“Tërhiqet Ligji për ushtrinë, u jepet rast bisedimeve me Listën Serbe” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Tërhiqet Ligji për ushtrinë, u jepet rast bisedimeve me Listën Serbe” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Tërhiqet Ligji për ushtrinë, u jepet rast bisedimeve me Listën Serbe

Posted: 04 Apr 2017 09:57 AM PDT

Institucionet e Kosovës nuk do të procedojnë me miratimin e Ligjit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, pa harxhuar fillimisht përpjekjet që ky hap të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Ndryshimi i formës juridike - ligjore për themelimin e Forcave të Armatosura, ka pasuar sugjerimet e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me tërheqjen e përkohshme nga ligji për rolin dhe misionin e ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është pajtuar edhe vet iniciuesi i tij, presidenti Hashim Thaçi. Gjatë një debati të organizuar nga Lëvizja Fol, Thaçi tha se formimi i ushtrisë së Kosovës nuk kundërshtohet nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ka dallime për formën dhe mënyrën e themelimit. Andaj, ai tha se do t'u jepet edhe një rast ndryshimeve kushtetuese. "Konsideroj që institucionet tona ende kanë në dispozicion kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjnë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, sepse unë konsideroj se ky është opsioni më i mirë i mundshëm", ka thënë Thaçi. Hapat në vijim, ka nënvizuar Thaçi, do të përfshijnë bisedimet me serbët e Kosovës që edhe ata të jenë pjesë e procesit të ndryshimeve kushtetuese dhe themelimit të Forcave të Armatosura. Por, nëse dështojnë sërish përpjekjet për t'i bindur serbët, ai tha se projektligji, të cilin ia ka proceduar Kuvendit, do të mbetet në tavolinë si mundësi rezerve. "Ne do të punojmë për ndryshime kushtetuese, sepse është në interes të vendit, në interes të të gjithëve. Por e theksoj, askush nuk mund të vë veto për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Iniciativa ligjore mbetet në agjendë", ka thënë Thaçi. Çështjen e transformimit të FSK-së në forcë me mision ushtarak, qoftë edhe përmes ligjit, e kishte shtyrë fillimisht deputeti opozitar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj. Ai thotë se formimi i ushtrisë përmes amandamentimit të kushtetutës është opsioni më i preferuar. Por, qoftë në variantin e parë apo të dytë, transformimi duhet të nis këtë vit, thekson Haradinaj.  "Unë jam ithtar i asaj që ky vit të jetë vit i ushtrisë. Kurse forma dhe metodat se si do të transformohet FSK, për mua është sekondare", ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Daut Haradinaj. Pas kthimit të Listës Serbe në institucionet dhe Kuvendin e Kosovës është aktualizuar çështja e arritjes së një marrëveshje me këtë subjekt politik, ku do të përfshiheshin votimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe ndryshimet kushtetuese. Kurse si shpagim, institucionet e Kosovës do të ndërmerrnin hapa të shpejtuar drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, pazare të tilla politike, i kundërshton ashpër deputeti Daut Haradinaj. Ai ka thënë se këto janë procese e vendime të ndara. "Transformimi i FSK-së buron në Pakon e Ahtisaarit, ndërsa rreth Asociacionit, mendoj që përgjigjen më të mirë e ka dhënë Gjykata Kushtetuese e cila ka gjetur shkelje në 23 nene. Ushtria është çështje e brendshme e jona dhe duhet të trajtohet ndaras nga të gjitha temat tjera, sepse është gabim fatal nëse dikush tenton të bëj koncesione", ka theksuar Daut Haradinaj. Sidoqoftë, presidenti dhe institucionet e Kosovës, tashmë kanë një dakordim në parim që t'i përfillin rekomandimet dhe sugjerimet e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Njëherësh, koalicioni aktual, është zotuar se do t'i përmbushë edhe dy obligimet dhe zotimet që i ka dhënë para faktorit ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi. Vetëm pasi që t'i përmbyllin këto tema, besohet se subjektet politike do të mund të hapin edhe kapitullin e zgjedhjeve, për të cilat tashmë është pozicionuar në parim pjesa më e madhe e spektrit politik. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB do të hetojë sulmin e dyshuar kimik në Siri

Posted: 04 Apr 2017 09:19 AM PDT

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte hapën hetimet e një sulmi të dyshuar kimik në provincën Idlib të Sirisë, i cili ka lënë të vdekur së paku 58 veta. Komisioni i OKB-së për Hetime e dënoi po ashtu sulmin e së martës. Në deklaratën e tij dënohen edhe sulmet e dyshuara mbi një objekt mjekësor, ku po trajtoheshin viktimat e sulmit të dyshuar kimik. "Të dyja veprimet do të llogariten si krime lufte dhe shkelje serioze e ligjit të të drejtave të njeriut", thanë hetuesit e OKB-së. I dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, u tha gazetarëve në Bruksel se, në bazë të të gjithë treguesve, "sulmi ka qenë kimik dhe është kryer nga ajri". Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme më 5 prill, për të diskutuar incidentin. Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup që monitoron luftën në Siri, tha se sulmi në qytetin Khan Sheikhoun, i cili kontrollohet nga rebelët, është kryer nga avionë të Qeverisë siriane, ose asaj ruse. Të vrarët përfshijnë së paku 11 fëmijë. Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, mohon se përdor armë kimike dhe akuzon rebelët për përdorimin e tyre. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se avionët e saj nuk kanë kryer asnjë sulm pranë qytetit Khan Sheikhoun. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vuçiq: Protestat janë në rregull derisa janë të qeta

Posted: 04 Apr 2017 09:05 AM PDT

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia është vend demokratik dhe se protestat, për shkak të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, janë në rregull derisa janë të qeta. "Serbia është vend demokratik dhe secili mund të jetë i lumtur ose jo me rezultatin e zgjedhjeve. Paramendoni sikur unë t'i thërras të gjithë mbështetësit dhe të festojmë. Nuk kemi kohë për këtë. Duhet të punojmë dhe të jemi më të suksesshëm", tha Vuçiq për gazetarët në Mostar, teksa komentoi protestat e një grupi të rinjsh, të hënën në Beograd. Vuçiq ka fituar zgjedhjet presidenciale në Serbi me më shumë se 55% të votave. Zgjedhjet u mbajtën më 2 prill. Përpara Kuvendit të Serbisë është duke u protuestuar edhe sot.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin i kërkon kabinetit plan për luftimin e dopingut

Posted: 04 Apr 2017 08:35 AM PDT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kërkoi nga kabineti i tij që të dalë me një plan për të luftuar dopingun në sport. Kremlini tha se Putin e urdhëroi qeverinë që të përgatitet për mënyrat e zbatimit të një plani, nisur nga data 20 prill. Agjencia Botërore Anti-Doping ka raportuar në muajin dhjetor se qundra atletë rusë, në rreth 30 sporte, kanë përdorur droga të ndaluara në Lojërat Olimpike në Londër më 2012, në Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi më 2014 dhe në gara të tjera. Raporti po ashtu ka konstatuar se Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi dhe Ministra e Sporteve atje kanë qenë të përfshira në dopingun masiv të atletëve. Zyrtarët rusë i kanë hedhur poshtë këto akuza.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA dhe NATO bëjnë thirrje për formimin e qeverisë së re në Maqedoni

Posted: 04 Apr 2017 07:03 AM PDT

Ambasadori i SHBA-së dhe zyra e NATO-s në Shkup kanë bërë thirrje për zgjidhjen e shpejtë të krizës institucionale në Maqedoni përmes respektimit të shumicës së reparlamentare dhe formimin e qeverisë së re. Në manifestimin me rastin e shënimit të Ditës së NATO-s, ambasadori amerikan, Jess Baily edhe njëherë ka inkurajuar presidentin Gjorge Ivanov që ta zhbllokojë formimin e qeverisë së re, duke thënë se respektimi i parimeve demokratike dhe zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës janë rruga e vetme që shpien vendin drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. "Ju keni Parlament ku mund të diskutohet për të gjitha çështjet. Por, me rëndësi është që të vazhdohet edhe me procesin e formimit të qeverisë... Po presim që vendi t'i përmbush të gjitha kushtet e Marrëveshjes së Përzhinos. Ka pasur zgjedhje kredibile në dhjetor, Kuvendi ka filluar me punë, shumica parlamentare është formuar dhe mendojmë se nuk është në pajtueshmëri me parimet demokratike dhe Kushtetutën mos lejimi i procesit të formimi i qeverisë", ka thënë ambasadori amerikan, Jess Baily, duke shtuar se bllokimi i mëtejmë i formimit të institucioneve do të ketë pasoja mbi vendin dhe qytetarët e tij. "Nëse kjo nuk ndodhë, kjo do të thotë se ka ngecje, nuk mund të sillen vendimet, projekte që nuk do të përfundojnë dhe në fund qytetarët duhet të vendosin nëse kjo është ajo që duhet të bëjnë Parlamenti dhe liderët e tyre politikë", ka theksuar Baily. Edhe Aleanca Veri Atlantike pret respektimin e shumicës parlamentare. Kreu i zyrës së NATO-s në Shkup, Gorazd Bartol, gjithashtu kërkoi shmangien e retorikës nacionaliste dhe veprimeve që cenojnë marrëdhëniet ndëretnike. "Të gjithë liderët politik duhet ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje të shpejtë për zhbllokimin e procesit dhe formimin e shpejtë të një qeverie funksionale dhe efektive, e gatshme të zbatojë reformat urgjente prioritare. Aleanca dhe Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu i bënë thirrje të gjitha partive t'i japin fund retorikës përçarëse dhe të shmangin veprimet që nxisin tensionet ndëretnike", ka deklaruar Bartol. Kriza qeveritare është bllokuar në Kuvend nga VMRO DPMNE-ja e cila përmes ndërhyrjeve procedurale me fjalime 'maratonë' të deputetëve të saj, tani e shtatë ditë, po pamundëson zgjedhjen e Talat Xhaferit nga BDI-ja për kryetar të ri të Kuvendit nga radhët e shumicës së re parlamentare të udhëhequr nga LSDM-ja e Zoran Zaevit. Koalicioni i ri pret që pas zgjedhjes së kryeparlamentarit t'i drejtohet edhe njëherë presidentit Gjorge Ivanov për mandatimin e Zoran Zaevit për kryeministër. Por, Ivanov të hënën pas takimit që pati me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se "nuk do të heq dorë nga vendimi", për shkak të deklaratës së partive politike shqiptare me të cilën pretendon se rrënohet karakteri unitar i Maqedonisë. Nga ana tjetër, LSDM-ja ka paralajmëruar masa për zhbllokimin e punimeve të Kuvendit, por pa saktësuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Personat me aftësi të kufizuara nuk gjejnë punë

