RTSH: “Zgjedhja e presidentit, në parlament nuk paraqiten kandidatura” plus 9 more

RTSH: “Zgjedhja e presidentit, në parlament nuk paraqiten kandidatura” plus 9 more


Zgjedhja e presidentit, në parlament nuk paraqiten kandidatura

Posted: 19 Apr 2017 10:00 AM PDT

Parlamenti shqiptar ka konsumuar të mërkurën seancën e parë të planifikuar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, por pa dhënë rezultat. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar nga kryeministri i vendit Edi Rama, maxhoranca nuk paraqiti kandidaturë. “Ne do t'i japim hapësirë opozitës që të përfshihet në këtë proces, prandaj nuk do të paraqesim kandidatë në fazën e parë të zgjedhjes së presidentit” tha pak ditë më parë zoti Rama. Ndërsa sot ai përsëriti se do ti japin gjithë hapsirën opozitës për të arritur konsensusin për  të gjetur një figurë gjithë përfshirëse,  sa më përfaqësuese, dinjitoze dhe të paanshme në postin e kreut të shtetit. Por kryeministri socialist tha se opozita do të jetë përgjegjëse nëse do ti përgjigjet ftesave në mënyrë refraktare. “Ne do të presim dhe durimi ynë vjen nga fuqia që kemi” u shpreh zoti Rama. Ai përsëriti se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 18 qershor dhe kjo nuk diskutohet. Për zotin Rama kriza aktuale është vetëm krizë e PD dhe e askujt tjetër.

Presidenti Aktual Bujar Nishani kishte shprehur gadishmërinë për kandidim, por si kusht kishte kërkuar votat e LSI. Nga ana e tij zoti Rama e kishte konsideruar kandidaturën e tij të papërshtatshme.

Rama: Partneriteti publik privat në shëndetësi do të vazhdojë gjatë

Posted: 19 Apr 2017 07:13 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një rrugëtim të gjatë në partneritetin publik privat në shëndetësi. Gjatë inagurimit të një spitali të ri, pjesë e rrjetit privat “Spitali Amerikan”, ndër me modernët në Shqipëri dhe rajon, kreu i qeverisë e kosideroi si tejet produktive mbështetjen e dhënë nga privatët në ofrimin e shërbimeve të larta shëndetësore. “Falë partneritetit publik – privat ne do të kemi një sistem të ri laboratorësh dhe do të kemi një kapacitet tërësisht tjetër të analizave laboratoike” tha zoti Rama. Ai premtoi se qeveria do të vazhdojë të krijojë partneritete me privatët pavarësisht akuzave, shpifjeve dhe gjithë baltës që hidhet.
Zoti Rama konfirmoi se qeveria do të mbështesë me page si jashtë vendit, të gjithë mjekët specialistë që do të mbulojnë mangësitë që kanë spitalet jashtë Tiranës. “Do të na krijohet ne mundësia që profesionistët e shëndetësisë që mungojnë jashtë Tiranës, do të mund të financohen nga shteti në shërbimin tonë publik me një pagë të barabartë me atë nëse do të iknin jashtë shtetit dhe kjo është krejtësisht e mundur” tha zoti Rama.
Kryeministri tha se në këto vite ka përmirësime të ndjeshme në shëndetësi, pasi sektoi ka marre 3 përqind të prodhimit të brendshëm bruto. 10 paketa shëndetësore falës ofrohen nga privatët, ndërkaq në vijim, partneriteti me privatin shihet si thelbi i zhvillimit afatgjatë.

Tirana dhe Skënderbeu janë finaliste

Posted: 19 Apr 2017 06:58 AM PDT

Sot lajtën sot pasdite ndeshjet e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e luajtur në Tiranë, skuadra kryeqytetase mundi 2-0 Beslidhjen e Lezhës. Në qytetin bregdetar të Durrësit, Teuta vendase u mposht përsëri nga korçarët e Skënderbeut 0-1. Pra Tirana dhe Skënderbeu do të garojnë për fitoren e kësaj kupe.

Ja një pasqyrë e plotë e ndeshjeve gjysmëfinale:

Gjysmëfinale

Tirana* – Beslidhja                          2 – 0     
(Beslidhja – Tirana 1-1)

Teuta – Skënderbeu*                      0 – 1
(Skënderbeu – Teuta 1-0)

Me * skuadrat që kualifikohen për në finale.

