“Gjermania mbështet Maqedoninë në përafrimin me BE-në dhe NATO-n” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Gjermania mbështet Maqedoninë në përafrimin me BE-në dhe NATO-n” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Gjermania mbështet Maqedoninë në përafrimin me BE-në dhe NATO-n

Posted: 09 Jun 2017 09:18 AM PDT

Gjermania mbështet Maqedoninë në përafrimin e saj me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, i tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev. Në mesazhin e urimit për zgedhjen e tij kryeministër dhe formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë, Merkel tha se Qeveria e saj "mbështet fuqishëm përafrimin e mëtejmë të Maqedonisë me BE-në dhe NATO-n". Merkel po ashtu tha se gëzohet që do të takojë personalisht Zaevin në Konferencën e Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Trieste, më 12 korrik, njoftoi Zyra për media e Qeverisë së Maqedonisë. Parlamenti i Maqedonisë ka zgjedhur më 31 maj qeverinë e udhëhequr nga Zaev, duke i dhënë fund bllokadës gjashtëmujore politike.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Thaçi: Nuk do të tolerohet interferimi i Serbisë në çështjet e Kosovës

Posted: 09 Jun 2017 08:52 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në ditën e zgjedhjeve parlamentare, më 11 qershor, shqetësim mbetet frikësimi dhe kërcënimi i qytetarëve, veçanërisht në pjesën veriore. "Me përfaqësuesit e vendeve të Quint-it (v.j. pesë vendet kryesore euro-perëndimore) kërkova që t'ua bëjnë të qartë autoriteteve të Serbisë që nuk do të tolerohet interferimi në çështjet e brendshme të Kosovës", shkroi Thaçi në Facebook. Thaçi po ashtu falënderoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Kosovës, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, shoqërinë civile dhe vëzhguesit evropianë pasi, siç tha, "po bëjnë çdo gjë për të garantuar proces elektoral të drejtë dhe të suksesshëm". Lexoni edhe këtë: Deri në 5 vjet burg për ata që shkelin Ligjin dhe rregullat e zgjedhjeve 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Katalonja planifikon të mbajë referendum për pavarësi

Posted: 09 Jun 2017 08:43 AM PDT

Kreu i rajonit të Katalonjës në Spanjë, Carles Puigdemont, ka thirrur mbajtjen e referendumit për pavarësi më 1 tetor. Pyetja do të jetë: A dëshironi që Katalonja të jetë shtet i pavarur në formën e një republike? Spanja është aktualisht monarki kushtetuese dhe Katalonja është një prej rajoneve më të pasura të saj. Qeveria në Madrid ka thënë vazhdimisht se pavarësia e Katalonjës do të shkelte Kushtetutën. Sondazhet tregojnë se votuesit në Katalonjë do të kundërshtonin pavarësinë, megjithëse shumica favorizon mbajtjen e referendumit. Në nëntor të vitit 2014, Katalonja ka mbajtur një referendum jodetyrues, në të cilin 80 përqind e atyre që kanë votuar, e kanë mbështetur pavarësinë. Megjithatë, vetëm 2.3 milionë nga 6.3 milionë njerëz me të drejtë vote, kanë marrë pjesë në votim. Nuk është e qartë ende nëse referendumi në tetor do të mbahet. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjermania kërkon t’i jepet fund “bllokimit të Katarit”

Posted: 09 Jun 2017 07:45 AM PDT

Gjermania tha sërish se duhet të bëhen përpjekje diplomatike për të zgjidhur krizën mbi Katarin, të cilin fqinjët arabë e akuzojnë për financim të terrorizmit. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahrejni kanë ndërprerë udhëtimin dhe të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin qysh të hënën. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, tha se "bllokada e trafikut ajror dhe tokësor" duhet të hiqet. Ai i bëri këto komente në qytetin gjerman Volfenbutel, gjatë takimit me homologun kataras, sheik Mohammed bin Abdulrahman al-Thani. Gabriel ka takuar dy ditë më parë edhe ministrin e Jashtëm saudit, të cilit i ka thënë se të gjitha palët duhet të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Katari i mohon akuzat për mbështetje të ekstremistëve islamikë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Në shërbim të kujt është Bashkësia Islame në Kaçanik?