Posted: 04 Apr 2017 06:33 AM PDT

Megjithëse Ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara i obligon institucionet që të punësojnë një persona me nevoja të veçanta në çdo 50 të punësuar, ai nuk ka gjetur zbatim në Kosovë, thonë vetë kjo kategori e shoqërisë. Sipas tyre, në Kosovë nuk ka as statistika se sa persona me aftësi të kufizuara punojnë në sektorin publik dhe as në atë privat. Institucionet në Kosovë megjithatë nuk kanë të dhëna të sakta rreth numrit të personave me nevoja të vecanta. Bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 10 deri në 15 për qind e popullatës në botë e përbëjnë personat me aftësi të kufizuara. Osman Shatri, thotë se ka qenë njëri nga pjemarrësit kur është hartuar ligji për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Edhe vetë me aftësi të kufizuara Osman Shatri për Radion Evropa e Lirë thotë se ligji gjen shumë pak zbatim në vend. "Ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuar obligon ndër të tjera të gjithë punonjësit në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat, të punësojë një person me aftësi të kufizuar në cdo 50 të punësuar. Por zbatimi i kësaj dispozite është shumë i vogël, sidomos në sektorin publik, e që do duhej të ishte shembull për punësim për personat me aftësi të kufizuar. Po ashtu punësimi është shumë i vogël edhe në sektorin privat", ka thënë zoti Shatri. Sipas tij, ndonëse ligji ka obliguar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të mbajë statistika për personat e punësuar që kanë nevoja të veçanta, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. ''Ligji ka obliguar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që të mbajë statistika, por nga përvoja jonë e punës me Ministrinë, ata nuk i mbajnë këto statistika. Ato mund të gjinden veç e veç tek çdo punëdhënës'', ka thënë Shatri. Kryeinspektori Basri Ibrahimi nga Inspektorati i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka deklaruar se ky ligj nuk është shumë i zbatueshëm për shkak të instrumenteve të dobëta që i kanë edhe inspektorati i punës, për të shtyrë punëdhënësin që të punësojë persona me aftësi të kufizuara. Por, zoti Ibrahimi ka shtuar se janë duke punuar në ndryshimin e këtij ligji përmes udhëzimeve administrative, e që me pas do të obligojnë punëdhënësin që ta zbatojë ligjin. "Është paraparë që një pagë minimale do t'u paguhet personave me aftësi të kufizuar, nëse nuk zbatohet ligji nga punëdhënësi. Këtij ligji do t'i bashkangjiten udhëzimet administrative e që do të rregullojnë procedurën dhe pas kësaj krijohen mundësi më të mëdha dhe do të jetë funskional. Më pas edhe ndikimi i inspektoratit të punës në kompani është shumë më i madh. Në qoftë se nuk punëson kompania një person me aftësi të kufizuar ajo duhet të paguaj një pagë minimale për ta", ka thënë Ibrahimi. Por, Megjit Foniqi kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, ka thënë se ndonëse ligji aktual për punësimin e personave me aftësi të kufizuar nuk respektohet, deri më tani asnjë institutcion publik e as privat nu kështë dënuar për këtë cështje. "Deri më sot asnjë institucion qoftë publik apo privat nuk është penalizuar ose dënuar për moszbatimin e ligjit. Ndonëse nuk i përmbushin as për së afërmi kriteret. Ligji në fjalë përcakton penalizim për ata që nuk e bëjnë punësimin e personave me aftësi të kufizuara", ka thënë Foniqi. Sidoqoftë numri i përgjithshëm i të punësuarve në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, llogaritet të jetë 347 mijë persona apo 72 për qind e fuqisë punëtore në vend. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Liberalizohet tregu energjetik – KEDS nuk është më i vetmi operator 

Posted: 04 Apr 2017 06:25 AM PDT

Tregjet e hapura apo të liberalizuara të energjisë elektrike do të sjellin rritje të konkurrencës në mes të akterwve në tregun e Kosovës, duke ndikuar kështu edhe në ngritje të cilësisë, thonë përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Liberalizimi i tregut energjetik në Kosovë ka nisur në fillim të këtij muaji. Këtij procesi i ka paraprirë miratimi i pakos së tretë të ligjeve për energji në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, ligje këto në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian. Adelina Murtezaj Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Zyrën e Rregullatorit për Energji, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se liberalizimi i tregut i mundëson konsumatorëve që të zgjedhin në mes furnizuesve (operatorëve) të ndryshëm që operojnë në treg. "Gjenerimi i energjisë dhe furnizimi do t'i nënshtrohen tregut të lirë dhe roli i Rregullatorit do të jetë mbikëqyrës, duke siguruar se të gjithë aktorët zbatojnë rregullat e tregut të lirë dhe nuk lidhin marrëveshje në dëm të interesit të konsumatorëve. Me këtë qëllim, tashmë ZRRE ka licencuar edhe dy furnizues të tjerë përveç KESCO Sh.A,HEP sh.a dhe GSA sh.a", thekson Murtezaj – Bajrami. Ndërkohë distribuimi dhe transmisioni si bartës të energjisë elektrike janë funksione monopolistike dhe do të jenë gjithmonë të rregulluara. Përderisa prodhimi dhe furnizimi i energjisë do të jenë funksione që i nënshtrohen tregut të lirë. "Për operatorin e transmisionit dhe distribucionit, ZRRE do të vazhdojë të përcaktojë të hyrat e lejuara maksimale, në mënyrë që të sigurohet se konsumatorët janë të mbrojtur dhe ngarkohen vetëm për funksionet që këto kompani kryejnë sa i përket transmetimit dhe distribuimit të energjisë. KEDS si operator i rregulluar do të jetë i obliguar me ligjet, rregullat dhe kushtet e licencës, që të ofrojë kushte të njëjta për të gjithë operatorët që janë licencuar dhe dëshirojnë të kryejnë funksionet e furnizimit me energji elektrike", ka theksuar Muretzaj-Bajrami. Iniciativën për fillimin e liberalizimit të tregut në fushën e energjisë e ka përkrahur edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Megjithatë, ata kanë kërkuar që gjatë licencimit të operatorëve të rinj, të konsultohet Ligji për mbrojtjen e konkurrencës, i cili ndalon marrëveshjet në mes ndërmarrjeve, të cilat, në veçanti kanë të bëjnë me përcaktimin e çmimit në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë. Valon Prestreshi, kryetar i Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky liberalizim i jep mundësi konsumatorëve të përzgjedhin kompaninë e cila është më e favorshme për ta. "Me liberalizim nënkuptohet mundësia që konsumatori të ketë mundësi zgjedhjeje të kualitetit dhe çmimit më të arsyeshëm, në të kundërtën fiksimi i çmimit dhe ndarja e tregut nuk janë dhe nuk konsiderohet liberalizim i tregut", ka theksuar Prestreshi. Në anën tjetër Rinora Gojani, menaxhere e programit në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë për Energji, thotë se një treg i liberalizuar i energjisë elektrike ju krijon konsumatorëve një siguri më të madhe për furnizim. "Kosova është një vend i cili mbështetet shumë nga energjia nga thëngjilli dhe kjo do të bëjë që të kemi një energji të diversifikueshme.Është një hap që është dashur të fillonte më parë, por mirë që po fillon edhe tani. Liberalizimi i tregut nuk është një event i cili ndodh një herë, por është një procedurë, kështu që kemi shumë për të bërë në këtë proces", thekson Gojani. Sa i përket çmimeve të energjisë elektrike Gojani thonë se nuk duhet pritur ulje të çmimit, pasi që energjia është një produkt i shtrenjtë, por sipas saj është e rëndësishme që çmimet që ofrohen të jenë të arsyeshme, transparente dhe të reflektojnë koston e shërbimit. Aktualisht 85 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike varet nga prodhimi i thëngjillit. Kosova vlerësohet si një ndër vendet më të pasura në botë më linjit. Prodhimi mesatar i thëngjillit, në Korporatën Energjetike të Kosovës, është rreth 8 milionë tonë në vit. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedonia shënon rënie në shkallën e demokracisë

Posted: 04 Apr 2017 06:20 AM PDT

Maqedonia ka shënuar rënie nga viti i kaluar në shkallën e demokracisë, vlerëson raporti i fundit i Freedom House. Në raport thuhet se Maqedonia ka shënuar ulje në të gjitha kategoritë, duke përfshirë dhe qeverisjen demokratike, procesin zgjedhor, ndërkohë që theksohet ndikimi politik mbi gjykatat dhe pengesat që i bëhen punës së Prokurorisë Speciale Publike. Uranija Pirovska drejtore e Komitetit të Helsinkit në Shkup për Radion Evropa e Lirë thotë se raporti i "Freedom House" paraqet një pasqyrë reale të asaj çka ndodh në Maqedoni, veçanërisht sa i përket uzurpimit të institucioneve shtetërore nga ana e partive politike të cilat e qeverisin shtetin dhjetë vitet e fundit. "Institucionet e vendit në vend se të kryejnë detyrat e përcaktuara me ligj për të qenë në shërbim të qytetarëve, kapacitetet e tyre, plotësisht, i kanë vendosur në shërbim të partive në pushtet. Flasim për një periudhë më të gjatë me ç'rast në Maqedoni është rrënuar tërësisht parimi i sundimit të drejtësisë duke shënuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut". "Edhe si Komitet i Helsinkit kemi regjistruar një numër të madh të rasteve që kanë të bëjnë me praninë e torturave në burgje, rastet e montuara politike... Pra, në Maqedoni gjatë dhjetë viteve të fundit kemi dhe të burgosur politik, një pjesë e të cilëve akoma vuajnë dënimin në burgjet e Maqedonisë. Kjo ka bërë që Maqedonia të shënojë ulje kaq të thellë dhe në raportin e Freedom House sa u përket proceseve demokratike", thekson Uranija Pirovska drejtuese e Komitetit të Helsinkit në Maqedoni. Rënie më të madhe, Maqedonia ka shënuar në lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, të cilat tani ndodhen në kategorinë jo të lirë me vlerësim më të ulët se në vitin 2001 kur Maqedonia u përball me një konflikt të armatosur. Sefer Tahiri, ligjërues në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë thotë se Maqedonia shënon regres të dukshëm sa i përket lirisë së mediave sepse pjesa më e madhe e mediave financohen nga arka e shtetit dhe si kundër shpërblim këto media si dhe gazetarë të caktuar janë shndërruar në trampolinë të politikave të qeverisë dhe partive politike në pushtet. "Konsideroj se kjo rënie drastike e lirisë së mediave në Maqedoni më tepër i atribuohet ndikimit politik, ndikimit të tmerrshëm të partive politike sidomos të VMRO DPMNE-së në pushtet ndaj disa mediave, televizioneve komerciale, po edhe gazetave madje dhe ndikimit në servisin publik Radio Televizionin e Maqedonisë, si dhe mediat on line ka bërë që Maqedonia të riradhitet përkrah shteteve ku liria e mediave është në një gjendje shumë të vështirë". "E theksoj se ndikimi politik i mediave është shumë I madh në Maqedoni do të thosha i ngjashëm me atë që është në shtet me tendenca totalitariste", nënvizon Tahiri. Ndryshe, organizata për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara në kuadër të projektit "Vendet në tranzicion" ka bërë një studim mbi demokracinë e 29 vendeve ish-komuniste nga Evropa. Vlerësimi bëhet në bazë të disa kategorive përfshirë këtu: mediat e pavarura, sektorin civil, procesin zgjedhor, nivelin e korrupsionit, e të tjera, me ç'rast Maqedonia shënon rënie në vazhdimësi gjatë viteve të fundit dhe së fundmi Maqedonia shënon rënie më të madhe të demokracisë në Ballkan. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tusk: BE e përkushtuar që t’i mbajë të mbyllura rrugët e migrantëve në Ballkan

Posted: 04 Apr 2017 05:55 AM PDT

Bashkimi Evropian është i vendosur që të respektojë marrëveshjen me Turqinë, për ndaljen e fluksit të migrantëve brenda bllokut, ka thënë presidneti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Tusk, i cili sot në Sofia u takua me presidentin bullgar, Rumen Radev, mirëpriti përpjekjet e Bullgarisë për të forcuar sigurinë në kufirin me Turqinë, me qëllim që të parandalojë migrantët të hyjnë ilegalisht në shtet. Ai tha se Brukseli do t'i jap ndihmë financiare Bullgarisë, nëse situata përkeqësohet. "Ne jemi të vendosur t'i mbajmë të mbyllura rrugët ilegale të migrantëve në këtë rajon", tha Tusk. Marrëveshje BE-Turqi ka hyrë në fuqi në mars të 2016-ës, pas më shumë se 1 milion refugjatë dhe migrantë nga Siria, Iraku dhe Afganistani arritën në Evropë më 2015, shumica prej të cilëve kaluan nga Turqia përmes ishujve grek.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin, Merkel dhe Hollande bisedojnë për luftën kundër terrorizmit

Posted: 04 Apr 2017 05:35 AM PDT

Liderët e Rusisë, Gjermanisë dhe Francës janë pajtuar sot të përshpejtojnë shkëmbimin e të dhënave, me qëllim që të jenë më efikas në luftimin e terrorizmit, ka njoftuar sot Kremlini. Presidenti rus, Vladimir Putin, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Francois Hollande kanë biseduar sot në telefon për çështjen e terrorizmit dhe situatës në Ukrainë. Ky diskutim mes liderëve, vjen vetëm një ditë pas shpërthimit vdekjeprurës në sistemin e metrosë në Shën Petersburg, ku u vranë 14 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Kremlini ka njoftuar se liderët gjithashtu kanë biseduar edhe për  armëpushimin e shpallur më 1 prill në lindje të Ukrainës, raporton Reuters. Një burim brenda qeverisë gjermane ka thënë se "Merkel i ka bërë thirrje Putinit që të përdorë ndikimin që ka tek separatistët në lindje të Ukrainës, që të respektojnë armëpushimin". Liderët thuhet se janë pajtuar që të vazhdojnë kontaktet për situatën në Ukrainë, raporton Retuers.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Franca kërkon mbledhje të Këshillit të Sigurimit për sulmin e dyshuar kimik në Siri

Posted: 04 Apr 2017 05:09 AM PDT

Ministri i Jashtëm francez ka kërkuar sot një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas raportimeve për një sulm të dyshuar me gaz në në provincën Idlib në Siri. "Një sulm i ri kimik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në provincën Idlib. Informacionet e para sugjerojnë se nga ky sulm ka shumë viktima, përfshirë edhe fëmijë. Unë i dënoj këto akte të neveritshme", ka thënë përmes një deklarate, ministri Jean-Marc Ayrault.  "Aksione e tilla kërcënojnë sigurinë nacionale prandaj kërkoj nga të gjithë që të mos ikin nga përgjegjësitë e tyre. Prandaj, unë kërkoj mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", ka thënë ai. Sipas Vëzhguesit sirian për të drejtat e njeriut, të paktën 58 persona kanë vdekur, në Khan Sheikhun, pas sulmit të dyshuar kimik. Në mesin e viktimave janë edhe 11 fëmijë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Demarkacioni ende me pikëpyetje

