RTSH: “Rama: I gatshëm për dialog! Basha nuk duhet të ketë frikë!” plus 9 more

RTSH: “Rama: I gatshëm për dialog! Basha nuk duhet të ketë frikë!” plus 9 more


Rama: I gatshëm për dialog! Basha nuk duhet të ketë frikë!

Posted: 13 Apr 2017 08:55 AM PDT

Kryeministri socialist Edi Rama ka përkrahur një iniciativë të presidentit Bujar Nishani për të organizuar një tryezë politike për të zgjidhur krizën. Duke folur pas seancës parlamentare të së enjtes zoti Rama tha se ishte i gatshëm të ulej në dialog pa kushte. “Është përsëri dhe përsëri momenti për të këmbënguluar për dialog. Ka një nismë të Presidentit që ne e kemi përkrahur pa asnjë ngurrim, duke nënvizuar se jemi të gatshëm të ulemi në tryezën e dialogut pa kushte dhe siç ndodhi në përpjekjen e mëparshme, ka një vonesë që shpresoj të mos jetë vonesë që paralajmëron dështimin e kësaj përpjekjeje tjetër” tha zoti Rama.
Duke ritheksuar se kjo tryezë e tillë mbetet preferencë e parë për të, zoti Rama me doza ironie tha se kreu i opozitës Basha nuk duhet të ketë frikë. “PD dhe kryetari i saj nuk duhet të kenë frikë nga dialogu, nga tryeza ku të gjitha partitë parlamentare mund të shprehin pikëpamjet e tyre. Është një frikë e pajustifikueshme në raport me opinionin publik dhe në raport me zgjedhësit e PD” tha zoti Rama. Kreu i socialistëve ndërkohë bëri të qartë se presidenti i ri i vendit,  do të dali nga koalicioni PS – LSI, duke përjashjtuar çdo mundësi që kreu i shtetit të jetë një kompromis mes maxhorancës dhe opozitës.

PROMOVOHET RRETHI I 74-T ÇIKLISTIK I SHQIPËRISË

Posted: 13 Apr 2017 08:34 AM PDT

Rrethi i 74-t Çiklistik i Shqipërisë ka nisur të enjten zyrtarisht rrugëtimin e tij, me një tryezë të rrumbullakët prezantimi me të gjithë aktorët pjesëmarrës në organizimin e tij. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ky është rrethi i parë që zhvillohet në kuadër të kalendarit ndërkombëtar të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit, UCI. "Ky është Rrethi i parë Çiklistik i Shqipërisë që zhvillohet sipas rregullave të një veprimtarie ndërkombëtare, e mbikëqyrur nga zyrtarë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë, dhe me parametrat e një veprimtarie të njohur ndërkombëtarisht", – theksoi kreu i dyrrotakëve shqiptarë.
Kjo veprimtari do të zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, pushteti vendor, duke nisur nga Bashkia e Tiranës e duke vijuar me të gjitha Bashkitë nëpër territorin e të cilave do të kalojë ky rreth. Sipas kryekomisarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), Vladimiros Petsos, ky rreth është një shans historik për Shqipërinë. “Në fakt, kjo veprimtari është një shans i mirë për mua për t’i ritakuar me miq të vjetër, pasi kam ardhur këtu edhe për Kampionatin Ballkanik të vitit të shkuar në fillim të korrikut. Ajo që pashë gjatë atij kampionati më pëlqeu shumë dhe kjo më bën optimist që do të shikoj një veprimtari edhe më të mirë në Rrethin e 74-t Çiklistik” tha zoti Petssos.
Për zyrtarin e çiklizmit ndërkombëtar, ky rreth paraqet një numër sfidash. “Çdo garë çiklistike është sfiduese, si për sportistët, ashtu edhe për organizatorët. Sa u përket këtyre të fundit, unë e di që kjo është një herë e parë për Federatën tuaj, por ne si federatë botërore jemi këtu për të ndihmuar dhe shpreh besimin tim të patundur se ky Rreth Çiklistik do të jetë një sukses dhe do të hapë një dritare të vyer për Shqipërinë në sportin botëror” tha ai për RTSH.
Por, a do të kemi mundësi të shohim një ditë nëpër rrugët e Shqipërisë çiklistë ndërkombëtarë me emër? “Pse jo? Natyrisht, nuk duhet harruar që sipërmarrje të tilla, për të arritur në nivelet që ju thoni, kërkojnë shpenzime të mëdha. Por, në rastin e Shqipërisë, kjo do të bëhet hap pas hapi dhe nuk do të jetë e largët dita kur, nëse Rrethi Çiklistik i Shqipërisë do të jetë, siç edhe unë besoj, një sukses, nuk do të jetë e largët dita kur ju do t’i keni këta çiklistë të njohur nëpër rrugët e Shqipërisë” shpreson kryekomisari i Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), Vladimiros Petsos.
Edicioni i 74-t i Rrethit të Shqipërisë, që është gara e 3-të më e vjetër çiklistike në Evropë, pasi Turit të Francës dhe Xhiros së Italisë, do të zhvillohet nga data 20, deri më 24 maj 2017.

Xhon Mek Kein viziton Kosovën

Posted: 13 Apr 2017 07:08 AM PDT

Senatori amerikan, Xhon Mek Kein sot një vizitë dy ditore në Kosovë, me nje axhendë të ngjeshur me takime me të gjithë kreret e institucioneve shtetërore. Në një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ai tha se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është i vazhdueshëm, Senatori Mek Kein tha se miratimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi do të sillte edhe liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës si dhe do të paraqiste një hap të rëndësishem drejt të ardhmes në BE. Senatori tha se përkushtimi i SHBA-së për rajonin mbetet i hekurt. Ai tha se Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në shumë fusha por ak ende shume sfida, ne te cilat do te kete mbeshteten e Amerikes

Çavushoglu: Duam që me BE-në të zgjidhim problemin e vizave!

Posted: 13 Apr 2017 04:52 AM PDT

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë Mevlut Çavushoglu, deklaroi se vendi i tij pas referendumit më 16 prill do t’i paraqesë propozimin e fundit Bashkimit Evropian. “Pas 16 prillit Bashkimit Evropian do t’i paraqesim propozimin tonë të fundit. Do të bisedojmë rreth asaj se si do të vazhdojmë bashkëpunimin në periudhën e ardhshme. Duam që me BE-në të zgjidhim problemin e vizave. Duhet të kemi regjim pa viza. Kjo është pjesë e marrëveshjes sonë të fundit që kemi nënshkruar”, tha Çavushoglu duke theksuar se BE-ja i ka hequr vizat edhe me vende me të cilat nuk janë hapur negociatat e pranimit, ndërkohë që Turqia është vend kandidat me negociata të hapura prej vitesh. Ai ka komentuar edhe rreth çështjes së bashkimit te Qipros duke thene se Turqia investon përpjekje të sinqerta për zgjidhjen e problemit si dhe lajmëroi vizitën e një delegacioni të lartë turk në Moskë javën e ardhshme.

Opozita akuzon një përfaqësues të BE-së si të kapur nga kryeministri Rama

Posted: 13 Apr 2017 04:44 AM PDT

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Eduart Auer do të përballet me ankesë zyrtare të opozitës, që do të depozitohet pranë instancave ndërkombëtare. Lulzim Basha dhe aleatët e tij firmosën paraditen e së enjtes, shkresën informuese që do ti drejtohet BE-së, në lidhje me deklaratat e bëra prej Auer në takimin me partitë aleate të PD-së, duke i inkurajuar sipas tyre të hyjnë në zgjedhje edhe pa Partinë Demokratike, për të siguruar sipas tij në këtë mënyrë mandatet e kësaj force politike. Ish Kryeministri Berisha akuzoi këtë përfaqësues ndërkombëtar si të kapur nga Kryeministri . Kryerepublikani Mediu, i konsideroi shqetësuese deklaratat e zyrtarit ndërkombëtar. Ndërkaq ish Kryeministri Berisha bëri apel për përshkallëzim të protestës, pasi sipas tij,Kryeministri Rama nuk ka ndërmend të largohet për shkak të lidhjeve me drogën dhe krimin. Sipas Berishës, Rama e di që vendi i tij është në Burg, ndaj do të përpiqet me çdo formë dhe mjet për të mbajtur pushtetin. Ndërsa në çadër diskutonin deputetët e djathtë, në selinë e demokratëve, pas takimit me aleatët, Basha zhvilloi takim me drejtuesit dhe sekretarët e PD-së në rrethe , për protestën kombëtare të thirrur nga opozita në 7 Maj në Kavajë, kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet e pjesshme vendore. Ai kërkon mobilizim të demokratëve dhe qytetarëve, në përbushje të vendimit të opozitës, për të pamundësuar zgjedhjet e Kavajës.

Parlamenti ratifikon marrëveshjen me TAP, Shqipëria përfiton 60 milionë euro

Posted: 13 Apr 2017 03:53 AM PDT

Shqipëria do të përfitojë më shumë se 60 milionë euro, por edhe një numër favoresh të tjera, pas rinegocimit të suksesshëm të marrëveshjes me shoqërinë TAP, për ndërtimin e gazsjellësit nga fusha e Sheh Deniz në Azerbaixhan drejt Europës Perëndimore. Marrëveshja, që u miratua në Kuvend, modifikoi marrëveshjen ekzistuese.

Kushti i parë lidhur me aspektin fiskal i modifikuar (që përfaqëson kusht më të favorshëm për interesat e shtetit shqiptar) ka të bëjë me kufizimin e periudhës kohore brenda së cilës shoqërisë TAP i sigurohej një regjim fiskal i pandryshueshëm. Shtetit shqiptar ka të drejtë tani, që, pas kalimit të 10-vjetorit të parë të operimit të TAP-it, të rritë nivelin fillestar të tatim-fitimit me 5.2 pikë për qind të vlerës së tatueshme ose e thënë me fjalë të tjera rritje me rreth 52% të nivelit fillestar të tatimit të fitimit. Në terma financiarë, sipas një përllogaritjeve të përafërt të realizuar nga konsulentët, ky kusht i negociuar përkthehet në rreth 60 milionë euro përfitime për shtetin shqiptar, të cilat do të shtrihen gjatë gjithë kohëzgjatjes së marrëveshjes. Nga ky negocim gjithashtu dyfishohen investimet në komunitet në 14 milionë euro, nga 7 milionë të parashikuara në marrëveshjen aktuale, si dhe rritet mundësia e pjesëmarrjes së kompanive shqiptare në projektin TAP.

Rama paralajmëron një linjë ajrore ballkanike

Posted: 13 Apr 2017 03:44 AM PDT

Kryeministri Edi Rama, ndërsa bisedonte me të rinjtë e programit "Start up" në tekonologji, konfirmoi se Shqipëria përgatitet për të futur një linje trasporti ajrore që do të lidhë vendet e rajonit. "Jemi drejt finalizimit të një linje ajrore që do mbuloje Shkupin, Prishtinënë, Podgoricën, Sarajevën, Zagrebin dhe gjithë Europën juglindore, por do të jetë një linjë ajrore e jona. Pastaj, sigurisht do të mbulojë edhe pjesën e perëndimit". Rama i konsideroi inovative dhe tepër të domosdoshme programet e të rinjve, duke i garantuar ata se shteti do të luajë rolin e ndërmjetësit për ti aplikuar ato në sektorë të ndrsyhëm të ekonomisë dhe për sipërmarrjet dhe koorporatat financiare.

Kontrata 1 euro për një kompani të përpunimit të peshkut

Posted: 13 Apr 2017 03:36 AM PDT

Një tjetër kontratë me qera 1 euro është lidhur nga ministria e zhvillimit ekonomik me një kompani të përpunimit të peshkut. Zona shtetërore në Elbasan e marrë me këtë kontrate është rreth 53 mijë metra katrorë dhe sipas ministres Milva Ekonomi do të ndihmojë përveç në zgjerimin e sektorit të përpunimit të peshkut,  edhe në rritjen e formalizimit të punësimit në këtë sektor.

"Për shkak të formalizimit në këtë sektor, ne sot kemi një situatë ku kemi rreth 1000 njerëz që punojnë në det për peshkimin, të cilët gjenerojnë punë për ata që punojnë në përpunimin e peshkut në raportin 1 me 3 dhe 1 me 4. Kështu, në përpunimin e peshkut ne kemi rredh 3 – 4 mijë persona që punojnë në këtë sektor, pra kjo industri është shumë e rëndësishme" tha me këtë rast zonja Ekonomi.

Kontrata me qera 1 euro janë prioritet deri tani për tu dhënë për dy sektorë fason dhe industri përpunuese.

Rruga drejt Apolonisë, e pakalueshme

Posted: 13 Apr 2017 03:29 AM PDT

Të 15 kilometrat e rrugës që lidhin Fierin me Parkun Kombëtar të Apolonisë janë tërësisht të amortizuara dhe të shkatërruara. Pamjet që shihni i përkasin një situate dramatike të rrugës. Sipas banorëve dhe drejtuesve të automjeteve rruga po degradon gjithnjë e më shumë. Tashmë nuk bëhet fjalë për fonde për riparimin e saj, por një investim të rëndësishëm për ndërtimin e një rruge të re. Disa turistë nga Kosova që kishin shkuar për të vizituar Parkun Arkeologjik të Apolonisë, u shprehen me keqardhje për këtë situatë.

Ata i janë bashkuar banorëve të zonës në thirrjen drejtuar autoriteteve shqiptare që të bëjnë të mundur rikonstruksionin e kësaj rruge, pasi ajo është imazhi i turizmit shqiptar.
Rruga që të çon për në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, vazhdon më tej në Plazhin e Semanit, një ndër më të frekuentuarit në dein Adriatik. Ajo lidh gjithashtu tre komuna të kesaj zone dhe u shpërben mbi 20 mijë banorëve.

Hungari, protesta kundër mbylljes së universitetit

Posted: 13 Apr 2017 03:25 AM PDT

Mijëra njerëz marshuan përsëri rrugëve të kryeqytetit Budapest në Hungari, për të protestuar kundër ligjit, i cili mund të detyrojë një unviersitet të financuar nga miliarderi amerikan, Xhorxh Soros, të largohet nga Hungaria. Demonstruesit kërkuan nga presidenti i Hungarisë, Janosh Ader, të mos e nënshkruaje ligjin dhe ta dërgoje atë në Gjykatën Kushtetuese. Më 4 prill, parlamenti i Hungarisë e miratoi ligjin i cili kërkon që universitetet e huaja në Hungari të kenë kampuset e tyre me ndërtesa auditoresh dhe konviktesh, kurse në vendet e origjinës të kenë kurse të ngjashme. Shumë njerez në Hungari mendojnë se ky ligj ka në shënjestër Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest, të cilin qeveria nacionaliste e kryeministrit, Viktor Orban, e sheh si qendër të fuqishme të opozitës liberale. Sipas ligjit, ky universitet mund të detyrohet të mos pranonje studentë në vitin 2018 dhe përfundimisht të mbyllet në vitin 2021. Universiteti në fjalë është themeluar në vitin 1991 dhe ka rreth 1400 studentë.