RTSH: “Ndeshja kryesore Partizani – Kukësi mbyllet me barazim” plus 9 more

RTSH: “Ndeshja kryesore Partizani – Kukësi mbyllet me barazim” plus 9 more


Ndeshja kryesore Partizani – Kukësi mbyllet me barazim

Posted: 05 May 2017 12:19 PM PDT

JAVA 32

 

DATA QYTETI ORA NDESHJA REZ
05.05.2017 Tiranë 19:00 * Partizani – Kukësi 1 – 1
Dvorneković 21′ (0-1), Ekuban 46′ (1-1)
06.05.2017 Laç 16:00 Laçi – Luftëtari
06.05.2017 Elbasan 16:00 Korabi – Teuta  –
06.05.2017 Korçë 19:00 Skënderbeu – Vllaznia
06.05.2017 Vlorë 19:00 Flamurtari – Tirana

*RTSH

NR. SKUADRA NDE. FIT. BAR. HUM. GSH. GPË. + / – PIKË
1. Kukësi 32 17 15 0 45 16 29 66
2. Partizani 32 18 12 2 40 14 26 66
3. Skënderbeu 31 18 8 5 37 15 22 62
4. Luftëtari 31 10 9 12 32 38 -6 39
5. Vllaznia 31 8 14 9 24 25 -1 38
6. Teuta 31 8 9 14 20 30 -10 33
7. Tirana 31 6 14 11 25 29 -4 32
8. Flamurtari 31 10 8 13 36 32 4 32
9. Laçi 31 7 8 16 16 33 -17 29
10. Korabi 31 2 7 22 10 53 -43 13

Flamurtari -6 pikë

Basha: Në Kavajë Republika e Re shënoi fitoren e saj të parë!

Posted: 05 May 2017 12:03 PM PDT

“Fitore të Republikës së Re” e ka cilësuar kreu i PD Lulzim Basha tërheqjen e kandidatit të PS në Kavajë. “Republika e re sapo shënoi fitoren e saj të parë. Falenderimi im i parë është për qytetarët fisnikë të Kavajës, për të rinjtë dhe të rejat e Kavajës” tha zoti Basha i cili u shfaq në çadrën e protestës para selisë së qeverisë i buzëqeshur dy orë pasi kryeministri Rama deklaroi tërheqjen nga zgjedhjet në Kavajë. Sipas tij ata “vendosën tërheqjen e Edi Ramës nga plani ogurzi për të kthyer monizmin në qytetin që përmbysi diktaturën komuniste”. “Ky është paralajmërimi më i madh dhe kontributi i dytë historik që Kavaja jep për demokracinë e shqiptarëve” tha zoti Basha.
Ai shprehu bindjen se “Përfundimi i vetëm i kësaj beteje do të jenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme” duke këmbëngulur sërish në krijimin e një qeverie teknike.
“Ultimatumet i refuzojmë, bëhuni pjesë e zgjidhjes për republikën e re, zgjedhjeve të lira ose përballuni me bashkimin dhe marshimin më të madh kombëtar javën e ardhshme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe pas kësaj në çdo shesh e në cdo rrugë të çdo qyteti dhe fshati ku vullneti për demokraci nuk zbrapset më” paralajmëroi zoti Basha. “Zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftë dy faktorëve të destabilizimit krimit dhe drogës, preferojmë me dialog, por të vendosur të protestojmë paqësisht drejt zgjidhjes. Këto janë rrugët nga e cila kalon e ardhmja europiane e Shqipërisë” tha kreu demokrat i cili brohoritej vazhdimisht nga përkrahësit e tij.

Vasili : “Maturi në funksion të zgjidhjes politike”

Posted: 05 May 2017 10:38 AM PDT

LSI partia e dytë më e madhe e koalicionit në pushtet e konsideroi "Maturi në funksion të zgjidhjes politike”, vendimin e kryeministrit Rama për të tërhequr kandidatin në Kavajë për zgjedhjet e 7 majit. Kreu i Kësaj partie Petrit Vasili tha se shtyrja e zgjedhjeve u bë "për të çtensionuar situatën". "Zgjedhjet me standard janë një sfidë pa kthim. Dialogu duhet të vazhdojë duke iu krijuar hapësira" tha zoti Vasili. Pak kohë më parë me rastin e bërjes publike të kandidaturave për kreun e ri të Bashkisë së Kavajës, LSI u tërhoq dhe tha se nuk do të mbështeste asnjë kandidaturë.

Ndërkombëtarët mbështesin vendimin e Ramës për shtyrjen e zgjedhjeve në Kavajë

Posted: 05 May 2017 10:31 AM PDT

Ambasada Amerikane në Tiranë ka mbështetur thirrjen e kryeministrit Rama për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë “me qëllim, sipas saj, që të ruhet përqendrimi i qeverisë dhe opozitës tek procesi i dialogut”. “Nxisim vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të dialogut sepse koha që mbetet për t'i zgjidhur çështjet me anë të negociatave përpara zgjedhjeve të 18 qershorit është e kufizuar” vlerësohet në reagimin e ambasadës.
“Mbështesim të drejtat e shqiptarëve për të protestuar paqësisht dhe nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që mund të nxisnin dhunë, veçanëritsht akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve per të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik” thekson ambasada amerikane në Tiranë.

Ndërkaq edhe ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman përshëndeti vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë. “Mbretëria e Bashkuar vazhdon t'i bëjë thirrje të gjitha partive politike për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive me qëllim sigurimin e pjesëmarrjes të plotë në zgjedhjet e ardhshme. Mbretëria e Bashkuar ripërsërit thirrjen ndaj të gjithë anëtarëve të partive politike të sigurohen për shmangjen e dhunës gjatë periudhës parazgjedhore dhe vetë zgjedhjet” bëet e ditur në njoftimin e ambasadës britanke në Tiranë.

Edhe ambasadorja e Gjermanisë zonja Sussane Schutz në një deklaratë të saj ka shprehur mirëkuptim për vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në Kavajë. Sipa saj “për të mbajtur të hapur kësisoj rrugën për bisedime midis qeverise dhe opozitës në interes të një zgjidhjeje të krizës aktuale politike dhe pjesëmarrjen sa më të gjerë të partive politike në zgjedhjet parlamentare”. “Ne mbështesim përpjekjet e palëve të përfshira për të vazhduar këtë dialog me qëllimin për të gjetur një zgjidhje në bazë të kushtetutës së Shqipërisë. Njëkohësisht u bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin ҫdo veprim që mund të ndikojë që një protestë paqësore të shndërrohet në dhunë” bëhet e ditur në deklaratën e saj.

Berisha: Kavaja mposhti Noriegen!

Posted: 05 May 2017 09:23 AM PDT

Ish kryeministri Berisha ka dalë menjëherë me një deklaratë në Fejsbuk, pasi kryeministyri Rama lajmëroi tërheqjen e kandidatit socialist dhe akuzoi PD për destabilizim me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve për Bashkinë e  Kavajës ditën e dielë.  “Fitoi Kavaja! Fitoi Shqiperia! Kavaja mposhti Noriegen, qe per karrigen e tij mbi drogen dhe krimin do te asgjesoje voten e lire dhe pluralizmin politik” shkruan zoti Berisha në Fejsbuk. Ndërkaq në çadrën e protestës së opozitës ka filluar festa.

Rama akuzon PD për destabilizim dhe tërheq kandidatin socialist në Kavajë

Posted: 05 May 2017 09:06 AM PDT

Vetëm pak orë nga mbajtja e zgjdhjeve të parakohshme për Bashkinë e Kavajës, Kryeministri dhe kreu socialist Edi Rama, ka dalë në një konferencë urgjente për shtyp në selinë e kryeministrisë, ku i ka kërkuar kandidatit socialist në Kavajë Klodian Shehi të tërhiqet nga zgjedhjet, pasi sipas tij ka një plan për destabilizim të vendit në këtë qytet. “Ka një plan për destabilizimin e këtij vendi dhe çadra është ngritur për këtë qëllim. Këto nuk janë hamendje, por fakt. Shqipëria nuk do të destabilizohet nga ky plan” tha ndër të tjera zoti Rama. “Provokimit antikushtetues, antiligjor e antidemokratik, ne nuk duhet dhe nuk do ti përgjigjemi flakë për flakë. Kavaja nuk do të bëhet sheshi për një përshesh të neveritshëm që po gatuan PD. Turpi le ti mbetet PD-së. Unë i kam sugjeruar kandidatit tonë në Kavajë që të tërhiqet. Këtë ja ka kam kërkuar edhe kandidatit tjetër” shtoi më tej ai.
Por zoti Rama u tregua i vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare me 18 qershor. “Me PD apo pa PD më 18 qershor, populli do të vendosë” tha zoti Rama. “Për sa më takon, 18 qershori nuk mund të jetë pjesë e negociatave mes partive” nënvizoi ai. Zoti Rama tha se afati i fundit për Kreun e PD Lulzim Basha për të arritur një marrëveshje është 8 maji.

Paraditen e së premtes kreu i PD Lulzim Basha e konsideroi protestën në ditën e zgjedhjeve në Kavajë, si stacionin e parë të betejës. "Ne jemi gati dhe stacioni ynë më i rëndësishëm, i pari në këtë betejë finale, përballja e parë është ditën e dielë në kryeqytetin e lirisë, në kryeqytetin e demokracisë, në Kavajë” tha zoti Basha duke u shprehur për “marshimin e ushtrisë paqësore”. 

Presidenti Bujar Nishani e ka vlerësuar qëndrimin e zotit Rama dhe e ka cilësuar atë si një mundësi për të vazhduar dialogun mes palëve. .

Goditja e re për Call Center-at në Shqipëri

Posted: 05 May 2017 05:49 AM PDT

Italia po ju shkon deri në fund masave shtrënguese që synojnë të rikthejnë brenda vendit industrinë e call centera-ve. Por fatkeqësisht ato po rrezikojnë një nga sektorët më me peshë për sa i përket punësimit në Shqipëri.

Pas masave ligjore të parlamentit italian që u fuqizuan në 1 Prill, 13 kompani të mëdha kanë firmosur një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe ministrin e zhvillimit ekonomik Carlo Calenda, i cili parashikon që 95 përqind e aktiviteteve që kryhen të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe të gjitha kontratat e reja 80 përqind të aktivitetit të tyre ta kryejnë në territorin italian.

Kjo është goditja e dytë brenda një muaji që po i vjen nga Italia industrisë së call center-ave në Shqipëri, aktiviteti i të cilës është ngushtësisht i lidhur me kontratat që u sjellin operatorët italiane.  Fillimisht me hyrjen në fuqi të ligjit italian u mbyllen 30 kompani call center në Shqipëri, ndërsa pas nënshkrimit të këtij protokolli, përfaqësuesit e kësaj industrie në Shqipëri janë të shqetësuar se çfarë pritet të ndodh me kontraktorët e tyre.  5 nga 13 kompanitë që kanë nënshkruar protokollin kanë kontrata shërbimi tek operatorët call center në Shqipëri.

Vitet e fundit industria e call center e ka rritur ndjeshëm peshën e saj në ekonominë shqiptare, veçanërisht në fushën e punësimit . Vetëm vitin që shkoi të ardhurat nga kompanitë u rriten me 40 përqind, ndërsa numri i të punësuarve vlerësohet mbi 25 mijë vetë. Por pavarësisht kësaj peshe, edhe këtyre zhvillimeve, asnjë nga ministritë përgjegjëse për këtë industri në Shqipëri nuk kanë formuluar një qëndrim lidhur me çështjen.

Projekti SARED, 6.5 milionë euro në mbështetje të fermave dhe agrobizneseve shqiptare

Posted: 05 May 2017 05:41 AM PDT

Fermerët, agropërpunuesit dhe agrobizneset që prodhojnë, grumbullojnë, apo përpunojnë produkte që lidhen me frutat dhe arroret, si dhe bimët mjekësore dhe ato medicinale, kanë mundësi që të përfitojnë grante për investime, duke aplikuar deri në fund të muajit maj në thirrjen e katërt të projektit të financuar nga qeveria gjermane dhe ajo daneze për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural në zonat e pafavorizuara të Shqipërisë, apo siç quhet ndryshe Projekti SARED.

Deri tani në këtë thirrje të katërt të projektit, kanë aplikuar 70 fermerë dhe agropërpunues, por drejtuesi i këtij projekti Ole Henriksen, shpjegon se përvoja e tre fazave të tjera ka treguar se numri i aplikimeve zakonisht është i madh në dy javët e fundit të mbylljes së thirrjes, që konkretisht është 31 Maji. "Sa i takon investimeve në ferma, ne mbulojmë 65 përqind të kostos së investimit, e cila varion nga 2 mijë deri në 25 mijë euro. Përsa i përket agrobizneseve, për investimet nga 5 mijë deri ne 70 mijë euro, ne sigurojmë 50 përqind të kostos si grant. Dhe nëse biznesi drejtohet nga një grua ose i ri, ne japim 10 përqind më shumë, pra ata marrin një grant të barazvlefshëm me 60 përqind të kostos së investimit" spjegon Ole Henriksen.

Kur ky projekt filloi të zbatohej në Qershor të vitit 2014, qeveria gjermane dhe ajo daneze vunë 6.5 milionë euro në dispozicion të tij. Në tre thirrjet e para, u paraqiten rreth 330 aplikime dhe nga to u përzgjodhën 200 përfitues, granti për të cilët kap shifrën totale të rreth 3 milionë eurove. Ndërkohë, 100 prej tyre i kanë përmbushur investimet, duke përfituar më pas shumat e caktuara nga projekti. "Ne ndjekim parimet e Bashkimit Europian dhe fermerët pasi nënshkruajnë kontrata me ne duhet të përmbushin investimet në mënyrë që më pas të përfitojnë financimin. Rreth 70 përqind e fermerëve dhe bizneseve që kemi mbështetur deri tani, i kanë financuar fillimisht investimet përmes huave të marra nga bankat, dhe pas përmbushjes së investimit, kanë përfituar paratë nga ne" spjegon Ole Henriksen.

Zonat në të cilat zbatohet projekti janë Shkodra, Dibra, Korça, Kukësi, Berati dhe Elbasani, për shkak se aksesi i tyre në treg është i vështirë, dhe nuk favorizohet as nga infrastruktura. Së fundmi, përveç mbështetjes së fermerëve dhe agrobizneseve, është parashikuar edhe mbeshtetjta e turizmit rural, në tre destinacione që janë Kukësi, Peshkopia dhe Skrapari.

Pendohet për vrasjen e nuses së djalit, Ndoc Tota: U nxitova!

Posted: 05 May 2017 05:11 AM PDT

75 vjecari Ndoc Tota është penduar për krimin e vrasjes, duke deklaruar se nuk donte të vriste nusën e djalit por ta trëmbte atë.. I lidhur me pranga, Ndoc Tota pranoi se kishte kryer vrasjen dhe kërkoi mëshirë. Mëngjesin e 3 majit në fshatin Zhejë, u raportua një vrasje brënda familjes. 41 vjeçarja Vera Tota, nënë e dy fëmijëve, 5 dhe 10 vjeç, kish mbetur e vdekur pasi ishte qëlluar me mjete të forta në kokë. Ajo u godit në oborrin e banesës teksa ikte për në punë. Fatmirësisht në momentin e ngjarjes së rëndë, dy fëmijët kanë qenë në gjumë, ndërsa bashkëshorti në punë ku punonte si roje nate. Mes viktimës dhe autorit ka nisur më parë një sherr verbal, pasi dy prindërit e bashkëshortit e akuzonin se nuk u shërbente, pohojnë të afërmit, dhe më pas grindja ka degjeneruar me dhunë, ku vjehrri 75 vjeç Ndoc Tota, pasi e ka ndjekur për disa metra në oborr, ka marrë një levë dhe e ka goditur disa herë. Gruaja ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa autori i dyshuar ka tentuar të largohet, por është kapur menjëherë nga policia, që u njoftua nga fqinjët e viktimës.

Divjakë: Fermerët shesin nën kosto

Posted: 05 May 2017 05:10 AM PDT

Zyrtarisht pohohet se në qarkun Fier, çdo vit rritet sipërfaqja e mbjelle, si në sera ashtu dhe në fushë. Për këtë vit është mbjellë 30 % më shumë sesa vitin e kaluar . Përsa i përket mbjelljes së perimeve në fushë, rezultatet janë më të larta se vitin e kaluar. Por pavarësisht kësaj, fermerët e Divjakës që mbjellin në fusha tregojnë se vazhdojnë të shesin nën kosto: "Duke filluar që nga farërat, çmimet janë shumë të shtrenjta dhe pas subvencionimit. Plehërat po ashtu janë shumë të shtrenjtë" thonë fermerët. Ata flasin disi të revoltuar: "2 mijë lekë që marrim farën e patates ne, nuk të bëjnë krahët të punosh. Unë kam hedhur 3 milion lekë, dhe si përfundim prapë s’fitojme gje? Ne nuk marrim dot paratë tona, nuk marrim dot paratë tona, fare." Ndërsa zgjidhjen e shohin tek mbështetja me subvencione: “Këtu, edhe pse merremi me të gjithë perimet, ne nuk përfitojmë asgjë nga shteti" thotë një tjetër fermer. Por edhe për këtë vit, ky sugjerim nuk është i realizueshëm, pasi në 6 skemat e miratuara nga Ministria e Bujqësisë, nuk parashikohet subvencionim i perimeve të fushës.