“Gjermania tërhiqet nga baza turke Inxhirlik” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Gjermania tërhiqet nga baza turke Inxhirlik” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Gjermania tërhiqet nga baza turke Inxhirlik

Posted: 07 Jun 2017 09:46 AM PDT

Qeveria e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka vendosur t'i tërheq ushtarët e vet dhe aeroplanët vëzhgues nga baza ajrore Inxhirlik në Turqi, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy qeverive. Ankaraja nuk ka lejuar që ligjvënësit gjermanë ta vizitojnë këtë bazë. Trupat gjermane dhe aeroplanët, që po marrin pjesë në koalicionin ndërkombëtar në luftën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, do të vendosen në Jordani. Gjermania i ka afro 270 ushtarë të stacionuar në Inxhirlik, afër kufirit të Turqisë me Sirinë, së bashku me gjashtë aeroplanë të tipit Tornado dhe një aeroplan për furnizim me karburant. Liderët gjermanë thonë se është esenciale që ligjvënësit të jenë në gjendje t'i vizitojnë ushtarët kur ata të duan, pasi vendosja e forcave gjermane jashtë vendit duhet të miratohet në parlament. Turqia e ka bllokuar kërkesën e fundit për vizitë në shenjë të protestës për vendimin e autoriteteve gjermane që tu sigurojnë azil ushtarëve dhe individëve të tjerë, të cilët Turqia i ka akuzuar për pjesëmarrje në grushtshtetin e dështuar të vitit të kaluar. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO e vë në pikëpyetje rinegocimin e Demarkacionit

Posted: 07 Jun 2017 09:05 AM PDT

Njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë paralajmërojnë Prishtinën zyrtare se pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, gjërat kanë ndryshuar sa i përket çështjes së proklamuar shumë në fushatën aktuale zgjedhore, për rinegocimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit. Sipas tyre, Podgorica, vështirë se do të pranojë të hyjë në ndonjë proces të rishikimit të kësaj marrëveshjeje, tashmë kur vija kufitare e këtij shteti është pranuar edhe nga Aleanca Veri-atlantike. Naim Maloku, ekspert ushtarak, tha për Radion Evropa e Lirë se tash shteti malazez do të flasë ndryshe lidhur me çështjen e Demarkacionit të kufirit. "Unë nuk e besoj se Mali i Zi ka për të shkuar në rinegocim të marrëveshjes për shkak se nuk ka arsye, sepse ata e kanë kaluar marrëveshjen në Kuvend, e kanë ratifikuar dhe Mali i Zi ka probleme shumë të mëdha më opozitën". "Opozita pro-ruse në Mal të Zi, është tepër e fuqishme. Dhe po ashtu nuk e besoj që ndonjë qeveri e Malit të Zi, ka për të pasur guximin që të hyjë në rishikim të marrëveshjes ose ta shfuqizojë ratifikimin që është kryer në Kuvendin e Malit të Zi", tha Maloku. Kurse, Vigan Qorolli, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, nuk do të ketë ndonjë ndikim ndërmjet raporteve të Kosovës dhe Malit të Zi, në aspektin e Demarkacionit të kufirit. Ai mendon se nuk do të ketë probleme, pasi që, sipas tij, çështjet e kufirit janë punë që rregullohen ndërmjet shteteve përkatëse. "Kështu, të themi figurativisht se topi ka mbetur në anën e Kosovës e cila ose duhet ta miratojë në Kuvendi këtë version të cilin edhe Mali i Zi e ka ratifikuar paraprakisht ose plani B është që ta refuzojë me votë në Kuvend, ku po ashtu kërkohen 80 vota dhe pastaj të kërkohet rinegocimi i kritereve për përcaktimin e kufirit të Kosovës- Mal i Zi", tha Qorolli. Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Qorolli thotë se arbitrazhi ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi mund të vijë në shprehje si opsion real. "Unë jam ithtar i dërgimit të rastit në Gjykatën permanente të Arbitrazhit me seli në Hagë, sepse është e vetmja mundësi për të përcaktuar kriteret e reja. Metodologjike është vendosja nga disa arbitra meritorë të huaj, profesor të njohur dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, sepse sipas kritereve të ndjekura nga të dyja palët, kufiri është përcaktuar në kundërshtim me rregullat e ligjit ndërkombëtar", tha Qorolli. Demarkacioni me Malin e Zi, nuk u arrit të ratifikohet nga përbërjen tashmë e shpërndarë e Kuvendit të Kosovës, sado që koalicionin qeverisës e përbënin dy partitë më të mëdha – Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Marrëveshja e arritur në gusht të vitit 2015 për Demarkacionin me Malin e Zi, është kundërshtuar në vazhdimësi nga opozita, por edhe nga një numër i konsiderueshëm i deputetëve nga partitë në pushtet gjatë punës së Kuvendit tashmë të shpërndarë të Kosovës. Ratifikimi i Demarkacionit ishte dhe mbetet kusht që Komisioni Evropian i ka vënë Kosovës për liberalizimin e vizave.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kryeparlamentari iranian e konsideron sulmin "të vogël"

Posted: 07 Jun 2017 08:54 AM PDT

Kryeparlamentari iranian e ka konsideruar sulmin si çështje minore, por që po trajtohet me seriozitet dhe forcat e sigurisë do të ndërmarin të gjitha masat e nevojshme. Gjatë fjalimit u dëgjuan edhe brohoritje "Vdekje Amerikës".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Flamuri i Malit të Zi është ngritur në selinë e NATO-s

Posted: 07 Jun 2017 08:45 AM PDT

NATO-ja sot e ka mirëpritur Malin e Zi si anëtarin më të ri, me ceremoninë e ngritjes së flamurit malazez në selinë e aleancës në Bruksel. "NATO-ja është një aleancë e demokracive, e bashkuar nga qëllimi i vetëm: të qëndroj me secilin dhe ta mbrojë njëri-tjetrin", tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg. Ai këtë e ka vlerësuar si "ditë historike". "Mali i Zi i bashkohet NATO-s si i barabartë, me ulëse në tavolinën tonë dhe me zë të njejtë në krjimin e të ardhmes së aleancës", tha Stoltenberg. Ai e ka uruar presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, dhe popullin malazez për "çdo gjë që ka arritur". Mali i Zi u bë anëtar me të drejta të plota në NATO, në ceremoninë e pardjeshme në Uashington. Rusia e ka kritikuar pranimin e Malit të Zi në NATO, ndërsa ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka vëlerësuar dje se Mali i Zi ishte "tërhequr në NATO", ndërsa ministria e tij tha se Moska e rezervon të drejtën për të ndërmarrë "masa hakmarrëse" ndaj asaj që kjo ministri e ka vlerësuar si "histeri anti-ruse" atje.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Katër persona të plagosur pas një incidenti të armatosur në Pejë

Posted: 07 Jun 2017 08:27 AM PDT

Policia e Kosovës, ka konfirmuar se katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një incidenti me të shtëna me armë zjarri në qytetin e Pejës. "Sipas të dhënave të para është mësuar se nga të shtëna me armë zjarri janë të plagosur katër persona, dy nga të plagosurit ishin të involvuar në rast, ndërsa dy personat e mitur ishin kalimtar rasti", thuhet në njoftimin e policisë nga Departamenti rajonal në Pejë. Të plagosurit me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për t'ju ofruar ndihma adekuate mjekësore me ç 'rast dy prej tyre (të përfshirë në këtë rast), nën përcjelljen e Policisë së Kosovës janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm. Personat e plagosur në këtë rast janë: B.K. mashkull, (1983), N.K. mashkull (1976) dhe dy të mitur, B.R. femër dhe G.L. mashkull.  "Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e personave të dyshuar të këtij rasti. Rreth orës 16:05 njësitet policore të Departamentit në Pejë kanë arritur të arrestojnë katër persona të dyshuar dhe janë konfiskuar tri armë të kalibrave dhe llojeve të ndryshme. Hetuesit Rajonal në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit, sipas këtij njoftimi,janë duke ndërmarrë veprime hetimore për të mësuar motivin e kësaj ngjarje dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me këtë rast.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump e ka shpallur të zgjedhurin për drejtor të FBI-së

Posted: 07 Jun 2017 08:26 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka zgjedhur zyrtarin e lartë të Departamentit të drejtësisë, Christopher Wray, për drejtor të ri të agjencisë FBI. "Do ta nominoj Christopher A. Wray, njeri me të arritura shumë të mira, që të jetë drejtor i ri i FBI-së", ka shkruar Tump në rrjetin Twitter. Zoti Wray ishte ndihmës i prokurorit të përgjithshëm në periudhën 2003 – 2005, nën presidencën e George W. Bushit. Zgjedhjen e presidentit Trump për drejtor të FBI-së duhet ta konfirmoj Senati i Shteteve të Bashkuara. Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, është shkarkuar nga presidenti Trump, muajin e kalaur, derisa po vazhdon hetimi për përzierje të dyshuar ruse në zgjedhjet amerikane në vitin 2016.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rreth 65 mijë euro gjoba ndaj partive politike për shkelje gjatë fushatës

Posted: 07 Jun 2017 08:00 AM PDT

Disa nga subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, janë gjobitura nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të këtij institucioni. Deri më tani, sipas tyre, gjobat e shqiptuara ndaj subjekteve politike kanë arritur në vlerën e rreth 65 mijë euro. Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se ankesat për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore janë pranuar nga subjektet politike si dhe nga organizatat vendore që merren me vëzhgimin e fushatës zgjedhore. Sipas Deskut, shkeljet e rregullave të fushatës zgjedhore, kanë të bëjnë me shkelje të kodit të mirësjelljes, kryesisht vendosja e materialeve zgjedhore në hapësira publike. "Para fillimit të fushatës dhe gjatë fushës të subjekteve politike, gjithsej kemi pranuar 116 ankesa bashkë me apele. Prej 116 ankesa, janë 18 apele të cilat kanë të bëjnë me fazën para fillimit të fushatës zgjedhore". "Gjithsej i kemi 98 ankesa që janë parashtruara nga subjektet e ndryshme politike, që kryesisht ju referohen shkeljeve të kodit të mirësjelljes, të Ligjit të shërbimit civil, që ka të bëjnë më bërjen e fushatës zgjedhore të partive politike në këto ditë. Gjobat të shqiptuara ndaj subjekteve politike, gjithsej deri më tani janë 64,700 euro", thekson Desku. Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partinë Nisma, ka shtuar Desku, prin me numrin më të madh të shkeljeve, pasuar nga Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës. Fushata e subjekteve politike, ngjashëm me proceset paraprake, po vëzhgohet edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, "Demokracia në Veprim". Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, që bën pjesë në këtë koalicion, i tha Radios Evropa e Lirë se në PZAP kanë dorëzuar rreth 50 ankesa. Sipas tij, deri më tani në bazë të këtyre ankesave të dorëzuara janë marrë 24 vendime, derisa gjoba për këto vendime arrin në shumën e mbi 41 mijë euro, derisa, rreth 30 ankesa të tjera, shton Krasniqi, janë në trajtim e sipër nga PZAP. "Nga ajo që është identifikuar deri më tani në terren, e që cilësohen si shkelje e rregullave të fushatës zgjedhore, janë përdorimi i resurseve publike, kryesisht veturave zyrtare nga partitë politike apo kandidatëve të tyre, pastaj janë identifikuar vendosja e materialeve zgjedhore të fushatës, të pankartave të kandidatëve të partive politike në hapësira publike, në institucione kulturore, në shenja të komunikacioni, në shtylla elektrike e të tjera", thekson Krasniqi. Fushata e subjekteve politike në Kosovë ka filluar më datën 31 maj dhe do të mbyllet më 9 qershor. Më datën 10, është heshtje zgjedhore, kurse më 11 qershor, pritet që qytetarët e Kosovës, me të drejtë vote të votojnë. Mbi 20 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu edhe subjektet politike, pritet ta vëzhgojnë procesin zgjedhor të 11 qershorit në Kosovë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin: Askush nuk do ta mbijetonte luftën SHBA - Rusi

Posted: 07 Jun 2017 07:53 AM PDT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një dokumentar që do të transmetohet në televizionin amerikan, thotë se "askush nuk do të mbijetojë" një luftë eventuale ndërmjet dy vendeve me armatim atomik. Këto komente ai i bëri për regjisorin amerikan, Oliver Stone, gjatë një serie të intervistave për një film. Kjo seri me katër pjesë, që do të filloj të transmetohet më 12 qershor, po bëhet në kuadër të paraqitjeve publike të Putinit, në të cilat ai i ka ashpërsuar kritikat kundër Uashingtonit, të cilin e akuzon për përzierje në punët e Moskës dhe për shfrytëzimine NATO-s për interesa të veta të politikës së jashtme. Sipas ekstrakteve që janë publikuar paraprakisht në Internet, këto çështje, po ashtu, paraqiten edhe në intervistat me regjisorin Stone. I pyetur nga regjisori, nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin dominuese në "një luftë të nxehtë" me Rusinë, Putin është përgjigjur: "askush nuk do të mbijetojë". 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Interesim i madh në Panairin e Librit

