RTSH: “Vritet në atentat zyrtari i lartë i OSHEE” plus 9 more

RTSH: “Vritet në atentat zyrtari i lartë i OSHEE” plus 9 more


Vritet në atentat zyrtari i lartë i OSHEE

Posted: 24 May 2017 11:48 AM PDT

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Vlorë. Në një lokal në sheshin e "Flamurit", në qendër të qytetit, dy persona janë vrarë me armë zjarri. Sipas dëshmitarëve bëhet fjalë për një atentat ndaj drejtorit rajonal të OSHEE, Roland Saliu dhe biznesmenit Erven Hyseni. Gjithnjë sipas dëshmitarëve, para tavolinës së tyre ka ndaluar një automjet nga i cili ka dalë një person i cili ka qëlluar drejt viktimave me armë automatike. Më pas vrasësi është larguar me shpejtësi me po të njëjtin automjet.  Policia ka ngritur postoblloqe në gjithë qytetin.

Përmbytje dhe stuhi të fuqishme në Hungari

Posted: 24 May 2017 07:23 AM PDT

Hungaria është përfshirë nga reshje të pazakonta shiu e breshri që shkaktuan përmbytje të rënda në kryeqytetin Budapest dhe shumë rajone urbane e rurale. Përbytjet ishin aq të shpejta e të papritura saqë shkaktuan panik. Në një rast, fëmijët e kopshtit u nxorën nga dritaret për t’i shpëtuar ujit. Ushtria ndërhyri në disa raste në ndihmë të banorëve ndërsa në shumë ferma u shkatërruan prodhimet për shkak të breshrit me kokrra deri në 3 centimetra. Moti i keq shkaktoi ndërprerje të pjesshme të qarkullimit të hekurudhor e rrugor dhe disa aksidente por, për fat të mirë, pa viktima.

Tre aleatët: Votat tona për PS

Posted: 24 May 2017 06:57 AM PDT

Tre aleatë të deritanishëm të PS janë tërhequr nga gara për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, ndërsa kanë ftuar mbështetësit e tyre që në 25 Qershor votat t’i japin vetëm për Partinë Socialiste. Petro Koçit i PSV 91, Gjergj Koja i Partisë Socialiste të Moderuar dhe Idajet Beqiri i Partisë së Unitetit Kombëtar, pas një takimi me kreun e PS dhe kryeministrin Edi Rama, i ftuan edhe partitë e tjera aleate të bëjnë të njëjtën gjë. Në zgjedhjet e fundit, ato lokale të 2015, koalicioni i majtë i udhëhequr nga PS përbëhej nga 40 parti.

Brazil; Zbulohet smeraldi gjigand

Posted: 24 May 2017 06:48 AM PDT

Në një minierë në verilindje të Brazilit është gjetur smerald në peshë 272 kilogramë dhe gjatësi prej 1,3 metrash. Departamenti Kombetar i Prodhimeve Minerale, njoftoi se smeraldi është gjetur nga minatorët në Kooperativën Minerale në shtetin e Bahias. Ky smerald është guri i dytë i çmuar më i madh pas atij të vitit 2001 me peshë prej 292 kilogramësh dhe vlerë prej 300 milionë dollarësh. Vlera e smeraldit të ri nuk është bërë e ditur, por mësohet se ai i është shitur një pronari minierash. Blerësi ka thënë e se do ta ekspozojë smeraldin nëper muze dhe biblioteka.

Bruksel, NATO diskuton për financat dhe luftën kundër terrorizmit

Posted: 24 May 2017 06:24 AM PDT

Zhvillohet të enjten në Bruksel takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s. Sikurse njofton gazetarja e RTSH Denada Shkodrani, dy do të jenë çështjet që do të diskutohen nga krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, në takimin special të aleancës në Bruksel. Ndarja e përgjegjësive financiare për të përmbushur detyrimin prej 2 përqind të GDP dhe koordinimi i luftës kundër terrorizmit.
Delegacioni shqiptar kryesohet në këtë takim nga kryeministri Rama dhe ministrat Bushati dhe Kodheli. Parashikohet që tre do të jenë fjalimet krysore të këtij takimi, ai i Presidentit Tramp, Kreut te Aleances Stoltenberg dhe Kancelares Merkel.
Protokolli i takimit ka parashikuar që krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës së Traktatit të Veriut do të priten nga Mbreti Filip i Belgjikës dhe nga sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg. Takimi përkon me dorëzimin nga Belgjika të selisë se re të aleancës, një kompleks që i është përshtatur nevojave të cilat lindën nga ndryshimet që Aleanca ka pësuar prej vitesh, ndërsa së shpejti ajo bëhet një organizate me 29 anëtarë.
Me një cermoni të veçantë, në selinë e re të NATO-s do të vendosen 2 memoriale që përkojnë me ngjarjet më të rëndësishme që prej krijimit të saj. Një pjesë e murit të Berlinit që do të zbulohet nga kancelarja Merkel dhe një memorial që përkujton 11 Shtatorin 2001 në SHBA, që do të zbulohet nga Presidenti Tramp.
Ndërkohë, sië njoftoi dhe sekretari i përgjigjshëm Stoltenberg në një komunikim me mediat, takimi i së enjtes i krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s do të demonstrojë aftësinë e aleancës për të ndryshuar. Zoti Stoltenberg gjithashtu theksoi se parlamentet e 28 vendeve anëtare kanë ratifikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e konsideruar këtë një hap përpara për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria, e anëtarësuar në organizatë në 1 Prill të 2009-ës, është një nga vendet më kontributore në misionet paqeruajtëse të saj me angazhimin për të rritur nga viti në vit kapacitetet për mbrojtjen dhe luftën kundër terrorizmit.

Lumezi për RTSH: Prej një viti asnjë kosovar nuk është larguar nga vendi për të luftuar

Posted: 24 May 2017 06:01 AM PDT

Që prej një viti asnjë shtetas kosovarë nuk rezulton të jetë rekrutuar me qëllim pjesmarjen në luftrat e lindjes së mesme. Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, deklaron për RTSH se problem mbetet rikthimi i elementëve terrorist në territorin e Kosoves. "Është e vërtetë që ka patur një numër shumë të madh të shqiptarëve dhe kosovarëve që kanë marrë pjesë në luftrat jashtë territorit të Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë drejtim ne kemi nxjerrë dhe një ligj për parandalimin e qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë në luftrat jashtë territorit të Kosovës. Që prej një viti nuk ka më asnjë kosovar që është larguar nga Kosova dhe ka shkuar në trevat e luftës në Siri apo në Irak" tha zoti Lumezi.
Për herë të parë, kryeprokurori i Kosovës, pranon se shtetasit kosovarë, kanë përdorur aeroportin e Maqedonisë për të kaluar drejt vendeve në konflikt. Sipas tij, autoritetet maqedonase do të mbajnë përgjegjesi për këto raste tashmë në hetim. "Nëse në disa raste shtetasit e Kosovës të viteve të kaluar kur kanë shkuar në trevat e luftës, ata e kanë përdorur aeroportin e Maqedonisë, kështu në këtë drejtim s’kemi patur rezultate të mira në parandalimin e shkuarjes jashtë territorit Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo është një përgjegjësi e organeve të ndjekjes dhe sigurisë të Maqedonisë" tha prokurori i Kosovës Aleksandër Lumezi.
Në hetim mes dy vendeve është edhe akti terrorist i planifikuar në një nga stadiumet shqiptare, ku luante ekipi Izraelit. Akti terrorisit, sipas prokurorisë shqiptare u parandalua nga informarmacione të shërbimeve sekrete izraelite Mosad-it, i cili u pasua me arrestime. "Vërtet kemi qenë përpara një fakti të till, por ende nuk kemi informacione të plota, tha kryeprokurori Lumezi. “Sigurisht që hetimet do të tregojnë në lidhje me përgatitjen e veprimeve që kanë dashur të kryejnë këta persona që tashmë janë të lirë. Kemi ndërmarrë veprime adekuate për parandalimin e atyre akteve terroriste. Disa persona janë arrestuar në territorin e osoves. Jane duke u zhvilluar hetime. Shumë shpejt do t dalim me rezultate konkrete lidhur me këtë rast" shton ai. Gjatë këtij viti në Kosovë janë ngritur 26 akuza me 66 persona të pandehur për rastet e terrorrizmit apo ato që lidhen me veprat penale të terrorrizimit dhe përgatitjes se veprave terroriste.

PD drejt hartimit të listave të kandidatëve për deputetë

Posted: 24 May 2017 05:35 AM PDT

Sa më shumë afrohet afati i depozitimit të listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, aq më shumë selia blu bëhet hermetike. Ajo nuk ka zbuluar për mediat asnjë detaj mbi kriteret e përfaqësimit në këtë listë, e para që Lulzim Basha do të hartojë që kur ka ardhur në krye të Partisë Demokratike në vitin 2013. Të mërkurën zoti Basha ka zhvilluar në selinë blu takime intensive me stafin e ngushtë si dhe të ngarkuarit e tij në qarqe për çështjen e hartimit të listave, ndërkohë që ka shmangur çdo koment ndaj interesit të mediave, madje edhe për qarkun që Kryetari i Demokratëve do të kryesojë.
Ende nuk dihet se cili do të jetë raporti mes deputetëve të disa legjislaturave dhe prurjeve të reja në Partinë Demokratike. Në selinë blu të rinjtë e forumit rinor kanë zhvilluar disa mbledhje, jo vetëm për angazhimin e tyre në fushatën zgjedhore, por edhe për propozimet që do ti çojnë kryetarit Basha për kandidatet për deputetë.
Në selinë blu ndërkohë kanë munguar vizitat e aleatëve të Partise Demokratike, të cilat ishin të shpeshta gjatë protestës dhe u ndërprenë menjëherë pas marrveshjes se arritur mes kreut të PD Bashës dhe kryeministrit Rama. Kryetarët e këtyre partive kanë konfirmuar për TVSH-në, se janë pro propozimit të Bashës për të garuar nën të njejtën sigël me PD-në dhe të jenë në listat e kandidatëve të kësaj force politike. Ende mbetet e pazgjidhur çështja me aleatin Duka, i cili sipas burimeve nga PD, pretendon që në këtë listë krahas tij, të jetë edhe një tjetër përfaqesues i Partisë Agrare Ambientaliste.

Gjykata e Lartë vendos: Paloka ka shpifur ndaj Tahiri!

Posted: 24 May 2017 05:08 AM PDT

Edi Paloka, Kyetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, njëherësh nën kryetar i partisë më të madhe opozitare, është shpallur fajtor nga Gjykata e Lartë për akuzën e shpifjes, ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.  Në një seancë të shkurtër, kolegji penal i kësaj gjykate veç akuzës së fajësisë, e dënoi dënoi zotin Paloka me 500 mijë lekë gjobë. Funksionari dhe deputeti i njohur i PD në vitin 2015, akuzoi ish ministri Tahiri “si të lidhur me krimin dhe bandat kriminale në vend”.

“Lajmi në media”, libri që çdo gazetar duhet ta ketë në tryezën e punës

Posted: 24 May 2017 04:53 AM PDT

Gazetarë tashmë do të kenë mundësinë, të këshillohen e orientohen në punën e tyre të përditshme drejt përsosjes së saj. Libri me i ri, “Lajmi në media”, nga Prof. Dr. Hamit Boriçi e Dr. Sami Nezaj, është promovuar në ambjentet e Autoritetit të Medias Audiovizuale, institucioni mbeshtetës i këtij botimi, paraditen e së mërkurës.
Bashkëautori i këtij botimi Dr. Sami Nezaj, vlerësoi se ndryshimet në zhvillimin e mediave, kërkojnë përshtatje paradigmash, të cilat pavarësisht vështirësive e sfidave, do të sjellin ekulibra të rinj. “Ka zhvillime të vrullshme të medias për shkak të zhvillimit të teknologjisë. Këtu kemi një zhvillim të madh të mediave on line, kalimin në platforma dixhitale të transmetimeve televizive, gjë që mund ta shtojë sfidën, por edhe fitimet për industrinë dhe ndërmarrjet mediatike” tha zoti Neza për RTSH.
“Lajmi në media” është një praktikum, i cili sipas Drejtorit të Institutit Shqiptar të Medias, Remzi Lani, duhet të qëndrojë në tavolinën e çdo gazetari. “Ky është manual i dobishëm për profesionistët e medias, për studentët e gazetarisë. Është një libër që nuk duhet të qëndrojë në bibliotekë, por duhet të qëndrojë në tavolinën e çdo profesionisti” tha zoti Lani.
Ky botim i cili i referohet një bibliografie të pasur, prej 82 titujsh, është vlerësuar si një domosdoshmëri në literaturën shkencore të fushës.

Lëkundje tërmeti në Shqipëri

Posted: 24 May 2017 04:04 AM PDT

Një lëkundje tërmeti me magnitudë 4.4 gradë sipas shkallës Rihter është ndjerë të mërkurën në mesditë në Shqipëri. Epiqendra ka qenë në Bulqizë, 43 km në verilindje të Tiranës, në thellësinë 10 kilometra. Ende nuk ka njoftime nëse tërmeti ka shkaktuar dëme.