Tirana Observer: “Beteja për audiencën / Rama, Meta dhe Basha në të njëjtën orë live” plus 9 more |
- Beteja për audiencën / Rama, Meta dhe Basha në të njëjtën orë live
- Spektakolare! Si u vodhën tetë banka pa lënë asnjë gjurmë
- AFP: Rama ka pas vetes BE-në
- Ngjela zbardh negociatat/ Meta i kërkon Ramës tre poste që Basha të dalë nga çadra
- Armand Duka humb garën për “qeverinë” e UEFA-s, por Shqipëria merr 1 mln euro
- Cana nuk synon vendin e Tares te Lacio: Ai është ndër më të mirët
- Aktorja turke e “Dashuri e ndaluar” mohon lajmet për sëmundjen e saj
- Arilena po korr sukses ndërkombëtar me ‘Nëntorin’, lë pas edhe Justin Timberlake
- Kush janë dy deputetet që dyshon Basha se komplotojnë kundër tij tek ambasadorët?
- Koço Kokëdhima flet për përçarje të PS-së dhe kërcënon Ramën
| Beteja për audiencën / Rama, Meta dhe Basha në të njëjtën orë live Posted: 05 Apr 2017 08:18 AM PDT E enjtja do të jetë edhe dita më e ngarkuar politikisht, të paktën për audiencën. Kryeministri Rama, kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta do të jenë të tre live në TV në të njëjtën orë në një moment kritik për politikën shqiptare. Kjo do të jetë edhe përplasja e fortë për audiencën. Basha do të jetë i ftuar në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut në Tv Klan, ndërsa Meta në "Arena" të Dritan Hilës në Ora News. |
| Spektakolare! Si u vodhën tetë banka pa lënë asnjë gjurmë Posted: 05 Apr 2017 07:53 AM PDT Vjedhja e bankomateve me pajisje të sofistikuara nuk është diçka e pazakontë, madje ka qenë një realitet i prekshëm dhe në Shqipëri. Por, grabitja e parave pa shtypur asnjë buton dhe pa lënë gjurmë nuk është parë e dëgjuar ndonjëherë. Një histori e tillë ka ndodhur në Rusi një vit më parë, kur një grup hakerash kanë marrë 800 mijë $ në 8 bankomate pa lënë asnjë gjurmë, raporton Vizion+. E vetmja provë që kanë hetuesit janë pamjet filmike të një personi me kapuç i cili afrohet pranë bankomatit dhe vetëm mbledh paratë, pa shtypur asnjë buton. Hetuesit dyshojnë te një bashkëpunëtor i dytë i cili ka sulmuar sistemin e bankomatit duke ç’koduar sigurinë e tyre dhe nxjerrë paratë. Por shume surprizuese për firmën e sigurisë Kaspersky në Rusi është fakti që dy dosjet që janë gjetur si gjurmë në hard drive-n e bankomatit nuk ka patur një burim që mund të çonte në identifikimin e hakerave por vetëm dy fraza: Merr paratë k… (Take the monay bitch!) dhe sukses i arritur! (Dispense success). Pavarësisht se kanë kaluar rreth një vit nga kjo grabitje, hetimet duket se po mbyllen pasi nuk ka asnjë provë që të çojë në identifikimin e tyre. Kjo grabitje ka vënë në alarm bankat në Rusi të cilat kanë rritur sistemet e tyre të sigurisë ne bankomate. Lajmi në fjalë ka bërë xhiron e botës, duke vënë dhe bankat e shteteve të tjera ne alarm për një sulm të ngjashëm i cili nuk lë gjurmë interceptimi. |
| Posted: 05 Apr 2017 07:41 AM PDT Agjencia e njohur e lajmeve, AFP, ka publikuar një shkrim për situatën politike në Shqipëri. Agjensia franceze i ripropozon lexuesve të saj kushtin tashmë të njohur të PD për qeveri teknike duke nënvizuar patjetërsueshmërinë e këtij kushti sipas opozitës shqiptare. Sipas AFP, kryeministri shqiptar ama gëzon mbështetjen e BE. "I mbështetur nga Bashkimi Evropian, Rama të dielën refuzoi formimin e një qeverie teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve". Opozita në Shqipëri kujton AFP ka braktisur parlamentin shqiptar që në fund të shkurtit duke akuzuar qeverinë për lejimin e zgjerimit të kanabisit, një plagë kombëtare, akuza të mohuara nga kryeministri socialist", shkruan agjencia e njohur AFP. |
