RTSH: “Një shpërthim bombe shtyn takimin Borusia – Monako” plus 9 more |
- Një shpërthim bombe shtyn takimin Borusia – Monako
- Parlamenti zgjedh tre anëtarë nga maxhoranca për komisionin ad hoc të vetingut
- Fleckenstein: Palët të mendojnë mbi detyrat përkundrejt njerëzve e më pas për pushtetin e tyre
- Trafiku i drogës drejt Italisë, rikthehen skafet në brigjet e Durrësit
- Tramp nënshkroi protokollin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO
- “New York Times” u shpall fituesja e Çmimit Pulicer
- QSUT: Pajisja e re për sëmundjet tumorale
- Një “Liqen Mjelmash” ndryshe
- Vlorë, mes tensionit PS shkarkon kreun e Këshillit të Qarkut
- Sa do të na kushtojë energjia elektrike pas datës 31 mars?
| Një shpërthim bombe shtyn takimin Borusia – Monako Posted: 11 Apr 2017 12:39 PM PDT Një shpërthim me bombë ka goditur autobusin që transportonte ekipin e futbollit të Borusias së Dortmundit vetëm pak para ndeshjes me Monakon e vlefshme për Ligën e Kampioneve të Europës. Sipas klubit gjerman bomba ka shpërthyer jashtë autobusit të ndodhur pranë hotelit ku ishin akomoduar lojtarët përpara se ekipi t'i drejtohej stadiumit "Signal Iduna Park". Mbrojtësi Marc Bartra, është plagosur dhe është transportuar në spital për mjekim. Sipas dëshmitarëve nga shpërthimi janë thyer xhamat e autobusit, ndërsa futbollistët e tjerë kanë shpëtuar pa pasoja. Klubi i Borusias ju bëri thirrje tifozëve në stadium të ruajnë qetësinë. Ekipe të emergjencës gjenden në vendngjarje. Policia e Dortmundit njoftoi se ka pasur 3 shpërthime rreth hotelit. Takimi çerekfinal i Ligës së Kampionëve u shty për të mërkurën në orën 18:45. |
| Parlamenti zgjedh tre anëtarë nga maxhoranca për komisionin ad hoc të vetingut Posted: 11 Apr 2017 10:39 AM PDT Në një seancë të jashtëzakonshme, parlamenti shqiptar ka zgjedhur të martën si anëtarë të komisionit ad-hoc që do të monitorojnë procesin e të vetingut deputetët socialistë, Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, si dhe deputetin e LSI Luan Rama. Parlamenti nuk ka miratuar kandidaturën e deputetit të PDIU Shpëtim Idrizi si anëtar i këtij komisionit. PDIU u shpreh e zhgënjuer nga ana e maxhorancës. Opozita siç ka paralajmëruar nuk mori pjesë. Nga ana e tij kryeministri socialist Edi Rama shkroi në rrjetin social Fejsbuk se “Procesi i zbatimit të Ligjit të Vetingut nisi me votën e Kuvendit, sapo. Mund ta vonojnë po as Vetingun as Shqipërinë nuk e ndalojnë dot më” shkruajti zoti Rama. |
| Fleckenstein: Palët të mendojnë mbi detyrat përkundrejt njerëzve e më pas për pushtetin e tyre Posted: 11 Apr 2017 09:10 AM PDT Eurodeputeti Knut Fleckenstein ka shprehur shqetësimin e tij rreth situatës më të fundit në Shqipëri. Në një intervistë dhënë Arta Tozajt të RTSH, zoti Fleckenshtein paralajmëroi se BE do të shtyjë projektin, negociatat e anëtarësimit dhe gjithçka tjetër nëse palët politike nuk gjejnë gjuhën e përbashkët. Zoti Fleckenstein thotë se “Do të isha i lumtur, nëse gjithësecili, sa më shpejtë, do të mendonte para së gjithash mbi detyrën e vet përkundrejt njerëzve e më pas për pushtetin dhe biznesin e tij”. RTSH: Zoti Fleckenstein, ju vizituat Shqipërinë së fundmi dhe biseduat me krerët e partive kryesore atje. Si e shihni situatën tani në vend? Knut Fleckenstein: Me pamjen e sotme, jam shumë i shqetësuar. Vërej se nuk ka zgjidhje të mundshme mes 3 grupeve kryesore politike në parlament. Kam mësuar se PD nuk do të shkojë në zgjedhje, pa patur një qeveri kujdestare, apo diçka të ngjashme. Kam mësuar se PS në pushtet nuk pajtohet me një krijim të tillë. Nuk e di se si mund të zgjidhet situata, edhe pse PD është shumë strikte në pikat e saj, nuk ka mjaft kuptim se çfarë mund të bëjmë ne, si komunitet ndërkombëtar. A duhet të monitorojmë më shumë? A duhet të dërgojmë më shumë ekspertë për të kqyrur se çfarë bën policia dhe të tjerët? Kështu që uroj ta gjejnë zgjidhjen për zgjedhjet sepse nuk mund të imagjinoj se ky vend do jetë pa parlament, pa qeveri, pa president. Është për të ardhur keq! Vendi po arrinte kaq shumë përpara dhe tani është sërish pas, por shpresoj vetëm për një kohë të shkurtër dhe se ata do merren vesh mbi ndonjë gjë. RTSH: Përveç opozitës, mbetet e paqartë nëse partia e Ilir Metës regjistrohet në këto zgjedhje. Si e shihni koalicionin në pushtet? A po funksionon? Knut Fleckenstein: Parimisht, kuptoj se zoti Meta dëshiron me çdo mjet që të sjellë PD në zgjedhje, pasi pa të, do të jetë gjithnjë e vështirë për të gjykuar se si janë realisht mazhorancat në vend dhe me shumë gjasë, ai do të gjendej papritur në opozitë, pasi dhe kjo është një pikë, mbase jo më e rëndësishmja. Kështu që, unë mendoja se koalicioni po shkonte mirë, megjithëse ne të gjithë e dimë se aktorët nuk kanë karaktere shumë të lehta. E di se kryeministri ndonjëherë është mjaft special/i veçantë për mënyrën sesi trajton partnerin e tij në koalicion, apo të tjerët. Por, në fund, mendoja se do të funksiononte edhe për në të ardhmen, megjithatë këtë do e shohim pas zgjedhjeve. Unë e kuptoj gadishmërinë për të sjellë PD në zgjedhje dhe kam shumë shpresë për votimin e sotëm të procesit të rivlerësimit (vetting) në mënyrë që të vijojmë me të. RTSH: Ka zëra se kjo seancë do mund të përdorej për të lajmëruar largimin e ministrave të kësaj partie nga qeveria aktuale. Nuk e di a jeni në dijeni, por në këtë rast, a do ta mbështesnit sërish qasjen e Ilir Metës? Knut Fleckenstein: Unë nuk duhet të gjykoj se çfarë është e drejtë, apo e gabuar, por me tërheqjen e ministrave nga qeveria, nuk do të kishte më një koalicion. Është çasti për të thënë lamtumirë. RTSH: Dhe a nuk i mbështet grupimi juaj socialdemokrat të dy partitë për të shkuar me koalicion në zgjedhjet e radhës? Knut Fleckenstein: Si përfaqësues i grupimit të majtë, ne do ta çmonim shumë nëse të dy partitë do të vazhdojnë të punojnë. Unë mendoj se ata kanë bërë një punë të mirë, pjesërisht edhe me opozitën. PD kreu pjesën e saj të punës, për sa kohë ishte brenda në parlament . Reforma e drejtësisë ishte në fund të fundit një projekt i përbashkët. Prandaj, të gjithë kanë pjesën e tyre të meritës për arritjet e Shqipërisë. Është për të ardhur keq që nuk vijon njësoj në të ardhmen. Sigurisht, si socialist, do të doja të shihja vazhdimin e koalicionit. RTSH: Siç e përmendët, për reformën në drejtësi është thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të vijuar votimin mbi këtë reformë. Duket sikur kemi ngecur, ne vend të përparimit drejt BE-s? Knut Fleckenstein: Po! RTSH. Çfarë pret nga parlamenti shqipëtar në këtë fazë? Knut Fleckenstein: Nuk pres asgjë nga kjo seancë. Siç e dimë të gjithë, PD nuk do të shkojë dhe kjo gjë nuk do funksionojë. Unë nuk e di se çfarë interesash fshihen pas kësaj, nëse procesi i Vetting-ut nuk vijon dhe shtyhet zbatimi i reformës në drejtësi. Por, unë di se ishte një përpjekje kaq e madhe për të gjithë, që të uleshin bashkë e të pajtoheshin për çdo fjalë të ligjeve dhe ndryshimeve kushtetuese dhe është tejet/ekstremisht për të ardhur keq që tashmë mungon uniteti për ta vazhduar. Por, unë vij nga jashtë dhe vetëm mund të them se ne pastaj do shtyjmë projektin, do shtyjmë negociatat e anëtarësimit dhe gjithçka tjetër. Do të isha i lumtur, nëse gjithësecili, sa më shpejtë, do të mendonte para së gjithash mbi detyrën e vet përkundrejt njerëzve e më pas për pushtetin dhe biznesin e tij. RTSH: A do i konsideroni zgjedhjet legjitime nëse asnjë parti opozitare nuk regjistrohet në to? Knut Fleckenstein: Sigurisht që nuk do të ishte e këndshme. Me siguri do jetë tepër e vështirë. Nuk do të tregojnë mbase një tablo reale të qytetarëve shqipëtarë, por ato janë legjitime. Po. Por nuk do të funksionojë për shumë kohë dhe jam i sigurtë, po ashtu, për këtë. RTSH: Pse? Knut Fleckenstein: Sepse shumë njerëz nuk patën shancin për të votuar për partinë e tyre, PD etj, dhe kjo do të krijojë probleme sigurisht. Por do të jenë legjitime! RTSH: Ne do të shohim me zgjedhjet e Kavajës se si do të duken zgjedhjet e përgjithshme, meqënëse PD nuk merr pjesë, por ka thirrur për të protestë në ditën zgjedhore në Kavajë. A keni ndonjë mesazh për partitë pjesëmarrëse dhe jo-pjesëmarrëse në këto zgjedhje lokale? Knut Fleckenstein: Sigurisht që çdo parti është e lirë të marrë pjesë, ose jo, në zgjedhjet lokale. Do të ishte mirë nëse ato mbaheshin në një atmosferë të mirë, ku të gjithë kanë ndjeshmërinë e sigurisë dhe çdo parti merr pjesë. Kam dëgjuar se mbase merr pjesë një kandidat i pavarur, që ishte i afërt me PD. Kjo funksionon, ashtu siç duket. Njerëzit do votojnë e nëse e gjejnë kandidatin e tyre në listë, do bëjnë shenjën aty dhe nëse nuk do e gjejnë, ata nuk do të vijnë. Ajo çfarë nuk funksionon këtu është protesta, organizimi i tubimeve për të dëmtuar ata që duan të marrin pjesë në zgjedhje, në këtë proces demokratik, për të shmangur ata që ta kryejnë këtë. Prandaj, unë them se protestat janë gjithmonë të lejuara, por në Gjermani, meqë ra fjala, nuk lejohen në ditën zgjedhore. Megjithatë, protestat mirëpriten, por ruani qetësinë dhe jini të përgjegjshëm. Kjo është me rëndësi për njerëzit në Shqipëri dhe vetkuptohet edhe për politikanët, të paktën për demokratët. RTSH: A ka ndonjë hapësirë manovrimi për mazhorancën, për të dyja partitë në pushtet, për të biseduar, apo për të toleruar mbase disa prej shqetësimeve të opozitës, me qëllim që të jetë pjesëmarrëse në zgjedhje? Knut Fleckenstein: Nga jashtë, nuk është e lehtë të kesh një opinion për këtë. E shoh problemin që ka PD. Ata druhen se zgjedhjet nuk janë përgatitur me të vërtetë, se rekomandimet e ODIHR nuk janë në fuqi dhe nuk kam dyshime se përbën shqetësim serioz. Por, në fund, nuk ka se si e çfarë të ndryshohet, kur s'ka parlament. Si mund ta trajtosh këtë? Tani dëgjova se janë dhënë edhe disa ditë shtesë dhe shpresoj se drejtuesit e partive do takohen për të gjetur zgjidhje. Por, nëse njëra palë thotë "ne nuk kemi besim tek kjo qeveri, por duam qeveri teknike" dhe pala tjetër thotë "po ne e kemi shumicën dhe do e shohim, nëse do ta kemi ende shumicën në parlament", atëherë është shumë e vështirë që të gjendet rrugëzgjidhja ndërmjet tyre. Kështu që mbase ne, si institucione europiane, do na kërkohej për të marrë përsipër një lloj monitorimi, apo asistence, për të dhënë pak më shumë siguri e ndjesi të mirë edhe për opozitën, por nuk mund të bëj vlerësime nga këtu. RTSH. A druheni për regres z. Fleckenstein, meqë ju merreni aktualisht dhe me Maqedoninë, a mendoni se vendi rrezikon të njëjtën gjëndje si Maqedonia sot, pas zgjedhjeve? Knut Fleckenstein: Jo! Unë nuk shpresoj kështu, sepse jam mjaft i sigurtë që kryeministri aktual do të ikte, nëse do të humbiste zgjedhjet dhe do të fillonte opozitën. Kjo është dukshëm e pamundur për z. Gruevski. Së dyti, ka një dallim të madh mes dy situatave. Qeveria teknike në Maqedoni erdhi pas akuzave me dëshmi. Kishte kaseta të regjistruara e mund të dëgjoje mirë. Ndërkohë që më mungojnë dëshmitë për Shqipërinë, për një tufë akuzash që shpërndahen aktualisht në vend dhe që jam