Tirana Observer: “Skenarët e krizës” plus 9 more

Tirana Observer: “Skenarët e krizës” plus 9 more


Skenarët e krizës

Posted: 06 Apr 2017 10:23 AM PDT

Gjergji Kajana

Në 3 prill bashkëkryetari i kualicionit qeveritar Ilir Meta deklaroi në parim se LSI është gati për vazhdim të kualicionit me PS por fillimisht nevojitet krijimi i një "qeverie besimi" që të gëzojë edhe respektin e opozitës në çadër. Deklarata tregon se LSI nuk është në linjën e kryeministrit për zgjidhjen e krizës. Për Ramën mund të ketë zgjedhje pa PD-në e aleatët e saj. Për LSI ato do të ishin një "farsë elektorale" e integruesit do t'i bojkotonin. Ky do të ishte një skenar bërthamor për zgjedhje politikisht të abortuara: nuk do të merrnin pjesë PD, aleatët e saj të vegjël dhe LSI, partia e tretë më e votuar e Shqipërisë. Zgjedhjet në këtë kuadër mundësie (me bojkot edhe të LSI-së) do të ishin edhe më krizë-prodhuese sesa ato vetëm pa PD e aleatët.

Meta vendos në kurth kryeministrin Rama, duke e detyruar të kërkojë patjetër dialog me PD-në, e cila nuk ka asnjë vullnet për bisedime serioze. PD bërtet sikur humbet fytyrën (më tëj nga ç'e ka humbur prej humbjeve seriale në gjithë zgjedhjet prej 2011-s e pjesëmarrja vetëm destruktive në Parlament prej 2013-s) nëse hyn në zgjedhje pa arritur qeverinë teknike. Me siguri Rama nuk do ta pranojë qeverinë teknike edhe nëse këtë ia kërkon Meta dhe ka gati skenarin për pjesëmarrje në zgjedhje i vetëm (mbase aleat vetëm me PDIU-në). Skenarë shumë të errët për Shqipërinë do të hapeshin veçse me mospjesëmarrjen e PD-së e LSI-së në zgjedhje, sepse qeveria e dalë prej tyre do të kishte fytyrën morale të shformuar pasi do të përfaqësonte vetëm një pjesë të mangët të opozitës.

LSI shpalosi qëndrimin e vet: dialektikisht lan duart nga zgjidhja e krizës, madje nuk shpall as vullnet për ndërmjetësim mes Ramës e Bashës. LSI do të mbetet totalisht autonome në qëndrimet e saj e do të vendosë vetë (natyrisht përmes kryetarit Meta) nëse çdo zgjidhje ose moszgjidhje e mundshme e krizës do t'i pëlqejë.

Para pak ditësh Edi Rama në Vizion Plus i kërkoi me batutë Jehovait të lëshojë dritë mbi çadër. Por krerët politikë të çadrës nuk e njohin demokracinë dhe kriza mbetet këmbëkryq në bulevard e institucione.

Një pyetje e nevojshme për përgjigje shtrohet përsëri: Cilët janë skenarët e zgjidhjes së krizës, sidomos nëse si PD e si LSI vendosin bojkotimin e zgjedhjeve?

Skenari më normal zgjidhës do të ishte angazhimi i demokratëve për pjesëmarrje në zgjedhje e propozime nga ana e tyre për përmirësime në kodin elektoral, madje edhe zgjerime të platesë elektorale të të mundësuarve për të votuar. Në fakt në Shqipëri nuk flitet thuajse gati kurrë për këtë temë por shqiptarët jashtë Shqipërisë rezultojnë të regjistruar vetëm në Shqipëri e nuk mund të votojnë prej vendit të rezidencës, megjithëse sipas Kushtetutës janë plotësisht zgjedhës e të zgjedhshëm. Kjo e drejtë nuk mund të materializohet për 18 qershorin por PD mund të ngulmojë që ajo të ushtrohet në zgjedhjet parlamentare pasardhëse, duke presuar politikisht qeverinë të avancojë me regjistrimin e shqiptarëve rezidentë jashtë Shqipërisë. Ky regjistrim është kusht i patjetërsueshëm i realizimit të votimit prej tyre

PD për momentin nuk po pranon as dialogun, prandaj edhe ky skenar zgjidhjeje normal (pjesëmarrje në zgjedhje pa vendosur kushte) duket i pamundur të materializohet nëse qeveria Rama nuk bën ndonjë lëvizje politike të interpretueshme nga opozitarët si lëshim.

"Lëshimet" qeveritare zgjerojnë diapazonin e zgjidhjeve të krizës. Të këtilla mund të ishin një angazhim publik i qeverisë – i materializueshëm në një dokument të shkruar mes gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje – se ajo nuk do të tentojë të cënojë standardin e zgjedhjeve, se nuk do të ushtrojë presione administrative mbi nëpunësit (siç janë kërcënimet për humbjen e vendit të punës nëse nuk shkohet në aktiviteteve elektorale partiake, gjë që ka ndodhur edhe në 2015 – siç shkruajti raporti i OSBE/ODHIR mbi zgjedhjet lokale para dy vjetëve), se nuk do të përdorë politikisht Policinë e Shtetit. Janë të gjitha angazhime normale të çdo qeverie demokratike e kryeministri mund e duhet t'i japë për t'i bërë me dije opozitës se nuk synon prekjen e votës. Gjithashtu është detyrë normale e partive të kontrollojnë rekordet kriminale të kandidatëve për deputetë e këtë Rama mund të angazhohet ta bëjë në emër të partisë së tij, ashtu siç duhet ta bëjnë të gjitha partitë e tjera. Kjo është edhe një zgjidhje që përmbush kërkesat e konferëncës për shtyp të Metës në 3 prill e mund ta largojë nënkryetarin e Kuvendit nga tundimet bojkotuese. Vendosmëria e kryeministrit deri tani për të mos pranuar as qeveri teknike, as shtyrje të zgjedhjeve është tregues se ky i dhënies së këtyre garancive është caku i fundit deri ku mund të shtrihet Rama para se të marrë edhe formalisht vendimin ekstrem që zgjedhjet të mbahen pa PD-në. Natyrisht që njëfarë garancie monitorimi mbi mbajtjen e këtyre angazhimeve qeveritare nga Presidenti i Republikës ose faktori monitorues ndërkombëtar (OSBE/ODHIR e mbase monitorues të tjerë që mund të ftohen) do t'i jepte më tepër besueshmëri këtij angazhimi.

Ky skenar i dytë zgjidhës është më i gjerë se i pari dhe mund të rezultonte më i pranueshëm edhe për LSI-në. PD, veçse, është në barrikada ekstremisto-populiste dhe si kundërpalë nuk dëshiron të ketë Ramën, prandaj është shumë e mundshme se nuk do t'i pranonte këto garanci qeveritare prej Ramës e do të vazhdojë me kërkesën për qeveri teknike. Vetëm nëse PD do t'i pranonte këto garanci kriza zgjidhet.

Politika është arti i së mundshmes dhe një qeveri teknike (kërkesa kryesore e demokratëve), nëse ekziston vullneti politik i palëve kryesore, mund të krijohet edhe tani që jemi vetëm dy muaj e gjysmë para votimeve. Por evokimi si mundësi praktike i qeverisë teknike na fut në skenarët e moszgjidhjes së krizës, pasi në këtë rast është kryeministri legjitim që nuk do të pranonte këtë variant. Nuk duhet të kihen dyshime: Rama mund të pranojë dorëheqjen (i shtytur mbase edhe nga faktori ndërkombëtar) për një qeveri teknike vetëm nëse gjendja kthehet në një krizë sociale ose të rendit publik. Realistikisht, duke parë indiferencën e shqiptarëve ndaj krizës së çadrës (ku proteston vetëm PD e mbase pak mbështetës të partive aleate) ngjan e pamundur që kriza të degjenerojë në sociale të paktën deri tek zgjedhjet. Retorika e demokratëve shpesh është shumë e egër (kush foli për luftë, zvarritje në rrugë e thyerje xhamash?) por nuk ka replika të protestave jashtë çadrës, çka përbën treguesin më real se kauza e opozitës është vetëm në perimetrin e bulevardit. Ky skenar i qeverisë teknike duhet të kënaqë PD (e mbase LSI) por është shumë i vështirë për t'u arritur.

A mund të kenë rol ndërkombëtarët? Faktikisht ambasadorët po i takojnë palët dhe kanë bërë të qartë, duke iu drejtuar PD-së, se politika bëhet në institucione. E pohoi së fundmi këtë nga Vlora edhe ambasadorja gjermane. Nuk duhet harruar se kriza po lë pezull me të vërtetë – siç e tha Meta në konferencë – zbatimin e reformës në drejtësi e nevojën e dialogut për një reformë të re zgjedhore. Roli i ndërkombëtarëve, veçse, është më i kufizuar sesa ai i vjetshmi mbi reformën në drejtësi. Atëherë PD po refuzonte të pranonte një reformë të shkruar me ndihmën thelbësore të ndërkombëtarëve, që në miratimin e saj luanin prestigjin e tyre. Një PD nuk vlen kurrë sa prestigji i SHBA-ve e BE-së. Në krizën e çadrës ndërkombëtarët mundet vetëm të konstatojnë se ajo është një krizë shqiptare mbi zbatime ligjesh shqiptare për qeveri e zgjedhje shqiptare. Në këtë krizë nuk luhet prestigji i ndërkombëtarëve. Racionalisht ata janë në anën e qeverisë (prej këtej sulmet verbale demokrate ndaj ambasadorëve Lu e Vllahutin) dhe nuk mund t'i kërkojnë Ramës të dorëhiqet për t'iu nënshtruar një ultimatumi irracional.

Në teori mund të kishte një rol ndërmjetësues Presidenti i Republikës, por, pashpjegueshmërisht, ai preferon të heshtë.

Fatkeqësisht, skenarët e moszgjidhjes së krizës janë më të shumtë e më të rrezikshëm sesa ato të zgjidhjes së krizës. Ato shkojnë nga bojkotimi i zgjedhjeve prej PD-së e aleatëve deri tek bashkimi (jo i pamundur) në këtë bojkot i LSI-së e deri në mundësitë hiperkonfliktuale të opozitarëve që pengojnë fizikisht zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kriza nuk zgjidhet me qendrimet maksimaliste që vijnë nga PD e, fatkeqësisht, as me lojërat e fjalëve të përdorura në konferencën e 3 prillit nga LSI. Nëse Meta do të fliste gjuhën e Ramës për krizën mbase do të ndihej më pak autonom por do t'i hiqte PD-së çdo shpresë se mund ta rrëzojë kualicionin qeveritar. Gjuha e 3 prillit bind PD-në në vetësugjestionin se mund ta dobësojë Ramën përmes përvetësimit të tezave demokrate nga Meta. Kriza e çadrës, nëse vazhdon e materializohet me bojkotin e zgjedhjeve qoftë edhe vetëm nga PD, cënon shumë-shumë fort besueshmërinë e Parlamentit që do të dalë pas 18 qershorit dhe të Presidentit të ri të republikës nëse ai do të zgjidhej nga ai kuvend.

Në asnjë vend normal demokratik një opozitë nuk mund të ngujohet e të rrezikojë vetëvrasjen elektorale siç po ndodh në Shqipëri. PD po sillet sikur nuk e njeh shtetin vetëm se në qeveri e Parlament qëndrojnë një shumicë që s'është PD. Qeveria është e detyruar të provojë të japë e të mbajë të gjitha garancitë se liritë opozitare nuk duhet të dhunohen. Në kushtet kur opozita shpreh një mosbesim total tek dialogu është qeveria që duhet të shtyjë drejt tij. Ia këshillon këtë përçapje realizmi, virtyt kryesor i çdo politike efektive. Nuk është e shkruar që kriza të zgjidhet: PD, trembur për vdekje nga "vetingu", lufton për mbijetesë në formatin e saj aktual, i cili është i papërshtatshëm me formatin e ri që do të konfigurohej institucionalisht në Shqipëri nëse zgjedhjet do të ishin të suksesshme e do të vazhdoheshin nga implementimi i reformës në drejtësi. Por, i detyruar edhe nga thuajse-ultimatumi Meta, Rama duhet të kërkojë në çdo mënyrë dialogun me opozitën. Skenari racional e më pak i kushtueshëm për Shqipërinë kalon prej aty: dialogu e marrëveshja për të pasur zgjedhje normale në 18 qershor.

Në rast se PD vazhdon në ultimatume e nuk merr pjesë në zgjedhje, të paktën përçapjet qeveritare për dialog mund të bindin LSI-në të mos bojkotojë as ajo. Qëllimi madhor i Shqipërisë është integrimi në BE, i cili nuk realizohet pa zgjedhje të lira ku të marrin pjesë të gjitha partitë shqiptare e reformë në drejtësi. PD ka dekada që ka hequr dorë nga synimi për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, ndërsa LSI objektivin për integrim e ka edhe në emër dhe e di fort mirë se ai kalon përmes zgjedhjesh me standarde të larta në 18 qershor.

Nëse si PD, si LSI vendosin bojkotin e zgjedhjeve kjo krizë përfaqësimi rëndohet vetvetiu dhe negociatat me BE-në shtyhen në kohë për shkak të përkeqësimit të pashmagshëm që do t’i vijë gjendjes politike në vend. Zbatimi i reformës në drejtësi mund të rrezikojë të mbetet në letër. Këto zhvillime i interesojnë totalisht demokratëve sepse mbijetojnë si faktor politik formal në skenarin e një vendi informal, por a i intereson edhe LSI-së?

Basha: Rama paguan me paratë e ARMO-s një lobist në SHBA

Posted: 06 Apr 2017 09:59 AM PDT

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka bërë deklarata të forta sot pasdite te çadra përballë Kryeministrisë.

Sipas tij me paratë qe grabiten nga nafta shqiptare përmes ARMO-s, po lobohet në Washington kundër opozitës, kundër demokracisë dhe zgjedhjeve të lira.

Ndonëse nuk përmendi emra, Basha tha se drejtësia do të vihet në vend dhe komplotistët do të përgjigjen për këtë vjedhje.

"Lobistët e paguar me paratë  drogës dhe lobisti i paguar në Uashington me paratë që vidhen nga nafta shqiptare nuk duan t'ja dinë nëse ju keni bukë. Uashingtoni dhe Europa kanë qëndruar 100 vjet gjithmonë jo në krah të hajdutëve, po në krah të shqiptarëve, të Shqipërisë siç qëndrojnë edhe sot në krah të kësaj lëvizje të madhe popullore", tha Basha.

Ai përsëriti sërish kërkesën e opozitës për qeveri teknike.

SHBA, 31-vjeçari shqiptar vritet bashkë me të dashurën

Posted: 06 Apr 2017 07:45 AM PDT

Një shqiptar 31-vjeçar është gjetur i vrarë pranë një restorti të quajtur Alegria në Beacon Hill të SHBA-ve, ndërsa e dashura e tij është gjetur e plagosur rëndë në dhomën e hotelit, por që ka ndërruar jetë më vonë gjatë transportit për në spital.

Të dy viktimat kanë pasur plagë të shumta në pjesën e qafës.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës.

Ende nuk dihen motivet e krimit makabër, por paraprakisht dyshohet se viktimat kanë qëlluar njëri-tjetrin me sende të mprehta pas një zënke të ashpër midis tyre.

Identiteti i tyre nuk është dhënë ende nga policia. Pronari i restorantit tha se ishte i pikëlluar për atë që kishte ndodhur në pronën e tij.

"Kjo është një ditë e trishtuar. Kanë humbur jetën dy të rinj", tha ai, cituar nga media lokale, ndërsa vlerësoi punën e bërë nga policia.

Avokati i Ermal Hoxhës: Në 11 prill s’mund të ketë seancë, ka vdekur Enveri, e kemi ditë zie

Posted: 06 Apr 2017 07:33 AM PDT

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë në datën 11 prill seancën e saj të radhës për çështjen "Xibraka", ku mes 9 të arrestuarve është edhe nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha, i akuzuar për "Trafik droge" dhe pjesë e "grupit të strukturuar kriminal".

Seanca e radhës u shty për shkak të mungesës së një prej anëtarëve të trupit gjykues, i cili kishte njoftuar më herët mos praninë e tij për arsye shëndetësore.

Por "BalkanWeb" mëson se vendimi për të lënë në 11 Prill, seancën pasardhëse nuk është pritur mirë nga Kosta Basha, avokati i Ermal Hoxhës.

"Seancën nuk mund ta lini dot në datën 11 prill sepse atë ditë klienti im e ka ditë zie", – ka deklaruar ndër të tjera ai, duke nënkuptuar pikërisht përkujtimin në këtë datë të vdekjes së diktatorit Enver Hoxha.

Nipi i Enver Hoxhës u arrestua si pjesë e bandës së trafikut të drogës pasi më parë ishte filmuar nga agjentët e policisë në laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit.

Ai kishte vizituar vendin ku përpunohej pluhuri i bardhë dhe kjo e ka implikuar.

Në shtëpinë e vjehrrit në Durrës, u gjend edhe automjeti i tij tip "Volvo" me ngjyrë blu, e cili iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga ana e specialistëve të antidrogës.

Vrasja e ish-policit shqiptar në Gjermani, identifikohen autorët

Posted: 06 Apr 2017 07:31 AM PDT

Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me hetuesit gjermanë, kanë identifikuar autorët e ekzekutimit të ish-policit shqiptar, Kujtim Prenga, në Gjermani, në janar të këtij viti

Burime pranë Krimeve të Rënda thanë për Shqiptarja.com se janë lëshuar urdhër arrestet për tre autorët e krimit, ndërsa për arsye të hetimeve, nuk bëhen të ditur identitetet e tyre.

Sipas tyre, ishin gjurmët e ADN-s dhe pamjet filmike që zbuluan vrasësit të cilët, po sipas të njëjtave burime, rezultojnë të jenë persona me precedentë penalë.

Mësohet se tre autorët kanë udhëtuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe më pas në Gjermani posaçërisht për vrasjen e Prengës.

Pas krimit ata janë kthyer sërish në Shqipëri duke shfrytëzuar të njëjtin itinerar, përmes Italisë. Kujtim Prenga u ekzekutua më 13 janar të këtij viti në sy të vajzës së tij të mitur.

Ish-polici kishte emigruar në Gjermani për shkak të gjakmarrjes. Kjo është edhe pista kryesore e hetimeve për zbardhjen e këtij krimi.

“Për takimin Rama-Basha po punon Donald Lu”

Posted: 06 Apr 2017 07:27 AM PDT

Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë rënë dakord në parim të takohen me njëri-tjetrin në një tryezë dialogu për të cilën po punon prej disa ditësh ambasadori amerikan Donald Lu.

Top Channel mësoi si i pari që ka dhënë dakordësinë ka qenë kryeministri Rama, i cili e ka shprehur që të martën dakordësinë për t'u ulur me Bashën. Një gjë që kreu i qeverisë e pohoi edhe të enjten në Parlament.

"Jam i gatshëm për të biseduar dhe unë vetë do të preferoja në çadër. Kam dy ditë që pres vendin dhe orën për të folur", ka pohuar Rama.

Por takimi nuk po ndodh, sepse Lulzim Basha dyshon tek serioziteti i Edi Ramës. Top Channel mësoi se kreu i opozitës kërkon një takim të përgatitur paraprakisht nga stafet përkatëse.

Burime pranë kabinetit të Bashës bëjnë të ditur se që prej mëngjesit të së enjtes stafi politik i kryetarit të opozitës ka qenë në pritje të një takimi për të përgatitur takimin me zotin Rama.

Por deri tani kjo nuk ka ndodhur, sepse, siç thuhet nga opozita, pala tjetër këmbëngul vetëm për vendin dhe orën e takimit, por jo për përgatitjen e tij. Basha e paralajmëroi të mërkurën se ishte kundër një dialogu fasadë.

"Nëse do të ketë dialog politik, ky dialog nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pistë të disa politikanëve të opozitës me disa politikanë të mazhorancës", tha Basha.

Burime pranë stafit të zotit Basha thanë se kjo do të thotë se takimi me Ramën nuk mund të jetë si ai i 6 qershorit për reformën në drejtësi, që rezultoi një takim "show" dhe pa asnjë rezultat./TCH

I tha “hajdut”, plas grushti mes Igli Tares dhe mbrojtësit të Romës

Posted: 06 Apr 2017 07:08 AM PDT

Nuk kalon pa grindje derbi i kryeqytetit italian. Përsëri, si në ndeshjen e kampionatit mes Romës dhe Lazios, "krimi" ka ndodhur larg nga fusha e blertë. Për të qenë të saktë, ka ndodhur në parkingun e "Olimpico", ku Rudiger është përplasur ashpër me drejtorin sportiv të Lazios, Igli Tare.

Incidenti

Derbi i Romës në Kupën e Italisë është mbyllur të martën me Lacion që është larguar triumfuese nga "Olimpiko" pasi ka siguruar biletën për në finalen e turneut. Por sigurisht që një përballje kaq e nxehtë nuk mund të mbyllej pa incidente. Nëse janë evituar ato në fushë apo në tribunë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pas ndeshjes, ku protagonistë janë bërë mbrojtësi i Romës, Rudiger dhe Igli Tare.

Ngjarja ka ndodhur në parkingun e stadiumit, kur Rudiger sapo kishte hyrë në makinën e tij bashkë me bashkëkombësit Emerson, Peres dhe Gerson. Sipas dëshmitarëve që kanë treguar gjithçka për "Il Tempo", në ato momente pranë makinës kalonte Tare, i cili po shkonte qetësisht drejt automjetit të tij, ndërsa Rudiger i ka thënë diçka.

Mbrojtësi i ka folur në gjermanisht Tares, i ndërgjegjshëm se drejtuesi shqiptar i Lacios e njeh në mënyrë perfekte këtë gjuhë, meqë ka jetuar dhe luajtur atje për 7 vite. Tare i ktheu përgjigje menjëherë, ndërsa Rudiger doli nga makina duke nisur një përplasje të fortë verbale në gjermanisht me tone të larta. E vetmja gjë që dëshmitarët kanë kuptuar në ato momente ishte thirrja "hajdut" në italisht nga mbrojtësi i Romës ndërsa situata u tensionua ndjeshëm.

Por siç ndodh zakonisht pas ndeshjeve të tilla, në parkingun e stadiumit ishte një prani e ndjeshme forcash rendi të cilat kanë bërë të mundur që palët të mos përplaseshin edhe fizikisht. Gjithçka ka përfunduar me largimin e romanistëve.

Rudiger ka qenë një personazh qendror në derbi gjatë këtij sezoni, duke provokuar herë pas herë lacialët. Ai fillimisht dha një intervistë duke deklaruar se nuk e njihte fare si skuadër, duke ndezur derbin gjatë të cilit Strotman lagu me ujë në fytyrë Kataldin dhe nisi një zënkë të madhe në fushë.

Pas atij dueli, Luliç nuk u kursye me frazën "Rudiger shiste çorape në plazh, tani bën si fenomen", duke përfunduar i dënuar nga komisionet disiplinore, ndërsa Tare i doli i në mbrojtje. "Ishin fjalë të thëna pa u menduar mirë, të nxitura nga ndonjë batutë e tepruar e Rudiger", tha ai. "Sqarimi" me këtë të fundit, duket se është bërë të martën në parkingun e stadiumit "Olimpiko". Tani të gjithë presin me padurim episodin e radhës në derbin e kampionatit më 30 prill.

In Memoriam/ Adriana Elini Xhajanka, kineastja e madhe e filmit dokumentar shqiptar

Posted: 06 Apr 2017 06:05 AM PDT

Bota e madhe e artit shqiptar shkëlqen fuqishëm nga puna dhe talenti i sa e sa artistëve të apasionuar , të cilët vunë gjthçka në shërbim të tij, kohën , rininë, forcat për të sjell në art, jetën e përditëshme, punën dhe njerëzit e thjeshtë.

Adriana Elini- Xhajanka, regjisore e shquar e filmit dokumentar, është pjesë e asaj plejade artistësh të "Kinostudios Shqipëria Sot", që la gjurmë me krijmtarinë e saj, në historinë e artit të shtatë, siç cilësohet kinematografia.

Adriana i përket brezit të dytë të regjisoreve të montazhit që filloi punën në fund të viteve 50-të, por që me pasion e dashuri për profesionin superoi montazhin , në regjisore të filmit dokumentar dhe që për mëse tre dekada, krijoi vlera të padiskutueshme në art.

Adriana Elini- Xhajanka, u lind në Tiranë, në 3 prill 1937 në një familje qytetare e të shquar për idealet e vyera ndaj Atdheut. Mbasi kreu në Tiranë, studimet në fakultetin e Histori-Gjeografisë, Adriana do të niste punën e saj të ardhshme, ku do ti duhesh ti binte kryq e tërthor Shqipërisë, të shfletonte libra, ngjarje data e personazhe që bënë historinë e këtij populli, duke i përjetësuar ata në celuloid.

Adriana ka lënë thesarin e montazhit analitik dhe të durueshëm

"Syri flet më shumë se buza". Të ndërmendet kjo aksiomë, për këdo që e ka njohur nga afër regjisoren Adriana. Kineastja që të befasonte e mrekullonte me faktin, se si perputheshin tipi, karakteri, kultura e natyra e njeriut, që edhe kur flet, i bulëzon fjala, mendimet me zë të ulët, dhe përvetësimi i artit të syrit, siç është kinemaja, pikërisht, nga makineria për montimin e filmit, siç është Moviola, ku Adriana u ul në moshën 20-vjeçare drejt filmografisë së mëse 50 filmave.

Bashkohësia dhe jetëgjatësia filmike, në mesazhe dhe dëshmi kohore

Klima që i ngjante një deti të qetë në sipërfaqe, me rryma në brendësi të tij, do të shoqëronte vitet e punës e të kapërcimeve krijuese për kinoregjisoren e ardhshme Adriana. Në tavolinën e montazhit, në të cilën punonte Adriana, për ti dhënë formë si produkt filmik, mijëra kilomentrave të xhiruara drejtë shfaqjeve në ekranet e kinemase, qëndrojnë dhjetra kuti të filmave dokumentarë, që realizoi regjisorja Elini-Xhajanka.

Rishtazi, përtej "Horizonteve të hapura"
"Pagëzimi" profesional i regjisores së re të montazhit, është filmi artistik, "Horizonte të hapura", me regjisor Viktor Gjika, skenarist, shkrimtarin e madh Dritero Agolli, simbolikisht edhe një horizont i hapur për kineasten e re.
Galeria e portreteve filmike të bashkëkohësve

Për kinopublicistin Ilia Dede, regjisorja Elini, ishte vëzhguese e heshtur.  Asaj i ka munguar patetizmi i asokohe për të arritur suksesin e ditës.  Prioriteti krijues i kësaj regjisoreje e cila si rrallëkush, bashkëpunonte me skenaristin që në bërthamë të filmit, e deri në zbërthime tekno-regjisorjale, sikronizimin e tekstit me figurën, por mbi të gjitha ajo sinkronizonte komunikimin  qytetar.  Mjafton të shohësh filmografinë e Adrianës, sidomos, filmat portret, si: "Mjeshtri dhe nxënësi e tij", ku portretizohet shpikësi i radiaos së parë shqiptare e themeluesi i prodhimeve radioteknike e televizive, si dhe tjerë filma: "Me ndërtuesit e Muzeut Historik Kombëtar", "Fanfarat e të vegjëlve",  "Dritë në Koman", "Furrënalta" , "Arti i lashtë, mjeshtra të rinj" etj.

Kjo regjisore, do të vendoste në celoloid, jashtë autocensurës, jetën e njerzëve të thejshtë, duke portretizuar figura me botë shpirterore, me bashkëkohësi, si dëshmi e kohës në atë atmosferë totalitare. Kinoregjisorja Elini, ka shfrytëzuar të gjitha mjetet shprehëse të filmit portret, për të zbërthyer përvojën e dobishme të më të përparuarve, "kyçin" e punës kërkimore shkencore, shpikjeve dhe racionalizimive të bashkëkohësve që i sillnin të mira materiale shoqërisë së kohës. Regjisura e pjekur dhe efektive e kësaj kinesateje, në këto filma kanë ndërthurur element të arsenalit, te gjuhës së filmit shkencor popullor, si një mision që e ka gjinia dokumentare dhe e përmbushte kjo kineaste.

Regjisorja-festivaliste me trofe filmash fitues

Pikërisht, në muajin Prill, me të cilin fillon pranvera, fillonin tradicionalisht edhe festivalet e filmave shqiptare. Prillin do ta përjetonte me ndjesi të forta shpirtërore e krijuese, Adriana, edhe si regjisore konkuruese në Festival, por edhe me bilancin njerëzor që i bënte vetes, në prillin e ditëlindjes së saj. Që në festivalin e parë të filmit, i cili vjen pas goditjeve të rënda që ka marrë jeta kulturore shqiptare, veçanërisht në pikturë, muzikë dhe dramaturgji, kinoregjisorja, Adriana Elini, konkuroi me filmin dokumentar "Qilimat tanë", por, deri këtu krijimtaria e saj nuk eci mbi qilim, ashtu siç edhe do të vijonte në të ardhmen.

Dihet, se filmat e autorëve pretendent për të marrë pjesë në festivalet e filmit, kalonin në një proçes përzgjedhjeje, në sitat më të holla, prandaj dhe ndjehesh i vlerësuar dhe i kënaqur kur arrin të përfshihesh me filmin tënd në kalendarin  e festivalit.
Në festivalin e dytë të filmit shqiptar, regjisorja Elini, konkuron me filmin dokumentar "Shtëpite malore të pushimit"  me skenar letrar dhe tekst të shkruar nga Ilia Dede.  Por, paradoks është fakti  se, ndërsa filmi u vlerësua në festivalin e Kajros, nga një juri ndërkombëtare, na u krijua sherri  me drejtuesit e BPSH, pse ne nuk kishim në film pushuesit që lexonin veprat e Partisë dhe të "shokut Enver", ndërkohë që filmi transmetonte imazhin real e të bukur të problemit qe kish filmi.Filma dokumentar kanë mbetur si dokumenti i gjallë i kohës dhe i njerëzve. Adriana si regjisore e kulturuar, nuk ka qenë nën  ethet e festivalomanisë, siç ishin kapluar të tjerë që vraponin drejt temave jubilare të mëdha, pllakateske me drejtuesi të lartë të partisë. Breza të tërë kineastësh,autorë të skenareve letrare dhe tekseve të filmave dokumentarë kanë bashkëpunuar me kinoregjosoren Adriana, këta janë Angjelina Xhara, Vllasova Musta, Fatbardha Demi, Shpresa Vreto, Kliton Gilani, Kolec Traboini, Luan Rama, Ilia Dede, Bashkim Hoxha e operatorët Agim Fortuzi, Sokrat Muça, Ferdinat Karuni, Ibrahim Kasapi, Ilia Terpini, Niko Treni Agim Zeneli.

Filmat konkurues dhe fitues të kinoregjisores Elini si më e mira e festivalit
Regjisorja Elini konkuron me dy filma portret: "Ju përshendes" "Mjeshteri dhe nxesit e tij". Ndërsa në vitin 1984, trofenë e rrëmben filmi i saj "Ç`do vijë- një vizatim" me skenar të Shpresa Vretos. Ku Adriana fiton medaljen e regjisores më të mirë të festivalit të filmit. Ndërsa në vitin 1987 filmi portret për figuren e piktorit, arkitektit, kineastit Kole Idromenos, do të fitonte çmimin e tretë në Festivalit të Filmit Dokumentar. Ndërsa sot ky film po kërkohet nga studio e huaja, për tu ridimencinuar me teknikat bashkohore, për vlerat e veçanta që mban realizimi regjisorial i tij.

Lako: "Faleminderit Adriana për thesarin që ke lënë"
Natasha Lako, shkrimatare skenariste, ish-drejtore e Arkivit Shteteror të filmit shqiptar.
Në vlerësimet që ajo ka publikuar në botimet e saja, jep konsiderata për kinoregjisoren Elini -Xhajanka. "As Adriana vet nuk ka qenë shumë e ndërgjegjshme për thesarin që na ka lënë, në ate imazh analitik dhe të durueshëm.  Pa këndvështrimin e saj, nuk do të kishim ato portrete njerëzish, ato plane të jashtëzakoneshme. Për këtë sot i themi:  Faleminderit!. Por sot  njerëzit nuk janë aq koshientë për të pare çfarë gjurme jete na ka lënë këndvështrimi i Adrianës", shkruan Lako.

Dokument-ar, ar- dokument derdhi Adriana në bankën e filmave
Regjisorja Adriana Elini, në këtë Prill të tetëdhjetë të ditëlindjes, i mungon muajt, por Emri i saj, dritëson në filmat dokumentar të shfaqura në ekrane, sepse ekrani është qepalla e syrit të kineastes, të artit të syrit, që na ka lënë mesazhe në jetëgjatësi dhe rezonancë vlerash historike e njerëzore. 

 

 

 

 

Kush e ka paguar nën dorë Ilir Metën? Rama hedh akuza të rënda

Posted: 06 Apr 2017 05:54 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër në Kuvend lidhur me zërat e shtuar edhe të aleatëve të tij se nuk mund të shkohet në zgjedhje pa opozitën.

Rama tha se këto janë përpjekje të sponsorizuara, të blera me para në dorë apo nën dorë.

"Përpjekja për tu thënë shqiptarëve se pavarësisht të gjithave zgjedhjet pa opozitën nuk mund të bëhen është një përpjekje e sponsorizuar, e paguar mbi dorë dhe nën dorë, e paguar me para apo peshqeshe për të treguar një të pavërtetë që në thelbin e vet është qesharake”, tha Rama duke sulmuar në këtë mënyrë indirekt Ilir Metën dhe Shpëtim Idrizin.

“Nuk është opozita zyrtare ajo që e prodhon lirinë por është liria ajo që prodhon opozitën. Nëse do ishim në kushtet kur kjo qeveri do të kishte kufizuar lirinë për të prodhuar opozitën atëherë me siguri nuk do kishim çdo ditë një çadër bosh që mbushet dy herë në ditë për shfaqe televizive por do kishim popullin në të gjithë rrugët e Shqipërisë. Opozita është liri, nuk është parti”, shtoi Rama.

“Unë nuk kam parë në histori ndonjë qeveri që lind dhe jeton për të pasur besimin e opozitës dhe pëlqimin e opozitës. Nuk ndodh. Nuk është detyrë e qeverisë dhe as përgjegjësi e qeverisë. Aq më tepër e partive që qeverisin, nuk kanë detyrë të forcojnë partitë që kanë kundër. Kanë detyrë të garantojnë që partitë që janë kundër të kenë barazi në procesin e gjykimit nga populli", tha Rama.

Duke komentuar koalicionin, Rama shtoi se "Ne kemi të mirë që brenda aleancës tonë kemi opozitë që thotë thellohuni, thellohuni:

Bashkë me ftesën për dialog, Rama ka dhe zgjidhjen për ngërçin politik.

“Të gjithë virgjëreshave të çadrës dhe mbi çadër unë ju them hajde të vendosim shtrëngesa penale shumë më tepër që kemi për blerjen e votës. Kush ka telefon në qendrën e votimit të marrë ndëshkim ekzemplar. Këto janë zgjedhjet e para që organizon kjo qeveri. Këta kontestojnë zgjedhje që nuk janë bërë akoma”, theksoi Rama.

VIDEO/ Kokëulur dhe pafjalë, shihni si dolën sot ministrat e PS-së nga zyra e Ramës

Posted: 06 Apr 2017 05:33 AM PDT

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me ministrat e Partisë Socialiste.

Sipas burimeve për "BalkanWeb", takimi ka patur në fokus situatën politike dhe veçanërisht vetë raportet brenda koalicionit me LSI-në, të tensionuara tepër sëfundmi nga propozimi i Ilir Metës për "Qeverinë e besimit".

Por ndërsa pritet që në orët në vijim, të zbulohen të tjera detaje nga takimi, GSH.al ka siguruar një video në momentin kur ministrat e PS-së dalin nga zyra e Ramës, kokëulur dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë me njëri-tjetrin, duke nxituar secili të hyjë në makinë.

Siç konstatohet edhe nga video, vështirë të shohësh një fytyrë të qeshur mes tyre, ç'ka lë të kuptohet se takimi me Ramën ka patur vërtet tone të larta serioziteti.