“Heqja e Kosovës nga Kushtetuta, fazë e re për Serbinë” plus 17 more Radio Evropa e Lirë

“Heqja e Kosovës nga Kushtetuta, fazë e re për Serbinë” plus 17 more Radio Evropa e Lirë


Heqja e Kosovës nga Kushtetuta, fazë e re për Serbinë

Posted: 05 Jun 2017 09:15 AM PDT

Serbia po hyn në një fazë të re në procesin drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian dhe ndryshimi i Kushtetutës është një nga kushtet që duhet t'i plotësojë ky vend, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë. Sipas tyre, kjo është edhe arsyeja pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar hapjen e një debati me të gjitha strukturat e shoqërisë serbe, për ndryshimin e Kushtetutës dhe për Kosovën, e cila aktualisht në preambulën e Kushtetutës serbe figuron si pjesë e territorit të këtij shteti. "Dua të hap dialogun e brendshëm për çështjen e Kosovës, me të gjitha dallimet tona, pa paragjykime, duke respektuar Kushtetutën e vendit", pati deklaruar Vuçiq, gjatë ceremonisë së marrjes së postit të presidentit të Serbisë. Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se debati i paralajmëruar nga presidenti serb Vuçiq, do të synojë krijimin e klimës së favorshme në opinion për caktimin e saktë të çështjes së Kosovës në Kushtetutën e Serbisë. Ai vlerëson se ky debati i paralajmëruar që të zgjasë tre deri në gjashtë muaj, nuk është ndonjë manovër politike në raport me Bashkimin Evropian. "Kjo nuk mund të jetë më taktizim, sepse taktizimi ka zgjatur për shumë kohë. Vuçiq paralajmëroi se ky debat do të jetë i dhimbshëm dhe se ai do të akuzohet edhe për tradhti kombëtare. Por, ai mendon se kjo është në interes të popullit serb, të Serbisë dhe të gjendjes në Ballkan. Pra, unë supozoj - dhe ky supozim është me gjasë - që Serbia do ta gjejë formën, që përmes debatit do ta heqë Kosovën nga preambula e saj. Vetëm ky mund të jetë përfundimi. Nuk mund të ketë asnjë përfundim tjetër". Politologu Tahiri ka shtuar se për heqjen e Kosovës nga preambula kushtetuese, Serbia mund t'i qaset disa modaliteteve. "Më i miri dhe më i lehti do të ishte që vetëm ta fshijë nga preambula. I ndërmjetëm do të ishte, që të thotë se 'Kosova është nën administrim ndërkombëtar', ndërsa e ardhmja është në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në pranimin e realitetit. Mundet që edhe debati në Serbi të shkoj drejt pranimit të realitetit, që është tash e 17 vjet, mirëpo të kërkojnë garanci për komunitetin serb në Kosovë". Edhe politologu Behlul Beqaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se Serbia do të jetë e detyruar, që me hapjen e kapitullit 35, t'i qaset ndryshimeve formale të kushtetutës së saj. Por, megjithatë, sipas tij, kjo do të jetë problem i Vuçiqit me Serbinë. Në këtë pikë, sipas tij, Serbia do të përpiqet të trasoj rrugën drejt një zgjidhjeje të kënaqshme për të. "Serbia, fillimisht, besoj që do të insistojë në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive. Ndërsa, në fazën e mëtejme, nëse bisedat nuk shkojnë s'duhet, epilogu përfundimtarë do të jetë, sipas mendimit tim, i hapur për shumë alternativa tjera, duke përfshirë edhe marrëveshjen për këmbimin eventual të territoreve". Politologu Beqaj ka shtuar se Kosova duhet ta ndryshoj qasjen në dialogun me Serbinë, në interes të partneritetit të ndërsjellë dhe n jo ta vazhdojë sikurse deri më tash. Në variantin e parë, sipas tij, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të krijohet sipas Kushtetutës së Kosovës, në rast se Serbia në mënyrë implicite dhe eksplicite e njeh shtetin e pavarur të Kosovës. Ndërkaq, sipas tij, në variantin e dytë, nëse shkohet në këmbime territoriale, atëherë kjo duhet të ndodhë në masë të barabartë, si dhe të normalizohen raportet në interes të partneritetit të ndërsjellë. Deri më tash, ndryshimi i kufijve është kundërshtuar në mënyrë të vendosur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, politologu Beqaj, vlerëson se nëse kjo ndodhë me marrëveshje dhe me njohje të ndërsjellë, pa e cenuar interesin e palës së tretë, kjo duhet kuptuar si alternativë e mundshme, në pamundësi të gjetjes së ndonjë zgjidhjeje tjetër. "Në kërkim të zgjidhjes, të themi, universale të së drejtave, unë nuk shoh probleme të natyrës serioze. Çështje tjetër është se çfarë do të bëjnë forcat nacionaliste, por pikërisht këtë zgjidhje duhet të jenë për ti pacifikuar forcat nacionaliste, që ato të mos jenë më faktorë që lëvizin dhe shkaktojnë konflikte dhe kriza në rajon". Sido që të jetë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se në debatin e paralajmëruar duhet diskutuar hapur, për t'u liruar nga qasja mitike, por edhe nga dhënia e lehtë e siç ka thënë ai "të asaj në të cilën kemi çdo të drejtë". Dialogun e brendshëm në Serbi, ai e ka vlerësuar madje edhe më të rëndësishëm se sa atë Serbia po e zhvillon me Kosovën. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Britani: Corbyn kërkon dorëheqjen e kryeministres

Posted: 05 Jun 2017 09:10 AM PDT

Lideri opozitar në Britani, Jeremy Corbyn, ka kërkuar nga kryeministrja, Theresa May, që të paraqes dortëheqje për shkak të reduktimeve në numrin e pjesëtarëve të polcisë, gjatë punës së saj gjashtëvjeçare si sekretare e brendshme. I pyetur sot nga televizioni ITV se a i mbështet thirrjet për dorëheqjen e zonjës May, lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, tha "se do të kërkoja me të vërtetë...ne kurrë nuk është dashur ta shkurtojmë numrin e policëve". Më herët gjatë ditës, kryeministrja May është ballafaquar me pyetje nga gazetarët, nëse ka keqardhje për zvogëlimin e numrit të policëve për afro 20 mijë, gjatë kohës sa ishte sekretare e brendshme, në periudhën 2010 – 2016, ndërsa ajo është përgjigjur duke thënë se forca policore e Londrës është "mirë me burime" dhe ka "kapacitete shumë të fuqishme kundërterroriste". Këto zhvillime u bënë derisa policia i ka vazhduar hetimet lidhur me sulmin terrorist në Londër, para dy ditësh, me ç'rast janë vrarë 7 vetë dhe plagosur dhjetëra të tjerë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Pesë të vrarë nga të shtënat në Orlando

Posted: 05 Jun 2017 08:47 AM PDT

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara thonë se pesë njerëz janë vrarë në vendin e tyre të punës, afër qytetit Orlando në Floridë. Sherifi i Qarkut Orange, Jerry Demings, u tha sot reporterëve se personi i armatosur ishte një ish i punësuar i pakënaqur, që ishte shkarkuar në muajin prill. Demings tha se ky person i armatosur e ka vrarë edhe vetveten. Katër vetë ishin vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pesti kishte vdekur në spital, tha Jerry Demings. Sipas tij, besohet se të shtënat nuk kanë asnjë lidhje me terrorizëm. Demings tha se sulmuesi i dyshuar, 45 vjeçar, i cili nuk është identifikuar publikisht, ishte i involvuar në incidente të mëparshme të dhunshme në vendin e punës. Por, në këtë rast ai nuk ishte akuzuar. Orlando ishte vendi i të shtënave masive nga një person i armatosur, i cili i vrau 49 vetë në një klub të natës të homoseksualëve në qershor të vitit 2016. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Raportohet për “fatalitete të shumëfishta” nga të shtënat në Orlando

Posted: 05 Jun 2017 08:24 AM PDT

Autoritetet e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se ka "fatalitete të shumëfishta", pas të shtënave në një hapësirë industriale në qytetin Orlando të Floridës. Zyra e sherifit në këtë rajon, ku përfshihet qyteti Orlando, sot në rrjetin Twitter ka shkruar se "situata" është nën kontroll. Disa rrugë në Orlando janë mbyllur derisa zëvendëssherifat janë përgjegjur ndaj të shtënave. Nuk janë dhënë detaje të tjera. Orlando ishte vend i të shtënave masive nga një person i armatosur, me ç'rast u vranë 49 vetë, gjatë sulmit në një klub nate të homoseksualëve në qershor të vitit 2016.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjeorgjia, Azerbajxhani dhe Turqia, i kanë filluar ushtrimet ushtarake

Posted: 05 Jun 2017 08:05 AM PDT

Gjeorgjia, Azerbajxhani dhe Turqia, i kanë filluar ushtrimet e përbashkëta ushtarake afër Tbilisit. Ushtrimet kanë filluar sot dhe zgjasin deri më 14 qershor, ka njoftuar Ministria e mbrojtjes e Gjeorgjisë. Kjo ministri tha se forcat nga tri vendet fqinje do të koordinohen dhe do të ndërmarrin operacione speciale, përfshirë ushtrime ushtarake tokësore dhe ajrore. Kjo është hera e tretë që këto tri vende mbajnë ushtrime të përbashkëta, ndërsa stërvitja e parë ishte mbajtur në vitin 2009. Dy ushtrimet e mëparshme janë mbajtur në Turrqi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Fakte të reja rreth rrëzimit të aeroplanit MH17 më 2014

Posted: 05 Jun 2017 07:09 AM PDT

Një ekip hulumtuesish që ka bërë kërkime rreth rrëzimit të fluturimit MH17 të Malaysia Airlines, ka publikuar raportin ku thuhet se ka pasur ndërhyrje të pajisjeve ushtarake ruse në rrëzimin e aeroplanit, i cili fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lampur. Raportet, të cilat janë publikuar sot nga Bellingcat, grup hulumtues me bazë në Britani, kanë gjetur vendin e lansimit të raketave të ashtuquajtura Buk, të cilat ishin të përfshira në rrëzimin e aeroplanit MH17, në korrik të vitit 2014. Bellingcat ka botuar fotografi të censuruara të shoferëve dhe kamionëve që pretendohet se kanë lëvizur pajisjet në vendin ku më pas u rrëzua aeroplani. Nga rrëzimi në territorin e Ukrainës lindore humbën jetën 298 veta. Edhe në raportet e para, Bellingcat pati identifikuar se avioni ishte rrëzuar nga përdorimi i pajisjeve ushtarake ruse. Rusia ka mohuar se luftëtarët që mbështet ajo në Ukrainën lindore ishin përgjegjës për sulmin, gjë e cila është pretenduar nga Bellingcat. Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se 298 viktimat nga rrëzimi i aeroplanit MH17, janë pjesë e të paktën 9,900 personave, të cilët janë vrarë nga fillimi i konfliktit në Ukrainë në mes të separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave të Kievit. Konflikti nisi në mars të 2014-tës pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe u akuzua se po nxiste separatizëm në të gjithë Ukrainën lindore dhe jugore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Xhepat e "thellë" të partive politike për fushatë