Posted: 09 Jun 2017 07:12 AM PDT

Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik vendosi të shfrytëzojë xhaminë e qytetit dhe mikrofonët në minarenë e saj për të njoftuar komunitetin për vdekjen e militantit famëkeq të grupit Shteti Islamik [IS], Lavdrim Muhaxheri. Madje, në xhami u dhanë të gjitha njoftimet, në emër të familjes së tij, për ata që donin të shprehnin ngushëllimet e tyre. Muhaxheri thuhet të jetë vrarë gjatë një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara në Siri, në natën ndërmjet 7 dhe 8 qershorit. Florim Neziraj, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është i vetëdijshëm për atë që ka bërë dhe tregon se për rastin dhe veprimet e tij ka biseduar edhe me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava. "Normalisht, Myftiut nuk i ka ardhur mirë, por ne e bëjmë këtë për të gjithë qytetarët, dhe nuk kam llogaritur se u bë keq diçka. Këtu ka qenë në pyetje familja, e jo Lavdrimi. Absolutisht, unë i kam bërë një shërbim familjes. Pra, unë i kam bërë një shërbim familjes dhe nuk e ndjej si një gabim. Nuk jam penduar për ketë punë", tha shkurtimisht Neziraj. Muhaxheri kishte shkaktuar bujë gjithandej, me postimin e disa fotografive të tij në rrjetin social Facebook, ku shihej duke i hequr kokën një njeriu. Zyrtarët në qendrën e kryesore të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë, nuk deshën të flasin për rastin e përfshirjes së Këshillit të kësaj Bashkësie në Kaçanik. Në kabinetin e Myftiut Naim Tërnava deklaruan se lidhur me këtë çështje ka folur vetë drejtuesi i Këshillit. Lexoni edhe këtë: Militanti i "vdekur" i Shtetit Islamik Nga ana tjetër, njohës të çështjeve të sigurisë, por edhe profesorë të religjionit, konsiderojnë se Bashkësia Islame e Kosovës, duhet gjithsesi të distancohet nga veprimi i fundit i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik. Ismail Hasani, ekspert i çështjeve të sociologjisë së religjionit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka kritikuar Këshillin, duke thënë se me ato veprime nuk i ka bërë shërbim të mirë as fesë islame, e as opinionit në Kosovë. "Ofrimi i një shërbimi të tillë brenda BIK-ut është një frymëzim për njerëzit, të cilët mund të kenë dilema ose mund të kenë prirje për të marrë udhën e pa kthim. Mendoj se, të paktën në nivel të Bashkësisë Islame të Kosovës, është mirë që të behet një distancim publik nga ky akt, sepse jemi në një kohë tepër të ndjeshme. Jemi në një proces, i cili nuk lejon gjera të tilla. Normalisht që jemi të mbikëqyrur edhe prej faktorit ndërkombëtar, sepse jemi deklaruar si pjesë e koalicionit global anti-terrorist", tha Hasani. Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se në rastet kur bëhet fjalë për persona të njohur për terrorizëm, sjelljet e institucioneve, të cilitdo nivel qoftë, duhet të jenë në kuadër të sjelljeve që i ndihmojnë të tjerët, që mos të ndjekin shembullin të ngjashëm. Ramadani mendon se Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik në rastin e fundit gaboi. "Është e qartë se shembulli i Lavdrim Muhaxherit nuk duhet të ndiqet nga asnjë qytetar i Kosovës, e sidomos nga të rinjtë. Ai është shembulli më i keq se si një djalë i ri shqiptar nga Kosova arrin deri në atë shkallë sa që shkon dhe terrorizon qytetarët e pafajshëm dhe popullatën e pafajshme civile në Siri". "Një sjellje e tillë, në këtë rast e BIK-ut në Kaçanik, është në kundërshtim me vlerat që Kosova synon t'i promovojë dhe është në kundërshtim me ndërtimin e narracionit të shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës se shembujt e tillë nuk duhet të ndiqen", tha Ramadani. Së paku, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra. Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona. Kosova tashmë ka miratuar ligjin, i cili sanksionon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja dhe që parasheh dënimin me burg deri në 15 vjet.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

May njofton se do të formojë Qeverinë e re të Britanisë

Posted: 09 Jun 2017 06:35 AM PDT

Kryeministrja britanike, Theresa May ka njoftuar se do të formojë Qeverinë e re, pas zgjedhjeve të përgjithshme, ku partia e saj humbi shumicën parlamentare. Partia Konservatore e kryeministres May do të kërkojë mbështetjen nga Partia Unioniste Demokratike (DUP), e Irlandës Veriore. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Në fushatë flasin burrat, gratë heshtin

Posted: 09 Jun 2017 06:20 AM PDT

Burrat dominojnë me prezencë, fjalime dhe përfaqësim politik në fushatën aktuale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile. Sipas tyre, grave kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, nuk po u jepet hapësirë për t'u paraqitur para elektoratit. Madje edhe në media, hapësira që u është kushtuar, ka qenë e kufizuar, thonë përfaqësues të shoqërisë civile që monitorojnë zgjedhjet në Kosovë. Ndërkaq, nëse dëgjohen motot nga premtimet parazgjedhore, të gjitha subjektet pjesëmarrëse proklamojnë se Kosova nuk mund të ecë përpara pa angazhim dhe përfaqësimin institucional të grave. Prezantimi i pikëpamjeve politike nga gratë kandidate, ose shpalosja e programeve të partive politike, vlerësohet se ka munguar, ngase hapësirën për fushatë e debate e kanë shfrytëzuar krerët e partive dhe disa anëtarë të kryesive nga subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje. Vëzhguesit vendorë tashmë janë duke e përcjellë nga afër procesin. Blerta Aliu, nga koalicioni i organizatave joqeveritare, "Demokracia në Veprim", tha për Radion Evropa e Lirë se fushata zgjedhore po zhvillohet në kushte jo të barabarta për gratë dhe është në shpërputhje të madhe në mes asaj që po premtojnë partitë politike dhe asaj që po ndodh në realitet. "Sa i përket monitorimit, për 6 ditët e para të fushatës, ne kemimonitoruar 394 aktivitete, me 60 vëzhgues që janë në terren. Dhe kur është fjala për pjesëmarrjen dhe aktivitetet e zhvilluara në kuadër të fushatës zgjedhore, për këto ditë, pjesëmarrja e grave ka qenë mesatarisht 16 për qind". "Në baza gjinore, në aktivitet e subjekteve politike, kanë folur 1334 burra, përkatësisht 80 për qind dhe 327 gra, përkatësisht 20 për qind", tha Aliu. Me gjithë faktin se të gjitha partitë politike, në fokus të programeve të tyre kanë avancimin e pozitës së femrave, në fushatën zgjedhore është treguar e kundërta, thotë edhe Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore. "Ka një kulturë që po tregohet nga ana e grave në fushatën zgjedhore. Por, nuk kemi një kulturë se si po trajtohen gratë në fushatë. Ka pasur edhe fyerje". "Por, po ashtu, gratë nuk po dërgohen nëpër debate mediale, çka tregon shumë se partitë politike ende janë patriarkale. Dhe, kur është fjala që gratë të shpalosin programin e partisë, nuk i shohim nëpër media. Zakonisht dërgohen burrat e njëjtë", thotë Demolli. Si formë alternative për prezantimin e tyre dhe vizionit politik, gratë, sipas Demollit, kanë zgjedhur platformat në rrjetet sociale. "Gratë kanë gjetur format e tyre, po shohim që përmes medieve sociale po i shpalosin idetë dhe programet e tyre. Por, partitë politike nuk kanë arritur që të tejkalojnë 30 për qindëshin në listat zgjedhore", thekson Demolli. Ndryshe, në listat zgjedhore subjektet politike përfaqësohen me 30 për qind të gjinisë femërore, edhe pse organizatat joqeveritare shprehen të pakënaqura më renditjen e tyre. Përveç mungesës së imazhit të gruas në fushatën zgjedhore, sipas shoqërisë civile, numër i vogël i grave është vërejtur edhe nëpër tubime të qytetarëve. Sidoqoftë, përfshirja e femrave në institucione është kushtëzuar edhe me Kushtetutën e Kosovës, e cila parasheh përfaqësimin prej 30 për qind të grave në Kuvendin e Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

May përpiqet ta formojë Qeverinë me unionistët irlandezë

Posted: 09 Jun 2017 05:30 AM PDT

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, thotë se do të punojë me Partinë Unioniste Demokratike (DUP) të Irlandës Veriore, në përpjekjet e saj për formimin e Qeverisë, pasi Partia Konservatore e saj e humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet e djeshme. Këto komente ajo i bëri sot pas takimit me Mbretëreshën Elizabetë, nga e cila kërkoi lejen për formimin e kabinetit qeverisës. Zonja May nuk e ka specifikuar nëse ajo do të bëjë koalicion formal me partinë DUP, ose do të provojë të punojë me të për aranzhimet në të cilat DUP do ta mbështeste Qeverinë në këmbim për koncesione. Partia Konservatore i ka fituar 318 vende në parlamentin prej 650 deputetëve, tetë më pak se 326 sa duhet për ta siguruar shumicën parlamentare. DUP ka siguruar 10 vende deputetësh. Partia Labuiriste opozitare e krahut të majtë i ka fituar 261 vende deputetësh.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

E ardhmja e Brexit-it e paqartë

Posted: 09 Jun 2017 05:05 AM PDT

Partia Konservatore e kryeministres britanike, Theresa May, ka humbur shumicën parlamentare në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit. Rezultati është një goditje e madhe për zonjën May, e cila ka shpresuar se do të forcojë pozicionin e partisë së saj dhe rrjedhimisht pozitën e saj në bisedimet për nxjerrjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Konservatorët siguruan 318 ulëse në Parlament, tetë më pak se minimumi prej 326 ulëseve, i nevojshëm për të zotëruar shumicën parlamentare. Labursitët opozitarë fituan 261 ulëse. May u përball me thirrjet e opozitës për të dhënë dorëheqje, por ajo u zotua se do të mbetet në detyrë dhe do të sigurojë "qëndrueshmëri" për vendin. "Në këtë kohë, ajo që i duhet vendit më shumë se gjithçka është periudha e stabilitetit", tha May. Udhëheqësi i Laburistëve, Jeremy Corbyn, tha se May duhet të tërhiqet dhe t'i hapë rrugë formimit të një qeverie, e cila do të përfaqësonte të gjithë njerëzit e Britanisë. "Kryeministrja i thirri zgjedhjet, sepse donte një mandat. Mandati që ka marrë është humbja e ulëseve për Konservatorët, humbja e votave, humbja e mbështetjes dhe humbja e besimit", tha Corbyn. May, megjithatë, vizitoi të premten Mbretëreshën Elizabeth, nga e cila siguroi lejen për të formuar Qeverinë. May tani do të duhet të kërkojë mbështetjen e partive më të vogla për formimin e Qeverisë. Disa udhëheqës të BE-së thonë se humbja e shumicës e Konservatorëve do t'i shtyjë negociatat për Brexit, të cilat duhet të nisin më 19 qershor. Ata po ashtu thonë se rezultati zgjedhor rrit rrezikun e dështimit të negociatave. Komisionari për Buxhet i Bashkimit Evropian, Günther Oettinger, i tha radios gjermane se bisedimet janë të pasigurta me një partner jo të fuqishëm negociues. "Na duhet një Qeveri që mund të veprojë. Me një partner të dobët negociues, ka rrezik që negociatat të bëhen keq për të dyja palët. Pres më shumë paqartësi", tha Oettinger. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se shpreson se rezultati i zgjedhjeve në Britani nuk do të shkaktojë vonesa në fillimin e bisedimeve për Brexit. Por, Michael Barnier, kryenegociator i BE-së për Brexit-in, tha se bisedimet duhet të nisin kur Britania të jetë e gatshme. Përgatiti: Valona Tela

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Irak: Nga sulmi vetëvrasës janë vrarë dhjetëra vetë

Posted: 09 Jun 2017 04:57 AM PDT

Së paku 20 persona janë vrarë sot dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmi vetëvrasës në qytetin Musajib në Irak, kanë thënë zyrtarë të sigurisë dhe ata mjekësorë. Sulmuesi e ka aktivizuar jelekun me eksploziv në një treg në qendër të këtij qyteti, që ndodhet në jug të kryeqytetit Bagdad, ka njoftuar policia lokale. Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik. Të mbështetura nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, forcat e Irakut janë në ofensivë për t'i përzënë militantët e Shtetit Islamik nga Mosuli, që është qyteti i dytë për nga madhësia në Irak. Pjesa lindore e këtij qyteti është shpallur e çliruar në muajin janar të këtij viti, ndërsa menjëherë pas këtij zhvillimi, ka filluar operacioni për pjesën perëndimore. Këto dy pjesë të qytetit ndahen nga lumi Tigër.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Deri në 5 vjet burg për ata që shkelin Ligjin dhe rregullat e zgjedhjeve

Posted: 09 Jun 2017 04:56 AM PDT

Organet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, po bëjnë mobilizime të shtuara për të sanksionuar çdo veprim jo ligjor në procesin e zgjedhjeve të parakohshme, parlamentare të 11 qershorit në Kosovë. Parashihen edhe dënime mjaft të ashpra për ata që shkelin Ligjin dhe rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, kanë nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.  Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, u ka bërë thirrje, sidomos partive politike, që t'i respektojnë rregullat dhe Ligjin për zgjedhjet dhe në asnjë formë të mos përpiqen të manipulojnë me votat. "I ftoj të gjitha subjektet politike, të gjithë komisionerët e tyre të cilët janë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve ta kryejnë detyrën e tyre ashtu siç parashihet sipas Ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe sipas rregullave të KQZ-së dhe të mos e keqpërdorin detyrën e tyre të cilën e kanë atë ditë dhe të mos e dëmtojnë imazhin e shtetit të Kosovës", tha Daka. Këto komente, kryetarja e KQZ-së i bëri gjatë diskutimeve në tryezën me temën, "Drejtësia zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit" të organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim në partneritet me Demokracia në Veprim. Shkelësit e ligjit dhe rregullave të zgjedhjeve, do të ballafaqohen me drejtësinë, tha Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit. Ajo tha se të gjitha rastet e shkeljeve, do të evidentohen nga Prokuroria dhe do të përfundojnë nëpër gjykata. "Parashihen deri në 5 vite burgim, e çka është më e rëndësishme, komisionerët të cilët janë persona përgjegjës dhe të zgjedhur nga KQZ-ja, si dhe anëtarët tjerë nga stafi i akredituar nga KQZ-ja e të cilët bien ndesh me ligjin, do të jenë pjesë e hetimit nga ana e Prokurorit të shtetit dhe Policisë së Kosovës", theksoi Pula. Edhe Policia e Kosovës ka kumtuar se do të ketë një plan strategjik për ditën e zgjedhjeve duke garantuar siguri gjatë gjithë procesit.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë marrë mbështetjen e përfaqësuesve ndërkombëtar për të organizuar zgjedhje të lira e demokratike.  Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, tha se të dielën, më 11 qershor, Ambasada amerikane do të jetë vëzhguese e zgjedhjeve. "Ambasada jonë do të ketë 40 ekipe në ditën e zgjedhjeve për vëzhgimin e votimeve dhe vëzhgimin e numërimit të votave", ka thënë Delawie. Ai ka falënderuar stafin e ambasadave amerikane nga vendet e rajonit që u janë bashkuar ekipeve të Ambasadës amerikane në Prishtinë për të monitoruar gjithë procesin zgjedhor. Zgjedhjet në Kosovë do të vëzhgohen nga mbi 29 mijë persona, kryesisht nga stafi vendor, por edhe 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian si dhe vëzhgues nga ambasadat e akredituara në Prishtinë.  Vetëm gjatë fushatës zgjedhore, subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje janë dënuar me dhjetëra mijëra euro, për shkak të shkeljes së rregullave. Ndërkaq, dënimet mund të jenë shumë më të larta gjatë procesit të votimit, më 11 qershor. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump: Comey ka bërë shumë deklarata të rrejshme

Posted: 09 Jun 2017 04:29 AM PDT

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në rrjetin Twitter se "është fajësuar totalisht" nga dëshmia e ish-drejtorit të agjencisë FBI, James Comey, gjatë dëshmisë së djeshme në Komitetin për inteligjencë të Senatit amerikan, që po zhvillon hetime lidhur me përzierjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar. Shkrimi i sotëm në Twitter ishte komenti i parë publik i zotit Trump për dëshminë e ish-drejtorit Comey, i cili e akuzoi presidentin Trump dhe ekipin e tij, për gënjeshtër për shkakun e arsyeve për shkarkimin e tij dhe për qëllimin për ta shkatërruar hetimin e FBI-së për marrëveshjen e fshehtë të mundshme të fushatës së Trumpit me përpjekjet e dyshuara ruse për të ndikuar që në zgjedhje të fitoj zoti Trump. "Përkundër shumë deklaratave të rrejshme dhe false, fajësim total…Comey është rrjedhës", ka shkruar Trump në rrjetin Twitter. Në këtë postim në Twitter janë reflektuar komentet e avokatit të tij personal, Marc Kasowitz, se Comey ka konfirmuar se ai i ka thënë Trummpit se nuk është nën hetime dhe ka sugjeruar se Comey mund të ndiqet juridikisht për publikimin e "informacioneve të privilegjuara". 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kasparov: Putin – luftë kundër botës së lirë, por po e shijon dështimin

Posted: 09 Jun 2017 03:33 AM PDT

Ish-kampioni bëtoror në shah dhe aktivisti politik opozitar rus, Garry Kasparov, në vitin 2013, ka emigruar nga Rusia në Shtetet e Bashkuara. Prej atëherë, ai ka vazhduar të jetë kritik i zëshëm i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe në mënyrë të vazhdueshme i ka tërhequr vërejtjen perëndimit se putinizmi paraqet rrezik global. Në vitin 2015 ai e botoi librin me titullin: "Dimri po vjen: përse Vladimir Putin dhe armiqtë e botës së lirë duhet të ndalen". Në intervistën me korrespondentin e Redaksisë për Rusinë të Radios Evropa e Lirë, Mikhail Sokolov, zoti Kasparov është shprehur për raportet e perëndimit me Rusinë prej zgjedhjes së presidentit amerikan, Donald Trump, në nëntor të vitit 2016. Radio Evropa e Lirë: Shumë gjëra po ndodhin në botë këto ditë, sa që mund të thuhet se është vështirë të vendoset se prej nga të fillojmë. Ndoshta me Rusinë?   Mendoj se ne mund ta llogarisim fitoren e Trumpit në mesin e kompletit të fitoreve të Pirros për regjimin e Putinit. Garry Kasparov: Mendoj se këto ditë nuk ka kuptim të flitet ndaras për Rusinë, për Shtetet e Bashkuara, për Ukrainën, apo për Evropën. Çdo gjë është e ndërlidhur. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur ju ta keni parasysh strategjinë e Putinit – nëse ju mund ta përdorni këtë fjalë për t'i përshkruar taktikat e tij të mbijetimit, në një botë që ndryshon shumë shpejtë. Sido që të jetë, kjo strategji e tij është krejtësisht e mbështetur në një kurs agresiv të politikës së jashtme. Është shumë e qartë se të gjitha zgjedhjet që po ndodhin në vendet perëndimore, në një mënyrë ose tjetër, kanë përfunduar në orbitën e interesave të Putinit. Ne mund të themi me besim se në disa raste ndikimi i tij ka pasur efekte serioze dhe bile ka ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve. Por, në javët e fundit, po ashtu, është bërë e qartë se demokracitë perëndimore kanë kutpuar se aksionet e tilla paraqesin kërcënim serioz për funksionimin e institucioneve demokartike në botën e lirë. Putini ka filluar të kundërshtohet për të parën herë dhe, po ashtu, e ka ndjerë dështimin për të parën herë. Radio Evropa e Lirë: A doni të thoni se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe çdo gjë që ka ndodhur prej atëherë, paraqet fitore për Putinin? Ose a do të vendos udhëheqja e re e Shteteve të Bashkuara se putinizmi paraqet rrezik për botën? Garry Kasparov: Mendoj se ne mund ta llogarisim fitoren e Trumpit në mesin e kompletit të fitoreve të Pirros për regjimin e Putinit. Duket qartas se fitorja e Trumpit ishte - në shumë aspekte - rezultat i operacioneve aktive të shërbimeve sekrete ruse, operacioneve të hakerizmit, që në ditët finale të garës ndërmjet Trumpit dhe ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, ndikuan në sasi të rëndësishme te votuesit amerikanë, të cilët në fund, i zgjodhën republikanët, pasi praktikisht ishin shtyrë larg nga zonja Clinton. Zgjedhja e tyre nuk ishte ideologjike, por më duket mua, ishte çështje e shijes së formuar nga ndikimi i sulmeve informative dhe them që ishte fitore e Pirros, që ishte menaxhuar në mënyrë të suksesshme nga ata që i kishin nën kontroll sulmet e hakerëve rusë. Unë them, se ishte fitore e Pirros, pasi rezultatet ishin të tilla që Putini dhe Rusia e Putinit, për të parën herë, janë bërë faktorë brenda politikës së brendshme amerikane, që është shumë e pazakonshme. Por, tash Putin është shndërruar në problem të brendshëm politik për Shtetet e Bashkuara. Programet e lajmeve dhe emisionet e ndryshme janë të dominuara nga kontaktet ndërmjet Trumpit dhe ndihmësve të tij me Rusinë, përfshirë agjencitë e spiunimit të Rusisë. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Juncker kërkon bashkëpunim më të madh të BE-së në mbrojtje

Posted: 09 Jun 2017 02:12 AM PDT

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë se Shtetet e Bashkuara tash "nuk janë më të interesuara në garantimin e sigurisë së Evropës" dhe se Bashkimi Evropian duhet të angazhohet për më tepër mbrojtje dhe bashkëpunim në siguri, në mesin e anëtarëve të vet. Duke folur sot në një konferencë të sigurisë në Pragë të Çekisë, zoti Juncker tha se Evropa "nuk ka zgjidhje tjetër por t'i mbrojmë interesat tonë në Lindjen e Mesme, në ndryshimet klimatike dhe në aranzhimet tona tregtare". Këto komente të zotit Juncker u bën pas kritikave të shpeshtuara të presidentit amerikan, Donald Trump, se disa vende evropiane, anëtare të NATO-s, kanë dështuar t'i plotësojnë premtimet për shpenzime dhe pas vendimit të tij që Shtetet e Bashkuara të tërhiqen nga marrëveshja për klimën, e arritur në Paris në vitin 2015.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Japoni: Lejohet abdikimi i Perandorit - për të parën herë në dy shekuj

Posted: 09 Jun 2017 12:31 AM PDT

Parlamenti i Japonisë sot e ka miratuar legjislacionin me të cilin lejohet që Perandori Akihito të abdikoj, duke i mundësuar monarkut japonez, që për të parën herë në 200 vite, të tërhiqet dhe në vend të tij të përurohet djali i tij, princi i kurorës, Naruhito. Akihito, 83 vjeçar, i cili ka pasur një operacion në zemër dhe trajtim për sëmundjen e kancerit të prostatës, gjatë një paraqitjeje publike të rrallë vitin e kaluar, pat thënë se ka shqetësim se me vështirësi po i kryen obligimet e tij. Perandori Akihito ka punuar për dekada të tëra në Japoni dhe jashtë saj, për t'i shëruar lagët e Luftës së Dytë Botërore, që ishte zhvilluar gjatë perandorisë së babait të tij, Hirohito. Akihito do të zëvendësohet nga djali i tij, Naruhito, 57 vjeçar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kurti: I fitojmë zgjedhjet dhe do ta formojmë edhe Qeverinë

