“Mustafa: Demarkacioni procedohet në Kuvend më 8 maj” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Mustafa: Demarkacioni procedohet në Kuvend më 8 maj” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Mustafa: Demarkacioni procedohet në Kuvend më 8 maj

Posted: 05 May 2017 09:11 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendësin e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, ku u bisedua për zhvillimet e fundit në Kosovë. Gjatë bisedës, sipas një komunikate për media, veçmas u diskutua për nevojën që të procedohet pa vonesë në Kuvend Projektligji për ratifikimin e marrëveshje për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, si një prej marrëveshjeve më të rëndësishme për vendin. "Kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, u pajtuan që të hënën Qeveria t'ia procedojë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi", theksohet në komunikatë. Si rrjedhim, Qeveria e Kosovës do të mblidhet të hënën dhe ky projektligj do të përcillet në Kuvendin e Kosovës, konfirmohet në komunikatë. Aty thuhet po ashtu se  Hoyt Yee e konsideroi vendim të duhur adresimin e kësaj çështjeje të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit. Zotimi i Mustafës për procedimin e demarkacionit në Kuvend vjen në ditën kur Kryesia e Kuvendit ka miratuar mocionin e opozitës, sipas të cilit, të mërkurën Kuvendi voton për rrëzimin e qeverisë aktuale. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vritet një ushtar amerikan në Somali

Posted: 05 May 2017 09:07 AM PDT

Ushtria amerikane tha se një shërbyes i saj është vrarë në Somali, gjatë një operacioni kundër grupit ekstremist Al Shabab. Në deklaratë thuhet se ushtari është vrarë të premten, pranë Barit, rreth 65 kilometra në perëndim të kryeqytetit Mogadishu. "Forcat amerikane kanë qenë në mision këshillues dhe ndihmues me Ushtrinë Kombëtare të Somalisë", tha tutje ushtria amerikane. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka miratuar zgjerimin e operacioneve ushtarake kundër Al Shababit, përfshirë më shumë sulme ajrore. Al Shababi po lufton Qeverinë somaleze me vite dhe ka kryer sulme edhe në Kenian fqinje. Grupi, i cili është i lidhur me Al Kaidën, është dëbuar nga shumica e qyteteve kryesore, por mbetet kërcënim i fuqishëm.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Juncker: Anglishtja po e humb rëndësinë në Evropë

Posted: 05 May 2017 08:30 AM PDT

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, tha në një konferencë në Itali se "anglishtja është duke humbur rëndësinë në Evropë". Pas tensioneve me Britaninë, për shkak të negociatave për daljen e saj nga BE-ja, Juncker tha se do ta mbajë falimin në Firence në frëngjisht. "Ngadalë, por me siguri, anglishtja po e humb rëndësinë në Evropë. Franca po ashtu mban zgjedhje", tha ai, duke shpjeguar përse ka zgjedhur të flasë frëngjisht. Juncker e cilësoi vendimin e Britanisë për të lënë BE-në si "tragjedi". Komentet e tij për gjuhën janë përcjellë me të qeshura dhe duartrokitje. "Do të negociojmë në mënyrë të drejtë me miqtë britanikë, por mos të harrojmë se nuk është BE ajo që po braktis Britaninë, por Britania po braktis BE-në dhe këtu është dallimi", tha Juncker. Kryeministrja britanike, Theresa May, ka akuzuar disa zyrtarë evropianë se po bëjnë përpjekje të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare në Britani, të cilat do të mbahen më 8 qershor. Bashkimi Evropian ka 24 gjuhë zyrtare. Para se t'i bashkohej Britania më 1973, frëngjishtja ishte gjuha kryesore në BE.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Koreja V.: CIA ka bërë komplot për vrasjen e Kim Jong Unit

Posted: 05 May 2017 08:07 AM PDT

Koreja e Veriut akuzoi CIA-n se ka bërë komplot me Korenë e Jugut për të vrarë liderin verikorean, Kim Jong Un. "Është zbuluar një grup i tmerrshëm terrorist, i cili ishte vendosur brenda Koresë së Veriut dhe ishte duke u përgatitur nga CIA dhe Shërbimi i Inteligjencës i Koresë së Jugut, për të kryer sulm terrorist biokimik kundër udhëheqjes sonë supreme", lexoi folësi i lajmeve në televizionin shtetëror deklaratën e Ministrisë për Sigurinë e Shtetit. Lufta e fjalëve midis Perëndimit dhe Koresë së Veriut është intensifikuar javëve të fundit. Phenjani ka kërcënuar se do të kryejë provën e gjashtë bërthamore. SHBA druan se ai ka kapacitet për të goditur Korenë e Jugut dhe Japoninë. Ju rekomandojmë edhe këtë: Frikë nga lufta bërthamore

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rritja e pagave godet sektorin privat

Posted: 05 May 2017 06:54 AM PDT

Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për mundësinë e rritjes së pagave, po kundërshtohet nga përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, duke e vlerësuar atë, siç thonë, si një kërkesë për votë dhe fillim të fushatës. Në mbledhjen e qeverisë, të enjten, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar nga Ministria e Financave, që në koordinim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të propozojë mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civilë, për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë.  Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka pasur qëndrueshmëri të mirë buxhetore dhe lëvizje të mirë ekonomike, gjë që mundëson edhe rritjen e pagave.  Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike gjatë këtij viti pritet të arrijë në 3.9 për qind, megjithëse ekspertët thonë se kjo rritje nuk mund të zbus problemet e papunësisë dhe varfërisë dhe nuk mundëson rritje të pagave. Ata thonë se sikur 'është bërë traditë që rritja e pagave të ndodh në prag të zgjedhjeve'. Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se ky subjekt ekonomik mbështet hapat pozitiv dhe disiplinën financiare në Kosovë, por nuk mund të ndodh gjithmonë rritja e pagave në sektorin publik duke anashkaluar sektorin privat. Ai ka thënë se rritja e paralajmëruar e pagave është 'grusht' për sektorin privat, nga i cili është realizuar edhe rritja ekonomike që, siç thotë Gërxhaliu, "sipas kryeministrit mundëson rritjen e pagave".  "Kjo duhet të analizohet nga dimensioni psikologjik si do të reflektojë tek qytetarët, në veçanti tek të rinjtë. Sepse do të jetë një hap demotivues që të rinjtë të jenë të orientuar për të punuar në sektorin privat, sepse sektori privat nuk e ka këtë komoditet të rritjes së pagave në mënyrë permanente", ka thënë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë. Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e paralajmëruar të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave në sektorin publik. Në një qëndrim të shprehur me shkrim, Oda Amerikane beson fuqishëm se ky vendim i mundshëm do të rriste më tej boshllëkun në nivelet e pagesave në sektorin publik dhe privat, veçanërisht duke e ditur se normat e rritura në mënyrë të vazhdueshme në sektorin publik nuk mund të përcillen nga sektori privat, si rezultat i sfidave dhe vështirësive me të cilat përballet ky i fundit. "Oda Amerikane rikujton Qeverinë e Kosovës se vendimi i paralajmëruar do të bënte sektorin privat më pak atraktiv për punëkërkuesit dhe do të inkurajonte zhvendosjen e fuqisë punëtore nga sektori privat në atë publik", thuhet në qëndrimin e Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë .  Instituti për Studime të Avancuara "GAP", ndërkaq, duke e kundërshtuar rritjen e pagave në këtë sektor, thotë se kjo bie ndesh me programet qeveritare dhe zotimet e Qeverisë se Kosovës të dhëna në Planin Nacional për Reforma në Ekonomi për vitin 2017 Agron Demi nga ky institut, thotë se qeveria fillimisht duhet të bëjë përpjekje për të rritur numrin e të punësuarve e jo të rrisë rrogat për ata që janë duke punuar. Sidoqoftë, nëse qeveria merr një vendim të tillë, Demi llogaritë se në bazë të rritjes ekonomike, paga mund të rritet deri në 20 euro në muaj. "Nëse do të procedohej tutje dhe do të rriten pagat konform rritjes ekonomike, atëherë i bie që secilit shërbyes civil t'i rritet paga prej 15 deri 20 euro dhe jo më shumë. Por, kjo nuk duhet të ndodh". "Ky paralajmërim është i motivuar nga zgjedhjet, për shkak se kanë kërcënuar me mos dalje në zgjedhje apo me greva, sindikata e arsimit, shëndetësisë dhe shërbyesit civil", thotë Demi. Safet Gërxhaliu ndërkaq thotë se pasojat e rritjes së pagave para fillimit të fushatës zgjedhore po barten deri në katër vite dhe për këtë periudhë po dëmtohet sektori privat. "Në veçanti po humbet motivi i të rinjve për t'u përgatitur për sfidat e sektorit privat sepse në mungesë të përgjegjësisë institucionale dhe individuale, dhe në mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit, është një luks sot të punohet në institucionet publike, sepse nuk ka performancë. Dhe të stimulohet aty ku nuk ka performancë nuk i bëhet nder Kosovës dhe ardhmërisë se saj", thotë Gërxhaliu. Rritje të pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve publik, prej 25 deri në 50 për qind ka pasur edhe në vitin 2014 dhe edhe më herët më 2011, vite këto kur ka pasur zgjedhje në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 400 euro në muaj, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

VMRO-DPMNE e Gruevskit në opozitë për t’u reformuar

Posted: 05 May 2017 06:31 AM PDT

Ish zyrtarët e lartë të VMRO DPMNE-së e cila udhëhiqet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, vlerësojnë se shkuarja në opozitë e VMRO DPMNE duhet shfrytëzuar për reformimin e brendshëm të kësaj partie. Analistët njëherësh thonë se Nikolla Gruevski si lider i kësaj partie, duhet të mbajë përgjegjësi për atë se përkundër faktit se VMRO DPMNE doli fituese në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare, ajo nuk arriti të formojë Qeverinë e Maqedonisë, për shkak siç thonë, politikave të gabuara. Ish sekretari për çështje të euro-integrimeve në qeverinë e Gruevskit Pero Dimshoski, tha për Radio Evropa e Lirë se VMRO DPMNE duhet të veprojë si opozitë konstruktive dhe të reformojë radhët e saj. "Politikat e gabuara nga të cilat udhëhiqej dhe përkundër asaj se në zgjedhje fitoi numrin më të madh të deputetëve, VMRO DPMNE nuk arriti të formojë qeveri. Shpresoj se kjo periudhë do të shërbej për zgjimin e kësaj partie që të shmanget nga politikat ekstremiste sepse në të kundërtën këtë parti do të fillojnë ta braktisin dhe partnerët e koalicionit për Maqedoni më të mirë, që gjithsej kanë 51 mandate", tha Dimshoski. Sipas tij, VMRO DPMNE me reformat që i bëri në vitin 2006 dëshmoi se di të veprojë si parti moderne konservative kurse tani është momenti thotë ai, që VMRO DPMNE të veprojë si parti e fuqishme opozitare në funksion të anëtarësimit të vendit në strukturat euro-atlantike. Ky rreshtim, sipas tij, do ta bëjë edhe më të fuqishme VMRO-në në zgjedhjet e ardhshme lokale. Përderisa Jove Kekenovski vlerëson se VMRO DPMNE është detyruar të shkojë në opozitë për shkak të presionit të fuqishëm ndërkombëtar ndonëse nuk beson se Gruevski do të largohet nga drejtimi i partisë. Kekenovski thotë se Gruevski partinë e shfrytëzon si mbrojë për të mos iu përgjigjur drejtësisë për akuzat që ka ngitur ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij për përfshirje në vepra kriminale. "Unë jam më shumë se i sigurt se Gruevski tani po edhe gjatë periudhës së ardhshme do të luaj në kartën nacionaliste që partia, përkatësisht anëtarësia e VMRO DPMNE-së, edhe më tej t'i shërbejë si "mish për top" që ai të mund të shpëtojë nga veprat e shumta kriminale për të cilat hetohet dhe ndiqet nga Prokuroria Speciale Publike", vlerëson Kekenovski. Ndërkohë mediat e afërta me pushtetin duke u thirrur në burime të larta partiake të VMRO-DPMNE njoftojnë se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, lideri i kësaj force politike, Nikolla Gruevski, iu ka thënë anëtarëve të tjerë se partia që ai e drejton do të shkojë në opozitë me ç`rast nga drejtuesit e institucioneve shtetërore ka kërkuar të mos krijojnë probleme gjatë dorëzimit të posteve. Këtë gjë nuk e konfirmojnë por as nuk e demantojnë zyrtarisht nga partia e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Por, në rrjetet sociale përkrahës dhe zyrtarë të VMRO DPMNE-së kanë theksuar se partia e tyre shkon në opozitë. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shtyhet seanca dëgjimore për personat e akuzuar për komplot në Mal të Zi

Posted: 05 May 2017 06:13 AM PDT

Një gjykatë në Mal të Zi ka shtyrë seancën dëgjimore për konfirmimin e akuzave ndaj 14 personave, përfshirë edhe dy rusë dhe dy liderë pro-rusë nga opozita, të cilët po akuzohen për komplotin e vitit të kaluar për të rrëzuar qeverinë. Gjykata e Lartë në Podgoricë ka thënë se seanca është shtyrë për 24 maj, me qëllim që avokatët mbrojtës të kenë më shumë kohë për të shqyrtuar mijëra faqe të dokumenteve, materialeve dhe provave për këtë rast. Ligjvënësit Andrija Mandiq dhe Milan Knezeviq nga Fronti Demokratik, dy rusë dhe nëntë qytetarë serbë dhe një malazez, janë akuzuar për krijimin e "një organizate kriminale". Dy rusët gjithashtu janë akuzuar për "terrorizëm". Zyrtarët malazezë pretendojnë se nacionalistët serbë dhe rusë kanë planifikuar që të marrin nën kontroll parlamentin, gjatë zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit të kaluar. Po ashtu, të akuzuarit thuhet se kanë pasur plane që të vrasin kryeministrin e atëhershëm, Milo Gjukanoviq dhe të instalojnë një udhëheqje pro-ruse, me qëlllim që të ndalojnë Malin e Zi që t'i bashkohet NATO-s. Ligjvënësi i akuzuar Andrija Mandiq, më 13 prill ka thënë se "procesi gjyqësor është organizuar kundër opozitës". Prokurori special i Malit të Zi, ka thënë se "organet shtetërore ruse" janë përfshirë në grushtshtetin e dyshuar, akuza të cila, Rusia i hedh poshtë. Parlamenti i Malit të Zi ka ratifikuar anëtarësimin e vendit në NATO më 28 prill, duke shënuar një kthesë historike drejt Perëndimit.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

PDK nuk i kundërshton zgjedhjet, konfirmohet interesimi që Veseli të jetë kryeministër

