Mesazhi.com: “Rexhep Tajip Erdogan po e trajton Trumpin në shtëpinë e tij! – VIDEO” plus 9 more

Mesazhi.com: “Rexhep Tajip Erdogan po e trajton Trumpin në shtëpinë e tij! – VIDEO” plus 9 more


Rexhep Tajip Erdogan po e trajton Trumpin në shtëpinë e tij! – VIDEO

Posted: 17 May 2017 02:36 PM PDT

Donald Trump është i famshëm për tundjen e fortë të dorës kur takohet me dikë. Zakonisht kur është takuar me liderë të mëdhenj botëror i ka trajtuar ata si "inferior", duke ua rrahur duart. Por sot shikojeni se si Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po e trajton Trumpin në shtëpinë e tij! Me sa duket Trump nuk ka takuar lider më stoik dhe serioz sesa ky!

The post Rexhep Tajip Erdogan po e trajton Trumpin në shtëpinë e tij! – VIDEO appeared first on Mesazhi.com.

Ushtria izraelite për herë të 113-të shkatërron një fshat palestinez

Posted: 17 May 2017 12:24 PM PDT

Ushtria e Izraelit mëngjesin e sotëm për herë të 113-të është futur në fshatin palestinez Al-Arakim, i cili ndodhet në shkretëtirën Negev, ku ka shkatërruar të gjitha godinat banesore.

Anëtari i komitetit për mbrojtje në Arakib, Aziz Et-Turi për AA ka konfirmuar se forcat izraelite janë futur në fshatin e lartpërmendur ku kanë shkatërruar të gjitha shtëpitë palestineze me pretekstin se janë ndërtuar ilegalisht.

Sipas tij, nga viti 2010 e këndej, forcat izraelite kanë shkatërruar fshatin gjithsej 113 herë. "Gjendja në fshat është tragjike. Fshatarët u zgjuan me zhurmën e buldozerëve. Në fshat ka 22 familje dhe që të gjithë humbën shtëpitë e tyre", tha Turi, duke shtuar se nga shkaku i numrit të madh të prishjeve në periudhën e kaluar, shtëpitë nuk mund të rindërtohen me beton, raporton AA.

"Edhe pse ata vazhdojnë me prishjen, ne nuk do të largohemi nga fshati ynë. Ky është territori ynë. Atë që Izraeli e prish, ne përsëri do ta rindërtojmë", tha Turi.

Në Arakib jetojnë 87 palestinezë, fshati i të cilëve për herë të fundit u shkatërrua më 25 prill.

Sipas burimeve palestineze, Izraeli deri më tani ka marrë 11 prej gjithsej 12 milionë akra të zonës në të cilën jetojnë 220.000 palestinezë.

The post Ushtria izraelite për herë të 113-të shkatërron një fshat palestinez appeared first on Mesazhi.com.

Basha i thotë “PO” propozimit amerikan

Posted: 17 May 2017 12:15 PM PDT

Në Shqipëri opozita deklaroi se ajo ka pranuar plotësisht propozimin e integruar nga zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, në përpjekje për të kapërcyer krizën politike në vend duke mundësuar përfshirjen e partive opozitare në procesin zgjedhor.

Kryetari demokrat Lulzim Basha, iu drejtua sot me një letër të shkurtër kryeministrit Edi Rama duke kërkuar që dhe shumica ta pranojë pa kushte.

E majta duket se refuzon ndryshimin e datës së zgjedhjeve e cila sipas së ashtuquajturës Paketa McAllister, mund të jetë më 16 korrik.

The post Basha i thotë "PO" propozimit amerikan appeared first on Mesazhi.com.

Prishtina barazon serinë finale me Bashkimin

Posted: 17 May 2017 12:13 PM PDT

Prishtina ka shënuar fitore në takimin e dytë të serisë finale të Superligës së Kosovës në basketboll.

Plisat triumfuan në palestrën sportive 'Sezai Surroi' kundër Bashkimit me rezultat 76-73 duke barazuar serinë finale në 1:1.

Te dyja skuadrat treguan një ndeshje të nivelit të lartë, ashtu siç e meriton një finale e madhe, ku dominuan aksione të bukura dhe një atmosferë fantastike e krijuar prej tifozërive të të dyja ekipeve.

Pjesa e parë ishte një ndeshje shumë e fortë, ku u veçuan gjuajtjet e sakta dhe me plot aksione, transmeton Telegrafi.

Në saje të një mbrojtje të mirë dhe efikase të dyja skuadrave, çereku i parë i takoi prizrenasve me vetëm një pikë epërsi 22-21.

Prizrenasit 20 minutshin e parë e përfunduan në dobi të tyre me një epërsi prej pikëve, gjegjësisht me rezultat, 39-37, transmeton Telegrafi.

Edhe në vazhdim të takimit ndeshja ishte e nivelizuar dhe epërsinë më të madhe e krijuan vendasit në tetë pikë.

Periudha e tretë sërish përfundoi me epërsinë e vendasve të cilën e përfunduan këtë çerek me rezultat 60-58.

Çereku i tretë ishte më i dobët sa i përket numrit të shënimeve të pikëve në saje të gabimeve të shumta të dyja ekipeve dhe kështu takimi përfundoi në dobi të 'Plisave' me rezultat 78-73.

Basketbollisti më efikas te Bashkimi ishte Jastin Black me 22 pikë ndërsa te mysafirët më i miri ishte Mike Moser me 21 sosh.

Kujtojmë se ndeshjen e parë e zhvilluar në Pallatin e Rinisë në kryeqytet e fitoi Bashkimi me rezultat 76-66.

Theksojmë se ndeshja e tretë mes këtyre dyja skuadrave do të zhvillohet të dielën në Prishtinë.

The post Prishtina barazon serinë finale me Bashkimin appeared first on Mesazhi.com.

BBC: Historike, Trepça ’89 do të debutojë në kualifikueset e Champions

Posted: 17 May 2017 12:09 PM PDT

Për herë të parë, një skuadër kosovare do të jetë pjesë e elitës së futbollit europian për klube, me Trepçën '89 që do të ketë një vend nderi në Champions League, edhe pse në fazën parakualifikuese.

Skuadra nga Mitrovica mori edhe sigurinë matematikore si kampionia e re e Superligës së Kosovës, e për këtë arsye, rrjeti britanik BBC i kushtoi vëmendje në transmetimet e tij.

"Trepça '89 do të bëhet muajin e ardhshëm klubi i parë kosovar që do të konkurrojë në Europë, kur ata të luajnë në kualifikueset e Championsit", shkruhet në median prestigjioze britanike, BBC. Skuadra, nga shteti më i ri shqipfolës i Ballkanit, do të impenjohet në kompeticionin kontinental më 27 ose 28 qershor.

Trepça 89 është një prej 4 klubeve nga Superliga e Kosovës, që ka arritur të kalojë "sitën" e vështirë të kritereve të licencimit nga UEFA. Kosova hyri në FIFA dhe UEFA në vitin 2016, por as kampionëve të Ferronikelit, dhe as fituesve të Kupës, Prishtinës, nuk iu garantua pjesëmarrja në Europë vitin e kaluar.

Tre prej ekipeve që mund të përballen me Trepçën në Champions janë kampionët e Uellsit, The New Saints, ekipi Linfield nga Irlanda e Veriut, apo modestët e Vikingur, që fituan titullin në Ishujt Faroe. Kosovës pritet t'i shtohen dy klube edhe në Europa League, fituesi i Kupës së Kosovës dhe vendi i dytë në kampionat.

The post BBC: Historike, Trepça '89 do të debutojë në kualifikueset e Champions appeared first on Mesazhi.com.

Sonte takohen krerët e LDK-së dhe ata të Vetëvendosjes

Posted: 17 May 2017 12:06 PM PDT

Sot gjatë tërë ditës është raportuar për një koalicion të mundshëm në mes të Vetëvendosjen dhe koalicionit tashmë të arritur mes LDK-AKR.

Sonte do të takohen zyrtarët e Vetëvendosjes dhe koalicioni LDK-AKR, kjo është konfirmuar nga zyra për informim e VV-së.

Në takim do të diskutohen mundësit për koalicion mes partive për t'iu kundërvë koalicionit PDK-AAK-Nisma.

The post Sonte takohen krerët e LDK-së dhe ata të Vetëvendosjes appeared first on Mesazhi.com.

Vogëlushja nga Mitrovica kthehet pas gjashtë muajsh e shëruar nga leukemia (Video)

Posted: 17 May 2017 11:55 AM PDT

Për familjen e invalidit të UÇK-së, Dibran Qela nga Mitrovica sot ishte një ditë e veçantë, pasi që vajza e tij, Albina Qela, u kthye nga Turqia ku ishte për shërim prej gjashtë muajsh.

Shtatë vjeçarja e cila vuante nga sëmundja e leukemisë më 1 dhjetor ishte nisur për shërim në Turqi, ndërsa sot u kthye shëndosh e mirë, raporton Veriu.info.

Shërimi i saj u mundësua falë një memorandumi bashkëpunimi të bërë kohë më parë në mes Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Qeverisë turke, të realizuar përmes ambasadës së Kosovës në Turqi i cili parasheh financimin e shërimit të 100 pacientëve në vit, me ç'rast shteti turk e ka mbuluar gjithë shërimin e Albinës në spital.

Për ta pritur Albinën në aeroportin e Prishtinës kishin dalë familjarë të shumtë të saj dhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili e kishte ndihmuar dërgimin Albinës në Turqi, duke lehtësuar gjithë këtë proces, por edhe duke ia paguar personalisht biletat e udhëtimit. Bekim Haxhiu edhe në ditën e shkuarjes pë Turqi kishte dalë për ta përcjellë Albinën, shkruan Veriu.info.

Bashkë me Albinën e vogël në Turqi kishte qëndruar edhe nëna e saj për gjatë gjithë kohës.

Në një deklarim të shkurtër për Veriu.info, Dibran Qela, babai i Albinës, ka falënderuar deputetin Bekim Haxhiu, ambasadën e Kosovës në Turqi, shtetin e Turqisë, Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, por edhe kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri për ndihmën që i ka dhënë në vazhdimësi. Dibrani ka bërë të ditur se tash vajza e tij duhet të ndjek një terapi në QKUK, për një kohë të caktuar.

Kujtojmë se djemtë e Agim Bahtirit para një viti ia kishin ndërtuar një shtëpi të re Dibran Qelës.

The post Vogëlushja nga Mitrovica kthehet pas gjashtë muajsh e shëruar nga leukemia (Video) appeared first on Mesazhi.com.

Turqi, lirohet nga akuzat për terrorizëm ish-shefi i policisë

Posted: 17 May 2017 11:07 AM PDT

Një gjykatë kriminale e lartë në Stamboll liroi ish-shefin e policisë Hanefi Avcit nga akuzat për akuzat për mbështetjen e një organizate terroriste.
Në vitin 2013, Avci ishte dënuar me 15 vjet burg pasi kishte ndihmuar grupin e armatosur të Shtabit Revolucionar, duke u përpjekur të ndikonte në gjyqësor dhe duke shkelur konfidencialitetin.
Në vitin 2014, Gjykata e Kasacionit të Ankarasë shfuqizoi vendimin dhe ai u lirua në pritje të një gjyqi të mëtejshëm.
Gjykata e Stambollit gjithashtu shfajësoi Avcin lidhur me përfshirjen e dyshuar në një komplot për të rrëzuar qeverinë nëpërmjet faqes së internetit odatv.com.
Rasti u iniciua në vitin 2011 si pjesë e hetimit të Ergenekon, kur policia kontrolloi zyrat e internetit.
Dokumentet digjitale të konfiskuara, të cilat thuhet se ishin të lidhura me komplotin e Ergenekon, ishin baza e hetimit.
Avci ishte përballur me akuzat se ishte themelues, anëtar, dhe mbështetës i “organizatës terroriste të armatosur Ergenekon”. /MESAZHI/

The post Turqi, lirohet nga akuzat për terrorizëm ish-shefi i policisë appeared first on Mesazhi.com.

Trump po e ndërton “NATO-n arabe”

Posted: 17 May 2017 10:30 AM PDT

Kur Presidenti amerikan Donald Trump të mbërrijë në Riad këtë javë, ai do të paraqesë vizionin e tij për një “arkitekturë të re” të sigurisë rajonale. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e quajnë një “NATO arabe”, lëvizjen  për të udhëhequr luftën kundër terrorizmit dhe për të shtyrë mbrapsht “kërcënimin” e Iranit. Si për gurthemel të planit, Trump do të njoftojë gjithashtu një nga marrëveshjet më të mëdha të shitjes së armëve në histori.

Ka kohë që prapa skenave, administrata Trump dhe Arabia Saudite kanë zhvilluar negociata të gjera, të udhëhequr nga këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner dhe zëvendëskryetari i Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman. Diskutimet filluan pak pas zgjedhjeve presidenciale, kur Muhammed, i njohur në Uashington si “MBS”, dërgoi një delegacion për t’u takuar me Kushner dhe zyrtarë të tjerë të Trump në kullën e presidentit, Trump Tower.

Pasi që për më shumë se 8 vitesh ka qenë e zhgënjyer me tregtinë e administratës Obama, udhëheqja saudite ishte e etur për të bërë biznes.

Sauditët propozuan një zhvillim të mëtejmë të marrëdhënieve SHBA-Saudi dhe propozuan projekte të ndryshme për të rritur bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe investimet.

Ndërkohë Washinton Post ka mësuar se ekipi i Trump u dha Sauditëve një listë të prioriteteve të Trump, duke i bërë thirrje mbretërisë të rritë veprimet për të luftuar ekstremizmin dhe për të intensifikuar luftën kundër organizatës terroriste ISIS.

Në javët e fundit, administrata Trump ka ngarkuar agjenci të ndryshme qeveritare për të zhvilluar një seri njoftimesh që Trump do ta bëjë këtë fundjavë.  Një nga objektivat kryesore është krijimi i një kuadri bazë për një koalicion të unifikuar sunit të vendeve, të cilat do të vendosnin në skenë një strukturë organizative më formale të NATO-s.

“Ne të gjithë kemi të njëjtin armik dhe ne të gjithë duam të njëjtën gjë”, tha ditë më parë Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson.
Ideja e një “NATO arabe” është bllokuar për vite me rradhë – edhe pse gjithmonë ka pasur mbështetje të fuqishme saudite – por deri më tani nuk u miratua kurrë hapur nga qeveria e SHBA. Zyrtarët thanë se koncepti i përshtatet tre parimeve kryesore të politikës së jashtme “America First” duke pretenduar më shumë udhëheqje amerikane në rajon, duke zhvendosur barrën financiare të sigurisë tek aleatët.

Presidenti po kërkon një përgjigje për pyetjen se si Shtetet e Bashkuara mund të dorëzojnë përfundimisht përgjegjësinë e sigurisë në rajon në vendet që janë atje, thanë zyrtarët.

Raportet nga rajoni për diskutimet e hershme të projektit thanë se përveç Arabisë Saudite, pjesëmarrësit fillestarë në koalicion do të përfshijnë Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Jordanin, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol organizues dhe mbështetës duke qëndruar jashtë aleancës. /MESAZHI/

The post Trump po e ndërton “NATO-n arabe” appeared first on Mesazhi.com.

Plagosje në qendër të Prishtinës

Posted: 17 May 2017 09:04 AM PDT

Një person është plagosur rreth orës 6 pasdite ne Prishtinë, pranë fakultetit Filologjik.

Në vendngjarje është paraqitur policia dhe ndihma e shpejtë, ndërsa këta të fundit e kanë marrë të plagosurin.

Ende nuk dihen rrethanat e plagosjes, e as të dhëna lidhur me dorasin apo viktimën. /MESAZHI/

The post Plagosje në qendër të Prishtinës appeared first on Mesazhi.com.

Related Posts: