“Trump në Twitter: Gjërat ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë do të jenë të mira” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Trump në Twitter: Gjërat ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë do të jenë të mira
- Rusia: Pranimi i Malit të Zi në NATO – thellësisht i gabueshëm
- Shefi i UNMIK-ut kërkon hetim ligjor për deklaratat e Daut Haradinajt
- BE: Thirrje opozitës në Shqipëri për përfundim të bojkotit parlamentar
- Pentagoni: Sulmi ajror i ka vrarë gabimisht 18 pjesëtarë të forcave aleate
- SHBA vazhdon përkrahjen ndaj Kosovës
- Maqedoni: Administrata në shërbim të politikave qeveritare
- Sondazhet parashohin se referendumi në Turqi do të kalojë
- Tillerson e Putin nuk biseduan për takimin Trump-Putin
- Papa: Dhuna nuk është kurë për botën tonë të thyer
- Sulmi në Dortmund: Nuk ka prova kundër irakianit të arrestuar
- Ministri Gabriel thirrje Kuvendit të Kosovës ta ratifikojë demarkacionin
- Rusia “ka dështuar” të mbrojë viktimat e Besllanit
- Ministri i Jashtëm gjerman viziton Kosovën
- Nje delegacion i Kongresit amerikan viziton aleatët e NATO-s në Evropë
- Verifikimi i personave që ikin nga vatrat e luftës
- Merkel: Bisedat me Trumpin - të mira, pavarësisht dallimeve
- Malala merr shtetësinë e nderit të Kanadasë
- Ministri i jashtëm gjerman viziton Kosovën
- Gjykata evropiane vendos sot për rastin e Besllanit
| Trump në Twitter: Gjërat ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë do të jenë të mira Posted: 13 Apr 2017 09:26 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sot në rrjetin Twitter e ka pulbikuar një vlerësim optimist për raportet me Rusinë në afat të gjatë, duke thënë se "gjërat do të funksionojnë mirë ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë". "Në kohën e duhur secili do të arrijë në ndërgjegjësimin e vet dhe do të ketë paqe të qëndrueshme", ka shkruar, po ashtu, Trump. Ky postim u bë më pak se 24 orë pasi presidenti Trump tha se udhëtimi i sekretarit amerikan të shtetit, Rex Tillerson, në Moskë, ka shkuar "mjaft mirë" dhe "ndoshta më mirë se që është pritur", por se raportet SHBA-Rusi "ndoshta janë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave". Në komentet e tij dje në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump është shprehur se do të ishte "fantastike" sikur të dy shtetet të afroheshin, por ka tërhequr vërejtjen se "mund të ndodhë e kundërta". Lavdërimet e zotit Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe për bashkëpunim më të mirë, i patën shtuar pritjet në Moskë për përmirësim të marrëdhënieve, pasi Trump u inaugurua në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, por tensionet kanë vazhduar. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusia: Pranimi i Malit të Zi në NATO – thellësisht i gabueshëm Posted: 13 Apr 2017 08:29 AM PDT Ministria e jashtme e Rusisë sot ka vlerësuar se pranimi i Malit të Zi në NATO është lëvizje "thellësisht e gabueshme", që krijon ndarje në Evropë. Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për ta nënshkruar pranimin e Malit të Zi në NATO, "reflekton logjikë të konfrontimit në kontinetin evropian dhe krijon linja të reja ndarëse", tha kjo ministri nëpërmjet një kumtese. Nga ana tjetër, presidenti Trump mbrëmë vonë në Uashington, tha se prej themelimit të saj, NATO-ja e ka dyfishuar numrin e shteteve anëtare, përfshirë tash edhe Malin e Zi. "Prej vitit 1949, shtetet anëtare të NATO-s janë shtuar më tepër se dy herë, duke u rritur prej 12 në 28. Të hënën unë e nënshkrova protokollin për ta miratuar të 29-tin: vendi i Malit të Zi", tha presidenti amerikan, Donald Trump. Popullata e Malit të Zi në Detin Adriatik, është kryesisht e përbërë nga sllavët ortodoksë dhe Moska për një kohë të gjatë konsiderpon se është në sferën e saj të interesit, raporton agjencia AFP. Për shkak të procedurave, Mali i Zi do të bëhet anëtar i NATO-s në fund të këtij viti, me ç'rast do të përforcohet prania e aleancës veri-atlantike në Ballkan, pasi tash shtete anëtare janë Shqipëria, Kroacia dhe Greqia. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shefi i UNMIK-ut kërkon hetim ligjor për deklaratat e Daut Haradinajt Posted: 13 Apr 2017 08:19 AM PDT Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, ka kërkuar nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë që të bëjnë hetime lidhur me një deklaratë të Daut Haradinajt, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kërkesën e tij, Tanin e ka bërë përmes një komunikate për medie, ditën e hënë, duke thënë se "deklarata e deputetit të Kuvendit të Kosovës, përmbante gjuhë të urrejtjes dhe kërcënim për pastrim etnik". Në komunikatë, Tanin u ka bërë thirrje "autoriteteve gjyqësore për të kryer hetimin e nevojshëm të këtij incidenti dhe të marrë masat e duhura në përputhje me ligjin e Kosovës". Administrata e UNMIK-ut, nuk ka komentuar më shumë në lidhje me deklaratën e lëshuar nga shefi i këtij misioni në Kosovë, Zahir Tanin. Zëdhënësja e UNMIK-ut në Prishtinë, Sanam Dolatshahi, në një përgjigje me shkrim, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjithçka është thënë në deklaratën e shefit të UNMIK-ut. "Siç është thënë në deklaratë, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm ka bërë thirrje për hetime në harmoni me ligjet e Kosovës", ka thënë Dolatshahi. Kërkesa e shefit të UNMIK-ut drejtuar autoriteteve të drejtësisë, pas deklaratës që deputeti Daut Haradinaj e ka dhënë gjatë një interviste në Radio Televizonin Dukagjini, ku ka folur lidhur me mundësinë e ekstradimit në Serbi nga autoritetet franceze, të vëllait të tij, liderit të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinajt. "Në rast se gabojnë të bëjnë këso veprimesh, atëherë, ata le të bëhen gati për tema më serioze. Nëse duan Kosovën etnikisht të pastër, pa serb, le të bëjnë hajgare me Ramushin". Shefi i UNMIK-ut, Tanin, të mërkurën ka pasur takim me Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme. Anëtari i këtij komisioni, Pal Lekaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se kishte kërkuar sqarime nga zoti Tanin, lidhur me kërkesën e tij. "Ai tha 'nëse ka hapësirë për tu hetuar, atëherë është çështje e brendshme e juaja'. Kam kërkuar sqarim dhe kam ngritur edhe një paralele, me prononcimin e ish presidentit të Serbisë Nikoliq, kur ai pati thënë 'unë jam i gatshëm të marrë armët dhe bashkë më djemtë të shkojë të luftojë në Kosovë, t'i luftojë shqiptarët'. Prandaj, asnjë ngritje, asnjë shqetësim nuk e ka treguar UNMIK-u dhe shefi i UNMIK-ut që është në Kosovë dhe në këtë drejtim, i kam thënë që 'duhet të jeni të barabartë dhe të mos jeni të njëanshëm', sepse këso deklaratash bëjnë për çdo ditë zyrtarët më të lartë të shtetit të Serbisë". Sipas deputetit Lekaj, deklarata e Daut Haradinajt është keqkuptuar dhe se domethënia e kësaj deklarate është që "Serbia po mundohet të bëj pastrim, me veprimet e saj ndaj zotit Haradinaj", i cili sipas tij, "politikisht gjendet në Francë". Por, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka cilësuar deklaratën e Daut Haradinajt si të pamatur dhe të papranueshme. Por, megjithatë, sipas tij, kërkesa e shefit të UNMIK-ut për hetim të deklaratave të Haradinajt, nuk është përcjellë me ndonjë fakt për ndonjë veprim të Haradinajt që ndërlidhet me deklaratën. "Nuk e di se a ekziston një bazë ligjore që të bëhet kjo. Mirëpo, është e qartë, së paku deri më tani, që nuk ka pasur asnjë veprim të zotit Daut Haradinaj, që kishte lënë për tu kuptuar se po bëhet diçka konkretisht për deklaratën e tij të dhënë më herët. Do të thotë, ne nuk kemi parë as edhe ndonjë veprim më të voglin. Prandaj, nuk e di nëse ka pasur të drejtë përfaqësuesi i UNMIK-ut që të kërkojë nga prokuroria që ta hetojë këtë rast". Blakaj ka shprehur përshtypjen se "shefi i UNMIK-ut i ka dhënë rëndësi më të madhe se sa që duhet" deklaratës së deputetit Haradinaj. Deklarata të ngjashme, madje edhe më të rënda, sipas tij, janë në diskursin e përditshëm të politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve në rajon, e sidomos në Serbi dhe ndaj të cilave, nuk ka pasur reagime të ngjashme sikurse ndaj deklaratës së Haradinajt. Në anën tjetër, me gjithë kërkesën që Radio Evropa e lirë e ka bërë në Prokurorinë e Shtetit të Republikës së Kosovës, që të sqarojë nëse ka bazë për hetimin e Daut Haradinajt lidhur me deklaratën e tij, zyrtarët e prokurorisë deri më tash nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| BE: Thirrje opozitës në Shqipëri për përfundim të bojkotit parlamentar Posted: 13 Apr 2017 08:12 AM PDT Bashkimi Evropian mbrëmë i ka bërë thirrje opzitës në Shqipëri, që ta përfundoj bojkotin parlamentar dhe të marrë pjesë në fillimin e reformave në sistemin e drejtësisë, të cilat konsiderohen përpjekja kryesore e Tiranës për integrim në BE. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, dhe komisionari për negociata për zgjerim, Johannes Hahn, e kanë shpallur një deklaratë të përbashkët, ku theksohet se fillimi i reformës së drejtësisë është "hap madhor për këtë vend për anëtarësim në BE", raporton agjencia AP. Mëtutje ata thanë se debati politik do të duhej të bëhej "brenda në parlament, sipas praktikaave demokratike". Lideri i Partisë Demokratike opozitare në Shqipëri, Lulzim Basha, dje i ka akuzuar "diplomatët e lartë në Tiranë" duke mos i emëruar, për mbështetje të kryeministrit, Edi Rama, për ta vendosur sistemin e drejtësisë nën kontroll të Partisë Socialiste të tij. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pentagoni: Sulmi ajror i ka vrarë gabimisht 18 pjesëtarë të forcave aleate Posted: 13 Apr 2017 08:00 AM PDT Një sulm ajror i kryer nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që lufton kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, gabimisht i ka vrarë 18 luftëtarë aleatë në pjesën veriore të Sirisë, thaPentagoni. Në njoftimin e sotëm, Pentagoni tha se aeroplanit i ishin dhënë koordinata të gabuara nga "forcat partnere" për sulm, që synonte t'i qëllonte militantët e IS-it në qytetin Tabka. Sulmi i pardjeshëm e kishte goditur një pozicion të avancuar të Forcave Demokratike Siriane Kurde (SDF), duke i vrarë 18 luftëtarë. Pentagoni ka shprehur "ngushillimet më të thella" të koalicionit për SDF-në dhe familjet e të vrarëve. Trupat e SDF-së të mbështetura nga ajri dhe toka nga koalicioni që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, e kanë rrethuar qytetin Tabka, që është afër lumit Eufrat, pranë pendës dhe një aeroporti ushtarak. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| SHBA vazhdon përkrahjen ndaj Kosovës Posted: 13 Apr 2017 07:29 AM PDT Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta lënë vetëm Kosovën dhe Uashingtoni mbetet i përkushtuar ta ndihmojë atë, ka deklaruar të enjten në Prishtinë, senatori John McCain. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Maqedoni: Administrata në shërbim të politikave qeveritare Posted: 13 Apr 2017 06:13 AM PDT Administrata publike në Maqedoni vazhdon të rritet përkundër thirrjeve të vazhdueshme për nevojën e shkurtimit, por edhe të profesionalizmit të saj. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe administratë publike, numri i shërbyesve publik sillet në rreth 129 mijë persona, por në këtë numër nuk janë përfshirë të zgjedhurit nëpër institucione si deputetë, ministra, këshilltarë e funksionar të tjerë. Njohësit e çështjeve juridike, thonë se numri i të punësuarve në administratën publike është shumë më i lartë ndërsa shprehin shqetësimin për vazhdimin e partizimit të këtij segmenti shumë të rëndësishëm në vend. "Ky numër gjithsesi se është shumë më i madh, besoj se numri sillet në rreth 180 mijë e jo në 120 mijë apo më shumë siç deklarojnë nga ministria përkatëse. Ata kanë interes që të fshehin numrin real të shërbyesve administrativ pasi është fakt se ky numër ka një kosto të lartë mbi buxhetin e shtetit", thotë Temelko Ristevski, profesor në Universitetin FON të Shkupit dhe njohës i sferës së administratës publike. Se administrata është joprofesionale flet edhe raporti i fundit i Avokatit të Popullit. Kreu i këtij institucioni Ixhet Mehmeti, thotë se nevojitet një analizë e detajuar mbi nevojat dhe obligimet e çdo të punësuari në administratë. "Ende kemi institucione jofunksionale, të politizuara madje deri në skajshmëri. Disa prej tyre realizojnë edhe agjenda partiake. Pa një analizë konkrete të nevojave të administratës nuk mund të flasim, nuk mund të flasim për një sistem administrative kualitativ", thotë Mehmeti duke shprehur dëshpërimin nga siç thotë anashkalimi apo mosmarrja parasysh e vërejtjeve që ka konstatuar zyra e tij. Reformat kyçe që priten nga administrata publike kanë të bëjë me profesionalizimin dhe departizimin e shërbimit shtetëror. Kjo është theksuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian i cili ka konstatuar mangësi të shumta në punën e administratës, si presione ndaj të punësuarave, mungesë të transparencës, rritje artificial të numrit të të punësuarve pa respektimin e kritereve as minimale për nevojën dhe shërbimet që duhet të ofrojnë. Borçe Davitkovski, njohës i çështjeve të administratës dhe profesor në fakultetin juridik të Universitetit të Shkupit, thotë se për zbatimin e reformave në administratë pikë së pari nevojitet vullnet politik. Ai thotë se ligjet ekzistojnë por se mungon vullneti për zbatimin e tyre në praktik. "Në Maqedoni çdo herë ka qenë problem që të ketë vullnet për reforma të vërteta. Në botë ekzistojnë dy modele të administratës, njëri në funksion të realizimit të të drejtave të njeriut dhe tjetri në funksion të realizimit të politikave qeveritare. Të gjitha shtetet perëndimore praktikojnë modelin e parë, dhe për fat të keq Maqedonia ende është në fazën ku administrata është në funksion të realizimit të politikave qeveritare", thotë Davitkovski. Sipas të dhënave të raportit vjetor numri më i madh i të punësuarve është me arsim të lartë, apo rreth 48 mijë persona, me arsim të mesëm afër 36 mijë, mbi 8 mijë me arsim fillor, mbi dy mijë magjistra dhe mbi 1.700 doktor shkencash. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Sondazhet parashohin se referendumi në Turqi do të kalojë Posted: 13 Apr 2017 05:47 AM PDT Dy sondazhe të opinionit treguan sot se shumica e turqve do të votojnë me "po" në referendumin e së dielës për ndryshimin e Kushtetutës. Ndryshimi parasheh kompetenca të reja për presidentin Recep Tayyip Erdogan. Kompania e sondazheve Konda tha se numri i votuesve me "po" qëndron në 51.5 përqind dhe sqaroi se anketat e saj kanë pasur një margjinë gabimesh prej plus ose minus 2.4 përqind. Sondazhi i kompanisë Gezici tha se mbështetja për ndryshimin e Kushtetutës qëndron në 51.3 përqind. Nëse kalon, referendumi do ta kthejë Turqinë nga një republikë parlamentare në republikë presidenciale. Në atë rast, presidenti do të ketë fuqi të pambikëqyrur për të emëruar dhe shkarkuar ministra, do të mund të shpërndajë parlamentin për çfarëdo arsye dhe do të mund të miratojë ligje me urdhra ekzekutivë. Fushata për referendum ka dëmtuar marrëdhëniet e Turqisë me disa aleatë në Evropë, pasi këta të fundit nuk u kanë lejuar autoriteteve turke të mbajnë tubime politike në territoret e tyre. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Tillerson e Putin nuk biseduan për takimin Trump-Putin Posted: 13 Apr 2017 05:07 AM PDT Kremlini tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, gjatë takimit në Moskë, nuk kanë diskutuar për perspektivat e një takimi midis Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, i bëri këto komente për gazetarët. Ai tha se takimi i Putinit me Tillersonin, një ditë më parë, ka qenë "mjaft konstruktiv". Putin shpalosi "një analizë jashtëzakonisht të rëndësishme" të marrëdhënieve SHBA-Rusi, për të cilën shpreson se do t'i transmetohet Trumpit, tha Peskov. I pyetur nëse Putin dhe Tillerson kanë diskutuar mundësinë e takimit Putin-Trump, Peskov tha: "Jo". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Papa: Dhuna nuk është kurë për botën tonë të thyer Posted: 13 Apr 2017 04:41 AM PDT Papa Françesku lëshoi një apel të ri për paqe në botë, në prag të Festës së Pashkëve. "E gjitha çfarë dua është të bëj thirrje edhe më të fuqishme për paqe në botë, e cila është shkatërruar nga trafikantë, të cilët përfitojnë nga gjaku i burrave dhe grave", tha Papa Françesku në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica. "Dhuna nuk është kurë për botën tonë të thyer", shtoi ai. Pashkët, që bien të dielën, festojnë ringjalljen e Jezusit dhe janë festa më e rëndësishme e të krishterëve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Sulmi në Dortmund: Nuk ka prova kundër irakianit të arrestuar Posted: 13 Apr 2017 04:05 AM PDT Prokurorët gjermanë thanë se nuk ka prova se një person irakian, i cili është ndaluar pas shpërthimeve me bomba pranë autobusit të një ekipi të futbollit, ka qenë i përfshirë në sulm. Prokurorët thanë se 26-vjeçari dyshohet se është anëtar i grupit militant Shteti Islamik. Megjithatë, ata thanë se "deri më tash, hetimet nuk kanë dhënë prova se i dyshuari ka marrë pjesë në sulmin në Dortmund", më 11 prill. Tri bomba kanë shpërthyer pranë autobusit të ekipit Borussia Dortmund, duke plagosur një lojtar dhe një polic. Prokurorët thanë se personi irakian dyshohet se i është bashkuar një dege të Shtetit Islamik në Irak më 2014 dhe se ka udhëhequr një njësi prej rreth dhjetë luftëtarësh, e përfshirë në përgatitjen e kidnapimeve, grabitjeve dhe vrasjeve. Ata i kërkuan gjykatës ta mbajnë në paraburgim. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ministri Gabriel thirrje Kuvendit të Kosovës ta ratifikojë demarkacionin Posted: 13 Apr 2017 02:56 AM PDT Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë 'marrëveshjen për demarkacion të kufirit me Malin e Zi". Gabriel tha të enjten se Kosova ka arritur përparime në fusha të ndryshme dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve të saj, i duhet "ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi", si një kusht që BE-ja e ka vendosur para Kosovës. "Porosia ime për ju dhe deputetët e Kuvendit, është që të mirëmbahet marrëdhënia me Malin e Zi e cila nuk është problematike. I bëj thirrje Kuvendit të Kosovës ta ratifikojë demarkacionin, me qëllim që ta marrë këtë porosi për partnerët tanë në BE, për të gjetur zgjidhje pragmatike", tha Gabriel. Ministri i jashtëm gjerman tha në Prishtinë se 'frika nga rilindja e konflikteve të vjetra në Ballkanin Perëndimor është ende e pranishme", por vlerësoi se evitimi i konflikteve "varet nga hapat që do të ndërmarrin të gjithë, në veçanti shoqëritë në rajonin e Ballkanit". Ministri Gabriel nga mesi i javës nisi vizitën e tij në Serbi dhe në Kosovë në kohën e tensioneve të rritura në Ballkanin Perëndimor dhe pas pezullimit të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, të nisur prej më shumë se 5 vjetësh. Shefi i diplomacisë gjermane bëri thirrje për vazhdimin e dialogut 'në nivel të lartë politik' duke e cilësuar si domosdoshëm për përparimin e të dyja vendeve. "Të dyja palët e kuptojnë se nuk ka alternativë tjetër përvec komunikimit ndërmjet vete", tha Gabriel. Ai tha se 'është i nevojshëm një raport paqësor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të ndihmojë stabilitetin rajonal'dhe njëkohësisht theksoi se të dyja palët duhet të 'evitojnë provokimet'. "Një marrëdhënie e qetë dhe e pranueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është parakusht për anëtarësimin e tyre në BE. Kjo rrugë kërkon përpjekje të mëdha dhe njëkohësisht edhe angazhimin e BE-së për të përcjellë procesin", tha Gabriel. Ministri i jashtëm gjerman tha se vendi i tij 'mbanë hapur derën e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën', por bëri të ditur se procesi i anëtarësimit 'nuk është i lehtë dhe kërkon përmbushjen e kushteve, për të cilat duhet edhe përkrahje nga vendet e BE-së'. Duke vlerësuar përparimin në Kosovë, posacërisht në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gabriel bëri thirrje për përparim në përmbushjen e reformave në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe lirinë e medieve që do të ndikojë, tha ai, edhe në krijimin e një klime të mirë për investitorët e huaj. Gabriel foli edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, duke thënë se "Kosova ka të drejtë për të pasur një ushtri sovrane, ashtu sic e kanë edhe të gjitha shtetet e tjera, por kjo duhet të bëhet me një gjithëpërfshirje të të gjithëve në shoqëri dhe duhet të ndihmojnë edhe shtetet fqinje dhe BE-ja. Ministri i jashtëm gjerman u takua në Prishtinë me kryeministrin Mustafa dhe me ministrin e jashtëm Enver Hoxhaj. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në konferencën e përbashkët me ministrin gjerman Gabriel se Kosova do të ketë Forcat e saj të Armatosura por "procesi duhet të kryhet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian". Mustafa tha se ka folur me ministrin gjerman edhe në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Ai tha se dialogu është e vetmja alternativë dhe ai do të "vazhdojë dhe do të përmbyllet ky proces i normalizimit". "Dialogu ka dhënë rezultate pozitive dhe ka shtensionuar raportet me Serbinë. Jemi të interesuar që të punohet në zhbërjen e të gjitha strukturave paralele serbe që ende funksionojnë në Kosovë. Ta bëjmë një agjendë më të ngjeshur të çështjeve dhe të përmbyllim procesin deri në njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve", ka thënë Mustafa. Mustafa tha se së shpejti do të nisin procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, pas 'rikthimit në institucioneve të përfaqësuesve serbë', në përputhje me kornizën ligjore të vendit. Kryeministri Mustafa ka bërë thirrje për investime më të mëdha gjermane dhe posacërisht, siç tha, 'investime të drejtpërdrejta'. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusia “ka dështuar” të mbrojë viktimat e Besllanit Posted: 13 Apr 2017 02:43 AM PDT Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut konstatoi se Rusia ka dështuar të parandalojë rrethimin e shkollës në Besllan, më 2004, në të cilin janë vrarë mbi 300 njerëz. Operacioni për t'i dhënë fund rrethimit, me përdorimin e armëve të rënda, dhe hetimet që kanë pasuar u kritikuan po ashtu. Në rrethim, rebelët çeçenë kanë marrë peng mbi 1,000 veta, shumica e tyre fëmijë. Rrethimi ka përfunduar në ditën e tretë, kur forcat ruse të sigurisë kanë hyrë në ndërtesë. Disa nga të mbijetuarit, të afërmit e viktimave dhe rusë të tjerë fajësojnë autoritetet për shumicën e vdekjeve, por asnjë zyrtar rus nuk është mbajtur përgjegjës për numrin e lartë të viktimave, që kanë përfshirë edhe 186 nxënës. Mbi 400 njerëz kanë paraqitur rastin në Gjykatën e Strasburgut pasi hetimi rus ka ngecur vite më parë. Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut tha se Rusia duhet t'iu paguajë gati 3 milionë euro dëmshpërblim të afërmve të viktimave. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ministri i Jashtëm gjerman viziton Kosovën Posted: 13 Apr 2017 02:31 AM PDT Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ka arritur në Prishtinë në një vizitë zyrtare pas qëndrimit në Beograd dhe bisedave me zyrtarët e lartë shtetërorë serbë. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, shefi i diplomacisë gjermane, Gabriel u takua me kryeministrin Mustafa dhe me ministrin e jashtëm Enver Hoxhaj. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Nje delegacion i Kongresit amerikan viziton aleatët e NATO-s në Evropë Posted: 13 Apr 2017 01:44 AM PDT Kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Paul Ryan, ligjvënës republikan, do të kryesojë një delegacion të anëtarëve të Kongresit që do të vizitojë Evropën javën e ardhshme, për të takuar liderët e aleatëve të NATO-s. Ligjvënësit amerikanë do të takojnë zyrtarë qeveritarë dhe ushtarakë në Britani, Norvegji, Poloni dhe Estoni, "për të rishikuar dhe diskutuar kërcënimet e sigurisë në Evropë dhe mundësitë për bashkëpunim më të madh ekonomik", tha zyra e Ryanit. Ryan, personi më i fuqishëm në Dhomën e Ulët dhe aleat i presidentit Donald Trump, do të shoqërohet nga kryetari i Komitetit për Shërbime të Armatosura, Mac Thornberry, katër republikanë të tjerë dhe dy demokratë. Në kuadër të udhëtimit, Ryan do të mbajë fjalim në Institutin britanik "Policy Exchange", më 19 prill. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Verifikimi i personave që ikin nga vatrat e luftës Posted: 13 Apr 2017 01:38 AM PDT Njerëzit që kanë ikur nga Mosuli drejt Irakut, po verifikohen nga autoritetet për të hequr dyshimet se mund të jenë militantë të Shtetit Islamik. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Merkel: Bisedat me Trumpin - të mira, pavarësisht dallimeve Posted: 13 Apr 2017 01:23 AM PDT Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se është në interesin e Gjermanisë që të ketë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht mospajtimeve me presidentin amerikan, Donald Trump, në disa çështje të rëndësishme. Merkel i tha grupit gjerman të mediave Funke se bisedimet me Trumpin, gjatë vizitës së saj në Uashington dhe në telefonatat pasuese, kanë qenë "të mira". "Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se nuk kemi opinione të ndryshme për disa çështje, përfshirë edhe çështje të rëndësishme", tha Merkel. Prejse presidenti i ri amerikan ka marrë detyrën më 20 janar, Merkel ka folur fuqishëm në favor të politikave që Trump i ka kundërshtuar. Merkel ka kundërshtuar deklaratat e mëhershme të Trumpit se NATO është një "aleancë e vjetruar", ndërsa ka folur edhe në favor të agjendës së tregtisë multilaterale, të cilën Trump e ka vënë në pikëpyetje. Merkel, në intervistën për grupin mediatik Funke, tha se aksioni ushtarak kundër grupit militant Shteti Islamik është i nevojshëm, por shtoi se vetëm zgjidhja politike mund të sjellë paqe të qëndrueshme në Siri dhe Irak. Ajo tha se zgjerimi i kontributit të Gjermanisë në luftën kundër grupeve ekstremiste "nuk është çështje debati". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Malala merr shtetësinë e nderit të Kanadasë Posted: 12 Apr 2017 11:47 PM PDT Laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, mori shtetësinë e nderit të Kanadasë dhe u bë personi më i ri që iu drejtua parlamentit të këtij vendi. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i dha asaj certifikatën e shtetësisë. Malala është personi i gjashtë që merr këtë nder. "Malala, historia jote është një frymëzim për të gjithë ne", tha Trudeau. Në vitin 2012, aktivistja pakistaneze ka qenë 15 vjeçe kur është plagosur nga militantët talibanë. Ajo ka qenë shënjestër për shkak të aktiviteteve për arsimimin e vajzave. Malala është sot aktiviste globale për të drejtat e grave. Në Kanada, ajo falënderoi autoritetet për mirëpritjen e refugjatëve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ministri i jashtëm gjerman viziton Kosovën Posted: 12 Apr 2017 11:12 PM PDT Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, arrinë sot në Prishtinë në një vizitë zyrtare pas qëndrimit në Beograd dhe bisedave me zyrtarët e lartë shtetërorë serbë. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, shefi i diplomacisë gjermane, Gabriel pritet të takohet me kryeministrin Mustafa dhe me ministrin e jashtëm Enver Hoxhaj, Ai më vonë do të vizitojë edhe Tiranën, në turneun e tij të parë ballkanik dhe në një periudhë kur të gjitha vendet e rajonit po përballen me problemet e tyre të brendshme. Ministri Gabriel tha në Beograd se "Serbia duhet të punojë me reformat dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën" duke e cilësuar këtë si "parakusht thelbësor për anëtarësim në Bashkimin Evropian". Vizita e shefit të diplomacisë gjermane në Beograd u bë në kohën kur po vazhdojnë protestat e qytetarëve, të cilat ai i cilësoi si "të mundshme dhe të lejueshme". Viizita e ministrit të jashtëm të Gjermanisë në Kosovë dhe Serbi zhvillohet në një periudhë kur palët kanë pezulluar dialogun ndërmjet tyre pas një valë të tensioneve të shkaktuara në fillim vit, fillimisht me arrestimin e ish-kryeministrit Haradinaj dhe një treni me ikonografi mesjetare dhe nacionaliste të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Gjykata evropiane vendos sot për rastin e Besllanit Posted: 12 Apr 2017 11:01 PM PDT Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut do të konstatojë sot nëse Qeveria ruse është dashur ose jo të bëjë më shumë për të parandaluar rrethimin e shkollës në Besllan, më 2004, në të cilin janë vrarë mbi 300 njerëz. Shkolla në qytetin Besllan është sulmuar nga separatistët çeçenë, të cilët kanë marrë mbi 1,000 njerëz peng, shumica prej tyre fëmijë. Rrethimi ka përfunduar në ditën e tretë, kur forcat ruse të sigurisë kanë hyrë në ndërtesë. Hetimi rus i ngjarjes ka ngecur disa vite më parë. Asnjë zyrtar rus nuk është mbajtur përgjegjës për numrin e lartë të viktimave, që kanë përfshirë edhe 186 nxënës. Për më shumë se një dekadë, të mbijetuarit dhe të afërmit janë pyetur nëse rrethimi ka mundur të parandalohet dhe përse kaq shumë njerëz është dashur të vdesin në operacionin e shpëtimit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