Posted: 09 Jun 2017 12:30 AM PDT

I nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se subjekti i tij do t'i fitojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit. Ai tha se më pas do të kërkojnë një partner të vogël për të formuar Qeverinë, duke shtuar se nuk beson se pas zgjedhjeve, koalicionet parazgjedhore, do të mbijetojnë. Radio Evropa e Lirë: Z.Kurti, cilat janë top prioritetet të cilat mëtoni t'i realizoni si i nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje, për postin e kryeministrit? Albin Kurti: Lëvizja Vetëvendosje i ka 40 prioritete e Republikës, për shkak se ndryshimet që i duam ne, e janë të domosdoshme për qytetarët, janë ndryshime të mëdha që transformojnë jetën e qytetarit dhe veprimin e institucioneve në përgjithësi. Me këtë rast, unë do të kisha theksuar krijimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, që do të lidhej drejtpërdrejtë me Kuvendin e Republikës, me një kryeshef i cili ka përvojë ekzekutive në financa dhe në ekonominë globale. Por gjithashtu, Fondi Sovran do të ishte ai që do të mundësonte, ta zëmë Trusti Pensional të blinte aksione në industritë strategjike, në energji, miniera dhe telekomunikacion dhe do të bëhej shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ndërmarrjet publike në njërën anë, që tash i kontrollon Qeveria, dhe ndërmarrjet shoqërore në anën tjetër, që tash i kontrollon AKP-ja, aty do të bëhej aksionari mazhoritar Fondi Sovran. Fondi Sovran do të kombinohej me Agjencinë Zhvillimore, që zbaton programe zhvillimore të lëvizjes sonë në qeverisje dhe gjithashtu, Banka Zhvillimore me kredi të buta dhe afatgjate, me kamata nën 3 për qind dhe me afate mbi 20 vjet. Pastaj do të kishim katër mijë banesa sociale, 160 çerdhe për fëmijë, shujta falas për të gjithë nxënësit prej klasës së parë deri në klasën e pestë, dhe pushimi i lehonisë një vjeçar, do të ishte gjysma e pagës e kompensuar nga shteti e gjysma nga punëdhënësi. Shtesa për fëmijë prej 10 euro në muaj, për secilin fëmijë nën moshën 15-vjeçare. Në gjykatat e Kosovës do të kishim Dhomën e Veçantë të Punës dhe gjithashtu do ta kishim edhe lirimin nga tatimi në fitim për të gjithë ata prodhues vendas, të cilët e riinvestojnë fitimin, hapin vende të punës dhe ndihmojnë në fuqizimin e sindikatave. Pastaj do ta rivitalizonim sistemin e ujitjes Ibër-Lepenc, sepse një fjalë e urtë e popullit thotë "jepi tokës për të pirë që ajo të të jap për të ngrënë". Prej 74 mijë hektarë vetëm 12 mijë ujiten. Me qeverisjen e Vetëvendosjes ne do ta çlirojmë nga ekzekutivi gjyqësorin, pra do ta rrisnim numrin e prokurorëve, gjykatësve, numrin e bashkëpunëtorëve profesionistë. Do ta bënim procesin e Vetting-ut, Ligjin anti-mafia e kështu me radhë. Pra, zhvillim, barazi dhe drejtësi në 40 prioritetet si masa qeverisëse. Radio Evropa e Lirë: Për dy vjet, Kosova nuk arriti të përmbyllë shenjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave. Çfarë zgjidhje ofroni ju në rast se vini në krye të Qeverisë? Albin Kurti: Ne do ta hetojmë dhe hulumtojmë procesin e deritanishëm të udhëhequr nga zoti Meha [Murat Meha], të nënshkruar nga Thaçi e Hyseni, një proces ky që për mendimin tim, ka qenë i bazuar në premisa të gabuar me proceduar të padrejta dhe me rezultat shumë të dëmshëm. Ne kemi nevojë që të kemi delimtim para Demarkacionit. Nuk është bërë vija në hartë para se të bëhen në natyrë dhe rrjedhimisht Demarkacioni i kufirit në Kosovë ka qenë ndryshim kufiri e jo përcaktim kufiri. Paralelisht me këtë, ne do të fillojmë bisedimet e drejtpërdrejta me Podgoricën zyrtare, në mënyrë që ne ta bëjmë një marrëveshje të re, në kushtet kur Malin e Zi e kemi shtet fqinj, që na ka pranuar pavarësinë, dhe me të ndodhemi në të njëjtën anë të dinamikave gjeopolitike ballkanike e globale, për shkak se edhe Mali i Zi do të hyjë në NATO e BE edhe ne po ashtu. Tashmë ata u bën anëtar, ndërkaq në anën tjetër, Mali i Zi porsi Kosova, i ka marrëdhëniet e acaruar me Beogradin dhe Putini. Radio Evropa e Lirë: Nga Bashkimi Evropian janë dërguar mesazhe që Kosova, edhe pas formimit të Qeverisë së re, duhet ta vazhdojë dialogun me Beogradin. Si do të silleshit ju në raport me këtë procesin që po zhvillohet në Bruksel dhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe? Albin Kurti: Së pari ne do të fillonim një dialog të hapur shoqëror, demokratik me serbët lokalë, me ç'rast ky dialog do të ishte dialog për zhvillim. Ne besojmë që integrimi arrihet nëpërmjet zhvillimit dhe barazisë, e jo thjesht nëpërmjet tolerancës. Serbët do t'i shohim në rolet tyre shoqërore në Kosovë, në rolet e tyre ekonomike, si student, si mjek, si inxhinier, si taksist, si amvise, si punëtor e si te papunë, e jo në bazë të identitetit të tyre kombëtar. Nuk janë gjithë serbët të njëjtë siç nuk janë as gjithë shqiptarët të njëjtë. Ky dialog do të ishte dialogu i parë në Kosovën e pasluftës që bëhet në mënyrë institucionale për integrim shoqëror. Ndërkaq,dialogu me Beogradin aktualisht është i ndërprerë është inekzistent ai dialog. Për çfarëdo rifillimi të tij, do të duhej të ndryshojë korniza. Ne nuk jemi kundër dialogut në parim, por jemi kundër dialogut pa parime, dialogut asimetrik, ku Serbia vë kushte e Kosova nënshtrohet. Radio Evropa e Lirë: Do ta kërkonit mbështetjen e serbëve për formimin e Ushtrisë së Kosovës? Albin Kurti: Pa dyshim do të kërkojmë mbështetjen e serbëve, do të kërkojmë mbështetjen e opozitës, do të kërkojmë mbështetjen e pakicave të tjera sepse Ushtria do të jetë Ushtri e Kosovës, pa diskriminuar e pa privilegjuar askënd. Radio Evropa e Lirë: Për formimin e Qeverisë do të nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend. Keni ndonjë parashikim me cilin koalicion apo subjekte politike mund të përafroheni pas 11 qershorit për formimin e Qeverisë? Albin Kurti: Më 11 qershor ne do ta mbrojmë fitoren tonë. Më 12 qershor, do ta festojmë fitoren tonë dhe më pas do të shohim se çka ka mbetur prej këtyre dy koalicioneve, që unë nuk besoj se do të mund të mbijetojnë edhe pas zgjedhjeve. Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e hapur për bashkëpunim, mirëpo si subjekt i parë që do të dalë nga këto zgjedhje, do ta marr një partner të vogël, varësisht se sa e çka mbetet prej këtyre koalicioneve. Kur të vijmë të ajo urë e kalojmë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kurti: Më 12 qershor do ta festojmë fitoren

Posted: 09 Jun 2017 12:15 AM PDT

I nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se subjekti i tij do t'i fitojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA e kanë rrëzuar një fluturake pa ekuipazh të Hezbollahut në Siri

Posted: 08 Jun 2017 11:27 PM PDT

Një fluturake pa ekuipazh, për të cilën zyrtarët amerikanë thonë se ishte dhuruar nga Irani për forcat e Hezbollahut, në pjesën jugore të Sirisë, kishte shtënë kundër trupave aleate të Shteteve të Bashkuara, prandaj ishte rrëzuar dje nga një aeroplan luftarak amerikan. Zyrtarët amerikanë thanë se armatimi i hedhur nga kjo fluturake nuk kishte eksploduar, prandaj askush nuk ishte dëmtuar. Por, koleneli i armatës amerikane, Ryan Dillon, tha se ajo ishte kërcënim direkt për trupat e Shteteve të Bashkuara dhe forcat lokale, që stërviten për të luftuar kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, në rajon. Sulmi i fluturakes pa ekupiazh është bërë pas kërcënimit të Hezbollahut se do t'i sulmoj forcat amerikane dhe u bë disa orë pasi Shtetet e Bashkuara i kanë bombarduar trupat e Qeverisë së Sirisë dhe aleatët e saj, brenda një zone të mbrojtur në këtë hapësirë. Kjo ishte hera e tretë që koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i ka sulmuar trupat në zonën e mbrojtur.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kinë, Pakistan: Hetime për ekzekutimin e dy kinezëve nga IS-i

Posted: 08 Jun 2017 11:16 PM PDT

Autoritetet në Kinë dhe Pakistan thonë se po zhvillojnë hetime për pretendimet e grupit ekstremist, Shteti Islamik, se dy mësues kinezë, të rrëmbyer në pjeësn jugperëndimore të Pakistanit, janë vrarë. Zëdhënësja e Ministrisë së jashtme të Kinës, Hua Chunying, tha sot se qeveria kërkon informata nga autoritetet e Pakistanit. Agjencia shtetërore e lajmeve e Kinës, Xinhua, ka raportuar sot se Pekini është "thellësisht i shqetësuar" për vrasjet e raportuara. Zyrtarët e sigurisë së Pakistanit thanë se ata po zhvillojnë hetime, por deri tash nuk janë gjetur trupat e pajetë. Dje, Shteti Islamik pretendoi se i ka vrarë dy shtetas kienzë, të cilët ky grup ekstremist i kishte rrëmbyer në provincën Baloçistan në Pakistan, në fund të muajit maj.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Britani: Konservatorët duket se nuk do ta fitojnë shumicën e duhur

Posted: 08 Jun 2017 10:37 PM PDT

Agjencia Reuters, pastaj rrjetet britanike televizive, BBC dhe Sky News, në projektimet e tyre të bazuara në rezultatet e pjesërishme të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura dje në Britani, paralajmërojnë se Partia Konservatore e kryeministres, Theresa May, do ta humbë shumicën e saj në parlament. Humbja e shumicës prej 330 deputetëve, sa i kishin deri tash konservatorët, me gjasë do të krijoj një situatë të trazuar dhe krijon dyshime për përpjekjet e zonjës May për forcimin e pozitës së saj në negociatat për dalje nga Bashkimi Evropian. Pasi sot herët në mëngjes janë shpallur rezultatet për 633 vendet në parlament, partia e kryeministres May i ka fituar 308 vende, dhe ajo më nuk është në gjendje ta arrijë shifrën prej 326 ulëseve, që i mundëson ta ketë shumicën në parlamentin prej 650 vendeve, ka raportuar agjencia Reuters. Rrjeti BBC ka projektuar se konservatorët do të fitojnë 318 vende, ndërsa Partia Laburiste opozitare do t'i ketë 267 vende deputetësh. Kjo situatë mund të krijoj bllokadë, pasi asnjë parti tjetër nuk ka fituar vota të mjaftushme për të mundur të përfshihet në krijimin e shumicës parlamentare. Kryeministrja May po ballafaqohet me thirrje nga opozita dhe partia e saj që të paraqes dorëheqje, por ajo ka shprehur përkushtim për të mbetur në mënrë që të krijohet "stabilitet" për Britaninë, derisa partia e saj, me numër të zvogëluar deputetësh në krahasim me përbërjen e kaluar, synon ta formoj qeverinë e re.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now