“Putin nuk tregon nëse do të garojë për rizgjedhje më 2018” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Putin nuk tregon nëse do të garojë për rizgjedhje më 2018” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Putin nuk tregon nëse do të garojë për rizgjedhje më 2018

Posted: 15 May 2017 09:39 AM PDT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk pranoi të thotë publikisht nëse planifikon të garojë për një mandat të ri gjashtëvjeçar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018. I pyetur nga gazetarët në Pekin nëse është koha për të shpallur vendimin, Putin u përgjigj: "Jo". Putin, 64 vjeç, ka qenë në pushtet si president ose si kryeministër qysh në vitin 1999. Ai pritet të garojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ndërsa popullariteti i tij, dominimi në arenën politike dhe kontrolli mbi mediat lënë të kuptojnë se ai do të jetë favorit për të fituar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Deklarata e presidentit çek për gazetarët “ishte shaka”

Posted: 15 May 2017 09:12 AM PDT

Zyra e presidentit të Çekisë, Millosh Zeman, tha se deklarata e tij e fundit për gazetarët ishte shaka dhe se politikanët dhe gazetarët nuk e kanë kuptuar. Të dielën, para takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kinë, Zeman komentoi praninë e gazetarëve dhe tha se ata duhet të "likuidohen". "Janë shumë gazetarë. Duhet të likuidohen", u shpreh Zeman, ndërsa Putin tha se mjafton që ata të reduktohen. Biseda e tyre është kapur nga një mikrofon televiziv dhe është postuar në mediat sociale. Ajo ka shkaktuar reagime të shumta; mes tjerash, kryeministri çek, Bohuslav Sobotka, postoi në Twitter një mesazh në lidhje me numrin e gazetarëve që u vranë ose sulmuan në Rusi në vitet e fundit. Ligjvënësi i Parlamentit Europian, Pavel Telicka, tha se incidenti është dëshmi se Zeman nuk e meriton të fitojë një mandat tjetër në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Kur Zeman ka bërë betimin e presidentit në vitin 2013, në ditën e parë në zyrë ka sulmuar mediat, duke thënë se disa prej tyre e kanë "trurin të shpëlarë" dhe se manipulojnë me opinionin publik. Që atëherë, ai ka vazhduar me komente kritike.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Koreja V.: Raketa e testuar mund të arrijë SHBA-në

Posted: 15 May 2017 08:26 AM PDT

Koreja e Veriut konfirmoi se ka testuar me sukses një raketë me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, të llojit të ri, dhe paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se janë në, siç tha, "sferën e saj" për sulme. Agjencia verikoreane e lajmeve KCNA tha se raketa e testuar ka kapacitet për të bartur kokë të rëndë bërthamore. Burimi i njëjtë tha se prova, e kryer të dielën, është mbikëqyrur nga lideri verikorean, Kim Jong Un, i cili ka thënë se SHBA nuk duhet të gjykojë keq aftësinë ushtarake të Phenjanit. Provat e vazhdueshme raketore të Veriut këtë vit kanë shkaktuar alarm ndërkombëtar dhe kanë rritur tensionet midis Phenjanit dhe Uashingtonit. SHBA dhe Japonia kanë bërë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Lexoni edhe këtë: Dënim ndërkombëtar i provës raketore të Koresë Veriore

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Bie numri i vendeve që kriminalizojnë marrëdhëniet homoseksuale

Posted: 15 May 2017 08:06 AM PDT

Numri i vendeve që kriminalizojnë marrëdhëniet midis çifteve me gjini të njëjtë ka rënë gjatë dekadës së fundit, porse sulmet kundër komunitetit lesbik, homoseksual, biseksual dhe transseksual (LGBT) vazhdojnë të jenë të zakonshme në shumë vende, tha Asociacioni Ndërkombëtar i këtij komuniteti, me seli në Gjenevë. Në raportin e lëshuar të hënën thuhet se aktiviteti seksual i çifteve me gjini të njëjtë mbetet krim në 72 vende. Shifra është në rënie krahasuar me 92 vende sa kanë qenë në vitin 2006. Raporti, megjithatë, vlerëson se "persekutimi dhe stigmatizimi i thellë" i pjesëtarëve të komunitetit LGBT vazhdon në shumë vende. Martesat e homoseksualëve janë të ligjshme në 23 vende, ndërsa 28 të tjera e njohin partneritetin e tyre civil. Ekzistojnë tetë vende në botë, përfshirë Iranin, që aplikon dënimin me vdekje si ndëshkim për marrëdhëniet homoseksuale. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zgjedhjet ndërmjet ‘inateve të vjetra politike’ dhe ngarendjes pas koalicioneve

Posted: 15 May 2017 07:59 AM PDT

Njohës të rrethanave politike në vend thonë se partitë politike pothuaj nuk kanë ndryshuar që prej themelimit të tyre dhe interesi parësor i tyre, thonë ata, 'është përfitimi për veten'. Ata thonë se mos reformimi i brendshëm i partive politike nuk do të lejojë edhe ndryshimet në shoqëri dhe rrjedhimisht, siç thonë, 'zgjedhjet e parakohshme nuk do të mundësojnë ndryshime thelbësore'. Kosova hyn në një cikël të ri zgjedhor më 11 qershor, pas rënies së qeverisë Mustafa javën e kaluar, përmes një mocioni mosbesimi të nxitur nga partitë në opozitë dhe të votuar edhe nga partneri në koalicion, PDK. Analisti politik Imer Mushkolaj thotë se partitë politike luajnë një rol qenësor në zhvillimin e demokracisë dhe janë një urë lidhëse në mes shtetit dhe shoqërisë. Ai thotë se përvoja ka treguar se partitë pothuajse më shumë ekzistojnë për të përfituar sesa për të punuar për të mirën e përgjithshme. "Fatkeqësisht ndryshimet e partive politike janë kryesisht kozmetike, edhe sa i takon programit edhe sa i përket mënyrës së organizimit edhe sa i takon qasjes. Unë nuk shoh ndonjë ndryshim substancial në përgjithësi tek partitë politike ekzistuese në Kosovë", tha Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë. Për Albert Krasniqin, analist në Institutin Demokratik të Kosovës, partitë politike me vitet të tëra nuk i janë nënshtruar reformimit të brendshëm. Sipas tij, si pasojë e mosndryshimit të partive politike, nuk mund të priten as ndryshime të tjera substanciale në të mirë të vendit. "Koha e tanishme, nga partitë politike do të konsumohet në fushata zgjedhore dhe jo në një ndryshim më të madh dhe radikal nga brendia e subjekteve politike. Kështu që pothuajse është e pamundur të presim një ndryshim substancial nga këto zgjedhje nga ajo që jemi mësuar të shohim dhe çka na është ofruar nga këto parti politike në të kaluarën", tha Krasniqi. Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës u nxit pas një periudhe të kundërshtimeve të partive në opozitë ndaj një procesi të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Rënia e Qeverisë, ndërkaq ka bllokuar një numër procesesh të tjera, përfshirë edhe dialogun me Serbinë, që u pezullua me Rezolutë të Kuvendit deri në lirimin e Ramush Haradinajt, që mbahej në Francë mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, dhe gjithashtu edhe themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, që nxiti njëkohësisht kundërshtimet e opozitës. Në vitin 2014, Kosova u përball me një krizë të thellë politike pas bllokadës gjashtë muajore, kur partitë në opozitë bën një koalicion të gjerë duke e kundërshtuar PDK-në. Analistët politikë ndërkaq thonë se pas zgjedhjeve vendi mund të përballet me krizë për formimin e Qeverisë së re, marrë parasysh, sipas tyre, 'inatet politike dhe kundërshtimet e vjetra'. Analisti Mushkolaj thotë se duke pasur parasysh mënyrën se si funksiojnë partitë politike, probleme do të ketë. "Unë pres që do të ketë probleme. Mbase jo aso problemesh që do të zgjasin shumë, por probleme në aspektin e krijimit të koalicionit të ri qeveritar. Këto probleme do të mund të evitohen nëse partitë politike do të organizoheshin më mirë, në kuptimin e koalicioneve parazgjedhore", u shpreh Mushkolaj. Ndërsa, Albert Krasniqi thotë se pas përvojave të kaluara të partive politike, ku ato dhe vendi u ballafaquan me probleme të mëdha për formimin e Qeverisë, tani 'ato e dinë se si do të veprojnë', thotë ai, dhe nuk do të lejojnë që të humben muaj të tërë për formimin e koalicioneve dhe Qeverisë së re. "Nuk e besoj se do të mund të na përsëritet një skenar i zgjedhjeve të kaluara. Tani po shohim që edhe partitë janë mobilizuar në krijimin e koalicioneve parazgjedhore për shkak se kanë qëllim që të dalin të parat në zgjedhje në mënyrë që të kenë pozitën e kryeparlamentarit të siguruar, dhe mandej ta krijojnë këtë shumicë për ta formuar edhe Qeverinë. Pikërisht këtu tani po i shohim të gjitha energjitë për krijimin e koalicionit dhe shumë më pak në artikulimin e kërkesave dhe ofertave të tyre në drejtim të qytetareve", tha Krasniqi. Kosova që prej shpalljes së pavarësisë së saj, nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme që ka kryer mandatin kushtetues prej katër vjetësh, meqë pothuaj secila prej tyre është detyruar të dorëhiqet pas votimeve të mosbesimit në Kuvend. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE bën thirrje që të mbahen zgjedhje në Venezuelë

Posted: 15 May 2017 07:30 AM PDT

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, i kanë bërë thirrje autoriteteve në Venezuelë, që të mbajnë zgjedhje dhe të lirojnë të burgosurit politikë, pas 6 javësh protestash kundër presidentit Nicolas Maduro, ku janë vrarë dhjetëra persona. Ministrat e BE-së kanë thënë se pas përpjekjeve 10 mujore për të zgjidhur krizën, tani zgjedhjet janë rrugëdalja e vetme. "Dhuna dhe përdorimi i forcës nuk zgjidhin krizat", thuhet në deklaratën e ministrave. Të paktën 39 persona kanë vdekur që prej se protestat në Venezuelë nisën në muajin prill. Në mesin e të vrarëve ka protestues, mbështetës të qeverisë dhe forca të sigurisë. Qindra persona të tjerë janë arrestuar. Bashkimi Evropian bën thirrje "për krijimin e një kalendari zgjedhor në mënyrë që njerëzit të shprehin vullnetin e tyre përmes rrugës diplomatike", thuhet në deklaratën e ministrave të BE-së. Aty po ashtu bëhet thirrje që të "lirohen kundërshtarët politikë", pasi presidenti Maduro ka arrestuar figurat udhëheqëse të opozitës. Rreth 600,000 qytetarë evropianë jetojnë në Venezuelë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Siri: Dhjetëra të vrarë nga sulmet në zonat e kontrolluara nga IS-i

Posted: 15 May 2017 07:06 AM PDT

Të paktën 23 persona janë vrarë nga sulmet ajrore në zonat e kontrolluara nga grupi militant Shteti Islamik, në afërsi të kufirit mes Sirisë dhe Irakut, ka thënë grupi monitorues. Sulmet besohet e janë kryer nga koalicioni që udhëheq SHBA-ja, dhe kanë pasur për cak rajonin e al-Bu Kamal në provicën Deir al-Zour, në lindje të Sirisë, ka thënë Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut. Kjo organizatë ka thënë se tri sulme ajrore janë kryer në al-Hajana në Deri al-Zour, duke shtuar se nga sulmet ajrore dhjetëra persona të tjerë janë plagosur.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjermania thotë se mund të tërheq trupat e saj nga një bazë në Turqi

Posted: 15 May 2017 06:37 AM PDT

Berlini ka thënë se mund të zhvendos trupat e saj nga një bazë ajrore në Turqi, për në ndonjë vend tjetër, pas refuzimit të Ankarasë zyrtare për të lejuar ligjvënësit gjermanë që të vizitojnë trupat e tyre që gjenden në Turqi. Ministria e Jashtme gjermane ka thënë se vendimi i Turqisë për të refuzuar vizitën e trupave të tyre "është i papranueshëm". Trupat gjemrnae janë të vendosura në bazën në Incirlik, bazë që përdoret nga koalicioni ndërkombëtar që lufton kundër grupit militant Shteti Islamik. Gjermania ka të stacionuar aty rreth 250 pjesëtarë të personelit ushtarak. Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se pozicioni i Turqisë është "fatkeq" dhe se Gjermania, do të vazhdojë bisedimet për të zgjidhur këtë çështje por gjithashtu do të "kërkojë alternativa të tjera", përveç bazës ajrore në Incirlik", përfshirë edhe bazat në Jordani. Vendimi i Turqisë për të refuzuar vizitën e ligjvënësve gjermanë, si duket ka të bëjë me vendimin e Berlinit që t'iu jap azil disa ushtarëve turq, të cilët Ankaraja i akuzon se kanë marrë pjesë në grusht-shtetin e dështuar të vitit të kaluar. Kancelarja Merkel ka thënë se "është absoulitisht qenësore që ligjnëvësit tanë të jenë në gjendje të vizitojnë trupat tanë". Mediat gjermane kanë raprotuar se mbi 400 pjesëtarë të personelit ushtarak turk, diplomatë, gjykatës dhe zyrtarë të tjerë, kanë kërkuar azil politik në Gjermani.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Beograd: Rrënohen strehimoret e braktisura të refugjatëve

Posted: 15 May 2017 06:22 AM PDT

Autoritetet serbe kanë filluar rrënimin e vendeve ku kanë qëndruar refugjatët. Shumë autobusë kanë transferuar migrantët nëpër kampe këto ditë të demolimit. Kjo pjesë do të shndërrohet në investim multimilionësh ku përfshihen qendra tregtare, hotele e apartmane.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Diaspora të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës

Posted: 15 May 2017 06:11 AM PDT

Të paktën pesë vende në Kuvend duhet të garantohen për përfaqësuesit e diasporës ndërkohë që ata duhet të përfaqësohen edhe në institucionet e vendit, thonë përfaqësues të bizneseve, njohës të fushës dhe ekspertë të çështjeve juridike në Kosovë. Përfaqësimi i diasporës në institucionet e vendit, është vlerësuar i domosdoshëm marrë paraysh kontributin e tyre jo vetëm në periudhën e çlirimit të vendit, por edhe pas saj, përmes remitencave dhe ndihmës në zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 700 mijë qytetarë të Kosovës vlerësohet të jetojnë në vende të ndryshme të botës, por numri thuhet të jetë edhe më i madh. Regjistrimi i diasporës i filluar vite më parë ende nuk ka përfunduar, por deri në shtator të vitit të kaluar, Ministria e Diasporës kishte arritur të regjistrojë mbi 400 mijë qytetarë. Naim Dedushaj, drejtor në Drejtorinë për Investime të Diasporës në Ministrinë e Diasporës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se duke u bazuar në numrin e madh të diasporës së Kosovës, përfaqësimi i tyre në institucionet e Kosovës do t'i sillte një kontribut të madh vendit. Ai thotë se nga takimet që ka zhvilluar me diasporën e Kosovës në vende të ndryshme të botës interesimi i tyre për të qenë pjesë e ndryshimeve dhe zhvillime në Kosovës është i madh. "Duke u bazuar në numrin e madh të diasporës shqiptare që jetojnë në Evropë në SHBA e gjithandej botës dhe duke u bazuar në kontributin e tyre shumë-vjeçar në çështjen e Kosovës dhe në punën, përvojën, eksperiencën në të gjitha lëmitë si në biznes, shkencë, ..mendoj se nga prania dhe kultura në vendet ku ata kanë jetuar në një sistem demokratik, është më se e nevojshme prezantimi i diasporës në Kuvendin e Kosovës", thekson Dedushaj. Më shumë se gjysmë miliardi euro vlerësohet të jenë dërgesat e emigrantëve kosovarë çdo vit dhe ato vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla. Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se diaspora e Kosovës ka potencial të lartë për të bërë ndryshime të mëdha në Kosovë. "Ka shumë njerëz nga diaspora në të gjitha fushat që kanë shënuar suksese të mëdha, po ashtu ka njerëz nga diaspora që në ekonominë e vogël dhe të mesme nëpër Evropë kanë suksese të jashtëzakonshme dhe janë një potencial i gatshëm për Kosovën. Kosova duhet të bëjë ndryshimet në drejtimin ligjor dhe t'i ftojë ata dhe ata të cilëtmund të jenë motor i zhvillimit të Kosovës". Por, përfshirja e diasporës në institucione dhe në veçanti në Kuvendin e Kosovës kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës. Eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se është imperativ i kahershëm kohor përfaqësimi i diasporës të Kosovës në Kuvendin. "Diaspora duhet të përfaqësohet domosdoshmërisht në Kuvend, por kjo mund të bëhet vetëm me ndryshimin e Kushtetutës. Kushtetutën duhet ndryshuar sa më parë jo vetëm për këtë çështje, por kjo Kushtetutë ka nevojë për rishkrim sepse ka shumë çështje që tregojnë që kjo Kushtetutë nuk ka qenë në gjendje t'i përballojë kërkesave zhvillimore të kohës dhe t'u jap shtytje dhe ndihmesë proceseve", thekson Baraliu. Baraliu thotë se është kërkuar në vazhdimësi që diaspora të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me pesë deputet me nga pesë kontinente ku është e koncentruar diaspora e Kosovës. Ndryshimet kushtetuese, shton Baraliu, janë një proces i gjatë dhe se këto duhet të nisin menjëherë, pas zgjedhjeve të parakohshme të cilat pritet të mbahen në qershor. Ndryshe, vite më parë, Ministria e Diasporës kishte kërkuar që të bëhen ndryshime kushtetuese në mënyrë që të gjendet një mundësi për rezervimin e vendeve në Parlament për diasporën e Kosovës. Pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë kanë organizuar që prej para luftës degët e tyre në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë diasporën në organizimet e tyre politike. Prej pasluftës organizimet partiake në diasporë kanë filluar të zbehen dhe diaspora i është lënë më shumë organizimit të saj vetenak. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Macron emëron Edouard Philippe në postin e kryeministrit

Posted: 15 May 2017 06:10 AM PDT

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka emëruar kryeminsitër Edouard Philippe. Philippe, 46-vjeçar, është kryetar i qytetit Le Havre. Ai është anëtarë i Partisë Republikane. Zgjedhja e Philippe në postin e kryeminsitrit, shihet si përpjekje e Macron për të tërhequr figurat kyçe nga partitë e djathta dhe të majta të Francës. Macron sot ka nisur punën e tij si president. Ai gjatë ditës pritet të takohet në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, me synimin që të forcojë raportet mes dyja shteteve. Macron mposhti në zgjedhjet presidenciale të 7 majit kandidaten e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedoni: Kriza qeveritare zbret edhe në pushtetin lokal

Posted: 15 May 2017 05:38 AM PDT

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ende nuk ka vendosur se kur do t'ia dërgojë garancitë e kërkuara presidentit, Gjorge Ivanov, që të mund ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re. LSDM thotë se teksti tanimë është hartuar me mbështetjen e partive të koalicionit, që kryesisht bazohet në programin qeveritar që garanton respektimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, ashtu siç ka kërkuar Ivanov, i cili mosdhënien e mandatin e ka arsyetuar me atë që njihet si "Platformë e Tiranës". Ndërkohë, edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i kërkoi ditë më parë Presidentit dhënien e mandatit, në të kundërtën paralajmëroi formimin e Qeverisë edhe pa mandat. Njohësit e çështjeve juridike thonë se presidenti Ivanov duhet ta respektojë vullnetin e popullit dhe jo të taktizojë për qëllime politike. "Nëse nuk e jep mandatin ai vepron kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve të cilët votuan për ndryshime. Ai këtë nuk guxon ta bëjë, pasi është vetëm një individ, ndërsa mbi 700 mijë të tjerë votuan për këtë shumicë e cila duhet të formojë Qeverinë e re. Presidenti nuk guxon më të bëjë shkelje, pasi ai do të përballet jo vetëm me përgjegjësi politike por edhe me përgjegjësi penale", thotë Temelko Ristevski. Ai gjithashtu përjashtoi edhe mundësinë e përsëritjes së incidentit në Kuvend më 27 prill. "Unë nuk besoj se do të vjen deri tek përsëritja e skenarit të Kuvend, pasi nga vizita e diplomatit amerikan Hoy Yee, disi janë zbutur qëndrimet. Këtu kanë ndikuar edhe masat që janë ndërmarrë kundër dhunuesve në Kuvend, ndoshta jo ashtu siç duhet, por fakti se janë ndërmarrë veprime, ka përçuar mesazhin deri tek ata por edhe të tjerët që mendojnë të përdorin dhunën, se një ditë do të përgjigjen. Ndryshime do të ketë, ndoshta jo sot, por një ditë gjithsesi se po, prandaj besoj ata e kanë kuptuar mesazhin se me dhunë nuk zgjidhen problemet dhe se çdonjëri prej tyre do të përgjigjet përpara organeve të drejtësisë", thotë Ristevski. Nga ana tjetër, Maqedonia tani përballet edhe me krizë të pushtetit lokal. Shumica parlamentare në koordinimin tek kryetari i Kuvendit, ku mungoi VMRO DPMNE-ja nuk ka sjell ndonjë datë për seancën e Kuvendit në të cilët do të vendosej për vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave që skadon të hënën në mesnatë. "Partitë u morën vesh se prioritet i jashtëzakonshëm për Maqedoninë është arritja e marrëveshjes për miratimin e propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashihet në gjysmën e parë të muajit tetor, kurse mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave", thuhet në komunikatën e kryetarit të Kuvendit, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike. Ministrja e Pushtetit Lokal, Shiret Elezi ndërkohë përmes një komunikate i ka bërë thirrje partive që sa më parë të miratojnë ndryshimet e nevojshme ligjore. "Nuk duhet lejuar që kriza politike ta dëmtojë procesin e decentralizimit, pasi demokracia lokale është themel mbi të cilin ndërtohen kapacitetet demokratike të shtetit. Duhet të merret parasysh interesi i qytetarit që është tatimpagues, i cili paguan për shërbimet lokale dhe të njëjtat duhet t'i marrë në kohë dhe me kualitetin më të lartë të mundshëm, si dhe nevojën e realizimit të së drejtës së qytetarëve që të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes", thuhet në komunikatë. Kriza në Maqedoni u përshkallëzua në dhunë më 27 prill kur protestuesit e nismës "Për Maqedoni të bashkuar" pushtuan Kuvendin duke lënduar rëndë shumë deputetë të shumicës parlamentare, të cilët paraprakisht zgjodhën Talat Xhaferin për Kryetar të Kuvendit të Maqedonisë. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia dhe A. Saudite pajtohen për uljen e prodhimit të naftës

Posted: 15 May 2017 05:30 AM PDT

Eksportuesit kryesorë botërorë të naftës, Arabia Saudite dhe Rusia, thonë se janë pajtuar që shkurtimi i prodhimit do të duhej të zgjatej edhe gjatë marsit të vitit 2018. Ky njoftim i tyre i sotëm ka ndikuar që në tregjet botërore të rriten çmimet e naftës. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), Rusia dhe vendet e tjera prodhuese, fillimisht ishin pajtuar që prodhimi të zvogëlohej për 1.8 milionë fuçi në ditë, në gjysmën e parë të vitit 2017, me mundësinë e zgjatjes për gjashtë muaj të tjerë. "Ne kemi ardhë në përfundim se marrëveshja duhet të zgjatet", tha ministri i naftës i Arabisë Saudite, Khalid al-Falih, në një konferencë për gazetarë në Pekin të Kinës, së bashku me kolegun rus, Aleksandr Novak. Të dy ministrat thanë se zgjatja duhet të bëhet për nëntë muaj, përfshirë marsin e vitit të ardhshëm, e jo vetëm për gjashtë muaj. Ekonomia ruse, e cila aktualisht po ballafaqohet me vështirësi, në masë të madhe mbështetet në të ardhurat nga eksporti i naftës dhe gazit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zgjedhjet e parakohshme ia ndalin ‘hovin’ zhvillimit ekonomik

Posted: 15 May 2017 04:47 AM PDT

Ekspertët e ekonomisë thonë se cikli zgjedhor në të cilin po hyn vendi, do të mund të shmang vëmendjen nga ekonomia, kurse një ngërç politik eventual, sikurse në vitin 2014, do ta shkatërronte atë në shumë aspekte. Sipas tyre, viti 2017 do të jetë një prej viteve më të vështira për ekonominë e vendit për faktin e mbajtjes së dy palë zgjedhjeve, atyre të parakohshme parlamentare në qershor dhe lokale nga fundi i vitit. Përveç disa projekteve që konsiderohen të mëdha, e të cilat mund të "bllokohen " nga zgjedhjet, sipas ekspertëve mund të ndikojë edhe në hezitimin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë dhe në krijimin e reja të vendeve të punës. Berat Thaqi, analist i politikave në Institutin për Studime të Avancuara GAP, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se i gjithë fokusi do të zhvendoset tek fushata dhe zgjedhjet, duke i sjellë dëme të pariparueshme ekonomisë se vendit. "Për vetë faktin se qe disa herë ne po shkojmë në zgjedhje të parakohshme, nuk është gjë e mirë sepse vetë fokusi i ministrave dhe stafit politik, veçanërisht në qeveri, fillon të zhvendoset tek zhvillimet politike, më saktësisht tek fushata. Dhe duke marrë parasysh se vetë ministrat dhe stafi politik presin që brenda një kohë të shkurtër të largohen nga qeveria, atëherë ata nuk mund të përgatisin plane afat-gjate. Pra, si i tillë, fokusi shpërqendrohet nga ekonomia në politikë", thotë Thaqi. Edhe profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku, shqetësimin më të madh e paraqet tek rritja ekonomike, pasi sipas tij, Kosova ka nivelin më të ulët të rritjes ekonomike në rajon. "Vazhdimi më këtë dinamikë të paqartë të reformave strukturore, vazhdimi me këtë nivel të ulët të investimeve të jashtme, sigurisht që do të reflektohet në situatën e përgjithshme në Kosovë, e sidomos në situatën sociale të popullatës", shprehet Sadiku Ekspertët thonë se pas zgjedhjeve të qershorit, duhet të bëhet formimi i shpejtë i qeverisë se re, në mënyrë që mos të përsëritet ngërçi politik i vitit 2014. Sipas tyre, stagnimi institucional do të sjell efekte negative në shumë sektorë ekonomik, e konkretisht tek sektori i privat i cili edhe ashtu ballafaqohet më probleme të mëdha  Pas zgjedhjeve të parakohshme në qershor të vitit 2014, Kosova hyri në një fazë të bllokadës politike, me partitë atëbotë në opozitë që provuan ta bllokojnë PDK-në në ri-vazhdimin e mandatit të saj. Bllokada u zgjidh në fund të vitit 2014, por ekspertët thanë se efektet e saj ishin të mëdha për ekonominë e vendit. Muhamet Sadiku thotë se zgjedhjet vazhdimisht po mbahen para mandatit kushtetues katër vjeçar, por thotë se qeveria e re, duhet të angazhohet më shumë në zbutjen e problemeve ekonomike, politike dhe sociale "Vërtet Kosova përballet me shumë probleme politike, ekonomike dhe sociale. Por, si do që të jetë, këto zgjedhje duhet shikuar me një optimizëm, si një mundësi e re, që ata që marrin qeverisjen e Kosovës, do të promovojnë një zhvillim afat gjatë ku Kosova do të futet në një zonë të zhvillimit. Më pas zhvillimi të shndërrohet në standard jetësor të njerëzve, duke ulur papunësinë dhe varfërinë" Edhe Berat Thaqi, thotë se pas zgjedhjeve shpejtë duhet të formohen institucionet në mënyrë që të fillojnë projektet e mbetura dhe ato të reja. "Shpresojmë që zgjedhjet të mbahen në mënyrë të rregullt dhe shpejtë të krijohet Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, dhe në këtë mënyrë të fillohen proceset aty ku kanë mbetur dhe të fillojnë edhe procese të reja për zhvillim", ka thënë Thaqi Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u nxitën pas një votimi me shumicë të mocioni të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës, të ngritur nga partitë në opozitë, që u mbështet përgjithësisht edhe nga deputetët e partnerit në koalicionin qeverisës, PDK. Votimi çoi në shpërbërjen e Kuvendit, ndërkohë që presidenti Thaçi pas një konsulte me partitë politike parlamentare vendosi që të dekretonte 11 qershorin si ditën e zgjedhjeve të reja të parakohshme. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ndahet nga jeta gazetari Ganimet Klaiqi

Posted: 15 May 2017 04:23 AM PDT

Gazetari i të përditshmes Koha Ditore, Ganimet Klaiqi, është ndarë nga jeta të hënën në mëngjes, pas një sëmundjeje të rëndë. Ganimet Klaiqi, 52 vjeçar, i lindur në fshatin Poliçkë të Komunës së Kamenicës, në lindje të Prishtinës, nisi punën në Koha Ditore më 1997 ndërkohë që për disa vjet punoi edhe si mësimdhënës. Vdekja e Ganimet Klaiqit, thanë Koha Ditore dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është një humbje e madhe për të gjithë dhe posaçërisht për gazetarinë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sulmet kibernetike, përpjekje ndërkombëtare për të kapur hakerët

Posted: 15 May 2017 04:03 AM PDT

Menaxherët dhe punëtorët e qeverive, organizatave dhe bizneseve, janë rikthyer sot në punë, teksa është rritur frika se pasojat nga sulmi masiv kibernetik mund të përkeqësohen pas fundjavës. Në Azi, ku efekti i sulmit duket se ka qenë i kufizuar, invesitorët ende janë duke u përballur me kërcënimin nga sulmi i quajtur "WannaCry". Sulmi kibernetik, që nisi më 12 maj, ka goditur spitalet, bankat, dyqanet, shkollat dhe agjencitë qeveritare në 150 shtete, duke sulmuar verisionet e vjetra të sistemeve operative të Microsoft. Sulmi, që besohet të jetë më i madhi i kryer ndonjëherë, deri më tani ka prekur 200,000 viktima, në 100,000 organizata në mbarë botën, ka gjënë agjencia policore e Evropës, Europol. Një kërkim ndërkombëtar është duke u zhvilluar për të kapur përgjegjësit, ka thënë Europol. Në Kinë, ekonominë e dytë më të madhe në botë, në sistemet e pagesave dhe shërbimet qeveritare është raportuar për disa ndërprerje. Autoritet kombëtare të kibernetikës, janë cituar të kenë thënë më 15 maj, se sulmi ende është duke u përhapur në vend por është ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme. Firmat japoneze, përfshirë Hitachi dhe Nissan kanë raportuar se kanë pasur probleme por kanë thënë se operacionet e tyre të biznesit nuk janë prekur seriozisht. Në mesin e viktimave më të mëdha është kompania amerikane FedEx, ndërtesat e prodhimit të veturave në Evropë, kompania e telekomit në Spanjë 'Telefonika', Sistemi Kombëtar i Shërbimeve Shëndetësore në Britani dhe rrjeti i hekurudhave në Gjermani. Ministria e Brendshme ruse, ka thënë se disa kompjuterë të tyre janë goditur nga sulmi dhe autoritetet kanë thënë se sistemi bankar rus dhe sistemi i hekurudhave, gjithashtu kanë qenë cak i sulmit por nuk raportojnë për probleme të mëdha. Sulmuesit u kanë thënë përdoruesve të kompjuterëve që të paguajnë 300 deri në 600 dollarë, në monedhën që përdoret në internet, që quhet bitcoine, me qëllim që të hiqnin virusin nga kompjuterët e tyre, pasi virusi kishte pamundësuar përdoruesit që të kishin qasje. Ekspertët kanë thënë se adresat e lidhura me llogarinë e softuerit WannaCry, tregojnë se sulmuesit kanë marrë 32.500 dollarë në bitcoin. Kjo shifër pritet të rritet, megjithëse shumë ekspertë dhe agjenci qeveritare u kanë bërë thirrje personave të prekur nga sulmi kibernetik që të mos paguajnë sulmuesit. Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë thënë se verisone të virusit me gjasë do të shfaqen teksa bizneset kanë rifilluar punën e tyre në shumë pjesë të botës. Presidenti i Microsoft, Brand Smith, ka pranuar se hetimet kanë ardhur në përfundim se "sulmi ishte zhvilluar duke përdorur mjete të ndërtuara nga Agjencia për Siguri Kombëtare e SHBA-së, që ishin publikuar online nga hakerët në muajin prill". Ekspertët e sigurisë thonë se kompjuterët e sulmuar, kryesisht janë që nuk kishin bërë përditësimet e fundit të Microsoft. Ata thonë se shumë organizata nuk kishin përditësuar sistemet e tyre për shkak të kostos dhe disa të tjerë, siç janë spitalet, e kanë pasur të vështirë të bëjnë përditësimet pa i ndërprerë operaiconet. "Pres që të dëgjoj më shumë për këtë... kur përdoruesit të jenë kthyer nga pushimi i fundjavës në punë, ata mund të bëhen viktima të këtij sulmi", ka thënë për Reuters Christian Karam, hulumtues për sigurinë në një kompani me bazë në Singapor. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Afganistan: Presidenti është angazhuar për arsimin e femrave

Posted: 15 May 2017 03:50 AM PDT

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, thotë se femrat janë viktimat më të mëdha të luftës që po vazhdon në këtë vend, pasi miliona vajza dhe gra i ka parandaluar nga arsimi. "Numri i grave të cilat janë penguar nga arsimi në Afganistan është tri herë më i lartë se i meshkujve dhe shkaku për këtë është lufta e imponuar, me të cilën po ballafaqohemi", tha sot Ghani në një simpozium për femrat, të quajtur Lajmërtaret e Lirisë. Nikoqire e këtij tubimi triditësh në Kabul është bashkëshorja e presidentit, Rula Ghani. Nëpërmjet një deklarate, Misioni ndihmës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA), ka shfaqur shpresë se qeveria do ta arrijë qëllimin për rritjen e numrit të femrave në institucionet qeveritare për 30% deri në vitin 2020. Sipas Ministrisë së arsimit në Afganistan, shumica e 3.5 milionë fëmijëve, që vlerësohet se nuk shkojnë në shkollë, janë vajza. Shkalla e femrave që dinë shkrim-lexim në Afganistan është ndër më të ulëtat në botë, pasi është vetëm 17%, thuhet në një raport të organizatës UNESCO të vitit 2015.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tillerson: Qartazi Rusia është përzier në zgjedhjet amerikane

Posted: 15 May 2017 02:03 AM PDT

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, thotë se është e qartë se Rusia është përzier në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe se të dy shtetet nuk do të jenë në gjendje t'i ripërtrijnë raportet pa probleme. Këto komente të mbrëmshme të zotit Tillerson për rrjetin NBC, janë bërë disa ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në Uashington, dhe takimit të tij me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Deklarata e fundit e Sekretarit Tillerson është jehonë e qëndrimeve të tij të mëparshme për raportet ndërmjet dy shteteve, duke theksuar se ato kanë rënë në pikën "më të ulët prej përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe me nivel shumë të ulët të besimit". Sipas tij, kjo gjendje e raporteve "nuk është e shëndoshë për botën". Raportet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mbesin të tensionuara për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës në vitin 2014, për mbështjetje të separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës, për luftën civile në Siri, dhe për çështje të tjera. Administrata Trump nuk ka bërë ndonjë lëvizje lidhur me sanksionet amerikane kundër Rusisë për shkak të Ukrainës, megjithqë Trump, gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar, kishte indikuar se do ta shqyrtonte tërhqejen e masave ndëshkuese kundër Moskës. "Mendoj se është me rëndësi të kuptohet se ne nuk do të përpiqemi të startojmë" me një situatë të këtillë, tha Tillerson. Inteligjenca amerikane, po ashtu, e ka akuzuar presidencën e Rusisë për udhëheqjen dhe ndikimin e fushatës, që kishte për qëllim ta ndihmonte zgjedhjen e Trumpit në garën kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet e mbajtura në nëntorin e vitit të kaluar. Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat se ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. Zoti Trump kishte thënë se dëshiron përmirësimin e lidhjeve me Rusinë. Pasi ishte shprehur skeptik për akuzat ndaj Moskës, Donald Trump, megjithatë, ka theksuar se beson se Rusia kishte dorë në fushatën e sulmeve kibernetike kundër demokratëve amerikanë, por se kjo fushatë nuk ka pasur ndikim në rezultatin e votimeve. Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i tha rrjetit NBC, se ndërhyrja ruse në zgjedhje ishte "e dokumentuar mirë". "Nuk mendoj se ekziston ndonjë pikëpyetje se rusët janë përzier rreth proceseve tona zgjedhore", tha Tillerson dhe ka shtuar se është "e paqartë" nëse ky lloj i përzierjes ka pasur ndonjë ndikim në zgjedhje. Administrata e presidentit Trump është dominuar nga akuzat për ndërhyrjet ruse dhe për hetimet e agjencisë amerikane, FBI, dhe të komiteteve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për kontaktet ndërmjet ndihmësve të zotit Trump dhe zyrtarëve të Rusisë. Trump i ka akuzuar mediat dhe kundërshtarët e tij politikë, se po synojnë shkatërrimin e presidencës së tij, duke vlerësuar se tregimi rus është "i rrejshëm". (REL) Përgatiti: Fatmir Bujupi  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Partia e kancelares Merkel i fitoi zgjedhjet në një shtet kryesor

Posted: 15 May 2017 12:47 AM PDT

Partia konservatore, Unioni Kristian Demokratik (CDU), i kancelares Angela Merkel, i ka fituar zgjedhjet në shtetin kryesor, North Rhine-Westphalia, kundër rivalëve të qendrës së majtë, që shihen si paralajmërim i disponimit politik para zgjedhjeve kombëtare në muajin shtator. Rezultatet e para të zgjedhjeve në këtë shtet, të publikuara sot, tregojnë se CDU është e para me 33% të votave të fituara. Ky shtet me numrin më të madh të banorëve në Gjermani, që paraqet afro 20% të popullatës në gjithë Gjermaninë, është tradicionalisht bazë e fuqishme e Partisë Social Demokrate (SPD). SPD fitoi 31.2%, që paraqet rënie prej 39.1%, sa kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2012. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Qeveritë dhe kompanitë përgatiten ndaj sulmeve të mundshme kibernetike

Posted: 15 May 2017 12:29 AM PDT

Qeveritë, organizatat dhe bizneset në gjithë botën, po përgatiten për fillimin e punës gjatë javës së re, derisa janë rritur shqetësimet se ndonjë sulm masiv eventual kibernetik mund të kthehet në kompjuterët e tyre të punës pas fundjavës. Ekspertët kanë thënë se ata do ta ndjekin me kujdes situatën në Azi, që duket se nuk është prekur aq fuqishëm gjatë sulmit të javës së kaluar. Ky sulm kibernetitk, me emrin WannaCry, që kishte filluar më 12 maj, i ka shkatërruar operacionet në spitale, banka, qendra tregtare, shkolla dhe agjenci qeveritare, duke i goditur verzionet e vjetra të sistemeve operative kompjuterike të kompanisë Microsoft. Sipas agjencisë policore evropiane, Europol, ky sulm, që konsiderohet se ishte më i madhi në Internet deri tash, u ka shkaktuar dëme të mëdha më se 200 mijë shfrytëzuesve në 100 mijë organizata në gjithë botën.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now