| Ngjela zbardh negociatat/ Meta i kërkon Ramës tre poste që Basha të dalë nga çadra Posted: 05 Apr 2017 07:38 AM PDT Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta u takuan sot për rreth një orë në kryesinë e Kuvendit, dy ditë pasi lideri i LSI-së foli për krijimin e një qeverie besimi dhe zgjedhje vetëm me opozitën. Pak orë pas mbylljes së këtij takimi zbulohet edhe se për çfarë po flitet konkretisht. Spartak Ngjela, një aleat i ngushtë i Ramës, sidomos gjatë diskutimeve të Reformës në Drejtësi tregon se çfarë propozimi konkret i ka bërë Meta kryeministrit Rama. "Sipas burimeve të mia, Meta kërkon ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Presidentin që opozita të dalë nga çadra dhe të rikthehet në Kuvend. Meta i ka thënë Ramës që nëse LSI merr këto poste, opozita del nga çadra", thotë Ngjela për Panoramën. Megjithatë sipas tij, posti i ministrit të Brendshëm, është shumë i rëndësishëm dhe Rama nuk mund ta japë te aleati kryesor pa u konsultuar më parë. "Po a e di Meta që të marrë ministrin e Brendshëm, duhet të pyesë aleatët e mëdhenj, sidomos Uashingtonin?", pyet Ngjela. |
| Armand Duka humb garën për “qeverinë” e UEFA-s, por Shqipëria merr 1 mln euro Posted: 05 Apr 2017 06:08 AM PDT Armand Duka, presidenti i FSHF-së, pëson humbjen e parë në karrierën e tij si pjesë e futbollit. Pasi ka vendosur "diktaturë" në zgjedhjen për disa mandate radhazi në futbollin shqiptar, si president, kësaj radhe tentoi t'i kalonte kufijtë, duke kandiduar për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Por, nuk ia ka dalë dot. Kreu i qeverisë së futbollit në vendin tonë nuk arriti dot të marrë kuotën prej 28 votash të mjaftueshme për të qenë në organin më të lartë drejtues të UEFA-s. Në përfundim të votimit që ishte i fshehtë, Armand Duka grumbulloi vetëm 25 vota, duke mbetur përfundimisht jashtë këtij komiteti. Lajmi më i mirë për Federatën Shqiptare të Futbollit në këtë kongres ishte përfitimi i një fondi prej 1 milionë eurosh. UEFA vendosi që kjo shifër t'i akordohet çdo federate anëtare të saj në formën e shpërblimit për regjistrim të bilanceve financiare pozitive pas pjesëmarrjes së kombëtareve në Evropianin e Francës të vitit të kaluar. |
| Cana nuk synon vendin e Tares te Lacio: Ai është ndër më të mirët Posted: 05 Apr 2017 06:06 AM PDT Është një nga ish-futbollistët e Kombëtares, i cili ka provuar shumë kampionate dhe ka bërë mirë me fanellat e skuadrave që ka mbajtur veshur. Te Lacio, Lorik Cana kujtohet ende për shpirtin luftarak dhe për pseudonimin "Luftëtari". Në një intervistë dhënë për "La lazio siamo noi", Cana ka folur për të ardhmen e tij dhe mundësinë nëse e mendon veten të projektuar në krye të skuadrës laciale, qoftë edhe në rolin që sot mbahet nga Igli Tare. "Sigurisht që jo!", është përgjigjja e prerë e Canës si për ta përjashtuar këtë mundësi përgjithmonë. "Ambienti është shumë i komplikuar dhe nevojitet shumë eksperiencë", ka vijuar ish-kapiteni i Kombëtares. Më tej, Cana ka shpjeguar vështirësitë që has një drejtor i ri në një klub të madh. "Ta nisësh karrierën si drejtor pa shumë eksperiencë në një klub të madh është shumë e vështirë dhe në të vërtetë për këtë ka një meritë shumë të madhe Igli Tare. Nëse pak vite më parë ishte tabu për një shqiptar, ai e bëri më së miri punën e tij. Tani është shndërruar në një nga më të mirët në Itali. Të qenit shqiptar në role të tilla mund të jetë një lloj pengese, edhe pse sot jemi thuajse brezi i tretë në Itali", ka deklaruar Lorik Cana. |