Në kllapa, ndeshjet e vajtjes

Pikat e karburanteve, vendoset tarifa e liçensimit, paralajmërohet rritja e çmimit

Posted: 19 Apr 2017 06:31 AM PDT

Çdo pikë karburanti në Tiranë do të paguajë një tarifë liçensimi 3 milionë lekë, ndërkohë që për çdo stacion të furnizimit me karburant në rrethe kjo tarifë është përcaktuar 1 milionë lekë. Ky është vendimi i fundit i miratuar në qeveri, me propozim të ministrisë së energjisë. Prej tij duket se më e fituara do të dalë Bashkia e Tiranës, pasi të ardhurat nga kjo tarifë liçensimi për karburantet do të mblidhen nga bashkitë. Tirana është përfituesja më e madhe për shkak të nivelit të lartë edhe përqëndrimit të pikave rreth kryeqytetit.
Shoqatat e hidrokarbureve e kanë kundërshtuar me forcë këtë tarifë që prej muajit shkurt. Madje, grosistët në atë kohë përmes një letre drejtuar kryeminisrit paralajmëruan ndërprejrje të aktivitetit hidrokarbur. Por të mërkurën pas vendimit të miratuar, të kontaktuar nga RTSH, ata thonë se tarifa do të faturohet në çmimin e karburanteve. Në bazë të llogaritjve të tyre me hyrjen në fuqi të kësaj takse, çmimi i karbruanteve do të rritet nga 3 deri në 6 lekë për litër. Nga ana tjetër shoqatat e hidrokarbureve shtojnë se kjo tarifë nuk është e drejtë pasi ajo është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas saj koncepti i tarifës është për të mbuluar shpenzimet administrative dhe jo për të vjelë të ardhura. Sipas Shoqates se Hidrokarbureve është e paprecedentë që të injorohet pushteti gjyqesor që e ka quajtur antikushtetuese këtë tarifë.

Rama inspekton “Rilindjen urbane” në Belsh dhe Cërrik

Posted: 19 Apr 2017 06:16 AM PDT

Cërriku është një tjetër qytet që ka përfituar financime nga porjekti i rilinidjes urbane. Kryeministri Edi Rama sëbashku me kreun e bashkisë, Altin Toska, ndërsa ndoqën punimet që janë në proces, i konsideruan këto investime si jetike për zhvillimin e zonës. Shqetësimi më i madh i konstatuar edhe në Cërrik janë legalizimet e objekteve mbi trotuare. Belshi me 85 liqenet e tij, është kthyer gjithashtu në një kantier të rilindjes urbane, duke e transformuar krejtësisht zonën, që shquhet për bukuritë e saj natyrore. Kryeministri e cilësoi Belshin si një atraksion turistik kombëtar dhe u shpreh se investimet parashikojnë edhe prishjen e 30 ndërtimeve pa kriter buzë liqenit dhe ndërtimin e sheshit me sipërfaqe 6’000 m2 , unifikimin e fasadave, ndriçimin, gjelbërimin, ndërtimin e shatërvanëve dhe një moli të vogël. Ndërqak në zonën e Cërikut ka nis rikonstruksioni i rrugës Cërrik – Urë Vajgurore, i ndarë në 3 lotë, që shkurton me 20 km distancën Tiranë-Berat. Kryeministri inspektoi punimet në lotin Belsh-Vlashuk, i cili lidh 10 fshatra të njësisë administrative Kajan. Rama tha se segmenti është tepër i rëndësishëm për ndërlidhjen e zonës bujqësore.

Memorandumi: Të përdorim më shumë lekun!

Posted: 19 Apr 2017 05:54 AM PDT

Një memorandum me objektiv uljen e përdorimit të monedhave të huaja në vend dhe rritje të përdorimit të lekut, është nënshkruar nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Kjo u bë e ditur në mbledhjen e radhës të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar.
Ky dokumet përcakton strategjinë që do të ndiqet me qëllim forcimin e besueshmërisë në monedhën kombëtare dhe nxitjen e përdorimit të saj në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.
Objektivi i strategjisë është që të krijojë kushtet dhe stimujt e nevojshëm për të ndikuar gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme në zvogëlimin e shkallës së përdorimit të monedhave të huaja dhe si rezultat, në fuqizimin e shkallës së përdorimit të monedhës kombëtare, në sistemin financiar dhe në ekonominë e vendit. Në veprimtarinë e tyre, palët do të kujdesen që të përkthejnë dhe komunikojnë në monedhën kombëtare, të gjitha vlerat që shoqërojnë marrëdhëniet dhe raportet financiare, në rastet kur kjo nuk kufizohet specifikisht nga kërkesat ligjore.
Sipas këtij memorandumi ministria e financave duhet të vijojë të ndjekë një politikë fiskale që synon ruajtjen dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së borxhit publik, të rrisë preferencën për huamarrje në monedhën kombëtare nga institucionet publike kur emetojnë tituj borxhi. Banka e Shqipërisë duhet të ruajë kuadrin aktual të politikës monetare mbështetur mbi shënjestrimin e inflacionit dhe kursin e lirë të këmbimit, ndërsa AMF në bazë të këtij memorandumi duhet të të përmirësojë kuadrin rregullativ dhe mbikëqyrës, me qëllim zbutjen e rreziqeve të likuiditetit dhe të aftësisë paguese që burojnë nga veprimtaria në valutë e institucioneve që mbikëqyre.

Kupa e Shqipërisë; Sot Teuta-Skënderbeu direkt në RTSH

Posted: 19 Apr 2017 05:48 AM PDT

Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, luan sot ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve, prej nga do të njihen edhe dy skuadrat që do të diskutojnë finalen e madhe të majit. Në të dy çiftet, gjithçka është e hapur sa i përket kualifikimit. Në takimet e para të zhvilluara para dy javësh, Besëlidhja dhe Tirana janë ndarë në barazim 1-1 dhe kryeqytetasit janë pak më të favorizuar për ndeshjen e kthimit, që luhet sot në Stadiumin "Selman Stërmasi". Ndërkaq, në çiftin tjetër, Skënderbeu shkon në ndeshjen e kthimit me Teutën, duke marrë me vete atë epërsi minimale të ndeshjes së parë, ku fitoi 1-0 në Korçë para dy javësh. Takimi i sotëm, që luhet në Stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga nis në ora 18:00.

Duka: Akademia e Arbitrimit, gati në Shtator

Posted: 19 Apr 2017 05:41 AM PDT

Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar tashmë një strategji të detajuar për rekrutimin, edukimin dhe kualifikimin e arbitrave të futbollit. Kështu është shprehur presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, gjatë takimit me arbitratra, kandidatë për t’u bërë arbitra, drejtues të FSHF, në universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan. ” Pas një pune parapërgatitore, mund të them se Akademia e Arbitrimit do te jetë gati brenda muajit Shtator. Do të jenë organizmat dhe komisionet përkatëse ato që do të analizojnë gabimet e arbitrave, për të mos lejuar që loja e futbollit të humbë bukurinë e saj.” Në fjalën e tij, presidenti i FSHF Armand Duka ka theksuar edhe njëherë se “Futbolli shqiptar është rritur shumë cilësisht dhe mund të krahasohet denjësisht tanimë, me kampionatet e tjera të rajonit.”

Pence; I bën vërejtje Koresë Veriore për të mos testuar vendosmërinë e ShBA

Posted: 19 Apr 2017 05:27 AM PDT

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i ka tërhequr vërejtjen Koresë Veriore për të mos e testuar vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara, duke premtuar se Uashingtoni do te kete një përgjigje "gjithpërfshirëse dhe efektive" ndaj çfarëdo sulmi. Duke folur sot në aeroplanbartësin amerikan, USS Ronald Reagan, në Japoni, Pence tha se Koreja Veriore është "kërcënimi më i rrezikshëm dhe më urgjent për paqen dhe sigurinë në rajonin Azi-Paqësor". Ai tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, do të vazhdojë të "punoj me vendet e tjera, për të ndërmarrë presion ekonomik dhe diplomatik kundër Penianit, por theksoi se Shtetet e Bashkuara gjithnjë do të synojnë paqe. Pence është shprehur se "mburoja qëndron në mbrojtje, ndërsa shpata qëndron e gatshme". Gjatë viteve të fundit, Peniani i ka përshpejtuar testet e veta atomike dhe raketore, përkundër dënimit ndërkombëtar dhe sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Maqedoni; Protestat kundër platformës shqiptare

Posted: 19 Apr 2017 05:18 AM PDT

Demonstruesit kanë brohoritur slogane kundër Bashkimit Evropian, ndersa kane dale swerish ne rrugët e Shkupit, për të protestuar kundër përfshirjes së propozuar të partive shqiptare në koalicionin qeverisës në Maqedoni. Mijëra demonstrues mbrëmë u ndalën para Kuvendit të Maqedonisë dhe kërkuan zgjedhje të reja, ndërsa kritikuan përsëri planet e partnerëve të koalicionit qeverisës për zyrtarizimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në këtë vend. Protestuesit, po ashtu, kanë përshëndetur presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të cilin është raportuar se ka refuzuar të takohet me politikanin suedez, Carl Bildt, që është bashkëkryesues i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, gjatë vizitës së tij të djeshme në Shkup. Vizita e Bildt kishte për qëllim përpjekjet për ta ndihmuar Maqedoninë në zgjidhjen e krizës së thellë politike dyvjeçare. Partia e deritashme në qeveri, WMRO-DPMNW, për javë të tëra në mënyrë të suksesshme e ka bllokuar formimin e koalicionit qeverisës dhe zgjedhjen e krytearit të Kuvendit të Maqedonisë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje WMRO-DPMNE-së që t'i ndalë taktikat penguese, nga të cilat është zgjatur kriza e gjatë politike në Maqedoni.