RTSH: “Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore” plus 9 more

RTSH: “Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore” plus 9 more


Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore

Posted: 08 May 2017 06:06 AM PDT

Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe proçedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore edhe pse ka hyre ne fuqi qe prej dates 6 maj akoma nuk është i zbatueshëm kjo për shkak se drejtoria e përgjithshme e tatimeve është në pritje të një Udhëzimi i Ministrit të Financave, në të cilin më hollësisht do të përcaktohet edhe proçedura që do të ndiqet. Një udhëzim i tillë do të duhej të ishte gati që prej datës 6 maj kur edhe ligji ka hyrë në fuqi. Radio televizioni shqiptar është interesuar pranë ministrisë së financave pse mungon një udhëzim i tillë dhe përgjigjia që na është dhënë është se udhëzimi është gati por duhet të jetë në fletoren zyrtare për të filluar zbatimin. Por sërish tatimpaguesit janë ftuar nga drejtoria e përgjithshme të tatimeve që duke filluar nga data 8 maj të ushtrojnë të drejtën e përfitimit nga ky ligj, duke shlyer detyrimet financiare të cilat ligji i kërkon si kusht paraprak. Si një përmbledhje e së tërës duhet të themi që ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore, është akoma i pa zbatueshëm deri sa udhëzimi i ministrisë të botohet në fletoren zyrtare.

Rriten kontributet, por defiçiti në buxhet është ende i lartë

Posted: 08 May 2017 05:55 AM PDT

Pas miratimit në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe botimit në fletoren zyrtare, është bërë efektive rritja e pagës minimale për punëmarrësit privatë. Kjo rritje prek në mënyrë të ndjeshme edhe punëdhënësit për shkak të skemës aktuale të pagimit të detyrimeve shoqërore dhe shëndetësore. Radio Televizioni Shqiptar ka bërë një llogaritje të plotë sa i përket rritjes së detyrimeve për të vetëpunësuarit, por edhe për të punësuarit në sektorin privat. Tabela tregon llogaritjen e kontributeve me pagen e re minimale për të vetëpunësuarit, çdo njeri prej të cilëve duhet të paguajë duke filluar nga data 1 maj 2017, me 596 lekë më shumë në muaj.

Tabelë në vijim tregon llogaritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësorë si për punëdhënësin, ashtu edhe për punëmarrësin.

Vini re ndryshimet që pëson paga bruto për efekt të pagës minimale! Një i punësuar me pagë në kufirin e sipërm të pagimit të kontributeve, pra me pagë rreth 105 mijë lekë do të paguajë tashmë mbi 15 mije lëkë sigurime shoqëore dhe shëndetësore, ndërsa paguante më parë 124 mijë lekë. Një punëmarrës, pra një sipërmarrës, do të paguajë tani mbi 20 mijë lekë, nga rreth 17 mijë lekë që paguante për çdo të punësuar. Ndërsa në tabelën në vijim pasqyrohet numri i përgjithshëm i të punësuarëve sipas nivelit të pagave.

Nuk kemi llogaritur të ardhurat e përfituara për efekt të kontributeve për të gjitha kategoritë e pagave, por vetëm për pagat nën 30 mijë lekë dhe për pagat deri në 100 mijë lekë. Vihet re se efektet në buxhet, por edhe në xhepin e sipërmarrësve janë të ndjeshme. Por pavarësisht kësaj politike të rritjes së pagës minimale, Ministria e Financave, ende nuk ka arritur të balancojë të ardhurat nga kontributet që për këtë vit planifikohen në rreth 69 miliardë lekë, me shpenzimet për pensionet që kërkojnë jo më pak se 114 miliardë lekë. Duhet pranuar ndërkohë që Shqipëria vijon të jetë në një nivel mjaft të ulët të pagës minimale në raport me shtetet e rajonit. Tabela e vërteton këtë.

Tragjedia në detin Mesdhe; 80 vetë humbin jetën

Posted: 08 May 2017 05:42 AM PDT

Një tragjedi e re ka ndodhur në Detin Mesdhe, ne pjesën mes Libisë dhe Italisë, ku rreth 80 emigrantë që ishin nisur nga Libia për të arritur në Evropë kanë humbur jetën. Sipas autoriteteve italiane, nga rrëfimet e emigrantëve që shpëtoi një anije patrulluese një ditë më parë, mësohet se tragjedia ndodhi në det të hapur si pasojë e fundosjes së varkës së madhe. Emigrantët e mbijetuar tregojnë se në mjetin e vjetër lundrues ishin dyndur 120 persona dhe prej tyre shpëtuan vetëm 40 persona. Në lidhje me këtë rast, prokuroria publike italiane ka nisur hetimin.

Shqipëria së shpejti një kompani fluturimesh me “Turkish Airlines”

Posted: 08 May 2017 05:41 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se së shpejti në destinacione të ndryshme, do të nisi nga funksionimi një linjë ajrore shqiptare. Linja është një bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe "Turkish Airlines" me presidentin e së cilës zoti Rama dha një konferencë shtypi. “I jam mirënjohës Presidentit të Turqisë dhe drejtuesit ekzekutiv të "Turkish Airlines", që po na japin një ndihmë të vyer” tha zoti Rama. “Jemi afër realizimit të projektit dhe shpresojmë që këtë vit të nisin fluturimet e para. Kompania e re shqiptare shpresoj që të shërbejë me të njëjtën cilësi si "Turkish Airlines", edhe pse në madhësi nuk mund të krahasohemi” tha zoti Rama.
Kryeministri pranoi se cilësia e transportit ajror të shqiptarëve lë shumë për të dëshiruar. “Flas për shërbimin që u jepet njerëzve në shumë drejtime, me një cilësi të ulët dhe kosto të lartë” tha ai. “Ne do tu japim shqiptarëve një mundësi të re dhe do të nisim një epokë të re edhe në këtë drejtim" tha zoti Rama.

Pogradec, ndotet bregu i liqenit

Posted: 08 May 2017 05:21 AM PDT

Bregu i liqenit të Ohër në Pogradec, gjatë gjithë vijës ujore të tij, nga Lini deri në Tushemisht është i ndotur. Rreshjet gjatë dimrit, por edhe ndotja nga hedhja e mbeturinave të banorëve nga zonat përreth, e ka mbushur bregun me papastërti. Edhe pse sezoni turistik veror nuk ka nisur ende, ngrohja e motit ka shtuar vizitorët në Pogradec. Bashkia e Pogradecit po punon që situata të ndryshojë, por qytetarët e Pogradecit shprehin frikën e tyre. Ata thonë se ka disa vite që kjo ndotje shfaqet në liqen, duke ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e turizmit.

Ndryshime të reja në policinë e shtetit

Posted: 08 May 2017 05:21 AM PDT

Pas shkarkimeve të drejtorëve të policisë në qarqe, të tjera lëvizje janë bërë në Policinë e Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm Haki Çako ka firmosur ndryshimet e shefave të komisariateve në të gjithë vendin. Në sy bie largimi i zëvendës drejtorit të Policisë së Tiranës dhe atij të Policisë Rrugore në kryeqytet. Shkarkimit nuk i ka shpëtuar as shefi i komisaritait të Rinasit. Edhe disa komisariate të kryeqytetit janë prekur nga lëvizjet e fundit. Ndryshimet janë bërë edhe në qytetet Elbasa, Shijak, Pogradec, Librazhd, Gramsh, Peqin, Sarandë, Fier, Vlorë, Shkodër, Mallakastër. Sipas policisë ndryshimet synojnë t'i japin një tjetër ritëm punës së Policisë së Shtetit në përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Bashkëjetesa e feve dhe besimeve në Shqipëri në vëmendje të OKB-së

Posted: 08 May 2017 04:42 AM PDT

Edhe pse duket një nga vlerësimet pa dileme për Shqipërinë, një raportues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara viziton vendin në një mision 9 ditor, për të mësuar për bashkëjetesën e feve dhe besimeve të ndryshme. Politikat dhe praktikat e Shqipërisë për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e fesë ose besimit pritet të marrin notë nga Ahmed Shaheed në emër të Këshillit për të drejtat e njeriut, në një vizite te pare te këtij lloji. "Mezi pres ta vizitoj Shqipërinë për të mësuar për bashkëjetesën e feve dhe besimeve të ndryshme, si dhe për shembujt pozitivë të promovimit të tolerancës fetare në vend" është shprehur vetë ai.
Eksperti i pavarur i ngarkuar nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për vlerësimin dhe raportimin e situatës së lirisë së fesë ose besimit në të gjitha vendet, e ka kontekstuar paraprakisht pozitivisht situatën për të cilën duhet te hartojë një raport me ftesë të qeverisë shqiptare, në të njëjtën kohë qe Mandati i Raportuesit të Posaçëm kërkon të identifikojë edhe pengesat ekzistuese dhe të reja në gëzimin e të drejtës së lirisë së fesë ose besimit dhe të paraqesë rekomandime specifike për t’i kapërcyer ato. "Do të jetë një mundësi e ardhur në kohë e duhur për mua për të rishikuar lirinë e fesë ose besimit në lidhje me çështjet e gjinisë, grave, fëmijëve dhe pakicave fetare apo besimit” ka spjeguar zoti Shaheed.
Ndërsa është paralajmëruar ndarja me mediat e gjetjeve paraprake ne ditën e fundit te misionit, raporti përfundimtar do të paraqitet para këshillit të drejtave te njeriut në mars të vitit të ardhshëm.
Takimet e parashikuara me zyrtare të qeverisë, liderë fetarë, organizata fetare, OJQ, përfaqësues nga shoqëria civile dhe gjencitë e OKB-së në Tiranë, Shkodër dhe Korçë, nuk mendohet të sjellin ndonjë përjashtim të papritur nga realiteti i bashkëjetesës paqësore të feve në Shqipëri, i kërkuar për t’u bërë shembull ndërkombëtar, në të njëjtën kohë që disa pretendime të feve, kryesisht të krishtera për numrin real të besimtarëve të tyre në censusin e fundit në vend, duket se nuk kanë ende përgjigje.
Pretendimet u ngritën atëherë duke u nisur nga numri i besimtarëve që rezulton sipas pagëzimeve në regjistrat e kishës, që ishte larg atij të paraqitur nga censusi për përqindjen e besimeve të krishtera. Një ballafaqim i këtyre statistikave nuk është bërë i njohur të ketë ndodhur edhe pse kanë kaluar mbi 6 vjet nga ky proces.

KQZ miraton fletën e votimit të 18 qershorit

Posted: 08 May 2017 04:12 AM PDT

Pavarësisht polemikave mes maxhorancës dhe opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit, Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar të hënën fletën e votimit të zgjedhjeve. Emri i parë në listën e 15 partive është ai i Frymës së Re Demokratike, ndërsa emri i fundit është ai i PD. Veç numrit rendor, emrit të partisë dhe shkronjave nistore, lista përmban dhe emrin e kryetarit të partisë.

Renditja e partive është kjo:
1- FRD – Fryma e Re Demokratike
2- PDS – Partia Demokracia Sociale
3- PAD – Partia Aleanca Demokratike
4- APD – Aleanca Popullore për Drejtësi
5- PDIU – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet
6- SFIDA- Sfida për Shqipërinë
7- PADSH- Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë
8- AAK – Aleanca Arbnore Kombëtare
9- MEGA – Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
10 – PKD – Partia Kristian Demokrate
11- PLB – Partia Lista e Barabartë
12- PSD – Partia Socialdemokrate
13- PKSH – Partia Komuniste e Shqipërisë
14- LSI – Lëvizja Socialiste për Integrim
15- PS – Partia Socialiste e Shqipërisë

Vlorë, vazhdon Botërori i Aeronautikës, Tajlanda në vend të parë

Posted: 08 May 2017 04:09 AM PDT

Kampionati i 9-të Botëror i Aeronautikës në disiplinën e fluturimeve të Lira me Precizion, që për herë të parë, po mbahet në Shqipëri, po zhvillon garat e ditës së 3-të të tij në Vlorë. Moti i paqëndrueshëm ka ndikuar në zhvillimin normal të garave si të dielën, ashtu edhe të hënën. Konkurrimi u pezullua deri në ora 11:00 të paradites, për shkak të mjegullës që pengonte fluturimin normal. Aktualisht po zhvillohen garat e turit të 3-të për disa prej sportistëve dhe të turit të 4-t për një pjesë tjetër. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe ky Botëror, i pari i këtij lloji në Shqipëri, po transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt, edhe ky transmetim pa ndërprerje në kanalin RTSH Sport, por, me alternime edhe në RTSH 1 HD, ka qenë një risi në vetvete sa i përket regjisë televizive, duke ofruar pamje spektakolare të rivierës shqiptare, por edhe në koment dhe me lidhjet direkte nga Vlora. Në këtë Botëror marrin pjesë rreth 150 pilotë nga 28 vende të ndryshme të botës dhe, pas dy tureve të para, në renditjen ekipore, Tajlanda mban vendin e parë, e ndjekur nga Serbia dhe Kina. Duhet theksuar se në konkurrimin e turit të 3-të, është thyer edhe rekordi botëror me 3 rezultate 0.00. Ky rezultat i takon sllovenit Anton Sllovsjek, i cili, me këtë rezultat të arritur, bëhet fitues edhe i një shpërblimi të majmë prej 100 mijë eurosh.

Rinas, ndalohet një shtetas grek me pajisje përgjimi

Posted: 08 May 2017 04:01 AM PDT

Një shtetas grek me një pajisje përgjimi, është ndaluar në aereportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” më i madhi në vend.  Policia ndaloi në  Rinas, shtetasin grek Iraklis Joannis Dragounis, pasi iu bllokua një pajisje e dyshuar se përdorej për përgjim. 52-vjeçari  është me profesion inxhiner ndërtimi. Prokuroria ka bërë sekustrimin e paisjes dhe pritet të marrë në pyetje shtetasin grek. Një muaj me parë, një shtetas izrealit deklaroi se kishte ardhur në Shqipëri bashkë më një paisje që identifikon përgjuesit, për llogari të një biznesmeni dhe politikani shqiptarë. Ai u mbajt i bllokuar disa ditë, deri sa u provua që më këtë paisje nuk janë kryer përgjime.

Related Posts: