RTSH: “Bruksel, Mogherini të mërkurën darkë informale me kryeministrat e Ballkanit” plus 9 more |
- Bruksel, Mogherini të mërkurën darkë informale me kryeministrat e Ballkanit
- Romët, integrimi kërkon buxhet
- Meta: LSI-ja merr të paktën 34 mandate deputetësh në të gjithë vendin
- Basha: “Koha e maskarenjve po mbaron …”
- Parlamenti nis Vettingun
- Shkup, dënohen me kusht autorët e trazirave në Kuvendin e Maqedonisë
- Autobusët e Tiranës së Re, fluks në orët e pikut
- Trampi në Betlehem bën thirrje për paqe të përhershme mes palestinezëve dhe izraelitëve
- Japoni, kapet peshkaqeni gojëmadh
- FIER: SHTOHET NUMRI I PËRDORUESVE TË DROGËS
Bruksel, Mogherini të mërkurën darkë informale me kryeministrat e Ballkanit Posted: 23 May 2017 01:00 PM PDT Vetëm 25 orë përpara mbajtjes së takimeve në Bruksel, kabineti i Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, konfirmoi se kryeministri i ri "i caktuar" maqedonas, Zoran Zaev, është në listën e të ftuarve për darkën informale të 24 Majit. Ndërkohë që pesë vendet e tjera të rajonit do të përfaqësohen nga "kryeministrat në detyrë": Isa Mustafa për Kosovën, Aleksandar Vuçiç për Serbinë, Dusko Markoviç për Malin e Zi, Denis Zvizdiç për Bosnjën dhe Edi Rama për Shqipërinë, siç njoftoi javën e kaluar RTSH. Pas vizitës së fundit në rajon, në Mars, Përfaqësuesja e Lartë pritet të diskutojë në këtë tryezë "mbi situatën në Ballkanin Perëndimor, pas zhvillimeve të fundit" dhe të publikojë një komunikatë për shtyp, në përfundim të saj. |
Romët, integrimi kërkon buxhet Posted: 23 May 2017 08:19 AM PDT Një forum dy-ditor i dialogut publik, i cili diskutoi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020, u hap sot në Tiranë.. Forumi, duke u përqendruar në pesë përparësitë kryesore – arsimi, punësimi, mbrojtja sociale, strehimi dhe shëndeti me arritjet dhe sfidat përkatëse – është organizuar nga Grupi i Veprimit të Romëve për Integrimin 2020 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe Ministria Shqiptare e Mirëqenies Sociale. Znj. Merita Xhafaj, Drejtore e Përgjithshme e Politikave Sociale në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Pika Kombëtare e Kontaktit të Romëve, theksoi rëndësinë e përmirësimit të koordinimit mes ministrive që merren me integrimin e komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri. “Kjo është veçanërisht e dukshme përmes emërimit të pikave të kontaktit në secilën ministri të linjës, bashkëpunimit të zgjeruar me Ministrinë e Financave dhe koordinimit të fortë për përfundimin e raportit vjetor për zbatimin e Strategjisë për Integrimin të romëve dhe egjiptianëve. Ky forum do të na mundësojë të vazhdojmë punën para nesh dhe të krijojmë prioritetet për të ardhmen “, shtoi Xhafaj. “Siç e dimë, romët vazhdimisht ballafaqohen me përjashtimin social, diskriminimin, ndarjen dhe margjinalizimin që çon në mungesë të arsimit, papunësi kronike, qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor, strehimin rudimentar, qasjen e kufizuar në shërbimet esenciale dhe varfërinë e përhapur”, tha udhëheqësi i ekipit të KBR-së RI2020 Orhan Usein. “Promovimi i integrimit të romëve nuk kërkon vetëm një angazhim të shtuar politik për përfshirjen e romëve, por edhe alokimin e burimeve të përshtatshme në buxhetet kombëtare, koordinimin më të mirë me të gjithë donatorët dhe aktorët kryesorë në përgjithësi, si dhe vlerësimin sistematik dhe monitorimin e përforcuar”. Ky forum është një mundësi dhe mekanizëm për hapjen e procesit të politikave për të gjithë aktorët relevantë, pasi KBR ofron ndihmë të vazhdueshme direkte dhe mbështetje teknike për qeveritë për të krijuar mekanizma institucionale për të koordinuar, konsultuar, zbatuar dhe raportuar mbi çështjen e romëve.. Ky është aktiviteti i parë e tillë në Shqipëri e organizuar në kuadrin e iniciativës RI2020 të KBR që bashkon përfaqësues nga të gjitha ministritë e linjës, përfshirë ministrinë e financave, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, pushtetit lokal dhe akademisë. Integrimi i Romëve 2020 është një nismë trevjeçare e zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Grupi për Integrim i Romëve 2020. Është financuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur. Objektivi i saj i përgjithshëm është të kontribuojë në zvogëlimin e hendekut socio-ekonomik në mes të romëve dhe jo-romëve në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi dhe për të forcuar detyrimet institucionale të qeverive për të inkorporuar dhe përmbushur synime specifike të integrimit të romëve në zhvillimet kryesore të politikave. |
Meta: LSI-ja merr të paktën 34 mandate deputetësh në të gjithë vendin Posted: 23 May 2017 07:08 AM PDT Presidenti i ardhshëm Ilir Meta, krijuesi dhe drejtuesi i deritanishëm i LSI, deklaroi sot se marrëveshja e re mes demokratëve dhe socialistëve nuk është aspak pengesë për suksesin e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Llogaritjet, sipas zotit Meta tregojnë se kjo forcë politike i ka të sigurtë 34 mandate deputetësh. "Mjafton t'ju them në mënyrë shumë të qartë se, me rezultatet e zgjedhjeve vendore të vitit 2015, LSI-ja merr të paktën 34 mandate deputetësh në të gjithë vendin. Po të kthemi në realitetin e sotëm, mbas dy vjetësh kuptohet që rritja do të jetë në një progresion ndoshta të pamenduar. Mjafton t'ju them që sipas 2015-s ka të paktën 7 mandate të sigurta në Tiranë, 4 mandate në Durrës, 4 në Fier, 4 në Elbasan, 3 në Korçë, e shumë qarqe të tjera" tha zoti Meta. |
Basha: “Koha e maskarenjve po mbaron …” Posted: 23 May 2017 06:58 AM PDT Përmes një postimi në Facebook, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e konsideroi seancën e jashtëzakonshme plenare të 22 majit, hap të rëndësishëm drejt zgjedhjeve të lira si edhe të Republikës së Re. Kuvendi, thekson Basha, shpalli ligjërisht krim serioz çdo përpjekjeje apo veprimi që kufizon dhe cënon vullnetin e lirë dhe votën e lirë të qytetarëve. Basha shpreh bindjen se ashtu si në 90-të ditë proteste, opozita do të tregojë vendosmëri duke u bërë barrierë ndaj kriminelëve zgjedhorë që ata të mos guxojnë të dhunojnë lirinë e votës, sepse do të humbasin lirinë e tyre. "Puna e ndershme dhe kurajoze e ministrave teknikë, drejtimi i paanshëm i KQZ-së, kufizimi i shpenzimeve zgjedhore dhe masat e tjera që po ndërmarrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do u japin qytetarëve mundësinë dhe garancitë që të zgjedhin lirisht Qeverinë që ata duan" thekson Basha, duke shtuar se "Koha e maskarenjve po mbaron dhe se tani është koha për Republikën e Re, të lirisë dhe demokracisë së vërtetë". |
Posted: 23 May 2017 06:42 AM PDT Gati 9 Muaj pasi parlamenti miratoi ligjin e "Vettingut" demokratët dhe socialistët nisën punën për të zbatuar Reformën në Drejtësi. |
Shkup, dënohen me kusht autorët e trazirave në Kuvendin e Maqedonisë Posted: 23 May 2017 06:15 AM PDT Gjykata e Shkupit dha të martën dënime me kusht për nëntë të akuzuarit, të cilët ishin të përfshirë në ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill, ku u plagosen deputetë dhe kryetarët e dy partive politike të shumicës parlamentare, se bashku me disa gazetarë. Që të gjithë të akuzuarit, e pranuan fajësinë para Gjykatës për qendrim pasiv gjatë sjelljeve të dhunshme të turmës. Njëri prej tyre u dënua me kusht me 1 vit e gjysmë, kurse të tjerët me 6 muaj. Dënimi me kusht parashikon lënien të lirë të të akuzuarve, por ata mbahen nën mbikqyrje dhe kohëzgjatja e denimit kthehet në burg nëse ata kryejnë ndonjë vepër penale gjatë një periudhe prej 1 vit e gjysëm nga dita e sotme. Pasi dolën nga Gjykata, të dënuarit u pritën me duartrokitje nga mbështetës të partisë VMRO. |
Autobusët e Tiranës së Re, fluks në orët e pikut Posted: 23 May 2017 06:07 AM PDT Linja e autobusëve të Tiranës së re është ndër më të ngarkuarat në kryeqytet edhe për shkak të intenerarit të gjatë që përfshinë. Ndonëse se fundi ajo u shtua me 9 autobusë të rinj firzamonikë, qytetarët vijojnë të ankohen për shërbimin në orët e pikut. "Ngjeshemi 500 veta në një autobus, të shtohen autobusët.Kushedi sa herë kemi vajtur vonë në punë" shprehen të revoltuar qytetarët. Bashkia e Tiranës prej disa muajsh ka shfaqur idenë për të mundësuar biletën elektronike si edhe kontrollin e shërbimit urban përmes sistemit GPS. Por ndërsa tentohen të implementohen ide të reja, përdoruesit e transportit publik kanë mbetur tek shqetësimet e vjetra. |
Trampi në Betlehem bën thirrje për paqe të përhershme mes palestinezëve dhe izraelitëve Posted: 23 May 2017 05:41 AM PDT Presidenti amerikan Donald Tramp u ndal të martën për vizitë në qytetin palestinez të Betlehemit, ku u prit nga presidenti i autoritetet palestinez, Mahmud Abas. Zoti Tramp gjatë këtij udhëtimi nxiti palën izraelite dhe palestineze ta shfrytëzojnë mundësinë e rrallë për t’i lënë mënjanë dallimet dhe për të arritur një marrëveshje të përhershme paqeje. “Jam gati të bëj gjithçka mundem që të dyja palët të arrijnë marrëveshje. Vij në Betlehem me shpresën e paqes” tha zoti Tramp. Kurse zoti Abas e quajti mision fisnik dhe të mundshëm përpjeken e presidenti amerikan për të ulur në tryezë dy palët, të cilat i kanë ndërprerë bisedimet prej 3 vjetesh. |
Japoni, kapet peshkaqeni gojëmadh Posted: 23 May 2017 05:28 AM PDT Peshkatarët japonezë kanë kapur një lloj të rrallë peshkaqeni, i cili quhet peshkaqeni gojëmadh, për shkak të gojës gjigande. Peshkaqeni u kap i gjallë në rrjetat e peshkatarëve dhe iu dorëzua një kompanie që merret me zhytje nënujore. Peshkaqeni, 5 metra i gjatë u kap një kilometër larg bregut. Shkencëtarët dinë shumë pak për këtë lloj peshkaqeni. Ai jeton në ujerat e oqeanit paqësor dhe atij indian, në thellësi të mëdha. Nuk ka dhëmbë dhe ushqehet me planktone dhe kandilë deti. Raportetimet tregojnë se ky peshkaqen është vënë re vetëm 100 herë në gjithë botën, që kur u zbulua në vitin 1976, më së shumti kur ngec në breg të cekët apo i kapur nga rrjeta peshkatarësh. Kapja e peshkaqenit të gjallë do t’i ndihmojë shkencëtarët të mësojnë më tepër për këtë lloj specie. |
FIER: SHTOHET NUMRI I PËRDORUESVE TË DROGËS Posted: 23 May 2017 05:24 AM PDT "Numri i adoleshentëve dhe të rinjve si përdorues të alkoolit dhe hashashit është shtuar në mënyrë shqetësuese, skandaloze. Mjeku intoksikolog në spitalin Fier Lulëzim Banushaj thotë se afro 300 persona në muaj, përdorues të alkoolit dhe hashashit paraqiten për ndihmë të specializuar pranë qendrës së tyre: "Arrijnë edhe deri edhe në 10 raste në 24 orë.Jo vetëm të rinj adoleshentë por edhe mosha të tjera. Gjatë 24 orëve minimumi vjen një i ri që ka konsumuar edhe alkool edhe hashash”. Adoleshentët dhe të rinjtë që frekuentojnë shkollat, janë kryesisht përdorues të hashashit, ndërsa të rinjtë e papunë konsumojnë më shumë alkool, thotë mjeku Banushaj. Ndërsa shton se në jo në pak raste në spital paraqiten grupe të rinjsh, pas festave ku konsumohet alkool dhe hashash. Përdorues të drograve më të forta, edhe për shkak të çmimit janë moshat më të mëdha. |
You are subscribed to email updates from RTSH-Radio Televizioni Shqiptar. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |