Mesazhi.com: “Hoti: Qytetarët të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve” plus 9 more

Mesazhi.com: “Hoti: Qytetarët të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve” plus 9 more


Hoti: Qytetarët të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve

Posted: 04 May 2017 06:46 AM PDT

Në kuadër të promovimit të Ligjit për faljen e borxheve publike dhe për të njoftuar për së afërmi për ecurinë e implementimit të Ligjit për faljen e borxheve publike nëpër institucionet publike, si dhe për sensibilizimin e qytetarëve për të përfituar nga falja e borxheve, ministri i Financave Avdullah Hoti sot ka vizituar drejtorinë e kompanisë së Ujësjellësit Rajonal "Prishtina" dhe drejtorinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ku është pritur në takime të ndara nga kryeshefi ekzekutiv i kompanisë Ujësjellësi Rajonal "Prishtina" Ilir Abdullahu, si dhe drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës Arben Gjukaj.

Me këtë rast, ministri Avdullah Hoti i përgëzoj të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces për të gjitha angazhimet dhe përpjekjet e tyre të deritanishme dhe në të njëjtën kohë i inkurajoj që edhe më tutje të vazhdohet me zbatimin e procedurave të duhura për të përmbushur detyrimet të cilat burojnë nga ligji.

Ai gjithashtu ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët akoma nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi të vizitojnë institucionet ndaj të cilave kanë detyrime të papaguara dhe në përputhje me Ligjin për faljen e borxheve, të aplikojnë dhe të zhvillojnë procedurat brenda afatit ligjor, në mënyrë që të mund të realizojnë të drejtat e tyre dhe të përfitojnë nga falja e borxheve deri më 1 shtator 2017.

Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se "Me qëllim të koordinimit të mirë të procesit të faljes së borxheve, si ministër i Financave më 3 shkurt 2017 kam themeluar Komisionin Koordinues Ndërinstitucional të Faljes së Borxheve. Komisioni i themeluar po ofron në vazhdimësi përkrahje teknike, procedurale dhe ligjore për të gjitha Institucionet Shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike për të garantuar kështu mbarëvajtjen e procesit në tërësi".

"Në zbatim të detyrimeve, po merren të gjitha masat e nevojshme nga Institucionet Shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike dhe brenda afateve po punohet për të identifikuar, freskuar dhe përgatitur listat e të gjithë personave, të cilët duke iu nënshtruar dispozitave të ligjit, mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike", shtoi Ministri Hoti.

Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë Ujësjellësi Rajonal "Prishtina" Ilir Abdullahu, gjatë takimit me ministrin Avdullah Hoti, duke e informuar atë dhe Komisionin për faljen e borxheve për zbatimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, falënderoi Qeverinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e mirë, ndërsa sa i përket shlyerjes së borxheve të konsumatorëve tha se edhe më tutje mbetet një numër i madh i konsumatorëve që akoma nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë që ofron Ligji për faljen e borxheve publike.

Ai gjithashtu ju bëri thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë muajve në vazhdim të shfrytëzojnë mundësinë që ju jep Ligji për faljen e borxheve publike.

Ndërsa, gjatë vizitës së ministrit Avdullah Hoti në KEK, drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës Arben Gjukaj, e informoi Ministrin dhe Komisionin për faljen e borxheve për ecurinë e deritanishme sa i përket faljes së borxheve publike, por edhe për gjendjen e minierës dhe funksionimin e dy termocentraleve.

Ai bëri të ditur se "Me Ligjin për falje të borxheve janë trajtuar gjithsejtë: 238,682 përfitues potencial, ku deri më tani kanë përfituar 117,500 konsumator. Nga vlera totale e paraparë për falje 262 milionë deri më tani janë falur 101 milionë (40%), përderisa nga vlera 96 milionë e parashikuar për tu inkasuar deri me tani janë arritur marrëveshje për 14 milionë euro" ka thënë Gjukaj.

Drejtori menaxhues në KEK Arben Gjukaj, duke falënderuar Ministrin Hoti për përkrahjen e tij të zakonshme edhe njëherë shfrytëzoi rastin që tu bëjë thirrje të gjithë konsumatorëve të KEK-ut ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që u jep Ligji për faljen e borxheve" .

The post Hoti: Qytetarët të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve appeared first on Mesazhi.com.

Aktakuzat e Speciales tek më 2018

Posted: 04 May 2017 06:35 AM PDT

Nuk pritet të ketë aktakuza të ngritura nga Specialja, deri të paktën pas Vitit të Ri.

Burime të portalit klankosova.tv kanë thënë se institucionet që do të hetojnë dhe gjykojnë krimet e pretenduara të luftës, ato kundër njerëzimit dhe krimet tjera të kryera në Kosovës, nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, do të presin vitin 2018 për të lëshuar aktakuzat e para.

Arsyetimi për këtë thuhet të jenë dy palë procese zgjedhore që mund të ndodhin në vend, sivjet.

Vendi është pranë një palë zgjedhjeve të parakohshme, të cilat me gjasë mund të mbahen në qershor, ndërsa cikli i rregullt i zgjedhjeve lokale është në nëntor.

Duke pasur parasysh këto dy palë zhvillime të rëndësishme, është diskutuar mundësia e mosndikimit në këto procese, siç edhe mund të bëhet, në rast se ka aktakuza.

"Ato do të publikohen tek vitin e ardhshëm, kur Kosova të ketë një qetësi institucionale, pasi të jenë kryer dy palë zgjedhjet dhe instaluar e stabilizuar pushtetet në nivel nacional dhe lokal", ka thënë për klankosova.tv burimi në fjalë.

The post Aktakuzat e Speciales tek më 2018 appeared first on Mesazhi.com.

Trendafilova: Zbardhja e vërtetës për krimet e dyshuara nga UÇK-ja i intereson vetë UÇK-së

Posted: 04 May 2017 06:34 AM PDT

​Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në një konferencë për media tha se zbardhja e së vërtetës për krimet e dyshuara të kryera nga UÇK-ja, i intereson vetë UÇK-së

Trendafilova tha se e rëndësishme është zbardhja e së vërtetës edhe nëse ka akuza, "sepse kjo i intereson në radhë të parë vetë UÇK-së".

"Jemi në fillim të procesit, por siguroj se ekipi i gjykatësve së shpejti do të jetë së shpejti plotësisht operativ dhe se prokurorët do të jenë tërësisht të pavarur të marrin vendime. Po ashtu duhet të kemi shumë kujdes që të mbrohen dëshmitarët", ka thënë kryetarja.

Trendafilova theksoi se që prej emërimit, përparësia e saj numër një dhe synimi i saj kryesor ka qenë ngritja e një strukture ligjore për Dhomat e Specializuara.

"Në të gjithë përpjekjet e mia të deritashme, kam qenë fuqimisht e motivuar që institucioni ynë t'u përmbahet standardeve më të larta në fushën ligjore, që të ngulisim praktikat më të mira, të marrim vendime gjyqësore sa më cilësore dhe t'i kryejmë detyrat tona me profesionalizëm dhe ndershmëri maksimale", tha Trendafilova.

Lidhur me vendimin e shqiptuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese më 26 prill e cila konstatoi se për 9 nga 208 rregulla të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, nevojitej shqyrtim i mëtejshëm nga gjykatësit e Plenares, ajo u shpreh: "Shqyrtimi dhe përfundimet e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në asnjë mënyrë nuk zbehin cilësinë e punës së kryer nga Plenarja. Nuk është e pazakontë që dokumentet legjislative t'i nënshtrohen një analize të imtësishme, dhe në këtë mënyrë përmirësohet cilësia e tyre. Kjo është një provë dhe garanci më shumë se procedurat para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kryhen në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme".

Në lidhje me hapat vijues, Trendafilova bëri të ditur se tashmë ajo është në procesin e thirrjes së seancës së dytë plenare të gjykatësve. Pritet që duke punuar në mënyrë të përshpejtuar, nga fundi i majit 2017 të miratohen korrigjimet e nevojshme të këtyre rregullave. Më pas, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do t'i shqyrtojë sërish këto rregulla.

Rregullorja e Procedurës dhe e Provave do të hyjë në fuqi shtatë ditë pasi të jetë vendosur se është në përputhshmëri me Kushtetutën. Nga ai moment, Dhomat e Specializuara do të mund të pranojnë dorëzimin e parashtrimeve dhe të kryejnë procedura penale.

Së fundi ajo theksoi: "E konsideroj nder që m'u besua udhëheqja e e këtij misioni për të mundësuar që Dhomat e Specializuara të bëjnë drejtësi në mënyrë efikase, të shpejtë, ekonomike, të pavarur nga çdo ndërhyrje dhe duke mbrojtur e garantuar sigurinë e dëshmitarëve dhe të drejtat themelore të të akuzuarve."

The post Trendafilova: Zbardhja e vërtetës për krimet e dyshuara nga UÇK-ja i intereson vetë UÇK-së appeared first on Mesazhi.com.

“Ndarje etnike” përmes operatorëve të telefonisë

Posted: 04 May 2017 06:33 AM PDT

Pas ndërprerjes së të gjitha shërbimeve të operatorëve të telefonisë mobile serbe "Telenor" dhe "VIP mobile" të cilët që nga pas lufta kanë vepruar, siç është vlerësuar, në mënyrë të pa autorizuar në territorin Kosovës, qytetarët serbë do të mund të shfrytëzojnë një operator serb të licencuar, sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel.

Por, autoritetet e telefonisë në Prishtinë, thonë se përveç operatorit të telefonisë mobile serbe, MTS.d.o, në funksion janë edhe dy operatorë tjerë, ai i Telekomit të Kosovës dhe IPKO.

Megjithëkëtë, qytetarët serbë të Kosovës shuarjen e dy operatorëve serbë e kanë parë si të padrejtë pasi, sipas tyre, "tani kanë një operator që vetë nuk e kanë zgjedhur".

Ivana Markoviq thotë se e pengon pse është e detyruar të shfrytëzojë një rrjet, dhe ka mbetur pa numrin të cilin e ka shfrytëzuar për vite me radhë.

"Nëse nuk mund ta shfrytëzojmë Telenorin dhe VIP, e njëri prej këtyre dy rrjeteve ka qenë imi, pse më duhet pikërisht të zgjedh MTS. Ndoshta nuk më pëlqen. Me nevrikos më shumë kushtëzimi në krejt këtë rrëfim. Më shumë më irriton që për marrëveshjet askush nuk flet hapur, të gjithë ne e marrim vesh në mënyrën më të rëndë, kur na prek, para së gjithash në xhep. Për të gjithë këta operatorë duhet të japim euro, dhe mua kjo aspak nuk më përshtatet", thotë ajo.

Një marrëveshje për telekomunikacionin e arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përveç dhënies së kodit telefonik për Kosovën, ka paraparë edhe shuarjen e të gjithë operatorëve, të vlerësuar ilegalë në territorin e Kosovës.

Më 1 maj, dy operatorët serbë pushuan së funksionuari, posaçërisht në veri të vendit, duke krijuar pakënaqësi në mesin e qytetarëve serbë.

Në Kosovë ekzistojnë dy operatorë të licencuar të telefonisë mobile, ai i Telekomit të Kosovës dhe IPKO, me licencë të plotë për operim në të gjithë territorin e Kosovës.

Në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës është dhënë një licencë e përkohshme dhe e kufizuar edhe për operatorin e telefonisë mobile serbe, MTS.d.o.

Operatori serb funksionon në Kosovë si rezultat i marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për telekomunikacion të vitit 2013 e pasuar me planin e veprimit të vitit 2015.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se qytetarët serbë përveç operatorit MTS d.o, kanë edhe dy operatorët tjerë në shërbim.

"Rregullimi ekonomik i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është i bazuar në parimet e transparencës, trajtimit të barabartë dhe mos diskriminimit të kompanive, por edhe qytetarëve në çfarëdo baze etnike apo në një bazë tjetër. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që kush dëshiron të përdorë operatorët, ka dy operatorë të licencuar të telefonisë mobile siç është Vala dhe IPKO dhe operatori MTS.d.o, i cili është operator i limituar dhe vetëm në pjesë të caktuara", thekson Gashi.

Gashi sqaron se në pjesën veriore të Kosovës janë prezent të gjithë këta operatorë, por operatori Vala dhe IPKO nuk ka mbulueshmëri të plotë me gjithë kuadrin e shërbimeve që ka në gjithë atë territor, por se kjo do të rregullohet shumë shpejt.

"Ne jemi duke punuar më këta operatorë që të kenë mundësi që të shtrihen në gjithë pjesët e Kosovës dhe është çështje ditëve kur mbulueshmëria me shërbime të reja 3G dhe 4G të ekzistojë edhe në pjesën veriore të Kosovës për operatorin Vala dhe IPKO", thotë Gashi.

Ndërkohë, Gashi thotë se operatori MTS.d.o, si operator i kufizuar dhe i përkohshëm, mund të veprojë vetëm në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës dhe nuk është e mundur të shtrihet më tutje.

"Ky operator ka shtrirje në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës që mund të mbulojë diku rreth 15 për qind të territorit të Kosovës, këto pjesë janë të definuara me vendndodhjen e antenave transmetuese të ashtuquajtura stacionet bazë të transmetimit të telefonisë mobile dhe ato janë të përcaktuara në 30 lokacione në gjithë territorin e Kosovës dhe mbulojnë kryesisht pjesët ku është e koncentruar popullata serbe".

"Në pjesën veriore janë rreth 22 lokacione apo antena dhe 8 antena janë në pjesë të caktuara të Kosovës një pjesë në rrethinë të Gjilanit dhe në Graçanicë", sqaron Gashi.

Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) i ndau kodin telefonik +383 Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar.

Thirrja e parë telefonike më këtë kod u realizua në shkurt të këtij viti nga PostTelekomi i Kosovës.

Kodi +383 do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës, ndërsa kodet aktuale (+377, +386, +381), do të përdoren në mënyrë paralele për një kohë deri në zbatimin e plotë të kodit +383, në mënyrë që qytetarët të mos kenë pengesa në pranimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse.

Ky proces thuhet se do të marrë kohë nga një deri në dy vjet.

The post "Ndarje etnike" përmes operatorëve të telefonisë appeared first on Mesazhi.com.

Wallström: Pozita dhe opozita të dialogojnë për demarkacionin

Posted: 04 May 2017 06:32 AM PDT

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një konferencë për media bashkë me ministren e Jashtme të Suedisë, Margot Wallstrom ka thënë se Kosova e ka përkrahjen e Suedisë për liberalizimin e vizave.

Hoxhaj më tej theksoi se Suedia në 20 vitet e fundit e ka mbështetur fuqishëm Kosovën.

Ndërkaq, ministrja e Jashtme e Suedisë, Wallstrom theksoi se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin e Evropian.

"Ne besojmë që e ardhmja e Kosovës është në Evropë. Ne po punojmë në këtë drejtim", tha ajo.

"E di që është vështirë përmbushja e kritereve siç është shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit, por inkurajoj pozitën dhe opozitën për një dialog, sepse vazhdimi i luftës kundër korrupsionit dhe miratimin e demarkacionit duhet përmbushur për të pasur Kosova liberalizimin e vizave", tha ajo.

The post Wallström: Pozita dhe opozita të dialogojnë për demarkacionin appeared first on Mesazhi.com.

Presidenti, përfitues i përjetshëm i benificioneve të shtetit

Posted: 04 May 2017 06:30 AM PDT

Në ditët kur po zhvillohet debati rreth mundësisë së rrëzimit të Qeverisë, kabineti i ministrave është kujtuar ta bëjë një ndryshim në Ligjin për Presidentin.

Ky ndryshim është i vogël në dukje por me ndikim të madh në aspektin financiar.

Me propozimin që është bërë publik nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, presidenti barazohet me të gjithë ata që përfitojnë në bazë të Ligjit për përfitimet e ish-Zyrtarëve të Lartë të Republikës së Kosovës.

Ky ndryshim është bërë me arsyetimin se në ligjin paraprak, presidenti ka qenë i përjashtuar.

"Kemi të bëjmë me një ndryshim i cili konsiston që të kemi një legjislacion të barabartë edhe për Presidentin e Republikës së Kosovës, dhe ish-zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, ngase në ligjin paraprak ka qenë i përjashtuar Presidenti i Republikës së Kosovë", ka thënë Kuçi, shkruan AktivPress.

Tash, me nenin e ri, kreu i shtetit barazohet me ish-kryetarët e Kuvendit, ish- kryeministrat, ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, ish kryetarin e Gjykatës Supreme apo edhe me ish- Kryeprokurorin e shtetit.

Me ligjin e tanishëm, përfitimi i benificioneve nga ana e presidentit pas përfundimit të mandatit të tij, është i kufizuar në pesë vjet.

Ligji e përcakton që Presidenti i Kosovës pasi ta ketë përfunduar funksionin, ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është shtatëdhjetë përqind (70%) e pagës të cilën e merr kreu i shtetit.

Pos kësaj, parashihet që Presidenti ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore.

"Presidenti i Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji ka të drejtë për periudhën pesë vjeçare pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në hapësirë zyreje, në pajisje për zyre, dhe në personel profesional të zyrës që nuk mund të jenë më shumë se tre (3) persona. Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha pesë vjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit", thuhet në Ligjin për Presidentin.

Ndryshe është rregulluar çështja e përfitimeve për zyrtarët e tjerë të lartë të shtetit, shkruan AktivPress.

Në Ligjin për përfitimet e ish-Zyrtarëve të Lartë të Republikës së Kosovës nuk janë vënë kufizimet kohore se sa gjatë mund të përfitoj nga shteti një zyrtar pas përfundimit të mandatit.

Për më tepër në këtë ligj, e drejta e përfitimit u njihet të gjithë atyre zyrtarëve të lartë të shteit që kanë ushtruar së paku gjashtë muaj mandat në krye të institucioneve.

Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se aktualisht është dhënë vetëm iniciativa që të barazohet statusi i presidentit me statusin e bartësve tjerë të pozitave të larta, për të cilët zbatohen kritere të njëjta.

Siç ka thënë ai, ndryshimet i prekin edhe ish-presidentët pas vitit 2008. Në fakt, nga ajo kohë kanë qenë tre president, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga. Prej tyre, vetëm Pacolli do ta ketë të vështirë ta realzioj të drejtën e përfitimit të benificioneve nga shteti, për shkak se zyrtarisht ka qenë në krye të shtetit për një periudhë pak më të gjatë se një muaj.

The post Presidenti, përfitues i përjetshëm i benificioneve të shtetit appeared first on Mesazhi.com.

Qeveria paralajmëron rritjen e pagave

Posted: 04 May 2017 02:14 AM PDT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme kërkoi nga Ministria e Financave, që në koordinim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të propozojë mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civilë, për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë.

Kryeministri Mustafa tha se gjatë kësaj periudhe ka pasur qëndrueshmëri të mirë buxhetore dhe lëvizje të mirë ekonomike, gjë që mundëson edhe rritjen e pagave.

"Javën e kaluar kemi aprovuar informatën lidhur me ecuritë e buxhetit dhe për kornizat për vitet e ardhshme. Kemi konstatuar se kemi një qëndrueshmëri të mirë buxhetore gjatë kësaj periudhe, kemi lëvizje të mira ekonomike. Tash, në suaza të kësaj unë dëshiroj të kërkoj nga Ministria e Financave që në mbledhjet e ardhshme, prapë në koordinim me FMN-në, të propozojë edhe mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civil dhe njerëzit tjerë që punojnë në arsim dhe në shëndetësi, në gjysmën e këtij viti, në mënyrë që të përgatitemi edhe gjatë rishikimit të buxhetit t'i kemi këto komponente dhe pastaj të zbatojmë në të ardhmen në mënyrë automatike rritjen e pagave sipas rritjes ekonomike", tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se gjatë këtyre dy viteve ka pasur rritje të konsiderueshme ekonomike, e cila mundëson një lëvizje sa i përket rritjes së pagave në të ardhmen.

"Do të kemi parasysh edhe sektorin privat, në mënyrë që të mos krijojmë diferenca shumë të mëdha, të cilat pastaj nxisin ikjen e kuadrove nga një sektor në sektorin tjetër. Nëse pajtoheni do të kërkojmë nga Ministria e Financave që të vije me një propozim të caktuar gjatë përgatitjes së ndryshimit dhe plotësimit të buxhetit për vitin e ardhshëm", tha kryeministri Mustafa.

The post Qeveria paralajmëron rritjen e pagave appeared first on Mesazhi.com.

Rriten remitancat e kosovarëve

Posted: 04 May 2017 02:13 AM PDT

Paratë e dërguara nga emigrantët në Kosovë deri në muajin shkurt, janë rritur në 5.6% nga viti në vit, që i bie të jenë 50.7 milionë euro apo 55.3 dollarë.

Kështu janë të dhënat në raportin e fundit të lëshuar nga banka qendrore, njofton Klan Kosova.

Kosovarët e jashtëm zakonisht zgjedhin që operatorët e transferimit të parave të jenë miqët apo të afërmit e shtëpisë.

Hyrja e dërgesave të emigrantëve të huaj në Kosovë është rritur në 691 milionë euro në vitin 2016, krahasuar me 665.5 milionë euro në vitin 2015.

Nga kosovarët që jetojnë në Gjermani u dërguan gjithsej 148.4 milionë euro dhe 90.5 milionë euro nga ata që jetojnë në Zvicër.

Në regjistrimet më të fundit thuhet se Kosova kishte një popullsi prej 1.77 milionë banorë në vitin 2015.

Ndërkaq sipas informacioneve të fundit zyrtare të disponueshme, më shumë se 700,000 kosovarë jetonin jashtë vendit në 2014, me 35% të tyre që banonin në Gjermani, njofton Klan Kosova.

The post Rriten remitancat e kosovarëve appeared first on Mesazhi.com.

Qeveria i thotë PO ndryshimit të ligjit për Presidentin

Posted: 04 May 2017 01:15 AM PDT

Qeveria e Kosovës ka miratuar projekligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Presidentin e Kosovës.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi deklaroi se ky projektligj ka të bëjë me një ndryshim i cili konsiston që të kemi një legjislacion të barabartë edhe për Presidentin e Kosovës, si të ish-zyrtarit të lartë të Kosovës, ngase me ligjin paraprak ka qenë i përjashtuar Presidenti i vendit, transmeton Klan Kosova.

Sipas tij, me ketë nen barazohet Presidenti i Kosovës, ish-Presidenti, ish-kryetari i Kuvendit, kryeministri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorit të shtetit.

Nga ana e tij, kyeministri Isa Mustafa sqaroi se nuk flitet për Presidentin aktual, pasi është dhënë iniciativa vetëm që të barazohet statusi i Presidentit me statusit e bartësve tjerë të pozitave të larta.

Sipas tij, kjo i takon edhe ish presidentëve, pas vitit 2008.

The post Qeveria i thotë PO ndryshimit të ligjit për Presidentin appeared first on Mesazhi.com.

Dhuna në Kuvend, kallëzime penale për 22 protestues

Posted: 04 May 2017 01:14 AM PDT

Siç bëhet e ditur, në prokurori kanë arritur edhe disa raporte të veçanta nga Ministria e Brendshme për hetimin e përgjegjësisë së tre deputetëve të VMRO-së që besohet t'i kenë hapur dyert e Kuvendit protestuesve për të hyrë brenda këtij institucioni ndërsa njëri prej tyre mendohet që të ketë udhëzuar protestuesit për tek salla e konferencave për media ku ndodheshin deputetët e LSDM-së dhe të partive shqiptare, të cilët u dhunuan mizorisht nga protestuesit.

Në shënjestër të hetimeve janë edhe struktura tjera të MPB-së që mendohet të kenë bashkëpunuar me protestuesit apo edhe të kenë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejt në dhunë. Se strukturat e MPB-së nuk ke kanë kryer detyrën e konfirmoi edhe vet ministri Agim Nuhiu në paraqitjen e raportit hetues një ditë më parë.

"Ajo që ndodhi të enjten në Kuvend ishte një e keqe e madhe. Dëshiroj të njoftoj opinionin se kam formuar grup punues i përbërë nga njerëz profesionistë në MPB, i cili duhet të konfirmojnë se a kanë punuar në pajtueshmëri me proceduratShtabi operativ dhe njësitë tjera organizative në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kthim prapa nuk ka. Gjërat duhet zbardhur deri në fund dhe secili do të përgjigjet për veprimet e veta", ka deklaruar ministri Nuhiu duke njoftuar nisjen e procedurës për shkarkimin e Mitko Çackovit nga detyra e drejtorit të drejtorisë së siguri dhe kundërzbulim.

Njohësit e çështjeve të sigurisë thotë se pikërisht Çavokov është përgjegjës kryesor për shkaktimin e dhunës edhe pse i njëjti u shfajësua duke thënë se për incidentin në Kuvend ishte njoftuar me dy orë vonesë pavarësisht se ai kryesonte shtabin operativ për ndjekjen e protestave.

"Të dhënat që posedojmë, thuhet se individë të MPB-së, të policisë sekrete dhe strukturave tjera të sigurisë kanë marrë pjesë në dhunë. Përgjegjësi duhet të ketë si politike ashtu edhe penale. Vlerësoj se Mitko Çavkov si shef i shtabit operativ duhej të ishte i pari i njoftuar mepushtimin e Kuvendit. Ai madje duhet të ishte i njoftuar apo të zbulonte planin e protestuesve për hyrjen me dhunë në Kuvend, por duket qartë se ai këtë jo vetëm që nuk e bëri por edhe ofroi logjistikë për veprën e tyre penale", thotë Pavle Trajanov, ish Ministër i Punëve të Brendshme.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se hetimet lidhur me ngjarjen e 27 prillit po zhvillohen me dinamikë të mirë, por vërejtja kryesore e tyre ka të bëjë me ndalimin e personave të përfshirë në dhunë.

Mirjana Najçevska, eksperte juridike dhe aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thotë se në liri ende janë organizatorët kryesor të dhunës së ushtruar mbi deputetëve dhe gazetarët në hapësirat e Kuvendit.

"Të gjithë ata që kanë nxitur, ata që e kanë udhëhequr dhunën dhe ata që në mënyrë direkte kanë marrë pjesë në aktet e dhunës duhet që sa më shpejt që të jetë e mundur që të largohen nga rruga apo të arrestohen që të mos kenë mundësi të përsëritin veprën”.

“Veç kësaj duhet që të vendoset edhe rendi sa i përket protestave në rrugë, ato duhet të parandalohen pasi paraqesin rrezik për jetën e njerëzve, në veçanti ata që i organizojnë e që mund të keqpërdorin masën jo vetëm për funksionimin normal të institucioneve por edhe për sulme të mundshme terroriste, siç patëm rastin të shohim të enjten e kaluar", thotë Najçevska.

Sulmi i dhunshëm në Kuvend është dënuar nga i gjithë faktori ndërkombëtar duke kërkuar zbulimin e shpejtë të organizatorëve dhe pjesëmarrësve në dhunë dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë. Nga dhuna e ushtruar kanë pësuar shumë deputet ndërsa së rëndi ka pësuar Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët i cili ende po mbahet për trajtim mjekësor në spital.

The post Dhuna në Kuvend, kallëzime penale për 22 protestues appeared first on Mesazhi.com.