RTSH: “Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit mbyll javën e 27-të” plus 9 more

RTSH: “Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit mbyll javën e 27-të” plus 9 more


Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit mbyll javën e 27-të

Posted: 02 Apr 2017 10:00 AM PDT

Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit mbyll sonte javën e saj të 27-të me dy takimet e fundit. Duke nisur nga ora 16:00, Kukësi pret në fushën e vet Luftëtarin, por duke synuar fitoren dhe duke pritur superpërballjen e orës 18:00, midis Partizanit dhe Skënderbeut. Kjo ndeshje, që do të mblidhet luhet në Stadiumin “Seliman Stërmasi”, dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Java e 27-të ka nisur të premten, në me takimin midis Tiranës dhe Vllaznisë, por që u fitua nga shkodranët me rezultatin 2-1. Të shtunën, në Teuta ka mundur 2-0 në shtëpi Laçin, ndërsa në mbrëmje, Flamurtari ka shpartalluar Korabin me rezultatin tenistik 6-0.

Tusk; Nesër në Maqedoni

Posted: 02 Apr 2017 09:53 AM PDT

Kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk viziton nesër Shkupin, e ashtu si zyrtarë të tjerë të lartë të bllokut përpara tij, vjen me porosi të qarta për presidentin Gjorgje Ivanov. BE-ja është pozicionuar hapur, pro zgjidhjes së shpejtë të krizës në respektim të Kushtetutës, që do të thotë t'i dorëzohet mandati i krijimit të qeverisë shumicës së re parlamentare. Në axhendën e Tusk do të jetë edhe ngërçi i emigrantëve, një shqetësim i pafashitur plotësisht i Bashkimit Europian, por kriza politike aktuale e Maqedonisë dhe perspektiva europiane e rajonit do të jenë padyshim pjesë qëndrore e bisedimeve mes dy udhëheqësve. Kjo është vizita e tretë e Tuskut brenda dy vitesh në Maqedoni. Gjatë ndalesës së tij të fundit, marsin e 2016-s, zyrtari europian u fokusua te çështja e ngutshmee refugjatëve dhe emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Zgjedhjet në Serbi

Posted: 02 Apr 2017 09:41 AM PDT

Mbi 6 milionë e gjysmë serbë zgjedhin presidentin e ri nga 11 kandidatë te regjistruar për garën presidenciale. Presidenti serb zgjidhet me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve të Serbisë. Mandati i presidentit aktual serb, Tomislav Nikoliç, përfundon më 31 maj. Zgjedhjet presidenciale serbe zhvillohen edhe në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë dhe vendimin për lejimin e mbajtjes së tyre e deklaroi një ditë përpara kryeministri Isa Mustafa. Misioni në Kosovë i OSBE-së, ndërkaq, ka bërë me dije se "është i gatshëm të ndërmarrë operacionin e grumbullimit të votave dhe se për këtë qëllim do të hapë 4 qendra me degë përkatëse, që t’iu mundësojë personave me të drejtë vote në këto zgjedhje". Më të favorizuarit mes 11 kandidateve janë kryeministri aktual, Aleksandar Vuçiç, ultranacionalisti Vojislav Sheshelj dhe ish-kandidati për sekretar të përgjithshëm të OKB-së, Vuk Jeremiç. Kutitë e votimit do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në ora 20:00.

Shpërthim në Francë gjatë karnavaleve

Posted: 02 Apr 2017 09:36 AM PDT

Të paktën 18 persona kanë mbetur të plagosur, kur një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer gjatë karnavaleve të zhvilluara në veri të Francës. Shpërthimi ndodhi në fund të ceremonisë së "Jellou Carnaval", në periferinë verilindore të Parisit. Videot e publikuara nëpër rrjetet sociale tregojnë shpërthimin e zjarrit të fuqishëm vetëm pak sekonda pasi dikush e kishte ndezur atë, duke shkaktuar edhe fluturimin e shumë mbetjeve. Një nënë dhe fëmija i saj janë mes të plagosurve rëndë, ndërsa i dëmtuar ka mbetur edhe kryebashkiaku i qytetit. Prokurorët kanë nisur hetimet, ndërsa ende nuk dihet shkaku i shpërthimit. Shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga lënda djegëse e përdorur për të ndezur atë që pritej të ishte pjesë e shfaqjes.

Nisin kërkimet për personat e humbur në Kolumbi pas përmbytjeve

Posted: 02 Apr 2017 09:31 AM PDT

Forcat e sigurisë në Kolumbi kanë nisur kërkimet për qindra persona të zhdukur, pas rrëshqitjeve masive të dherave që lanë të paktën 254 të vdekur. Rreth 1.100 ushtarë dhe policë janë përfshirë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Reshjet e dendura të shiut përmbytën me baltë e gurë qytetin e Mokoas në jugperëndim të vendit, duke "varrosur" thuajse të gjithë periferinë, ndërsa rezidentë të tjerë arritën t'i shpëtonin duke u larguar nga shtëpitë. Një deklaratë e ushtrisë njoftonte se janë të paktën 400 të plagosurit, ndërsa 200 persona rezultojnë të zhdukur në kryeqytetin e provincës Putumajo. Vullnetarë të Kryqit të Kuq kolumbian të pranishëm në zonë konfirmojnë se numri i viktimave është mbi 200. Grupi i ndihmave po punon për të ndihmuar pjesëtarët e familjeve të kontaktojnë me të afërm të tyre, ndërsa operacionet vazhduan edhe përgjatë natës. Presidenti Manuel Santos shpalli gjendjen e emergjencës në rajon dhe shkoi menjëherë në vendngjarje për të mbikëqyrur përpjekjet për shpëtimin e sa më shumë njerëzve.

Zjarri i madh në Dubai

Posted: 02 Apr 2017 09:26 AM PDT

Një zjarr i madh ka përfshirë një kulle ndërtimi në qendër të Dubait, në afërsi të ndërteses më të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe dukë bërë që një qendër gjigante tregtare të mbushet me tym. Flakët masive shpërthyen në një ndërtesë në afërsi Burj Kalifa, rreth orës e 6 të mëngjesit. Autoritetet ishin të shpejtë në dërgimin e ekipeve të zjarrfikësve, duke përfshirë edhe një helikopter dhe ekipet e emergjencave që rrethuan zonën. Nuk është raportuar  për viktima, edhe një sërë ambulancash ishin dërguar në vendin e ngjarjes. Në një deklaratë, zyrtarët e Dubait kanë konfirmuar se ndërtesa e djegur ishte në ndërtim e sipër.

Zgjedhjet në Kavajë, KQZ thirrje partive politike: Paraqisini anëtarët e KZAZ!

Posted: 02 Apr 2017 07:25 AM PDT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje tre partive politike PD, PR dhe LSI të paraqesin propozimet për anëtarë të KZAZ-së që do të administrojë zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkisë së Kavajës që do të mbahen më 7 maj. Deri tani këtë detyrim ligjor e ka plotësuar vetëm PS. Sipas zëdhënëses së KQZ mospërmbushja e këtij detyrimi ligjor nga partitë politike sjell si pasojë mos respektimin e afatit ligjor për ngritjen e KZAZ-së nr 42. “Afatet proceduriale për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kavajë, janë afate të shkurtuara dhe mos respektimi i tyre vështirëson punën për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor të datës 7 maj” tha zëdhënësja Drilona Hoxhaj. Ajo u bëri thirrje Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane, të paraqesin propozimet e tyre brenda datës 3 prill 2017.
Partitë e opozitës kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Basha nga Shkodra: “Deri në fitore zotimi ynë mbetet zgjedhje të lira e republike e re”

Posted: 02 Apr 2017 05:19 AM PDT

Në Shkodër është përkujtuar ngjarja e në 2 prillit të vitit 1991, kur gjatë një demonstrate të organizuar nga forcat antikomuniste të udhëhequra nga PD, të cilat kundërshtuan fitoren e PP (ish komunistët shqiptarë) në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri pas katër dekadash e gjysëm të regjimit komunist, u vranë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, që më pas u shpallën martirë të demokracisë.
Cermoninë e ka shfrytëzuar edhe PD në opozitë e cila prej më shumë se pesë javësh po kërkon me ngulm dorëhqejen e kryeministrit Rama dhe ngritjen ne vend të një qeverie teknike që do të çojë vendin në zgjedhje. Kreu i saj Lulzim Basha tha se “Sot është dita e përkujtimit e nderimit për sakrificën më sublime. Shkodra përherë ka paguar çmim të lartë për demokracinë. Jemi krenar për çmimin e lartë që keni vendosur në altarin e demokracisë” tha ai. Por për zotin Basha aktualisht vendi ndodhet ne momente të vështira. “Sot aleanca e krimit me pushtetin me aktuale se kurrë. Aleanca e krimit thotë se mund ketë zgjedhje pa opozitën. Përsëris sot se deri në fitore zotimi ynë mbetet zgjedhje të lira e republike e re. Sakrifica e 2 prillit sot më aktuale se kurrë, marrëzia do të marrë fund” tha zoti Basha.

Meta: Suksesi i zgjedhjeve të ardhshme është besueshmëria e tyre

Posted: 02 Apr 2017 04:57 AM PDT

Kreu i LSI Ilir Meta, partia e dytë më e madhe e koalicionit në pushtet, ka shprehur të dielën keqardhjen që në Shqipëri vazhdon diskutimi nëse do të ketë apo jo zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke ju përgjigjur edhe indirekt deklaratës së kryeministrit Rama për vazhdimin e koalicionit, zoti Meta tha se suksesi i zgjedhjeve të ardhshme “… nuk është as rezultati i LSI dhe as rezultati i askujt tjetër, por është standardi i besueshmërisë që ato do të realizojnë për qytetarët tanë, por edhe për gjithë botën demokratike…”. Ai tha se forca e tij politike i ka shërbyer gjithnjë dialogut dhe forcimit të institucioneve në vend. “Këtu bëhet fjalë për interesat e të gjithë qytetarëve tanë, bëhet fjala për një të drejtë bazë kushtetuese, që është ajo e zgjedhjeve të lira, e votës së drejtë, e votës së barabartë të çdo qytetari anembanë Shqipërisë dhe kjo nuk duhet vënë më në diskutim mbas 27 vitesh të pluralizmit politik” tha kreu i LSI Ilir Meta.

Rama: “Vetëm PS mund të bëjë shtet”

Posted: 02 Apr 2017 04:35 AM PDT

Kreu i PS dhe kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit nuk do të shtyhen, ndërsa u shpreh i bindur për një fitore të re të socialistëve dhe aleatëve të tyre në këto zgjedhje. Duke folur në Asamblenë e Partisë Socialiste, të dielën në Tiranë, zoti Rama tha se kanë mbetur dhe “…75 ditë për të mbyllur kapitullin e parë, mandatin për të hapur kapitullin e një rilindje shqiptare dhe për të filluar të dytin, një mandat të ri popullor për një Shqipëri që duam me shtet, punësim, mirëqënie”. “”Për Shqipërinë që duam” është arsyeja pse PS ekziston sepse ne jemi socialiste e progresistë shqiptarë, tha zoti Rama. “Vetëm PS mund të bëjë shtet” këmbënguli ai.
Kreu socialist paralajmëroi nisjen e një fushatë intensive nga ana e socialistëve. “Për 75 ditë dhe 75 netë mes kësaj të diele dhe të dielës së 18 qershorit do të shkojmë lagje, më lagje, shtëpi më shtëpi, fshat më fshat në çdo fabrikë, në çdo fermë e biznes të vogël nga Tropoja në Konispol, do të trokasim butësisht në derën e çdo familje shqiptare e do t'i flasim drejtpërdrejt çdo zemre që rreh për Shqipërinë që duam” tha ai.
Në vemendjen e kreut të maxhorancës Edi Rama ishte dhe marrëdhënia me PD. Ai i bëri thirrje opozitës që të dali nga çadra dhe ballafaqohet me popullin. “Saliu i Lulit nuk do vettingun se nuk do zgjedhje, Luli i Saliut nuk do zgjedhje se nuk do vettingun. Ata kërcënojnë në emër të popullit dhe nuk guxojnë të dalin nga çadra për t'u gjykuar nga populli. Çadra është e tyre, në 18 qershor janë zgjedhjet e popullit” tha zoti Rama. Ai këmbënguli se zgjedhjet e 18 qershorit “…do të jenë më të lirat dhe demokratiket, me apo pa Partinë Demokratike”
Kreu i PS u ndal edhe në marrëdhëniet me aleatët, veçmas me LSI, aleatin kryesor në qeveri. Sipas zoti Rama për vazhdimësinë e koalicionit duhet të vendosë LSI. Përkundër komenteve të shumta zoti Rama tha se për të “cilësia e partneritet nuk matet me sasinë e helmit, por matet me atë që duam të bëjmë shtet”. Ai pranoi gadishmërinë e PS për të bashkëpunuar me partitë aleate, por tha se “…ato duhet t’a ndjejnë veten të nderuar të jenë në krah të PS”.
Mbledhja e Asamblesë së PS ishte hapi i parë drejt zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit. Më 29 prill pritet të mblidhet edhe kongresi i kësaj partie i cili do të miratojë edhe programin elektoral.