Posted: 05 May 2017 05:26 AM PDT

Partia Demokratike e Kosovës e ka shqyrtuar gjendjen politike në vend, por nuk ka dalë ende me një qëndrim të prerë rreth çështjes së zgjedhjeve të parakohshme. Pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie politike, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi tha se do të diskutohet edhe me partinë partnere në koalicion, Lidhjen Demokratike të Kosovës për hapat që do të ndiqen. Ai nuk e ka mbështetur as kundërshtuar mocionin e opozitës për rrëzimin e qeverisë. Kurse nënshkrimet e tetë deputetëve të PDK-së në mocionin e opozitës, Kuçi i ka cilësuar si vendime individuale dhe jo partiake. Kuçi, megjithatë ka pranuar që vendimmarrja nga ana e qeverisë nuk ka qenë në nivelin e pritur. "Ka munguar vendimmarrja e plotë, kurse opozita ka qenë jo çdo herë konstruktive", ka thënë Kuçi. PDK, ka shtuar ai, do të merr vendimin duhur në ditët në vijim, duke mos përjashtuar as zgjedhjet. Po ashtu, Kuçi e ka konfirmuar interesimin e PDK-së dhe kryetarit të saj, Kadri Veseli,që në të ardhmen, të ketë nën drejtim postin e kryeministrit të Kosovës. "Secili që është kryetar partie në këtë vend përgatitet që të bëhet kryeministër", ka thënë Kuçi. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump më 25 maj do të takohet me liderët e BE-së

Posted: 05 May 2017 05:21 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të takohet me liderët më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, gjatë turneut të tij të parë jashtë vendit si president, kanë konfirmuar zyrtarët evropianë. Trump do të takohet me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe me atë të Këshillit të Evropës, Donald Tusk më 25 maj, në ditën kur presidenti amerikan do të marrë pjesë në samitin e NATO-s. "E konfirmuar Tusk dhe Junker do të takohen me presidentin Trump në Bruksel më 25 maj", ka shkruar në Twitter, Preben Aamann, zëdhënës i Tuskut. Trump ka irrituar liderët evropianë, pasi ka parashikuar se edhe vende të tjera do "të largohen" nga BE-ja, pas Britanisë së Madhe. Juncker ka bërë shaka duke thënë se Trump po inkurajon lëvizjet për pavarësi të shteteve në SHBA, nëse ai vazhdon të shpreh mbështetje për Brexit-it. Por së fundmi, Trump ka shprehur mbështetjen për Bashkimin Evropian. Trump më 4 maj ka thënë se do të nisë turneun e parë, ku do të qëndrojë në Arabinë Saduite, Izrael dhe Vatikan.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Londër: Në aeroportin Heathrow pezullohen disa fluturime për “shkaqe të sigurisë”

Posted: 05 May 2017 04:36 AM PDT

Aeroporti i Londrës, Heathrow ka pezulluar përkohësisht disa fluturime në njërin prej 5 terminale të aeroportit. Zyrtarët e aeroportit thonë se pezullimet e fluturimeve janë bërë "për shkaqe të sigurisë". Një zëdhënëse e aeroportit ka thënë se pezullimet e fluturimeve në terminalin 3, janë shkaktuar për "shkaqe të sigurisë", por nuk ka dhënë më shumë hollësi. "Ne jemi duke punuar në terminalin 3 në Heathrow, pas një raporti për një mjet të dyshimt në një valixhe që është detektuar nga rrezet X", ka thënë policia e Londrës. Heathrwë, që ka 5 terminale kryesore, është njëri prej aeorporteve më të frekuentuara në botë dhe nga terminali 3, zakonisht kryhen fluturimet e gjata por ka edhe disa fluturime që kanë për destinacion vendet evropiane.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia: Zonat e sigurta në Siri do të mbyllen për avionët e SHBA-së

Posted: 05 May 2017 03:46 AM PDT

Një diplomat rus ka theksuar se zonat e sigurta që do të krijohen në Siri, në bazë të marrëveshjes së arritur nga Rusia, Turqia dhe Irani, do të jenë të mbyllura për avionët luftarakë të koalicionit ndërkombëtar që udhëheqin Shtetet e Bashkuara. Përfaqësuesi rus në bisedimet e paqes në Kazakistan, që sponsorizohen nga këto tri shtete, Aleksandr Laverntyev, ka folur në kryeqytetin kazak, në Astana, një ditë pas nënshkrimit të memoradumit. "Në zonat për ndalimin e përshkallëzimit, operacionet ajrore- veçanërisht ato të forcave të koalicionit ndërkombëtar – absolutisht janë nuk janë parashikuar me ose pa njofiim paraprak", tha ai. "Kjo pyetje është e mbyllur", shtoi ai. Turqia dhe Irani ranë dakord me propozimin e Rusisë për "zona të sigurta" në Siri. Në propozim përfshihen ndalimi i të gjitha fluturimeve dhe ishte e paqartë pse Lavernyev ka sinjalizuar për këtë ndalesë vetëm për avionët e koalicionit që udhëheq SHBA-ja. Por fushatat e ndara të sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Rusisë kanë rritur tensionet në dy vjetët e fundit. Lavernyev më 4 maj, u kishte thënë gazetarëve se marrëveshja do të hyjë në fuqi më 6 maj dhe se avionët e qeverisë siriane pritet që të evitojnë zonat e mbrojtura por një gjë të tillë nuk do ta bëjnë nëse grupet rebele kryejnë sulme. Anëtarët e opozitës së armatosur siriane kanë thënë se në të kaluarën, qeveria siriane e mbështetur nga forcat ajrore ruse, ka justifikuar sulmet ajrore, duke thënë se ka goditur caqet e terroristëve. Shtetet e Bashkuara në mënyrë të kujdesshme kanë reaguar për arritjen e marrëveshjes, duke thënë se "mbështesim çdo përpjekje që mund të ulë dhunën në Siri" por kanë shprehur shqetësim për rolin e Iranit, duke shtuar se Rusia duhet të sigurojë se qeveria siriane do t'i përmbahet kësaj marrëveshjeje. Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka mirëpritur marrëveshjen, duke sugjeruar se është e rëndësishme që rezultat e saj të shihen në terren. Guterres "është inkurajuar nga marrëveshja", ka thënë përmes një deklarate për media, zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric. "Do të jetë qenësore që të shohim se kjo marrëveshje realisht do të përmirësojë jetën e sirianëve", ka shtuar ai. Përveç zonave të sigurta, që do të krijohen më 4 qershor, memorandumi i nënshkruar në Astana, gjithashtu përmban marrëveshje të armëpushimit, ndalimin e të gjitha fluturimeve, dërgimin e shpejt të ndihmave humanitare dhe rikthimin e refugjatëve. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, gjithashtu ka mirëpritur "përkushtimin për ndalimin e përdorimit të të gjitha armëve, veçanërisht të atyre ajrore", thuhet në deklaratën e Dujarric. Marrëveshja për zonat e sigurta është kundërshtuar nga grupi i opozitës së armatosur siriane, të cilët, veç tjerash, kanë kundërshtuar përfshirjen e Iranit – një shqetësim ky, që është ngritur edhe nga SHBA-ja. SHBA-ja ka thënë se mbështetë të gjitha përpjekjet që "sigurojnë qasje për ndihma humanitare, fokusimin e energjive për të mposhtur IS-in dhe grupe të tjera terroriste dhe krijimin e kushteve për arritjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin", ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert. Sidoqoftë, ajo ka thënë se "ne vazhdojmë të kemi shqetësime për marrëveshjen e Asatanës, përfshirë edhe prezencën e Iranit si garantues. Aktivitetet e Iranit në Siri vetëm kanë kontribuar në dhunë dhe jo në ndalimin e tij. Po ashtu Irani ka mbështetur në mënyrë të palëkundër regjimin e Assadit që ka kryer mizori ndaj civilëve sirianë", ka thënë ajo. "Në dritën e dështimeve të marrëveshjeve të kaluara ne kemi arsye që të jemi të kujdesshëm. Ne presim që regjimi të ndalë të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe forcave opozitare, gjë të cilën, asnjëherë nuk e kanë bërë. Ne presim që Rusia të sigurojë se qeveria e Assadit do t'i përmbahet marrëveshjes", ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit. Memorandumi i nënshkruar më 4 maj bën thirrje për krijimin e katër zona të sigurta në veri dhe jug të Sirisë, ku forcat e Assadit po luftojnë kundër rebelëve, në luftën që ka vrarë mbi 400 mijë persona që prej vitit 2011. Zonat e sigurta fillimisht ishin propozuar nga Rusia, që mbështetë në mënyrë ushtarake dhe diplomatike qeverinë siriane. Irani gjithashtu mbështetë Assadin. Presidenti rus, Vladimir Putin ka diskutuar për krijimin e zonave të sigurta edhe me presidentin amerikan, Donald Trump gjatë bisedës së tyre telefonike më 2 maj, që ishte e fokusuar mbi luftën në Siri. Shtëpia e Bardhë e pati përshkruar këtë bisedë si "shumë të mirë", ku ka thënë se është folur "për zona të sigurta dhe arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme për çështje humanitare dhe shumë çështje të tjera". Por presidenti Trump nuk ka folur publikisht për propozimin e Rusisë apo për memomrandumin e nënshkruar nga Rusia, Turqia dhe Irani. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Merkel dëshiron partneritet të mirë me Britaninë pas Brexit-it

Posted: 05 May 2017 03:34 AM PDT

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje për negociata konstruktive me Britaninë e Madhe, mbi largimin e vendit nga Bashkimi Evropian dhe ka thënë se vendi i saj ka qëllim që të mbajë partneritet të mirë me Londrën. "Ne do të na duhet por dhe duam që Britania të jetë një partner i mirë në të ardhmen", tha Merkel gjatë një fjalimi në Hamnburg, duke shtuar se negociatat për Brexit do të jenë "shumë të vështira dhe komplekse". "Britania në të ardhmen do të jenë më pak e afërt me ne sesa është tash, përfshirë këtu edhe në sferën ekonomike", ka thënë Merkel por ka theksuar se marrëdhëniet e mira me Britani në fushën ekonomike, të sigurisë dhe mbrojtjes politike janë të rëndësishme.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vetëvendosje kërkon drejtësi për Astrit Deharin, gjashtë muaj pas vdekjes në burg

Posted: 05 May 2017 03:32 AM PDT

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar sot një protestë para Ministrisë së Drejtësisë duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e aktivistit të saj, Astrit Dehari në burgun Prizrenit, gjashtë muaj më parë. Ndërsa aktivistët e kësaj partie politike po shkruanin grafite me moton "Drejtësi për Astritin", ka ndodhur dhe një përplasje me Policinë e Kosovës. Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se për vdekjen e Astrit Deharit, përgjegjëse është Qeveria, përkatësisht Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme, pastaj Policia e Kosovës dhe kreu i saj, si dhe organet e hetuesisë dhe drejtësisë. "Ishte rast i montuar politik, me akuzën për terrorizëm", tha Konjufca. Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, 26 vjeç, ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit të kaluar. Ai po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës,i cilësuar si akt terrorist. Prokuroria pati dalë me prezantimin e ekspertizës ligjore, sipas të cilës, Dehari kishte bërë vetëvrasje. Një konstatim të tillë e patën kundërshtuar familja e tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe avokati i rastit, Tomë Gashi. Ky i fundit kishte njoftuar po ashtu se Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore të pjesës franceze në Zvicër është angazhuar nga familja e të ndjerit Astrit Dehari për hetime dhe ekspertiza të pavarura për vdekjen e tij.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA zhvendos një seli ushtarake dhe 100 trupa në Poloni

Posted: 05 May 2017 01:59 AM PDT

Misioni në Evropë i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara ka thënë se 100 trupa dhe selia e tyre taktikejanë rivendosur nga Gjermania nëPoloni, për të ndihmuar forcat amerikane që tashmë janë të vendosur në atë rajon. Rreth 6 mijë trupa amerikane janë vendosur këtë vit në këtë rajon, pas veprimeve të Rusisë në lindje të Ukrainës. SHBA ka kërkuar po ashtu prezencë më të madhe të trupave aleate. Misioni i Atlantikut, mision i SHBA-së në Evropë, ka thënë se selia e tyre taktike, në nivel të divizionit është rivendosur më 29 prill në qytetin perëndimor të Poznanit, për të komanduar forcat në rajon, ku SHBA nuk ka pasur prezencë të konsiderueshme ushtarake në të kaluarën. Rajoni përfshinë Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Gjermaninë, Sllovakinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Misioni ka thënë se kjo rivendosje do të rrisë aftësinë për të reaguar më shpejt dhe për tu mbrojtur në mënyrë më efikase nga çdo kërcënim.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kuvendi voton mocionin për rrëzimin e qeverisë më 10 maj 

Posted: 05 May 2017 01:14 AM PDT

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të thërras seancë plenare për votimin e mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, më 10 maj. Janë 42 deputetë të Kuvendit të Kosovës, 30 nga partitë opozitare dhe 12 nga partitë tjera, përfshi edhe ato në pushtet dhe deputetë të pavarur, që kanë nënshkruar mocionin për rrëzimin e qeverisë aktuale. Nënshkrues të mocionit janë edhe tetë deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Përfaqësuesit e opozitës, janë paraqitur para medieve menjëherë pasi që kanë proceduar mocionin në Kryesinë e Kuvendit. Ndërkaq kjo e fundit, ka caktuar seancën për datën 10 maj. Shefja e Grupit Parlamentar të partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, tha se janë tashmë 42 nënshkrime të deputetëve, të cilat i janë proceduar Kryesisë së Kuvendit. "Ka edhe deputetë tjerë që nuk e kanë nënshkruar mocionin, por presim që ata në seancë ta përkrahin rrëzimin e kësaj qeverie", ka thënë Bajrami. Opozita, ka mbledhur nënshkrimet për mocionin. Por, rrëzimi i qeverisë mbetet ekskluzivisht çështje e partive të koalicionit, pasi që nevojiten edhe 19 vota të deputetëve. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se është evidente që nuk ka vendimmarrje të duhur në Kosovë. Andaj, ai tha se ndërkohë do të bisedohet edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të parë se si do të veprohet deri të mërkurën. "Gjendja në Kosovë nuk është ajo që duhet të jetë. Nuk është gjendje e kënaqshme. As unë nuk jam i kënaqur dhe as qytetarët e Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, unë do ta vazhdoj komunikimin me partnerin e koalicionit (LDK-në). Nuk është opozita ajo që e rrëzon qeverinë, e thash do të bisedojmë me partnerin e koalicionit", ka thënë Veseli. Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se gjithçka mbetet të vendoset mes partnerëve të koalicionit, ngase opozita, sipas tij, nuk e ka fuqinë e ndryshimeve apo rrëzimit të qeverisë. "Sa i përket asaj se a shkohet në shpërbërje apo çfarë do të ndodhë, mbetet çështje e kontaktit mes partive partnere, andaj unë sot nuk mund ta them një qëndrim për këtë çështje", ka thënë Beqiri.  Në anën tjetër, nënkryetarja e Kuvendit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti, tha se tash gjithçka mbetet të vendoset në seancë plenare, ku deputetët duhet të deklarohen për apo kundër mocionit. Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se tri vite të kësaj qeverie e dëshmojnë se është i domosdoshëm një mocion i tillë, pasi që për këto tri vite, sipas tij, kishte vetëm keq-qeverisje. Për rrëzimin e qeverisë, nevojiten 61 vota për, të deputetëve.  Në rast se ky mocion i opozitës dështon, atëherë sipas akteve ligjore kushtetuese, brenda 90 ditëve të ardhshme nuk mund të ngritet një mocion i ri i ngjashëm, që do të kishte si qëllim shkarkimin e qeverisë. Ndërkaq, në rast se mocionin e mbështesin 61 deputetë në seancën plenare, atëherë mbetet në vendimin e presidentit që ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme. ​ (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pakistan: Forcat afgane vrasin një civil dhe plagosin 18 të tjerë

Posted: 05 May 2017 01:07 AM PDT

Forcat e sigurisë afgane kanë shtënë me armë zjarri mbi punëtorët pakistanezë, të cilit po bënin regjistrimin e popullsisë dhe trupave ushtarake që po e shoqëronin atë. Ngjarja ka ndodhur në kufi me Afganistanin, ku është vrarë një civil dhe janë plagosur 18 të tjerë, ka thënë një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze. Gjenerali Asif Ghafoor ka thënë se katër ushtarë janë në mesin e plagosurve në sulmin që ndodhi në qytetin kufitar Chaman. Ai ka thënë se ushtarët pakistanez po ashtu kanë shkëmbyer zjarr. Ghafoor ka thënë se trupat afgane ishin alarmuar pasi kanë menduar se punëtorët që po regjistronin popullsinë mund të arrinin në fshatrat më afër kufirit. Sidoqoftë, një zëdhënës i policisë në provincën afgane të Kandaharit ka fajësuar Pakistanin për nisjen e përleshjes së armatosur. Zëdhënësi Zia Durani, ka thënë se Pakistani po dëshiron që të përdor si mbulim punëtorët që mbledhin të dhëna, për të ndihmuar militantët që të futen në territorin afgan.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Guterres mirëpret marrëveshjen për Sirinë

Posted: 05 May 2017 12:46 AM PDT

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres është inkurajuar nga nënshkrimi i marrëveshjes në mes të Turqisë, Rusisë dhe Iranit për të krijuar zona të sigurta në Siri dhe për të parandaluar luftimet, ka thënë zëdhënësi i tij. "Do të jetë qenësore që të shohim se kjo marrëveshje realisht do të përmirësojë jetën e sirianëve", ka thënë zëdhënësi Stephane Dujarric. Përmes zonave të sigurta, që do të vendosen më 4 qershor, marrëveshja gjithashtu mundëson një armëpushim, ndalim të fluturimeve, dërgimin e shpejt të ndihmës humanitare si dhe kthimin e refugjatëve. Guterres "ka mirëpritur përkushtimin për ndalimin e përdorimit të të gjitha armëve, veçanërisht të atyre ajrore" dhe dërgimin e ndihmës mjekësore dhe atyre elementare, ka thënë Dujarric. I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura e ka përshkruar marrëveshjen, "si të rëndësishme, premtuese se hapat pozitiv janë në drejtimin e duhur". Krijimi i zonave të sigurta ishte propozuar nga grupet rebele siriane, megjithatë ata më 4 maj kanë protestuar kundër kësaj proteste për shkak se Irani ka nënshkruar këtë marrëveshje. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë shprehur shqetësimet e tyre për rolin e Iranit në këtë marrëveshje.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Ligjvënësit mbështesin masa të reja kundër ndikimit të Rusisë

Posted: 04 May 2017 11:40 PM PDT

Kongresi në SHBA ka autorizuar 100 milionë dollarë, në përpjekje për të luftuar "ndikimin dhe agresionin rus" dhe mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile në Evropë dhe Euroazi. Ligjvënësit amerikanë më 4 maj kanë mbështetur një masë që imponon kufizime të reja dhe mbikëqytjen e diplomatëve rusë në Shtetet e Bashkuara- një masë që Moska e ka paralajmëruar SHBA-në që të mos e vendos. Të dy përpjekjet u përfshinë në buxhetin 1.1 trilion dollarësh, që do të financojë qeverinë federale, i cili u miratua nga Senati. Tani ai do të dërgohet për nënshkrim tek presidenti, Donald Trump. Fondi prej 100 milionë dollarësh është produkt i disa propozimeve që kanë qarkulluar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan muajt e fundit, pasi ligjvënësit kanë kërkuar që të ndalojnë ndërhyrjen e Rusisë në Evropë dhe gjetkë. Një numër i madh i demokratëve dhe republikanëve kanë vënë në dukje rritjen e lajmeve të rrejshme, financimet e huaja për partitë politike, propagandën dhe aktivitetet e tjera të fshehta, si indikacione për një përpjekje agresive ruse për të ndërhyrë ose për të përmbysur qeveritë që duken armiqësore ndaj Moskës. Fushatat zgjedhore në Francë dhe Gjermani kanë rënë nën hijen e dyshimeve për përfshirjen e Rusisë si dhe zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA. Fondi prej 100 milionë dollarëve i quajtur "Fondi i Ndikimit rus", është dedikuar posaçërisht për grupet "e shoqërisë civile të përfshira në sundimin e ligjit, media, programe kibernetik dhe të tjera në Evropë, përmes së cilave forcohen insitutcioneve dhe proceset demokratike që kundërshtojnë ndikimin dhe agresionin rus", thuhet në këtë legjislacion.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosova e para në Evropë për përdorim të antibiotikëve

Posted: 04 May 2017 11:37 PM PDT

Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallën më të lartë në Evropë, të përdorimit të disa llojeve të antibiotikëve dhe njëkohësisht me numrin pothuajse më të madh në Evropë me shkallën e konsumit të antibiotikëve të përgjithshëm. Sipas një hulumtimi të bërë në spitalet e vendeve të Bashkimit Evropian ka rezultuar se në klinikat e pediatrisë, ku trajtohen fëmijët e moshës nën 18 vjeç, antibiotikë marrin 36 për qind e fëmijëve, derisa në Kosovë, sipas zyrtarëve shëndetësorë kjo përqindje arrin në 67 për qind. Mikrobiologu Lul Raka, njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova zë vendin e parë në Evropë, kur bëhet fjalë për përdorimin e antibiotikëve injeksion të cef-reaksionit (grup antibiotikësh). Sipas tij, rezultatet e hulumtimeve të bëra në Kosovë kanë dhënë shifra alarmante për keqpërdorim të antibiotikëve. "Kemi mbledhur të dhënat për mbikëqyrjen e antibiotikëve, për importin, përdorimin nëpër spitalet e Kosovës dhe përdorimin në kujdesin parësor. Rezultatet kanë dhënë shifra alarmante për keqpërdorim", tha Raka. Sipas tij, deri në vitin 2050, nëse vazhdohet trendi i përdorimit të antibiotikëve, më shumë njerëz do të vdesin nga infeksionet dhe mikrobet rezistente sesa nga sëmundja e kancerit. "Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është diskutuar për herë të katërt për rezistencën ndaj antibiotikëve. Kjo është një fushë e rëndësishme ku shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe ne edhe pse nuk jemi anëtare, kemi marrë obligimet për të adresuar këtë problematike. Kosova është njëra prej vendeve të para të rajonit që i ka kryer disa detyra, siç është strategjia dhe plani i veprimit dhe jemi në fazën e dytë të përgatitjes për strategjinë dhe planin e veprimit për rezistencën ndaj antibiotikëve'' , thotë Raka. Në Kosovë, pavarësisht ligjit që ndalon shitjen pa recetën e mjekut, antibiotikët shiten në pothuajse secilën barnatore pa asnjë udhëzim mjekësor. Numri i vogël i inspektorëve farmaceutik, që arrin në vetëm 5 prej tyre me kontrata të rregullta pune, vlerësohet nga ekspertët shëndetësorë, se ka bërë që të mos ketë kontroll të duhur mbi sasinë e shitjes së antibiotikëve pa recetë. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku i tha Radios Evropa e Lirë se është krijuar një komision që e ndalon shitjen e barnave pa recetë në farmaci dhe kjo veçanërisht vlenë për antibiotikët, përdorimi i padrejtë i të cilëve mund të krijojë probleme shëndetësore. "Ministria e Shëndetësisë po përgatit grupin e punës dhe planin e veprimit 2017 -2022, për ndalimin e panevojshëm të antibiotikëve, si dhe po lobon për fuqizimin e inspektoratit farmaceutik, që do të ndihmonte në këtë çështje", tha Sadiku. Por në barnatoret e Kosovës farmacistët thonë se qytetarët janë vetëdijesuar dhe nuk e aplikojnë vetëmjekimin. Labinot Berisha, nga njëra barnatore e kryeqytetit jep hollësi të tjera. "Ka filluar të zvogëlohet si fenomen. Pacientët marrin antibiograme, bëjnë analiza dhe mund të them se shumë më pak është e shprehur si fenomen, ndonëse nuk e mohoj se ndodhë", tha ai. Sido që të jetë, futja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe rimbursimit të barnave, do ta bëjë të obligueshëm respektimin e shitjes së barnave me recetë, meqë pacientit nuk mund t'i rimbursohen barnat pa e pasur sistemin e referimit komplet dhe recetën e barnave. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Policia ruse nis hetime për sulmin ndaj Navalnyt

Posted: 04 May 2017 11:27 PM PDT

Mediat ruse kanë raportuar më 4 maj se Ministria e Brendshme ruse ka nisur një hetim për sulmin ndaj liderit opozitar, Aleksei Navalny, që e la atë pothuajse të verbër në njërin sy. Gazeta Vedomosti, ka thënë se policia po heton për të identifikuar sulmuesin e dyshuar dhe për ta arrestuar atë. Po ashtu, kjo gazetë ruse raporton se autoritetet janë duke hetuar për përgjegjësit për një seri të sulmeve ndaj figurave opozitare, përveç Navalnyt, ku përfshihet edhe blogeri, Ilya Varlamov dhe aktivistja Natalia Fedorova. Avokatët e Navalnyt kanë thënë se nuk janë qenë në dijeni dhe për hetimin kanë mësuar nga mediat. Navalny u sulmua nga një person më 27 prill. Atij ju hodh në fytyrë një ngjyrë e gjelbër, me ç'rast është lënduar syri i tij i djathtë. Ai po kërkon që të marrë leje për të dalë jashtë vendit për shërim. Më 4 maj, Navalny u pajis me pasaportë por avokatët e tij, e kanë njoftuar se autoritetet e kanë paralajmëruar atë që të mos largohet nga vendi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now