i sigurtë se nuk janë të gjitha të gabuara, por duhet patur diçka në duar, nëse do të bindësh partnerët. RTSH: Akuza kryesore lidhet me drogën dhe ju si raportues, besoj se keni pasur mundësi të verifikonit të dhënat për këtë jo vetëm me qeverinë shqipëtare, por dhe autoritetet e tjera, kryesisht Italinë.. KF. Po isha në Romë e bisedova me policinë, me ata që merren me këtë atje. RTSH: A janë korrekte të dhënat…? Knut Fleckenstein: Po, besoj kështu, por problemi është se fushat e plantacioneve, që janë reduktuar me të vërtetë, kanë tani, siç e dimë të gjithë, rrisin bimë të ndryshme, me më shumë mundësi korrjesh brenda një viti, çfarë jep një shumë totale më të lartë për drogën në tërësi. RTSH: Po dhe pyetja ime ishte, meqë ju i verifikuat këto akuza me të dhënat e autoriteteve italiane, jo vetëm të qeverisë shqipëtare, a i mbështesni vërejtjet e opozitës mbi këtë çështje? Knut Fleckenstein: Po, po! I kuptoj ata, pasi ka më pak zona, por me të njëjtën sasi, së paku, apo ngjashëm, pasi nuk kam të dhëna tani. Por në parim, të dy palët kanë të drejtë, edhe ata që thonë ka më pak zona mbjellje, edhe ata që thonë se ka po aq prodhim, të paktën. Më kanë thënë se qeveria prej ca kohësh po i rishikon dhe është mjaft aktive për ta luftuar. Të gjitha këto mund të diskutohen për të parë se çfarë fshihet mbrapa në të vërtetë, nëse mund ta themi kështu, por italianët më thanë se ka progres të vogël. RTSH: Dhe a mjfton ky informacion për të qënë të shqetësuar për përdorimin e parave të drogës në zgjedhje? Knut Fleckenstein: Jo, në këtë drejtim nuk kam dëgjuar asgjë tjetër veç akuzave. Ato mund të jenë të drejta ose jo, unë nuk mund ta them dhe s'mund të mbroj njërën palë apo tjetrën si raportues. Mund të ketë probleme serioze, por duhen dëshmi për këtë. RTSH: A do shkoni në Shqipëri para zgjedhjeve të përgjithshme, me apo pa z. Kukan? Knut Fleckenstein: A mund të më thuash se kur mbahen zgjedhjet e radhës? Po do shkoj edhe një herë atje. RTSH: A shkoni me ndonjë koleg tjetër nga PPE, apo vetëm? Knut Fleckenstein: Jo do të jem vetëm atje, për një ditë, në fillim të qershorit, sepse do ta vizitoja kurdo vendin me Eduard Kukan, apo këdo tjetër, sigurisht kur ka diçka për të ndërmjetësuar, por nuk ka kërkësa për ndërmjetësime deri tani. RTSH: Megjithëse nevojitet dialogu atje.. Knut Fleckenstein: Po, por dialogun mund ta bëjnë vetë ata, nëse e duan me të vërtetë. RTSH: Besoni se ata nuk duan dialog? Të dy palët shprehen të gatshëm.. Knut Fleckenstein: Kështu duket, kur njëra palë thotë "veç po ike ti, unë vi të të them lamtumirë" apo ngjashëm, e tjetri thotë "eja e më thuaj ç'të duash, por unë do qëndroj në postin tim". Kjo nuk është shumë komunikuese! |
| Trafiku i drogës drejt Italisë, rikthehen skafet në brigjet e Durrësit Posted: 11 Apr 2017 06:41 AM PDT Një hetim i përbashkët i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Leçes dhe Guardia di Finanzia grupin e personave që trafikonin lëndë narkotike kanabis nga Shqipëria drejt Italisë. Transporti drejt brogjeve Italiane, bëhej me skafe, ndërsa pikënisja është zona e Gjirit të Lalzit. Deri në këtë fazë të hetimit, të paktën 7 persona, nga të cilët 5 shqiptarë dhe 2 italianë, janë ndaluar mesnatën ndërmjet të Premtes dhe së Shtunës, me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda, në kuadër të këtij hetimi të përbashkët. Nga hetimet e deritanishme ka dyshime të arsyeshme se Eduart Sallaku, është në rolin e organizatorit të trafikimit të lëndës narkotike nga Gjiri i Lalëzit në drejtim të Brindizit. Veprimet hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda, ndiqeshin në terren nga ana e forcave policore të Kufirit, Durrës. Në bazë të ndjekjes hetimore, rezultoi se personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal pikasën lëvizje të Policisë dhe për këtë arsye u konsiderua e nevojshme ndërhyrja e menjëhershme për shoqërimin e tyre ende pa mbërritur lënda narkotike. Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, si edhe të deklarimeve të dhëna nga shtetasit e shoqëruar fillimisht dhe më tej të ndaluar me urdhër të Prokurorit, u krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të "Trafikimi i narkotikëve", mbetur në tentativë; "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" dhe "Grupi i strukturuar kriminal". |
| Tramp nënshkroi protokollin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO Posted: 11 Apr 2017 06:36 AM PDT Presidenti amerikan Donald Tramp nënshkroi protokollin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, duke përfunduar kështu proçesin e ratifikimit në Shtetet e Bashkuara. Shtepia e bardhë nuk lëshoi ndonjë deklaratë lidhur me nënshkrimin e protokollit. Senati amerikan ratifikoi protokollin me shumicë dërrmuese para pak javësh, në një seancë ku 97 senatorë votuan pro dhe vetëm 2 kundër. Senatorët vlerësuan se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do ta forcoje Aleancën por njëkohësisht edhe pavarësinë dhe demokracinë e malit të Zi. Senati deklaroi se pranimi i Malit të Zi do të shërbeje edhe për ti dërguar një mesazh të fortë Rusisë e cila provon të ndryshoje rendin ndërkombëtar me veprimet e saj. Ratifikimi i pranimit të malit të zi në NATO nuk është kryer ende vetëm nga Holanda dhe Spanja. Mali i Zi pret të bëhet anëtar me të drejta të plota ai aleancës në samitin e NATO-s të muajit maj në Bruksel. |
| “New York Times” u shpall fituesja e Çmimit Pulicer Posted: 11 Apr 2017 06:25 AM PDT Gazeta e përditshme Nju Jork Tajms u shpall fituesja e Çmimit Pulicer për artikujt kushtuar përpjekjeve të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për projektimin e forcës së Rusisë në botë. Në raportimet e kësaj gazete është zbuluar se Putini përpiqet të ndikoje në çeshtjet botërore për shfaqjen e fuqisë ruse, duke përdorur teknika që sillen prej vrasjeve e deri te keqtrajtimi dhe paraqitja e dëshmive inkriminuese për kundërshtarët, thuhet në arsyetimin e jurisë së Çmimit Pulicer. Kjo seri shkrimesh ka filluar para një viti dhe në të janë trajtuar tema nga rritja e perhapja e informatave dezinformuese, deri te sulmet e papreçedenta kibernetike të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016. E përditshmja, Nju Jork Tajms ka fituar gjithsej tre Çmime Pulicer për vitin 2016, më shumë se çdo gazetë tjetër, për artikujt, fotografitë dhe raportimin ndërkombëtar. E përditshmja tjetër Uashington Post fitoi Çmimin Pulicer për raportimin e lajmeve të brendshme gjatë fushatës, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e presidentit amerikan, Donald Tramp, se ai është donator zemërgjerë për organizatat humanitare. |
| QSUT: Pajisja e re për sëmundjet tumorale Posted: 11 Apr 2017 06:15 AM PDT Sëmundjet tumorale tani do të mund të kenë një diagnotikim të saktë dhe në faza të hershme falë instalimit të aparatures më të re në QSUT, SPECT CT. Kjo aparaturë, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, përdor kombinimin e lëndëve radioaktive me rrezatimin X, për të marrë imazhet e organeve më dinamike funksioni dhe jo në gjendje statike. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha se investimi është i përbashkët me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Vjenë dhe kushton 73,8 milion lekë. "Në fakt, vetëm për QSUT-në në këto katër vite janë investuar rreth 2.5 milionë euro në pajisje mjekësore dhe sot i shtohet gjithë flotës së pajisjeve bio-mjekësore kjo aparaturë e re, aparatura e Spect-CT, e cila është një aparaturë unikale, e teknologjisë së lartë, jo vetëm në spitalet tona publike, por dhe në ato private. Pra është e vetmja aparaturë sot në Shqipëri e cila, ndihmon në diagnostikimin e hershëm por gjithashtu dhe në ndjekjen e pacientëve mbas diagnostikimit”- u shpreh znj. Manastirliu, ministre e shëndetësisë. Kjo pajisje do ti shërbejë rreth 1500 pacientëve në vit, për diagnostikimin e saktë të sëmundjeve. Ajo përdoret edhe për diagnostikimin e një grup sëmundjesh në shërbimin e Urologjisë, Neurologjisë, Kardiologjisë, Endokrinologjisë etj. |
| Posted: 11 Apr 2017 06:07 AM PDT Liqeni i mjelmave, baleti i famshëm klasik i Çajkovskit shtegton në kohë duke u zhvendosur në Amerikën e viteve 40-50. Produksioni i ri i teatrit të operas dhe baletit e pikërisht Liqeni i mjelmave vjen premierë në Pallatin e Kongreseve në tre data duke filluar nga mbrëmja e 14 prillit. Me një rekuizite domethënëse që e vë në krye artin trupa artistike e teatrit të operas dhe baletit është vënë përballë gazetarëve. " Të gjithë shfaqjet tona më të rëndësishme, premierat tona, duke filluar nga premierat e këtij sezoni "Liqeni i Mjelmave" ne do ti performojmë në ktë sallë të madhe, në ktë skenë të madhe" tha Zana Çela. Në koreografinë e Enada Hoxhes dhe Gerd Vasos baleti ekuilibron mes klasicizmit të veprës dhe frymës së re konceptuar nga koreografët që tenton ti japë një frymë më moderne veprës edhe pse mjelma ndryshe nga vepra origjinale nuk vdes. " Mendova ta sjell në një formë amerikanat pa luajtur asgjë edhe nga klasikja. Mjelmat ju do të shikoni klasike, ndryshimi i vetëm janë, epoka, është stili që është shumë i veçantë i cili përfaqëson amerikën e atyre viteve e më pas e bukura është që përshtatet e tëra në muzikën klasike të Çajkovskit" tha Enada Hoxha. Ndërsa muzika e mrekullueshme e Çajkovskit do vije në veshët tanë nën drejtimin e Ricardo Casero i cili me artistët shqiptarë bashkëpunon për herë të dytë pasi ka drejtuar me sukses baletin Arrëthyesi. " Mendoj se orkestra dhe teatri në përgjithësi bëjnë një produksion shumë tërheqës për publikun dhe me një cilësi të jashtëzakonshme" tha Ricardo Casero. Me kostumet e Ardi Asllanit, skenografinë e Bashkim Zahaj dhe në interpretimin e balerinëve Ervis Nallbani, Ledia Sulaj, Enada dhe Gerd Vaso, Krist Dalipi dhe Adela Muçollari me datë 14 prill do të shijojmë një Liqen Mjelmash ndryshe. |
| Vlorë, mes tensionit PS shkarkon kreun e Këshillit të Qarkut Posted: 11 Apr 2017 06:07 AM PDT Kreu i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Sadri Danaj është shkarkuar nga detyra të martën dhe në vendin e tij është zgjedhur Ervis Moçka. Shkarkimi i tij është bërë me votat e këshilltarëve të PS. Këshilltarët e LSI kanë braktisur mbledhjen dhe ata të PDIU nuk ishin të pranishëm. Danaj, ishte zgjedhur në këtë post nga PS, por njihej si përkrahës i ish deputetit socialist Koço Kokëdhima, tashmë i shkarkuar nga të gjitha postet në PS. LSI e konsideroi ngjarjen si një sjellje arrogante. Shkarkimi është shoqëruar me debate dhe tension në mbledhjen e Këshillit të Qarkut të Vlorës. |
| Sa do të na kushtojë energjia elektrike pas datës 31 mars? Posted: 11 Apr 2017 05:34 AM PDT Sa kushton 1 kilovat energji elektrike pas datës 31 mars? Pyetjes do të duhet t'i japë përgjigje Enti Rregullator i Energjisë dhe Gazit, autoriteti i vetëm shtetëror që cakton tarifat dhe mbikqyr tregun e energjisë elektrike në Shqipëri. |
| You are subscribed to email updates from RTSH-Radio Televizioni Shqiptar. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





