Tirana Observer: “Mesazhi prekës i Rozana Radit: Sot kam humbur babain për herë të dytë!” plus 9 more |
- Mesazhi prekës i Rozana Radit: Sot kam humbur babain për herë të dytë!
- Vdekja e Françesk Radit, Nishani: Kombi humbi një autor të paarritshëm
- Nga Blendi Fevziu / Ky do jetë momenti i vështirë i LSI?
- Nga Andi Bushati/ Një përgjigje racionale për Ramën
- Duhej ta fillonim me letërsinë, pastaj me kinematografinë!
- 4 orët e vështira të darkës Rama-Meta dhe mundësia për shtyrjen e zgjedhjeve
- 8 shenja që ke një personalitet të fortë që mund t’i trembë njerëzit
- Vjedhja e 713 milion lekëve në Bankën e Shqipërisë, dënohet ish-kryeinspektorja
- Ja sa shqiptarë u përgjuan në Facebook, What’s App dhe Viber
- Ndahet nga jeta kantautori i madh Françesk Radi
| Mesazhi prekës i Rozana Radit: Sot kam humbur babain për herë të dytë! Posted: 03 Apr 2017 10:19 AM PDT Këngëtarja e njohur, Rozana Radi ka publikuar një foto me një mesazh prekës në kujtim të xhaxhit të saj, kantautorit Françesk Radi. "Sot kam humbur babain për herë të dytë! Nuk duhet të ishte kështu për ty," – shkruajti moderatorja e emisionit investigativ 'Boom.' Francesk Radi humbi jetën sot në reanimacionin e Qendrës Spitalore Universitare 'Nënë Tereza' për shkak të hemoragjisë celebrale. Duket se 37-vjeçarja ka patur një lidhje shumë të ngushtë me xhaxhain e saj, të cilin e ka konsideruar si babain e saj. |
| Vdekja e Françesk Radit, Nishani: Kombi humbi një autor të paarritshëm Posted: 03 Apr 2017 10:13 AM PDT Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet e tij pas ndarjes nga jeta muzikantit, këngëtarit, kompozitorit dhe instrumentistit të shquar shqiptar Françesk Radi. Mesazhi i plotë i Nishanit Me hidhërim dhe dhimbje të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm. Më lejoni që në këtë ditë të dhimbshme t'ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të qytetarëve shqiptarë, duke ju siguruar se në cilësinë e Kreut të Shtetit gjendem shpirtërisht pranë jush në këto çaste tejet të vështira e të trishtueshme! Me largimit e parakohshëm nga kjo jetë të Françeskut të ndjerë, muzikës shqiptare, kolegëve dhe admiruesve të tij do t'u mungojë intepretuesi virtuoz, këngëtari i rrallë, tekstshkruesi gjenial, muzikanti i talentuar dhe autori i paarritshëm i një krijimtarie të pasur këngësh e kompozimesh, që pasuron cilësisht e në mënyrë origjinale thesarin e trashëgimisë muzikore bashkëkohore e shpirtërore të popullit shqiptar. Edhe një herë ngushëllimet më të ndjera dhe Françeskut i pastë dritë shpirti përjetësisht! |
| Nga Blendi Fevziu / Ky do jetë momenti i vështirë i LSI? Posted: 03 Apr 2017 09:59 AM PDT Rama dhe Meta ja kanë arritur dje së paku një qëllimi jo pa rëndësi: kanë fokusuar vëmendjen mediatike dhe atë publike tek darka e tyre në Pazarin e Ri. Jo vetëm e kanë fokusuar, por i kanë dhënë më shumë rëndësi vendit ku janë ulur, verës që kanë pirë, batutave që kanë bërë dhe zërit të lartë apo të ulët, thuajse po flitet për dy personazhe të shoubizit dhe jo dy liderë të mazhorancës që duhet t'i japin përgjigje një sërë pyetjesh sfilitëse për këtë vend. Dhe ja kanë arritur jo vetëm kësaj, por e kanë përqendruar vëmendjen tek e vetmja pyetje që s'ka më asnjë surprizë: a do dalin PS dhe LSI së bashku në zgjedhje apo veç e veç. Pa thënë asgjë për disa tema shumë herë më shqetësuese: – Ç'do të bëhet me krizën e krijuar nga protesta e opozitës? – Si do veprohet në rast se opozita i shkel afatet ligjore, gjë që me sa duket po ndodh? A do ketë një negocim për ta shmangur këtë? – A do shkojë mazhoranca në zgjedhje pa opozitën dhe si do mbahen ato? – A ka dallimet mes PS dhe LSI për zgjedhjet pa opozitën dhe ku qëndrojnë ato? – A do nisë procedura për zgjedhjen e presidentit të ri dhe çfarë profili do ketë ai? Asnjë prej pyetjeve nuk ka marrë ende një përgjigje të saktë, por vetëm qëndrime të palëve, që në shumicën e rasteve nuk rakordojnë mes tyre. Çështja e koalicionit parazgjedhor PS–LSI duket më pak e rëndësishmja. Të dyja palët këmbëngulin që në darkë nuk është folur për këtë gjë dhe mund të thonë të vërtetën. Por çdo informacion dhe analizë të çon në faktin që ato do dalin bashkë dhe këtu s'ka asnjë surprizë. Dalja më vetë e LSI mund të ishte një bonus për demokracinë dhe stabilitetin politik në vend, por ka një rrezik brenda për vetë LSI. Mund ta reduktojë atë në numra. Po kështu, edhe PS mund të donte të dilte e vetme në zgjedhje, por edhe ajo ndjen rrezikun që mund të mos arrijë objektivin e saj me LSI jashtë. Pra interesi i të dyjave është të jenë bashkë ndërsa ai i vendit të jenë veç e veç. Nuk ka asnjë dyshim që të dyja do të zgjedhin të parën. Do shmangin rrezikun duke ruajtur garancinë e të qenit bashkë. Testi kryesor i LSI do të jetë qëndrimi që do të mbajë ndaj zgjedhjeve? Do jetë ajo e gatshme të ndjekë vendimin e Ramës për të hyrë në zgjedhje pa PD apo do ruajë qëndrimin e saj që në këtë vend demokracia ka ardhur që në vitin 1990, siç u shpreh Meta. LSI i duhet këtu të mbajë qëndrim dhe kjo nuk do të jetë e lehtë. Nëse PD i qëndron idesë së saj për të mos marrë pjesë në zgjedhje ajo ka edhe një plan të dytë për të mos lejuar zhvillimin e tyre. Nëse PD i reziston presionit fillestar ndërkombëtar, zhvillimi i zgjedhjeve me afro 30 përqind të popullatës së përjashtuar dhe me afro 40 % që nuk voton do ta çonte vendin në katastrofë. 140 deputetët, ose 100 % e parlamentit, do të përfaqësonte vullnetin e vetëm 30 % të zgjedhësve dhe kjo s'ka ndodhur askund. Opozita e emëruar në këtë rast do ta bënte situatën edhe me qesharake, por edhe do ta rëndonte më shumë emocionalisht. Pa llogaritur trazirat sociale që mund të vijnë nga një vendim i opozitës për të bllokuar me qytetarë 30 apo 50 % të qendrave të votimit. Që për vendin do kishte kosto shumë të lartë. Së dyti, edhe nëse zgjedhjet do të mbahen, PS do fitonte kaq shumë mandate sa LSI edhe pse në koalicion do ishte e panevojshme. Një apendiks qeverisës, votat e së cilës nuk do t'i vlenin askujt. Nëse elektorati i majtë do votonte si në 2013, në mungesë të PD, LSI mund të marrë edhe 30 deputetë, por këta nuk do t'i vlejnë për asgjë sepse Rama mund të marrë 100. Në këtë rast zhvleftësimi i LSI do të jetë impresionues dhe PS nuk do t'ia falë më qëndrimet e dyanshme dhe kritikat që edhe kaq e kanë sfilitur koalicionin. Nëse sot e toleron për hir të votave, nesër mund t'i japë duart e ta nisë në opozitë, duke i dhënë kështu edhe një përforcim në shifra opozitës në mungesë të PD. Ndaj qëndrimi i LSI, më shumë se sa për koalicionin me PS, vlen për qëndrimin që ajo do mbajë ndaj zgjedhjeve, në rast se PD i bojkoton ato dhe PS vendos të shkojë më tej edhe pa opozitën. Ai është momenti real i LSI, kur kjo e fundit do të duhet të mbajë një qëndrim të vështirë! |
| Nga Andi Bushati/ Një përgjigje racionale për Ramën Posted: 03 Apr 2017 09:53 AM PDT Ne jemi një vend normal megjithëse kemi një opozitë të çmendur, antidemokratike dhe që e ka marrë lumi prej kohësh. Ky ka qenë pak a shumë konkluzioni i Edi Ramës në monologun e përjavshëm të së dielës. Por pavarësisht këtyre sharjeve dhe anatemimeve të zakonshme, kryeministri ka tërhequr vëmendjen këtë herë me një përpjekje t'u dukur racional: "A është demokratike që zgjedhjet të mos bëhen, kur opozita nuk do zgjedhje"? "A është demokratike që të vërë ajo veton si i do dhe kur i do votimet"? "Në cilin vend dhe në cilën demokraci është parë kjo dhunë e pakicës mbi shumicën"? Këto kanë qenë pyetjet e ngritura prej Ramës. Në pamje të parë ato duket se i japin atij të drejtë. Ai ngjan si njeriu që i ka lënë më shumë se kushdo hapësira kundërshtarëve politikë, si udhëheqësi që e ka respektuar minorancën, si lideri që po nëpërkëmbet se ka përballë rivalë që, ngaqë nuk e mundin dot, duan të prishin rregullat e lojës. Natyrisht pak kush beson se Edi Rama dhe qeverisja e tij mundësojnë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por, le të arsyetojmë për një moment nga e kundërta. Le të imagjinojmë për një çast se 18 qershori nuk do të jetë një farsë Putiniano-Erdoganiane, ku të gjitha mediat e mëdha bëjnë propagandë për qeverinë. Le të mbyllim sytë dhe të besojmë se paratë e hashashit nuk do të ndërhyjnë në fushatë. Le të bëjmë naivin dhe të bindemi se Roshët, Prengët, Ndokët nuk do të ndikojmë mbi votën. E pasi të ëndërrojmë këtë, le t'i japim të drejtë Ramës se ai po përballet me një opozitë desktuktive. Se ai gjendet në presionin e një kundërshtari që do të prishë garën ngaqë nuk e fiton dot atë. Se ai po vuan shkelmëhedhjet e një rivali që do të ringrihet përmes destabilitetit. Le t'i marrim të gjitha këto të mirëqena dhe të rikthehemi tek pyetja e hedhur këtë të dielë nga kryeministri: "Në cilin vend dhe në cilën demokraci do tolerohej kjo dhunë tekanjoze e pakicës mbi të drejtën legjitime të shumicës"? Pra, me anë të kësaj dileme, Rama na fton të arsyetojmë duke hedhur vështrimin përreth vetes, në botën me tradita pluraliste. Por pikërisht këtu gabon. Madje rëndë. Sepse para se të bëjë këtë pyetje, ai duhet të ngrejë disa të tjera; "në cilin vend normal, një opozitë që do kundërshtonte kot, që do të hidhte vickla dhe që do i shmangej gjedhjeve pa arsye, nuk do të shkonte drejt vetë asgjësimit? Në cilin vend demokratik një opozitë që do të bojkotonte, thjesht për qejf të destabilizimit, nuk do të braktisej nga njerëzit? Në cilin vend nga ato që ai ka ndërmend, një lider që do të shpikte fabula të rreme, nuk do e humbte mbështetjen? Por, asgjë e tillë nuk duket se po ndodh. Edi Rama, i cili shpenzon shuma marramendëse për sondazhe e di fare mirë se PD-ja nuk ka asnjë rënie pas shpalljes së politikave radikale. Ai e di po aq mirë se ajo nuk do ta humbasë bërthamën e saj, që vërtitet nga 30 deri në 40 % edhe nëse i bën thirrje njerëzve të saj për bojkot. Ai e di se ky "popull i opozitës" për fatin e tij të keq, i miraton thirrjet e Bashës dhe Berishës. Prandaj, Rama, para se të shtrojë pyetjen: "a duhet ti bindemi në një demokraci, dhunës së pakicës", ka si emergjencë të ngrejë shqetësime të tjera: "a mundet të mos përfillet në një vend normal, kjo masë e madhe votuesish? A mund të ndodhë që në sisteme me tradita të lashta demokratike, – mbi të cilat ai na fton të arsyetojmë – , 30 apo 40 përqind e popullsisë të mos shkojnë në votime, pasi janë të bindur se ato nuk do të jenë të lira dhe të ndershme? Përballë këtyre dilemave, argumentat se e gjitha është një lojë e plakut të çmendur që i trembet vettingut dhe të riut që qesharak që nuk përballon dot garën nuk kanë kuptim. Për sa kohë, Basha dhe Berisha kanë nga pas afro 1/3 e votuesve, të gatshëm për t’i ndjekur edhe në bojkot, Rama ka vetëm dy rrugë: ose t’i dëgjojë ata, në emër të unitetit të vendit dhe kohezionit social, ose të thotë se kjo masë e madhe njerëzish janë po aq të marrë, të rrjedhur, të korruptuar dhe destruktivë sa liderët e tyre. Pra, në një farë mënyre, ai është para zgjedhjes: ose duhet ti shpallë idiotë dhe të marrë, një pjesë të made të shqiptarëve që i besojnë Bashës dhe Berishës, ose duhet t’i përfillë ata. Fatkeqësisht Rama e ka të vështirë të përcaktohet në këtë dyzim. Prandaj ai po zgjedh të mbyllë sytë. Prandaj ai po shkon drejt agravimit të krizës dhe katapultimit të saj pas 18 qershorit. Sepse ai po kërkon t'i japë përgjigje pyetjes sfiduese: nëse një demokraci e pranon diktatin e pakicës? Ndërkohë që gjithçka mund të qe shumë më racionale, nëse ai vendostee t'i përgjigjej një pyetje më paqtuese: a mund të ketë zgjedhje normale nëse tek ato nuk beson në rastin me të keq, 1/3 e votuesve? (lapsi.al) |
| Duhej ta fillonim me letërsinë, pastaj me kinematografinë! Posted: 03 Apr 2017 08:59 AM PDT Nga Rezart Palluqi ASKUSH NUK E SHPËTON DOT LETËRSINË E SOC–REALIZMIT ME DEBATE MBI KINEMATOGRAFINË. Mbas gati një çerek shekulli, u hap një debat, që nuk po i ngjan dhjetra debateve paraardhës, që shpesh janë përdorur si shashka që bëjnë zhurmë dhe shuhen. E kam fjalën për ndikimin që u shkaktojnë brezave të rinj shqiptarë, pjesa më e madhe e filmave të Kinostudios Shqipëria e Re, por edhe për dhimbjen e atyre që vuajtën nën atë regjim ta shohin veten të portretizuar ende si armiq. Iniciatori i këtij debati siç e dimë, është shkrimtari dhe përkthyesi, Agron Tufa. Kjo nismë duhet përgëzuar ngaqë për herë të parë kjo nismë dhe debati që po e ndjek, theu heshtjen enveriste mbi krijimet e soc-realismit. Por po të gjykojmë nga metoda, duhet të nënvizojmë disa elementë thelbësorë. Së pari, filmi është vetëm një pjesë e prodhimi artistik kulturor të periudhës së realizmit socialist. Pjesa kryesore e tij është letërsia, dramaturgjia, pa lënë mënjanë edhe prodhimin muzikor sidomos këngët e kësaj periudhe ku në pjesën më të madhe i thuren lavde Partisë dhe Enver Hoxhës. Kështu, për një aksion serioz e të plotë, do të duhet të hartohet një propozim që përfshin artin në përgjithësi, pra edhe letërsinë dhe kinematografinë në këtë kontekst. Nuk ka asnjë arsye që të shenjestrojmë vetëm kinematografinë, megjithëse impakti i filmave mund të jetë më i madh tek brezi i ri. Nga ana tjetër të gjithë e dimë, se pjesa më e madhe e filmave, janë bazuar mbi romane ose novela. Kjo ka ndodhur edhe me filmat më të famshëm soc-realistë. Po jap disa tituj tregimesh, novelash dhe romanesh mbi të cilët janë bazuar dhjetra filma. -Përse bie kjo daulle? 1969. Bazuar në një tregim të Kadaresë, me regjisor Piro Milkani -Nëntori i një kryqyteti, Kadare, 1974, regjia, Rikard Larja -Ballë për Ballë 1979, fragment nga "Dimri i madh", Kadare, regjisor, Kujtim Çashku, aktore, Kadri Roshi, Bujar Lako, Raimonda Bulku, Kujtim Çaushi -Liri a vdekje, 1979, skenari Vath Koreshi, regjisor Kristaq Mitro, -Gjenerali i ushtrisë së vdekur, 1976-77 , Kadare, regjisor Vladimir Prifti, -Gjakftohtësia, 1980, i bazuar mbi nje tregim te Kadarese, regjisor, Kujtim Çashku aktore, Bujar Lako, Reshat Arbana, etjer -Kur hidheshin themelet, 1978, skenari, Kole Jakova, regjia Vladimir Prifti, -Nusja dhe shtetrrethimi, 1978 skenari Elena Kadare ,regjisor, Ibrahim Muçaj, -Lulëkuqet mbi mure, skenar Petraq Qafezezi, 1976, regjisor Dhimitër Anagnosti. -Beni ecën vetë, 1975, skenari, Kiço Blushi, regjisore Xhanfise Keko -Zonja nga qyteti, 1976 skenari, Ruzhdi Pulaha, regjisor, Piro Milkani, -"I teti në bronz", Komisari Memo- 1970, D.Agolli, regjisor, Viktor Gjika, -Horizonte të hapura, 1969, Agolli, regjisor viktor Gjika, -Krevati i Perandorit, 1973, poezi-fabul D.Agollit, regjisor Endri Keko -Njeriu me top, 1975, D. Agolli, regjisor, Viktor Gjika Si ta kuptojmë që një autor i këtij niveli, si Agron Tufa të anashkalojë rolin kryesor të letërsisë së realizmit socialist në propozim? Çfarë e pengon Agron Tufën të përfshijë novelat dhe romanet soc-realistë në këtë debat? Është i çuditshëm fakti që Agron Tufa bëri apel para pak kohe që ta përjashtojmë Kadarenë nga gjyqi moral i periudhës komuniste ndërkohë që aktorët dhe regjisorët soc-realistë po i radhit në bankën e të akuzuarve?!! Mos të harrojmë se mes tyre ka gjithashtu figura të kinematografisë, që kanë një nivel të paneglizhueshëm artistik. Aktualisht, nga debati duket sikur filmat i shpikën 100% regjisorët komunistë. Në një kohë që soc-realizmi ishte pjellë e ideologjisë në të gjitha fushat e artit. Mendoj se mënyra se si po sulmohen regjisorët është shumë e padrejtë. Idetë e filmave janë pjella letrare të shkrimtarëve dhe skenaristëve soc-realistë. Kështu që në këtë pikë, është e papranueshme që t'u hidhet plotësisht përgjegjësia regjisorëve dhe aktorëve të filmave. Agron Tufa, në rolin e tij të Drejtorit Ekzekutiv të IPP dhe si shkrimtar duhet të plotësojë pa vonesë propozimin për parlamentin shqiptar edhe me veprat e letërsisë soc-realiste të muzikës e arteve figurative në një ansambël së bashku me filmave e Kinostudios Shqipëria e Re. Po e shoh këtë debat në një tjetër kontekst kohor, duke filluar nga viti 1992. Ka disa romane të soc-realizmit që sot studiohen nëpër shkollat shqiptare që e kanë falsifikuar historinë. Le të marrim p.sh romanet Dimri i madh, dhe Koncert në fund të dimrit, të Ismail Kadaresë. Dimri i madh hyjnizon ndarjen e Enver Hoxhës me Hrushovin, gënjen për konfliktin tonë me rusët për Pasha Limanin dhe justifikon vetizolimin tonë. Kjo ndodh edhe te Koncert në fund të Dimrit. Aty ka racizëm ndaj kinezëve, tallje dhe falsifikim i historisë. Regjimi enverist ne këto romane del i pastër dhe dinjitoz. E kështu mund të vazhdoj edhe me autorë të tjerë. Agron Tufa! Ndryshimi bëhet kur fillon nga vetvetja-thotë fjala e urtë. Meqenëse jemi shkrimtarë duhet ta pastrojmë fillimisht kështjellën letrare prej mbeturinave soc-realiste dhe pastaj të hidhemi tek ato të Kinostudios! Por le të bëhem më i qartë. Mendoj se të gjithë librat soc-realistë duhen rikaluar në sitën e analizës/reçensimit objektiv, sepse atëherë do të dalin në pah vlerat e tyre objektive. Deri më sot, krijimet soc-realistë nuk janë kritikuar por vetëm lëvduar pa kritere dhe argumente. Për aq sa kohë kjo nuk është bërë, të gjitha krijimet letrare të periudhës 1944-1991 duhet të ruhen në arkiva për studiuesit e letërsisë, por nuk duhen përfshirë kurrsesi në programet shkollore të lëndës së letërsisë. Në mbyllje, mendoj se protesta e Agron Tufës, sado që është moralisht e drejtë, ajo është gjysmake ngaqë ajo gjarpërin e kap prej bishtit dhe jo prej koke. Dhe koka e gjarpërit ka qenë e mbushur me helmin e regjimit enverist, i përkrahur fillimisht prej: shkrimtarëve, poetëve këngëtarëve, skulptorëve dhe pastaj prej regjisorëve, të cilët shpesh u dhanë jetë filmike romaneve dhe poezive trushpëlarëse soc-realistë!! Mirëpo këmbëngulja e Tufës dhe vëmendja çuditërisht e madhe e mediave shqiptare për këtë debat, pikërisht në këtë moment është e dëmshme. Jo vetëm se është e paplotë dhe për këtë arsye e pa- pranueshme. Por mbi të gjitha ky debat ia hoqi vëmendjen shqiptarëve nga kriza politike e reformës në drejtësi. Ku më 30 mars parlamenti, në mungesë të PD-së votoi ndryshimin e ligjit që asnjëanëson rolin e vetingut pasi gjykimet e vjetra nuk mund të rishqyrtohen. |
