“Nderimi i një figure emblematike si Ismail Kadare nderon vetë qytetarët dhe qytetin e Ferizajt” plus 9 more Ferizaj Press

“Nderimi i një figure emblematike si Ismail Kadare nderon vetë qytetarët dhe qytetin e Ferizajt” plus 9 more Ferizaj Press


Nderimi i një figure emblematike si Ismail Kadare nderon vetë qytetarët dhe qytetin e Ferizajt

Posted: 05 Apr 2017 10:21 AM PDT

Nderimi i një figure emblematike të Kombit tonë me një nga çmimet kryesore që jep Ferizaj, konsideroj, se një veprim i tillë, më shumë se Ismail Kadarenë, na nderon vetë neve, kuvendarëve, organet komunale, qytetarët tanë dhe Qytetin e Ferizajt.
Na nderon, sepse figura e shkrimtarit tonë të mirënjohur paraqet një vlerë kombëtare, e cila kaherë ka kaluar kufijtë e vendit dhe të kombit dhe është shndërruar në një vlerë mbarëbotërore, që në thelbin e saj reprezenton denjësisht kulturën, artin dhe traditën tonë shqiptare.
Ismail Kadare, me mjeshtërinë e tij të të shkruarit, para botës ka shpërfaqur esencën e qenies sonë kombëtare, duke u shndërruar në një nga ambasadorët tanë më të mirë të kulturës, artit, letërsisë dhe të vlerave tona kombëtare. Ai, ndër të tjera, botës i tregoi se kombi ynë ka pasur, ka dhe do të ketë njerëz, që kapërcejnë kohën e tyre dhe bëhen prijatarë të ndryshimeve në të mirë të vlerave, parimeve dhe koncepteve demokratike. Ai, në mënyrë të pashembullt, me mjeshtërinë e tij, me artin dhe me erudicionin e tij, arriti të bëhej qendër e krijimit artistik letrar, me vlera universale, në një kohë kur ky lloj i krijimit ishte thjesht në funksion të angazhimit politik të asaj kohe.
Ai, me veprat e tij, theu barrierat e socrealizmit, që partia në atë kohë kishte vënë për krijuesit dhe u tregoi, shqiptarëve në radhë të parë, por edhe gjithë botës pastaj, se kombi ynë ka një shpirt krijues, të ndërtuar ndër shekujt dhe mileniumet e ekzistencës së vet.
Ai, kombi ynë, pra, para së gjithash, në konceptin e tij nuk është në funksion të regjimeve që e qeverisin, por në funksion të idealeve dhe vlerave njerëzore që ka shpërfaqur dhe ka rrezatuar gjithmonë. Ismail Kadare arriti që në rininë e tij të ndërtonte personalitetin e krijuesit me një nga veprat monumentale sot në letërsinë shqiptare dhe botërore, siç është Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Edhe pse, në shikim të parë, dukej se kjo vepër i bënte elozhe një sistemi që kishte fituar luftën dhe përçmonte humbësit, shumë shpejt u pa se mbi këtë ide dhe, më shumë se kaq, kjo vepër, në diskursin tekstor e nëntekstor të saj, përmbante dramën e një populli, që, në të shumtën e historisë së tij, kishte qenë i pushtuar, derisa në brendësinë e vet kishte krijuar individin që njihte dhembjen, para se të njihte hakmarrjen. Me veprën e tij, e njohur si vepër e parë e tij, Përbindëshi, Kadare kishte arritur që në një mënyrë të përkryer ta shpërfaqte jo vetëm historinë tonë të lashtë kombëtare, por edhe forcën dhe mizorinë e pushtetit dhe regjimit autoritar. Ai shumë shpejt doli para kombit dhe botës me veprën e tij, Kështjella, nëpërmjet së cilës botës i tregoi se populli ynë ka një zemër të madhe dhe të guximshme, që i bën ballë çdo pushtuesi, sado i madh dhe i fuqishëm qoftë ai, sepse, më shumë se jetën, populli ynë çdoherë e deshi lirinë.
Ai nuk u ndal me kaq. Me penën e tij krijoi mrekullitë letrare-artistike, duke i demaskuar qeveritë autoritare, si në Dimrin e vetmisë së madhe, ku, me një perfeksion krijues, rrëfente për kotësinë e këtyre regjimeve, si te Pallati i ëndrrave. Me fuqinë e tij të një kolosi të letrave, ai ndikoi në përfundimin e këtij sistemi autoritar, duke emigruar në një vend të botës demokratike, veprim të cilin pothuajse hapur e kishte paralajmëruar te vepra e tij e fundit nën këtë sistem, Ftesë në studio.
Ai vazhdoi tutje, edhe larg atdheut, që në veprat e tij për subjekt trajtimi të kishte pikërisht qenësinë tonë kombëtare shqiptare. Ai i tregoi botës me diptikun e tij, Vajza e Agamenonit dhe Pasardhësi, se çfarë ndodhte brenda mureve të një regjimi autoritar, të mbyllura hermetikisht për publikun, ndërsa me veprën e tij Aktori, në një mënyrë të mrekullueshme, ai shpërfaqte dramën e individit përballë diktaturës, me tërë dhembjen dhe tragjedinë shpirtërore e personale që përmbante ajo.
Dhe, kjo nuk është e tëra.
Vepra e tij voluminoze përmban edhe shumë romane, drama, poezi e shkrime publicistike dhe eseistike, ku ai, me mjeshtërinë e tij gjeniale, u bënte karshillëk shkrimtarëve më të njohur të botës, si: Kafkës, Kunderës dhe shumë e shumë të tjerëve. Ai në këto vepra, duke pasur për subjekt gjithmonë qenien tonë kombëtare, na tregoi, neve dhe gjithë botës, se çfarë nënkuptonte të ishe njëkohësisht , sa afër, po aq dhe larg botës demokratike. Ai na tregoi se si ishte të ishe një shkrimtar nën diktaturë, ku nuk i lejoje vetes të të vinin kufij dhe ku çdoherë duhej të përpiqeshe t'i thyeje ata e të veje tutje. Ai, thjesht, neve dhe botës, na tregoi se çfarë ishte, çfarë është dhe çfarë do të thotë të jesh pjesëtar i një kombi dhe vendi, që, nga fqinjët dhe të tjerët, gjithmonë ishe konceptuar si vend dhe komb i cili duhej të privohej nga liria e tij, madje edhe deri nga e drejta për jetë.
Gazmend Bytyqi, këshillëtar në Asamblenë Komunale të Ferizajt

KEDS paralajmëron ndërprerje të rrymës, këto fshatra të Ferizajt do të kenë reduktime

Posted: 05 Apr 2017 09:15 AM PDT

06.04.2017NS 110/35/10 kV Lipjani  do të shkyçet:

· Dalja 10 kV Bablaku  (41000001)    prej  orës 10:00 deri në orën 11:00.

Gjatë kohës sa do të zgjasin punimet pa energji elektrike do të mbesin: Tërrni, Bablaku, Rubovci, Kojska, "Ata Projekt", "Dafina", "Shumolli", "Bali Comerce", "ETC", "Gërlica", Rasim Halili, "TS Metal Kosova", "Universium", Babushi i Ri, Surqina, Cërrnilla, Mirashi i Ri dhe Mirashi.

Arsyeja e ndërprerjes: kyçja e transformatorit të ri 1600kVA.

Një muaj paraburgimi ndaj të dyshuarit për kontrabandim me migrant

Posted: 05 Apr 2017 08:30 AM PDT

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt të evidentuar si PP.I.nr. 59/17 të datës 4 prill 2017, për caktimin e masës së paraburgimit prej një (1) muaji, ndaj të pandehurit T.B. shtetas i Republikës së Turqisë.

I pandehuri dyshohet se më 3 prill 2017, në pikën kufitare në Han të Elezit duke drejtuar automjetin – kamionin, në rimorkion e tij pas kontrollit nga ana e zyrtarëve policor, janë gjetur 14 persona shtetas të Sirisë dhe Afganistanit të cilët ishin vendosur në kamion nga qyteti i Stambollit ku kishin qenë si refugjat.

Me këto veprime i pandehuri T.B. dyshohet se ka kryer veprën penale "Kontrabandimi me migrant" nga neni 170 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragraf 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, dukë filluar nga data e arrestimit 3 prill 2017 dhe do të zgjas deri më 2 maj 2017.

Kuvendi merr vendim për emërimin e sheshit tek teatri i qytetit me emrin Ismail Kadare

Posted: 05 Apr 2017 06:06 AM PDT

Ferizaj.05.04.2017. Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Faruk Guri, ka ftuar në një mbledhje urgjente, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, për të diskutuar sa i përket emërimit të sheshit tek teatri i qytetit me emrin Ismail Kadare.

Kërkesa për emërimin e këtij sheshi erdhi nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport pas mbledhjes së mbajtur me datën 30 mars me rastin e vizitës së shkrimtarit Ismail Kadare, me ç'rast u dha propozimi që për nder të vizitës së tij, të bëhet emërimi i sheshit tek teatri i qytetit po me këtë emër.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Ferizajt, në fjalën e tij para asamblistëve theksoi se prej kohësh e ka pasur idenë që ta sjell në Ferizaj shkrimtarin më të madh të gjallë shqiptar, Ismail Kadarenë.

"Është e tepërt të thuhet që gjenerata të tëra ferizajasish janë rritur me veprën e Kadaresë, e cila tashmë është përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës. Ky shkrimtar tashmë është fitues i shumë çmimeve të rëndësishme botërore dhe qe disa vjet është kandidat për çmimin NOBEL për letërsi. Kadare sot paraqet vlerën sipërore të letërsisë shqiptare dhe konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë, në përmasa botërore. Besoj se nuk ka nevojë për ndonjë arsyetim të veçantë të kësaj ideje, sepse të gjithë e dimë dhe e pranojmë se vizita e këtij kolosi të letrave, do t'i bënte nder çdo vendi mikpritës. Prandaj, më duket se kemi rastin e rrallë që t'i ofrojmë mikpritje Ismail Kadaresë, ashtu siç e meriton", ka thënë kryetari Svarqa, përderisa ka shtuar se vizita e Ismail Kadaresë, do të ketë ndikime të shumëfishta tek qytetarët e komunës së Ferizajt, sepse shumica prej tyre janë lexues të Kadaresë dhe kanë simpati për të.

"Në shenjë nderimi, kemi propozuar që sheshi tek teatri "Adriana Abdullahu" të emërtohet me emrin e Ismail Kadaresë.

Jam i bindur se po na bëhet nder i madh që ta kemi në mesin tonë për disa orë krijuesin e madh dhe të ndajmë me të disa çaste miqësie e mikpritjeje.

Prandaj, ju ftoj që të jemi të organizuar dhe dashamirës ndaj kësaj vizite, në mënyrë që ajo të kalojë si është më së miri", ka përfunduar kryetari Svarqa, përderisa të pranihsmit i ka njoftuar lidhur me agjendën e vizitës së Ismail Kadaresë në qytetin e Ferizajt.

Ky propozim u përkrah unianimisht nga të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Komunës së Ferizajt dhe u vendos që ai shesh tek teatri "Adriana" tash e tutje të quhet Ismail Kadare.

Po në këtë mbledhje betimin si anëtar i Kuvendit të Komunës e dha Lulzim Abazi nga radhët e PDK-së.

Inaugurohet objekti muze “Ish selia Ipeshkvnore e Kosovës” në Ferizaj

Posted: 05 Apr 2017 06:03 AM PDT

Ferizaj.05.04.2017. Të mërkurën në Ferizaj, është bërë inaugurimi i objektit muze "Ish selia Ipeshkvnore e Kosovës” në Ferizaj. Renovimi i këtij objekti është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinës, ndërsa implementuar nga UNDP.
Ne ceremoninë e inaugurimit të objektit muze merrnin pjesë zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, përfaqësues të UNDP-së, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtore si dhe shumë mysafirë të tjerë.
Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar Don Mikel Sopi nga kisha katolike.
E nga ana tjetër numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur se një ngjarje e tillë banë bashkë përfaqësues të bashkësive të ndryshme etnike, fetare e kulturore.
"Është kjo një vepër shumë e çmuar, është një investim për të ardhmen më të mirë, për kultivimin e ndjenjës së këndshme që vjen nga diversiteti etnik, fetar e kulturor. Konsideroj se kultivimi i pranimit të diversitetit, si vlerë të qytetërimit modern, është porosia më e mirë e këtij investimi. Në vendin tonë janë shkaktuar vuajtje të panumërta, pikërisht nga mosdurimi ndaj diversitetit. Sepse një pjesë e njerëzve vendimmarrës në të kaluarën, e kishin rrënjosur urrejtjen, ose synimin për të dominuar të tjerët që kishin prejardhje etnike të ndryshme, bindje të tjera fetare ose politike dhe përkatësi tjetër kulturore. Në këtë vend, për fat të keq, janë vrarë e përndjekur njerëz për shkak se kanë qenë, ose kanë pasur besim e bindje të ndryshme nga ata që e kishin pushtetin ose forcën me vete. Sot jemi në shekullin 21 dhe urojmë që mendësive të tilla t'u ketë kaluar koha përgjithmonë. Në vend të ndasive, urrejtjeve e mosdurimeve për shkak të përkatësive të ndryshme, do të kultivohet respekti i ndërsjellë, toleranca e mirëkuptimi, sepse të gjithë jemi njerëz, në radhë të parë, pastaj kemi një përkatësi etnike, fetare, politike e kulturore. Dhe këto përkatësi të ndryshme do t'i konsiderojmë si pasuri të këtij vendi dhe jo një motiv për grindje e mosmarrëveshje", ka potencuar kryetari Svarqa.
Ai tutje është shprehur se e vlerëson lart këtë investim të Bashkimit Evropian.
"Shpresoj t'i shërbejë pikërisht këtij qëllimi: njohjes dhe kultivimit të kulturës së bashkëjetesës etnike, fetare e kulturore. Sepse bota ka kuptim vetëm me diversitetin e kombeve, racave, kulturave, feve dhe bindjeve të ndryshme", ka përfunduar kryetari Svarqa.
Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar edhe Libor Chlad zëvendës shes i sektorit për bashkëpunim nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Andreë Russell koordinatorë i OKB-së për zhvillim dhe përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovës.
Po ashtu fjalë rasti në këtë ceremoni kanë mbajtur edhe Vedat Sahiti nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe prifti Andrej nga Kisha ortodokse serbe, por edhe Rashit Qalaj, udhëheqës i operimeve në Policinë e Kosovës.
Ndërkaq ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës imzot Dodë Gjergji, në fund të kësaj ceremonie ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në realizmin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për të gjithë.
Me këtë rast u bë edhe një vizite Kishës Katolike, ish selisë së Ipeshkvisë tashmë e shndërruar në muze, vizitë tek xhamia e Mulla Vesel Gutës, si dhe kishën ortodokse "Shën Uroshi" në Ferizaj.

Si të blini telefonin tuaj ideal

Posted: 05 Apr 2017 04:08 AM PDT

Aktualisht në tregun botëror janë rreth 1300 lloje smartfonash. E pamundur ti njohësh të gjithë. Madje në dy vitet e fundit ka ndryshuar gjithçka: çmimi, performanca, cilësia e materialeve.
Në një treg ku konkurrenca mes emrave të mëdhenj është bërë e pamëshirshme, sfida është diferenca e vogël në çmim, transmeton tch. Detajet që ndoshta i anashkalojmë janë të lidhura me megapixel dhe gigahertz, ato janë më të rëndësishmet.

Ekspertët e teknologjisë na tregojnë se çfarë duhet të kemi paraysh në këtë periudhë nëse duam të blejmë një telefon të ri.

Sa duam të shpenzojmë?

Si fillim vendosim një buxhet. Sigurisht që telefoni është objekti më i lidhur me ne, por mos harroni që nuk është një makinë. Jetëgjatësia e një smartphone zgjat dy vjet, e më pas ka një performancë të dobët. Pas këtyre dy viteve telefoni nuk do të mbajë dot peshën e aplikacioneve të reja dhe nuk do të ketë fleksibilitetin e fillimit.

Nëse duam një telefon të brezit të lartë, që kushtojnë më shumë se 700 euro, duhet të mendojmë nëse funksionalitet ekstra të këtyre telefonëve janë vërtetë të nevojshme.

Sistemi operativ

Pretendentët e vërtetë janë dy: iOS dhe Android. Për të parin zgjedhja është vetëm një: Apple. iPhone janë shumë të kushtueshëm, me përjashtim të iPhone SE që gjithësesi prapë është më i shtrenjtë se produktet konkurrente. Më pas është universi i Android, ku zgjedhjet janë të pafundme.

Megjithatë ndryshimi mes Apple dhe Android nuk është tashmë shumë i madh, kjo për faktin se të dyja markat kanë arritur maturitetin e tyre. Por nëse pjesën më të madhe të materialeve tuaja i keni në iCloud, apo nëse keni një MacBook dhe iPad mund të fitoni funksione shtesë me një iPhone. E kundërta, nëse përdorni emailin e Google, axhendën dokumentet, një smartphone do ju bënte punë. Por i duhet kushtuar rëndësi dhe sigurisë, për të cilën Apple qëndron para.

Ekrani

Para së gjithash janë përmasat: sot ka smartphone me ekran më të madh se 6 polsh. Pyetja është nëse na duhet vërtetë një ekran kaq i madh? Nëse e përdorim telefonin më shujmë për mesazhet mund të kursejmë tek ekrani, dhe të investojmë në një telefon me më shumë giga memorie. Nëse me smartphone luajmë apo shohim filma atëherë ekrani i madh mund të na hyjë në punë.

Bateria

Është një nga faktorët kryesor në zgjedhjen e një telefoni. Një bateri e mirë nuk do të na lërë në baltë pasdite. Për fat të mirë situata është përmirësuar krahasuar me disa vite më parë, por duhet të shohim mirë specifikat. Shmangni smartphone me një bateri me kapacaitet më të pakët se 3000 mAh.

Memoria

Edhe memoria është mjaft e rëndësishme në zgjedhjen e një telefoni. Ju leverdis të shmangni telefonët me 16 gigabyte apo më pak. Gjenerata e fundit e pajisjeve të Apple për shembull, nuk e kanë më këtë masë. Sot 32 giga është minimumi i nevojshëm, gjithmonë me një përdorim mesatar. Masa ideale është 64 gigabyte

E dinit pse Mark Zuckerberg vishet gjithmonë njëlloj?

Posted: 05 Apr 2017 04:06 AM PDT

Nuk janë të rralla rastet kur personat shumë të suksesshëm nuk i kushtojnë rëndësi veshjes dhe pamjes së tyre të jashtme.
Një prej tyre është edhe themeluesi i rrjetit Facebook, Mark Zuckerberg.

Por nuk duhet të mashtroheni nga veshja e tij e thjeshtë, ka një arsye të rëndësishme pas saj.

Në një dalje publike kohë më parë Zuckerberg theksoi se ai vesh të njëjtat rroba, për shkak se dëshiron të kufizojë kohën që kalon duke bërë gjëra "të pavlera" dhe të përqendrohet më shumë në punë.

"Ndjehem sikur nuk jam duke bërë punën time, nëse unë shpenzoj energjinë time në që janë pa kuptim ose pa peshë për jetën time. Kështu, unë mund të shpenzoj të gjithë energjinë time në drejtim vetëm të ndërtimit të produkteve dhe shërbimeve më të mira"-deklaroi ai.

Po vjen një paisje e re

Posted: 05 Apr 2017 04:05 AM PDT

Yota Devices është kompani ruse, e cila qëndron mbrapa telefonave të mençur YotaPhone dhe YotaPhone 2 me dy ekrane, ndërsa tash ka nisur të publikojë ngacmues, me të cilët paralajmëron pajisje të re.
Ngacmimi nuk na tregon shumë për dizajnin e telefonit, përveç që mund të shohim paralajmërimin se serish do të punohet në telefonin me dy ekrane.

Telefoni sipas pritjeve mund të quhet YotaPhone 3, ndërsa pritet që shitja të nis në verë.

Megjithatë, para paralajmërimit të telefonit të ri, YotaPhone 2, i cili është lansuar në shkurt 2014, ka marrë azhurnimin e sistemit operativ.

Telefoni punon me platformën Android KitKat (v4.4.3), ndërsa tash ka marrë përditësimin Marshmallow. Yotaphone 3 pritet të ketë ekran më të madh dhe procesor më të fuqishëm se sa pararendësi, ndërsa përveç kësaj pritet edhe përditësimi te karakteristikat tjera.

Këto dy libra i ndryshuan jetën bashkëthemeluesit të Google

Posted: 05 Apr 2017 04:03 AM PDT

Sergey Brin është njëri nga bashkëthemeluesit e Google.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2000 për Akademinë e Arritjeve, Brin tha se ishin dy libra që e inspiruan atë ti dedikohet karrierës së tij në fushën e teknologjisë, transmeton Express. Këto libra janë:

‘Surely You’re Joking, Mr. Feynman!’ nga Richard P. Feynman

Ky libër përshkruan aventurat e një karakteri kurioz. Libri u botua në vitin 1985 dhe mbulon shumë instanca jetësore të Feyman.

‘Snow Crash’ nga Neal Stephenson

Kjo është novela e tretë nga Stephenson e cila u publikua në vitin 1992. Ngjashëm me novelat e mëparshme të Stephenson, edhe kjo e fundit përmban histori, linguistikë, antropologji, arkeologji, religjion, shkenca kompjuterike, politikë, kriptografi dhe filozofi.

Prindërit, rol kyç në përcaktimin e shprehive të shëndetshme të fëmijëve

Posted: 05 Apr 2017 03:57 AM PDT

Inkurajimi i fëmijëve që të hanë ushqim të shëndetshëm, të ushtrojnë dhe ta kufizojnë kohën para ekraneve mund të mos jetë i mjaftueshëm për të mbjellë shprehi të shëndetshme. Ju gjithashtu duhet të prini me shembull, sugjerojnë studiuesit

“Edhe pse çdo mbështetje që prindërit mund ta japin është e mirë, ne zbuluam se fëmijët kishin më shumë të ngjarë t'i përmbushnin udhëzimet nëse prindërit do jepnin mbështetje aktive dhe të angazhuar,” tha autorja e studimit, dr. Heather Manson.

Kjo nënkupton dërgimin e fëmijës tuaj në park për të luajtur, vënia e ushqimit të shëndetshëm në dispozicion dhe kufizimin e kohës para ekranit, theksoi Manson, shefe e promovimit të shëndetit, parandalimit të sëmundjeve kronike dhe lëndimeve në Public Health Ontario në Kanada.

Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, rreth një në tre fëmijë është me mbipeshë apo obes, duke i vënë ata në rrezik të problemeve të rënda shëndetësore. Mjekët tani e dinë se jetesa e shëndetshme e përfshin jo vetëm lëvizjen më të shpeshtë, por uljen më të rrallë – pra angazhim në më pak sjellje sedentare (të palëvizshme) si shikimi i TV ose kyçja në internet, thanë studiuesit.

Për këtë studim të ri, studiuesit e zhvilluan një anketë telefonike me më shumë se 3,200 prindër me të paktën një fëmijë nën moshën 18 vjeçare në Ontario. Prindërit u pyetën në lidhje me sjelljet që lidhen me udhëzimet kombëtare për aktivitetin fizik, ushqimin e shëndetshëm dhe kohën e përshtatshme para ekranit/TV, transmeton koha.net.

Në Kanada, fëmijët e moshës 5 deri 17 vjeçare këshillohen të bëjnë të paktën 60 minuta të aktivitetit të moderuar apo më rigoroz fizik në ditë. Në varësi të moshës dhe gjinisë, udhëzimet rekomandojnë ngrënien e 4 deri në 8 shujta të frutave dhe perimeve në ditë. Sa për kohën rekreative para ekranit, rekomandohen dy orë maksimum.

Studiuesit zbuluan se prindërit të cilët i dërguan fëmijët e tyre në vendet ku ata mund të jenë fizikisht aktivë, si terrenet sportive dhe programet sportive, raportuan dy herë më shumë që fëmijët e tyre i përmbushën udhëzimet e stërvitjeve se ata që nuk i dërguan.

Prindërit që morën pjesë në aktivitetet me fëmijët e tyre, kishin 35 për qind më shumë të ngjarë të raportojnë që fëmijët e tyre i plotësojnë udhëzimet, në krahasim me ata që nuk morën pjesë.

Gjithashtu, prindërit që u ofruan fëmijëve të tyre fruta dhe perime të papërpunuara në mes të ushqimeve kishin pothuajse pesë herë më shumë të ngjarë të raportojnë se fëmijët e tyre i përmbushnin këto udhëzime të të ushqyerit, konstatoi studimi.

Insistimi në ngrënie së bashku me familjen dhe më pak shikim të TV ndihmoi gjithashtu.

Prindërit që hanin në shtëpi, por larg nga TV, kishin 67 për qind më shumë të ngjarë të thonë se fëmijët e tyre kishin ngrënë fruta dhe perime të mjaftueshme. Dhe prindërit të cilët i zbatuan rregullat për TV, tabletë dhe pajisje të tjera elektronike kishin dy herë më shumë të ngjarë të raportojnë se fëmijët e tyre i kishin ndjekur udhëzimet për kohën para ekraneve.

“Të gjitha këto gjëra kërkojnë përpjekje të prindërve”, theksoi Manson, por ajo shtoi se shpërblimi ia vlen.

Gjetjet e përsërisin atë çfarë Stephanie Quirantes, një dietiste e komunitetit, konstatoi në programet e saj në Spitalin e Fëmijëve Nicklaus në Miami. Një prej programeve të saj, i quajtur Healthy Chicas, përfshinë adoleshentë hispanikë me mbipeshë dhe nënat e tyre. “Ne duam që nënat të mësojnë në lidhje me ushtrimet dhe ushqyerjen”, tha Quirantes.

Shembulli (prindëror) funksionon, vuri në dukje ajo.

“Nuk është e mjaftueshme të thuhet: “Bëje,” tha Quirantes. Kur adoleshentët i shohin nënat e tyre duke i ndjekur shprehitë e shëndetshme, ajo i motivon ata, gjithashtu.

Gjetjet sugjerojnë “se jemi duke ecur në drejtimin e duhur me atë që po e bëjmë,” tha Quirantes.

Vendosja e karotave dhe frutave të copëtuara në kontejnerët në frigorifer ndihmon.

“Bëni ushqimet të gatshme për t'u ngrënë,” tha ajo, ashtu që fëmijët të mund t'i marrin ato duke dalë për ushtrime sportive ose aktivite passhkollore. “Fëmijët nuk do t'i copëtojnë frutat,” tha ajo.

Quirantes tha se përfitimet funksionojnë në dy mënyra. Nënat që marrin pjesë me vajzat e tyre shpesh i përmirësojnë shprehitë e tyre shëndetësore, vuri në dukje ajo.

Studimi u publikua kohët e fundit në BMC Public Health.