Posted: 07 Jun 2017 06:34 AM PDT

Panairi i 19-të i librit është hapur për lexuesit duke sjellë shumëllojshmëri librash me mbi 1200 tituj të rinj dhe 100 shtëpi botuese nga vendi dhe rajoni.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hakerët rusë akuzohen për ndërhyrje në rastin e Katarit

Posted: 07 Jun 2017 06:04 AM PDT

CNN ka raportuar se hulumtuesit amerikanë besojnë se hakerët rusë, kanë krijuar raporte të rreme, të cilat më pas kanë qenë faktor në vendimin e vendeve arabe për shkëputjen e marrëdhënieve me Katarin. Kremlini në anën tjetër ka thënë se raporti i CNN ka qenë "i rrejshëm". Në raportin e CNN thuhet se zyrtarë të paidentfikuar të Shteteve të Bashkuara, kanë qenë të njoftuar se disa hulumtues janë dërguar në Katar, për të ndihmuar qeverinë e atij vendi rreth sulmeve të cilat kanë prodhuar lajme të rreme. Arabia Saudite i ka shkëputur marrëdhëniet me Katarin, nga 5 qershori duke thënë se politikat e Katarit e kanë mbështetur terrorizmin dhe organizatat "ekstremiste". Sipas CNN-it, Qeveria e Katarit thotë se në raportin e 23 majit, të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, deklaratat e rrejshme i janë atribuuar sunduesit të Katarit, e në të cilat është shprehur sentimenti miqësor ndaj Iranit dhe Izraelit. CNN citoi zyrtarët amerikanë të kenë thënë se informacionet që kanë mbledhur agjencitë amerikane të sigurisë, tregojnë se hakerët rusë qëndrojnë prapa ndërhyrjes. Raporti nga CNN nuk e ka bërë të qartë nëse hakerët e dyshuar në incidentin e Katarit, kanë lidhje me organizata ruse të cilat janë akuzuar për sulme kibernetikenë zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar. Zyrtarët amerikanë janë cituar duke thënë se qëllimi i hakerëve ka qenë përçarja e marrëdhënieve në mes të Shteteve të Bashkura dhe aleatëve të saj. Rusia e ka hedhur poshtë raportin e CNN-it, duke thënë se nuk ka asnjë dëshmi për ndikim rus. "Do të them menjëherë, se kjo është gënjeshtra më e re", ka thënë, Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj: Do ta korrigjojmë Demarkacionin