Posted: 05 Jun 2017 06:20 AM PDT

Partitë politike në Kosovë dhe kandidatët që po garojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, janë duke shpenzuar shuma të mëdha parash për fushatën zgjedhore. Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se vetëm në katër ditët e para të fushatës, partitë politike kanë shpenzuar para të majme për spotet televizive, transmetime të drejtpërdrejta të tubimeve dhe reklama të ndryshme. Por, këto shpenzime mbeten të pa evidentuara, për shkak të mungesës së transparencës nga partitë politike të cilat vazhdojnë të mbeten të mbyllura duke mos deklaruar saktë shpenzimet. Isuf Zejna nga organizata Demokraci Plus, tha për Radion Evropa e Lirë, se partitë politike ngjashëm me të kaluarën edhe tani në prag të zgjedhjeve, nuk po tregohen transparente dhe nuk duan të flasin për të hyrat që kanë dhe shpenzimet për fushatë zgjedhore. "E para është se donatorët nuk duan t'u zbulohet emri. Partitë politike nuk i deklarojnë të gjitha se pastaj bien në kundërshtim më limitet ligjore, kufizimet të cilat i vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në rastet e tjera, partitë politike nuk i kanë nën kontrollin e vet as kandidatet individual". "Pra, një kandidat për deputet nuk i jep llogari partisë politike se sa është duke shpenzuar. Disa nga ta janë edhe me të pasur ose kanë pozita të larta në Qeveri ose Kuvend dhe kanë lidhje me bizneset, kështu që shumë kompani janë të gatshme t'i mbështesin fuqishëm", tha Zenaj. Partitë politike veçmas gjatë procesit të zgjedhjeve nuk janë gjendje të tregojnë burimet e financimit të fushatave të tyre zgjedhore, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Organizata Demokraci Plus dhe Çohu, në një konferencë për media thanë se dy koalicionet, përkatësisht ai i Partisë Demokratike e Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, si dhe koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa, janë shpenzuesit më të mëdhenj të parave gjatë kësaj fushate 4 ditore. Në bazë të të dhënave nga një hulumtim 4 ditor, thuhet se vetëm për spote televizive, PDK, AAK dhe NISMA, si koalicion, ka shpenzuar 55 mijë euro. Ndërsa LDK, AKR dhe Alternativa, si koalicion ka shpenzuar mbi 25 mijë euro. Ndërkohë, për Lëvizjen Vetëvendosje u tha se për spote të transmetuara në televizione, ka shpenzuar 1.700 euro. Zenaj tha se edhe kur partitë politike deklarohen, sipas Ligjit për zgjedhje në KQZ, lidhur me shpenzime gjatë fushatës zgjedhore të dhënat janë në shpërputhje me atë që deklarohet dhe shpenzimet e bëra në terren. "Partitë politike shumë shpesh i zvogëlojnë shpenzimet në deklarimet e tyre, duke i paraqitur si shumë më të vogla. Nga e kaluara presim që edhe kësaj here të kemi të njëjtën gjë", tha Zenaj. Drejtoresha për Regjistrimin e partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Miradije Mavriqi, tha për Radion Evropa e Lirë se partitë politike nuk mund të shpenzojnë më shumë para, sesa që është e caktuar me ligj. Në bazë të KQZ-së, partitë politike nuk mund shpenzojnë më shumë para se 0.50 cent për votues. Në bazë të numrit të votuesve dhe shumës totalë të buxheti të ndarë, del se kjo shumë mund të arrijë diku rreth 942 mijë euro. "Në rast se [partitë politike] shpenzojnë më shumë, sigurisht se gjatë kontrollimit apo të auditimit të atyre raporteve që i dorëzojnë subjektet politike, auditori do të caktojë, do të jap vërejtje lidhur me atë se sa ka shpenzuar. Ekzistojnë sanksione apo gjoba që mund të shqiptohen ndaj tyre", tha Mavriqi. Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro. Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat. Përveç mjeteve që u ndahen nga buxheti i Kosovës, partitë politike thuhet se financohen edhe nga burime tjera, që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, nuk dihet se kush janë, pasi që nuk bëhen transparente. Ndryshe, financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër Raportet e Progresit që publikon Komisioni Evropian.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Turqia vazhdon ndalimin për gjermanët në bazën Incirlik

Posted: 05 Jun 2017 05:50 AM PDT

Turqia ka thënë se do të vazhdojë ndalimin e vizitave nga politikanët gjermanë në bazën ajrore në Incirlik. Kjo zonë ka qenë në qendër të mosmarrëveshjeve midis aleatëve të NATO-s, prej se Ankaraja bllokoi një vizitë për ligjvënësit gjermanë muajin e kaluar. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, ka thënë se "tani për tani është e mundur një vizitë në bazën e NATO-s në Konia, në vend të Incirlik". Ai bëri këto deklarata në një konferencë për shtyp pas bisedimeve me homologun e tij gjerman Sigmar Gabriel në Ankara. Gabriel ka thënë se, Gjermania nuk ka zgjidhje tjetër vetëm që të fillojë procesin e tërheqjes së trupave të saj nga Incirlik. "Turqia ka bërë të qartë se, për arsye të brendshme politike nuk mund të miratojë vizitat e të gjithë ligjvënësve", u ka thënë Gabriel gazetarëve, duke shtuar se "në këtë situatë, ne duhet të transferojmë ushtarët gjermanë nga Incirlik". Gjermania ka së paku 250 trupa ushtarakë të vendosur në Incirlik, në Turqinë jugore, si pjesë të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik. Turqia ka marrë vendim për ndalimin e vizitave të zyrtarëve gjermanë në Incirlik, prej se autoritetet gjermane patën vendosur që të mundësojnë dhënien e azilit për ushtarët që akuzohen për pjesëmarrje në grusht shtetin e dështuar të vitit të kaluar në Turqi. Lidhjet mes dy vendeve u përkeqësuan në prag të referendumit të 16 prillit në Turqi pas i njejti i dha presidentit Rexhep Tajip Erdogan fuqi më të madhe presidenciale.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedoni: Parashikimet për rritje ekonomike, jo reale

Posted: 05 Jun 2017 05:20 AM PDT

Parashikimet e Qeverisë se re se mund të ketë rritje të theksuar ekonomike këtë vit janë jo reale, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë sipas të cilëve gjendja aktuale nuk jep asnjë shpresë se mund të ketë rritje prej katër për qind, siç u shpreh kryeministri, Zoran Zaev në paraqitjen para Kuvendit, por edhe në prononcime tjera. Zaev në ekspozenë e paraqitur para deputetëve ka thënë se rritja ekonomike gjatë qeverisjes së tij do të jetë nga pesë për qind për çdo vit me tendencë rritjeje të mëtejmë. Ai ka premtuar rrogë mesatare të punonjësve të institucioneve jo më të vogël se 30 mijë denarë apo 500 euro, si dhe rrogë minimale jo më të vogël se 18 mijë denarë apo 300 euro. Janë paraparë edhe masa tjera, që sipas ekspertëve, janë të realizueshme, por në një periudhë më të gjatë kohore. "Me një situatë politike stabile, me kthimin e profesionalizmit në institucionet politike, me masa reale ndaj shoqërisë, me heqje dorë nga masat populliste dhe investimet joproduktive, mund të pritet rritje e zhvillimit ekonomik deri në katër e ndoshta edhe deri në pesë për qind. Por, kjo rritje nuk do të ndodhë këtë vit, siç pretendon kryeministri Zaev. Kjo vështirë se do të ndodhë edhe vitin e ardhshëm. Një rritje e tillë mund të ndodhë vetëm pas dy viteve, pasi të kemi krijuar një stabilitet të qëndrueshëm ekonomik, juridik dhe të sigurisë", thotë Petar Goshev, ish Guvernator i Bankës Popullore. Zhvillimi ekonomik është i mundur, por gjendja në të cilën ndodhet ekonomia e Maqedonisë është e rëndë dhe e ngadalëson këtë proces, thotë ndërkohë Abylmenaf Bexheti, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore. Bexheti thotë se Qeveria e re fillimisht duhet të punojë në konsolidimin e institucioneve si kusht për t'iu qasur edhe reformave tjera, si në gjyqësor dhe hartimin e politikave ekonomike të qëndrueshme. Ai thotë se Qeveria duhet të punojë në bazë të përgjegjësisë së çdo dikasteri dhe jo si deri më tani kur ata kanë qenë vetëm se zbatues të urdhrave të kryeministrit. "Mendoj se puna e parë që duhet bërë është që institucionet të jenë funksionale, duke nisur nga vet qeveria. Pra, të ketë një shpërndarje të përgjegjësisë nëpër çdo ministri, ashtu siç ndodhë gjithkund në botë. Nëse qeveria fillon të funksionoj mbi këto baza dhe të zbatoj atë që ka si përcaktim të saj, atëherë ajo mund të kaloj në shtyllën e dytë që është gjyqësori, një proces ky shumë i rëndësishëm, por edhe shumë i vështirë për ta vendosur në binarë". "Sa i përket programit ekonomik për rritjen e investimeve kapitale e kështu me radhë, vlerësoj se ato nuk nevojë që ato të rriten. Kryeministri premtoi se ato do të sillen në 400 apo 600 milion euro, por unë mendoj se investimet nuk ka nevojë të lidhen me shifra, por ka nevojë që investimet të realizohen në sasi dhe cilësi, çfarëdo shifre që do të parashihen në buxhet ", thotë profesori Abdylemenaf Bexheti. Ish kryeministri, Nikolla Gruevski ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë së re, duke i quajtur të parealizueshme, por edhe rrënuese të asaj që pretendon se është ngritur gjatë qeverisjes së tij 11 vjeçare me Maqedoninë. Ekspertët thonë se gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë shumë veprime në ekonomi, por ato më shumë i vlerësojnë si masa populliste se sa reale, që sipas tyre kanë dyfishuar borxhin e Maqedonisë. "Borxhi është dyfishuar, nuk e dimë se sa para janë vjedhur, apo janë dërguar jashtë vendit. Në kushte të rritjes së borxhit kemi rritje ekonomike vetëm prej dy për qind e ndoshta edhe më pak. E vërtetë është se para janë dhënë për asistencë sociale, por janë dhënë për ithtarë të VMRO-së, pra kemi pabarazi sociale. Para janë dhënë edhe për subvencione, por rezultati nga to është negative. Shkalla e papunësisë është në rreth 30 për qind duke e radhitur Maqedoninë ndër shtetet më të varfra në Evropë", thotë Petar Goshev, ish Guvernator i Bankës Popullore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin: Rusia nuk ka material komprometues për Trumpin

Posted: 05 Jun 2017 04:49 AM PDT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një interviste të transmetuar në terminin më të shikuar në Shtetet e Bashkuara, përsëri i ka hedhur poshtë akuzat se Moska është përzier në zgjedhjet amerikane vitin e kalaur dhe tha se Kremlini nuk ka material komprometues për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Zoti Putin e ka shfrytëzuar një intervistë të mbrëmshme në programin e rrjetit NBC, Sunday Night With Megyn Kelly, për ta distancuar vetveten nga kundërthëniet lidhur me dyshimet për përzierje ruse, që kanë shkaktuar një gjendje të trazuar në Uashington dhe seriozisht i kanë dëmtuar shpresat e paraqitura për përmirësim të lidhjeve me Shtetet e Bashkuara, që janë shumë të tensionuara. Putin i ka hedhur poshtë lidhjet e tij me figurën qendrore në hetimet e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje, duke thënë se ai "realisht as që ka folur me" Michael Flynnin, i cili ishte këshilltar i zotit Trump gjatë fushatës zgjedhore dhe ka shërbyer për një kohë si këshilltar për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, para se të shkarkohej. Putin ka vlerësuar se raportet se ai ka ndonjë informatë dëmtuese, që mund të përdoret për ta komprometuar Trumpin, ishin "vetëm një tjetër ngarkesë e marrëzive" dhe e ka shtruar pyetjen se "nga kush do ta merrnim ne këtë informacion"? Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili javën e kaluar tha se hakerët rusë mund të kenë ndërmarrë hapa për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane për shkaqe "patriotike", por vazhdimisht ka përsëritur se shteti nuk ka qenë i involvuar në këtë çështje, ka vlerësuar se nuk kishte nevojë për Rusinë për të synuar ndikim në rezultate, duke sugjeruar se kjo nuk do të kishte kuptim në periudhë afatgjate. "Presidentët vijnë e shkojnë dhe bile edhe partitë në pushtet ndryshojnë, por drejtimi kryesor politik nuk ndryshon", tha Putin. Në muajin janar të këtij viti, komuniteti i inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, e publikoi një vlerësim se "Putin kishte urdhëruar fushatë ndikuese në vitin 2016, me synimin në zgjedhjet presidenciale amerikane", ku përfshihej shkatërrimi i besimit në sistemin demokratik të Shteteve të Bashkuara, denigrimin e gjasëve të kandidates demokrate, Hillary Clinton, dhe përmirësimin e gjasëve të Trumpit për të fituar. Zyrtarët amerikanë dhe shumë vëzhgues besojnë se Putin dëshironte t'i zvogëlonte gjasët e zonjës Clinton për tu zgjedhur, pasi ajo publikisht kishte marrë qëndrim të ashpër për të drejtat e njeriut dhe demokracisë në Rusi, pastaj agresionin e saj në Ukrainë, duke u shprehur në mbështetje të vazhdimit të sanksioneve për shkak të aneksimit të Krimesë dhe involvimit në luftën në pjesën lindore të Ukrainës, nga e cila deri tash janë vrarë më se 9,900 njerëz. Putin ka marrëdhënie të ftohta me zonjën Clinton dhe e ka akuzuar atë për inkurajimin e protestave kundër qeverisë në Rusi në vitin 2011, në periudhën kur Putin përgatitej të kthehej në presidencë, pasi i kaloi katër vite si kryeministër. Nga ana tjetër, Donald Trump, gjatë fushatës zgjedhjore e pat bërë të qartë se do të synoj përmirësim të raporteve me Rusinë dhe do ta shtoj bashkëpunimin kundër terrorizmit. Për këtë bashkëpunim, për një kohë të gjatë, është angazhuar Putin. Herë pas herë, Putin dhe Trump kanë shprehur admirim për njëri-tjetrin, por Putin tha se asnjëherë nuk ka pasur "marrëdhënie speciale" me presidentin e Shteteve të Bashkuara. "Ne nuk kemi kurrfarë raportesh", tha Putin dhe ka shtuar se "ishte një kohë kur ai e vizitoi Moskën, por kurrë nuk jam takuar me të". Agjencia amerikane FBI dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara po zhvillojnë hetime për kontaktet ndërmjet rusëve dhe fushatës dhe ekipit tranzitor Trump, përfshirë çfarëdo shenje të mundshme të marrëveshjes së fshehtë nga ana e ndihmësve të Trumpit me atë që oficerët e inteligjencës amerikane thonë se ishin synimet ruse në zgjedhjet amerikane. Vladimir Putin, që në të kaluarën për një kohë të gjatë ishte oficer i KGB-së sovjetike, zakonisht duket se krenohet me vëmendjen për detaje, pastaj me njohjen e njerëzve me të cilët takohet dhe për përgatitjet e gjithanshme për biseda dhe zhvillime të tjera. Në muajin shkurt të vitit të kaluar, këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, Michael Flynn, u detyrua të largohej nga zyra, ku qëndroi më pak se një muaj, pas pretendimeve se e kishte mashtruar zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence për kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kislyak, gjatë periudhës tranzitore pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit të kaluar. Michael Flynn, po ashtu, ishte akuzuar se nuk ka raportuar për takimin me Putinin në Moskë, gjatë një solemniteti të organizuar nga rrjeti shtetëror televiziv, Russia Today, dhe për pagesë të honorarit nga burimet ruse, siç ishte pagesa nga ky rrjet televiziv. Putin, po ashtu, tha se nuk ka njohuri për raportet nga shumë media amerikane për propozimin e dhëndërit dhe këshilltarit të Trumpit, Jared Kushner, për krijimin e një kanali sekret për komunikim me Kremlinin. "Nuk kam njohuri për këtë propozim, asnjë propozim si ky nuk ka ardhur tek unë", tha Putin. Komentet e Putinit ishin përkthyer nga rusishtja në anglishte për transmetim. Kremlini sot e ka publikuar transkriptin e intervistës. Derisa e ka hedhur poshtë përzierjen ruse në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, Putin e ka akuzuar Uashingtonin për ndërhyrje në zgjedhjet e jashtme. "Vendoseni gishtin kudo në hartën e botës dhe çdokund ju do të dëgjoni për ankesat se zyrtarët amerikanë janë përzier në proceset e brendshme zgjedhore", tha Putin. Analistët thonë se Putin shpeshherë synon t'i mënjanoj akuzat kundër Rusisë, duke u përpjekur t'ia mveshë aksionet e ngjashme atij që akuzon. Duket se Putin u nervozua shumë nga pyetja e moderatores Megyn Kelly, për raportet e korrupsionit të gjatë dhe shtypjen e atyre që mendojnë ndryshe në Rusi. "Përse ju mendoni se keni të drejtë të na bërni pyetje të këtilla?, ka pyetur Putin dhe shtoi "për të moralizuar dhe për të na dhënë mësime se si të jetojmë"? "Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë kur kjo bëhet në mënyrë konstruktive, me qëllim të ndërtimit të raportit, krijimit të ambientit të përbashkët. Por, ne absolutisht nuk do të pranojmë kur këto lloje të gjërave përdoren si instrument të konfliktit politik", tha Putin. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Katër shtete arabe shkëputën marrëdhëniet diplomatike me Katarin

