.

Sa i përket numërimit të votave dhe punës së KQZ-së në lidhje me certifikimin e rezultatit, në lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin e lajmeve, për korrespondentin Idro Seferi foli edhe zëdhënësi i këtij institucioni në Kosovë, Valmir Elezi.

"Dita e zgjedhjeve ka shkuar jashtëzakonisht mirë, e në bazë të vlerësimeve që kemi marrë nga vëzhguesit vendas dhe ata ndërkombëtarë, por edhe nga mediet, ky proces ka qenë i organizuar mirë nga ana e KQZ-së. Numërimi tashmë ka përfunduar, ndërsa ajo që ndodh më tej është numërimi i votave me kusht, atyre me postë, dhe votat e personave me nevoja të veçanta. Gjithsesi, ky numër votash nuk është edhe aq i madh dhe nuk do të marrin shumë kohë. Sa i përket rezultateve paraprake, tashmë janë shfaqur në faqen zyrtare të KQZ-së dhe kanë mbetur vetëm pak vendvotime për t'u pasqyruar", deklaroi ndër të tjera Valmir Elezi.

I pyetur mbi kohën e votave të kandidatëve për deputetë, si dhe mbi certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, nëse priten apo jo ndryshime, ai shtoi:

"Rezultati përfundimtar varet edhe nga procedurat ligjore të përcaktuara në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Pas përfundimit të numërimit është një afat 24 orë në dispozicion të panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtrime, ku subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre. Do të presim vendimin e këtij paneli, për të parë se çfarë duhet ndërmarrë më tej. Deri në rezultatin përfundimtar do të duhet të presim edhe numërimin e votave të përmendura më sipër. Por këto janë thjesht çështje që varen nga procedurat ligjore", thotë Valmir Elezi.

The post Haradinaj: Do ta krijojmë qeverinë appeared first on INSAJDERI.

Përfundon numërimi i votave: Si votoi Skenderaj?

Posted: 12 Jun 2017 08:16 AM PDT

Ka përfunduar numërimi i të gjitha votave në Komunën e Skenderajt për zgjedhjet e 11 qershorit, raporton Insajderi.

Sipas rezultateve zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në Komunën e Skenderajt koalicioni fitues është PDK-AAK-NISMA, i cili ka fituar 84.34% të votave.

Në vednin e dytë është renditur Vetëvendosje (VV), me 6.63 për qind të votave të fituara në Skenderaj.

Ndërsa i treti përfundoi koalicioni LDK-AKR, i cili fitoi 6.07 për qind të votave në komunën që tradicionalisht ka fituar PDK. /Insajderi.com

The post Përfundon numërimi i votave: Si votoi Skenderaj? appeared first on INSAJDERI.

Partia e Drejtësisë shtroi iftar në ditën e heshtjes zgjedhore

Posted: 12 Jun 2017 08:11 AM PDT

Partia e Drejtësisë (PD), Dega e Rahovecit, përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se me datën 10 qershor ka organizuar iftar, në të cilin ka marrë pjesë edhe kryetari, Ferid Agani, me nënkryetarët Qeram Telqiu, Bahri Bokshi, Ardian Sejdiu dhe anëtar të kryesisë së PD-së, dhe mysafirë të shumtë të këtij qyteti.

Lajmin për këtë Partia e Drejtësisë e ka dhënë pas zgjedhjeve, ani pse iftarin e ka shtruar në ditën e heshtjes zgjedhore.

"Kryetari i Degës së PD-së në Rahovec, Munib Durguti, mysafirëve iu dëshiroi mirëseardhje duke iu uruar që Zoti i Madhërishëm t'ua ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe që gëzimi, harmonia të mbizotërojnë në familjet tuaja. Kryetari i PD-së, Ferid Agani, në fjalën e tij përshëndetëse tha se muaji i shenjt i Ramazanit është shembull se si besimtarët duhet të veprojnë edhe pas përfundimit të tij", thuhet në njoftim.

"Solidariteti, bashkimi dhe respekti i ndërsjellë janë disa nga cilësitë e besimtarit që vijnë në shprehje më shumë gjatë agjërimit, andaj ky iftar i organizuar flet më së miri për madhështinë e muajt të shenjt të Ramazanit", citohet të ketë thënë kryetari Agani.

The post Partia e Drejtësisë shtroi iftar në ditën e heshtjes zgjedhore appeared first on INSAJDERI.

Përfundon numërimi i votave në tri komuna të Anamoravës, fiton VV

Posted: 12 Jun 2017 07:49 AM PDT

Ka përfunduar numërimi i votave për zgjedhjet e 11 qershorit në tri komunat kryesore të rajonit të Anamoravës: Gjilan, Kamenicë dhe Viti.

Sipas numërimit zyrtar të të gjitha votave në këto tri komuna, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), del se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në të tri komunat.

Në Gjilan, Vetëvendosja ka arritur të fitojë 41.73 për qind të votave (17.133 vota), raporton Insajderi. Koalicioni LDK-AKR ka dalur i dyti në Komunën e Gjilanit, me 25.58 për qind të votave të fituara.

Në vendin e tretë ka përfunduar koalicioni PDK-AAK-NISMA, me 22.30 për qind, në Gjilan.

Edhe në Kamenicë ka përfunduar numërimi i të gjitha votave, derisa VV-ja ka përfunduar e para me 38 për qind të votave të fituara.

Në vendin e dytë pëfundoi koalicioni LDK-AKR, i cili koalicion fitoi 28.67 për qind të votave. Ndërsa, i treti në Kamenicë përfundoi koalicioni PDK-AAK-NISMA, që fitoi 21.48 për qind të votave.

E në Komunën e Vitisë, Vetëvendosje si parti e parë pas numërimit të të gjitha votave, ka fituar 37.06 për qind.

Subjekt i dytë në këtë komunë, nga këto zgjedhje ka dalur koalicioni LDK-AKR, me 34.69 për qind të votave të fituara. Koalicioni PDK-AAK-NISMA përfundoi i treti me 25.75për qind të votave. /Insajderi.com 

 

The post Përfundon numërimi i votave në tri komuna të Anamoravës, fiton VV appeared first on INSAJDERI.

Pacolli: Me Vetëvendosjen nuk u pajtuam, por urat kanë mbetur

Posted: 12 Jun 2017 07:38 AM PDT

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, i cili është në koalicion me LDK-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi, ka treguar detajet rreth bisedimeve që ka pasur me Lëvizjen Vetëvendosje për t'i përafruar qëndrimet dhe futjen në një koalicion.

Pacolli ka thënë se, edhe pse me Vetëvendosjen arritën të pajtohen në shumë pika, megjithatë, nuk u realizua nënshkrimi i një koalicioni parazgjedhor.

Madje ai ka bërë të ditur se kishte synuar ta bindte Vetëvendosjen që të futeshin në një koalicion edhe me LDK-në, në mënyrë që të krijohet një koalicion i madh.

Pavarësisht kësaj, Pacolli ka thënë se në këto bisedime kanë mbetur urat.

Postimi i plotë i tij:

AKR…rol kyq në të kaluerën dhe në të ardhmën politike të Kosovës!

AKR forca përcaktuese e çdo konfiguracioni të ardhshëm

Zgjedhjet e djeshme dhanë rezultatin që donte qytetari, dhe që për disa elemente, ishte surprizë.

Për disa elemente të tjera nuk ishte.

Fitoi fryma e ndryshimit.

Votuesit e partive shqiptare kundër establishmentit që ka dominuar Kosovën tash dhjetë vjet, janë më shumë sesa gjysma e numrit tërësor të votuesve.

Vetëvendosja që ishte koherente, e palëkundur në këtë qëndrim rezultoi partia numër një dhe për këtë meriton çdo lëvdatë.

E tash AKR-ja ?

AKR nuk arriti rezultatin që meriton për shkak të vështirësive që ka patur votuesi për t'u orientuar në koalicionet e krijuara, problemeve në një fushatë komplekse, etj.

Por ka diçka që nuk ndryshon :

AKR-ja ka qenë dhe mbetet aktore cilësore pro ndryshimit në Kosovë. Që nga 2007 deri më sot.

Kur AKR hyri në skenën politike të Kosovës, AKR ishte partia e pajtimit të bllokut të partive të luftës me pjesën tjetër të partive të paqes.

Në këtë qasje AKR nuk gaboi.

A nuk ishte Presidenti Rugova që bëri koalicion të LDK-së me AAK-në, duke i dhënë kryeministrin ?

Ne u përpoqëm që t'i jepnim qeverisjeve të ndryshme në Kosovë, programin tonë, ekspertizën tonë, zgjidhjet tona unike, të posaçme për gjyqësinë, për Trepçën, për bujqësinë, për investimet, për Bashkimin kombëtar ekonomik, etj, por u sabotuam rregullisht.

Kësisoj ne vendosëm përkundrejt presioneve, shantazheve të bëjmë zgjidhjen tonë autonome. Larg atyre që nuk e duan Kosovën, që nuk dinë të qeverisin, nuk duan të qeverisin si duhet.

Sot ne jemi në një situatë tjetër.

Tash dhjetë vjet i njëjti grup qeverisës kërkon të mbetet në pushtet, kokëfortë në gabimet e veta që i kanë kushtuar Kosovës. Pavarësisht se ata sot janë koalicion më i gjerë, prapëseprapë ai dominohet nga të njëjtët njerëz në skenë dhe prapaskenë.

AKR si pjesë e frymës për ndryshim ka negociuar prej një kohe bukur të gjatë me Lëvizjen Vetëvendosja. Kemi arritur përputhje relativisht të madhe në programe. Nuk kemi parë ndarje postesh, por konvergjim programesh. Kemi patur divergjenca për rolin e shtetit në ekonomi, por dhe për raportin me perëndimin. Unë punova njëkohësisht për krijimin e një fronti të madh për ndryshimin, që të përfshinte dhe LDK-në. Nuk arritëm dot për shumë arsye, por urat kanë mbetur të ngritura. Më vjen mirë që më në fund dhe zotëri Kurti në një mesazh publik për miqtë tanë perëndimorë e rikonfirmoi këtë orientim :

Kosova do ruajë raportin e privilegjuar me Perëndimin, me ata që e çliruan, duke ndërtuar një shtet serioz, të pakorruptuar që nuk abuzon me ndihmën perëndimore.

AKR e rikonfirmon fuqishëm bindjen e vet se Kosovës i duhet ndryshimi i madh. Forcat e ndryshimit janë më shumë sesa gjysma e elektoratit.

AKR është përcaktuese në konfirmimin në pushtet të forcave të ndryshimit dhe do të kontribuojë në këtë ndryshim me ndershmërinë e vet, me moderacionin e vet, me diturinë e vet, me ekspertizën e vet, me programin e vet.

Ne jemi të bindur se çdo qeveri e ardhshme duhet të ketë prioritetin numër një zhvillimin ekonomik dhe shtetin ligjor.

Në çdo rast, në mënyrë konsensuale, çdo qeveri do duhet të iniciojë një reformë të gjerë kushtetuese që ndryshon sistemin zgjedhor, që fut zgjedhjen e presidentit nga populli dhe ndryshime të tjera.

AKR është e gatshme që të luajë rolin që i lipset vendit.

The post Pacolli: Me Vetëvendosjen nuk u pajtuam, por urat kanë mbetur appeared first on INSAJDERI.

Kelmendi nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve: U zhvleftësuan 50 mijë vota tona

Posted: 12 Jun 2017 07:15 AM PDT

Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për siç ka thënë ai, “mohimin e padrejtë që të kemi komisioner për ruajtjen e votës”.

Lideri i Fjalës, që mori vetëm 1 për qind të totalit apo 6 mijë vota dhe që nuk arrin të futet në Kuvend, ka thënë se në numërim ka pasur mashtrime dhe se votat për partinë e tij janë shpallur si vota të pavlefshme.

“Na mohuat padrejtësisht të kemi komisioner për ruajtjen e votës tonë. 50 mijë fletëvotime të pavlefshme. Kjo tregon qartë qëllimin e juaj. Ju e dëmtuat Partinë FJALA që garoj me njerëz me vlera dhe vullnet të pastër”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.

Kelmendi është shprehur i habitur me rezultatin e zgjedhjeve, teksa i ka krahasuar këto rezultate me ato të zgjedhjeve të vitit 2014.

“Në vitin 2010 kur askush nuk më njihte, fitova i vetëm mbi 4 mijë vota. Në vitin 2014 fitova i vetëm mbi 10 mijë vota”, ka thënë Kelmendi, i cili ka shprehur dyshime rreth procesit të votimit dhe të numërimit të votave për zgjedhjet e 11 qershorit.

“Tash së bashku me 109 kandidat të tjerë na ‘dolën’ rreth 6 mijë vota. A mendoni se ju besojmë, a mendoni se pajtohemi?”, deklaroi Kelmendi.

Sipas Kelmendit, mbi 50 mijë vota që janë shpallur si të pavlefshme nga KQZ, të gjitha i takonin Partisë Fjala.

“Ju me strategjinë e juaj profesionale zhvleftësuat mbi 50 mijë votat tona duke i bërë të pavlefshme. Kjo dëshmon edhe njëherë se sa është i zhytur vendi ynë në krim të organizuar dhe korrupsion.Por një gjë dijeni, se nuk mund ta ndalni kurrë vullnetin e këtyre djemve dhe vajzave që të punojnë për popull dhe shtet”, ka thënë ai.

 

The post Kelmendi nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve: U zhvleftësuan 50 mijë vota tona appeared first on INSAJDERI.

Numërohen 98% të votave, nuk ka ndryshime të theksuara në rezultat

Posted: 12 Jun 2017 07:04 AM PDT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka arritur të numërojë 98.55 për qind të votave të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit.

Në vendin e parë është koalicioni PDK-AAK-NISMA, e cila ka arritur të fitojë 34.07 për qind të votave nga numërimi i mbi 98% të votave, raporton Insajderi.

Ndërsa në vendin e dytë është Vetëvendosje, e cila ka arritur të fitojë 27.00 për qind të votave.

Në vendin e tretë mbetet koalicioni LDK-AKR-Alternativa, me 25.72 për qind të votave të fituara, nga numërimi i 98% të votave. /Insajderi.com

 

The post Numërohen 98% të votave, nuk ka ndryshime të theksuara në rezultat appeared first on INSAJDERI.

LDK ndiqet nga Vetëvendosje në bastionin e saj

Posted: 12 Jun 2017 07:03 AM PDT

Komuna e Podujevës llogaritet si bastion i LDK-së që nga paslufta. Madje në zgjedhje atje vazhdimisht kjo parti k a fituar bindshëm. Por në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën dje, rezultati nuk është edhe aq i kënaqshëm sa pritej nga kjo parti.

Në votat që janë numëruar deri më tani, LDK-ja në këtë komuna ka fituar 38.35%.

Por jo shumë larg nga ky rezultat gjendet Lëvizja Vetëvendosje, e cila në këto zgjedhje po llogaritet si befasia më e madhe, për shkak të rritjes në përqindje.

Vetëvendosje në Podujevë ka fituar 31.59% të votave të numëruara deri më tani.

Kurse koalicioni PDK-AAK-NISMA është partia e tretë në këtë komunë më 27.43% të votave.

KQZ-ja ende nuk ka dalë me rezultate preliminare në këtë proces zgjedhor, pasi janë duke u numëruar edhe rreth 5 përqind e votave të mbetura./Insajderi.com

The post LDK ndiqet nga Vetëvendosje në bastionin e saj appeared first on INSAJDERI.

Daçiq e cilëson Kosovën si sfidën më të madhe të sigurisë së Serbisë

Posted: 12 Jun 2017 06:58 AM PDT

Ushtruesi i detyrës së kryeministrit dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë një ceremonie të shënimit të 180 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar në Kragujevac, ka përmendur Kosovën si sfidë të madhe të sigurisë.

Duke folur për luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit, ai e cilësoi Kosovën si sfidë për shkak të rritjes së radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në luftërat e huaja si luftëtarë terroristë, raporton Tanjug.

Me këtë rast ai Kosovën e ka cilësuar si "sfidën më të madhe të sigurisë së Serbisë."

"Ne nuk e njohim pavarësinë e deklaruar njëanshëm [të Kosovës] dhe ne besojmë që një zgjidhje e qëndrueshme mund të vijë vetëm përmes mënyrave politike në pajtueshmëri me ligjin ndërkombëtar, përmes një dialogu neutral mes Beogradit dhe Prishtinës, nën vëzhgimin e BE-së", ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se në kuadër të dialogut, Serbia po përpiqet që të zgjidhë gjithë çështjet më të rëndësishme dhe diskutuara.

"Vetëm paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mund të sigurojë progres të secilit shtet dhe regjionit si të tërë", ka përfunduar ai. /Insajderi.com

The post Daçiq e cilëson Kosovën si sfidën më të madhe të sigurisë së Serbisë appeared first on INSAJDERI.

Isa Mustafa do ta përfaqësojë koalicionin në bisedime për formimin e Qeverisë

Posted: 12 Jun 2017 06:56 AM PDT

Pas zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura të dielën, drejtuesit e subjekteve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi janë takuar të hënën dhe kanë e vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor.

"Drejtuesit e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi vlerësojnë lart dhe falënderojnë qytetarët e Republikës së Kosovës për një proces të rregullt zgjedhor, për kulturën e treguar dhe për mbështetjen që i kanë dhënë koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi", thuhet në komunikatën e LDK-së.

"Partnerët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, pas procesit të djeshëm, presin certifikimin e rezultatit nga ana e KQZ-së, për të ditur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit", thuhet më tej aty.

Por ky koalicion ka përsëritur qëndrimin e vet, duke thënë se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeveria ku është edhe PDK-ja.

"Koalicioni përsërit qëndrimin e palëkundur se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, në të cilën është edhe PDK-ja", thuhet në qëndrimin e koalicionit.

LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi theksojnë se koalicioni është unik në të gjitha qëndrimet.

"Koalicioni është pajtuar që kryetari i LDK-së ta përfaqësojë këtë koalicion", përfundon komunikata./Insajderi.com

The post Isa Mustafa do ta përfaqësojë koalicionin në bisedime për formimin e Qeverisë appeared first on INSAJDERI.

“Dashuria” e tifozëve të Kosovës për FIFA-n, çuditet gazetari britanik

Posted: 12 Jun 2017 06:48 AM PDT

Që në fillimin e rrugëtimit të saj në eliminatoret e Botërorit 2018, në stadiumet ku luan Kosova është shfaqur gjithmonë një parullë që lejohet mes tifozëve nga Federata Kosovare e Futbollit.

Ajo ka kuptimin "Kosova, zemra e FIFA-s" dhe tifozët kosovarë janë të mësuar me të ndërsa e cilësojnë si një falënderim për ndihmën që i dha kjo organizatë për njohjen ndërkombëtare.

Por, një gjë e tillë duket shumë e çuditshme, ose më saktësisht unike, për gazetarin dhe shkrimtarin e njohur sportiv britanik, Xhejms Monteg. Ai ka shoqëruar Kosovën në rrugëtimin e saj në Botërorin 2018, duke raportuar për këtë përfaqësuese në mediat më të mëdha botërore.

james montague

Para ndeshjes së mbrëmshme në "Loro Boriçi", ai ka bërë një postim në Twitter rreth kësaj parulle. "Kosovë-Turqi fillon pas pak minutash në Shkodër, Shqipëri.

Stadiumi 'Loro Boriçi' është ndoshta i vetmi në botë të ketë parulla pro FIFA-s', shkruante Monteg i cili ka shëtitur vende të ndryshme në botë dhe ka shkruar libra rreth kombëtareve të vogla.

The post “Dashuria” e tifozëve të Kosovës për FIFA-n, çuditet gazetari britanik appeared first on INSAJDERI.

Çlirimi i Kosovës nëpërmjet fotografive (FOTO)

Posted: 12 Jun 2017 06:44 AM PDT

Për të parë më afër emocionet e çlirimit të Kosovës nga serbet, shikojini këto fotografi të përzgjedhura.

Hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë, pas terrorit serb që kanë përjetuar shqiptarët , padyshim vlerësohet të jetë emocioni më i fuqishëm i këtij populli të përvuajtur, dhe reagimet e tyre përderisa shihnin ushtarët e KFOR-it në Kosovë, kanë bërë lajm edhe në mediet më prestigjioze të botës, shkruan KultPlus.

Nuk mund të harrohet lehtë reagimi i një qytetari të Kosovës, i cili mbi një makinë ushtarake të NATO-s, thërriste më gjithë forcën NATO, NATO, NATO. Për të parë më afër emocionet e çlirimit të Kosovës nga serbet, shikojini këto fotografi të përzgjedhura.

The post Çlirimi i Kosovës nëpërmjet fotografive (FOTO) appeared first on INSAJDERI.