Posted: 07 Jun 2017 05:59 AM PDT

"Versioni i tashëm i Marrëveshjes për Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është i gabuar, mirëpo do të korrigjohet ky version. Do ta negociojmë me Malin e Zi dhe besoj se do të arrijmë deri te një zgjidhje", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën. Radio Evropa e Lirë: Z. Haradinaj, cilat janë prioritetet, të cilat i synoni t'i përmbushni si kandidat i nominuar për kryeministër? Ramush Haradinaj: Do të fillojmë me rendin dhe ligjin në tërësi. Ka shumë punë për tu bërë. Do të jetë punë e vazhdueshme, po duhet t'ia fillojmë menjëherë . Edhe ekonominë, pra sipërmarrësit, zhvillimin ekonomik . Do të ketë një mobilizim të të gjithë mekanizmave që të ndodhë ekonomia në vend. Pra, kështu e kemi figuruar. Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, koalicioni i partive që ju ka nominuar për kryeministër, ka thënë se do të ketë rritje ekonomike prej 8 për qind. Si mendoni se mund të arrihet kjo? Ramush Haradinaj: Parakusht është shteti ligjor. Gjithçka bazohet në shtet ligjor, në gjyqësor kredibil dhe në një përkrahje apo asistencë direkte për sipërmarrësit në Kosovë që janë të shumtë, sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm, që të gjithë janë vërtetë aktiv. Por, mund t'i përkrahim. Ka plotë mënyra vepruese, qeverisëse që të mund të jemi partner për ta. Radio Evropa e Lirë: Keni kundërshtuar marrëveshjen aktuale për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Si synoni ta zgjidhni këtë çështje, marrë parasysh se mbetet kusht për liberalizimin e vizave? Ramush Haradinaj: Ne i gëzohemi marrëdhënieve të mira që kemi me Malin e Zi. Edhe ndjenja është e mirë. Jemi përkrahur në momente kyçe. Edhe ne e kemi përkrahë rrugën euro-atlantike të Malit të Zi dhe anëtarësimin në NATO. Nuk e shohim si vështirësi në marrëdhëniet tona. Vështirësi shohim në marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa me Malin e Zi, jo. Versioni i tashëm i marrëveshjes është i gabuar, mirëpo do të korrigjohet ky version. Pra, një komision i ri do ta korrigjojë nga pala jonë. Do ta negociojmë me Malin e Zi dhe besoj se do të arrijmë deri te një zgjidhje. Radio Evropa e Lirë: Mali i Zi, tashmë është shtet anëtar i NATO-s. A besoni se ka ende hapësirë për rinegocim të marrëveshjes? ​ ​Ramush Haradinaj: Po. Edhe ne aspirojmë që të jemi anëtarë të NATO-s e BE-së, ashtu si Mali i Zi, sikurse edhe plotë vende të rajonit që kanë ende tema të hapura ose të diskutueshme rreth kufijve dhe janë anëtarë të NATO-s ose BE-së. Radio Evropa e Lirë: Cila do të jetë qasja e juaj në dialogun me Serbinë, për të cilin Bashkimi Evropian, ka thënë se nuk ka alternativë në rrugën e Kosovës drejt BE-së? Ramush Haradinaj: Dialogu është i nevojshme në mes të gjitha palëve, mes të gjithë fqinjëve. Do të jetë dialog që u shërben palëve. Nëkëtë rast i shërben edhe Kosovës. Ne duhet të konsultohemi ndërsjellë në vendin tonë, të kemi një qartësi për dialog, të kemi objektiva të qarta. Për ne dialogu është dialog për njohje. Pra, është humbur shumë kohë në një gjendje të tillë. Jemi të interesuar për njohje reciproke me Serbinë dhe dialogu për ne është dialogu për njohje. Radio Evropa e Lirë: A do ta ndryshoni qasjen në këtë dialog? Ramush Haradinaj: Do të ndryshohet shumëçka në dialog, jo vetëm qasja. Substanca do të ndryshojë. Kosova nuk është temë e diskutimit në këtë dialog, pra çështjet e brendshme të Kosovës. Vetëm marrëdhëniet dypalëshe mund të jenë temë e diskutimit, por jo çështjet tona, të Kosovës. Radio Evropa e Lirë: Sa është i qëndrueshëm koalicioni i subjekteve politike, të cilat ju kanë nominuar si kandidat për kryeministër, dhe a mendoni se do ta ruaj qëndrueshmërinë edhe pas zgjedhjeve, në rast se do të imponohet nevoja për partnerë tjerë për formimin e Qeverisë? Ramush Haradinaj: Ky është një vullnet i palëve, është një vullnet i lirë dhe një marrëveshje politike me objektiva të qarta qeverisëse për vitet që vijnë. Besoj që jo vetëm që është i qëndrueshëm por, garanton edhe gjithë përkrahjen politike për një Qeveri që është vepruese, për një logjikë qeverisëse që është e re në vend, për një fillim të ri. Radio Evropa e Lirë: Çfarë nëse nuk arrihen numrat? Ramush Haradinaj: Qytetarët vendosin, sovrani vendos. Ne jemi në punë, që vërtetë përkrahja me qenë e tillë, që Qeveria e Kosovës me qenë vepruese.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj: Do ta korrigjojmë Demarkacionin me Malin e Zi

Posted: 07 Jun 2017 05:56 AM PDT

"Versioni i tashëm i marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, është i gabuar, mirëpo do të korrigjohet ky version. Do ta negociojmë me Malin e Zi dhe besoj se do të arrijmë deri te një zgjidhje", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA-ja mbështetë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Posted: 07 Jun 2017 04:45 AM PDT

