Ora News: “Modelja ruse “çmend” internetin e me fotot e saj” plus 9 more |
- Modelja ruse “çmend” internetin e me fotot e saj
- Duka përshëndet qëndrimin e Metës: Faktoi shqetësimet e opozitës
- Dy persona i drejtojnë armën personelit dhe grabisin kazinonë
- Shpërthim i fuqishëm në një magazinë pranë Miamit
- FH: Shqipëria vendnumëro në demokraci, Kosova përparim të lehtë
- A ka negociata PD-PS-LSI? Duma: Negociatat janë vetëm një….
- Meta: Rama e Basha të heqin dorë nga qëndrimet konfliktuale
- De Biasi: Deri më 31 tetor jam trajner i Shqipërisë, më pas të shohim
- Meta për qeveri besimi, Krasniqi: S’kishte akt konkret. Hila: Po hapet lojë e madhe
- Sejko: Shqipëria në një stad të ngjashëm zhvillimi me vendet e rajonit
Modelja ruse “çmend” internetin e me fotot e saj Posted: 03 Apr 2017 11:44 PM PDT Ajo tashmë njihet si "Kim Kardashian" i dytë, majde ia ka kaluar. Format trupore të Anastasia Kvitkos po çmendin internetin. Modelja 22- vjeçare e cila jeton në Los Angeles është me origjinë nga qyteti i Kaliningradit në Rusi. Kvitko, e cila ka 5.8 milion ndjekës në Instagramin e saj, ka mohuar të ketë bërë kirurgji plastike madje thotë se figura e saj është bërë vetëm duke punuar fort në palestër.
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter |
Duka përshëndet qëndrimin e Metës: Faktoi shqetësimet e opozitës Posted: 03 Apr 2017 11:14 PM PDT Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka qenë i pari në rradhët e aleatëve të opozitës që ka përshëndetur deklaratën e kreut të LSI-së Ilir Meta lidhur me zgjedhjet e 18 qershorit. Përmes një deklarate të shkurtër për mediat, Duka deklaron se "si kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste dhe si aleat i Opozitës, përshëndes qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe gjykoj se kjo deklaratë vërteton atë që PAA ka thënë vazhdimisht, ku dhe për të cilën i jemi drejtuar edhe me një letër zotit Meta me datën 20 shkurt 2017". Sipas zotit Duka, Meta vërtetoi edhe një herë se qëndrimet që ka mbajtur opozita e bashkuar këto 46 ditë, për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe garantimin e kushteve, mospërfshirjen e administratës në fushatë, për financimin kriminal dhe të paligjshëm të zgjedhjeve, heqjen dorë nga qëndrimet përjashtuese, intensifikimin e luftës kundër kanabisit etj janë të drejta dhe realiste. Mbrëmjen e së hënës, pas mbledhjes së Kryesisë së LSI-së, Ilir Meta propozoi atë që e quan ofertë për një qeveri të besimit të gjerë. Ai kërkoi nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha që të ulen në dialog urgjent dhe t'i japin fund krizës. Duke folur për koalicionin, Meta tha se është i gatshëm për një marrëveshje të dytë me Edi Ramën, por pasi ky i fundit të jepte garanci për zgjedhjet, pasi LSI nuk mund të jetë pjesë e një farse elektorale. /Oranews.tv/ Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter |
Dy persona i drejtojnë armën personelit dhe grabisin kazinonë Posted: 03 Apr 2017 11:04 PM PDT Grabitet nën kërcënimin e armës një kazino në lagjen numer 2 në Korçë, pranë Kinemasë. Policia bën me dije se "rreth orës 03:40 jemi njoftuar se në një ambjent lojrash fati (kazino) dy persona të maskuar ku njëri prej tyre dyshohet të ketë qenë i armatosur duke kërcënuar personelin, kanë marrë një sasi lekësh dhe më pas janë larguar". Nga veprimet e para rezulton se nuk ka pasur persona të dëmtuar gjatë grabitjes. Grupi hetimor po punon për identifikimin, kapjen e autorëve, si edhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ende nuk dihet sasia e lekëve që kanë mundur të marrin dy grabitësit. /Oranews.tv/ Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter |
Shpërthim i fuqishëm në një magazinë pranë Miamit Posted: 03 Apr 2017 10:56 PM PDT Re të dendura tymi u shpërndanë mbi një magazinë në Opa-Locka të Floridas, nga zjarri masiv si pasojë e shpërthimit të disa trailarve që gjendeshin të parkuar. Autoriteteve iu desh të luftonin për më shumë se një orë për të vënë në kontroll flakët. Mjetet i përkisnin American Fruit & Produce. Sipas raportimeve të paktën 12 trailera janë përfshirë nga flakët. Aeroporti Opa-Locka u mbyll për shkak të shtëllungave të zeza të tymit. Po kështu u bllokua dhe qarkullimi i mjeteve në zonë. Zjarri u regjistrua pas orës 5:00 të pasdites së të hënës dhe në 5:45 u raportua se ishte në kontroll. Ende nuk ka një përcaktim mbi shkaqet e zjarrit dhe as raportime për persona të lënduar.
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter |
FH: Shqipëria vendnumëro në demokraci, Kosova përparim të lehtë Posted: 03 Apr 2017 10:38 PM PDT Organizata për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara, Fredoom House, vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të lehtë, ndërsa Shqipëria nuk ka shënuar ndonjë ndryshim në shkallën e demokracisë që nga viti i kaluar. Këto vlerësime janë pjesë e projektit “Vendet në tranzicion”, një studim i Freedom House mbi demokracinë në 29 vende ish komuniste nga Evropa qendrore deri në Azinë Qendrore. Qëllimi i projektit është vëzhgimi vjetor i reformave demokratike, një projekt që ka filluar të publikohet që nga viti 1995 dhe me metodologjinë e njëjtë që nga viti 2003. Në një vlerësim nga një deri në shtatë, ku nota një është shkalla më e lartë, ndërsa 7 është shkalla më e ultë e përparimit demokratik, Shqipëria ka notën 4.14, njësoj sikurse edhe vitin e kaluar. Kosova ka notën 4.96, ndryshe nga 5.07 që e kishte një vit më parë. Nga vendet e rajonit vetëm Mali i Zi ka shënuar përparim dhe nga 3.96, sivjet ka 3.89 pikë. Bosnja e Hercegovina nga 4.50 në 4.54. Kroacia nga 3.68 në 3.71, Maqedonia nga 4.29 në 4.43, Serbia nga 3.75 në 3.82. Vlerësimi i shkallës së demokracisë përfshinë disa kategori si: procesin zgjedhor, shoqërinë civile, mediet e pavarura, qeverisjen demokratike kombëtare, qeverisjen demokratike lokale, kuadrin juridik dhe pavarësinë e drejtësisë dhe shkallën e korrupsionit. Studimi vë në pah se në vitin 2016, suksesi i populistëve në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara tronditi botën, jo më pak vendet e Evropës postkomuniste dhe Euroazisë, që mbulohen nga projekti “Vendet në tranzicion”. Referendumi i muajit prill të vitit 2016 në Holandë kundër Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Ukrainës me Bashkimin Evropian, vota e Mbretërisë së Bashkuar për largim nga BE-ja, dhe zgjedhja e Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara, ngritën dyshime të reja rreth situatës së brishtë në periudhën e pas Luftës së Ftohtë. Në raport thuhet se këto goditje të jashtme pasuan një periudhë të gjatë të ngecjes dhe rënies së qeverisjes demokratike në të 29 vendet e “Vendeve në tranzicion”. Në Evropën Qendrore e Lindore dhe në Ballkan, vitet e populizmit dhe korrupsionit kanë gërryer institucionet demokratike, dikur premtuese. Në Euroazi, autoritarizmi personal ka rrëshqitur nga një trend – në një normë të ngulitur. Këtë vit, 18 nga 29 vende të studiuara, pësuan rënie në vlerësimin e përgjithshëm mbi demokracinë, rënia më e lartë e që nga viti 2008, kur kriza financiare globale pati nxitur paqëndrueshmëri dhe ngecje të reformave politike. Ka pasur më shumë rënie sesa përmirësime në çdo vit të studimit nga viti 2005, pas valës së parë të madhe të zgjerimit të BE-së në lindje. Për herë të parë në historinë e raportit, tani ka më shumë Regjime Autoritare të Konsoliduar sesa Demokraci të Konsoliduara. Përkeqësimi i demokracisë dhe konsolidimi i autoritarizmit ishin tashmë në udhë përpara këtij viti. Por me përqendrimin e tashëm të Britanisë në tërheqjen e saj nga BE-ja, dhe pozicionet e pasigurta të qeverive në rajon ndaj administratës së Trump-it, shtyllat e rendit pas Luftës së Ftohtë në Evropë papritmas duken më pak të forta. Në fakt, qëndrimi i paqartë amerikan në lidhje me NATO-n ka rritur frikën e paqëndrueshmërisë apo edhe luftës. Rrënjët e rilindjes së populizmit në Evropë Batica e populizmit ka qenë