Tirana Observer: ““Presidentin e ri ta zgjedhim javën tjetër!”, zbulohet letra e Ruçit për Ilir Metën” plus 9 more |
- “Presidentin e ri ta zgjedhim javën tjetër!”, zbulohet letra e Ruçit për Ilir Metën
- Italiani që kërkon drejtësi në Shqipëri: Tani e kuptoj çfarë është korrupsioni
- Ja kush është vajza seksi që do zëvendësojë Marinën tek “Procesi Sportiv”
- Nga Blendi Fevziu / Denoncimi i Dules dhe “Kriza e ndërkombëtarëve”
- 80 vjet Kishë Autoqefale
- “Kulturë në pallat”, libri i parë për administrimin e pallateve, me autor Dr. Isidor Koti
- Rama: Pranoj çdo lloj dialogu me Bashën, por pa shkelur Kushtetutën
- Sulmi ndaj Borussia Dortmund, arrestohet një islamik. Në kërkim një tjetër
- Dominim total i Juventusit: Bëri 10 km më shumë se Barça
- PDIU thirrje Nishanit: Mblidh tryezë gjithëpartiake, të zgjidhim ngërçin politik
| “Presidentin e ri ta zgjedhim javën tjetër!”, zbulohet letra e Ruçit për Ilir Metën Posted: 12 Apr 2017 08:58 AM PDT Kryetari i grupit parlamentar të PS-së i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta ku i kërkon votimin e presidentit të ri të Republikës në datën 19 prill. "Procedura për zgjedhjen e presidentit do të filloje jo më herët se data 13 prill dhe jo me vonë se data 9 korrik". Drejtoria e Shërbimit Juridik pranë Kuvendit jep fund debatit për kohën se kur duhet të nisë procedura e zgjedhjes së presidentit. Përmes një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta Drejtoria e Shërbimit Juridik pranë Kuvendit sqaroi kur mbaron mandati i presidentit aktual dhe nis procedura për zgjedhjen e presidentit të ri. |
| Italiani që kërkon drejtësi në Shqipëri: Tani e kuptoj çfarë është korrupsioni Posted: 12 Apr 2017 07:11 AM PDT Mbrëmjen e 6 dhjetorit, teksa zbriti nga makina e ortakut të tij shqiptar për të shkuar në banesë, Ariel Iannarelli u përplas nga një makinë në rrugën dytësore Golem-Plepa, te vendi i njohur si Shkëmbi i Kavajës. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës e pushoi çështjen penale ndaj drejtuesit të automjetit që e aksidentoi, një 27-vjeçar nga Golemi, i cili rezulton të jetë larguar nga vendi. "Pasi dola nga spitali zbulova që isha unë fajtori. Nuk e di sesi e bënë. Falsifikuan, manipuluan? Duket qartë që diçka ka ndodhur. Nuk ka një kartelë klinike. Shkruhet: plagë të lehta sipërfaqësore. Unë rrezikova jetën. Kam muaj në spital. Duhet të bëj operacione. Si e bëri Prokuroria këtë? As Ambasada (italiane) ime s'më ka ndihmuar. Tani e kuptoj se çfarë është korrupsioni. Nuk më kanë pyetur asgjë në polici. Prokuroria nuk e gjeti fajtor atë djalin. Si dolën në këtë përfundim?", thotë Ariel Iannarelli, sipërmarrës. Biznesmeni 37-vjeçar nga Italia tregon se në spital e vizitoi i ati i drejtuesit të mjetit, duke i kërkuar një marrëveshje, por ai nuk pranoi. "Nuk është e drejtë që një njeriu, i cili vjen nga jashtë të investojë këtu, i duhet të kalojë këtë situatë që kalova unë. Kjo që më ndodhi mua mund të ndodhte në çdo vend në botë, por ata që kanë në dorë ligjin e bëjnë dallimin. Është ajo që ndodhi më pas që e bën skandaloze. S'e kuptoj si e kanë punuar. Kush gaboi duhet të paguajë. Shpenzimet i heq të gjitha unë. Unë me paterica endem nëpër gjykata. Në Itali kjo s'do të kishte ndodhur kurrë. Kjo është e turpshme!", tha më tej ai. Në fund të muajit shkurt, Iannarelli i është drejtuar Gjykatës së Durrësit me një ankim kundër vendimit të pushimit të çështjes penale dhe pret që çështja të rihapet. Ai thotë se mjeti që e aksidentoi nuk ishte ai i deklaruar nga oficeri i Policisë Gjyqësore, një "Benz" i blerë një ditë para aksidentit, por një fuoristradë e bardhë, gjë që e dëshmon dhe ish-ortaku i tij, Genti Meçaj. Iannarelli pret që faktet të zbardhen dhe të vendoset drejtësi./TCH |
| Ja kush është vajza seksi që do zëvendësojë Marinën tek “Procesi Sportiv” Posted: 12 Apr 2017 07:03 AM PDT Xhejmsi Dervishi është vajza gjithë forma që bëri përshtypje në programin "Procesi Sportiv", pasi u ngrit të kërcente pa asnjë kompleks me një nga futbollistët e ftuar në studio. Ky ishte dhe rasti që të demostronte linjat e saj të rrumbullakosura e të tonifikuara nga ushtrimet intensive në palestër. Ndërkohë në korridoret e Top Channel po flitet se prania e saj në këtë program të ndjekur të dielave në mbrëmje, ishte jo pa qëllim. Thuhet se Marina Vjollca po përgatitet të largohet për një projekt më të mirë nga ky program, që e prezanton prej vitesh me Edi Manushin. Sipas burimeve afër programit, zëvendësuasja e denjë mund të jetë pikërisht kjo vajzë me bukuri latine, që quhet Xhejmsi Dervishi. Gjatë momentit të kërcimit, Manushi u ul në një nga karriget e studios për ta vëzhguar si duhet Xhejmsin, e për ta shijuar performancën e saj. Nuk munguan ngacmimet që i bëri për jetën e saj privater ku linte të kuptohej sikur ishte në lidhje me një futbollist të skuadrës së WIlaznisë", fakt që mbeti i pazbuluar. Ajo është 21 vjeçe, ka mbaruar studimet për Administrim e Politika Sociale. E pyetur për profesionet e ardhshme shprehet për revistën "Story" se, "kam interes në politikë, biznes dhe drejtësi. Sa për pasionet, thotë se e tërheqin shumë sportet ekstreme, ndërkohë që merret rregullisht me aktivitet fizik intensiv. Gjithsesi, për momentin po punon për vazhdimin e masterit në degën e Drejtësisë, dhe hedhjen e hapave për krijimin e biznesit të saj. Pasion të veçantë gjithashtur ka modën dhe botën e medias. Për tru njohur më shumë me Xhejmsin, ju publikojmë fotot e saj, ku tregon linjat e palestruara. |
| Nga Blendi Fevziu / Denoncimi i Dules dhe “Kriza e ndërkombëtarëve” Posted: 12 Apr 2017 06:57 AM PDT Nga Blendi Fevziu / Vangjel Dule, kryetar i një partie të hershme parlamentare dhe deputet prej shumë kohësh në Kuvendin e Shqipërisë, ka bërë dje një deklaratë që ka qenë më shumë se sa befasuese. Dule ka sqaruar se në një takim me të huaj, një përfaqësues i diplomacisë europiane në Tiranë e ka mbështetur presionin për të marrë pjesë në zgjedhje edhe me një analizë të çuditshme. Ai i ka thënë Dules së nëse ata regjistrohen dhe marrin pjesë në zgjedhje në mungesë të PD, atëherë mund të kenë shans të kenë më shumë mandate që do t'i fitonin në kurriz të forcës kryesore të opozitës. Kështu shifrat e këtyre partive do rriteshin artificialisht dhe vendi, sipas këtij diplomati do kishte një opozitë po kaq artificiale. Vangjel Dule sqaroi se kjo ofertë nuk është bërë as në një takim kokë më kokë dhe as në një takim të rezervuar, por një takim në grup, ku disa diplomatë po takoheshin me së paku 5 parti opozitare. Të gjitha partitë është shprehur Dule, reaguan në bllok duke e hedhur poshtë "ofertën" e çuditshme të diplomatit. Deklarata e Dulës është jo vetëm befasuese, por edhe e papranueshme për çdo vend normal në botë. Ajo tregon mënyrën se si po tenton ta trajtojë krizën trupi diplomatik, i cili ose nuk ka kuptuar asgjë se çfarë po ndodh; ose po tenton të mbyllë një krizë momenti duke hapur një krizë tjetër më afatgjatë dhe më dërrmuese; ose është renditur si palë në këtë krizë, duke shkelur të gjitha parametrat që një përfaqësues i trupit diplomatik duhet të ruajë në vendin ku është i akredituar. Dule nuk bëri publik as emrin dhe as vendin që ky diplomat përfaqëson. As rangun e tij. Por Shefi i Diplomacisë shqiptare dhe Presidenti i Republikës duhet të angazhohen për ta trajtuar rastin me shumë seriozitet. Trupi diplomatik në Tiranë dhe Komuniteti ndërkombëtar kanë shumë të drejtë të jenë të shqetësuar me krizën në Shqipëri. Ata janë në të drejtën e tyre legjitime t'i kërkojnë PD dhe aleatëve të saj të kthehen në Parlament apo të regjistrohen dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Janë në të drejtën e tyre të kërkojnë respektimin e kushtetutës dhe zbatimin e gjithë detyrimeve që rrjedhin prej saj. Ata janë në të dejtën e tyre t'i kërkojnë mazhorancës bisedime dhe gjithë përpjekjet që PD të ndihet e garantuar në zgjedhje. Janë po në të drejtën e tyre të kërkojnë edhe një lloj marrëveshje brenda mazhorancës. Ata mund dhe duhet ta bëjnë këtë përmes deklaratave dhe qëndrimeve publike. Madje mund ta bëjnë pa asnjë kompromis. Por asnjë ndërkombëtari, asnjë individi apo institucioni, nuk i lejohet të ndërtojë skenare destruktive apo lojëra kulisash për të arritur një zgjidhje fallce dhe të paqëndrueshme. Ndërkombëtarët edhe mund të negociojnë, siç kanë bërë shumë herë në këtë vend, por gjithnjë nga pozita të barazlarguara me palët dhe duke pasur vetëm një bibël, ligjin dhe demokracinë. Tentativa për t'u bërë palë dhe për të provokuar palën tjetër; për të bërë shantazh apo për të ndërtuar skenarë të tillë vetëm sa e rëndon situatën dhe humb kredibilitetin e vetë ndërkombëtarëve. Që në këtë moment është shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye, Presidenti dhe Ministri i Jashtëm duhet të marrin kontakte me diplomatin në fjalë dhe t'i kërkojnë atij shpjegime. Ai duhet të distancohet nga deklarata e tij, në të kundërt, gjithsecili nga ne ka të drejtën të besojë se ai punon kundër këtij vendi dhe kërkon ta fusë atë në një spirale problematike. |
| Posted: 12 Apr 2017 06:47 AM PDT Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pas një rrugëtimi aspak të lehtë nëpër shtigjet e historisë ka arritur të triumfojë. Njohja zyrtare kanonike e saj me dhënien e statusit tё Kishës Autoqefale u bë e mundur në 12 Prill të vitit 1937. Por zgjimi për këtë fakt kishte nisur që nga fundshekulli XVIII dhe përgjatë shekullit të XIX me anë të përpjekjeve serioze të përkthimeve në gjuhën shqipe të Shkrimit të Shenjtë dhe pjesëve të literaturës kishtare prej Grigor Durrsakut, Grigor Gjirokastritit dhe Konstandin Kristoforidhit. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe në vazhdim njohja e saj, ishte një arsye për të kërkuar edhe pavarësinë kishtare sipas një devize të kahershme "shtet i pavarur, pra dhe një kishë e pavarur", e pranuar kjo në hapsirën ortodokse. Kjo devizë në të njëjtën kohë, ndiqte edhe shembullin e Kishave simotra ballkanike në shtetet përkatëse, që kishin fituar pavarësinë pas zgjedhës së gjatë skllavëruese të shumanshme otomane. Në këtë fazë një kontribut të paҫmuar jep Theofan S. Noli me përkthimet liturgjike si dhe dy peshkopë të njohur të kësaj periudhe, Jerothe Jaho me origjinë nga Përmeti dhe Kristofor Kisi nga Berati që dorëzojnë në gradën e lartë të peshkopit sipas kanonit apastolik Th. S. Nolin, më 4 dhjetor të vitit 1923 në Korҫë. Pikërisht K. Kisi është ai që i jep fund anomalive brenda komunitetit ortodoks të Shqipërisë nga shtatori i vitit 1922 deri në vitin 1937, duke bërë të mundur ngritjen kanonike dhe dhënien e statutit të Autoqefalisë me marrjen e "Tomo-sit" dhe njohjen e saj zyrtare krahas Kishave Ortodokse në mbarë botën dhe vetë atë, si kryepeshkopin e parë të KOASH në historinë kanonike të tij. Tek kujtojmë këtë ngjarje të madhe, ftohemi të qëndrojmë mbi bazat kanunoro-juridike, shpirtërore dhe morale. Në të njëjtën kohë kërkohet të zgjojmë shqisat, duke përqafuar më tepër shpirtëroren, duke dalë nga apatia e gjatë pas një periudhë ekstreme materialiste, që krijoi një vakum të thellë shpirtëror dhe moral, ende e pashёruar. Pas rënies së diktaturës së egër komuniste, Kisha u gjend e rrënuar, e shpërbërë në strukturat e saj, por me një shpresë tek jeta edhe pse gjendej në varr. Ringritja e saj vjen vetëm nga mrekullia dhe vazhdon përpjekja pastorale dhe misionare pandërprerë, duke ripërtërirë Kishën Orthodhokse në Shqipëri. Formimi i lidërve të rinj të komunitetit ortodoks është një realitet, qё vjen me krijimin e Akademisë Teologjike, prej Fortlumturisë së tij kryepeshkopit Anastas nga shkurti i vitit 1992 në Shën Vlash të Durrësit, pikërisht aty ku edhe nisi shkatërrimi i objekteve fetare në vend dhe asgjësimi përfundimtar i strukturës klerikale. Dhe sot pas një çerek shekulli të hapjes, formimi i kuadrit të lartë tё shuguruar, që i shërben komunitetit është një fakt. Kisha është pjesë e shoqërisë së këtij kombi dhe rrjedhimisht ringritja e saj ndikon shumanshmërisht dhe në mënyrë përcaktuese në shoqërinë e tij. Kontributi i saj është i njohur edhe i vlerësuar në lindjen e kombit-shtet, në ruajtjen e pandërprerë të identitetit, në kultivimin e personaliteteve nga gjiri i tij dhe janë figura të padiskutueshme në fusha të ndryshme politike, art, kulturë, histori etj. Por jo vetëm në të kaluarën, sepse edhe sot ajo vazhdon të kultivojë vlera të trashëgimisë në fushat e cilësuara më sipër, si një gur themeli e trashëgimisë së pandërprerë e traditës dhe identitetit. Vazhdon të përcjellë mesazhin e një jete që vlerëson hyjnoren dhe humanen, duke kultivuar vlera shpirtërore dhe morale. Në të njëjtën kohë artikulon zërin e saj në kohë krizash edhe pse në raste të caktuara zëri i saj nuk duket shumë i fortë, ajo vazhdon të nxisë dhe të frymëzojë bashkëjetesën në rajonin tonë dhe më gjerë. Nxit tolerancën dhe bashkëpunimin midis njerëzve dhe feve, duke kontribuar për një shoqëri paqeje, dashurie dhe mirëkuptimi. Nё mёnyrё tё veҫantё e ka treguar kёtё jatë krizave të ndryshme që ka kaluar vendi ynë (1992, 1994, 1997) si dhe me ndihmën e saj për mijëra të ardhur nga Kosova në vitin 1999. Veprimtaria e gjerë sociale dhe humanitare ka prekur mijёra qytetarё. Sa më shumë të jetosh brenda Kishës, aq më shumë zbehen sjelljet devijuese, si përdorimi i drogave, dhunës, kriminalitetit, korrupsionit etj dhe nxitet solidariteti dhe dashuria që kapërcen kufijtë gjuhësorë, racorë, nacionalë etj. Por ajo që mundon ende disa, është koncepti mbi autoqefalinë sot, sigurisht jo për qarqet dashakeqe të cilët nuk mund të pajtohen me të "huajën" dhe jo vetëm me tё huajin. Kujtojmë që, Ortodoksia ka lindur, është zhvilluar dhe ka jetuar në një shoqëri pluraliste dhe është e hapur përballë të ndryshmes, ҫdo gjuhe, race dhe kombi. Këto elementë i sheh si mundësi për të ndërtuar ura dhe për të krijuar një mozaik vëllazërie. Tërheq vëmendjen, duke theksuar se izolimi është një vetëvrasje, si dhe nacionalizmi kryqëzon siç dërgoi në Kryq vetë Krishtin (Lluk. 23,2). Gjithashtu ndaj atyre që janë dashamirës tё saj dhe kërkojnë që të jenë kontribues në të vërtetë, pranojmë edhe kur kritikojnë, por mbi argumente, në mënyrë racionale dhe jo me gjuhën e së djeshmes, agresivitetin dhe shpifjen. Prandaj pёr tё kuptuar mё mirё karakterin e autoqefalisë, një faktor shumë i rëndësishëm është ai ekonomik që pavarësisht konsolidimit të vazhdueshëm ende mbetet i brishtë për shkak të shtetit të djeshëm dhe të sotëm që diferencohet pak kur bëhet fjalë për çështjet pronësore, veçanërisht ndaj komuniteteve fetare. Këmbëngulja për pronat vjen jo vetëm si njё e drejtё, por edhe sepse pronat janё jetike për ekzistencën e saj, pёr mirёmbajtjen trashёgimisё, pёr zhvillimin e brezave nё vazhdim. Prona dhe pasuria e saj materiale përbën një ndër komponentët e rëndësishëm të Autoqefalisë. Herë-herë persona tё caktuar rreken "pёr mbrojtjen e autoqefalisë", por në të vërtetë me qëndrimin e tyre ruajnë në fuqi padrejtësitë e mbartura nga sistemi ateist. Duke qenë kundër pronës së saj, automatikisht bёhesh kundёr ekzistencës sё funksionimit tё institucionit dhe asfiksimit tё autoqefalisë. E theksoj që është një faktor shumë i rëndësishëm, për të kuptuar të gjithë ata që i mëshojnë retorikave dhe interesave ideologjike, se Autoqefali e vërtetë, do të thotë gjithashtu edhe një autoqefali financiare, pa anashkaluar theksin se mosndërhyrja në punët e saj, jo vetëm nga entet e jashtme, por edhe nga organizmat apo personat e ndryshëm, pa qenë anëtarë të saj, përbën një parim bazë për autoqefalinë. Ҫdo argument se edhe pse nuk janë anëtarë të saj, por që janë të lirë, kujtojmë se liria është e ҫmueshme vetëm kur kontribuon për forcimin e funksionimit të saj dhe jo duke e minuar. Si rrjedhim KOASH, mbetet një institucion i rëndësishëm i këtij kombi dhe funksionon në përputhje me kanonet shekullore të saj, por edhe në përputhje me kushtetutën e vendit. Ajo drejtohet nga Sinodi i Shenjtë si organi më i lartë dhe lufton për ruajtën dhe konsolidimin e pavarësisë, pёr mosndërhyrje tё asnjë institucioni laik apo fetar siç përcaktohet nga marrëveshja midis shtetit dhe Kishës Orthodhokse dhe kushtetutës së vitit 1998. Rimëkëmbja e KOASH-it, që vjen pas një persekutimi barbar është një realitet, i vlerësuar jo vetëm në Shqipëri, por nga e gjithë bota Ortodokse, nga kishat e krishtera dhe nga institucionet më të larta laike europiane dhe botërore. Sakrifica e marrë përsipër e një barre të rëndë të paimagjinueshme për ringritjen e saj prej njё personaliteti tё njohur ndёrkombёtarisht është një mrekulli dhe nёse kalojmë në akte mirënjohje dhe falenderimi na radhit me popujt e qytetёruar. Sot Kisha Orthodokse në Shqipëri është në përputhje me traditën shekullore të ekzistencës së Kishës. Ajo ecën e sigurt dhe e barabartë me simotrat e saj. Dialogon me to dhe është në kungim dhe komunikim të vazhdueshëm, duke respektuar njëra-tjetrën. Gjithashtu është e njohur nga institucionet fetare dhe laike brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe anëtare me të drejta të plota në organizmat më të rëndësishme ndërkristiane dhe fetare në botë (anëtare e Këshillit Evropian të Kishave, CEC, nga viti 1992, (kryepeshkopi i saj ofroi shërbimin e tij si zëvendës-president 2003-2009), anëtare e Këshillit Botëror të Kishave, WCC, nga viti 1994 (kryepeshkopi i saj një ndër presidentët, viti 2006-2013). Prania e saj në organizmat botërorë, i kanë dhënë një dimension ekumenik që nuk mund të venitet nga legjendat urbane, emisionet dhe shkrimet e pabaza dhe vulgare, fantazitë dhe fobitë sipas stilit tё tipit komunist, që shpikte armiq kudo dhe kurdoherё, duke bunkerizuar vendin dhe mendjet. *Pedagog në Akademinë Teologjike "Ngjallja e Krishtit" Shën Vlash, Durrës. |
| “Kulturë në pallat”, libri i parë për administrimin e pallateve, me autor Dr. Isidor Koti Posted: 12 Apr 2017 06:46 AM PDT Ndryshimet e fundit ligjore për organizimet në komunitet dhe miradimistrimin e komplekseve të banimit në kryeqytetin shqiptar e kanë nxitur këtë botim, i cili është i vlefshëm për këdo që i përket qytetit dhe e jeton aktivisht qytetarinë e tij. Libri i autorit Dr. Isidor Koti vjen pas një rrugëtimi të gjatë në shkencat e komunikimit, si dhe falë përvojës profesionale, dhe pasionit në mbrojtje të vlerave të qytetarisë. Ky botim është përgatitur me konsulencën e Prof. dr. Ymer Ciraku dhe Ing. Rezart Sulo, si dhe redaktimin e Dr. Leonard Dauti.
Libri ndihmon të kuptohen përgjegjësitë komunitare Nga Prof. dr. Ymer Çiraku (Konsulent i librit) E vlerësoj mjaft këtë kontribut që sjell ky libër, pasi është ndihmesë për të përballuar një problem të ri që ka dalë në shoqërinë shqiptare, atë të administrimit të banesave shumëkatëshe. Këto tashme janë bërë të shumta, në Tiranë e në qytete të tjera të vendit tonë. Për këtë problem është miratuar edhe legjislacioni përkatës, i cili është në fuqi, por vihet re se akoma nuk është krijuar koncepti i drejtë qytetar për zbatimin si duhet të tij. Një pjesë e madhe e banorëve, vazhdojnë të qëndrojnë në pozita indiferentë dhe pritëse prej strukturave shtetërore, kur ata janë brenda mjediseve private dhe duhet t'u përgjigjen me kontribute gjithashtu private, gjithë nevojave që dalin brenda tyre.Autori i këtij libri, sjell jo vetëm informacionin dhe koncepte ligjore e qytetare mbi administrimin e pallateve, por i mbështet ato edhe me një përvojë të tij personale të suksesshme.Libri është shkruar edhe me një stil tërheqës e mjaft bindës dhe besoj se kjo do të ndikojë që të tërheqë vëmendjen e lexuesve dhe të ndikojë e të ndihmojë në kuptimin e përgjegjësive komunitare prej tyre. Është pra, në formatin e një manuali, që do të sensibilizojë ndërgjegjen qytetare, që ata të jenë përherë aktiv në detyrimet e tyre kontributore, për të pasur një jetesë sa më të kulturuar e të pastër në komunitet.
Një libër i domosdoshëm jo vetëm për administratorët, por edhe për banorët e pallateve Nga Dr. Leonard Dauti (Redaktori i librit) Pas një leximi të kujdesshëm të dorëshkrimit të librit "Kulturë në pallat", të autorit Isidor Koti, gjykoj se për vlerat që paraqet, për stilin e të shkruarit, për problemet që trajton e, sidomos, për aktualitetin dhe rëndësinë e tyre në mbarëvajtjen e bashkëjetesës qytetare në komunitet, ky libër është i domosdoshëm, jo vetëm për administratorët e pallateve të Bashkisë Tiranë, por edhe për publikun e gjerë. Gjykimin tim e mbështes në këto argumente:
Nisur nga sa kam parashtruar më lart, rekomandoj librin "Kulturë në pallat" si një libër të domosdoshëm për çdo administrator dhe banor pallati. Lexuesit mund ta gjejnë librin në pikat kryesore të librarive të Tiranës, ose duke e porositur përmes platformës on line, duke klikuar në këtë adresë: http://bukinist.al/sq/zeje/4400-kulture-ne-pallat.html
|
| Rama: Pranoj çdo lloj dialogu me Bashën, por pa shkelur Kushtetutën Posted: 12 Apr 2017 06:43 AM PDT Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se është i gatshëm për çdo lloj formati për dialog me opozitën. Këtë qëndrim kreu i qeverisë e ka mbajtur në një intervistë për Vizion Plus. Por kryeministri i vendit shtoi se bisedimet duhet të jenë brenda rendit kushtetues. "Jam i gatshëm te takohem me kreun e opozitës, Basha, ne çdo vend, te Presidenti, apo çdo vend tjetër, për t'u ulur ne tryeze për dialog. Ne s'duhet te kemi frike nga dialogu. Kushtetua e Shqipërisë e qartë. Deri në fund ka ende kohë. PD nuk do të "vrasë" veten, por do të hyjë në proces. Është detyra jonë që PD-së dhe të tjerëve që kanë nevojë për garanci mund të ndërhyjmë në kodin zgjedhor për të krijuar garanci për opozitën. Kryeministri Rama ka shtuar se kjo është një krizë artificiale. "Çadra bën përpjekje për të transferuar krizën e PD në krizë të Shqipërisë dhe politikës shqiptare. Ju siguroj që nuk do t'ia dalë dot. Kjo është qeveria e besimit dhe kjo është kontrata që ne do ta zbatojmë deri në fund. Nuk do të heq dorë nga kjo përgjegjësi", tha Rama |
| Sulmi ndaj Borussia Dortmund, arrestohet një islamik. Në kërkim një tjetër Posted: 12 Apr 2017 05:57 AM PDT Policia gjermane ka vënë në pranga një të dyshuar me lidhje islamike, pas sulmit me bomba ndaj autobusit të futbollistëve të Borussia Dortmund. Prokurorët thanë gjithashtu se tre pajisjet eksplozive të përdorura mbrëmjen e djeshme përmbanin shirita metalikë prerës. Dy letra që merrnin përsipër përgjegjësinë e sulmit janë objekt hetimi i tyre. Zyrtarët po i trajtojnë shpërthimet e djeshme si një sulm terrorist, tha një zëdhënëse e prokurorit federal të Gjermanisë, në Karlsruhe. Prokurorët federalë, të cilët kanë përgjegjësinë për të hetuar krimet e lidhura me terrorizmin, tashmë kanë marrë në dorë çështjen. Prokurori udhëheqës i këtyre hetimeve, Frauke Koehler tha se "dy të dyshuar me rrënjë islamike janë bërë fokusi i hetimit. Apartamentet e atyre janë bastisur, ndërsa njëri prej tyre është arrestuar". Koehler tha se tri letra me të njëjtën përmbajtje u gjetën pranë vendit të shpërthimit, të cilat sugjeronin se agresorët kishin lidhje me Shtetin Islamik. "Mes gjërave të tjera, ata kërkonin tërheqjen e avionëve luftarakë gjermanë 'Tornado' nga Siria dhe, e nënvizoj, mbylljen e bazës ajrore Rammstein", tha zëdhënësja për letrat. Ato po analizohen për autenticitetin e tyre. Një tjetër letër, e cila u publikua "online" dhe ku grupet ekstremiste të majta pretendonin autorësinë e sulmit, sipas prokurorëve nuk është origjinale dhe për këtë kanë arsye të forta. |
| Dominim total i Juventusit: Bëri 10 km më shumë se Barça Posted: 12 Apr 2017 05:53 AM PDT Disa numra më të mirë se të tjerët shpjegojnë arsyet për humbjen e pastër të Barcelonës ndaj Juventusit. Sipas të dhënave të publikuara nga gazeta "Mundo Deportivo", skuadra e Luis Enrique ka udhëtuar 99.6 km në fushë, në "Juventus Stadium", gati dhjetë kilometra më pak se bardhezinjtë e Allegrit (108.7 km). Kjo nuk është vetëm një çështje e stilit të lojës, por e intensitetit, një karakteristikë që spanjollëve u mungonte të martën në mbrëmje, në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Krahasuar me humbjen e Parisit (4-0), në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Champions-it, Messi & CO kanë vrapuar mbrëmë pesë kilometra e gjysmë më pak. Juventusi i ka dominuar katalanasit si teknikisht, edhe në aspektin atletik. Duke llogaritur këtu edhe qasjen taktike, kemi të bëjmë me një dominim total. Një superioritet i tillë i madh ka befasuar edhe opinionistin Rio Ferdinand, ish-mbrojtësin e Manchester United dhe Anglisë, që për kanalin "BT Sport" ka thënë: "Shoh disa lojtarë që luajnë te Barcelona dhe mendoj: si mund ta veshin ata këtë fanellë? Unë flas për mënyrën, me të cilën luajnë, intensitetin dhe cilësinë. Nuk jam në të njëjtin nivel me të tjerët". Megjithatë, mbetet të luhet edhe ndeshja e kthimit. Një javë në dispozicion të Luis Enrique dhe të tijve për të bërë autokritikë, për të regjistruar një tjetër përmbysje të pabesueshme, sikurse bënë ndaj PSG-së në raundin e kaluar të Champions-it. Fundja, 3-0 është disavantazh më i vogël se 4-0, por mbetet të shihet nëse Juventusi do të kapitullojë njësoj si kampionët francezë. |
| PDIU thirrje Nishanit: Mblidh tryezë gjithëpartiake, të zgjidhim ngërçin politik Posted: 12 Apr 2017 04:36 AM PDT Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëti Idrizi i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës, Bujar Nishani që të mbledh një tryezë të përbashkët parlamentare për gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjet parlamentare. Idrizi tha në një konferencë për shtyp se dialogu politik dhe kombëtar ishte hapi i parë për shmangien e krizës, e cila sipas tij ka rrezik të thellohet më shumë në vazhdim nëse nuk gjendet një zgjidhje. "Pakti kombëtar i arritur nga PDIU synonte uljen e tensioneve mes palëve si dhe për të bërë zgjedhje brenda standardit. Pakti kombëtar i PDIU synonte plotësimin e detyrimit kushtetues për arritjen e konsensusit të gjerë për figurën e Presidentit. Pas paktit të PDIU, të tjera forca bënë të njëjtën gjë dhe erdhën me propozime të ndryshme. PDIU beson se vetëm dialogu serioz, i shpejtë, jo vetëm politik por edhe kombëtar është hapi i parë për zgjidhje dhe shmangien e krizës që sot mund të dëshmojë se sa e thellë mund të bëhet nesër. Edhe ligjërimi kushtetues edhe ligjërimi ultimativ po rrisin anormalitein e situatës politike. Dialogu largon krizën politike Besoj se ende ekziston koha për gjetjen e një zgjidhje që u jep besim qytetarëve. Ndasitë do ta bëjnë edhe më dëshpërues krizën e vendit. I kërkoj Presidentit të Republikës të thërrasë një tryezë të përbahskët parlamentare për gjetjen e mjeteve për një klimë normale për zgjedhjet parlamentare. Nga ku ne të dalim të gjithë bashkë me një zgjidhje që ja kemi detyrim qytetarëve," tha Idrizi.
|
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |














