“Shpërthimet godasin autobusin e Borussia Dortmund-it” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Shpërthimet godasin autobusin e Borussia Dortmund-it
- Migrantët afrikanë “shiten në tregje të skllevërve”
- Putin: Ka plane për “sulme të rreme” me gaz në Siri
- McCain i shqetësuar me ndërhyrjen e Rusisë në Bosnje
- Trump miraton anëtarësimin e Malit të Zi në NATO
- SHBA "e shqetësuar" për fatin e Universitetit të Sorosit në Hungari
- Lista Serbe drejt ndarjes
- Kryeministri ukrainas zotohet se do të bëjë më shumë reforma
- IS ka humbur shumicën e territorit në Irak
- Kriza politike në Maqedoni shndërrohet në krizë ekonomike
- McCain anashkalon Maqedoninë në vizitën në Ballkan
- Putin: Do të kërkojmë hetim ndërkombëtar për sulmin kimik
- Komuna e Prishtinës: Nuk po kryhen punime të fshehta në objektin e Kishës ortodokse
- Trump thotë se SHBA është e gatshme ta zgjidhë vet “problemin” e Koresë Veriore
- Dy ushtarë rusë janë vrarë në Siri
- Policia e Kosovës intensifikon hetimet për kërcënimet ndaj Arbana Xharrës
- Tahiri: Dialogu me Beogradin vazhdon pasi që Kuvendi të heqë pezullimin
- Turqi: Nga eksplodimi – së paku katër vetë të plagosur
- Haradinaj: Nuk po kërkoj unë spastrim etnik, por Beogradi
- Tillerson: Rusia të zgjedhë ndërmjet SHBA-ve apo Assadit
| Shpërthimet godasin autobusin e Borussia Dortmund-it Posted: 11 Apr 2017 11:44 AM PDT Tre shpërthime goditën autobusin që po transportonte ekipin e futbollit Borussia Dortmund në një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Sipas disa njoftimeve, lojtari Marc Bartra është plagosur dhe është dërguar në spital. Ekipi shkroi në Twitter se lojtarët tjerë janë mirë dhe se nuk ka rrezik në apo përreth stadiumit Signal Iduna Park në Dortmund. Indikacionet e para tregojnë se ky ishte një "sulm me eksplozivë të rëndë", tha policia në Dortmund. Agjencia AFP tha se dritaret e autobusit janë thyer nga shpërthimet. Ndeshja e planifikuar me Monakon është shtyrë për të mërkurën. Borussia Dortmund është aktualisht në vendin e katërt në tabelën e Bundesligës gjermane. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Migrantët afrikanë “shiten në tregje të skllevërve” Posted: 11 Apr 2017 10:46 AM PDT Afrikanë që bëjnë përpjekje të arrijnë në Evropë, janë duke u shitur nga kapësit e tyre në "tregje të skllevërve në Libi", tha Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM). Viktimat i kanë thënë kësaj organizate se pasi janë ndaluar nga kontrabandistë ose grupe të milicive, janë dërguar në sheshe të qyteteve ose vendparkime të makinave për t'u shitur. Migrantët me shkathtësi të caktuara, si lyerje apo ndërtim i çative, janë shitur me çmime më të larta, thanë zyrtarë të IOM-it. Libia është në kaos që prej vitit 2011, kur u rrëzua lideri i saj, Muamar Gadafi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Putin: Ka plane për “sulme të rreme” me gaz në Siri Posted: 11 Apr 2017 09:27 AM PDT Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Kremlini ka informacione se ekzistojnë plane për sulme të rreme kimike në Siri. Në një konferencë për media në Moskë, së bashku me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, Putin tha se Rusia do t'i tolerojë kritikat e Perëndimit për rolin e saj në Siri, porse shpreson se qëndrimet do të zbuten. I pyetur nëse pret sulme të reja raketore nga SHBA-ja në Siri, Putin tha: "A janë të mundshme sulmet e reja? Kemi informacione nga burime të ndryshme se provokime të ngjashme – nuk mund t'i quaj ndryshe – po përgatiten në rajone të tjera të Sirisë, përfshirë rrethinat jugore të Damaskut. Ka plane për vendosjen e disa substancave dhe pastaj fajësimin e autoriteteve siriane për përdorimin e tyre". Putin nuk ofroi asnjë dëshmi për këtë pohim. Rusia ka mbrojtur Qeverinë e Sirisë përballë akuzave të SHBA-së se ajo qëndron prapa sulmit me gaz nervor që ka ndodhur javën e kaluar në provincën Idlib. Mbi 80 veta kanë humbur jetën nga ky sulm. Por, Moska këmbëngul se nuk ka prova për të mbështetur një akuzë të tillë. Putin tha të martën se Rusia do të kërkojë urgjentisht nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike të hetojë incidentin. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| McCain i shqetësuar me ndërhyrjen e Rusisë në Bosnje Posted: 11 Apr 2017 09:08 AM PDT Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara, John McCain, tha se është i shqetësuar me ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e brendshme të Bosnje dhe Hercegovinës. Gjatë vizitës në Sarajevë, të martën, McCain tha se shumica në Kongresin amerikan e mbështet zbatimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje më 1995. "Ne qëndrojmë prapa Bosnje dhe Hercegovinës, duam të shohim vazhdimin e procesit të paqes. E dimë se ka pengesa dhe vështirësi të mëdha", tha McCain në ambasadën amerikane. Ai po ashtu tha se ka pasur "përparim të rëndësishëm" që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit, por shtoi se ka ende mjaft punë përpara. McCain është në turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ku Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin politik dhe ekonomik. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump miraton anëtarësimin e Malit të Zi në NATO Posted: 11 Apr 2017 08:35 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar protokollin e pranimit të Malit të Zi në NATO, konfirmoi Shtëpia e Bardhë. Nënshkrimi vjen pak ditë pasi Senati amerikan e ratifikoi protokollin me shumicë votash. "NATO është kyçe për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian", tha përmes një deklarate Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se anëtarësimi i Malit të Zi do të sinjalizojë për aspiruesit e tjerë se "dera për anëtarësim në komunitetin euro-atlantik mbetet e hapur". "Presidenti Trump uron popullin malazez për fleksibilitetin dhe angazhimin e dëshmuar ndaj vlerave demokratike të NATO-s", thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë. Pas nënshkrimit të protokollit për Malin e Zi nga presidenti Trump, mbetet që këtë procedurë të verfikimit ta përmbyllin edhe Spanja dhe Holanda. Zyrtarët malazezë presin që Mali i Zi të bëhet anëtar i barabartë i NATO-s në fund të majit apo fillim të qershorit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| SHBA "e shqetësuar" për fatin e Universitetit të Sorosit në Hungari Posted: 11 Apr 2017 08:28 AM PDT Një diplomat i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara janë "të shqetësuara" me ndikimin e një ligji të ri të Hungarisë në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest, i cili është themeluar nga miliarderi amerikan, George Soros. Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, tha të martën në Budapest se ligji godet qartë Universitetin e Evropës Qendrore dhe kërcënon rëndësinë e këtij institucioni. Më 10 prill, presidenti i Hungarisë, Janos Ader, nënshkroi legjislacionin, i cili kërkon nga universitetet e huaja në Hungari të kenë kampus dhe të ofrojnë kurse të ngjashme në vendet e origjinës. Ader tha se ligji, që mund të detyrojë universitetin në fjalë të largohet nga Hungaria, është në përputhje me kushtetutën dhe nuk shkel mbi lirinë akademike. Qeveria nacionaliste e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, e sheh Universitetin e Evropës Lindore si bastion të opozitës liberale. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Posted: 11 Apr 2017 07:56 AM PDT Transformimi i Listës Serbe nga një iniciativë qytetare në parti politike, e ka vënë para përçarjes këtë subjekt politik që përfaqëson komunitetin serb të Kosovës në institucionet e vendit. Dy përfaqësues të kësaj Liste, Slavko Simiq dhe Aleksandar Jabllanoviq, secili veç e veç, kanë parashtruar dokumentacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për regjistrim të Listës Serbe si parti politike. Javën e kaluar brenda këtij subjekti politik, janë shënuar përplasje, madje edhe në prani të medieve. Por, Slavko Simiq, deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili thotë se e kryeson Listën Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se të premten e kaluar ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dokumentacionin e nevojshëm për transformimin e iniciativës qytetare në parti politike, me emrin, siç e quan ai, autentik, "Lista Serbe". "Kemi dorëzuar nënshkrimet autentike të 1 mijë e 650 qytetarëve nga i gjithë territori i Kosovës. Pastaj, kemi dorëzuar edhe programin e partisë, statutin e partisë, si dhe themeluesin e partisë, me nënshkrimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, si dhe anëtarëve të Qeverisë, deputetëve dhe kryetarëve të komunave nga Lista Serbe. Kështu që, në të ardhmen, partinë Lista Serbe do ta rregullojnë dhe kompozojnë pikërisht qytetarët që do të kenë të drejtë që të marrin pjesë në organet e Kuvendit dhe të përpiqen që ta japin kontributin e tyre për fuqizimin e autoritetet të Listës Serbe përmes institucioneve qendrore dhe lokale", tha Simiq. Ai ka shtuar se tashmë është njoftuar se edhe Aleksandar Jabllanoviq, ka dorëzuar dokumentacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për transformim të Listës Serbe nga iniciativa qytetare në parti politike. Megjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë për ta kontaktuar Jabllanoviqin, ai ka qenë i paqasshëm. Megjithatë, në momentin kur Lista Serbe ishte regjistruar në vitin 2014, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si iniciativë qytetare, në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, ky subjekt mbante firmën e Jabllanoviqit. Ky subjekt kishte përfshirë anëtarët e partive të ndryshme dhe grupet politike të serbëve, për të marrë pjesë në zgjedhje si të unifikuar. Slobodan Petroviq, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se, megjithatë, Jabllanoviq është personi që ka themeluar këtë subjekt dhe ai ka të drejtën të jetë trashëgimtar i partisë që dhe pas transformimit nga iniciativa qytetare. "Sipas ligjit, në bazë të së cilit formohen iniciativat qytetare, zoti Jabllanoviq, në njëfarë mënyre, është edhe pronar i asaj iniciative. Ai është themeluesi i vetëm i asaj iniciative qytetare. Ndërkaq, se çka po ndodh krejt këtu, kush po e themelon partinë, njëri apo tjetri grup, kjo për mua është e parëndësishme. Unë që nga dita e parë kam thënë se njerëz mjaft joserioz dhe jopërgjegjës janë në pozita mjaft të përgjegjshme. Mendoj se është dëm mjaft i madh, para së gjithash për bashkësinë serbe, por edhe për të gjithë qytetarët, sepse kemi humbur tre vjet duke u marrë me atë se kush dhe në çfarë mënyre do të vijë në pozitë", tha Petroviq. Por, Simiq thotë se Jabllanoviq nuk do të mund ta regjistrojë subjektin e ri me emrin Lista Serbe. "Nuk mundet. Ne e kemi mbajtur plotësisht emërtimin autentik "Lista Serbe" dhe në qoftë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e verifikon kërkesën tonë, atëherë ky komision nuk mund ta lejojë Jabllanoviqin që të regjistrojë të njëjtin subjekt. Pra, të gjitha autorizimet e iniciativës qytetare 'Lista Serbe' kalojnë në partinë Lista Serbe", tha Simiq. Por, a po shënon ky moment përçarjen e Listës Serbe? Petroviq, thotë se kjo mbetet të shihet edhe më tej, por sipas tij, ndarjet brenda këtij subjekti kanë ekzistuar edhe më parë. "Lista Serbe që moti është e ndarë në disa grupime, por tash vetëm ka kulmuar dhe ka dal në proces të formimit të dy e ndoshta edhe më shumë partive. E kam të paqartë krejtësisht të paqartë se si sillen në këtë mënyrë njerëzit që kanë marrë mandat nga qytetarët që t'i mbrojnë interesat e tyre e ata po i rrezikojnë interesat dhe perspektivën e tyre. Të gjithë këtu kanë pjesë të përgjegjësisë, dikush më shumë e dikush më pak", tha Petroviq. Sidoqoftë, Lista Serbe është themeluar në vitin 2014 me mbështetjen politike të Beogradit zyrtar. Ky i fundit, pas plasaritjeve brenda këtij subjekti politik, ka deklaruar se e mbështet Slavko Simiqin, si kryetar të Listës Serbe. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kryeministri ukrainas zotohet se do të bëjë më shumë reforma Posted: 11 Apr 2017 07:43 AM PDT Kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Hroysman thotë se qeveria e tij do të vazhdojë zbatimin e reformave edhe këtë vit. Duke folur në një konferencë për media në Kiev, pesë ditë para njëvjetorit të marrjes së detyrës së kryeministrit, Hroysman tha se ai dhe ekipi i tij tash janë të fokusuar në reformimin e sistemit të pensioneve, arsimit dhe sektorit të shërbimeve shëndetësore. Ndërkaq, në fushën e sigurisë energjetike, ai tha se Kievi është duke shikuar mundësinë që të blejë thëngjill nga shtete të ndryshme, në mënyrë që të shmang varshmërinë e Ukrainës nga furnizimi me thëngjill nga Rusia. Kievi gjithashtu po shikon mënyrat se si të rrisë prodhimin e energjisë, përmes termocentraleve bërthamore dhe hidrocentraleve, tha Hroysman. Duke e quajtur Rusinë "shtet agresor", kryeministri ukrainas theksoi se vendi i tij më nuk është i varur nga gazin natyror rus. Kryeministri ukrainas gjithashtu tregoi se nuk e ka në plan të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale, që parashihet të mbahen më 2019. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| IS ka humbur shumicën e territorit në Irak Posted: 11 Apr 2017 07:10 AM PDT Grupi militant Shteti Islamik ka humbur më shumë se tre të katërtat e territorit që ka pasur nën kontroll në Irak, ka thënë sot ushtria irakiane. Gjenerali Yahya Rasool, zëdhënës i ushtrisë, ka thënë se IS-i momentalisht ka nën kontroll më pak se 30 mijë kilometra katror në Irak, apo 6.8 për qind të territorit të Irakut, shifër kjo shumë e ulët, krahasuar me 40 për qind të territorit të shtetit, që më herët ishte nën kontrollin e militantëve. Grupi ekstremist gjithashtu ka humbur territor edhe në Siri, ku është duke luftuar në afërsi të qytetit Raka me forcat që mbështeten nga SHBA. Forcat irakiane, që mbështeten nga koalicioni i sulmeve ajrore që i udhëheq SHBA-ja, kanë larguar militantët nga disa qytete dhe tash janë duke zhvilluar luftime të ashpëra në Mosul, që është qyteti i dytë më i madh irakian. Forcat irakiane e shpallën të çliruar pjesën lindore të Mosulit në janar dhe gjenerali Rasool tha se forcat tashmë kanë marrë nën kontroll gjysmën e pjesës perëndimore të qytetit. "Trupat tona janë shumë të kujdesshëm në avancimin e tyre", ka thënë Rasool. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kriza politike në Maqedoni shndërrohet në krizë ekonomike Posted: 11 Apr 2017 06:42 AM PDT Hulumtimet që ka realizuar shoqata e Odave Ekonomike Gjermane në Maqedoni nxjerrin në pah se 51 për qind nga 71 kompanitë e anketuara, e cilësojnë si shumë të keqe gjendjen ekonomike, përderisa vetëm 10 për qind e kompanive të anketuara vlerësojnë se klima ekonomike në vend është e mirë për të zhvilluar biznes. Vetëm 11 për qind e kompanive të anketuara janë shprehur optimiste se zhvillimi ekonomik gjatë vitit 2017 do të marrë të mbarën, përderisa mbi 63 për qind e kompanive janë shprehur me pesimizëm se ekonomia e Maqedonisë do të shënojë përmirësim. Mbi 82 për qind e tyre janë shprehur se janë të gatshëm për të investuar sërish, nëse përmisohet gjendja ekonomike. Patrik Martines drejtor i delegacionit gjerman nga rrjeti i shoqatave të Odave Eknomike Gjermane, si problematikë për kompanitë gjermane ka fokusuar mungesën e kuadrit me shkollë të mesme profesionale. "Kompanitë gjermane kanë vërejtur se nuk realizohet me efikasitet lufta kundër korupsionit. Madje gjithnjë e më evidente është problemi me të cilin ballafaqohen mbi 200 kompani, të cilat veprojnë në Maqedoni, sa i përket mungesës së kuadrit që del nga shkollat e mesme pofesionale. Mendoj se politikat arsimore në Maqedoni duhet të orientohen në këtë drejtim", ka theksuar Martines. Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Kristina Allthauzer ka theksuar se në të mirë të zgjidhjes së krizës politike, asaj ekonomike dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve është që sa më parë të zhbllokohet puna e Parlamentit, të zgjidhet kryetari i ri i këtij institucioni ligjvënës dhe më pas të zgjidhet Qeveria e re e Maqedonisë cila do të mund të veprojë. "Zgjidhja për krizën politike në Maqedoni është në tavolinë. Tani nevojitet vullneti politik për atë. Parlamenti të jetë operativ, të organizohet vetë, të zgjedhë kryetarin, pastaj edhe Qeverinë e cila do të mund të veprojë. Kjo është mënyra e rendit të trenit; jo vetëm për të mirën e politikës, por edhe për të gjithë, ekonominë, shoqërinë, qytetarët", tha ambasadorja Althauzer. "Situata politike reflekton kornizën e përgjithshme për gjendjen në shtet, si në aspektin ekonomik, atë shëndetësor, arsimor, kulturor etj. Më duhet të theksoj se zgjidhja e kësaj krize tanimë është e vonuar. Sot jemi më 11 prill, plot 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat u realizuan më 11 dhjetor, dhe analizat e të gjithë ekspertëve ekonomikë flasin qartë se kriza politike ka impakt tejet negativ në ekonominë e Maqedonisë", tha ambasadorja e Gjermanisë në Shkup , Kristina Althauzer. Në Maqedoni veprojnë mbi 200 kompani gjermane të cilat kanë të punësuar mbi 15 mijë qytetarë nga vendi. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| McCain anashkalon Maqedoninë në vizitën në Ballkan Posted: 11 Apr 2017 06:25 AM PDT Maqedonia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është pjesë e turneut të senatorit amerikan John McCain. Fakti që ky senator, me ndikim nga radhët e republikanëve dhe ish kandidat për president, anashkalon Maqedoninë është një porosi e fuqishme diplomatike për krizën në Maqedoni, vlerësojnë analistët. Denko Maleski, ish ministër i Punëve të Jashtme, beson se senatori John McCain është këshilluar që ta anashkalojë Maqedoninë për shkak të situatës politike e cila nuk po zgjidhet ashtu siç praktikohet në shtetet demokratike ku bëjnë pjesë edhe SHBA-të "Kjo tek ne nuk është praktikuar, që edhe e shkualifikon garniturën aktuale e cila pengon proceset demokratike. Ajo nuk mund të jetë bashkëbiseduese me personalitete të spikatura të botës demokratike. Këtu mendoj se qëndron thelbi se pse ky senator që ka ndikim të madh në politikën e jashtme amerikane, nuk do ta vizitojë Maqedoninë", thotë Maleski. Edhe Mersel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Fon të Shkupit thotë se anashkalimi i Maqedonisë është një mesazh i qartë se diçka nuk është në rregull me Maqedoninë. "Neve na vizitojnë vetëm ata diplomatë që duhet të na rikujtojnë se duhet t'i kryejmë obligimet tona. Niveli i vizitave të senatorit John McCain ndodhë në ato shtete në të cilat gjërat vlerësohen si relativisht normale, por ne jemi larg normales", thotë Bilalli. Nga ana tjetër, diplomati amerikan dhe eksperti për Ballkanin, Janush Bugajski në analizën e fundit shkruan për rritjen e ndikimit të Rusisë në rajon. Sipas tij, Moska po hap fronte të rajon në Ballkan me qëllim që të përkeqësojë krizën politike në Maqedoni. Qëllimi i kësaj, sipas Bugajskit, nuk është vetëm zvogëlimi i shanseve për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, por edhe që Ballkanin ta çojë në gjendje të konfliktit, me çka do të vinte në pah dobësitë e perëndimit dhe forcimin e rolit të Rusisë. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Putin: Do të kërkojmë hetim ndërkombëtar për sulmin kimik Posted: 11 Apr 2017 06:21 AM PDT Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se Moska zyrtarisht do të kërkojë një hetim ndërkombëtar, për atë që qeveritë perëndimore, thonë se është sulm kimik i kryer nga qeveria siriane mbi civilët. Putin sot ka folur për herë të parë publikisht për Sirinë, që prej se Shtetet e Bashkuara sulmuan me raketa një bazë ajrore siriane, në përgjigje ndaj presidentit Bashar al-Assad për sulmin kimik, ku u vranë mbi 80 persona. Putin u tha gazetarëve se Rusia do të apelojë në agjencinë e OKB-së në Hagë që të kryejë hetimin. Si duket, presidenti rus i është referuar Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. "Ne besojmë se çdo incident i këtij lloji duhet që zyrtarisht të hetohet", tha Putin. "Ne planifikojmë t'i drejtohemi trupave të OKB-së në Hagë dhe i bëjmë thirrje komunitetit global që të hetojë tërësisht këtë incident dhe të marrin vendime të balancuara, bazuar në rezultatin e hetimit". Ai gjithashtu tha se Rusia ka pranuar informacione të inteligjencës për "provokime" të planifikuara, të përdorimit të armëve kimike, me qëllim që t'i vihet faji qeverisë siriane. "Ne kemi informata nga disa burime se provokime të tilla janë duke u përgatitur në rajone të tjera të Sirisë, përfshirë këtu edhe në periferi të Damaskut, ku ata sërish po planifikojnë të hedhin ndonjë lloj substance, që të akuzojnë autoritetet siriane për një gjë të tillë", tha Putin. Presidenti rus gjithashtu ka thënë se ka dëgjuar se Shtetet e Bashkuara janë duke planifikuar sulme ajrore në periferi të Damaskut, por nuk dha asnjë dëshmi për një pretendim të tillë. Komentet e Putinit vijnë në kohën e tensionimit të raporteve në mes të Rusisë dhe Perëndimit, si dhe vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson në Moskë. Tillerson është nisur për në Moskë, ku më 12 prill, pritet të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Rusia dhe Siria pretendojnë se gazi toksik që la të vdekur dhjetëra civilë në provincën Idlib më 4 prill, është liruar në ajër kur forcat qeveritare siriane kanë goditur një depo që kishte armë kimike, në zonën e kontrolluar nga rebelët – një pretendim të cilin, qeveritë perëndimore e hedhin poshtë, ndërkaq SHBA e cilëson si "jokredibile". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Komuna e Prishtinës: Nuk po kryhen punime të fshehta në objektin e Kishës ortodokse Posted: 11 Apr 2017 06:04 AM PDT Komuna e Prishtinës thotë se nuk po zhvillohen punime të fshehta në objektin e Kishës ortodokse serbe në Prishtinë, që ndodhet brenda Kampusit të Universitetit "Hasan Prishtina". "Komuna e Prishtinës ka ndaluar punimet në këtë objekt për shkak të mungesës së dokumentacionit përkatës. Ai objekt trajtohet sikur të gjitha objektet tjera pa leje, dhe nëse haset në punime tjera pa leje, atëherë do të shkojmë me procedura përmes inspektorëve", thuhet në një deklaratë me shkrim të Komunës së Prishtinës, dërguar Radios Evropa e Lirë. "Që nga ajo kohë, në inspektimet e rregullta që bëhen, nuk është vërejtur zhvillim i punimeve atje. As sot", theksohet në deklaratë. Ditë më parë, një grup serbësh është parë duke pastruar një pjesë të oborrit dhe hapësirës brenda kësaj kishe. Çështjen e kishte ngritur si problematike një organizatë studentore me emrin Demokracia Studentore, sipas të cilës një grup i serbëve në mbështetje të disa priftërinjve po kryenin disa punime në objektin e kishës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump thotë se SHBA është e gatshme ta zgjidhë vet “problemin” e Koresë Veriore Posted: 11 Apr 2017 05:49 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë sot se SHBA është e gatshme të zgjidhë "problemin" e Koresë Veriore edhe pa ndihmën e Kinës, nëse është e nevojshme. "Koreja e Veriut po kërkon telashe", ka shkruar Trump në Twitter. "Nëse Kina vendos që të ndihmojë, kjo do të ishte gjë e mirë. Por nëse jo, ne do ta zgjidhim vet problemin", ka shkruar tutje presidenti amerikan. Trump urdhëroi sulmin me raketa mbi një bazë ajrore siriane më 7 prill, teksa ishte duke u takuar me presidentin e Kinës, Xi Jinping në Florida. Kjo lëvizje u interpretua edhe si një paralajmërim për Korenë e Veriut po ashtu edhe si përgjigje ndaj Damaskut, për sulmin kimik ndaj civilëve. "I kam shpjeguar presidentit të Kinës se marrëveshja tregtare me SHBA-në, do të jetë shumë më e mirë për ta nëse ata zgjidhin problemin e Koresë së Veriut", Trump ka shkruar më herët në Twitter. Trump më herët kishte kërcënuar për aksione të njëanshme ndaj Phenianit, nëse Kina, që është aleati kryesor i Veriut, dështon të ndihmojë në frenimin e ambicieve bërthamore të Koresë së Veriut. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Dy ushtarë rusë janë vrarë në Siri Posted: 11 Apr 2017 05:13 AM PDT Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka thënë se dy ushtarë të saj janë vrarë nga një sulm me mortajë në Siri, ndërkaq një ushtar tjetër është plagosur rëndë, kanë raportuar agjencitë e lajmeve ruse. "Ushtarët rusë të cilët ishin në një njësi të forcave siriane si instruktorë... janë sulmuar me një mortajë nga një grup rebelësh", citohet të ketë thënë kjo ministri. "Si pasojë e shpërthimit të mortajës, dy shërbyes rusë janë vrarë", thuhet në njoftimin e ministrisë, ku thuhet se edhe një shërbyes tjetër rus është duke marrë trajtim mjekësor. Megjithatë, në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes nuk tregohet se në çfarë vendi në Siri ka ndodhur sulmi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Policia e Kosovës intensifikon hetimet për kërcënimet ndaj Arbana Xharrës Posted: 11 Apr 2017 04:39 AM PDT Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka nisur prej disa ditësh hetimet intensive në rastin e kërcënimeve ndaj kryeredaktores së të përditshmes "Zëri", Arbana Xharra. Zonja Xharra bëri me dije, në fillimjavë, se "është kërcënuar përmes vizatimeve të një kryqi me ngjyrë të kuqe në hyrjen e objektit ku banon dhe në një vendparkim të veturës së saj". Një zëdhënës i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë se "policia ka nisur prej disa ditësh hetimet intensive në rastin e Arbana Xharrës", por nuk dha ndonjë hollësi rreth motiveve dhe as edhe kryesve të mundshëm të veprës. Kryeredaktorja e të përditshmes "Zëri" ka bërë të ditur se edhe më herët është përballur me kërcënime për shkak 'të punës së saj". Ajo i tha, të hënën Zërit të Amerikës se "ka kohë që merret me radikalizëm fetar dhe me ndikimin e agjendës së (presidentit turk Recep Tayyip) Erdogan në Kosovë dhe Maqedoni dhe se kohët e fundit i janë bërë shumë linçime si në Kosovë edhe në Maqedoni". Policia e Kosovës ndërkaq tha për Radion Evropa e Lirë se po zhvillon hetimet edhe për rastet e mëhershme të kërcënimeve ndaj zonjës Xharra, por nënvizoi se "nuk po i ndërlidhë me rastin e fundit të ndodhur para disa ditësh". Kërcënimet ndaj Arbana Xharrës i ka cilësuar shqetësuese Asocacioni i Gazetarëve në Kosovë, i cili ka kërkuar nga "organet e rendit që t'i zbardhin sa më parë njoftimet për kërcënime ndaj saj". Kërcënimi ndaj zonjës Xharra ka shkaktuar një valë reagimesh në Kosovë të spektrit politik, por edhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile. Arbana Xharra është laureate e Çmimit Ndërkombëtar për Gra të Guximshme, që ndahet nga sekretari amerikan i shtetit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Tahiri: Dialogu me Beogradin vazhdon pasi që Kuvendi të heqë pezullimin Posted: 11 Apr 2017 04:28 AM PDT Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka deklaruar se dialogu me Beogradin mund të vazhdojë pasi që të lirohet dhe kthehet në Kosovë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe pasi që Kuvendi ta shfuqizojë Rezolutën për pezullimin e bisedimeve. Këto komente, Tahiri i ka bërë pas raportimit në Komisionin për Stabilizim-Asociim. "Në momentin kur hiqet pezullimi (nga Kuvendi i Kosovës), dhe kjo do të ndodhë në momentin kur do të lirohet lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, atëherë Kosova duhet të vazhdojë t'i përmbushë obligimet e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit dhe në kuadër të saj edhe të dialogut të Brukselit", ka deklaruar Tahiri. "Besoj që Haradinaj do të lirohet, sepse ai po mbahet padrejtësisht në Francë dhe pastaj është Kuvendi i Kosovës që duhet të marrë vendimin e ri, për heqjen e pezullimit", ka theksuar Tahiri. Kryenegociatorja e palës kosovare në dialogun me Beogradin ka thënë se do ta respektojë plotësisht Rezolutën e Kuvendit për pezullimin e dialogut me Beogradin, përderisa të mos lirohet Ramush Haradinaj, i cili është ndaluar nga autoritetet franceze më 4 janar, mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Haradinaj aktualisht po qëndron në Francë, nën masën e lirimit me kusht. Ai po i nënshtrohet një procesi gjyqësor në Colmar të Francës, ku po shqyrtohet kërkesa e Beogradit për ekstradimin e tij në Serbi. Prokuroria Speciale e Serbisë pretendon se Haradinaj ka kryer krime lufte, ndërkohë që Haradinaj dhe institucionet në Prishtinë kanë vlerësuar se ky është një proces i motivuar politikisht nga Beogradi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Turqi: Nga eksplodimi – së paku katër vetë të plagosur Posted: 11 Apr 2017 03:54 AM PDT Nga një eksplodim në një kompleks policor në qytetin juglindor, Dijarbakir në Turqi, janë plagosur së paku katër persona, ka njoftuar Ministria e brendshme turke. Ky eksplodim ndodhi vetëm disa ditë para mbajtjes së referendumit, me të cilin kërkohet zgjerimi i autoritetit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Një i lënduar raportohet se është në gjendje kritike. Shkaku i eksplodimit, që është përcjellur me re të tymit mbi pjesën qendrore Baglar në Dijarbakir, nuk ishte menjëherë i njohur. Ky qytet është më i madhi në pjesën juglindore të Turqisë, ku militantët e Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) kanë luftuar kundër qeverisë së Turqisë për më tepër se tri dekada, duke kërkuar autonomi të kurdëve. Më 16 prill në Turqi mbahet referendumi me të cilin synohet zgjerim i autoriteteve të Erdoganit, duke e transformuar Turqinë në republikë presidenciale. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Haradinaj: Nuk po kërkoj unë spastrim etnik, por Beogradi Posted: 11 Apr 2017 03:20 AM PDT Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se ishte keq-interpretuar për deklaratën e dhënë ditë më parë në lidhje me reagimet që mund të pasojnë nëse Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi. Ai ka thënë se ka folur me vetëdije të plotë, por se deklarata e tij, siç ka thënë ai, është interpretuar më pas "ashtu siç i ka konvenuar dikujt". Sipas Haradinajt, lidershipi në Beograd po tenton ta destabilizojnë Kosovën, por siç u shpreh ai 'ata duhet ta dinë se Kosova nuk do të lëshoj më pe'. "U bëj thirrje të gjithë atyre që e kanë interpretuar dhe e kanë kapur për bishti një deklaratë timen se asnjëherë nuk kam thënë se do të ketë spastrim etnik, por në rast se mendojnë që përmes një njeriu ose me transferimin e tij në Beograd, atëherë duhet t'ia venë gishtin kokës dhe të kenë kujdes". "Ata po duan të tentojnë ta spastrojnë Kosovën. Beogradi zyrtar donte ta spastronte Kosovën etnikisht, jo Daut Haradinaj, jo shqiptarët... po nëse duan të luajnë me zjarr puna e mbarë u qoftë", tha Haradinaj të martën gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës. Deputeti i AAK-së tha po ashtu se deklarata e tij e bërë ditë më parë në RTV Dukagjini ishte interpretuar ashtu siç u ka konvenuar personave të caktuar. "Është shumë e vërtetë se që ajo deklaratë është kapur për bishti, e kujt i ka konvenuar ajo le ta mbajnë përgjegjësinë vet", tha Haradinaj. Sipas tij, nuk duhet pasur dilema se në Beograd ka tendenca të hapura për ta destabilizuar Kosovën. "Ata që sot po krekosen për serbët e Kosovës është mirë të na tregojnë neve hapur se si ndodhi vrasja e pandave në Pejë, e fëmijëve të Pejës, për t'i fajësuar shqiptarët e Kosovës. Unë kam folë dhe e përsëris edhe njëherë që të kihet kujdes se nuk luhet më me kombin tonë", u shpreh Harandinaj. Deputeti Haradinaj ka theksoi se me ndalimin e Ramush Haradinajt po mundohet të destabilizohet Kosova. "Këtë duhet ta dinë edhe përfaqësuesit diplomatik se po e mbajnë një njeri peng për qëllime të caktuara dhe e kanë shumë gabim. Askush më shumë se unë vet nuk e do paqen dhe stabilitetin e Kosovës. Asnjë nga qeveritaret serb nuk i kanë ruajtur as serbët e Kosovës as monumentet historike e kulturore, i kemi ruajtur vet se e kemi kulturë si shqiptar", ka thënë ai. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia së cilës i takon deputeti, Haradinaj tha të hënën në mbrëmje se deputeti i saj Daut Haradinaj, nuk ka bërë asnjëherë thirrje për spastrim etnik, por ka ngritur alarmin për provokimet e Serbisë ndaj Kosovës. Në një emision televiziv në RTV Dukagjini, Haradinaj kishte deklaruar se "në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, [që Ramush Haradinaj të ekstradohet nga Franca në Serbi] atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare me Ramushin". Pas kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta nga përfaqësues vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, në një komunikatë të lëshuar të hënën tha se "deklarata e kësaj fundjave e një deputeti të parlamentit të Kosovës që përdori gjuhën e urrejtjes duke kërcënuar me spastrim etnik, është e papranueshme dhe shkakton shqetësime serioze". Zyra e Bashkimit Evropian, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, tha se "dënon deklaratat kërcënuese ndaj komuniteteve dhe etnive të tjera. Ato nxisin gjuhën e urrejtjes te pakicat, pengojnë pajtimin si dhe dialogun". Më herët gjatë fundjavës, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kishte shkruar në Twitter se "kjo është një gjuhë e rrezikshme dhe nuk ka vend në Evropë". Të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se "për institucionet dhe popullin e Kosovës, deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera joshqiptare, nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje, duke na kthyer në të kaluarën e hidhur. Për më tepër, bllokojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, vënë në pikëpyetje pajtimin e domosdoshëm dhe perspektiven e Kosovës evropiane dhe shumetnike. Nuk kemi lejuar një gjë të tillë as gjatë luftës dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë as tani, sepse askush nuk e dëshiron". Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi. Në seancën e fundit u caktua 27 prilli si datë për vendimin e mundshëm për të. Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Tillerson: Rusia të zgjedhë ndërmjet SHBA-ve apo Assadit Posted: 11 Apr 2017 02:37 AM PDT Ministrat e jashtëm të Grupit të 7 vendeve të industrializuara (G7) janë takuar sot me aleatët në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të gjetur zgjidhje diplomatike për konfliktin në Siri, para vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, në Rusi. Rusia është mbështetësi më i madh i presidentit të Sirisë, Bashar al-Sassad. Por, ministrat në takimin në Luka të Italisë, ishin të ndarë për kërcënimin me sanksione të reja ose për masa më të ashpra kundër Rusisë, në mënyrë që Moskës t'i bëhet presion për shkak të mbështetjes për Assadin. Ekziston një presion që Rusia t'i ndërprejë lidhjet me Assadin, për shkak të akuzave se ai kishte lansuar sulm kimik, javën e kaluar, në një qytet që është nën kontrollin e kryengritësve. Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë, që më 7 prill kishte urdhëruar sulme me dhjetëra raketa speciale, kundër një bazë ajrore në Siri, për të cilën Uashingtoni thotë se ishte vend prej nga është lansuar sulmi kimik, thotë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin sulme të mëtejshme ushtarake kundër forcave të Sirisë, nëse qeveria e këtij vendi vazhdon të përdorë armatim kimik. Sekretari Tillerson, që në Moskë pritet të takohet me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas konusltimeve në takimin e G7-ës, tha se Assadi nuk do të lejohet të përdorë përsëri armatim kimik. Ai theksoi se prioritet në Siri dhe Irak, për të gjitha vendet, mbetet tu shkaktohet disfatë estremistëve nga i ashtuquajturi, Shtet Islamik. Por, Tillerson, po ashtu, theksoi se aleancat e Rusisë në rajon me Assadin, Iranin dhe lëvizjen Hezbollah në Liban, nuk u shërben interesave të Rusisë dhe se Moska do të duhej të rirreshtohej me Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët. Ai është shprehur edhe për sulmet raketore amerikane kundër një baze ajrore në Siri. "Sulmet tona raketore në përgjigje të përsëritjes së përdorimit të armatimit të ndaluar, ishin të domosdoshme si çështje e interesit të sigurisë kombëtare amerikane. Ne nuk dëshirojmë që rezervat e pakontrolluara të armatimit kimik të regjimit, të bijnë në duar të IS-it ose të grupeve të tjera terroriste, që mund dhe dëshirojnë t'i sulmojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët tanë. Ne, po ashtu, nuk mund ta pranojmë normalizimin e përdorimit të armatimit kimik nga aktorët e tjerë ose vendet në Siri apo tjetërkund", tha Rex Tillerson në deklaratën e tij për media, pas pjesëmarrjes në takimin e ministrave të jashtëm të G7-ës. Britania dhe Kanadaja kanë thënë se sanksionet kundër Rusisë mund të ashpërsohen nëse Moska e vazhdon mbështetjen për qeverinë e Assadit. Por, pas takimit të sotëm, ministri i jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, tha se nuk ka marrëveshje për zgjerim të sanksioneve kundër Rusisë ose Sirisë. Ministri Ayrault tha se është koha që Rusia ta përfundojë "hipokrizinë" duke e mbështetur Assadin. "Ne u themi rusëve: shfrytëzojeni mundësinë për ta distancuar veten tuaj nga tmerret e regjimit të Bashar al-Assadit dhe përfundimisht tregoni me sinqeritet se ju dëshironi paqe". Ministri i jashtëm italian, Angelino Alfano, i cili e ka kryesuar takimin, tha se ministrat janë pajtuar se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për Sirinë dhe Moska duhet që "sa më shpejtë të jetë e mundur" të përfshihet në bisedime të paqes. Ministri i jashtë gjerman, Sigmar Gabriel, tha se Rusia dhe Irani duhet të përfshihen në procesin e paqes në Siri. (REL) Përgatiti: Fatmir Bujupi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