| 4 orët e vështira të darkës Rama-Meta dhe mundësia për shtyrjen e zgjedhjeve Posted: 03 Apr 2017 08:51 AM PDT Darka mes Edi Ramës dhe Ilir Metës ka marrë të gjithë vëmendjen mediatike 12 orët e fundit. Të shumta kanë qenë hamendjet se çfarë kanë bisedua dy aleatët që kishin me vete edhe dy bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë. Ndonëse deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për një marrëveshje mes Ramës e Metës, Top Channel mëson se gjatë darkës së mbrëmshme prej 4 orësh, palët janë dakordësuar për rifreskimin e paktit për një mandat të dytë qeverisës. 4 orët e bisedës nuk kanë qenë të lehta, sepse darka duket se ka reflektuar mosmarrëveshjet dhe konfliktet e 4 viteve të qeverisjes, për të cilat Rama dhe Meta mësohet se kanë patur shumë për t'i thënë njëri-tjetrit. Marrëveshja e re mes Ramës dhe Metës për të cilën flasin burimet e Top Channel erdhi pak orë pasi në Asamblenë e Partisë Socialiste ishte duartrokitur fort opsioni i fitores së PS pa LSI. Megjithatë, Top Channel mësoi se në darkën e marrëveshjes Edi Rama dhe Ilir Meta kanë rënë dakord të përjashtojnë qeverinë teknike si mundësi konsensusi me opozitën, por është lënë hapur mundësia e një reforme të plotë zgjedhore, e cila mund të kërkojë kohë përtej afatit të zgjedhjeve. E nëse kjo ndodh, mund të jemi përballë dy skenarëve. Ose shtyrje të zgjedhjeve përtej 18 qershorit, ose një pjesë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor do të miratohen para zgjedhjeve dhe pjesa tjetër pas zgjedhjeve. Në çdo rast opozita mbetet e përjashtuar nga ky proces, për aq kohë sa kushti i saj kryesor është qeveria teknike. Por ndoshta me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, opozita mund të gjejë një zgjidhje për të dalë nga çadra. Ndërkohë, sonte LSI do të mbledhë Kryesinë, prej nga ku do të ketë ndoshta një vendim rreth marrëveshjes së re me Ramën. |
| 8 shenja që ke një personalitet të fortë që mund t’i trembë njerëzit Posted: 03 Apr 2017 08:08 AM PDT Kur njerëzit takojnë dikë me personalitet të fortë, ata nuk e kuptojnë se me çfarë lloj personi kanë të bëjnë. Disa njerëz mendojnë që ti dominon. Të tjerë mendojnë se je i rëndë. Por asnjë prej këtyre nuk është e vërteta. Këto fjalë mund të mos e reflektojnë fare personalitetin tuaj. Në fakt, njerëzit e fortë, shpesh herë janë "kotele" brenda. Thjeshtë njerëzit me autoritet autoritar ju japin reputacion të keq. Njerëzit e fortë nuk është e thënë të "fitojnë", ata thjeshtë nuk duhet të lënë të tjerët që "t'i shkelin'. Sigurisht, disa njerëz mund të kenë frikë nga ju. Por kjo ndodh thjeshtë sepse ata, nuk munden ta kuptojnë se si ka mundësi që ju jeni kaq rehat me veten tuaj, dhe nuk keni nevojë të kërkoni "konfirmimin" prej të tjerëve. Ja tetë shenja që kanë personalitet të fortë, që mund t'i trembë disa njerëz. Ju nuk i duroni dot justifikimet Personalitetet e fortë nuk i durojnë dot justifikimet. Kur keni personalitet të fortë, nuk je i gatshëm të dëgjosh njerëz që harxhojnë kohë duke u ankuar për atë që mund të bëjnë. Ju preferoni më shumë të përqendroheni tek ajo që mund të bëni dhe si mund ta bëni, duke kapërcyer pengesat. Mos vër veten në dyshim, përse nuk justifikoheni. Mund të ketë shumë arsye përse mund të mos e bëni dot diçka, por ka shumë më tepër arsye përse mund ta bëni. Ju jeni i kujdesshëm për njerëzit që lejoni të hyjnë në jetën tuaj Si person i fortë, ju nuk prisni që të tjerët t'ju thonë se kush jeni, çfarë jeni apo çfarë mund të bëni. Ju e dini që disa njerëz kanë nevojë ta bëjnë këtë gjë për t'u ndierë mirë me veten. Ju e dini gjithashtu se disa njerëz kanë nevojë të dëgjojnë disa gjëra, për t'u ndjerë të plotësuar. Edhe nëse nuk e dini ende saktësisht se kush jeni, ju e dini se nuk keni nevojë për një të dashur, shef, shok, apo anëtar të familjes që t'ju thotë se çfarë jeni në gjendje të bëni. Këtë mundeni që ta gjeni vetë. Ju urreni bisedat e kota Bisedat e kota, sa për të shtyrë kohën janë të tmerrshme. Nëse keni personalitet të fortë, atëherë keni shumë ide. Ju nuk doni të harxhni kohë duke folur për njerëzit, kur mund të jeni duke ndrshuar botën. Mund të ndieni sikur nuk jeni të zotë për këto gjëra. Por kjo s'është e vërtetë. Çdokush mund të merret me biseda të kota. Ajo që ndieni është parehatia, sepse këto bsieda të harxhojnë kohë dhe qeliza të trurit. Nuk e duroni dot marrëzinë, idiotësinë dhe injorancën Personalitetet dominues vijnë nga një mungesë ndikimi ose dije. Personalitetet e fortë janë rezultat i të qënurit njerëz që mendoni dhe të mirëinformuar. Ka një dallim të madh mes të dyve. Duke qenë se keni harxhuar kohë dhe përpjekje që ta përdorni për mirë mendjen tuaj, ju e urreni kur njerëzit bëjnë gjykime të çastit, për gjëra për të cilat nuk dinë asgjë. Kjo është ndoshta cilësia juaj më e mirë, por jo sepse mund ta përdorni dijen tuaj për të influencuar nejrëzit. Kjo ndodh sepse mund ta përdorni për të inkurajuar nejrëzit që të mendojnë atë që thonë, para se të hapin gojën. Ju dini si të dëgjoni Njerëzit me personalitet të fortë dinë si të dëgjojnë. Mund të mendoni se njerëzit e vlerësojnë këtë gjë. Por në të vërtetë, të dëgjohesh dhe inkurajohesh janë gjëra që në fakt i tmerrojnë njerëzit që nuk janë mësuar. Ju nuk keni nevojë për vëmendje Duke patur këtë lloj personaliteti, ju nuk keni nevojë për vëmendje. Shumica e njerëzve që takoni, mendojnë se ju lulëzoni prej kësaj, por nuk është e vërtetë. Është thjeshtë që personaliteti juaj i tërheq njerëzit drejt jush. Ju bëni miq jo sepse doni ta bëni, por sepse njerëzit kanë nevojë të kenë përreth njerëz si ju. Pavarësisht këtij perceptimi, ju gjithsesi keni nevojë të "rikarikoheni". Mos u trembni që ta merrni këtë kohë. Është po aq e rëndësishme të kujdeseni për veten, sa edhe të kujdeseni për të tjerët. Ju nuk keni frikë Dakord, kjo nuk është e vërtetë. Ndoshta ka një gjë nga e cila keni frikë. Por dallimi mes jush dhe njerëzve të tjerë është se ju nuk e lejoni frikën të diktojë mënyrën si e jetoni jetën. Ju e shihni pasigurinë si shans Pasiguria për ju është një shans për të bërë më mirë. Ju e dini se nuk jeni i përsosur, por nëse nuk po përpiqeni që të mësoni dhe zhvilloheni, pavarësisht riskut se mos dukeni si budalla, atëherë nuk po jetoni. Ju thjeshtë po ekzistoni. Thonë se kushdo është i pasigurtë dhe mbase është e vërtetë. Por çdokush duhet të mos lejojë që kjo pasiguri t'i ndalojë të jetojnë jetën. Sigurisht, disa njerëz mendojnë se personat me personalitet të fortë janë të vështirë për shoqëri. Por ju jeni i vështirë për shoqëri pikërisht sepse sfidoni të tjerët, që të jenë versioni më i mirë i vetvetes! |
| Vjedhja e 713 milion lekëve në Bankën e Shqipërisë, dënohet ish-kryeinspektorja Posted: 03 Apr 2017 07:06 AM PDT Ish-inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, është shpallur fajtore nga Gjykata e Tiranës për shpërdorim detyre. Ajo u akuzua për këtë krim pas skandalit të vjedhjes së 713 milion lekëve nga arkat e Bankës së Shqipërisë në vitin 2014. Prokuroria kërkoi 3 vite burg për të, por gjykata e dënoi me 2 vite burg Golemin, dënim i cili u konvertua në dy vite shërbim prove dhe dy vite përjashtim nga ushtrimi i funksioneve publike. Sipas Prokurorisë, Golemi, nuk ka monitoruar siç duhet lëvizjet në arkën e bankës, nga ku u morën 713 milion lekë nga ish punonjësi i bankës Ardian Bitraj. Për këtë ngjarje u ndalua edhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, por ky i fundit u shpall i pafajshëm dhe u dëmshpërblye me 56 paga mujore |
