Mesazhi.com: “Kosova nuk i pranon më pasaportat e serbëve të Kosovës” plus 9 more |
- Kosova nuk i pranon më pasaportat e serbëve të Kosovës
- Thaçi thotë se nuk e ka përmendur “Shqipërinë e Madhe”
- Nesër seanca e Kuvendit
- Qeveria e Kosovës filloi punën për realizimin e Projektit të ujërave të zeza në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë
- Merkel: Evropa nuk duhet ta refuzojë Turqinë
- Në tri vjetët e fundit në Kosovë nuk pati vdekje nga rriqrat
- “Fol, mos u tut”, gazetarët protestojnë para Qeverisë
- Fajon: Kosova të ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacionin ose të gjejë alternativë tjetër
- Talat Xhaferi merr kabinetin e kryeparlamentarit të Maqedonisë
- Vazhdon tortura ndaj kosovarëve, shkak mosliberalizimi i vizave
| Kosova nuk i pranon më pasaportat e serbëve të Kosovës Posted: 03 May 2017 11:59 AM PDT Agjencive të autobusëve, që qarkullojnë ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë, u është kumtuar se Kosova nuk i pranon më pasaportat serbe që lëshohen për serbët e Kosovës – dokumente këto që lëshohen nga Drejtoria Koordinuese pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kanë konfirmuar agjencitë për Radion Evropa e Lirë. Autoritetet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar ende nëse ekziston një vendim i tillë, ndërkohë që Ministria e Brendshme na ka udhëzuar tek Ministria e Punëve të Jashtme, nga e cila ende presim përgjigje. Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ndërkaq, i tha Radios Evropa e Lirë se pasaportat e drejtorisë Koordinuese "asnjëherë nuk kanë qenë të pranueshme në Kosovë, sepse kanë qenë ilegale". Sipas saj, drejtoria Koordinuese për Kosovën është një strukturë ilegale. "Shtetet që na kanë njohur nuk i kanë pranuar këto pasaporta. Gjithashtu, Komisioni Evropian ka theksuar se kur të nis zbatimi i liberalizimit të vizave, do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave të Kosovës, por jo edhe pë rata që kanë këto pasaporta ilegale. Ne tani kemi hapur zyrat tona të regjistrit civil në komunat në veri me qëllim që t'i pajisim qytetarët me pasaportat tona", tha Tahiri. Por ajo, megjithatë, nuk ka qenë në dijeni të futjes në fuqi të çfarëdo vendimi të ri për pasaportat e diskutueshme. Në bazë të informatave jozyrtare që kemi marrë nga autoritetet kompetente në Beograd, në ditët e fundit kanë pranuar "një numër të vogël" ankesash nga terreni për problemet që mund të kenë pasur udhëtarët me dokumentet serbe në vendkalimet kufitare me Kosovën. Burimi ynë thotë se nga Prishtina nuk ka arritur asnjë njoftim zyrtar se Kosova nuk i pranon pasaportat serbe të lëshuara nga drejtoria Koordinuese. "Në disa ditë të fundit kemi marrë informata se janë shënuar disa raste, në disa turne të caktuara, në vendkalimet Konçul dhe Merdarë kur policë nga Kosova kanë kthyer udhëtarët me letërnjoftimet serbe. Flas për pesë, gjashtë raste dhe të gjithë kanë pasur problem me letërnjoftime dhe jo me pasaporta. Bëhet fjalë për njerëz, vendbanimi i të cilëve është shënuar në Kosovë në këto letërnjoftime", tha burimi ynë nga qeveria në Beograd. Në bazë të fjalëve të bashkëbiseduesit tonë, institucionet e Beogradit pas këtyre informacioneve kanë kërkuar nga EULEX-i që të verifikojë këto raste, kurse në vendkalimet me Kosovën këso problemesh më nuk ka.. Shoferi i Aurora tursit, Nexhat Bihorac, i tha më herët Radios Evropa e Lirë, se në kufirin e Kosovës i është thënë që udhëtarët me pasaportat serbe të lëshuara nga drejtoria Koordinuese më nuk do të mund të hyjnë në Kosovë. Një agjenci tjetër e autobusëve nga Novi Pazari gjithashtu ka konfirmuar se udhëtarët edhe janë kthyer për këtë shkak dhe se shoferëve gjithnjë u tërhiqet vërejtja për këtë, si dhe për këtë vendim janë të njoftuara edhe institucionet serbe. Kjo gjendje po vazhdon prej pesë ditësh dhe udhëtarët janë të pa njoftuar për këtë. Kur më 2009 Serbisë iu mundësua liberalizimi i vizave, Serbia atëbotë miratoi rregulloren me të cilën të gjithë atyre që kanë vendbanim në Kosovë, dokumentet e udhëtimit t'ua lëshojë drejtoria Koordinuese e MPB-së së Serbisë në Beograd. Kështu shkruan edhe në pasaporta dhe për poseduesit e tyre nuk ka vlejtur liberalizimi i vizave në vendet e BE-së. Poseduesit e këtyre pasaportave për viza është dashur t'i drejtohen ambasadave në Prishtinë ose Beograd. The post Kosova nuk i pranon më pasaportat e serbëve të Kosovës appeared first on Mesazhi.com. |
| Thaçi thotë se nuk e ka përmendur “Shqipërinë e Madhe” Posted: 03 May 2017 11:55 AM PDT Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se ai nuk e ka përmendur "Shqipërinë e Madhe", e madje askush në Shqipëri. Por, kjo sipas tij, është produkt i Serbisë. Pas debateve të shumta që erdhën për këtë temë, si nga Serbia e poashtu edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, Thaçi ka thënë se "Kosova është Kosovë, e Shqipëria është Shqipëri". "Unë nuk kam përmend Shqipëri të madhe, as askush në Tiranë. Është produkt i Beogradit për t'i justifikuar pretendimet për Serbinë e Madhe. Pët t'i justifiku angazhimet nacionaliste i ka shpikë këto për Shqipërinë e Madhe", u shpreh ai, përcjell gazetametro.net "Kosova është Kosovë, Shqipëria është Shqipëri, por nëse thuhet se është vonuar Kosova për tu futur në Bashkim Evropian është mëse e vërtetë", tha ai në përgjigjen e tij, përderisa është duke marrë pjesë në konferencën "Prishtina Media Days". The post Thaçi thotë se nuk e ka përmendur "Shqipërinë e Madhe" appeared first on Mesazhi.com. |
| Posted: 03 May 2017 06:11 AM PDT Nesër, më 4 maj, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën me pika të mbetura nga seancat e kaluara, ndërsa një javë më pas, më 11 maj, po ashtu në orën 10:00, mblidhet në seancë të re. Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të saj, të drejtuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar, në të cilën merrnin pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare. Në seancën e nesërme, Kuvendi do të votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, Propozim-rezolutën në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, rekomandimet në lidhje me mos zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimet në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë. The post Nesër seanca e Kuvendit appeared first on Mesazhi.com. |
| Posted: 03 May 2017 06:07 AM PDT Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën Franceze dhe Zyrën regjionale të Thesarit Francez, sot ka mbajtur takimin e parë të Komitetit Drejtues për realizimin e Projektit të ujërave të zeza në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë. Ky takim, shënon fillimin e proceseve për realizimin e projektit në fjalë. Në këtë takim morrën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferat Shala, ambasadori i Francës në Prishtinë Didier Chabert, udhëheqësi i Zyrës Regjionale të Thesarit Francez Jean-Marie Demange, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha, nënkryetari i Komunës së Obiliqit Nysret Kelmendi, kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Ujësjellësi Rajonal "Prishtina" Ilir Abdullahu, si dhe zyrtarë tjerë të delegacionit të Republikës së Francës dhe Republikës së Kosovës. Projekti i ujërave të zeza në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë është i një rëndësie të veçantë për qytetarët e komunave respektive dhe përgjithësisht ambientin në nivel të Kosovës. Përveç avancimit të rrjetit ekzistues të ujërave të zeza, do të ndërtohet edhe një fabrikë bashkohore për trajtimin e këtyre ujërave. Në këtë fabrikë do të trajtohen ujërat e zeza sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe pastaj uji i trajtuar do të zbrazet në lumenj. Ky projekt vlerësohet se do të arrijë një investim në vlerë rreth 86 milionë euro. Nga kjo shumë, 66 milionë euro do të huazohen me kushte shumë të volitshme nga Qeveria e Republikës së Francës, kurse pjesa e mbetur do të jetë kontribut i Qeverisë së Republikës së Kosovës. The post Qeveria e Kosovës filloi punën për realizimin e Projektit të ujërave të zeza në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë appeared first on Mesazhi.com. |
| Merkel: Evropa nuk duhet ta refuzojë Turqinë Posted: 03 May 2017 05:35 AM PDT Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi të mërkurën se Evropa nuk duhet ta refuzojë Turqinë, pavarësisht shqetësimeve për shkak të zgjerimit të kompetencave të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Merkel tha për "Berliner Zeitung", se Turqia është partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit islamik dhe se është në interesin e BE dhe NATO-s që të kenë marrëdhënie të mira me Ankaranë, transmeton Reuters. The post Merkel: Evropa nuk duhet ta refuzojë Turqinë appeared first on Mesazhi.com. |
| Në tri vjetët e fundit në Kosovë nuk pati vdekje nga rriqrat Posted: 03 May 2017 05:32 AM PDT Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, u prezantua sot rezultati i projektit: “Diagnoza dhe mbikëqyrja e Etheve Hemorragjike Krime – Kongo, Biosiguria në Kosovë 2013-2016 dhe 2017-2019”, projekt i mbështetur nga programi i partneritetit gjerman për ekselencë në siguri biologjike dhe shëndetësore – Ministria Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, implementuar nga Instituti për Mjekësi Tropikale “Bernhard Nocht”- Hamburg, në bashkëpunim me Klinikën Infektive të QKUK-së, IKSHPK dhe Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Prof. Hamdi Ramadani e hapi takimin duke falënderuar të gjithë akterët e realizimit të projektit, duke theksuar se falë projektit të realizuar me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, janë ngritur kapacitetet profesionale dhe me pajisje diagnostike, për çfarë do të shërbejnë që Kosova të jetë edhe më e përgatitur në luftën kundër Etheve Hemorragjike. Profesori Sali Ahmeti nga Klinika Infektive – QKUK tha se viti 2013 ka qenë më sfiduesi për Kosovën me Ethet Hemorragjike. Nga ky vit falë mbështetjes së Qeverisë Gjermane përmes Institutit për Mjekësi Tropikale “Bernhard Nocht”- Hamburg, dhe angazhimit edhe të Qeverisë së vendit me formimin e Këshillit Ndërministror për EHKK, gjatë tri viteve të fundit përkundër pickimeve që janë shkaktuar nga rriqrat, asnjë nuk ka përfunduar me fatalitet. Znj. Christina Gehlsen, zëvendës-ambasadore e Gjermanisë në Kosovë, tha se Kosova është vlerësuar si partnere e mirë e bashkëpunimit dhe meqenëse projekti është vlerësuar i suksesshëm dhe mjaft i rëndësishëm për Kosovën, Qeveria Gjermane ka vazhduar të mbështesë këtë projekt edhe për tri vitet e ardhshme. Dr. Petra Emmerich nga Instituti për Mjekësi Tropikale "Bernard Nocht" – Hamburg, tha se qëllimi i projektit është parandalimi i sëmundjeve mikrobiologjike si dhe parandalimin e përhapjes së tyre në nivel global. Prezantimi i aktiviteteve të projektit është bërë nga dr. Lindita Ajazi – Berisha nga Klinika Infektive, dr. Xhevat Ukaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe prof. Kurtesh Sherifi nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë. Ata thanë se falë mbështetjes së Qeverisë së Gjermanisë, si në ngritjen e kapaciteteve profesionale me anë të vizitave studimore jashtë Kosovës dhe marrjen pjesë në Konferenca Ndërkombëtare ashtu edhe me mbështetje me pajisje diagnostikuese është arritur suksese dhe përparim i ndjeshëm në luftën kundër Etheve Hemorragjike Krime – Kongo, duke bërë thirrje për kujdes, marrje të masave preventive dhe të vazhdohet me mbikëqyrje, ngase Kosova ende cilësohet si rast endemik. Më pas nga të pranishmit është vizituar reparti i pacientëve me EHKK në Klinikën Infektive si dhe Departamenti i Mikrobiologjisë në IKSHPK. The post Në tri vjetët e fundit në Kosovë nuk pati vdekje nga rriqrat appeared first on Mesazhi.com. |
| “Fol, mos u tut”, gazetarët protestojnë para Qeverisë Posted: 03 May 2017 05:30 AM PDT Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës së bashku me Këshillin për Mediat e Shkruara të Kosovës dhe të përkrahur nga organizata të shoqërisë civile organizuan një aksion protestues në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit para objektit kryesor të qeverisë në sheshin ”Skënderbeu” në Prishtinë. Folmosutut është motoja e aksionit e që për qëllim ka kundërshtimin e tendencave për të kufizuar lirinë e mediave dhe shprehjes në përgjithësi, sidomos përmes iniciativës së fundit të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në këtë protestë po ashtu është ngritur zëri kundër mosndëshkueshmërisë nga sistemi i drejtësisë ndaj rasteve të sulmeve fizike dhe kërcënimeve me jetë ndaj gazetarëve dhe profesionistëve tjerë medial. Komuniteti i gazetarëve po ashtu ka protestuar kundër censurës, për kushte më të mira të punës dhe për qasje me kohë në informacione nga institucionet publike. Që nga Janari deri në fund të Prillit 2017, AGK ka evidentuar shtatë raste të kërcënimeve verbale ndaj gazetarëve. The post "Fol, mos u tut", gazetarët protestojnë para Qeverisë appeared first on Mesazhi.com. |
| Fajon: Kosova të ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacionin ose të gjejë alternativë tjetër Posted: 03 May 2017 05:26 AM PDT Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon ka thënë të mërkurën se Kosova duhet ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ose të gjejë një alternativë tjetër, por sipas saj, vendimi duhet të merret nga politikanët e Kosovës. Ajo në një intervistë për Deutche Welle i ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës të mos i manipulojnë njerëzit dhe të mos përdorin retorikë, pasi sipas saj liberalizimi i vizave është shumë më kompleks se plotësimi i kriterit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. "Situata në Kosovë është komplekse. Kuptoj ndjeshmërinë e politikanëve të përgjegjshëm të Kosovës, të qeverisë, të parlamentit ndaj kriterit të demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Por dua të vë në dukje që ky kriter për heqjen e regjimit të vizave u vu nga Komisioni Evropian dhe për këtë qeveria Thaҫi ra dakord. Nëse ka diçka që nuk mund të pranohet tani, që nuk mund të zbatohet tani, atëherë Parlamenti dhe politikanët e Kosovës duhet të propozojnë alternativa, dëshiroj t'i inkurajoj ta bëjnë këtë. Por kam frikë, druhem se mos përdorimi i retorikës së heqjes së regjimit të vizave po përdoret nga politikanët e Kosovës për situatën e brendshme politike dhe liberalizimin e vizave po e mbajnë peng të kësaj situate. Uroj që Kosova të ketë sa më parë liberalizim të vizave dhe për këtë po përpiqem në Parlamentin Evropian. Kosova duhet ose të ratifikojë në Parlament marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi ose të gjejë një alternativë tjetër. Vendimi është për t'u marrë nga politikanët e Kosovës. U bëj thirrje të mos i manipulojnë njerëzit, të mos përdorin retorika. Liberalizimi i vizave është shumë më kompleks se plotësimi i kriterit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe politikanët e Kosovës janë dakord me këtë", tha Fajon. The post Fajon: Kosova të ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacionin ose të gjejë alternativë tjetër appeared first on Mesazhi.com. |
| Talat Xhaferi merr kabinetin e kryeparlamentarit të Maqedonisë Posted: 03 May 2017 02:30 AM PDT Kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi i është dorëzuar kabineti nga pasardhësi i tij, Trajko Veljanovski përkundër kundërshtimit nga ana e tij që këtë ta bënte pas zgjedhjes së Xhaferit për kryeparlamentar të enjten e kaluar nga shumica e re parlamentare. Shërbimet e Kuvendit tanimë kanë nisur edhe procedurën e publikimit të emërimit të tij në gazetën zyrtare për të rrumbullakësuar procesin e zyrtarizimit të tij për kryetar të Kuvendit. Pas këtij akti pritet që Xhaferi të njoftojë presidentin Gjorge Ivanov se në Kuvendin e Maqedonisë ka shumicë parlamentare dhe se mandati për kryeministër duhet ti ndahet liderit social-demokrat, Zoran Zaev. Xhaferi takimin e parë e ka realizuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar. The post Talat Xhaferi merr kabinetin e kryeparlamentarit të Maqedonisë appeared first on Mesazhi.com. |
| Vazhdon tortura ndaj kosovarëve, shkak mosliberalizimi i vizave Posted: 03 May 2017 02:19 AM PDT Nesër bëhet një vit kur Komisioni Evropian ka miratuar propozimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky lajm ishte dhënë me pompozitet nga drejtuesit politikë, por qytetarët e Kosovës ende vazhdojnë të jenë populli më i izoluar në Evropë. Kjo për shkak se Kosova pavarësisht lobimeve të shumta ende nuk gëzon liberalizimin e vizave. E pikërisht për këtë qytetarët e vendit vazhdojnë të presin me orë të tëra para ambasadave për t'u pajisur me një vizë schengen. Madje thonë se procedurat që duhet t'i kryejnë për t'u pajisur me një vizë janë të shumta, deri sa pritjet kalojnë me ditë e muaj të tërë. E deri sa qytetarët vazhdojnë të presin gjatë, ata shprehen se procedurat për t'u pajisur me një vizë janë të shumta, madje fajin për këto pritje ia hedhin Qeverisë së vendit për të cilën thonë se duhet të punojë më shumë. Ferat Zeqiri qytetar nga Peja i cili ishte duke pritur para Ambasadës së Zvicrës, tha për Ekonomia Online se janë dikund rreth 13 dokumente që një qytetari i duhen për t'i kompletuar e pastaj për të aplikuar për vizë. "Në momentin si të vjen te ambasada të jep kuptim me pa se ka shumë procedura. Në momentin që vjen një ditë duhet ta bësh një termin, pastaj dokument pas dokumenti janë afër 13 dokumente që duhet me i ofrua . Unë po filloj prej parimit se kam një biznes që e mbaj me të gjitha procedurat që i kam janë të rregullta, i kam afër 9 viza dhe të gjitha herët të njëjtën rutinë , kthehesh me kohë, shkon me kohë është tepër ajo që është duke ndodhur me neve si Kosovë", ka thënë ai. Zeqiri thotë se fajin që qytetarët vazhdojnë të presin para ambasadave e ka Qeveria e vendit, edhe pse sipas tij topi po hidhet herë te njëri e herë të tjetri. "Fajin nuk mund t'ia gjuash askujt sepse të gjithë po e hedhin topin te njëri tjetri por kryesisht me këto punë duhet të merret më tepër Qeveria, po e dimë punën e liberalizimit të vizave q ë po presim jo këtë vit jo atë vit por shkoj tepër gjatë duke prit, koha po ec ne vetëm mbetem kërkua si Kosovë rinia jonë 17 vjet duke prit para dyerve të ambasadave, nuk kemi nevojë me dal jashtë as për punë kemi punë këtu por me ta dhënë mundësinë me pa, ndërsa këtu kur vjen duhesh me prit shumë të ambasada Zvicrës nuk është në rregull një javë dit me të humb me i mbledh i ke humbje kohe", ka thënë ai. Kurse, Arben Qekaj i cili kishte ardhur po ashtu nga Peja me djalin e tij për të aplikuar për vizë pasi këtij të fundit i duhet të shkojë në Holandë për të luajtur futboll, thotë për Ekonomia Online se pavarësisht të ka mbledhur të gjitha dokumentet, po kthehen prapa pa asnjë rezultat. "Ne kemi ardhur për një vizë për çunin që ka me luajt futboll jashtë shtetit, por si duket nuk po funksionon mirë këtu diçka në ambasadë edhe kemi ardh badihava, kemi nxjerr dokumente , kemi bë sigurime dhe prapë se prapë po kthehemi mbrapa pa ndonjë rezultat. Ka shumë procedura të gjata, ndoshta edhe të panevojshme por jemi munduar me i nxjerr me i kompletua dokumentet duke pasur parasysh për të ardhmen e fëmijëve tonë, mirëpo ne po mundohemi ato pak kushte që i kemi po shteti po na ndal", ka thënë ai. Fajin për mos liberalizim të vizave Qekaj ia hedh zgjedhësve të popullit, për siç thotë edhe pse ua kanë dhënë votën këta të fundit nuk po punojnë për popullin. "Ata që ne i kemi zgjedh edhe që ia kemi besua me na udhëheq po më duket që nuk janë duke punuar sa duhet për popullin dhe njerëzit që i kanë votua. Liberalizimin e vizave nuk e bëjnë sepse janë duke bërë vetëm për atë sa kanë nevojë shtetet e huaja me na marrë sikurse Gjermania kështu që kur të bëhet liberalizimi nuk ka se kush të shkojë më jashtë", ka thënë ai. Ndalimi i kosovarëve të kalojnë lirshëm nëpër zonën Schengen po bëhet për shkak siç thuhet të mos ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Demarkacioni është kusht i vënë nga Bashkimi Evropian, i cili po torturon kosovarët çdo ditë nëpër dyert e ambasadave. The post Vazhdon tortura ndaj kosovarëve, shkak mosliberalizimi i vizave appeared first on Mesazhi.com. |
| You are subscribed to email updates from Mesazhi.com. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