Posted: 04 Apr 2017 04:19 AM PDT

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi ende nuk ka arritur në Kuvendin e Kosovës, konfirmojnë deputetët nga partitë në pushtet dhe opozitë. Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar e ratifikimi i kësaj marrëveshje duhet të ndodhë. Ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, pas raportimit në Komisionin për Stabilizim Asociim, ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi është kusht obligues ligjor, i cili duhet të përmbushet nga legjislativi i vendit. "Sa më herët që mund ta ratifikojmë, është në interes të Kosovës. Përndryshe, Kosova do ta ketë temë edhe në 2017, edhe në 2018, edhe në 2019 edhe në 2020... Gabohet dikush nëse mendon se ky kusht mund të largohet", theksoi ministri Hoxha. Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, tash e sa kohë ka nxitur kundërshtimin e partive opozitare, por edhe të disa deputetëve të partive në pushtet, duke pamundësuar arritjen e votave të nevojshme, për ta ratifikuar marrëveshjen. Por, a kanë arritur partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që t'i bindin deputetët? Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur besimin se partitë në pushtet janë duke punuar për t'i bindur me fakte dhe argumente disa nga deputetët e partive të tyre, të cilët deri më tani kanë kundërshtuar marrëveshjen. "Po besoj që është duke u punuar dhe nëse vjen në Kuvend, atëherë me siguri se është arritur pajtimi për t'i fituar votat e duhura. Deri më tani akoma nuk ka ardhur. Qëndrimi, tani, i prerë i bashkësisë ndërkombëtare, si dhe kthimi edhe i deputetëve, të cilët nuk kanë qenë në parlament, po besoj që do të ndikojë që të ndryshojë çështja dhe të votohet demarkacioni. Po shpresoj që pushteti ka arritur që t'i bëjë votat", tha Haliti. Por, Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka informacione se qëndrimet e deputetëve të partive opozitare, por edhe të deputetëve të partive në pushet që kanë kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes, të kenë ndryshuar. "Unë nuk kam ndonjë informacion se kjo çështje është proceduar apo që ka ndryshuar qëndrimi i partive politike apo individëve të caktuar për këtë temë. Me sa di unë, pozicionet janë të njëjta dhe qëndrimet politike janë të njëjta", theksoi Gashi. Deputetja Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se partitë opozitare mbesin të betonuara në qëndrimin e tyre kundër Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërkohë që shprehet skeptike se deputetët e partive në pushtet, që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, do të mund ta ruajnë këtë qëndrim kur kjo çështje të rikthehet në Kuvend. "Ne, sa kemi pasur kontakte me deputetët e Kuvendit, shihet njëfarë hezitimi për të folur në lidhje me votën e tyre për këtë marrëveshje. Duke e marrë parasysh të kaluarën, ku shpeshherë, për shkak të presioneve, shantazheve dhe trysnive të ndryshme, deputetët edhe e kanë 'shitur' votën e tyre. Ne nuk kemi shumë besim që ata deputetë, të cilët tashmë kanë thënë se nuk do ta përkrahin ose të tjerë, të cilët kanë heshtur gjatë gjithë kohës, që këta nuk do ta përkrahin një marrëveshje të tillë", u shpreh Haxhiu. Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, ende nuk kanë precizuar se kur projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi mund të procedohet në Kuvendin e Kosovës.(REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lule për viktimat e sulmit në metro

Posted: 04 Apr 2017 04:02 AM PDT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka vendosur lule për viktimat e sulmit në metro në Shën Petersburg, ditën e hënë, ku mbetën të vrarë 11 persona dhe u plagosën shumë tjerë. VIDEO: REUTERS

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hetuesit rusë thonë se kanë identifikuar sulmuesin në Shën Petersburg

Posted: 04 Apr 2017 03:36 AM PDT

Hetuesit rusë thonë se bomba që shpërtheu në stacionin e metrosë në Shën Petersburg, është detonuar nga një burrë, mbetjet mortore të së cilit, janë gjetur në vendin e ngjarjes. Komiteti hetues i Rusisë, ka thënë se hetuesit e kanë identifikuar sulmuesin e dyshuar vetëvrasës por nuk kanë publikuar emrin e tij. Në shpërthimin e së hënës në Shën Petersburg u vranë 14 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. "Mjeti shpërthyes mund të jetë detonuar nga një person, mbetjet mortore të të cilit janë gjetur në vagonin e tretë të trenit", thuhet në deklaratën e Komitetit. Më herët, një zëdhënës i Komitetit Kombëtar të Sigurisë të Kirgizisë, ka thënë se Akbarjon Jalilov, i lindur në Kirgizi, me shtetësi ruse, është i dyshuari kryesor i sulmit.      

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Siri: Dhjetëra të vrarë nga një sulm i dyshuar kimik

Posted: 04 Apr 2017 02:34 AM PDT

Nga një sulm i dyshuar kimik janë vrarë të paktën 58 persona në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim të provicës siriane të Idlibit kanë thënë aktivistët. Vëzhguesi sirian për të drejtat e njeriut ka thënë se nga sulmet ajrore në Khan Sheikhun, të kryera ose nga avionët e qeverisë apo ato të Rusisë, dhjetëra njerëz kanë vuajtur nga problemet me frymëmarje dhe simptoma të tjera. Në mesine viktimave janë 11 fëmijë dhe shumica e viktimave dhe të lënduarve janë civilë, ka thënë kjo organizatë. Qeveria e presidnetit sirian, Bashar al-Assad ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur armë kimike gjatë sulmeve dhe ka akuzuar rebelët se përdorin armë të ndaluara. Por një hetim i kryer nga OKB, ka gjetur se forcat qeveritare kanë përdorur klorinë si armë, në të paktën 3 raste gjatë 2014-ës dhe 2015-ës.          

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Talibanët tregojnë strategjinë e tyre për ofensivën pranverore

Posted: 04 Apr 2017 02:15 AM PDT

Forcat talibane në Afganistan po planifikojnë të zgjerojnë kontrollin e tyre nëpër provinca, në të cilat tashmë kanë prezencë të shtuar të armatosur, gjatë ofensivëz pranverore, ka thënë një zëdhënës i këtij grupi për agjencinë e lajmeve DPA. Zabihullah Mujahid, ka thënë se militantët do të zgjerojnë territorin e tyre gjatë ofensivave në provincat Helmand dhe Oruzgan në jug, Farah dhe Faryab në perëndim dhe në provinca lindore Sar-e Pul dhe Kunduz. Zyrtarët e ushtrisë amerikane kanë thënë se qeveria në Kabul, që mbështetet nga Perëndimi, kontollon më pak se 60 për qind të vendit. Mujahid tha se talibanët do të fokusohen që të marrin nën kontroll kryeqytetet e provincave.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Freedom House: Kosova me regjim tranzitor nga regjimi gjysmë autoritar

Posted: 04 Apr 2017 02:03 AM PDT

Sukseset e fundit të populistëve në zgjedhje në Perëndim, kanë rritur frikën për destabilitet në Evropën postkomuniste dhe Euroazi, ka paralajmëruar në një raport të tij, monitoruesi i demokracisë Freedom House. Në raportin e Freedom House thuhet se vetëm gjatë vitit të kaluar, vota e britanikëve për t'u larguar nga Bashkimi Evropian, kundërshtimi i votuesve holandezë për marrëveshjen e Asociimit ndërmjet BE-së dhe Ukrainës dhe zgjedhja e Donald Trump, president i Shteteve të Bashkuara, "kanë rritur dyshimet së fundi për rendin e brishtë të pas Luftës së Ftohtë". Gjetjet u bënë publike në raportin vjetor të grupit me seli në New York për Popujt në Tranzicion me nëntitullin "Premtimet e rreme të populizmit". "Brexit dhe administrata e re në Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar populistët anti demokratë në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Ballkan" i tha Radio Evropa e Lirë, drejtori i projektit Popujt në Tranzicion të Freedom House, Nate Schenkkan. "Tani një masë kritike e liderëve në rajon hapur po e kundërshtojnë idenë e demokracisë liberale dhe ky populizëm po kombinohet gjithnjë e më shumë me nacionalizmin e vrazhdë etnik që në një mënyrë kërcënon paqen ne Evropë", thotë Schenkkan. Raporti shënon se një "ripërtëritje" e populizmit në Evropë ka ndodhur që prej rikthimit në pushtet të kryeministrit hungarez Viktor Orban më 2010 duke 'hequr' kontrollet dhe balancët në këtë shtet të BE-së dhe ka vazhduar me sulmet mbi shoqërinë civile dhe shtypin në Ballkan. Në raport thuhet se në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Ballkan "vitet e populizmit dhe të korrupsionit kanë gërryer institucionet premtuese demokratike". Raporti shënon edhe lëvizjet në vendet në tranzicion duke përmendur edhe Kosovën. Sipas Freedom House Kosova këtë vit ka lëvizur nga një regjim gjysmë autoritar i konsoliduar në një regjim tranzitor/hibrid. "Kosova ka filluar nga pika më e ulët nga vendet e Ballkanit në anketën tonë dhe gjatë dekadës së kaluar ka bërë përparim drejt konsolidimit të shtetësisë dhe ndërtimit të institucioneve të veta", ka thënë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i projektit për Vendet në Tranzicion, i Freedom House, Nate Schenkkan. "Por tash e tutje bëhet ende më vështirë", paralajmëroi ai, duke shtuar se "qeveria e vendit dhe partitë politike duhet të rrisin llogaridhënien në çështjen e korrupsionit dhe ata duhet të marrin vendime të vështira politike, në çështjet siç janë përfaqësimi i pakicave dhe integrimi evropian". Në studimin e Freedom House mbi demokracinë në 29 vende ish komuniste nga Evropa qendrore deri në Azinë Qendrore, thuhet se Shqipëria ka notën 4.14, njësoj sikurse edhe vitin e kaluar. Kosova ka notën 4.96, ndryshe nga 5.07 që e kishte një vit më parë. Në raport ndërkohë, Serbia është vlerësuar se ka arritur në pikën më të ulët të demokracisë që prej vitit 2003, pavarësisht se ka bërë përparim në negociatat për pranimin në BE. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rritet numri i viktimave nga shpërthimi në Shën Petersburg

Posted: 04 Apr 2017 01:32 AM PDT

Ka shkuar në 14 numri i viktimave nga shpërthimi i së hënës në metronë e Shën Petersburgut. Kështu ka njoftuar ministrja e Shëndetësisë, Veronica Skvortsova, duke shtuar se 49  të plagosur, janë të shtruar në spital.  Shpërthimi ndodhi të hënën në orën 14:20 sipas kohës lokale, teksa një tren ishte duke udhëtuar ndërmjet dy stacioneve të metrosë. Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Shërbimi i sigurisë në Kirgizi ka thënë se i dyshuari kryesor për shpërthimin në metronë në Shën Petersburg, është një qytetar rus, i lindur në Kirgizi. Zëdhënësi i Komitetit për Siguri Kombëtare, Rakhat Suleimanov, ka thënë sot se kanë identifikuar të dyshuarin si Akbarjon Jalilov. Ai tha se i dyshuari ka lindur më 1995 në rajonin Osh të Kirgizisë.      

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kirgizi: I dyshuari kryesor për sulmin në Shën Petersburg ka lindur në Kirgizi

Posted: 04 Apr 2017 12:42 AM PDT

Shërbimi i sigurisë në Kirgizi ka thënë se i dyshuari kryesor për shpërthimin në metronë në Shën Petersburg, është një qytetar rus, i lindur në Kirgizi. Zëdhënësi i Komitetit për Siguri Kombëtare, Rakhat Suleimanov, ka thënë sot se kanë identifikuar të dyshuarin si Akbarjon Jalilov. Ai tha se i dyshuari ka lindur më 1995 në rajonin Osh të Kirgizisë. Nga shpërthimi në stacionin e motrosë në Shën Petersburg, u vranë të paktën 11 persona dhe u lënduan 51 të tjerë. Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë shpërthim.        

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump telefonon Putinin pas shpërthimit në Shën Petersburg

Posted: 03 Apr 2017 11:51 PM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka biseduar në telefon me homologun rus, Vladimir Putin, ku i ka ofruar "mbështetjen e plotë" të SHBA-së, pas shpërthimit vdekjeprurës në metronë në Shën Petersburg, ku u vranë 11 persona dhe u plagosën 51 të tjerë. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të hënën në mbrëmje se Trump i ka premtuar Putinit "mbështetje të plotë të qeverisë amerikane, në përgjigje për sulmin, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë". "Trump dhe presidenti Putin janë pajtuar se terrorizmi duhet të mposhtet shpejt dhe me vendosmëri të plotë", ka thënë në një deklaratë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Peskov ka thënë se Trump "ka shprehur ngushëllime" për familjarët e të prekurve nga ky shpërthim. Ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por mediat ruse janë duke raportuar se autoritet po dyshojnë se ky ishte sulm terrorist. Detajet nga hetimet që po zhvillohen ende nuk janë të qartë dhe teori të ndryshme, lidhur me shpërthimin e së hënës janë duke qarkulluar në media. Agjencia Interfax ka raportuar se policia dyshon se shpërthimi është ktyer nga një 23-vjeçar, që besohet se ka qenë "sulmues vetëvrasës". Po ashtu kjo agjenci, citon një zyrtar të paidentifikuar të sigurisë, që ka thënë se i dyshuari besohet se ka bartur mjetin shpërthyes në një çantë. Ndërkaq, agjencia TASS ka raportuar se njëri nga dy të dyshuarit për këtë shpërthim, është një burrë nga Azia Qendore që ka lidhje me grupet radikale islamike. Thuhet po ashtu se edhe një grua, gjithashtu nga Azia Qendore, në njëfarë mënyre, mund të jetë e përfshirë në shpërthimin, megjithatë këto raportime ende nuk janë konfirmuar. Komiteti kombëtar anti-terror ka thënë se është duke kërkuar për "sulmuesit apo organizatorët e sulmit terrorist". Ministrja e Shëndetësisë, Veronica Skvortsova, ka thënë se katër nga të plagosurit janë në gjendje kritike. Shpërthimi ndodhi më 3 prill, teksa një tren ishte duke udhëtuar ndërmjet dy stacioneve të metrosë në Shën Petersburg. Një zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë, Aleksandr Kurennoi, fillimisht e quajti shpërthimin akt terrorist, por më vonë tha se është ende herët, që për këtë ngjarje, të bëjë ndonjë koment përfundimtar. Rreth dy parë pas shpërthimit, një bombë e prodhuar në kushte shtëpie, u gjet në një tjetër stacion të metrosë. Autoritet arritën ta ç'aktivizonin me kohë atë. Mediat ruse thonë se policia është duke e kërkuar një person, i cili është kapur nga kamerat e sigurisë. Shumë nga të plagosurit e shpërthimit, kanë plagë që duket se janë shkaktuar nga copëza të predhës, kanë raportuar mediat. Agjencitë e sigurisë kanë konfirmuar se mjeti shpërthyes ka pasur pjesë të predhave dhe agjencia Interfax ka thënë se mjeti shpërthyes ka peshuar 1 kilogram. Natalya Kirillova ka thënë se ajo ishte ulur në fund të një vagoni të metrosë, kur ndodhi shpërthimi. Sipas asaj, duket se mjeti shpërthyes mund të ketë qenë i vendosur në platformën që lidh dy vagonët e metrosë. Ajo ka thënë se e ka parë telefonin e saj, pasi frikësohej se do të vonohej për një takim që kishte në orën 15:00. "Në atë moment ndodhi shpërthimi. Isha e ulur pranë një mbajtëse të hekurit dhe besoj që kjo gjë më ka shpëtuar", ka thënë ajo për Current Time. "Të gjithë u rrëzuan në anën e djathtë, jo në tokë, por në ulëset e tyre". "Ka pasur shumë gra dhe fëmijë në atë vagon. Një gjyshe dhe fëmijët e saj ishin përballë meje. Ajo ishte me fat sepse vetëm u rrëzua por nuk u lëndua", ka treguar ajo. Krillova tregon se pas shpërthimit, metroja vazhdojë rrugën për në stacionin e radhës, ku ajo dhe pasagjerët e tjerë, u detyruan që të dalin nga dritaret sepse dyert ishin të prishura. Komitetit anti-terror ka thënë se shpërthimi ka ndodhur ndërmjet stacioneve Tekhnologichesky Institut dhe Sennaya Ploshchad, në orën 14:40 sipas kohës lokale. Pas kësaj, të gjitha stacionet e metrosë në Shën Petërsburg u mbyllën dhe disa linja u hapën disa orë më pas. Sulmuesit vetëvrasës, në dy dekadat e fundit, kanë goditur qytete të ndryshme të Rusisë. Kryengritësit me bazë në Çeçeni dhe vende të tjera të rajonit rus të Kaukazit Veriror shpesh janë fajësuar për to por edhe kanë marrë përgjegjësinë për sulmet. Një sulm vdekjeprurës në sistemin e metrosë në Rusi ka ndodhur në Moskë në mars të 2010-ës, ku ndodhën shpërthime në dy stacione. Në ato sulme u vranë 33 persona. (REL) Përgatiti: Mimoza Sadiku

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now