në rritje në Evropën Qendrore që nga viti 2010, kur Viktor Orbán, (kryeministri hungarez) e ktheu partinë Fidesz përsëri në pushtet dhe pastaj prishi kontrollet dhe balancat e vendit, duke ndryshuar kushtetutën dhe kodin zgjedhor për të siguruar dominimin e partisë së tij dhe duke injoruar qortimet e BE-së. Kjo baticë mblodhi forcë gjatë gjashtë viteve të fundit derisa udhëheqësit në Ballkan forcuan pozicionet e tyre me sulme mbi shoqërinë civile dhe medien, duke gërryer institucionet e pavarura, madje edhe derisa po ecnin drejt integrimit në BE. Dhe batica përparoi në vitin 2015, me frikën mbi migrimin në Evropë dhe fitoren parlamentare të partisë “Ligj dhe Drejtësi” në Poloni, e cila menjëherë kërkoi të imitojnë shembullin e Orban në Hungari, duke paralizuar gjykatën kushtetuese dhe duke e kthyer transmetuesin publik në një zëdhënës të partisë. Në dekadën e kaluar, lideri rus (Vladimir Putin) ka mbështetur populistët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një përpjekjeje të fshehtë për të destabilizuar rendin transatlantik. Rezultatet në 2016 ishin ndoshta përtej ëndrrave të tij më të papërmbajtshme. Edhe pse ekonomia e Rusisë vazhdon të ngecë në vend, Putin duket shumë afër qëllimit të tij për një ndarje të re të Evropës në sferat e ndikimit perëndimore dhe asaj ruse. Me paqartësitë e Shteteve të Bashkuara rreth BE-së dhe NATO-s, vendet në rajon ka të ngjarë të nxitojnë për të shfrytëzuar mundësitë e reja, si mbrojtje kundër skenarëve më të këqij, dhe për të siguruar përfitimet ekzistuese para arritjes së një drejpershimi. Ankesat nacionaliste dhe revanshiste mund të bëhen edhe një herë monedha më e fuqishme për udhëheqësit dhe partitë e rrezikuara. Kjo mund të rrisë rrezikun e luftës në Evropë dhe Euroazi, thuhet në raport u përmenden zhvillimet në Ukrainë, Armeni e Azerbajxhan si dhe tensionet në rritje në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe rritjen e mosmarrëveshjeve ndëretnike si pjesë e krizës politike në Maqedoni. Bashkimi Evropian në sprovë Pasiguria në lidhje me politikën e jashtme të SHBA-së do të thotë se BE-ja do të duhet të jetë më kategorike me shtetet e veta anëtare dhe ato kandidate për anëtarësim. Zgjerimi i BE-së drejt vendeve baltike, Evropën Qendrore dhe Lindore, dhe vendet në Ballkan, ka ndihmuar në përhapjen e demokracisë liberale në të gjithë kontinentin. Ky është ende mjeti më i mirë për përparimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve të përgjegjshme në rajon. Krahas telasheve tjera si vala e migrimeve, thuhet në raport kriza e llogaridhënies në BE, pamundësia për të marrë masa disiplinore kur udhëheqësit e shteteve anëtare dhe atyre që aspirojnë të jenë anëtare shkelin rregullat, është jo më pak kërcënuese për të ardhmen e demokracisë. Nga Hungaria dhe Polonia deri te kandidati për anëtarësim, Serbia, ende nuk ka pasoja për politikanët dhe partitë që minojnë institucionet e pavarura të vendeve të tyre. Pa llogaridhënie, populistët do të vazhdojnë të prishin bashkimin nga brenda dhe të shtyjnë përpara tregimet nacionaliste që kërcënojnë paqen në Evropë. BE-ja duhet të reformohet në një mënyrë që e lejon atë të reagojë shpejt dhe në mënyrë efektive për sulmet ndaj demokracisë. Raporti vë në pah se rezultati i Serbisë është tani më i keqi ndonjëherë që nga viti 2003, pavarësisht nga përparimi në negociatat për anëtarësim në BE. Në Mal të Zi dhe Serbi, dy vende të Ballkanit, që janë më afër në procesin e anëtarësimit, zgjedhjet problematike në vitin 2016, shfaqën paqëndrueshmëri të brendshme, si dhe një kuptim të përciptë të demokracisë zgjedhore. Dita e zgjedhjeve në Mal të Zi paraqiti një mbyllje mbarëkombëtare të aplikacioneve të mesazheve në telefonat celular dhe akuza nga autoritetet që nacionalistët serbë kishin komplotuar një grusht shteti. Që nga shkurti i vitit 2017, prokurorët po kërkonin arrestimin e dy udhëheqësve të opozitës për një komplot të dyshuar. Kryeministri prej disa kohësh i vendit, Milo Gjukanoviç, dha dorëheqje pas zgjedhjeve, por fjalët për kthimin e tij filluan menjëherë pasi ai u tërhoq. Një “dalje në pension” kaq jetëshkurtër e tij ngjason me dy largimet e mëhershme nga politika në vitin 2006 dhe 2010. Serbia mbajti zgjedhjet e dyta të parakohshme që nga viti 2012, edhe pse kryeministri Aleksandar Vuçiç dhe partia e tij kontrollonte një shumicë absolute në parlament. Nacionalizmi dhe gjuha e urrejtjes gjithashtu u rritën shumë në vitin 2016, me politikanë dhe tabloide pro qeveritare që i quajtën kundërshtarët politik dhe aktivistët e shoqërisë civile si tradhtarë që u shërbejnë interesave të huaja. Në Maqedoni, ish-kryeministri Nikola Gruevski la të nënkuptohet se udhëheqësi i opozitës, Zoran Zaev, duhet të vritet. Ndërkohë, frikësimi i grupeve joqeveritare arriti një shkallë të re me një nismë të quajtur “Stop Operacionit Soros”, themeluar nga redaktorët e agjencisë shtetërore të lajmeve dhe dy portaleve pro-qeveritare të lajmeve. Shumë politikanë përdorën ndarjet etnike për të çuar përpara qëllimet e tyre politike. Udhëheqësi i Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, festoj themelimin e subjektit gjysmë autonom përkundër një vendimi nga Gjykata Kushtetuese e vendit. Tensionet u rritën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve të fundit presidenciale të vendit, thuhet mes tjerash në raportin e Freedom House. /VOA/ Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter |
A ka negociata PD-PS-LSI? Duma: Negociatat janë vetëm një…. Posted: 03 Apr 2017 01:52 PM PDT Sekretarja e për marrëdhënien me publikun në PD, Grida Duma tha në studion e "Tonight Ilva Tare", tha se negociatat e opozitës me mazhorancën janë vetëm një; krijimi i qeverisë teknike ose qeverisë së besimit. Pjesë nga diskutimet: Duma: Negociatat janë vetëm një; qeveri teknike. Negociatat do të ndodhin vetëm pas kësaj. Në kaq vite në opozitë në kemi thënë që koka e të gjitha telasheve që kanë të bëjnë me krimin bekohen nga kryeministrin. Meta nuk e përjashton. Problemi është që duhet t'i mbushet mendja opozitës që zgjedhjet të jenë të lira dhe të pa cenueshme. Mos të vijojmë me logjikën çfarë ka qenë më keq le të mbetet më keq. Ajo që na pret në të ardhshmen është detyra jonë që sot e tutje për ta bërë më mirë. Duhet të ketë vetëm një logjikë; të diskutojmë si mund të bëhet më mirë. Tare: Do të shkojë PD të shkojë të votojë komisionet parlamentare për Vettingun? Duma: Paketa e reformës në drejtësi është votuar me të gjitha votat e mundshme. Ajo që duhet të qartësojmë është që deri më sot opozita nuk e ka pasur ende tagrin të ndërhyjë në kandidaturat e Vettingun. Teknikisht, opozitës nuk i ka ardhur asnjë tagër për ta gjykuar. Reforma në drejtësi është prioritet dhe jemi sjellë si një forcë politike që reformën në drejtësi e ka prioritet. Tare: PD e lë të hapur që mund të shkojë të votojë Vettingun… Duma: Nuk e lë të hapur. PD e ka thënë gjithmonë se është pro. Mos e gjykoni opozitën. Mazhoranca ka paraqitur 22 kandidatura për 27 vende.
/Ora News/
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter |
Meta: Rama e Basha të heqin dorë nga qëndrimet konfliktuale Posted: 03 Apr 2017 01:41 PM PDT Kryetari i LSI, njëherësh edhe kreu i Kuvendit i bëri thirrje kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha që të dialogojnë për të arritur në një zgjidhje. Ai tha se situata politike është e tensionuar, duke vlerësuar se Rama e Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet konfliktuale. Meta: Situata në politikë është tejet e tensionuar. Reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore janë të bllokuar, ndërkohë konstatojmë një rënie të besimit të qytetarëve tek politika dhe institucionet. Retorika politike, agresive po dominon zhvillimet dhe sjelljen politike. Në këto kushte është imperative dialogu urgjent dhe zgjidhja politike. Çdo vonëse e çon vendin në drejtime të panjohura, të pakontrolluara dhe me pasoja. Vlerësojmë së Rama dhe Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale. Vlerësojmë iniciativën e Idrizit si një përpjekje konkrete për dialog dhe për zgjidhjen e krizës. /Oranews.tv/ Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter |
De Biasi: Deri më 31 tetor jam trajner i Shqipërisë, më pas të shohim Posted: 03 Apr 2017 01:40 PM PDT Ekskluzivisht për radion italiane "Tutto mercato web" në mikrofonin e gazetarit Lorenzo di Benedetto, trajneri i Kombëtares shqiptare Gianni De Biasi ka deklaruar "Deri më 31 tetor do të jem trajner i Shqipërisë , më pas të shohim." Gianni De Biasi ka komentuar për këtë radio ndeshjen mjaft të pritshme të zhvvilluar gjatë mbrëmjes së djeshme mes Napolit e Juventusit, përkatësisht të renditura në vend të 3-të e në vend të parë të kampionatit italian. "Ka qënë një garë e madhe e luajtur mirë nga të dyja skuadrat, është shprehur trajneri i kombëtares shqiptare. Napolit i mungoj vetëm goli i dytë, ndërsa bardhë e zinjtë paguan faktin se shënuan mjaft shpejt e më pas u rehatuan." Duke iu referuar ndeshjes së ardhshme që do të zhvillohet ditën e mërkurë po mes këtyre dy skuadrave, por kësaj herë për Kupën e Italisë, Gianni De Biasi tha se "çdo ndeshje ka historinë e saj e të shohim çfarë do të ndodh." Pyetjes së gazetarit italian mbi ecurinë e lojës së futbollistit juventinas Higuain , Gianni De Biasi deklaroi se "Higuain ka shënuar mjaft e nëse ndonjëherë i ndal golat, kjo e bën atë më human, pasi shumë herë duket si i zbritur nga planeti Mars. Juventusi po punon për të arritur në një formë mjaft të mirë në ndeshjen e Champions League kundër Barcelonës." Ndërsa pyetjes së gazetarit mbi të ardhmen e tij trajneri i kombëtares shqiptare përgjigjt: "E ardhmja ime? Deri më 31 tetor jam trajner i Shqipërisë, më pas të shohim!" /oranews.tv/ Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter |
Meta për qeveri besimi, Krasniqi: S’kishte akt konkret. Hila: Po hapet lojë e madhe Posted: 03 Apr 2017 01:40 PM PDT Politologu Afrim Krasniqi i ftuar në "Tonight Ilva Tare" në Ora News i shikon me skepticizëm propozimet e kreut të LSI-s për të lënë mandatet e ministrave, duke theksuar se deklarata nuk kishte një akt konkret. Por, drejtuesi i emisionit "Arena" Dritan Hila shprehet se në lojën e ministrive është edhe ajo e Drejtësisë që mund të ketë një rol më të madh në të ardhmen. Sekretarja e marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma, mendon se deklaratat e Metës vërtetuan kauzat e opozitës. Meta: Vendi ka nevojë për qeveri besimi. LSI vë në dispozicion mandatet Pjesë nga diskutimet: Krasniqi: Ajo çfarë i mungoi këtij projekti është akti konkret, një propozim konkret. Nuk janë propozim postet. Është banale ta mendosh. Është një lloj retorike që përdor për t'i thënë Ramës se nëse opozita nuk dëshiron ministrin e Brendshëm, mund ta largosh. Ky është thelbi i asaj merrni postet e mia. Kemi një luftë nervash në këto 10 ditë dhe është kush arrin të bëjë diçka për krizën që të dy palët të tërhiqen nga pozicionet dhe kush të fitojë kredenciale politike. Nuk është çështja që palët sot kanë takuar Zotin dhe kanë vendosur të sakrifikojnë për Shqipërinë. Unë e shoh shumë larg atë lloj idealizmi që zt.Meta na prezantoi sot. Hila: Unë kam një pikë që jam kundër zt.Krasniqi. Meta nuk lë vetëm Ministrinë e Mjedisit dhe të Transporteve, por lë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Besoj që në qoftë se do hyhet në zgjedhje do të ketë besoj edhe një paketë negocimi ku mënyra se si do të zgjidhet, mënyra se si do të operohet do t'i përcaktohet edhe një rol Ministrisë së Drejtësisë. Po u hap kjo çështje besoj se do të jetë një lojë më e madhe se sa thjesht 5 ministra. Krasniqi: E gjithë skema për mua është për konsum mediatik. Hila: Është një mënyrë për të hapur rrugën e negocimit. Në qoftë se hapet kjo lojë mund të hapen modalitetet për zgjedhjet. Do të ketë një lloj negocimi. Duma: Si fillim ka vërtetuar ngritja e termave tona. Termat që u përdorën, qeveri e besimit..çfarë do të thotë se kjo qeveri nuk jep alternativë për zgjedhje të lira. Atë që kemi thënë. Kryetari i grupit të LSI vë në dispozicion mandatet ekzekutive. Lexuar politik është kjo gjë. As që diskutojmë zgjidhjen që është në Parlament. Problemi është qeveria. Deri tani ky kryeministër nuk jep garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çështjet tona u vërtetuan nga aleati i mazhorancës. Kauzat qëndrokan. /Ora News/
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter |
Sejko: Shqipëria në një stad të ngjashëm zhvillimi me vendet e rajonit Posted: 03 Apr 2017 01:30 PM PDT Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në takimin e 37-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit. Ky takim, i cili u zhvillua në Antalia të Turqisë dhe ku merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të 24 vendeve anëtare të Klubit, u hap nga fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya dhe Zëvendëskryeministrit të Turqisë Mehmet Şimşek. Punimet e Klubit u bazuan në sfidat e ndryshme me të cilat përballen sot bankat qendrore në përmbushjen e objektivit të tyre për ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve dhe stabilitetit financiar, si dhe evidentimin e mekanizmave të politikave makroekonomike, financiare dhe strukturave ekonomike më të përshtatshme për të rritur rezistencën ndaj goditjeve të ndryshme. Takimi shërbeu si një platformë e shkëlqyer diskutimi ku bankat qendrore patën mundësi të shkëmbenin idetë dhe eksperiencat lidhur me këto çështje. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të pranishmit me temë "Politikat optimale mikse në mjedisin aktual: mësimet e nxjerra nga masat e zbatuara gjatë krizës". Guvernatori Sejko solli në vëmendje të pjesëmarrësve, se vendet e Ballkanit Perëndimor pavarësisht se në periferi të krizës botërore, i ndjenë efektet e saj, në forma të tilla si frenimi i aktivitetit ekonomik, shoqëruar kjo shpeshherë dhe me një sërë problemesh strukturore. Më tej, Guvernatori u shpreh se ndonëse ekzistuan debate mbi përshtatshmërinë dhe efikasitetin e instrumenteve të përdorura nga bankat qendrore për përballimin e krizës, këto instrumente arritën të shmangin pasojat e mëtejshme dhe gradualisht, të krijojnë premisa për rikthimin e trendit të rritjes. Guvernatori theksoi se si një vend tipik i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ndodhet në një stad të ngjashëm zhvillimi me vendet e tjera të rajonit dhe se ekonomia shqiptare tashmë ndodhet në një trend pozitiv ku rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim progresiv. Më tej gjatë prezantimit, Guvernatori Sejko vuri në dukje se nga çdo krizë duhen nxjerrë mësimet e nevojshme me qëllim shmangien e përsëritjes së gabimeve të mundshme: "Sa i rëndësishëm është kapërcimi i një krize, aq e rëndësishme është edhe të mësuarit prej saj". Në përfundim, Guvernatori Sejko nënvizoi se Banka e Shqipërisë nëpërmjet ushtrimit të rolit të saj në ekonomi, njëkohësisht si nxitës dhe rregullator ka dhënë kontributin e nevojshëm në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter |
You are subscribed to email updates from Ora News. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |