RTSH: “Rama i gatshëm për dialog: Lulzim, caktoje vetë vendin dhe orën!” plus 9 more

RTSH: “Rama i gatshëm për dialog: Lulzim, caktoje vetë vendin dhe orën!” plus 9 more


Rama i gatshëm për dialog: Lulzim, caktoje vetë vendin dhe orën!

Posted: 04 Apr 2017 12:00 PM PDT

Kryeministri socialist Edi Rama ka vazhduar të lëshojë ftesat e tij për dialog me kreun e opozitës Lulzim Basha. Por ndryshe nga më parë kur ai ka deklaruar se nuk pranonte kushtet për qeveri teknike dhe ndryshim të datës së zgjedhjeve, zoti Rama i ka deklaruar zotit Basha nëpërmjet Fejsbukut: “Lulëzim ta kam thënë kaherë, jam i gatshëm për dialog sa herë PD do dialog dhe për gjithçka, kudo e kurdo! Caktoje vetë vendin dhe orën”. Deklarata e zoti Rama vjen pasi koalicioni opozitar këmbënguli sërish të martën pas dite në krijimin e qeverisë teknike. Shkëmbimi i deklaratave në distanë u shpeshtua pasi të hënën LSI partia e dytë e koalicionit të majtë në pushtet, deklaroi se  vendit i duhet një qeveri besimi për të shkuar në zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara për 18 qershor, deklaratë që u mirëprit nga opozita. Nga ana e tij kreu socialist Rama tha se vlerësonte përpjekjet e bashkëkryetarit të koalicionit të majtë qeverisës Ilir Meta, siç shprehet "për të kërkuar një zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike", ndërsa ka përsëritur gadishmërinë, "për çdo kërkesë apo zgjidhje, që nuk cënon Kushtetutën e nuk i bie ndesh standarteve demokratike".

Koalicioni i Djathtë: Krijimi i qeverisë teknike-rruga e vetme për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza

Posted: 04 Apr 2017 10:32 AM PDT

Opozita e djathtë shqiptare po këmbëngul gjithnjë e më shumë në krijimin e një qeverie teknike si rruga e vetme për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza. Kjo u bë e ditur pasi kreu i PD Lulzim Basha ka zhvilluar në selinë e partisë së tij një takim me krerët e partive aleate. Takimi mori shkas nga deklarimet e kreut të LSI Ilir Meta i cili një ditë më parë vlerësoi se vendit i duhet një qeveri besimi për të shkuar në zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara për 18 qershor. “Duke përshendetur hapin e hedhur mbrëmë nga LSI për tu bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, Koalicioni Opozitar rikonfirmon gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij” bëhet e ditur në një deklaratë të shpërndarë nga selia e PD. “Koalicioni Opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të punuar me të gjitha forcat politike pa asnjë paragjykim, për krijimin e qeverisë teknike, duke i dhënë asaj një mandat të fortë për: 1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit. 2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës. 3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. 4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut” vazhdon më tej deklarata.
Sipas koalicionit opozitar “Kjo është e vetmja garanci për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë lirisht, të zgjedhin lirisht dhe vota e tyre të mos tjetërsohet”.
Më parë kryeministri socialist Edi Rama ka vlerësuar përpjekjet e bashkëkryetarit të koalicionit të majtë qeverisës Ilir Meta, siç shprehet "për të kërkuar një zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike", ndërsa ka shprehur gadishmërinë, "për çdo kërkesë apo zgjidhje, që nuk cënon Kushtetutën e nuk i bie ndesh standarteve demokratike".

Durrës: Nipi vret gjyshen dhe veten

Posted: 04 Apr 2017 06:44 AM PDT

Krimi brenda familjes godet përsëri. Ka qënë ora 12:15 minuta kur efektivët blu të policisë së Durrësit të njoftuar nga fqinjët e familjes Curri, kanë arritur të hyjnë në banesën njëkatëshe të kësaj familjeje në lagjen Nr.10, të qytetit. Në banesë gjetën pa shenja jete shtetasit Ersid Curri 25 vjeç dhe gjyshen e tij, Hume Curri 80 vjeçe si dhe dhe armën e krimit, një armë zjarri automatik. Zyrtarisht dyshohet se nipi ka vrarë gjyshen e tij dhe më pas veten, por është ende e paqartë nëse bëhet fjalë ngjarje aksidentale, apo për një krim të dyfishtë të qëllimtë. 25 vjeçari Curri, kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu, pasi vite më parë ai ka vrarë me armë zjarri një bashkëmoshatarin e vet. Familja Curri numëron disa të vrarë në vitet e fundit. I ati i 25 vjeçarit, Luan Curri është i vrari i fundit i kësaj familjeje në vitin 2011.

Lu dhe Vlahutin takohen me ish-kryeparlamentaren Jozefina Topalli

Posted: 04 Apr 2017 06:36 AM PDT

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu si edhe Ambasadorja e BE-se në vendin tonë Romana Vlahutin, u takuan sot me ish Kryetaren e kuvendit Jozefina Topalli, një nga figurat kryesore të Pd në opozitë. Për më shumë se një orë ata mësohet se kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit si edhe mënyrat e nxjerrjes së vendit nga kriza politike ku është përfshirë për shkak të protestës së opozitës. Kjo e fundit këmbëngul në krijimin e qeverisë teknike , si e vetmja mundësi për mbajtjen sipas saj të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ndërkaq opozita është e vendosur për të vazhduar bojkotin parlamentar, pasojë sipas saj e arrogancës qeveritare.

Ahmetaj: “Kriza politike cënon rritjen ekonomike”

Posted: 04 Apr 2017 06:27 AM PDT

Shqetësimit të biznesit dhe Bankës së Shqipërisë mbi efektet negative që mund të burojnë në ekonomi nga situata politike e krijuar, i është bashkuar edhe ministri i financave Arben Ahmetaj. Ai tha se "çdo situatë artificiale, politike patjetër që cënon rritjen ekonomike. Ajo që po ndodh tek çadra që fatmirësisht është e izoluar tek çadra, sërish e dëmton imazhin e Shqipërisë, sërish e dëmton besimin e aktorëve ekonomik tek ekonomia, dhe vetëm këtë bën" tha zoti Ahmetaj. Një tjetër pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit ministri i financave e sheh tek vonesa e zbatimit të Reformës në Drejtësi. "Kush pengon Reformën në Drejtësi, pengon rritjen ekonomike të vendit, pengon investimet në vend, pengon punësimin. Reforma në drejtësi është kyçe" këmbënguli Ahmetaj. Në konferencën për shtyp, Ahmetaj komentoi rritjen ekonomike përgjatë vitit 2016, ecurinë e së cilës ja dedikoi reformave. Mes rreshtash ai u kujdes të veçonte pritshmëritë për të ardhmen, por këtë herë jo në emër të aleancës qeverisëse. "Në mandatin e dytë të Partisë Socialiste do të ketë një rritje ekonomike mbi rritje 5.5 përqind" shtoi Ahmetaj. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Ahmetaj tha se brenda muajit prill qeveria do të vendos për rritjen e pagës minimale, ndërkohë që në muajin maj pritet të shpallet firma fituese për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Thaçi: Marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të kalojnë në kuvend

Posted: 04 Apr 2017 06:09 AM PDT

Marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e përcaktimit të kufirit me Malin e Zi, duhet të kalojnë sa më parë në Kuvend, deklaroi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një bashkëbisedim me gazetarët. Ai tha se ngritja e shoqatës së komunave serbe duhet të arrihet edhe si masë për t’u mbyllur gojen kritikeve që akuzojnë Prishtinën se nuk implementon marrëveshjet me Beogradin. Një tjetër çështje e ndjeshme e që në Kuvend nuk po kalon dot është ajo e percaktimit te kufirit me Malin e Zi. Presidenti Thaçi e bëri të qartë se nuk ka liberalizim vizash pa kalimin e tij. "Nëse nuk ndodh kalimi i përcaktimit të kufirit në Kuvend, nuk ka liberalizim vizash. Unë vlerësoj se Kosova do të vonohet me vite nëse nuk kalon kjo çështje", tha ai, duke u shprehur i gatshëm që të bisedojë edhe me opozitën. Lidhur me ngritjen e ushtrisë, Thaçi shprehu bindjen se ajo do të formohet dhe se do të jetë shumetnike.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë thërret ambasadorin e Shqipërisë në Shkup

Posted: 04 Apr 2017 06:06 AM PDT

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka thirrur ambasadorin e Shqipërisë në Shkup. Temë bisede mendohet se kanë qenë deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ministrit të jashtëm Ditmir Bushati, lidhur me zhvillimet në vendin fqinj me Shqipërinë, por ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka nuk ka dhënë hollësi rreth takimit. Nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë konsiderojnë se Shqipëria po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë dhe sipas tyre këto janë veprime të cilat cënojnë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve duke nxitur kështu edhe retorikë ekstremiste.  Shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati ditë më parë në një intervistë për rrjetin Euroactiv u shpreh kategorik se Shqipëria nuk synon të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë dhe se Tirana nuk ka përgatitur asnjë platformë politike e cila do të koordinonte veprimet e partive politike shqiptare në Maqedoni.

Arti kontemporan njujorkez në Tiranë

Posted: 04 Apr 2017 05:56 AM PDT

Fractured Body – Trupthyer është tema që ka bërë bashkë 18 artistë amerikanë dhe dy shqiptarë të cilët nga Nju Jorku ekspozojnë në galerinë FAB në Tiranë. Artistët bashkëkohore vijnë në Tiranë me vizatime që kanë në qendër të tyre qënien njerëzore, trupin dhe gjuhën e tij dhe bashkë i ka bërë një artist shqiptar Alkan Nallbani i cili reflekton dëshirën dhe vullnetin që arti të komunikoje duke rrëzuar barriera shtetesh dhe kontinentesh si në këtë rast. "Këtë ide që mund të dukej bukur e parealizueshme u bë realitet në mënyrë shumë organike. Tani arti edhe pse vjen nga një distancë e largët rri natyrshëm dhe krijon marrëdhënie të sinqerta me publikun" tha artisti Alkan Nallbani. Bashkautor dhe profesor në Universitetin e Arteve Pamore në Nju Jork Graham Day Guerra paraqitet me veprën Body Palimsest ku ai trupin njerëzor e vesh herë me kodin gjenetik e herë me figuriacionet simbol të religjioneve kryesore."Ashtu siç e përmendët ju është një vepër e titulluar Body Palimsest e bazuar në disa pjesë të të njëjtit subjekt. E para është prezantimi i trupit njerëzor në formën sekulare dhe shkencore, mund të shohësh ADN-në, molekulat dhe anatominë. Ndërsa imazhi tjetër është shpirtëror ose fetar. Trupi i veshur me simbolet e feve të mëdha budizmit, hinduizmit, krishtërimit dhe islamit" tha artisti amerikan Graham Day Guerra. Ekspozita në galerinë Fab do të qëndroje disa ditë e hapur duke u bërë edhe një workshop i qënësishëm për studentët e arteve pasi shumica e artistëve amerikanë janë edhe profesorë në Universitetet më të mira të arteve pamore në Nju Jork.

Siri; Bombardohet spitali që trajtonte të plagosurit nga sulmi kimik

Posted: 04 Apr 2017 05:53 AM PDT

Spitali që trajtonte të plagosurit nga një sulm kimik i kryer sot në veriperëndim të Sirisë u bombardua duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesë. Sipas deshmitareve bombardimi ka prekur një pjesë të spitalit ndersa mjekët largoheshin mes gërmadhave. "Opozita siriane akuzoi regjimin e Bashar al-Assad për kryerjen e këtij sulmi që shkaktoi të paktën 58 të vdekur dhe rreth 170 të plagosur në një bastion rebel dhe xhihadist në veri-perëndim". Të paktën 11 fëmijë ishin mes personave të vrarë si pasojë e këtij sulmi ajror që goditi Idlibin. Nderkaq ministri i Jashtëm francez ka kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas sulmit kimik.

Përcillet për në banesën e fundit kantautori Françesk Radi

Posted: 04 Apr 2017 05:36 AM PDT

Miq, të afërm dhe kolegë, kanë përcjellë mesditën e kësaj të marte për në banesën e fundit kantautorin Françesk Radi. Në nder të artistit, Radio Tirana hapi dyert për organizimin e homazheve. Françesk Radi nuk ishte vetëm kantautor dhe pjesëmarrës i sa e sa Festivaleve të Këngës, por për shume vite ai punoi në Redaksinë e Krijimtarisë Muzikore pranë këtij institucioni. Është redaktori muzikor dhe kompozitori Sokol Marsi që kujton në këtë moment edhe bashkëpunimin e tij të fundit si kolegë të asaj redaksie. “Bashkëpunimi im i fundit me Françeskun ka qenë jo më parë se përpara një viti, në festivalin e 54-të të RTSH ku bëmë një kolazh në nder të Tonin Tërshanës.” Në vite më të hershme i çojnë kujtimet dhe bashkëpunimet me Françesk Radin, emra të tjerë të njohur të muzikës shqiptare, siç janë kompozitorët Enver Shëngjergji, Limoz Dizdari dhe Luan Zhegu. “Kam pasur fatin që të bashkëpunoj me Frankon në Festivalin e Dytë të Këngës “Stduenti” me këngën “Erdhëm nga larg” që e këndonte Franko dhe Justina Aliaj. Bekimi dhe mallkimi i tij ishte se ai ishte një Adriano Çelentano shqiptar. Kjo gjë për kohën ishte e vështirë” thotë kompozitori Shëngjergji. “Ajo që më ka tërhequr gjithmonë ka qenë qartësia, qetesia dhe vlerat që mbarte me vete. Ka qenë natyrë e sjellshme e komunikuese e tij” thotë kompozitori i njohur Limoz Dizdari. “Frankon i përket asaj plejade artistësh që kanë lënë një shjenjë të pandryshueshme në muzikën shqiptare” kujton miku i tij Luan Zhegu. Françesk Radi u nda nga jeta pas një hemoragjie cerebrale të beftë. Krahas bashkëshortes gazetares së njohur Tefta Radi dhe dy femijëve, ai la pas një krijimtari të pasur muzikore.