| Ja sa shqiptarë u përgjuan në Facebook, What’s App dhe Viber Posted: 03 Apr 2017 07:03 AM PDT 3943 persona janë përgjuar në territorin shqiptar gjatë komunikimeve të tyre telefonike, kompjuterike dhe në ato të platformave What's App, Viber dhe Facebook. Kjo shifër bëhet publike nga Prokuroria e Përgjithshme e cila sqaron se këta shtetas kanë qenë të dyshuar dhe disa prej tyre vazhdojnë ende të përgjohen për llogari të 676 procedimeve penale që ndiqen nga organi akuzës. Nga të dhënat e prokurorisë rezulton se kryeprokurori Llalla ka firmosur afro 6 urdhra përgjimesh përgjatë 365 ditëve të vitit 2016, me një total prej 2283 vendime të marra pasi janë kërkuar nga prokurorët apo janë vendosur nga gjykatat kompetente. Krahasuar me vitin 2015 ka një shtim vendimesh për përgjime me 338 të tilla ndërsa si numër personash përgjatë vitit 2016 janë 156 shtetas më pak të përgjuar. Përgjimet zbuluan sulmin terrorist në Shkodër Sipas të dhënave përgjatë 2016 përgjimet janë përdorur për të zbuluar një sërë veprash penale përfshirë dhe parandalimin e aktit terrorist të planifikuar në stadiumin e Shkodrës teksa do të zhvillohej ndeshja Shqipëri-Izrael e vlefshme për botërorin Rusi 2018. Pjesën dërrmuese të përgjimeve sqaruan burime për ReportTv e zënë veprat penale të trafikut të drogës, korrupsionit si dhe ato të pastrimit të parave. |
| Ndahet nga jeta kantautori i madh Françesk Radi Posted: 03 Apr 2017 06:52 AM PDT Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare këngëtari i njohur Françesk Radi. Prej disa ditësh Radi ndodhej në reanimacion në gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak të një hemoragjie të rëndë. Bashkëshortja e tij, spikerja e njohur Tefta Radi dhe familjarë të tij të tjerë kanë bërë thirrje dhe apel gjithë këto ditë për ta kuruar jashtë shtetit, por nisur nga gjendja e tij e rëndë shëndetësore mjekët kanë menduar që një lëvizje e tij do të ishte akoma më fatale. Megjithatë pavarësisht kujdesit të treguar artisti i madh, nuk ka mundur të mbijetojë. Ai do të mbahet mend gjatë në memorien e shqiptarëve për muzikën dhe këngët plot ritëm që ka sjell në gjithë këto dekada karrierë. Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare këngëtari i njohur Françesk Radi. Prej disa ditësh Radi ndodhej në reanimacion në gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak të një hemorragjie dhe sot ka ndërruar jetë. Kush ishte Françesk Radi Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe punoi në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai filloi punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme. Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët "Adresa" dhe "Biçikleta", dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet '70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga "Adresa" dhe "Biçikleta" kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve '90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët "Rroku i burgut", "Humba pranverën", "Telefonatë zemrash", "Zemër e lodhur", "Ky fat na ra", "Kemi dasmë 'o" etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut. |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





