RTSH: “Vëzhgim: Konsumatorëve të naftës nuk u tregohet origjina e saj!” plus 9 more

RTSH: “Vëzhgim: Konsumatorëve të naftës nuk u tregohet origjina e saj!” plus 9 more


Vëzhgim: Konsumatorëve të naftës nuk u tregohet origjina e saj!

Posted: 12 Apr 2017 07:00 AM PDT

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave lajmëroi në fund të dymujorit se kishte arkëtuar 340 milionë lekë më shumë se periudha respektive e vitit të kaluar. Shuma e arkëtuar kishte të bënte me rritjen e prodhimit vendas të energjise elektrike dhe të naftës.
Dogana raportoi gjithashtu se importet e karburanteve shënuan rënie në muajin janar-shkurt 2017 kur u importuan rreth 46 mijë tonë karburante, kur në periudhën respektive të një vit më parë ishin importuar 70 mijë tonë, me një rënie 35 për qind. Po e njëjta gjendje, sikurse raportojnë importuesit kryesorë të karburanteve, paraqitet edhe në muajin mars.
Ministria e Financave deklaroi se do të ketë rritje të të ardhurave me 6 pikë përqindje ne muajin mars. Nga vjen rritja? Përsëri nga energjia dhe nafta.
Burimet nga tregu vënia në funksion e rafinerisë së përpunimit të naftës, ARMO ka përmbushur rreth 40 për qind të kërkesës vendase për naftë. Gjithnjë sipas tyre vetëm një importues rezulton të ketë importuar naftë, ndërsa operatorët e tjerë janë furnizuar në tregun e brendshëm.
Po ku shitet nafta vendase? Pse konsumatori nuk e sheh gjëkundi naftën e Ballshit?
Ligji saktëson se "Stacionet që furnizohen ekskluzivisht nga një shoqëri tregtimi me shumicë, janë të detyruara të mbajnë markën e saj tregtare. Këto stacione, për ekspozimin e markës se shoqërisë se tregtimit me shumicë dhe për informimin e konsumatoreve, janë të detyruara të vendosin tabela të dukshme e të dallueshme qartë nga distanca. Deri në përfundim të afatit të marrëveshjes tregtare të bashkëpunimit ekskluziv, përkatës, këtyre stacioneve u ndalohet të furnizohen me karburante të shoqërive të tjera të tregtimit me shumicë, qofte drejtpërdrejt ose tërthoras, specifikon ligji. Në treg nuk gjen asnjë tabele që të lexojë "naftë Ballshi", apo "naftë vendi". Ky nen i ligjit nuk zbatohet prej kohësh. Konsumatorët po blejnë një produkt në treg, origjinën e të cilit nuk e dinë.

24 prill, Tirana dhe Prishtina do të mbajnë mbledhjen e përbashkët në Vlorë

Posted: 12 Apr 2017 06:42 AM PDT

Tirana dhe Prishtina, do të mbajnë mbledhjen e katërt të përbashkët në 24 prill në Vlorë. Ministri shqiptar Ditmir Bushati e bëri këtë të ditur, gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj. Zoti Hoxhaj konfirmoi qëllimin e takimit bashkë me një shumicë çështjesh që Shqipëria e Kosova i bisedojnë edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal. “Qëllimi i takimit tonë është organizimi i mbedhjes së përbashkët të dy qeverive, datën mund ta caktonim edhe më vonë, por mendojmë në Prishtinë që duhet të ketë një metodë të re të kësaj mbledhjeje” tha ai. Sipas zotit Hoxhaj “Nga janari 2014, kur vendosëm partneritetin strategjik, 200 milionë euro është shkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, bashkëpunimi ekonomik është shumë i mirë, ka një listë të gjatë marrëveshjesh së nënshkruara në arsim, kulturë etj".
Ministri Bushati tha se "Koordinimi mes nesh ka qenë efikas për disa prej sfidave me të cilat përballet sot Shqipëria dhe Kosova, por edhe mjedisi i sigurisë në rajon, ku Shqipëria dhe Kosova kanë një kontribut të çmuar”.
Ministrat diskutuan edhe hapat që po ndërmerr Kosova në drejtim të përmbushjes së disa prej anagazhimeve të saj kryesore sa i përket procesit të integrimit europian, por edhe të një marrëdhënieje më të institucionalizuar me NATO-n, siç përcaktohet edhe nga Samitit i Varshavës. "Shqipëria mbështet aspiratën legjitime të Kosovës në procësin e liberalizimit të vizave si edhe transformimin gradual të forcës së saj të sigurisë në një ushtri të vërtetë" – theksoi Ministri Bushati.
Pjesë e axhendës së diskutimeve ishte edhe Samiti i Triestes, takimi i katërt i vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet anëtare të BE-së, pjesë e Procesit të Berlinit, me synimin për një sinkronizim më të mirë pikëpamjesh në lidhje me projektet që do të miratohen, por edhe në lidhje me ecurinë e projekteve ekzistuese.
Në kuadër të përgatitjeve të këtij Samiti, Ministrat u shprehën se Shqipëria dhe Kosova kanë një qendrim të përbashkët për sa i përket përpjekjeve të krijimit të një tregu rajonal. Ata u shprehën dakord për një bashkëpunim rajonal, por procesi i uljes së barrierave tregtare nuk mund të zëvendësojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon, duke harruar faktin që vende pjesmarrëse të këtij Samiti, si Bosnja dhe Serbia nuk e njohin Kosovën, kufirin dhe doganën e saj.
Gjithashtu, Ministrat ndanë të njëjtin vlerësim në lidhje me situatën e sigurisë në rajon, si edhe zhvillimet më të fundit në Maqedoni dhe Serbi.
Ministri Hoxhaj falenderoi Ministrin Bushati për finalizimin e procesit të krijimit të Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, të cilat përbëjnë një lajm të mirë për rajonin dhe një sukses të posaçëm të Qeverisë shqiptare.

Basha: Rama dhe disa ndërkombëtarë, projekt mafioz në emër të vettingut në Shqipëri

Posted: 12 Apr 2017 06:08 AM PDT

Kreu i PD të opozitës Lulzim Basha ka ashpërsuar të mërkurën akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të caktuar të komunitetit ndërkombetare, për sipas tij bashkëpunim në një projekt mafioz, në emër të vettingut në Shqipëri. Sipas zotit Basha mbështetja i është dhënë kryeministrit për qëllime strikt të kapjes se drejtësisë nga ana e tij, por ai tha se bashkëpunëtorët e tij ndërkombëtarë do të përgjigjen para Bashkimit Europian. “Projekti i vettingut është një projekt mafioz kujanë përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës, kanë marrë peng ekspertët e BE dhe së shpejti ora do të vijë kur të japin përgjegjësi demokratike në një institucion demokratik siç është BE” tha zoti Basha.
Kreu i PD Lulzim Basha përsëriti në ditën e 53-të të protestës se opozita nuk hyn në zgjedhje me Ramën Kryeministër, dhe se do të vazhdojë qëndresa deri në krijimin e qeverisë teknike. “Të pranojmë ne të shkojmë në zgjedhje me kryeministrin i cili është kreu, komandanti i ushtrisë së drogës dhe i hambarëve të drogës? Të pranojmë të shkojmë në zgjedhje me njeriun që i futi kriminelët në institucione? Kurrë nuk do ta pranojmë!” tha zoti Basha.
Një ditë më parë eurokomisioneri Knut Flackenstein u shpreh se situata parazgjedhore e Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk ka ngjashmëri. Zoti Basha tha se është absolutisht dakort me këtë konstatim, mjafton të rendisë shifrat e kanabisit. “Këtu është disa herë më keq” tha kreu i PD.
Edhe më tej zoti Basha u shpreh sërish i hapur për t’u ulur në bisedime me shefin e qeverisë, qoftë edhe në një tryezë që mund të thirret nga Presidenti. “Kemi diskutuar për këtë dhe unë dhe opozita jemi të hapur” tha ai.

Idrizi : Nishani të mbledhi urgjentisht tryezën e partive!

Posted: 12 Apr 2017 05:24 AM PDT

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, partia e të cilit prej disa kohësh është rreshtuar në koalicionin e majtë qeveritar, i ka sugjeruar presidentit Bujar Nishani të thërrasë një tryezë të gjithë partitë politike për të gjetur një zgjidhje të menjëhershme për sipas tij krizën e thellë me të cilën po përballet vendi. Duke folur nga kryesia e parlamentit zoti Idrizi tha se nga kjo tryezë “… të gjithë bashkë ne të dalim vetëm me një zgjidhje: Atë zgjidhje që ne ia kemi detyrim qytetarëve”. Sipas kreut të PDIU thirrja  e tyrezës nga zoti Nishani është urgjente “Në mënyrë që nesër ju të mos jeni të detyruar të thërrisni tryezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”.

Iran; Ahmadinexhad regjistrohet si kandidat për zgjedhjet presidenciale

Posted: 12 Apr 2017 05:20 AM PDT

Në Iran vijoi sot dita e dytë e procesit të regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të muajit Maj. Mediat shtetërore njoftuar se ish presidenti Mahmud Ahmadinexhad, një konservator i vijës së ashpër, që ka shërbyer dy mandate si president nga viti 2005 në 2013-ën, është regjistruar si kandidat për zgjedhjet presidenciale të 19 Majit. Regjistrimet e kandidatëve mbyllën në 12 Prill dhe deri tani, janë regjitruar 126 kandidatë për garën presidenciale, 6 prej të cilëve gra. Udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei e ka këshilluar Ahmadinexhadin të mos kandidojë për president, por duket se ky nuk e ka përfillur këtë kërkesë. Mediat iraniane njoftuan se edhe bashkëpunëtori i afërt i Ahmadinexhadit, Hamid Baghaei, ish zëvendës president, po ashtu është regjistruar si kandidat. Kadnidaturat kalohen nën sitë nga këshilli i gardianëve para se të nisë fushata zgjedhore.

“39 Hapat”; Premierë në Teatrin e Metropolit

Posted: 12 Apr 2017 05:09 AM PDT

Nga Broduej në Teatrin e Metropolit komedia "39 Hapat" vjen për publikun shqiptar në regjinë e Qëndrim Rijanit. Katër aktorë portretizojnë 130 karaktere, shpesh herë të cilët i ndryshojnë rolet përpara syrit të spektatorit. Vepra e Patrik Barlow, është një përshtatje e romanit të John Buchan dhe filmit të  Alfred Hitchcock realizuar në vitin 1935 dhe përbën një ngjarje për publikun shqiptar që nuk ka parë komedi alla burlesque në Teatrin Shqiptar. Vepra ku interpretojnë aktorët Neritan Liçaj, Florian Agalliu, Donald Shehu dhe Jonida Vokshi është një histori brilante e heroit të pashëm Richard Hannay, i cili është në garë për të zgjidhur misterin e "39 Hapave". Nje lojë e gjitha për të pastruar emrin e tij. Në "39 hapat" një burrë ka një jetë të mërzitshme, takohet me një grua me dialekt gjuhësor të theksuar (Annabella Schmidt). Ajo pretendon se ka zbuluar një komplot për të vjedhur sekrete të ushtrisë britanike, zbatuar nga një njeri i cili është kreu i një organizate spiunazhi të quajtur "39 Hapat". 

Kurset dhe shkollat e turizmit në Shqipëri

Posted: 12 Apr 2017 04:53 AM PDT

Nga 10 kurse të arsimit pofesional që zhvillohen në Shqipëri, 5 përmbajnë edhe profesione që kanë lidhje me turizmin. Të tilla ka nga një në Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe dy në Tiranë. Kurse që zgjasin nga 3-6 muaj, e që përfshijnë nga pjatalarës, barmen, kuzhinier, deri te guida turistike. Por a mjaftojnë vetëm pak muaj kurs për t’u bërë një kuzhinier apo pastiçier i mirë? A ka tregu ynë nevojë për kurse të tjera profesionale të turizmit, ndërkohë që shkolla të mesme publike për turizmin kemi në Tiranë, Shkodër, Lezhë dhe Sarandë?Drejtori i Formimit Profesional në Ministrine e Mirëqënies Sociale, Zoti Sinoimeri shprehet kështu: ” Pak muaj kurs ndoshta nuk mjaftojnë, por ndryshimi do të vihet re kur këto kurse të bëhen një ose disa vjeçare. Tregu ynë ka padyshim nevojë për kurse profesionale më të shumta, në shumë më shumë rrethe te vendit dhe të fushave nga më të ndryshmet, si nënndarje te turizmit, etj. Një pjesë e kursantëve më pas iu drejtohen atyre profesioneve që të çojnë drejt Europës, Azisë, Afrikës, vendeve me turizëm të zhvilluar e mirëpaguar si Emiratet e Bashkuara, Katari etj. Por një pjesë e mirë e tyre, punësohen brenda vendit e dinë t’ia marrin të mirat profesionit të tyre.” Pra siç mund të vihet re , kurset profesionale i hapin më shumë dyer të rinjve shqiptarë dhe i krijojnë mundësi të reja.

Vlorë, shtyhet sërish afati i përfundit të Lungomares

Posted: 12 Apr 2017 04:33 AM PDT

Pavarësisht se punimet për Lungomaren e Vlorës pas shumë shtyrjesh do të duhet të mbylleshin në datën 30 prill, një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur të realizohet. Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, e justifikon këtë shtyrje me ekzistencën e problematikave që lidhen me punime të paparashikura për stabilizimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha dhe për t’i lidhur ato me rrjetin. “Për 10 ditë mbyllen kolektorët më të rëndësishëm të këtij investimi shtesë mbi projektin fillestar. Janë akorduar rreth 3 milionë euro, për stabilizimin e të gjithë sistemit të kanalizimeve të ujrave të bardha dhe ujrave të zeza për ti lidhur ato me rrjetin” tha zoti Leli për gazetarët pas një inspektimi të punimeve.

Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga Artan Shkreli, i cili është këshilltari i kryeministrit i cili ndjek nga afër zbatimin e projektit. Sipas tij magjistralja kryesore e kësaj zone mbledh edhe ujrat që vijnë nga kodrat e qytetit. “Duhet të ishte magjistrale që duhet të ishte bërë dekada më parë, por që nuk është bërë kurrë, duke e shndërruar Gjirin e Vlorës në një kanal të madh ku derdheshin jo vetëm ujrat e bardha, por edhe ujrat e zeza” spjegon ai. Por për zoti Shkreli sezoni turistik do ta gjejë të përfunduar Lungomaren nga Skela deri në Ujin e Ftohtë.

Projekti i Lungomares, i financuar nga fondet e Bashkimit Europian, ka patur mjaftë probleme dhe shtyrje afatesh. Kjo situatë ka detyruar ambasadoren e BE Vlahutin, të shkojë para pak kohësh në Vlorë ku kërkoi përfundimin e projektit brenda afatit. Megjithatë, pritet që projekti të përfundojë para sezonit turistik.

Nikolla: Kërkohet niveli i lartë i përgatitjes së mësuesve

Posted: 12 Apr 2017 03:55 AM PDT

Vendi ynë reflekton nevojën për një nivel më të lartë të përgatitjes së mësuesve, dhe gjithashtu për zbatimin me përpikmëri të reformes kurrikulare në fushën e vlerësimit të studentëve, si dhe plotësimit të nevojave të nxënësve nga shtresat në nevojë. Këtë e sygjeron raporti i Analizës së Politikës në arsim i kryer nga një ekip i UNESKO-s dhe UNICEF. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla sqaroi se po punohet për një model fillestar të formimit të mësuesve. "Në zbatim të ligjit të ri të arsimit të lartë ne po bashkëpunojmë më fakultetet e edukimit jo vetëm për të përmirësuar në ktë vizion të ri standartet dhe kurrikulat e përgatitjes së mësuesve por edhe për të përafruar ato në masën 80%" tha ministrja Nikolla. Kjo analizë e politikës së arsimit kërkon nëpërmjet fakteve zhvillimin e këtij sektori, duke u bazuar në përvojen ndërkombëtare. "Sot pranohet nga të gjithë, pa asnjë mëdyshje se modeli tradicional që i konsideron disiplinat tradicionale si qëllim të nxënjes, nuk është më i përshtatshëm. Ndaj zhvëndosja nga shkolla që të aftëson të njohësh drejt shkollës që të përgatit të veprosh siç duhet kërkon ndërtimin dhe përdorimin nga nxënësit të njohurive të reja dhe kompetencave për jetën dhe punën çdo nivel të sistemit arsimor. Kjo përbën sfidën kyçe të reformës kurrikulare" shtoi më tej Nikolla. Raporti gjithashtu sygjeron marrjen e masave dhe ndërhyrjeve për të rritur statusin e profesionit të mësimdhënies dhe për të tërhequr aplikantët me cilësi më të lartë në universitetet.

Sekuestrohen pas 15 orë ndjekje 10 milionë euro drogë

Posted: 12 Apr 2017 03:33 AM PDT

Policive të 4 vendeve, shqiptare, greke, italiane dhe portugeze, ju deshën 15 orë ndjekje në det të hapur me helikopterë për të kapur dhe sekuestruar sasinë e konsiderueshme të lëndës narkotike të dyshuar kanabis sativa. Policia italiane tha zyrtarisht se në bord është gjendur 1.5 tonë hashash e nisur nga brigjet shqiptare, vlera monetare e së cilës arrin në 10 milionë euro. Operacioni u zhvillua natën e 6 prillit falë sinjalizimit të repartit të policisë financiare italiane të pozicionuar në bregdetin shqiptar mbi një trafikim të mundshëm të drogës drejt brigjeve të Kalabrisë. Pas disa të shtënave paralajmëruese me armë në ajër, skafistët janë dorëzuar në afërsi të brigjeve në Veri-Perëndim të Kretës. Nga ky operacion u bë i mundur arrestimi i tre skafistëve , katër personave të tjerë që mendohet se do të merrnin sasinë e kanabisit në brigjet kalabreze dhe 1 gomone me dy motorrë të fuqishëm.