Posted: 05 Jun 2017 04:04 AM PDT

Vendimi për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin, ka ardhur pas mbështjetjes së supozuar të Katarit ndaj grupeve islamike dhe marrëdhënieve të afërta me Iranin. Pas një koordinimi, Arabia Saudite, Egjipti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë njoftuar se do të tërheqin stafin diplomatik dhe do të shkëpusin të gjitha kontaktet me Katarin. Ky vendim do ta izolojë Katarin, në të cilin gjendet një bazë e madhe ushtarake amerikane. Vendet e Gjirit Persik e shohin Katarin si shumë të afërt me Iranin dhe lëvizjet islamike siç është Vëllazëria Myslimane. Të gjitha vendet kanë planifikuar që të ndërprejnë trafikun në tokë, det dhe ajër me Katarin, kurse vizitorëve nga ky vend u është dhënë dy javë kohë për t'u larguar. Arabia Saudite e ka akuzuar Katarin për mbështetje "të disa grupeve terroriste" përfshirë Vllazërinë Myslimane, Shtetin Islamik dhe Al-Qaeda. Një një kumtesë të përcjellur nga agjencia shtetërore e lajmeve saudite, Katari u akuzua edhe për mbështetje të atyre që u quajtën si militantë iranianë në Arabinë Saudite dhe Bahrein. Bahrein ka deklaruar se vendimi i tij ishte rezultat i "nxitjes së medias nga ana e Katarit, mbështetja në aktivitetet terroriste dhe financimi i grupeve iraniane për të përhapur kaos në Bahrein". Ministria e Jashtme e Egjiptit ka shtuar se "kanë dështuar të gjitha përpjekjet për të ndaluar Katarin nga mbështetja e grupeve terroriste". Emiratet e Bashkuara e kanë akuzuar kryeqytetin e Katarit, Doha, për "mbështetje, financim dhe përqafimin e terrorizmit dhe ekstremizmit", ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve WAM, duke shtuar se, Abu Dabi u ka dhënë diplomatëve të Katarit 48 orë për t'u larguar nga vendi. Linja ajrore kombëtare e Emirateve, Etihad Airways ka njoftuar se do të pezullojë të gjitha fluturimet për në dhe nga Doha nga dita e nesërme deri në njoftimin e rradhës. Ministria e Jashtme e Katarit ka shprehur keqardhje duke thënë se vendimi është i bazuar në supozime të pabazuara". Televizioni Al-Jazeera me seli në Katar, ka cituar ministrinë e cila ka thënë se vendimet "nuk do të ndikojnë në jetën normale të qytetarëve dhe banorëve". Sekretari i Shteteve të Bashkura, Rex Tillerson, u bëri thirrje shteteve të Gjirit të qëndrojnë të bashkuar dhe të diskutojnë dallimet e tyre. "Ne sigurisht që do t'i inkurajojmë palët të ulen së bashku dhe t'i trajtojnë këto dallime," ka thënë Tillerson. Ai po ashtu ka thënë se nuk beson që kriza diplomatike do të ndikojë në fushatën ushtarake kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Katari është vendi ku vepron Komanda Qendrore e ushtrisë së SHBA-së me rreth 10,000 trupa amerikane. Në Teheran, një zyrtar i lartë iranian ka thënë se vendimi për të shkëputurmarrëdhëniet diplomatike me Katarin nuk do të ndihmojë në përfundimin e krizës në Lindjen e Mesme. Zëvendës shefi i stafit të presidentit të Iranit, Hamid Aboutalebi, ka thënë përmes Twitterit se "epoka e prishjes së marrëdhënieve diplomatike dhe mbylljes së kufijve ... nuk është mënyrë për të zgjidhur krizën". Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mali i Zi sot edhe zyrtarisht pjesë e NATO-s

Posted: 05 Jun 2017 03:45 AM PDT

Mali i Zi do  të bëhet edhe zyrtarisht anëtari i 29-të i NATO-s, në një ceremoni në Uashington gjatë ditës së sotme. Ky vend i vogël ballkanik i bashkohet aleancës veriatlantike -- e cila u krijua për të luftuar agresionin sovjetik -- dhe tani po bën përpjekje për të ndaluar rusët në rritjen e ndikimit të tyre në Evropën Lindore. Kryeministri Dushko Markoviq do të jetë pjesë e ceremonisë së pranim- dorëzimit në Shtetet e Bashkuara. Flamuri i Malit të Zi do të valvitet në selinë e NATO-s në Bruksel për herë të parë më 7 qershor. Sekreti i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg do të jetë pjesë e ceremonisë në Uashington për të mirëpritur anëtarin më të ri të aleancës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hoti: Do ta nxjerrim në opozitë PDK-në

Posted: 05 Jun 2017 03:28 AM PDT

"Për hir të stabilitetit të institucioneve të vendit, për hir të zhvillimit ekonomik në vend dhe konsolidimin e demokracisë në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës duhet të dal në opozitë, kjo është e rëndësishme", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i nominuari për kryeministër nga koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa, Avdullah Hoti. Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoti, cilat janë pikat kryesore të cilat ua ofroni ju, votuesve në Kosovë, i kandiduar për postin e kryeministrit, që ata t'ju mbështesin? Avdullah Hoti: Fokusi jonë është tek zhvillimi ekonomik, tek punësimi, tek të ardhurat, ulja e papunësisë, zhdukja e varfërisë, rendi dhe ligji dhe integrimet evropiane. Këto janë tri shtyllat e programit tonë. Brenda zhvillimit ekonomik kemi një program që është mjaft konkret që targeton grupe të caktuara të popullsisë, tek rinia, tek çështjet e cilësisë në arsim, dhe mandej punësimi pas mbarimit të arsimit. Tek bujqit jam i sigurt që do ta dyfishojnë produktin bujqësor përmes subvencioneve që janë shumë më mirë të targetuara dhe dizajnuara si politika. Kemi politika që janë të reja në këtë fushatë për familjet e reja kosovare për të ndihmuar familjet e reja që të konsolidohen dhe të rrisin fëmijët në qetësi dhe me të ardhura të mjaftueshme. Një bllok i veçantë i programit është sundimi i rendit dhe ligjit dhe luftimi i pa kompromis i korrupsionit. Ne jemi të përgatitur që të nxjerrim ligjet më rigoroze që sigurojnë fillimisht pavarësinë e organeve të drejtësisë nga ndikimet politike dhe ndikimet e jashtme. Ofrimin e të gjitha resurseve në dispozicion për organet e drejtësisë që të kryejnë punën e vet dhe mbi të gjitha ligjin që konfiskon krejt pasurinë që nuk mund të dëshmohet se është fituar në mënyrë të ligjshme. Dhe blloku i tretë është integrimet evropiane, anëtarësimi në NATO, fqinjësia e mirë. Kemi një platformë e cila është zhvilluar gjerësisht brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe koalicionit tonë sa i përket dialogut me Serbinë se si duhet të shkojë me një platformë komplet të re, tash me një afat kohor kur duhet të përmbyllet ky dialog. Tek çështja e formimit të Ushtrisë, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, për krijimin e kushteve brenda krejt spektrit politik, përfshirë edhe pakicat për të lëvizur përpara në këtë drejtim, por të vendosur gjithmonë që Ushtria e Kosovës duhet të themelohet. Ne do të shtjerrim të gjitha mundësitë që i kemi për të arritur konsensus me gjithë akterët politik në vend dhe do të lëvizim përpara me këtë vendim të madh. Radio Evropa e Lirë: Për dy vite rresht, kryeministri në largim, Isa Mustafa, dhe Qeveria të cilës ju ende i përkisni, nuk arriti të sigurojë mbështetjen në Kuvend për demarkacionin. Çka dallon oferta e juaj në këtë rast, për ratifikimin e demarkacionit dhe liberalizimin e vizave? ​Avdullah Hoti: Do të krijojmë një platformë të dialogut mes spektrit politik në Kuvend, mes pozitës dhe opozitës së ardhshme, do të involvojmë të gjitha palët në konsultime. Janë disa raporte për këtë qëllim. Fillimisht, raporti që është bërë nga Komisioni shtetërore për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, tani është raporti i Komisionit ndërkombëtarë i themeluar në atë kohë nga ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga me ekspert amerikanë si dhe është raporti tjetër i Akademisë së shkencave. Pra, janë tri raporte që nuk janë kontradiktore, do t'i nxjerrim në tavolinë me gjithë spektrin politik në vend, do të krijojmë transparencë maksimale në këtë proces përfshirë edhe banorët e asaj ane, duke i siguruara që asnjë pëllëmbë tokë nuk humbet as nuk falet, por që duhet të lëvizim përpara në këtë drejtim. Radio Evropa e Lirë: Keni premtuar se do të arrini një buxhet prej 5 miliardë euro nga 2 miliardë sa është aktualisht. Si do të arrini këtë? Avdullah Hoti: Programi jonë ka perspektivë tetë vjeçare. Në mandatin e parë, unë jam i sigurt që ne mund të arrijmë buxhetin 3 miliardë euro dhe në mandatin e dytë 5 miliardë euro. Edhe kur e kemi përgatitur buxhetin që sot e kemi 2 miliardë euro gjatë verës së vitit të kaluar, kur unë kam filluar konsultimet brenda Qeverisë, ka pasur hezitime edhe nga kolegët ministra edhe nga analistët se nuk mund të arrihet, por sot 2 miliardë euro është realitetet. Unë jam i sigurt që me projeksionet që kemi ne për rritjen ekonomike deri në 7 – 8 për qind, ne lehtësisht mund të arrijmë buxhetin 3 miliardë euro në mandatin e parë dhe 5 miliardë euro në mandatin e dytë.  Ne në baza vjetore tash mund të shkojmë deri në 500 – 600 milionë euro shtesë të bruto prodhimit vendor, që krijojnë një bazë të mjaftueshme ekonomike për të lëvizur tek një buxhet deri në 5 miliardë euro. Disa prej projekteve të mëdha që do të kenë efekte multiplikuese në ekonomi unë pres që të fillojnë shpejt. Projekti i termocentralit 'Kosova e re' që besoj shpejt do të arrijmë të nënshkruajmë kontratën me kompaninë amerikane që do të ndërtojë këtë, projekti i Brezovicës, Trepça, që unë besoj që për dy vite, pasi që tani kemi edhe studimin e fizibilitetit, do ta arrijmë që ta aktivizojmë, ta listojmë në bursat ndërkombëtare dhe ta ngjallim këtë gjigant ekonomik,që do ta ndryshojë rrënjësisht bilancin tregtarë që ka Kosova. Radio Evropa e Lirë: Sa është i qëndrueshëm koalicioni aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativa. Besoni se do të mbijetoj ky koalicion edhe pas 11 qershorit? Avdullah Hoti: Unë jam i impresionuar me mënyrën se si është perceptuar nga publiku ky koalicion, si një koalicion krejt i natyrshëm, i njerëzve që kanë qasje të njëjtë sikur ne në zgjidhjen e problemeve. Ne jemi parti e qendrës së djathë. Me AKR-në pra si parti e qendrës së djathtë ne e promovojmë sektorin privat, ekonominë sociale të tregut, ekonominë liberale, marrëdhëniet e mira, integrimet në BE që janë krejt brenda botëkuptimeve dhe filozofisë politike që kanë AKR, Alternativa. Në masë të madhe përputhemi në programe. Po shoh në terren që po pritet shumë mirë, kemi harmonizuar programet tona lehtësisht dhe është krijuar një frymë unifikuese e këtyre partive që na janë bashkangjitur. Nuk kam asnjë dilemë që do të funksionojmë si një trupë e vetme në Qeverinë e ardhshme. Avdullah Hoti: Nëse paraqitet nevoja, për formimin e Qeverisë së re, kë preferoni si partner shtesë në koalicionin tuaj, Vetëvendosjen apo ndonjë subjekt nga koalicioni Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma? Avdullah Hoti: Është herët të flitet për ato. Me perceptimin që kemi në terren prej takimeve që mbajmë me të gjitha kategoritë e shoqërisë, unë jam i bindur që ne do të arrijmë të marrim shumicën e nevojshme për të themeluar Qeverinë. Ajo çka është e rëndësishme, për hir të stabilitetit të institucioneve të vendit, për hir të zhvillimit ekonomik në vend dhe konsolidimin të demokracisë në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës duhet të dal në opozitë, kjo është e rëndësishme. Qytetarët mendoj se duhet ta kenë të qartë, sepse është në interes më të mirë të vendit, të zhvillimit ekonomik, të rendit dhe ligjit në veçanti, të luftimit të korrupsionit që PDK të dal në opozitë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hoti: PDK duhet të jetë në opozitë

Posted: 05 Jun 2017 03:28 AM PDT

"Për hir të stabilitetit të institucioneve të vendit, për hir të zhvillimit ekonomik në vend dhe konsolidimin të demokracisë në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës duhet të dal në opozitë, kjo është e rëndësishme", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i nominuari për kryeministër nga koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa, Avdullah Hoti.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Policia ndalon Aleksandar Jabllanoviqin

Posted: 04 Jun 2017 11:11 PM PDT

Policia e Kosovës, ka konfirmuar se ka ndaluar dhe shoqëruar për në stacionin e Leposaviqit, Aleksandar Jabllanoviqin, aktualisht kryetar i Partisë së Serbëve të Kosovës, parti kjo që garon në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit. Arrestimi i Jabllanoviqit ka pasuar përfshirjen e tij në një zënkë, me ç'rast është thirrur policia, e cila pas kontrollit ka gjetur një armë zjarri te Jabllanoviqi, si dhe është konfirmuar se ai ishte edhe nën ndikimin e alkoolit. Jabllanoviq është shoqëruar në polici bashkë me bashkëshorten e tij, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskomandanti i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti. Pas intervistimit, Jabllanoviq dhe bashkëshortja e tij janë liruar nga autoritetet. Aleksandar Jabllanoviq ka qenë për disa muaj ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë në largim të Kosovës, por më pas ishte shkarkuar. Ai ishte edhe njëri prej themeluesve të Listës Serbe, por e cila nuk e njeh më atë si kryetar, andaj në zgjedhjet e 11 qershorit, kishte vendosur të garoj me një subjekt të ri politik, me emrin Partia e Serbëve të Kosovës.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Takim në Meksikë pas ndalimit të pajisjeve elektronike gjatë fluturimit

Posted: 04 Jun 2017 11:07 PM PDT

Udhëheqës të industrive ajrore do të takohen më 5 dhe 6 qershor në Meksikë, për të gjetur zgjidhje pas vendimit të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për ndalimin e përdorimit të laptopëve dhe paisjeve të tjera elektronike gjatë fluturimit. Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), e cila ka 275 anëtarë të linjave ajrore, do të zhvillojë takime në Kankun, për të diskutuar rreth strategjive të industrisë për vitin e ardhshëm. Drejtori gjeneral i kësaj shoqate, Alexandre de Juniac u ka thënë gazetarëve se udhëheqësit e industrisë pranojnë se paisjet elektronike janë kërcënim për aviacionin, por ata mendojnë se ky ndalim po kërcënon industrinë ajrore. Ndalimi i tanishëm ndikon kryesisht në transportuesit e Lindjes së Mesme. Kompanitë si Emirates, Qatar Airways dhe Turkish Airlines janë ndër kompanitë më të prekura nga kufizimet në fluturimet në SHBA. Po këto kompani e kanë konsideruar si të padrejtë këtë ndalim. Në anën tjetër, zyrtarë nga SHBA.-ja kanë thënë se po planifikojnë zgjerimin e ndalimit për fluturimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Ky ndalim do t'i kushtonte industrisë ajrore me humbje rreth 1.4 miliardë dollarë. Propozimet alternative të sugjeruara nga anëtarët e IATA-s përfshijnë përdorimin e qenve që nuhasin drogë dhe eksplozivë, teknologjinë e re të zbulimit të bombave si dhe rritjen e trajnimit.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kryqi i Kuq mbledh 13 milionë euro gjatë një koncerti në Mançester

Posted: 04 Jun 2017 10:06 PM PDT

Kryqi i Kuq Britanik ka thënë se ka mbledhur më shumë se 13 milionë euro, gjatë një koncerti bamirës që u mbajt mbrëmë në Mançester. Koncerti vjen dy javë pas një bombardimi vetëvrasës që vrau 22 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Koncerti i titulluar One Love Manchester u mbajt të dielën nën masa të rrepta sigurie. Sipas organizatorëve, në koncert ishin më shumë se 50.000 pjesëmarrës. Pjesë e koncertit ishte këngëtarja Ariana Grande, e cila ishte duke performuar më 22 maj kur ndodhi "shpërthimi masiv". Grupi militant, Shteti Islamik (IS) më pas mori përgjegjësinë për sulmin. Koncerti i bamirësisë erdhi vetëm një ditë pasi tre terroristë me një furgon dolën jashtë rrugës dhe goditën disa këmbësorë në Londër. Të njejtit u larguan nga furgoni dhe sulmuan disa njerëz me thika, duke vrare shtatë persona dhe duke plagosur rreth 48 të tjerë. Në koncertin e mbajtur mbrëmë në Mançester kanë marrë pjesë edhe këngëtarët si, Justin Bieber, Katy Perry, Coldplay, Take That, Liam Gallagher, Pharrell Williams dhe Robbie Williams.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmin në Londër

Posted: 04 Jun 2017 09:42 PM PDT

Militantët e grupit ekstremist Shteti Islamik e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Urën e Londrës (London Bridge), ku u vranë shtatë persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë, kanë raportuar agjenci të lajmeve duke cituar një faqe të grupit ekstremist. "Pjestarë të Shtetit Islamik kanë kryer sulmin në Londër", është thënë në postim. Këto lajme bëhen të ditura pasi Policia britanike ka thënë të dielën, se ka arrestuar 12 persona në lindje të Londrës, gjatë hetimeve lidhur me sulmin që ndodhi të shtunën. Deri më tash shtatë persona kanë mbetur të vdekur dhe të paktën 36 të tjerë janë lënduar pasi një furgon doli jashtë rrugës dhe goditi disa këmbësorë. Tre sulmuesit më pas dolën nga furgoni dhe sulmuan disa njerëz me thika në një restorant, afër Borough Market. Që të tre janë vrarë nga Policia pak minuta pas sulmit. Identitetet e tyre ende nuk janë bërë të ditura.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now