| Aktorja turke e “Dashuri e ndaluar” mohon lajmet për sëmundjen e saj Posted: 05 Apr 2017 05:45 AM PDT Sapo e ka parë veten në titujt e mediave se është e prekur nga sëmundja e Alzheimer-it, pak orë më parë, ka reaguar aktorja e njohur për rolin e Firdevs-it në serialin "Dashuri e ndaluar" dhe në "Sulejmani i Madhërishëm". Në lajmet e fundit të mediave turke, thuhej se Nebahat Çehre është prekur nga një sëmundje e rëndë pak kohë më parë. Sipas dyshimeve, aktorja e famshme 73-vjeҫare, e cila njihet për formën e shkëlqyer fizike, vuan prej kohësh nga Alzhaimeri. Madje, thuhet edhe se ajo është diagnostikuar nga kjo sëmundje më herët, në vitin 2013, ku iu shfaqën problemet e para me kujtesën. Mediat turke, madje citojnë edhe miq të afërt të aktores, të cilët e kanë konfirmuar sëmundjen e saj duke shtuar se Çehre po trajtohet nga një mjek personal. Megjithatë, asgjë nuk duket të jetë e vërtetë në këto shkrime. Sapo ka lexuar lajmin në media, aktorja ka reaguar publikisht duke mohuar atë që është shkruar gjatë ditës së sotme. Nebahat Çehre, përmes një deklarate publike, ka thënë se lajmi që ka qarkulluar gjatë ditës nuk është i vërtetë dhe ka për qëllim të dëmtojë imazhin e saj: "Të dashura media dhe të dashur miq; sot pashë fotot e mia në internet bashkë me lajmin që nuk reflekton asnjë të vërtetë brenda tij, përkundrazi, dëmton imazhin tim. Para së gjithash, më duhet të theksoj se nuk ka asnjë të vërtetë në të gjithë atë që shkruhet. Avokati im, Bilal Kucuksengun, i cili është në kontakt me njerëzit dhe me institucionin nga ka dalë lajmi, ka nisur procedurat e domosdoshme ligjore," thuhet në deklaratën e aktores së njohur.
|
| Arilena po korr sukses ndërkombëtar me ‘Nëntorin’, lë pas edhe Justin Timberlake Posted: 05 Apr 2017 05:33 AM PDT Arilena po përjeton një sukses ndërkombëtar me remiksin e këngës Nëntori, që po i befason të gjithë. Në renditjen e momentit në tërë globin, e këngëve më të dëgjuara në Shazam, kënga e saj është ngjitur dhe ka arritur në vendin e 87-të duke kaluar edhe Justin Timberlake. Në Rusi, ku kënga e saj, në renditjen e Shazam, është e katërta, qëndron në vend të parë në Radio Like fm. Në vendin fqinj, në Ukrainë, mban vendin e katërt në radio Energy dhe vazhdon të ngjitet në renditjet radiofonike dhe Shazam të disa shteteve të tjera. Të gjitha këto tregojnë që kënga e Arilenës, e kompozuar nga Darko Dimitrov dhe remiksuar nga Besmir Bajgora, po dëgjohet nga publiku i shteteve të tjera. Vetëm pak kohë më parë, në ndeshjen Palermo-Inter në stadiumin siçilian shpërtheu "Nëntori". Ndërkaq 'Nëntorin' e dëgjojnë edhe personazhe të njohur të muzikës dhe spektaklit, kompozitori dhe dj Evgeny Prokhorov në makinë, kampionia e fitnesit Ekaterina Shokhina, teksa sfilon dhe Arilena publikohet në faqe fansash me mijëra ndjekës. Gjithë ky sukses kur kënga është ende në shqip! Megjithatë shumë shpejt do të dalë edhe versioni anglez që do e ketë titullin "I'm sorry" dhe do të shoqërohet me klip. Ndërsa Arilena, po përgatitet për një tur koncertesh në Rusi dhe Evropë dhe stafi i saj menaxherial konfirmon që shumë shpejt do të ketë kontrata me dy kompani produksioni në Amerikë dhe Evropë.
|
| Kush janë dy deputetet që dyshon Basha se komplotojnë kundër tij tek ambasadorët? Posted: 05 Apr 2017 05:19 AM PDT Lulzim Basha ka sulmuar sot edhe një pjesë të politikanëve të vjetër në PD, pas takimit të Jozefina Topallit dje me ambasadorët Lu dhe Vlahutin. Pse Basha e theksoi sot në çadër këtë togfjalësh se "nuk do të ketë pazar përmes disa politikanëve të mazhorancës dhe të opozitës që të vazhdojë vjedhja…"? Për cilin e kishte fjalën Basha? Çfarë po kurdisin pas shpinës së Bashës me Topallin, Selamin dhe Bregun? Një PD të re e cila do te futet në zgjedhje apo që ti bëjnë presion kryetarit të PD që të futet në zgjedhje? Këtë javë, Lulzim Basha e quajti vendimtare për zhvillimet politike. Në fjalimin që mbajti nga çadra e protestës përballë kryeministrisë, Basha foli për një komplot ekonomik dhe politik kundër PD. Nuk do të ketë dialog fasadë, për të arritur në një zgjidhje fasadë, që PD, sipas tij të bëhet pjesë e teatrit të kukullave. Basha pret që zhvillimet e orëve në vijim të tregojnë nëse dialogu që kërkon Rama është vazhdim i lojës apo i vërtetë. "Sot e gjithë këtë javë, ndodhemi në një javë është vendimtare të zhvillimeve, komploti kundër jush shpreson që përmes dialogut fasadë të arrijmë zgjidhje fasadë, ku PD dhe opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave, në shkëmbim të pazareve në emër të interesave të kupolës, që PD të marrë karriget e saj dhe llokmën e saj në kupolën kriminale të Republikës së Vjetër. Kjo është shpresa. Ky është projekti. Orët në vijim do ta shpalosin këtë," tha Basha. |
| Koço Kokëdhima flet për përçarje të PS-së dhe kërcënon Ramën Posted: 05 Apr 2017 05:11 AM PDT Ish deputeti socialist, Koço Kokëdhima ka paralajmëruar diçka të fortë kësaj radhe, ndërsa flet për përçarje të Partisë Socialiste. Në mesazhin e tij Kokëdhima ka qenë i qartë, ndërsa ka paralajmëruar se do të marrë me vete dhe emra të tjerë nga PS. "Unë vazhdoj të besoj se ne do t'i propozojmë një listë të zgjedhur me primaret brenda anëtarësisë së "Zgjidhjes", lidershipit të Partisë Socialiste që ta përfshijë në listat e Partisë Socialiste dhe nuk kam asnjë arsye që të mos e besoj këtë gjë. Në qoftë se kjo nuk pranohet, do të mbledhim forumet tona dhe do të marrim vendimet e duhura", theksoi ai. Pavarësisht kritikave në distancë dhe gërricjeve, kjo është hera e parë që ai e kërcënon Ramën kaq hapur se nëse nuk do të përfshijë njerëzit e tij në listat për deputetë. "Shteti është në duart e tutkunëve dhe të korruptuarve. Sa do të vazhdojë kjo histori kështu?", përfundon ai.
|
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |










