RTSH: “Incidente në ndeshjen Flamurtari-Partizani” plus 9 more

RTSH: “Incidente në ndeshjen Flamurtari-Partizani” plus 9 more


Incidente në ndeshjen Flamurtari-Partizani

Posted: 16 May 2017 06:02 AM PDT

Nuk ka kaluar pa incidente takimi në Vlorë mes Flamurtarit dhe Partizanit. Tifozeritë e të dyja skuadrave janë përplasur me njëra tjetrën duken qëlluar me sende të forta. Ndërsa në një moment të caktuar është ndërprerë edhe takimi. Arbitri kryesor ka kërkuar ndërhyrjen e kapitenëve të skuadrave respektive, për të qetësuar situatën e krijuar. Shishe uji dhe gurë janë hedhur nga të dyja krahët, ndërkohë që në një moment tifozët e Partizanit kanë shkulur edhe stolat e tribunës ku ndodheshin, duke i hedhur ato drejt fushës. Policia ka qenë e shumtë në numër, ndërsa pas ndërprerjes për disa minuta të takimit, ndërhyrja dhe prania e tyre prane tifozëve të partizanit ka qetësuar disi situatën, megjithatë sharjet dhe ofendimet nuk kanë munguar gjatë gjithë ndeshjes. Tifozët e Partizanit janë larguar nga ambjentet e stadiumit rreth 45 minuta pas përfundimit të ndeshjes, nën masa të rrepta sigurie, duke u vendosur në tre autobusët që i kishin sjellë nga Tirana. Megjithatë edhe gjatë daljes këta të fundit nuk i kursyen sharjet, madje kanë qëlluar me sende të forta, ndaj gazetarëve të pranishëm, pasi nuk kishte prani të tifozëve. Autobusët janë shoqëruar nën masa te rrepta nga policia deri ne dalje të qytetit të Vlorës, ndërkohë që një fishekzjarr është hedhur pranë tyre në momentin e daljes nga ambientet e stadiumit. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro nuk ka dashur të japë ndonjë koment për incidentet.

DAP të rinjve: Konkurroni për 1088 vende të reja pune në administratën publike

Posted: 16 May 2017 05:58 AM PDT

Administrata publike shqiptare synon të rekrutojë në rradhët e saj punonjës sa më të kualifikuar. Për të përmbushur këtë synim, ministrja e inovacionit Milena Harito dhe drejtorja e administrates publike Albana Koçiu, javën e inovacionit që ka nisur sot në Tiranë, po e shfrytëzojnë për takime informuese me të rinjtë mbi mundësitë e punësimit përmes aplikimesh të thjeshta on line.
Sipas zonjës Koçiu është miratuar plani i rekrutimit që parashikon 1088 vende të reja pune në administratën publike. DAP pritet të nisi konkurset e hapura. “Sfida jonë më e madhe është të që të ndryshojmë mentalitetin se që të hysh në administartën publike duhet të kesh njohje, mikun apo përkrahjen politike. Në fakt jemi këtu për të treguar se është komplet e kundërta” tha ajo.
Një prej aplikanteve i tha RTSH se nuk është skeptike, “Mendoj se ka edhe mundësi që ofrohen” tha ajo.
Çështja punësimit, veçanërisht e të rinjve, në Shqipëri vazhdon të mbetet një problem. Sipas të dhënave për grupmoshën nga 15 deri në 29 vjeç, mbi 30 përqind e meshkujve dhe afro 22 përqind e femrave janë të papunë. Në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorti, partitë politike kanë vënë në fokus veçanërisht të rinjtë. Këtë vit pritet të votojnë për herë të parë mbi 130 mijë të rinj, një numër i konsiderueshëm votuesish.

Ahmetaj, “çadra” është rrezik për ekonominë

Posted: 16 May 2017 05:33 AM PDT

Ekonomia shqiptare vijon të jetë në trendin saktësisht në tremujorin e parë të vitit 2017 është 2.96 %. Kështu u shpreh ministri i financave Arben Ahmetaj i cili theksoi se si asnjëherë më parë në një vit elektoral nuk kanë degjeneruar financat publike. Sipas ministrit të financave është çadra e opozites ajo që rrezikon qëndrueshmërinë ekonomike të vendit. "Biznesi i ka kërkuar çadrës të stopoje se po shkatërron ekonominë. Prezenca e çadrës është risk real për ekonominë dhe për mirëqënien e qytetarëve. Deklarimi i çadrës për taksë të sheshtë prej 9% ka në themel rrënimin e qytetarëve. Taksimi 9% do të thotë se kto 500 milion dollarë tju hiqen nga xhepat" tha ministri Ahmetaj. Gjithashtu Ahmetaj paralajmëroi edhe një ndryshim në taksën progresive nëse në shtator do të jenë sërish fitues të zgjedhjeve. "Kur qeveria e re Rama 2 të shpalosi programin e ri të qeverisë aty do keni edhe detajet e korektimit dhe theksoj se progresiviteti në favor të të ardhurave të ulëta dhe të mesme do vazhdoje të konsolidohen" shtoi Ahmetaj. Kreu i Financave ia adresoi rezultatet pozitive, të ekonomisë kryerjes së reformave të duhura. Duke vënë theksin tek reforma në drejtësi e cila sipas Ahmetajt do të sjell ndryshime edhe më të mëdha.

Vdes pacientja 16 vjeçare, mjeku tenton vetëvrasjen

Posted: 16 May 2017 05:15 AM PDT

16 vjeçarja Blerta Pepa, nuk është zgjuar më, pas ndëryrjes kirurgjikale mbrëmjen e së hënës, në një spital privat në Tiranë. Pas denoncimit në polici, prokuroria ka nisur hetimet duke marr në pyetje familjarë dhe mjekë, duke ndërtuar dinamikën e ngjarjes.
Burime zyrtare pranë spitalit, bëjnë të ditur se vajza vuante nga një deformim genetik, që njihet ndryshe si hipertermia malinje. Ajo është operuar nga një ekip mjekësh gjermanë. Operacioni ka zgjatur më shumë se 2 orë dhe gjatë tij nuk janë shfaqur probleme nga ana e pacientes. Por vajza nuk është zgjuar pas përfundimit të ndëryrjes kirurgjikale.
Dyshimet e para të çojnë tek një gabim njerëzor i mjekut anestezis. Kjo pasi Tefik Zhurda, Shefi i anestezisë së Spitalit Ushtarak në Tiranë, me një karierë mbi 40 vjeçare është vethelmuar. Lajmi për vdekjen e pacientes, e ka çuar anestezistin të mendojë se i ka dhënë dozën e gabuar të anestezisë, ndaj dhe ka tentuar vetvrasjen. Aktualisht ai është ende në gjëndje kome.
megjithatë dilemën e ngritur pas ngjarjes pritet ta zbardhi dhe akt-ekspertimi mjeko ligjor i cili do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së 16 vjeçares.

Inagurohet Impianti i Pastrimit në grykëderdhjen e lumit Shkumbin

Posted: 16 May 2017 05:13 AM PDT

Në një prej grykëderdhjeve më të ndotura të lumenjëve të vendit, atë të Shkumbinit tashmë nuk do të ketë më mbetje. Për herë të parë në këtë zonë është ndërtuar dhe inaguruar Impianti i Pastrimit i cili do të mbledh gjithçka, përfshirë edhe vajrat në sipërfaqe të ujit. "Ky është një investim i përkryer që disiplinon qoftë mbetjet e ngurta, ato plastike dhe vajrat. Gjithashtu edhe investimi që ka filluar në grykëdershjen e Ishmit, do të çojë në dy numrin e grykëderdhjeve të lumenjve që rehabilitojmë"Një tjetër ndërhyrje emergjente e këtij lloji mendohet të bëhet edhe në lumin e Gjanicës në Fier, i cili në vend të ujit lëviz në formën e një rrjedhe hidrokarburesh. "Kemi një problematikë shumë të madhe kryesisht me hidrokarburet. Industria e naftës kryesisht në zonën e Fierit, Ballshit, ka sjellë një ndotje të tejskajshme në lumin e Gjanicës. Fatkeqësisht nuk kemi mundur deri sot që të zgjidhim këtë problematikë në mënyrë definitive por besoj shumë shpejt një nga aksionet e Ministrisë së Mjedisit para fillimit  të sezonit turistik do të jetë edhe ndërhyrja në këto aktivitete për të mundësuar një vijë bregdetare sa më të pastër, të shëndetshme për qytetarët shqiptarë dhe ata të huaj". Duhet theksuar se kjo është e para ndërhyrje që Ministria e Mjedisit ka ndërmarë në pjesën më të rrezikuar e më të brishtë të mjedisit tonë, lumenjëve.

Basha me aleatët, pritet qëndrimi i PD

Posted: 16 May 2017 05:08 AM PDT

Një ditë pas takimit me zëvëndës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit , Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar me aleatët në selinë blu. Sipas kërkesës së zyrtarit të departmentit amerikan të shtetit, opozita duhet të konkludoje sot me një qëndrim në lidhje me ofertën e bërë për daljen e vendit nga kriza politike, për shkak të protestës së opozitës. Bazë mbetet paketa "McAllister", e cila parashikon shtyrjen e datës së zgjedhjeve . Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se ende nuk ka asgjë për të shprehur, duke theksuar se sapo të merret një vendim ai do të jetë para mediave. Pas takimit me aleatët, Basha u takua me ish Kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha në zyrën e këtij të fundit. Takimi ku është diskutuar vendimi që do të marrë partia demokratike në lidhje me paketën "McAllister" ka zgjatur pak minuta. Pas Bashës, në zyrën e ish kreut demokrat ka hyrë Kryerepublikani Fatmir Mediu. Për shkak të takimeve ,Basha nuk ishte sot në çadrën e protestës, ku si zakonisht në orën 11-të i drejtohet protestuesve me mesazh.

Rrethi i 74-t Çiklistik, tjetër ekskluzivitet i RTSH-së

Posted: 16 May 2017 05:01 AM PDT

Pasi ka shkruar historinë, duke sjellë për shqiptarët përgjatë një transmetimi maratonë 10-ditor Botërorin e Aeronautikës në Fluturimet e Lira me Precizion, në atë që ishte një sfidë e kapërcyer me sukses sa i përket transmetimeve sportive, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar tanimë ka pranuar një tjetër sipërmarrje edhe më të madhe. Bëhet fjalë për edicionin e 74-t të Rrethit Çiklistik të Shqipërisë, që do të zhvillohet nga data 20, deri më 24 maj 2017 dhe që do të përcillet për sportdashësit nga transmetuesi publik. Një gjë e tillë është zyrtarizuar të martën nëpërmjet nënshkrimit të një kontrate midis Drejtorit të Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Për Anxhakun, mbështetja e Radio-Televizionit Shqiptar është garanci për një veprimtari të suksesshme. Ndërsa për Drejtorin e Përgjithshëm, Thoma Gëllçi, pasqyrimi i këtij Rrethi Çiklistik do të jetë një përvojë e shtuar edhe për vetë Radio-Televizionin Shqiptar, sa i përket transmetimit të veprimtarive madhore sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare. Sipas tij, Rrethi i 74-t Çiklistik është edhe një mundësi mjaft e mirë e potencialit turistik të Shqipërisë nëpërmjet sportit.

5 milion dollarë investime në tre vjet për Spitalin e Shkodrës

Posted: 16 May 2017 04:54 AM PDT

Pas 5 milionë dollarë investimesh të kryera në tre vitet e fundit në spitalin e shkodrës, ky institucion shëndetësor tashmë mund të konsiderohet i dyti më moderni në vend, pas qendrës shëndetësore Nënë Tereza. Për herë të parë në 25 vjet, aty tashmë ofrohen katër shërbime të reja shëndetësore, koronarografia, kimioterapia, protezat ortopedike dhe rezonanca magnetike në shërbimin e imazherisë, ndërkohë që së fundmi atij i është shtuar edhe reparti i ri i reanimacionit, i cili është rindërtuar sipas standardeve më bashkëkohore. Vetë personeli i është shprehur kryeministrit Edi Rama, i cili vizitoi ambientet e reja, për ndryshimet që i është përjetuar spitali. “Reanimacion kishte vetëm emrin. Ishte një sallë, ku vetëm dy respiratorë punonin. S'ishte lyer asnjëherë. Tani ka parametra shumë moderne si të strukturës së reanimacionit, me fushëpamje, me veshje antibakteriale,” – thotë një prej mjekëve në shërbimin e reanimacionit. Gjatë vizitës në qarkun e shkodrës, kryeministri vizitoi dhe pikën turistike të Razmës, e cila tashmë gëzon një pedonale të re prej 2500 metrash katrore, ku sipas kryetarit të bashkisë së Malësisë së madhe, para ndërtimit të kësaj vepre infrastrukturore, fillimisht u desh t’i jepej zgjidhje problemit të ndërtimeve abuzive pa leje, të cilat janë shembur, për t’i hapur rrugë ndërtimit të shëtitores.

 

Ambasadori Lu, takim me Ramën në kryeministri

Posted: 16 May 2017 04:31 AM PDT

Takimet për zgjidhjen e krizës politike në vend janë intensifikuar pas vizites së zyrtarit të DASH në vendin tonë. Një ditë pas takimit me zv/ndihmës sekretarin amerkan të Shtetit ,Hoyt Brian Yee, në zyrën e kryeministrit Rama ka mbërritur ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu. Pas takimeve të djeshme në Tiranë të zyrtarit të lartë amerikan dhe paketa e ofruar në tavolinën e negociatave nga McAllister për zgjidhjen e krizës politike, pritet që edhe krerët e mazhorancës dhe opozites të marrin një vendim.

Gjykim për 3 ish-zyrtarë të Komunes Shalë

Posted: 16 May 2017 02:55 AM PDT

Ish-kryetari i Komunës Shalë, Dedë Tonaj, në bashkëpunim me ish-vartësit e tij, Tom Shyti dhe Gjovalin Lokthi kanë fallsifikuar dokumenta zyrtarë, në bazë të të cilëve persona të ndryshëm janë bërë pronarë në zonën turistike te Thethit pa pasur asnjë të drejtë ligjore. Ky është përfundimi i hetimeve të prokurorisë së Shkodres, e cila në njoftimin zyrtar jep detaje të gjetjeve të hetimit.
Në vitin 2008, ish-Kryetari i Komunës Shalë, Dedë Tonaj, ka udhëruar Tomë Shytin, me detyrë inspektori i taksave pranë komunës dhe kryeplakun Gjovalin Lokthin, të plotësojnë formularë të Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi për banorët e fshatit Theth, ndërsa rezulton se nuk është ndjekur asnjë proçedurë ligjore për ndarjen e tokës për banorët e fshatit Theth. Nga të dhënat e pasqyruara në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, si dhe nga të dhënat e tjera hetimore, rezulton gjithashtu se në 67 raste u është dhënë pronësia për tokat në fshatin Theth personave apo familjeve që janë banorë në fshatra të tjerë të Shkodrës ose në qyetete të tjera apo fshatra të tyre. Mjaft raste prokuroria ka gjetur edhe në shkelje të ligjit 7501, i cili parashikonte se tokë përfitonin anëtarët e familjeve bujqësore të lindur para vitit 1991. Për të gjitha këto shkelje Prokuroria Shkodër ka dërguar për hetim tre ish zyrtarët e Shalës. Pak javë më parë, me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur sekuestro preventive pronën, me sipërfaqe rreth 41.500 m2 tokë, ndërsa sot ka urdhëruar sekuestrimin e pronave të regjistruara në Hipotekë në emër të 5 shtetasve të ndryshëm, me qëllim që të shmanget tjetërsimi i mëtejshëm i tyre.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Shkodrës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim edhe dy ish-zyrtarë të Hipotekës Shkodër, për një tjetër rast të regjistrimit të rreth 23.500 m2 tokë në kundërshtim me ligjin, në fshatin Baks-Rrjoll, në zonën turistike të Velipoje.