RTSH: “Asnjë rezultat nga takimi Rama – Basha” plus 9 more |
- Asnjë rezultat nga takimi Rama – Basha
- Nishani fton sërish në takim Ramën dhe Bashën
- Basha takohet me ambasadorët e BE-së
- Afrimi i zgjedhjeve, prokuoria trainon prokurorët
- Shuhet Thaka, ish mbrojtësi energjik i “Partizanit”
- Kërkoi rryshfet, arrestohet përmbaruesi
- Kreu i ri i LSI Vasili: Kriza politike të zgjidhet me maturi dhe largpamësi!
- Malota: Ka ardhur koha që verilindorët të shijonë humbjen!
- Parlamenti mbyll punimet, Shqipëria drejt zgjedhjeve
- Kriza politike, ambasadori zviceran bën thirrje për dialog
| Asnjë rezultat nga takimi Rama – Basha Posted: 04 May 2017 12:02 PM PDT Ende asnjë rezultat pas takimit dy orësh mes kryeministrit Rama dhe kreut të PD Basha të inicuar nga presidenti Nishani. Lajmin e dha zoti vetë zoti Rama për gazetarët. “Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje” tha ai ndërsa përsëriti ofertën tashmë të njohur për PD. Zoti Rama tha se data e zgjedhjeve nuk ndryshon dhe se ato do të mbahen më 18 qershor. Disa media shkruajnë se oferta Rama është më e mirë se ajo e ofruar nga ndërkombëtarët javën e kaluar. “Koha po kalon me shpejtësi” tha kryeministri. “Nuk do të ketë ofertë tjetër” . “Më mirë vonë se kurrë” shtoi ai. Mossuksesin e takimit e konfirmoi edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. “Takimi ishte për fat të keq përsëritje e takimit të djeshëm” tha zoti Basha. Sipas tij Rama erdhi pa ofertë , mungesë totale e përgjegjësisë për zgjidhjen e krizës në vend. Ai e konsideroi si të tmerrshme praninë sipas tij “të kriminelëve në zyrat e shtetit” dhe kthimit të vendit në “Kolumbi të Europës”. Zoti Basha deklaroi se Rama synon që me paratë e drogës të mbajë pushtetin. Kreu i PD tha se populli nuk do të pranojë vjedhjen e zgjedhjeve, por do të jetë i gjithi në këmbë. Edhe më tej zoti Basha ka përsëritur kërkesën për qeveri teknike dhe votim elektronik, si zgjidhje të vetme të krizës. |
| Nishani fton sërish në takim Ramën dhe Bashën Posted: 04 May 2017 08:40 AM PDT Pas takimit të pafrytshëm të së mërkurës mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha në selinë e presidentit Nishani, ky i fundit sërish ka inicuar një tjetër takim mes tyre në përpjekje të zgjidhjes së krizës. Zyra e tij e shtypit njoftoi se “Me ftesë të Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani do të zhvillohet një takim i dytë midis Kryeministrit të vendit, zotit Edi Rama dhe Liderit të opozitës, zotit Lulzim Basha sot 4 maj, në orën 19.00 në Institucionin e Presidentit të Republikës”. |
| Basha takohet me ambasadorët e BE-së Posted: 04 May 2017 06:58 AM PDT Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar sot me ambasadorët e BE-së në vendin tonë. Takimi i thirrur prej tij u mbajt prej dy orësh në selinë e Partisë Demokartike. Ky takim vjen në kushtet kur kanë dështuar negociatat për zgjidhjen e situatës politike, mes Bashes dhe Kryeministrit Rama në tryezën e thirrur nga Kreu u shtetit. Kryedemokrati thekson se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që mund të garantohen sipas tij vetëm përmes një qeverie teknike. |
| Afrimi i zgjedhjeve, prokuoria trainon prokurorët Posted: 04 May 2017 06:57 AM PDT Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit dhe polemikat rreth tyre, duket se e kanë detyruar Prokurorinë e Përgjithshme të shikojë me seriozitet atë që në gjuhën juridike konsiderohet si krim zgjedhor. Prej një jave prokurorë nga prokuroritë e të gjithë vendit, por trajnohen me një program nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Shkolla e Magjistraturës. Sipas prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla që ditën e zgjedhjeve e deri në përfundim të proçesit elektoral prokurorët duhet të jenë në terren, të gatshëm për çdo situatë që mund të krijohet. |
| Shuhet Thaka, ish mbrojtësi energjik i “Partizanit” Posted: 04 May 2017 06:32 AM PDT Është shuar në mëngjesin e së enjtes në moshën 68-vjeçare një nga personazhet e gjysmëshekullit të fundit të klubit të “Partizanit”, Gjergji Thaka. Ai u lind në qytetin e Korçës më 10 mars të 1949-ës. Shkollën e mesme e ka kryer në qytetin e Tiranës, e më pas kryen studimet e larta në ish-Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve "Vojo Kushi" në Tiranë. Në vitin 1963 ka nisur futbollin me ekipet e moshave të shkollës "Skënderbej", duke u aktivizuar në të gjitha nivelet. Në vitet 1968-1978, ka qenë pjesëtar i ekipit të futbollit të Partizanit. Me këtë skuadër, ai është shpallur "kampion kombëtar", fitues i Kupës së Shqipërisë dhe Fitues i Kupës Ballkanike. Pas mbylljes së karrierës si futbollist, Thaka ka qenë trajner moshash, duke u shpallur edhe "kampion" me të rinjtë, si dhe trajner i ekipit të Partizanit. Për 7 vjet, ai ka shërbyer si zëvendës dhe, më pas, për 3 vjet, edhe si drejtor i klubit të Futbollit "Partizani". Nga viti 1999, deri në 2002-shin, Gjergji Thaka ka qenë edhe punonjës i Federatës Shqiptare të Futbollit. |
| Kërkoi rryshfet, arrestohet përmbaruesi Posted: 04 May 2017 06:20 AM PDT Kërkesa për ryshfet në këmbim të mosekzekutimit të një vendimi gjyqësor i ka kushtuar lirinë përgjegjësit të zyrës përmbarimore në qytetin e Fierit. Policia lokale bën të ditur se në operacionin "Përmbaruesi" u vu në pranga Pëllumb Isufaj, 47 vjeç në akuzën e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Isufaj në abuzim me detyrën i ka kërkuar rryshfet një shtetasi me qëllim për të mos ekzekutuar një vendim gjyqësor. Kjo nuk është hera e parë që përmbarues të ndryshëm e kushtëzojnë kryerjen e shërbimit kundrejt kërkesës për para. |
| Kreu i ri i LSI Vasili: Kriza politike të zgjidhet me maturi dhe largpamësi! Posted: 04 May 2017 06:00 AM PDT Kreu i ri i LSI Petrit Vasili, ka bërë thirrje që kriza politike në Shqipëri të zgjidhet me maturi dhe largpamësi.”Maturi për t'u menduar çdo hap e veprim që duhet të marrim dhe largpamësi për të kuptuar çfarë efekti kanë veprimet e sotme për të ardhmen e vendit” tha zoti Vasili në konferenën e tij të parë për shtyp si kryetar i forcës së dytë më të madhe të maxhorancës. Zoti Vasili ka kujtuar se LSI është në dispozicion të çdo zgjidhjeje që garanton zgjedhje të lira, të qeta dhe të pranuara nga palët. “Kemi të njëjtin pozicion për këtë çështje, pasi asnjë sakrificë nuk është e rëndësishme krahasuar me rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve me standarde të gjithëpranuara. Ky ka qenë dhe mbetet pozicioni ynë në këtë moment dhe në vijim” ka theksuar zoti Vasili. Ai ka bërë të ditur se ish kreu i LSI Ilir Meta, i zgjedhur si president i ri i Shqipërisë, do të ndërmarri një tur falenderimi në të gjithë vendin. |
| Malota: Ka ardhur koha që verilindorët të shijonë humbjen! Posted: 04 May 2017 04:47 AM PDT Të premten, Partizani përballet me Kukësin në duelin e kreut dhe për futbollistin e të kuqve. Për futbollistin Renato Malota, ka ardhur koha që verilindorët të shijonë humbjen. Si një ish-lojtar i Kukësit, Malota shprehet optimist për një triumf të të kuqve në sfidën e vlefshme për javën e 32-të të Kategorisë Superiore. Mbrojtësi i kryeqytetasve nuk e ka fshehur kënaqësinë që ndeshja nuk do të gjykohet nga bilbila shqiptarë. Malota do të ketë një duel personal me golashënuesin më të mirë të kampionatit, Pero Pejiçin, duel që ai beson se do ta fitojë. Takimi midis Partizanit dhe Kukësit, që do të luhet të premten në mbrëmje, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 19:00. |
| Parlamenti mbyll punimet, Shqipëria drejt zgjedhjeve Posted: 04 May 2017 04:37 AM PDT Parlamenti shqiptar mbylli të enjten punimet e legjislaturës së tetë, duke shënuar shpërndarjen e tij dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të përgjithshme të paralamëruara për t’u mbajtur më 18 qershori. Opozita e djathtë nga ana e saj nuk ishte e pranishme, pasi prej 76 ditësh vazhdon protestën e saj para selisë së qeverisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie teknike si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme. Zëri i vetëm opozitar në seancë ishte ish deputeti socialist Ben Blushi, aktualisht kreu i partisë LIBRA në opozitë. Duke bërë bilancin e punës kryetari i parlamentit, presidenti i ardhshëm Ilir Meta, vlerësoi se Reforma në Drejtësi ishte një nga punët më të mira që ka realizuar ky Parlament, ndërsa shprehu keqardhjen për mungesën e deputetëve të opozitës. “Besoj se kush më shumë e kush më pak, sipas mundësive apo dhe axhendave politike, u përpoqëm t'i japim qytetarëve një paketë të rëndësishme legjislative, që do t'i shërbejë hapjes së negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Jam i keqardhur të shoh në këtë seancë mungesën e kolegëve të opozitës, por kur ka vullnet ka mundësi për të rikthyer normalitetin dhe dialogun politik për çështjet që duhet të përballojmë së bashku” tha zoti Ilir Meta. |
| Kriza politike, ambasadori zviceran bën thirrje për dialog Posted: 04 May 2017 04:36 AM PDT Apelit për dialog nga diplomatët e huaj në Tiranë, ndaj klasës politike në Shqipëri, i është shtuar edhe ai i ambasadorit të Zvicrës. Duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, diplomati zviceran Kristof Graf foli për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërkohe që theksoi nevojën për kulturë dialogu mes palëve. Graf shprehet kështu: "Mendoj se në demokraci duhet respektuar vullneti i popullit. Populli kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme, jam optimist se zgjedhjet do të mbahen dhe do të respektohen rregullat demokratike, duhet të ketë një kulturë dialogu." E veshur me petkun e një diplomati ishte edhe përgjigja për pasojat që prodhon kriza aktuale politike në ekonomi. "Jemi këtu që të mbështesim një konferencë rajonale për çështjet makro ekonomike që të kontribuojmë edhe për një mjedis të qëndureshëm ekonomik. Zvicra është e interesuar për një Ballkan me prosperitet ndaj e mbështesim këtë konferencë." Komenti i ambasadorit zviceran vjen pak ditë pas deklaratave të forta nga ambasadori i SHBA-së Donald Lu dhe ajo e Gjermanisë Suzan Shutz se zgjedhjet e 18 Qershorit janë legjitime edhe pa pjesmarrjen e opozitës. |
| You are subscribed to email updates from RTSH-Radio Televizioni Shqiptar. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