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin një zgjidhje të pranueshme mes Maqedonisë dhe Greqisë për kontestin e emrit, ka deklaruar ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily pa saktësuar se cila do të mund të ishte ajo zgjidhje për çështjen e emrit që po e mban të bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. "Është mirë që Maqedonia zhvillon negociata me Greqisë dhe me vendet tjera fqinje. SHBA-të gjithmonë e kanë mbështetur dhe do ta mbështesin Maqedoninë në rrugën drejt NATO-së dhe BE-së", ka deklaruar Baily, i pyetur nëse Uashingtoni mbështetë anëtarësimin e Maqedonisë me shkurtesën IRJM. "Duhet biseduar me Qeverinë e re si dhe me gjithë faktorët tjerë në shoqëri edhe me opozitën për hapat që duhet të merren. Ky është një proces që përfshinë gjithë shoqërinë dhe shtetin në përgjithësi. Pra, i gjithë shteti duhet bashkohet rreth kësaj që të arrihet zgjidhje", ka thënë Baily. Ambasadori amerikan gjithashtu ka thënë se procesi i reformave në gjyqësi dhe në sfera tjera është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Lidhur me çështjen e emrit, kryeministri Zoran Zaev ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin grek, Aleksis Cipras. Detaje nga kjo bisedë nuk janë dhënë përveç asaj se dy kryeministrat kanë biseduar edhe për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë dhe mundësinë e një takimi të nivelit të lartë gjatë këtij muaji në Athinë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Iran: Nga sulmet në Parlament dhe tempullin Khomeini – 12 të vrarë

Posted: 07 Jun 2017 02:39 AM PDT

Një zyrtar iranian tha se 12 vetë janë vrarë në dy sulme kundër Parlamentit të Iranit dhe mauzoleut të Ajatollah Ruhollah Khomeinit. Shefi i Departamentit të inteligjecës së Iranit, Pir Hossein Kolivand, tha se 39 vetë të tjerë janë plagosur në sulmet e sotme në Teheran, ndërsa operacionet e shpëtimit po vazhdojnë. Nuk është e qartë nëse në numrin e të vrarëve janë përfshirë sulmuesit. Grupi ekstremist sunit, Shteti Islamik, e ka marrë përgjegjësinë për sulmet e sotme në kryeqytetin Teheran në Iran, ka raportuar agjencia e lajmeve Amaq, e ndërlidhur me Shtetin Islamik. ​Irani është vend me popullatë shumicë shiite myslimane. Njëherësh, mediat iraniane kanë raportuar se sulmi në ndërtesën e parlamentit tash ka "përfunduar", pasi më herët thuhej se ishte një situatë me rrëmbime të njerëzve. Raportohet se katër sulmues janë vrarë. Ligjvënësi nga Teherani, Elyas Hazrati, është cituar duke thënë se ishin tre sulmues, dy të armatosur me pushkë automatike Kalashnikov, ndërsa një kishte revole. Situata raportohet se është e qetë edhe në lokacionin e dytë, në mauzoleun e Khomeinit në pjesën jugore të Teheranit, ku rrjeti Press TV tha se tri gra dhe një mashkull ishin të involvuar në sulm. Ky rrjet më herët pat raportuar se tre sulmues ishin arrestuar, derisa i katërti ishte sulmues vetëvrasës. ​Një sulmues e ka aktivizuar jelekun vetëvrasës, tjetri është vrarë nga forcat e sigurisë, ndërsa sulmuesit e tjerë janë arrestuar, raporton transmetuesi shtetëror, IRIB, duke e cituar guvernatorin e Teheranit, Hossein Hashemi. Të dy sulmet ndodhën pothuajse në të njejtën kohë dhe duket se ishin të koordinuara. Ministria e Inteligjencës e Iranit tha se sulmet ishin kryer nga "grupet terroriste". "Anëtarë të grupit të tretë ishin arrestuar para se të ndërmerrnin çfarëdo sulmi", ka njoftuar kjo ministri. Kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larijani, tha se "terroristët qyqarë...kishin hasur në kundërshtim serioz", ka raportuar agjencia e lajmeve, IRNA. Këto sulme u bënë më pak se një muaj pasi Hassan Rohani, që është politikan relativisht i moderuar, në mënyrë bindëse e fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 19 maj. Megjithatë, në Iran autoritet më i lartë është lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Forca të shtuara të policisë pas sulmit në Kuvendin e Iranit

Posted: 07 Jun 2017 02:21 AM PDT

Policia dhe makinat e emergjencës u nisën drejt ndërtesës së Kuvendit të Iranit në Teheran, pas raportimeve se një sulmues ka hapur zjarr brenda ndërtesës. Një tjetër sulm i armatosur ndodhi në maulozeumin "Ayatollah Khomeini" në jug të Teheranit. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vriten pesë fermerë gjatë një proteste në Indi

Posted: 07 Jun 2017 12:58 AM PDT

Zyrtarët kanë thënë se pesë fermerë janë vrarë në Indi, pasi janë qëlluar me armë zjarri në një protestë pasi demonstruesit kërkuan çmime më të mira për të korrat, ka raportuar Associated Press. Fermerët në të gjitha rajonet e Indisë kanë protestuar në muajt e fundit, pasi tri vitet e kaluara vendi është përballur me thatësira. Kjo gjendje ka shtrirë varfërinë në Indi. Protestuesit në Madhya Pradesh, gjithashtu kanë kërkuar që qeveria e shtetit të heqë dorë nga shlyerja e kredive të fermave. Fermerët, të zemëruar, thanë se policia me anë të të shtënave tentoi t'i shpërndajë protestuesit gjatë ditës së martë. Policia i ka mohuar këto deklarata ani pse është hapur një rast për këto supozime.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ambasadori francez në OKB kritikon vendimin e Trumpit për klimën

Posted: 07 Jun 2017 12:49 AM PDT

Ambasadori i Francës në Kombet e Bashkuara, Francois Delattre, ka thënë se, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ishte në "anën e gabuar të historisë", kur vendosi të tërhiqej nga Marrëveshja e Klimës së vitit 2015. Vendimi do të shihet si "çertifikata e lindjes së një bote shumë polare" në të cilën Shtetet e Bashkuara nuk janë më "garantuesja më e besueshme e rendit botëror", shtoi ambasadori Francois Delattre. Komentet e tij erdhën pasi Kina dhe Kalifornia nënshkruan një marrëveshje për të punuar së bashku në reduktimin e gazrave serrë në Pekin. Në anën tjetër ish presidenti Barack Obama ka thënë se është optimist se shtetet amerikane, qytetet dhe bizneset, do të vazhdojnë të respektojnë marrëveshjen. "Ato do të vazhdojnë të punojnë mbi energjinë e pastër në të cilën kanë investuar, sepse kështu do të kursejnë paratë", ka thënë Obama. Mirëpo i dërguari francez ka thënë se vendimi i presidentit Trump "shkon përtej politikës së ndryshimeve klimatike" dhe se ai është një "faktor në erozionin e udhëheqjes morale dhe politike të Shteteve të Bashkuara".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Çmimi i ulët zvogëlon interesimin e bujqve të mbjellin grurë

Posted: 06 Jun 2017 11:41 PM PDT

Çmimi i ulët grurit dhe sasia e madhe e importit nga vendet e rajonit, ka detyruar prodhuesit bujqësorë në Kosovë t'i zvogëlojnë sipërfaqet e kultivuara me drithëra, thonë zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë. Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Isuf Cikaqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vitin e kaluar rreth 90 mijë hektarë sipërfaqe kanë qenë të kultivuara me drithëra, kurse gjatë këtij viti janë rreth 70 mijë hektarë . "Është një karakteristikë që mund të theksohet këtë vit, se ka më pak grurë të mbjellur në raport më vitin e kaluar. Një gjë e tillë ka ndodhur si rezultat i çmimit të ulët të grurit në treg vitin e kaluar dhe mungesës së kërkesës në treg". "Normalisht se çdo kulturë bujqësore, edhe gruri, pasi që është kulturë njëvjeçare, kur nuk ka çmim të mirë në treg dhe ka mungesë të kërkesave, atëherë kjo ndikon deri në masën e zvogëlimit të sipërfaqeve të cilat mbillen", thotë Cikaqi. Por anëtarë të Shoqatës së Mullisëve në Kosovë, konsiderojnë se sivjet ka më shumë se 20 mijë hektarë tokë më pak të kultivuar me grurë. Misin Voci, anëtar i kryesisë në këtë shoqatë, për Radion Evropa e Lirë tregon se ende në Kosovë ka grurë të pa shitur, për shkak se bujqit nuk kanë leverdi ta shesin atë me çmimin aktual në treg. Çmimi për një kilogram grurë të prodhuar në Kosovë, thotë ai, kushton nga 0.10 deri në 0.14 centë, kurse gruri i importuar nga Serbia shitet nga 0.16 deri në 0.18 centë. "Çmimi është shumë i ulët, bujku nuk ka leverdi, nuk i mbesin as 100 euro në hektarë nëse kushtet atmosferike janë të volitshme. Ndërsa, nëse moti është i keq, bujku shkon në humbje". "Këtë vit, por edhe vitin e kaluar, ka ende grurë të Kosovës, nëpër depo të pa shitur. Me çmimin prej 0.15 centë, bujqit nuk janë të interesuar të shesin", thotë Voci. Pavarësisht sipërfaqes së kultivuar, Jusuf Cikaqi, nga Ministria e Bujqësisë në Qeverinë në largim të Kosovës, thotë se gjendja e grurit është shumë e mirë dhe pritet që të sigurohen deri në 4 mijë kilogramë për një hektarë tokë. Ai thotë se kultura e grurit nuk është dëmtuar nga reshjet e fundit atmosferike. "Në Kosovë ditëve të fundit ka pasur reshje të mëdha të shiut, vende –vende të shoqëruara edhe me breshër, por kulturën e grurit nuk e kanë dëmtuar reshjet. Eventualisht, aty ku ka pasur breshër, ende nuk i kemi grumbulluar të gjitha informacionet për të ditur se sa sipërfaqe janë dëmtuar nga breshëri", thotë Cikaqi. Ai thotë po ashtu se ende nuk dihet sa për qind pritet që Kosova t'i plotësojë nevojat e popullatës për ushqim më grurë. Fushata e korrje shirjeve në Kosovë, sipas tij, nis në fund të këtij muaji, apo eventualisht në fillim të muajit të ardhshëm. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pentagoni parashikon hapat për zgjerimin e ushtrisë kineze

Posted: 06 Jun 2017 10:12 PM PDT

Kina është e gatshme të fillojë krijimin e një rrjeti bazash ushtarake jashtë vendit, pas krijimit të një objekti të parë në Afrikë. Kështu ka parashikuar Pentagoni në një raport, që parashikon se Pekini do të kërkojë krijimin e një baze edhe në Pakistan. Në raport po ashtu thuhet se Kina, e cila ka shpenzime vjetore të mbrojtjes që tani tejkalojnë 180 miliardë dollarë në vit, do të ndërtojë në Xhibuti bazën e saj të parë detare jashtë shtetit. Me këtë hap ajo do të synojë "krijimin e bazave ushtarake shtesë në vendet me të cilat ajo ka një marrëdhënie të gjatë miqësore dhe interesa strategjike të ngjashme, siç është rasti i Pakistanit ". Raporti bëri të ditur se, Pakistani deri më tash është treguar qenësor në rajonin e Azisë dhe Paqësorit për armët kineze. Ky rajon përbën gati gjysmën e eksporteve të armëve prej 20 miliardë dollarësh të Kinës nga viti 2011 deri më 2015. Pakistani, Afganistani dhe disa vende të Azisë Qendrore, e kanë mirëpritur programin kinez.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Policia turke ka arrestuar kryetarin e Amnesty International në Turqi

Posted: 06 Jun 2017 09:47 PM PDT

Autoritetet turke kanë arrestuar dje kreun e organizatës Amnesty International në Turqi, për lidhje të dyshuara me klerikun mysliman që Ankaraja fajëson për grusht-shtetin e dështuar gjatë vitit të kaluar, ka bërë të ditur grupi i të drejtave të njeriut. Policia e ka arrestuar, Taner Kiliç dhe 22 avokatë të tjerë në provincën bregdetare të Izmirit, me dyshimin se kanë bashkëpunuar me lëvizjen e klerikut Fethullah Gulen. Që nga përpjekja për grusht-shtet, autoritetet kanë arrestuar 50,000 njerëz si dhe kanë shkarkuar ose pezulluar 150,000 persona, duke përfshirë ushtarë, policë, mësues dhe nëpunës publikë, pas dyshimeve se kanë pasur lidhje me puçin. "Taner Kilic ka një përvojë të gjatë dhe të shquar për të mbrojtur pikërisht liritë që autoritetet turke tani kanë për qëllim të shkelin", ka thënë Salil Shetty, sekretari i përgjithshëm i organizatës Amnesty International. Zyrtarët turq e kanë konsideruar këtë veprim si të nevojshëm, për shkak të seriozitetit së përpjekjes për grusht-shtet, me ç'rast qenë vrarë më shumë se 240 persona. Gulen, i cili jeton në Pensilvani që nga viti 1999, ka mohuar përfshirjen në grusht shtet dhe e ka dënuar atë. Kritikët në Turqi por edhe ata jashtë vendit kanë thënë, se presidenti Rexhep Tajip Erdogan, është duke përdorur grusht shtetin, si një pretekst spastruar kundërshtarët.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Related Posts: