“Personi që gabimisht u identifikua si sulmuesi në metro, përballet me diskriminim” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Personi që gabimisht u identifikua si sulmuesi në metro, përballet me diskriminim
- Tillerson javën e ardhshme do të vizitojë Moskën
- Ideja e Thaçit për dialog të brendshëm, vështirë e realizueshme
- Rusia kundërshton rezulutën e OKB-së për sulmin e dyshuar kimik në Siri
- Jablanoviq sërish shef i Listës Serbe
- Rusi: Një ligjvënës ka vdekur pas rrëzimit në saunë
- Për tre muaj, mbi 2 milionë euro të falsifikuara në Kosovë
- Kriza në Maqedoni: Kërkohet presion më i fuqishëm nga jashtë
- Irak: Nga sulmi i IS-it janë vrarë 26 vetë, përfshirë policë
- Rusi: Janë arrestuar 6 shtetas të vendeve të Azisë Qendrore
- OKB - hetime për sulmin e dyshuar kimik; Trump thotë se sulmi nuk mund të injorohet
- Protesta në Beograd kundër fitores së Vuçiq
- Siri: Numri i të vrarëve nga sulmi i dyshuar kimik arriti në 72 vetë
- Qeveria s'e sheh më luftimin e korrupsionit si kusht për liberalizimin e vizave
- OKB: Pastrimi i minave në Siri dhe Irak mund të zgjasë me vite
- Medvedev: Akuzat e opozitës për korrupsion janë “gjepura”
- SHBA: Koreja Veriore e ka lansuar një raketë balistike
- Maqedonia e akuzon Shqipërinë për përzierje në punët e brendshme
- Shtëpia e Bardhë fajëson Assadin për "sulmin kimik"
- Protesta në Serbi kundër rezultatit të zgjedhjeve
| Personi që gabimisht u identifikua si sulmuesi në metro, përballet me diskriminim Posted: 05 Apr 2017 09:23 AM PDT Një rus mysliman, i cili gabimisht ishte përmendur si sulmuesi i metrosë së Shën Petersburgut, është duke u përballur me diskriminim, që prej incidentit. Andrei Nikitin, i konvertur në mysliman, që e quan veten Iyas, është nga qyteti Nixhnevartovsk i Siberisë. Policia në Shën Petersburg, kishte publikuar fotografinë e tij, të kapur nga kamerat e sigurisë, pas shpërthimit të 3 prillit, ku u vranë 14 vetë dhe u plagosën 50 të tjerë, duke e quajtur atë të dyshuar të mundshëm. Nikitin pasi kishte parë se fotografia e tij po qarkullonte në internet, kishte shkuar në polici dhe hetuesit më pas, zyrtarisht e përjashtuan atë nga lista e të dyshuarve. Sidoqoftë, kur Nikitin tentoi të fluturojë nga Shën Petersburgu në Nizhnevartovski përmes Moskës më 4 prill, atij nuk iu lejua që të hypte në avion në Moskë, pasi pasagjerët e tjerë, e kishin njohur atë përmes fotografisë së publikuar dhe kishin kërkuar që ai të dilte nga avioni. Ai më pas u arrestua për pak kohë në Moskë. Faqja IslamNeës ka raportuar sot se Nikitin, i cili punon si shofer kamioni, është përjashtuar nga puna në Ufa. Nikitin i ka thënë kësaj agjencie të lajemeve se punëdhënësi e kishte përjashtuar nga puna, pasi kishte marrë një kërkesë të tillë, nga zyra rajonale e Komitetit Hetues. Zyrtarë të Komitetit Hetues në Nizhnevartovsk ka thënë se Komiteti nuk është i përfshirë në këtë çështje. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Tillerson javën e ardhshme do të vizitojë Moskën Posted: 05 Apr 2017 08:19 AM PDT Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, do të vizitojë Moskëm më 11 dhe 12 prill, për të biseduar me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Kështu ka njoftuar sot Ministria e Jashtme ruse dhe Departamenti i Shtetit. Kjo do të jetë vizita e parë e Tillersonit në Moskë, në postin e Sekretarit amerikan të Shtetit. Ende është e paqartë nëse Tillerson do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin. Departamenti i Shtetit ka thënë se vizita është "pjesë e përpjekjeve tona për të mbajtur linja direkte të komunikimit me zyrtarët rusë dhe të sigurohemi që qëndrimet e SHBA-së të jenë të qarta, përfshirë edhe hapat e mëtejmë në kuadër të zbatimit të Minskut", një referencë kjo për procesin e zgjidhjes së konfliktit në lindje të Ukrainës. Dy deklaratat për media kanë thënë se takimet do të fokusohen në sigurinë globale, Sirinë, Korenë e Veriut, Ukrainën dhe çështje të tjera. Në deklaratë ruse thuhet se Rusia "ka vlerësuar pozitivisht përpjekjet e administratës së re amerikane për të përmirësuar raportet" me Moskën, duke shtuar se është e nevojshme "që të hiqen shumë pengesa irrituese në marrëdhëniet dypalëshe, siç janë arrestimet e qytetarëve rusë në vendet e treta nga ana e shërbimeve speciale amerikane, shkeljet e të drejtave të fëmijëve rusë të adoptuar në SHBA si dhe krijmi i pengesave artificiale, për të penguar diplomatët tanë që të kryejnë detyrat e tyre". Vizita e Tillersonit vjen pas tensionimit të raporteve për sulmin e dyshuar kimik në Siri, për të cilin, SHBA dhe vende të tjera, fajësojnë qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad. Moska, në anën tjetër, ka qëndruar përkrahë aleatit të saj në Lindjen e Mesme, Sirisë, duke thënë se avionët luftarakë sirianë, kanë goditur një fabrikë me armë kimike. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ideja e Thaçit për dialog të brendshëm, vështirë e realizueshme Posted: 05 Apr 2017 08:06 AM PDT Dialogu i brendshëm politik i paralajmëruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për zgjidhjen e çështjeve, për të cilat nuk ka pajtueshmëri ndërmjet faktorëve politikë në vend, shihet me rezerva nga njohësit e zhvillimeve politike në vend, shqiptarë dhe serbë. Përkushtimin për dialog, në nivele të ndryshme, presidenti Thaçi e ka paralajmëruar që nga fillimi i mandatit të tij, thekson Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka theksuar se presidenti do të jetë adresa në të cilën mund të kërkohet dialogu, si dhe ai do të jetë protagonist për të ndërmjetësuar ndërmjet palëve, për promovimin e dialogut si mjet për zgjidhjen e problemeve që i ka vendi. Mbi këtë frymë, sipas tij, pritet të zgjidhet edhe çështja e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, të cilin transformim e kundërshtojnë përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës në institucionet e vendit. "Prandaj është i nevojshëm dialogu gjithmonë dhe sigurisht që si rezultat i këtij dialogu do të gjenden gjithmonë zgjidhjet, që ndoshta nuk janë gjithmonë, qind për qind, të kënaqshme për njërën palë apo për palën tjetër. Por, e mira është që me anë të dialogut të gjenden zgjidhjet dhe jo me format tjera, jo me imponim të zgjidhjeve, të ideve, por, me anë të një dialogu në mes të disa palëve, duke marrë parasysh interesat, shqetësimet e secilës palë dhe duke gjetur një zgjidhje që është më e pranueshmja për të gjitha palët". Politologu Belul Beqaj, profesor i shkencave politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për dialog të brendshëm është e natyrshme dhe e qëndrueshme, por, sipas tij, kjo kërkesë nuk mund të vihet në praktikë, përderisa, siç thotë ai, "presidenti Thaçi ka kontribuar më së shumti në ndasitë e krijuara në skenën politike dhe shoqërore". "Situata është shumë më komplekse sesa që mendojmë ne. Kur flasim për dialogun e brendshëm, unë kryesisht po mendoj për subjektet politike shqiptare brenda Kosovës. Brenda Kosovës janë edhe pakicat, posaçërisht komuniteti serb. Por, komuniteti serb ka kohë që ka dalë jashtë mendimit dhe ndikimit të brendshëm. Ata janë drejtpërdrejtë pjesë e dialogimit të jashtëm, pra, dialogimit me Serbinë. Personi i cili nuk ka arritur t'i bëjë unik shqiptarët brenda Kosovës, nuk ka gjasë teorike që ta bëjë një unitet dhe dialogim edhe me serbët, të cilët janë instrumente të Beogradit". Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, duhet t'i qasen këtij dialogu të brendshëm. Por, sipas tij, lidhur me çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, vështirë se do të gjendet gjuhë e përbashkët për një zgjidhje. "Mendoj se këtu do të jetë shumë vështirë që të gjendet zgjidhja, ndonëse unë mendoj që serbët duhet të marrin pjesë aktivisht në gjithë këtë rrëfim. Por, ne tash kemi edhe disa sinjale nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët në njëfarë mënyre janë kundër transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës. Serbët do ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë situatë dhe të veprojnë. Në qoftë se Prishtina zyrtare nuk e gjen mënyrën, që kërkesën për transformimin e FSK-së ta bëjë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, atëherë mendoj se nuk do të mund të arrihet ndonjë marrëveshje", tha Nojkiq. Presidenti Thaçi ka porositur se institucionet e Kosovës "kanë në dispozicion kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjnë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese". Hapat në vijim, sipas tij, do të përfshijnë bisedimet me serbët e Kosovës, që edhe ata të jenë pjesë e procesit të ndryshimeve kushtetuese dhe themelimit të Forcave të Armatosura. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusia kundërshton rezulutën e OKB-së për sulmin e dyshuar kimik në Siri Posted: 05 Apr 2017 07:36 AM PDT Ministrija e Jashtme e Rusisë ka kundërshton draft-rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKV-së, që dënon sulmin e dyshuar kimik në provincën Idlib të Sirisë, ku u vranë dhjetëra persona. Zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova ka thënë se rezoluta, e cila është hartuar nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca është "kategorikisht e papranueshme" dhe se pa dyshim është hartuar me nxitim. Këshilli i Sigurimit është paraparë që të mbajë një mbledhje urgjente, për të diskutuar sulmin e dyshuar kimik. "Draft-rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është anti-siriane dhe mund të çojë në përshkallëzim të situatës në Siri dhe në rajon", ka thënë Zakharova. Nga sulmi i dyshuar kimik në qytetin Khan Sheikhoun që kontrollohet nga rebelët, kanë vdekur të paktën 72 persona. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Jablanoviq sërish shef i Listës Serbe Posted: 05 Apr 2017 05:58 AM PDT Ish ministri në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, do të marrë detyrën e shefit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Jabllanoviq kthehet në këtë detyrë të cilën e ngriu deri sa ishte në detyrën e sekretarit të shtetit në Ministrinë e Punës të Republikës së Serbisë. Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar i ati i tij, kryetar i Leposaviqit, Dragan Jablanoviq. Sipas tij që prej kalimit në detyrën e sekretarit të shtetit, detyrën e kryetarit të Listës Serbe në Kosovë e ka ushtruar Slavko Simiq, por Dragan Jablanoviq thotë se i vetmi kryetar i regjistruar në KQZ në Kosovë është i biri i tij, Aleksandri. As Slavko Simiq dhe as vetë Aleksandar Jablanoviq nuk ishin të qasshëm. Aleksandar Jablanoviq ishte ministër në qeverinë e Kosovës për kthim dhe komunitete, por u shkarkua nga kryeministri Isa Mustafa, pas nxitjes së reagimeve përmes një deklarate fyese duke i quajtur 'egërsira" protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të qytetit në vitin 2015. Pas shkarkimit, Jablanoviq u emërua në detyrën e sekretarit në ministrinë e punës në Serbi, ministër i së cilës është Aleksandar Vulin, udhëheqës i Partisë së Lëvizjës Socialiste. Aleksandar Jablanoviq dha dorëheqje në fund të muajit janar nga detyra e sekretarit të shtetit pasi në makinën zyrtare të Qeverisë së Serbisë u arrestua vëllai i tij Marko Jablanoviq. Në kumtesën dërguar mediave, Jablanoviqi ka deklaruar se "për hir të nderit të tij dhe nderit të bashkëpunëtorëve të tij" merr përsipër gjithë përgjegjësinë se ka lejuar që atë ditë në makinën zyrtare të ndodhen i vëllai i tij me bashkëshorten por asesi nuk I pranon "akuzat e rreme" s enë makinën e tij zyrtare janë kryer vepra penale dhe është shitur drogë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusi: Një ligjvënës ka vdekur pas rrëzimit në saunë Posted: 05 Apr 2017 05:55 AM PDT Hetuesit rusë thonë se një ligjvënës rus ka vdekur pasi ka rrëshqitur dhe është rrëzuar në një saunë në Shën Petersburg. Në kumtesën e sotme, Komiteti Hetues Federal tha se Vadim Tyulpanov, anëtar i Këshillit të Federatës, që është Dhoma e Epërme e Parlamentit të Rusisë, dje ishte lënduar pas rrëzimit dhe ishte shpallur i vdekur nga ekipi mjekësor i emergjencës. Mediat ruse raportojnë se Tyulpanov e kishte thyer kafkën kur ishte rrëzuar. Komiteti tha se autoritetet e zbatimit të ligjit po synojnë t'i përcaktojnë në mënyrë precize rrethanat dhe shkaqet e vdekjes. Prej vitit 2011, Tyulpanov ishte anëtar i Këshillit të Federatës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Për tre muaj, mbi 2 milionë euro të falsifikuara në Kosovë Posted: 05 Apr 2017 05:27 AM PDT Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 2 milionë euro para të falsifikuara, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të policisë. Gjatë këtyre tre muajve policia thotë të ketë trajtuar 243 raste të falsifikimit të parave në vlerë prej 2 milionë e 140 mijë eurove dhe ka arrestuar 18 persona të cilët kanë qenë të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rastet e tilla të parave të falsifikuara raportohen nga qytetarët dhe nga autoritetet e ndryshme bankare. "Policia e Kosovës ka realizuar një numër të aktiviteteve policore kundër veprave penale që, sipas Kodit Penal, cilësohen 'Falsifikim i parasë', dhe mund të konkludojmë se si rezultat i këtyre përpjekjeve operacionale janë arrestuar persona të dyshuar, janë konfiskuar dëshmi relevante duke përfshirë edhe para të falsifikuara". "Referuar statistikave gjatë periudhës janar – mars të këtij viti, në luftimin e kësaj dukurie që ka ndikim edhe në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës polica ka të raportuar 243 raste derisa vlera e parave të falsifikuara kap shifrën e 2 milionë e 140 mijë euro, derisa janë arrestuar 18 persona", bënë të ditur Hoxha. Kartëmonedha më e falsifikuar në tregun e Kosovës, sipas policisë, është bankënota prej 50 euro. Në anën tjetër, zyrtarë të bankës Qendrore të Kosovës në një përgjigje të dërguar përmes postës elektronike kanë prezantuar të dhënat në lidhje me paratë e falsifikuara të cilët ata i marrin nga Laboratori i Forenzikës së Kosovës. "Sa i përket kartëmonedhave euro të falsifikuara dhe që janë konfiskuar në nivel të Kosovës gjatë vitit 2016-të , të ndara sipas denominimeve janë si në vijim: gjithsej në total janë konfiskuar 824 copë kartëmonedha të falsifikuara dhe 123 copë monedha të falsifikuara", thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore të Kosovës. Vënia e parave të falsifikuara në qarkullim ka efekte negative në ekonominë e vendit thonë ekspertë dhe përfaqësues të shoqatave të bankave në Kosovë. Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kohëve të fundit kanë vërejtur se ka një rritje të qarkullimit të parave të falsifikuara në ekonomin e vendit. Duke pasur parasysh këtë, shton Balija, janë duke ushtruar vigjilencë në këtë drejtim duke identifikuar bankënotat e falsifikuara që tentojnë të deponohen në banka dhe më pas të veprojnë sipas ligjeve në fuqi. "Kjo shkakton probleme qoftë për bizneset dhe qytetarët që deponojnë apo i përdorin këto para, pasi që merren në pyetje dhe iu kërkohet përgjegjësi për prejardhjen e këtyre parave. Përveç kësaj, kjo ndihmon në financimin e ekonomisë së zezë ose edhe më keq veprimtaritë kriminale dhe financimit të terrorizmit, prandaj është një humbje e madhe për shtetin nëse nuk konfiskohen apo nuk evitohen me kohë këto situata". Mejdi Bektashi, profesor i lëndës Analiza Ekonomike e së Drejtës, në Fakultetin Juridik, thekson se vlera e lartë e parave të falsifikuara të cilat mund të jenë të pranishëm në tregun e Kosovës kanë efekte negative. "Është një fenomen jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën. Banka Qendrore Evropiane viteve të fundit ka marrë masa shtesë të sigurisë duke i zëvendësuar eurot vlera të ndryshme me bankënota shtesë të sigurisë. Edhe në Kosovë ka raste të shumta si të euros ashtu edhe falsifikimit të dollarëve apo valutave tjera që mund të kenë efekte negative në mirëbesimin e qytetarëve ndaj valutave të caktuara", thekson Bektashi. Përveç eurove të falsifikuara, në vitin 2012 Policia e Kosovës pati konfiskuar rreth 1 milion dollarë të falsifikuara. Në janar të vitit 2012, Kosova kishte konvertuar valutën nga valuta gjermane marka në valutën euro. Në atë kohë Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Policinë bënë angazhime të veçanta në fushën e edukimit dhe luftimit të parave falso, si dhe themeluan Komitetin kombëtar për luftimin e parave falso. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kriza në Maqedoni: Kërkohet presion më i fuqishëm nga jashtë Posted: 05 Apr 2017 05:11 AM PDT Kriza politike në Maqedoni mund të përkeqësohet edhe më shumë nëse VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit vazhdon të mbajë të bllokuar procesin e zgjedhjes së institucioneve të reja. Përveç bllokimit të seancës së Kuvendit për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të Qeverisë së re, tani është bllokuar edhe pushteti lokal nga pamundësia e shpalljes së zgjedhjeve të parapara për në muajin maj. Njohësit e çështjeve politike theksojnë nevojën e një presioni më të madh të bashkësisë ndërkombëtare, e cila sipas tyre, mund të ketë rol vendimtar në momentin nëpër të cilat po kalon Maqedonia. Analisti Mitko Gaxhovski thotë se bashkësia ndërkombëtare ishte vendimtare për mbajtjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, andaj, sipas tij, ajo duhet që ta çojë deri në fund edhe procesin e formimit të Qeverisë së re. "Derisa bashkësia ndërkombëtare mbante kontakte me partitë politike për të gjetur një zgjidhje të mundshme, kishim rezultate dhe kishte një zgjidhje. Prej kur u tërhoq faktori ndërkombëtare, këtu mendoj në BE-në dhe SHBA-të, ne jemi dëshmitarë se Maqedonia ka hyrë thellë në krizën politike dhe ky thellim po vazhdon çdo ditë e më tepër. Mendoj se vetëm me kyçjen aktive të ndërkombëtarëve ne do të mund të tejkalojmë këtë ngërç politik", thotë Gaxhovski. Ambasadori amerikan në Shkup Jess Baily të martën kërkoi nga partitë që të punojnë për zgjidhjen e krizës politike duke theksuar nevojën e formimit të shpejt të Qeverisë. "Ka pasur zgjedhje kredibile në dhjetor, Kuvendi ka filluar me punë, shumica parlamentare është formuar dhe mendojmë se nuk është në pajtueshmëri me parimet demokratike dhe Kushtetutën moslejimi i procesit të formimi i Qeverisë", ka thënë ambasadori amerikan, Jess Baily. Porosi të ngjashme përcolli edhe zyra e NATO-së në Shkup, duke theksuar nevojën e konsolidimit të institucioneve dhe zbatimin e reformave prioritare. Mersel Bilalli, profesor i së drejtë ndërkombëtare në Universitetin FON të Shkupit, pret forcimin e presionit nga jashtë, në veçanti nga SHBA-të ndaj, siç thotë, drejtuesve të papërgjegjshëm të institucioneve në Maqedoni, të cilët në vend të zgjidhjes së problemeve, punojnë në dëm të interesave të qytetarëve. "Për fat të keq pikërisht institucioni i cili është përfaqësues i qytetarëve, i cili duhet të përfshijë të drejtat e tyre përfshirë edhe krizën politike, ai bën të kundërtën, ua vështirëson jetën qytetarëve duke bërë obstruksione të ndryshme. Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare definitivisht është e lodhur me gjendjen në Maqedoni dhe çdo dalje nga kontrolli i gjendjes në Maqedoni do të ketë domino efekt edhe në shtetet tjera të rajonit andaj edhe është një bure baruti. Besoj se edhe faktori amerikan pritet që ditëve të ardhshme të kyçet, në radhë të parë për shkak të paqes dhe sigurisë në rajon", thotë Bilalli. Analisti Mitko Gaxhovski nga ana tjetër nuk e përjashton mundësinë që të ketë nismë për takim të ri të liderëve apo për arritjen e një marrëveshjeje të re. "Është e mundur marrëveshja e re, pra Përzhino 3. Ndonjë model i ri i cili do të ishte i pranueshëm për të dyja palët politike dhe do të menaxhohej nga faktori ndërkombëtar", thotë Gaxhoski. Shkas për thellimin e mëtejmë të krizës është deklarata e partive shqiptare që parasheh avancimin e të drejtave kombëtare, para se gjithash zyrtarizmin e gjuhës shqipe. Por, VMRO-ja dhe presidenti e kanë kundërshtuar duke e cilësuar si rrënuese të shtetit të Maqedonisë andaj edhe pengojnë formimin e Qeverisë së re mes partive shqiptare dhe LSDM-së opozitare të Zoran Zaevit, i cili ka pranuar miratimin e një ligji të ri për shqipen si dhe të debatojë për të gjitha pikat tjera të deklaratës politike shqiptare. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Irak: Nga sulmi i IS-it janë vrarë 26 vetë, përfshirë policë Posted: 05 Apr 2017 04:04 AM PDT Së paku 26 vetë janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur, nga një sulm i militantëve të Shtetit Islamik (IS) në qytetin Tikrit në Irak, kanë njoftuar përfaqësues të sigurisë së Irakut dhe zyrtarë mjekësorë. Koloneli policor, Khalid Mahmoud, tha sot se afro 10 militantë, përfshirë dy sulmues vetëvrasës, kishin hyrë në këtë qytet gjatë natës. Raportohet se cak i sulmit të tyre ishte një pikë e kontrollit policor dhe një shtëpi e një shefi të policisë, i cili është vrarë së bashku me katër anëtarë të familjes së tij. Mjeku në spitalin kryesor të qytetit Tikrit, Nawfal Mustafa, tha se gjithsej 26 trupa të pajetë janë dërguar në spital, përfshirë 14 trupa të policëve. Ky sulm u bë derisa forcat e qeverisë së Irakut e vazhdojnë ofensivën për ta rimarrë kontrollin ndaj qytetit Mosul, që është baza e fundit e fuqishme e grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Irak. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rusi: Janë arrestuar 6 shtetas të vendeve të Azisë Qendrore Posted: 05 Apr 2017 02:49 AM PDT Autoritetet e Rusisë thonë se 6 shtetas nga vendet e Azisë Qendrore janë arrestuar në Shën Petersburg, të dyshuar se kanë rekrutuar anëtarë për grupin ekstremist, Shteti Islamik. Komiteti Hetues i Rusisë tha se "në këtë kohë" nuk ka dëshmi për çfarëdo lidhjeje ndërmjet njerëzve që janë arrestuar sot dhe personit të lindur në Kirgizi, që është i dyshuari kryesor për sulmin e pardjeshëm në metron e këtij qyteti, nga i cili janë vrarë 14 vetë. Në njoftim, hetuesit rusë thanë se të arrestuarit kishin ardhur në Rusi për të punuar. U tha se ata ishin të dyshuar për rekrutimin e migrantëve nga Azia Qendrore "për të ndërmarrë krime të ndërlidhura me terror" dhe për tu bashkuar me grupet ekstremiste, që janë jashtëligjore në Rusi, përfshirë Shtetin Islamik dhe Frontin Al-Nusra. Identifikimi i personit uzbek, i lindur në Kirgizi, Akbarjon Jalilov, si i dyshuar për sulmin me bombë në metro, ka shkaktuar shqetësime për mbrojtësit e migrantëve në Rusi, për shkak të frikës se cak i aksioneve policore do të jenë migrantët nga Azia Qendrore dhe Kaukazi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| OKB - hetime për sulmin e dyshuar kimik; Trump thotë se sulmi nuk mund të injorohet Posted: 05 Apr 2017 02:29 AM PDT Ekspertët për krime të luftës të Kombeve të Bashkuara e kanë hapur hetimin për sulmin e dyshuar kimik në Idlib të Sirisë, nga i cili, të martën, u vranë së paku 72 vetë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Protesta në Beograd kundër fitores së Vuçiq Posted: 05 Apr 2017 01:40 AM PDT Disa mijëra vetë, kryesisht të rinj, janë mbledhur të hënën dhe të martën në mbrëmje në një shëtitje protestuese në qendrën e Beogradit, në shenjë pakënaqësie me rezultatet e zgjedhjeve. Një ditë pas zgjedhjeve, protesta u organizuan edhe në Novi Sad dhe në Nish. Qytetarët u mblodhën përmes rrjeteve sociale, ku u dërgua porosia për tubim nën thirrjen "Protestë kundër diktaturës". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Siri: Numri i të vrarëve nga sulmi i dyshuar kimik arriti në 72 vetë Posted: 05 Apr 2017 12:55 AM PDT Numri i të vrarëve nga sulmi i dyshuar me armatim kimik kundër një qyteti nën kontrollin e kryengritësve në Siri, ka arritur në 72 vetë, tha sot Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, sot më vonë gjatë ditës, përgatitet për një seancë urgjente për të diskutuar për këtë çështje. Më parë ishte raportuar për 58 vetë të vrarë. Vlerësohet se ndër të vrarët gati gjysma janë fëmijë dhe femra. Ky observator nuk ishte në gjendje të thotë se çfarë materjeje kimike ishte përdorë në sulmin e djeshëm vdekjeprurës në qytetin, Khan Sheikhoun, por personeli lokal mjekësor tha se ishte e mundshme, që është përdorë gazi Sarin. Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera e kanë fajësuar qeverinë e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, për këto vrasje, ndërsa Rusia, që ka autoritet për të paraqitur veto në Këshillin e Sigurimit, e ka mbrojtur aleatin e saj, Bashar al-Assad. Ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se ky sulm ishte psojë e rrjedhjes së gazit nga një depo e armatimit të kryengritësve, pasi ishte goditur nga sulmet ajrore të qeverisë së Sirisë. Qëndrim të këtillë kishte edhe qeveria e presidentit Assad. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Qeveria s'e sheh më luftimin e korrupsionit si kusht për liberalizimin e vizave Posted: 04 Apr 2017 11:42 PM PDT Luftimi i korrupsionit, për Qeverinë e Kosovës nuk përbën më një nga kushtet e papërmbushura në procesin e liberalizimit të vizave. Sipas qeverisë, institucionet kanë shënuar përparime dhe rezultate konkrete në këtë drejtim. Por, rezultatet e treguara sa i takon luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk shihen ende si të arritura të prekshme nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Instituti Demokratik i Kosovës. Megjithatë, për Qeverinë së Kosovës kushti i vetëm për liberalizimin e vizave është miratimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, në një deklaratë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se "me vizitën e fundit të Frederica Mogherinit në Kosovë është bërë e qartë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është plotësuar dhe se kushti i vetëm mbetet Demarkacioni me Malin e Zi". Ahmeti citoi, të martën, Mogherinin të ketë thënë se "Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë bërë ngritje të aktakuzave të cilat tregojnë hapur që Kosova po lufton në vazhdimësi korrupsionin dhe krimin e organizuar". Në anën tjetër, në Agjencinë Kundër Korrupsionit, thonë se Kosova ka legjislacion të mirë për ta luftuar korrupsionin, por kjo dukuri negative nuk po luftohet sa duhet. Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, tha për Radion Evropa e Lirë se për të luftuar këtë dukuri duhet një përkushtim më i madh i të gjithë mekanizmave. "Edhe përkundër angazhimeve të mëdha të institucioneve të zbatimit të ligjit, siç janë agjencia, prokuroria, policia dhe mekanizmat e tjerë për luftimin e korrupsionit, e po ashtu edhe pse janë ngritur një numër i madh i aktakuzave sa i takon profilit të lartë, ende mbetet shumë për të bërë për luftimin e kësaj dukurie", tha Havolli. Tutje, Havolli tha se deri tani nuk ka rezultate të kënaqshme që dëshmojnë luftimin e kësaj dukurie e cila, sipas tij, në masë të madhe po e dëmton vendin. "Deri tash nuk ka rezultate të mjaftueshme. Fjala është për aktgjykime dënuese. Kemi një përparim në fushën e ngritjes së aktakuzave, mirëpo nuk kemi aktgjykime dënuese dhe konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme dhe besoj se nuk duhet të ndjehemi të kënaqur ne si agjenci as institucionet e tjera të zbatimit të ligjit sa i përket luftimit të korrupsionit", u shpreh Havolli. Veç tjerash, si pasojë e nivelit të lartë të korrupsionit, thuhet se Kosova ende mbetet larg procesit të liberalizimit të vizave dhe çështjeve te tjera që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian. Zyra për media e Kryeprokurorisë së Shtetit ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2016 janë ngritur aktakuza për 418 persona për vepra penale që ndërlidhen me korrupsionin. Po në vitin 2016 prokuroritë kanë pranuar 438 kallëzime penale, me 849 persona, ku sipas tyre janë zgjidhur 468 kallëzime penale, me 1164 persona. Agjencia Kundër Korrupsionit edhe gjatë këtij viti ka deponuar në Prokurori dhjetëra kallëzime penale, nën dyshime për korrupsion në institucionet qendrore dhe lokale të vendit. Ndërkohë, Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se korrupsioni në Kosovë nuk luftohet pasi që nuk ka vullnet të duhur politik. "Derisa deklarimet e përgjithshme të politikanëve flasin për angazhime në luftë kundër korrupsionit, realiteti në fakt në terren qëndron ndryshe. Ky vullnet duhet të manifestohet disi dhe mund të manifestohet me fuqizim të prokurorisë dhe gjykatave në luftë kundër korrupsionit. Diçka që nuk kemi vërejtur", tha Canhasi. Organizata Transparency International, në publikimin e saj të fundit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2016, e ka radhitur Kosovën në vendin 95-të me 36 pikë, në mesin e 176 vendeve të përfshira në raport. Canhasi thotë se Kosova dhe në krahasim më vendet e rajonit është e fundit sa i takon luftës kundër korrupsionit. (REL) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| OKB: Pastrimi i minave në Siri dhe Irak mund të zgjasë me vite Posted: 04 Apr 2017 11:34 PM PDT Ekspertja e Kombeve të Bashkuara për mina, Agnes Marcaillou, thotë se do të nevojiten prej 40 e deri në 50 vjet dhe miliarda dollarë, për t'i pastruar minat, pajisjet e improvozuara eksploduese, dhe mbetjet e tjera, nga luftërat disavjeçare në Irak dhe Siri. Zonja Marcaillou, që është drejtoreshë e Shërbimit për aksion të minave e Kombeve të Bashkuara, tha mbrëmë se do të duhen "dekada të punës", që këto dy vende të përfshira nga lufta, të duken sikur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo ka parashikuar se do të nevojiten afro 180 milionë dollarë amerikanë për një vit, për largimin e minave, armatimeve dhe materialeve eksploduese, në hapësirat ku është marrë kontrolli nga militantët e Shtetit Islamik në Irak, përfshirë 50 milionë dollarë në vit, vetëm për rajonin e Mosulit. Për Sirinë ajo theksoi se duhen përpjekje të gjëra që ky vend përsëri të jetë i sigurt, por kjo mund të arrihet vetëm nëse sigurohen fonde të mjaftueshme. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Medvedev: Akuzat e opozitës për korrupsion janë “gjepura” Posted: 04 Apr 2017 11:21 PM PDT Kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, për të parën herë është përgjigjur ndaj akuzave të aktivistëve opzozitarë për korrupsion, duke thënë se ato janë "mbeturina" dhe "gjepura". Mëtutje, Medvedev tha mbëmë se akuzat, që kanë çuar në një varg të demonstratave të mbështetësve të opozitës në Rusi, janë bërë "në përpjekje për ta hedhur popullin në rrugë dhe për të arritur përfitime politike". Aktivisti kundër korrupsionit, Alekesi Navalny, ishte më i zëshmi prej liderëve të opozitës në paraqitjen e akuzave për korrupsion në rritje, në mesin e zyrtarëve të afërt me presidentin, Vladimir Putin, e veçanërisht e ka goditur zotin Medvedev. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| SHBA: Koreja Veriore e ka lansuar një raketë balistike Posted: 04 Apr 2017 11:08 PM PDT Zyrtarë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë Jugore, thonë se Koreja Veriore e ka lansuar një raketë balistike në Detin e Japonisë. Ministria e mbrojtjes e Koresë Jugore tha sot se Koreja Veriore "e ka lansuar një raketë balsitike nga hapësira Sinpo në Detin e Japonisë". Zyrtarë ushtarakë amerikanë kanë thënë se vlerësimi i parë është se kjo ishte raketë baslistike me rreze të mesme veprimi, e tipit KN-15. Nëse kjo me të vërtetë është një raketë balistike, atëherë do të ishte sfida më e re nga ana e Phenianit ndaj Koresë Jugore, Japonisë, Shteteve të Bashkuara, dhe fuqive të tjera, që e kanë dënuar programin raketor të Koresë Veriore. Ky program është problematik edhe për Kinën, aleatin kryesor verikorean. Lansimi i objekteve që shfrytëzojnë teknologji raketore balistike mund të jetë shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Maqedonia e akuzon Shqipërinë për përzierje në punët e brendshme Posted: 04 Apr 2017 10:36 PM PDT Ministria e jashtme e Maqedonisë e ka akuzuar Shqipërinë për përzierje në punët e brendshme, duke u përpjekur të ndikoj në pakicën shqiptare në Maqedoni. Kjo ministri ka kumtuar dje se e ka ftuar ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, për të protestuar për "përzierjen e hapur në punët e brendshme të Maqedonisë", duke e akuzuar Tiranën për përpjekje për "ndryshim të rendit kushtetues në Maqedoni". Pas disa takimeve në Tiranë, të organizuara nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, partitë kryesore politike shqiptare në Maqedoni janë pajtuar për një platformë të kërkesave për të drejta më të mëdha të shqiptarëve, përfshirë edhe njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në këtë vend. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Shtëpia e Bardhë fajëson Assadin për "sulmin kimik" Posted: 04 Apr 2017 11:16 AM PDT Shtëpia e Bardhë tha se "është e bindur" se Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, qëndron prapa sulmit të dyshuar kimik, i cili vrau së paku 58 veta në veriperëndim të Sirisë. "Sulmi i sotëm kimik në Siri kundër njerëzve të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë, është i dënueshëm dhe nuk mund të injorohet nga bota e qytetëruar. Këto veprime monstruoze nga regjimi i (v.j.presidentit sirian) Bashar al-Assadit janë pasojë e dobësisë së administratës së kaluar. (Ish-)presidenti Barack Obama ka thënë në vitin 2012 se do të ngrejë "vijën e kuqe" kundër përdorimit të armëve kimike dhe nuk ka bërë asgjë", tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer. Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup që monitoron luftën në Siri, tha se sulmi në qytetin Khan Sheikhoun, i cili kontrollohet nga rebelët, është kryer nga avionë të Qeverisë siriane, ose asaj ruse. Të vrarët përfshijnë së paku 11 fëmijë. Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, mohon se përdor armë kimike dhe akuzon rebelët për përdorimin e tyre. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se avionët e saj nuk kanë kryer asnjë sulm pranë qytetit Khan Sheikhoun. Hetuesit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte thanë se kanë hapur hetime për sulmin. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Protesta në Serbi kundër rezultatit të zgjedhjeve Posted: 04 Apr 2017 10:59 AM PDT Në Beograd, për të dytën natë me radhë, po mbahet, siç thuhet, "protesta kundër diktaturës", në të cilën qytetarët serbë janë thirrur përmes rrjetit social Facebook. Të martën pasdite, mbi njëmijë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë protestuan edhe në qendër të Çaçakut. Ata bartnin parulla me mbishkrimet: "Stop diktaturës", "Merr përgjegjësi e jo sanduiç", "Liri mediave", "Vuçiq nuk është presidenti im" e të tjera. Përmes Facebook-ut janë paralajmëruar tubime të ngjashme, në të njëjtën kohë, në Novi Sad, Llazarevac, Nish dhe Novi Pazar, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë. Protestuesit shprehin pakënaqësi me fitoren e kryeministrit aktual, Aleksandar Vuçiq, në zgjedhjet presidenciale të Serbisë. Vuçiq i fitoi zgjedhjet e 2 prillit me më shumë se 55% të votave. Ai tha se protestat kundër rezultatit zgjedhor "janë në rregull derisa janë të qeta". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





