RTSH: “Petrit Vasili, kreu i ri i LSI: Të gjithë bashkë të dalim forcë e parë!” plus 9 more |
- Petrit Vasili, kreu i ri i LSI: Të gjithë bashkë të dalim forcë e parë!
- Basha: Rama u tërhoq nga propozimet! Bashkë të çlirojmë Kavajën!
- Rama: I kemi ofruar opozitës atë që as në ëndrrën time më të bukur nuk do guxoja ta shikoja kur ishte Saliu kryeministër
- Banka e gjakut: Talasemikët duan trefishin e dhurimeve
- Berisha akuzon Ramën: Po shtyn vendin drejt humnerës!
- Lindje të reja me talasemi.Pacientët:Na mungon gjaku dhe protokolli
- KE mirëpret zgjedhjen e zotit Meta në postin e presidentit
- LSI: Rinia të votojnë ata që i përfaqësojnë më mirë në parlamentin e ardhshëm
- Durrës: Nis betonizimi i bregdetit
- Gjuetia e paligjshme kërcënon faunen e liqenit të Kukësit
| Petrit Vasili, kreu i ri i LSI: Të gjithë bashkë të dalim forcë e parë! Posted: 03 May 2017 12:34 PM PDT Lëvizja Socialiste për Integrim, partia e dytë më e madhe e koalicionit të majtë në pushtet, ka tashmë një kryetar të ri. Ai është Petrit Vasili, i cili zëvendëson në këtë detyrë kreun dhe krijuesin e kësaj partie Ilir Meta, i cili javën e kaluar u zgjodh në postin e kreut të shtetit. Zgjedhja e zotit Vasili, deri tani numri dy i LSI, u bë në Konventën Kombëtare të LSI, mes një entuziazmi karakteristik të anëtarëve dhe përkrahësve të kësaj partie. “Të gjithë bashkë do fitojmë, të gjithë bashkë do çojmë objektivin para, të gjithë bashkë do dalim forcë e parë, secili është kryetar, të gjithë ta gëzojmë LSI e përbashkët. LSI forcë e parë” tha mes brohoritjeve zoti Vasili. Konventa zgjodhi si numrin dy të LSI zonjën Monika Kryemadhi, bashkëshorte e presidentit të ri Ilir Meta. Vetë zoti Meta premtoi se “Si president i ardhshëm do të bëj gjithçka që ti jap sa më shumë fuqi dhe sa më shumë pushtet dialogut, stabilitet dhe demokracisë në interes të qytetarëvë shqiptarë”. “Do ju lutesha edhe ju që çdo vendimarrje të rëndësishme ta bëni me qetësi, sepse për fat të keq deri tani të tjerët japin shembullin, si i bëjnë me gjaknxehtësi dhe kokëfortësi, dhe ta bëni me dashuri për vendin” tha ai. |
| Basha: Rama u tërhoq nga propozimet! Bashkë të çlirojmë Kavajën! Posted: 03 May 2017 12:18 PM PDT Ndërsa kryeministri Rama ka mbajtur të ndezur dritën e shpresës për arritjen e një marrëveshjeje me opozitën, kreu i kësaj të fundit Lulzim Basha e ka akuzuar se ai ishte tërhequr nga propozimet e javës së kaluar. “Kemi ofruar sot në tavolinë gjithçka që PD dhe opozita mund të ofrojë për zgjidhjen. Pala tjetër është tërhequr edhe nga propozimet e javës së kaluar, që vet i loboi dhe ishin shumë më pak se ç'mund të pranohet për të siguruar minimumin e garancive për qytetarët shqiptarë” tha zoti Basha para përkrahësve në atë që opozita e quan “Çadra e lirisë”. Ai këmbënguli në krijimin e një qeverie teknike, për të larguar krimin nga politika dhe për të luftuar drogën, si rruga e ndershme për të kthyer Shqipërinë në rrugën e normalitetit dhe për të siguruar bashkjetesën demokratike. |
| Posted: 03 May 2017 11:59 AM PDT Kryeministri socialist Edi Rama ka bërë të ditur se i ka ofruar opozitës monitorim maksimal të strukturave të shtetit gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit, në përpjekje për ta bindur atë të krijojë besim për pjesmarrjen në këto zgjedhje. “Unë kam propozuar atë çka besoj shumë se adreson problemet objektive, pra një monitorim si asnjëherë më parë të gjithë strukturave të shtetit, të policisë së shtetit, të drejtorive rajonale të arsimit, të sistemit arsimor, të sistemit të burgjeve, ku janë pikat që kanë qenë pikat të adresuara si problematike në raportet e ODIHR dhe njëkohësisht një rregullore e dakordësuar si të shmangen perdorimet e aseteve shtetërore në fushatë dhe një kategorie aktivitetesh qeveriare që nuk duhen përdorur në fushatë. Më shumë se kaq nuk ka” tha zoti Rama para gazetarëve pas një aktiviteti të PS. “Është një mekanizëm i tërë që propozohet për të kryer këtë monitorim, por më besoni është një mekanizëm që as në ëndrrën time më të bukur nuk do guxoja ta shikoja kur ishte Saliu kryeministër” tha kreu socialist dhe kryeministri i vendit. Duke folur për afate zoti Rama se “Ne jemi në angazhimin e plotë elektoral, por do të gjejmë kohën për të diskutuar deri kur të fillojë shtypja e fletëve të votimit”. Kryeministri tha se nuk i trembet asgjëje kur u pyet se au trembet akteve të dhunës. “Ne jemi brenda filozofisë sonë për të bërë shtet dhe për të zbatuar rregullat e lojës që nuk ndryshohen gjatë lojës, edhe pse jemi të gatshëm ti krijojmë PD një hapësirë për tu regjistruar në rast se ajo do të përfshihet në këtë proces” tha ai. |
| Banka e gjakut: Talasemikët duan trefishin e dhurimeve Posted: 03 May 2017 06:26 AM PDT Dhurimet vullnetare të gjakut asnjëherë nuk mjaftojnë për të plotësuar nevojat e pacientëve me talasemi. Dr. Mirela SPAHIU , Transfuziologe në Bankën qëndrore të gjakut thotë për TVSH se nevojat e talasemikëve mbulohen nga dhënësit vullnetar që pavarësisht rritjes me nga 100 individë çdo vit, shkojnë në rreth 3000 dhurime, duke mbuluar kështu vetëm 1/3 e kërkesave për gjak. "I gjithë gjaku vullnetarë shkon për fëmijët talasemikë por asnjëherë nuk është i mjaftueshëm. Nëqoftëse deri tani kemi rreth 1600 për katër muaj deri në fund të vitit mund të kemi rreth 3000 dhurime.Për të gjithë talasemikët duhët të kemi të paktën 10000 dhurime që ti mbulojmë dhe të mos kemi probleme" tha Dr. Mirela SPAHIU. Dr Spahiu thotë se edhe dhurimet familjare kanë pësuar rritje por ato shkojnë për llogari të operacioneve në sallat kirurgjikale dhe aksidenteve. Sipas saj ka vetëm një rrugë që nevojat e talasemikëve të mbuloheshin plotësisht. "Mendohet se duke kthyer dhuruesit familjar në dhurues vullnetar. Ti sot erdhe sepse dhurove për një njeriun tënd por nesër të vish për asnjë njeri thjesht me dëshirë" shtoi më tej Dr Spahiu. Një pacient me talasemi ka nevojë për 2 njësi gjaku në dy javë ose e thënë ndryshe 48-50 njësi gjak në vit. Nga të dhënat e bankës së gjakut shoqëria reflekton ndërgjegjësimin të shtuar nga viti në vit në këtë drejtim por mbetet akoma shumë pak me nevojat që paraqesim si komb. |
| Berisha akuzon Ramën: Po shtyn vendin drejt humnerës! Posted: 03 May 2017 06:19 AM PDT Kur nuk ka dalë asnjë hollësi nga protagonistët e takimit tre orësh në presidencë mes zotit Rama e zotit Basha, ka qenë ish kryeministri Sali Berisha i cili ka publikuar në Fejsbuk një status agresiv ndaj kryeministri Rama. Duke e konsideruar zotin Rama “Noriegën e Shqipërisë”, zoti Berisha shkruan se ai “po shtyn vendin drejt humneres”. “Në vend të një zgjidhje politike, zgjedh mbrojtjen me çdo çmim të karriges së tij!” shkruan zoti Berisha duke shtuar se “Noriega i Shqipërisë pranon çdo gjë tjetër, por jo një kryeminister teknik sepse nuk i njeh vetes asnjë përgjegjesi për Narko-Republiken që ndërtoi”. “Revolucioni demokratik do ta hedhe Noriegen e Shqipërisë në vendin që ai meriton!” mbyll statusin e tij në Fejsbuk zoti Berisha. |
| Lindje të reja me talasemi.Pacientët:Na mungon gjaku dhe protokolli Posted: 03 May 2017 06:11 AM PDT Ndonëse ka mbi 15 vjet që flitet rregullisht për sëmundjen e talasemisë, përsëri në Shqipëri lindin fëmijë talasemike.Ermela, studente 22 vjeç me talasemi konstaton me keqardhje se në QSUT ku drejtohet për të marrë gjak sheh që bebe të reja i shtohen çdo vit pavionit të tyre. " Sot në 2017 të kemi akoma lindje me talasemi është problem. Janë 4,5,6 fëmijë me talasemi që mund të lindin çdo vit , dhe kjo është alarmante" thotë Ermela. Gjaku, lëngu që u jep jetë rreth 500-600 talasemikëve në Shqipëri nuk është i mjaftueshëm për të gjithë. Nga rreth 50 trasfuzione në vit që ka nevojë një talasemik, shumë mbeten me gjysmën e kësaj sasie duke bërë që trupi të dergjet nga funksionimi normal i organeve. Ermela tha se "pjesa dërrmuese e personave me talasemi janë me hemoglobinë nga 6-8.Të mos flas pastaj për pjesën e Lushnjes që janë rreth 12 pacientë me hemoglobinë nga 2,5-6 kur normalja për ne është 10". Ermela vuan edhe mosrespektimin e protokollit mjeksor për këtë sëmundje. Kontrolli i organeve të tjera në mënyrë periodike sipas saj është problem shumë i madh. "Ne që jemi në moshë adulte mjekohemi ende nga pediatër. Në momentin që kemi një problem nga hekuri i tepër në gjak, mjekët tanë thonë se ky nuk është problemi im. Kështu thonë edhe mjekët e tjerë ku kërkojmë ndihmë"tha Ermela. Thirrja e Ermeles sot nuk vjen vetem per gjak por edhe per dinjtitet dhe informim. "Duroni sa më shumë gjak, ne kemi nevoje për atë gjak. Ju lutem mos na paragjykoni, mos na e bëni me gisht sepse na ofendoni shumë. Ndjehemi shumë keq nga kjo pjesë. Dhe ju lutem informohuni sa më shumë që mos të lindin më fëmijë me talasemi" bën thirrje Ermela. |
| KE mirëpret zgjedhjen e zotit Meta në postin e presidentit Posted: 03 May 2017 05:51 AM PDT Komisioni Europian mirëpriti zgjedhjen e zoti Ilir Meta në postin e presidentit të ri të Shqipërisë. Kjo i është bërë e ditur gazetares së RTSH Arta Tozaj nga zëdhënësja Maja Koçijançiç. E pyetur nëse ky proces konsiderohet i drejtë e konsensual për Brukselin dhe nëse kjo zgjedhje përfaqëson unitetin e kombit, zëdhënësja Maja Koçijançiç u përgjigj se procesi "u zhvillua në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe afatet kohore”. “Përsa i përket vendimit të partive opozitare për të mos marrë pjesë në të," shtoi ajo "ne përsërisim se partitë politike duhet të angazhohen në procesin demokratik brenda Parlamentit, pavarësisht të drejtës për zhvillimin e tubimeve paqësore dhe demonstratave" përfundon ajo qëndrimin e Komisionit Europian mbi zgjedhjen e Presidentit Ilir Meta. |
| LSI: Rinia të votojnë ata që i përfaqësojnë më mirë në parlamentin e ardhshëm Posted: 03 May 2017 05:44 AM PDT Presidenti i sapo zgjedhur Ilir Meta, aktualisht kreu i LSI u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë të votojnë ata që i përfaqësojnë më mirë në parlamentin e ardhshëm. Zoti Meta ka marrë pjesë në një aktivitet të LSI, përpara se të largohet përfundimisht nga kjo parti me rastin e marrjes së detyrës së re. "Ka ardhur momenti që në zgjedhjet e ardhshme që ju të votoni për të gjithë ata që përfaqësojnë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, shpresat tuaja dhe ëndrrat tuaja për një Shqipëri që u jep shanse të rinjve dhe të rejave që të jetojnë këtu me dinjitet, ti gëzojnë familjet e tyre dhe të ndërtojnë familje të shëndetshme" tha zoti Meta. |
| Durrës: Nis betonizimi i bregdetit Posted: 03 May 2017 05:40 AM PDT Prej më shumë se dy muajsh, bizneset në vijën e parë të bregdetit të Durrësit kanë vendosur prita me blloqe betoni me qëllim për të parandaluar erozionin. Dhe siç ndodh rëndom, këtë alibi po e përdorin dhe për të përfituar hapesira në brezin e rërës: "Kemi të bëjmë përsëri me betonizim sigurisht me synimin për të mbrojtur vetveten por që bie në kundërshtim të plotë me planin e përgjithshëm urban të bashkisë Durrës, me planin e zhvillimit të territorit, me planin e menaxhimit të bregdetit" tha ambientalisti Sazan Guri. E asaj që i druhen ambientalistët është se kjo mund të ketë shtrirje edhe tek bizneset e tjera. "Gabimi këtu është i mbartur, gabim inxhinierik, gabim teknik por më shumë është gabim politik ku vendimarrësit lokal apo të mëdhenj dhe kta biznesmen që iu duket vetja më të fortë se natyra janë duke gabuar në formë dominoje"shtoi më tej Sazan Guri. Veç denoncimit publik ambientalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile i kanë kërkuar Gjykatës Administrative një masë sigurie, ndërsa në Prokurorinë e rrethit kanë depozituar kallëzim penal. |
| Gjuetia e paligjshme kërcënon faunen e liqenit të Kukësit Posted: 03 May 2017 05:22 AM PDT Sasia e peshqve të ngordhur një muaj më parë në Liqenin e Kukësit nuk ka ardhur si pasojë e përdorimit të lëndëve plasëse, por për shkaqe natyrore. Inspektori Rajonal i Peshkimit, Halim Dafku publikon dhe përgjigjen përfundimtare të Institutit të Kërkimeve Veterinare: Zoti Dafku tha se "përfundimisht rezulton se ky peshk nuk ka qënë i dëmtuar as nga lëndë plasëse, as nga korenti e as nga lëndë helmuese. Ky peshk është hedh nga dikush në këtë zonë". Pavarësisht këtij rasti, nga gjuetia e paligjshme, ndotja e ujërave dhe mungesa e hedhjes së rasateve, kryesisht në vitet 1997-2015, sasia e peshkut në Liqenin e Kukësit ka ardhur gjithnjë në rënie, madje disa specie të rralla si luciperka , ballgjeri, trofa dhe ngjalat janë drejt zhdukjes së plotë. "Jemi në përfundim të lundrimit të sipërfaqes së liqenit të Kukësit ose të Fierzës siç njihet ndryshe prej 72 km katror në bashkëpunim me inspektoriatin e peshkimit dhe policinë kufitare nuk pamë gjuetisë me lëndë plasëse por gjithsesi duhet thënë se ndër vite këtu është bërë një masakër e vërtetë në gjuetinë e paligjshme me lëndë plasëse dhe lende kimike. Është momenti këtu që gjithë opinioni publik, të gjithë peshkatarët të tregohen më të vëmëndshëm për të shpëtuar këtë pasuri peshkore e cila është me mjaft rëndësi ekonomike për banorët dhe për peshkatarët". Nisur nga shqetësimi i vazhdueshëm i ushtrimit të gjuetisë së paligjshme, që po kërcënon deri në zhdukje faunën nënujore të liqenit, për herë të parë po ndërmerret dhe një fushatë sensibilizuese, nga inspektoriati i peshkimit dhe me mbështetjen e policisë. "Çdo varke unë po i vendosi numrin për ta identifiku, numrin e varkës dhe emrin e peshkatarit konkret. Po kështu do lëmë edhe njoftim duke iu lënë afat për të bërë dokumentat për liçensim për vitin 2017-2018" tha inspektori rajonal i peshkimit Halim Dafku. Nga rreth 35 varka peshkimi që gjenden në ujërat e liqenit të Kukësit, vetëm pesë prej tyre kanë liçensë. |
| You are subscribed to email updates from RTSH-Radio Televizioni Shqiptar. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





