Mesazhi.com: “Thaçi kritikon deputetët” plus 9 more

Mesazhi.com: “Thaçi kritikon deputetët” plus 9 more


Thaçi kritikon deputetët

Posted: 11 Apr 2017 11:02 AM PDT

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vlerëson se mosmiratimi i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në Kuvendin e Kosovës është kthim prapa në përpjekjet tona për forcimin e sundimit të ligjit.

"Nuk është hera e parë që Kuvendi i Kosovës dështon miratimin e ligjeve të rëndësishme në mungesë të kuorumit. Përkundër respektimit të punës dhe pavarësisë së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dështimet e kësaj natyre janë të pajustifikueshme", ka shkruar Thaçi në Facebook.

Përveç presidentit Thaçi, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se ndihet i zhgënjyer me politikanët në Kosovë, gjegjësisht me deputetet të cilët sot nuk arritën që ta miratojnë Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Projektligji në fjalë ka dështuar të kalojë në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit.

The post Thaçi kritikon deputetët appeared first on Mesazhi.com.

Delawie i zhgënjyer që nuk u votua Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale

Posted: 11 Apr 2017 11:01 AM PDT

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se ndihet i zhgënjyer me politikanët në Kosovë, gjegjësisht me deputetet të cilët sot nuk arritën që ta miratojnë Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

"I zhgënjyer me udhëheqësit e Kosovës që nuk grumbulluan votat që të mbyllin boshllëqet të cilat lejojnë që politikanët që shfrytëzojnë lidhjet e tyre për t'i shpëtuar burgut", ka shkruar Delawie në Twitter.

Projektligji në fjalë ka dështuar të kalojë në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit.

The post Delawie i zhgënjyer që nuk u votua Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale appeared first on Mesazhi.com.

Demaskuesi i Trumpit fiton çmimin “Pulitzer”

Posted: 11 Apr 2017 10:56 AM PDT

Bordi i "Pulitzer"-it nuk kishte dyshime: çmimin e madh të vitit ia kaloi njëzëri hetimit mbi zotimet e Donald Trumpit në kauzat e bamirësisë gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Artikujt e reporterit të "Washington Post", David Fahrenthold, krijuan sipas tij një model për gazetarinë e transparencës dhe hodhën hije dyshimi mbi pretendimet e bujarisë së miliarderit të kthyer në president.

Gazetari nisi të ngrejë pyetje, kur republikani premtoi t'i dhuronte 6 milionë dollarë organizatave të veteranëve ushtarakë, e më pas zbuloi se ato zotime nuk ishin përmbushur, ndërsa shumë pretendime të mëhershme për aktivitete filantropike të tij ishin ekzagjeruar qëllimisht.

Fahrenthold nxori po ashtu në dritë edhe komentet ofenduese të Trumpit mbi gratë në regjistrimin e vitit 2005. Në mesin e fituesve të tjerë të çmimeve "Pulitzer", më prestigjiozet e dhëna në gazetarinë amerikane, ishin "The New York Daily News" dhe "ProPublica", një platformë "online" e specializuar në gazetarinë investigative.

Arsyeja e këtij shpërblimi ishte evidentimi i abuzimeve policore me rregullat e riatdhesimit, që detyruan qindra vetë, kryesisht persona të varfër dhe pjesëtarë të minoriteteve etnike, të braktisnin shtëpitë e tyre.

Daniel Berehulak siguroi një "Pulitzer" për fotot e tij nga lufta kundër drogës në Filipine. Stafi i "New York Times" mori çmimin e raportimit ndërkombëtar për shkrimet e tyre mbi përpjekjet e Vladimir Putinit për të projektuar fuqinë ruse jashtë kufijve, ndërsa konsorciumi ndërkombëtar i gazetarëve investigativë, "Miami Herald" e "Süddeutsche Zeitung" u vlerësuan me çmimin e raportimit shpjegues për ekspozimin e skandalit të "Panama Papers".

The post Demaskuesi i Trumpit fiton çmimin "Pulitzer" appeared first on Mesazhi.com.

“IOM”: Emigrantët afrikanë shiten në Libi si skllevër

Posted: 11 Apr 2017 10:52 AM PDT

Afrikanët që përpiqen të shkojnë në Europë shiten në tregje skllevërish në Libi. Alarmi jepet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrimin (IOM), sipas së cilës viktimat, pasi kapen nga trafikanët e njerëzve apo milicitë e ndryshme, dërgohen në sheshe qytetesh apo parkingje për t'u shitur.

Bazuar në dëshmitë e vet viktimave të këtij biznesi mizor, organizata për emigrantët thotë se mes tyre, ata që janë muratorë apo bojaxhinj shiten më shtrenjtë.

Sipas "IOM"-së, janë me qindra afrikanë që janë bërë viktima të këtij trafiku skllevërish. Një prej dëshmitarëve, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për të mos e vënë në rrezik, tha se ishite shitur në një treg të tillë në qytetin libanez Sabha, e më pas ishte dërguar në një burg ku mbi 100 emigrantë mbaheshin peng.

Në raportin e "IOM"-së shkruhet se, edhe femrat pësojnë të njëjtin fat dhe blihen nga klientë privatë libianë, si skllave personale seksi, apo për t'u shfrytëzuar në shtëpi publike.

Shefi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin në Libi, Opthman Belbeisi tha se familjet e atyre që merren peng nuk kanë parà të paguajnë haraçin e lirimit, kështu që të afërmit e tyre shiten bazuar në aftësitë që kanë.

Tregtia e skllevërve konfirmohet edhe nga burime të tjera, që thonë se kanë folur me disa emigrantë që kishin mundur t'ia mbathnin. "IOM" jep alarmin se duhen marrë masa për të ndaluar këtë skllavëri të kohëve moderne, por mungesa totale e ligjit dhe rendit në Libi e bën këtë të pamundur.

Që prej rrëzimit të diktatorit Muamar Gaddafi, Libia është ndarë mes dy qeverive, por edhe qindra milicive që kontrollojnë zonat e tyre dhe veprojnë sipas dëshirës, pa u shqetësuar nga askush.

The post "IOM": Emigrantët afrikanë shiten në Libi si skllevër appeared first on Mesazhi.com.

Hoxha: S’ka sundim të ligjit pa respektim të të drejtave pronësore

Posted: 11 Apr 2017 05:49 AM PDT

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha sot ka vizituar Universitetin e Mitrovicës "Isa Boletini"ku u prit nga Rektori i këtij Universiteti, Alush Musaj.

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Hoxha mbajti një ligjëratë me studentët e drejtësisë të këtij Universiteti, me ç 'rast theksoi se mbetet e përkushtuar në avancimin e sistemit juridik, me theks të veçantë në fuqizimin e sundimit të ligjit.

"Sundimi i ligjit nuk fuqizohet vetëm nga institucionet, por nga të gjithë qytetarët dhe nga ju student. Ju jeni ata, të cilët qysh gjatë studimeve, njoftoheni për së afërmi me ligjin dhe të drejtën, me hierarkinë e normave juridike dhe konceptin e të drejtës pozitive, por më e rëndësishmja është që qysh në këtë fazë të  pranoni dhe kuptoni se askush dhe asgjë nuk mund dhe nuk duhet të jetë mbi ligjin", tha Ministrja Hoxha.

Sundimi i ligjit, para se gjithash, shtoi Ministrja Hoxha, nënkupton barazi para ligjit dhe ne nuk mund të themi se kemi arritur këtë synim përderisa të gjithë qytetarët nuk do të jenë të barabartë para ligjit.

Gjatë ligjëratës së mbajtur, Ministrja Hoxha theksoi rëndësinë e të drejtave pronësore duke vlerësuar se kjo e drejtë do të jetë efikase vetëm atëherë kur qytetarët i kanë të garantuara të drejtat e tyre pronësore dhe me lehtësi i gëzojnë ato në praktikë.

"Ju tashmë e dini se të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të drejtat pronësore në veçanti, kanë veprim erga omnes, andaj le ta respektojmë të gjithë këtë parim, le ta inkurajojmë dhe ndihmojmë njëri tjetrin që t'i realizojmë këto të drejta. Vetëm kështu mund t'i dëshmojmë të gjithëve se populli ynë ka përqafuar vlerat dhe parimet demokratike", tha Ministrja Hoxha.

Në anën tjetër, Rektori Musaj ka falënderuar Ministren Hoxha për vizitën dhe ligjëratën e mbajtur me studentët, të cilët janë pasqyrë e arsimit superior, me përkushtim dhe motivim për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe të arsimit juridik, i cili bazohet në vlera evropiane.

Në fund të takimit, Ministrja Hoxha falënderoi Rektorin Musaj dhe studentët e këtij fakulteti duke shprehur gatishmërinë dhe përkrahjen për studentët, të cilët do të kenë për qëllim avancimin e mëtejmë të këtij Institucioni.

The post Hoxha: S'ka sundim të ligjit pa respektim të të drejtave pronësore appeared first on Mesazhi.com.

Berisha: Arbana Xharra dhe Alma Lama i kanë bërë dëme Kosovës me pasqyrimin e radikalizimit fetar

Posted: 11 Apr 2017 05:14 AM PDT

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Anton Berisha, ka reaguar lidhur me kërcënimin që iu bë gazetares Arbana Xhara, të cilës iu vizatuan kryqe në muret e parkingut dhe hyrjes në banesën e saj.

Ai dënoi këtë veprim, ndërsa reagimin për kërcënimin me jetë e quajti joproporcional, shkruan Periskopi.

Në profilin e tij në rrjetin social "Facebook", Berisha ka shkruar se diplomatja Alma Lama dhe gazetarja Arbana Xharra, janë marrë me temën e radikalizimit fetar dhe e kanë sforcuar këtë temë përtej realitetit.

Sipas tij, përveç protagonizmit personal, ato nuk kanë dhënë ndonjë kontribut të dobishëm, shkruan Periskopi.

Lexoni të plotë reagimin e tij:

RADIKALIZMI FETAR, NJE TEMË E TEPRUAR!

Natyrshem, edhe une i bashkohem te gjithe atyre qe denuan veprimin e vizatimit te kryqeve ne banesen e gazetares Arbana Xharra. Çdo veprim qe aktivitetin publik e zhvendos ne privat, e aq me pare ne hapesiren ku jetojne edhe femijet, meriton denimin me te ashper te shoqerise dhe eshte detyre e te gjitheve per te kontribuar ne gjetjen dhe denimin e autoreve.

Megjithate, reagimi per kercnimin me jete ne kete rast me eshte dukur joproporcional.

Alma Lama, tash diplomate dhe Arbana Xharra, gazetare – jane marre me temen e radikalizmit fetar dhe ne mendimin tim e kane sforcuar kete teme pertej realitetit.

Ato, te dyjat, me shume e shndrruan temen ne 'sakrifikimin' e hjekjeve te tyre se sa nje fenomen shoqeror dhe ne fakt nuk eshte qe kane dhene nje kontribut te dobishem perveç protagonizmit personal.

Ato, sikur krijuan pershtypjen se radikalizmi fetar ne Kosove, qe nenkuptueshem eshte fjala per shqiptaret, eshte aq i shprehur dhe agresiv saqe ketu nuk mund te jetohet- e qe mendoj une, i kane bere dem Kosoves me nje pasqyrim te tille.

Shteti i Kosoves, ne konsolidimin e vet, ka problemet e veta, sidomos te ndikimeve nga jashte qe edhe jane reflektuar edhe ne paraqitjen e rrymave me radikale te islamit; por ne pergjithesi gjendja nuk eshte as perafersisht aq alarmante.

Shqiptaret, te besimit myslimane, katolike por edhe te bindjeve te tjera, ne teresine e vet nuk eshte qe kane spikatur aq fetaren dhe pasqyra e pergjithshme e menyres se jetes dhe te raporteve nderfetare eshte qytetare, europiane dhe civilizuese.

Ne, thjeshte jetojme perdite, pa e hetuar kete dallim dhe nuk kemi pse ta bejme teme qendrore. Siç thote populli, mos ta bejme mizen buall!

The post Berisha: Arbana Xharra dhe Alma Lama i kanë bërë dëme Kosovës me pasqyrimin e radikalizimit fetar appeared first on Mesazhi.com.

Tahiri: Ushtria kurrë nuk do të jetë pjesë e dialogut në Bruksel

Posted: 11 Apr 2017 03:23 AM PDT

Ushtria e Kosovës nuk do të jenë pjesë e dialogut me Serbinë në asnjë rrethanë. Kështu ka thënë ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Të shtunën deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi duke komentuar vendimin e presidentit Thaçi që projektligji për shndërrimin e FSK-së, të mos futet për një kohë në rend dite të Kuvendit, ka thënë se e tërë kjo nismë, është bërë që çështja e Ushtrisë të shtrohet në tryezën e bisedimeve në Bruksel

Por, Tahiri të martën në një prononcim për lajmi.net ka thënë se Ushtria e Kosovës është çështje e sovraniteti shtetëror të Kosovës dhe një gjë e tillë kurrë nuk do të jetë pjese e negociatave në Bruksel, sikur që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e dialogut asetet shtetërore, shkruan lajmi.net.

"Një çështje e tillë kurrë, asnjëherë, në asnjë rrethanë nuk do shtrohet në dialogun e Brukselit. Ushtria është çështje e sovranitet shtetëror të Republikës së Kosovës dhe ne kemi bërë tq qartë qëndrimin që Ushtria do të bëhet dhe do të bëhet në bashkëpunim me partneret tanë strategjik siç është SHBA-ja dhe partnerët tjerë, ndërsa dialogu nuk merret më këtë çështje, jo vetëm për Ushtrinë por ne asnjëherë nuk kemi pranuar që për asetet shtetërore të diskutohet në Bruksel", ka thënë Tahiri për lajmi.net.

Sa i përket vazhdimit të dialogut Tahiri ka thënë se janë duke respektuar rezolutën e Kuvendit, e cila parasheh pezullimin e dialogut deri në limimin e Ramush Haradinajt i cili sipas Tahirti, po mbahet padrejtësisht në Francë.

Kuvendi i Kosovës më 9 mars ka miratuar një rezolutë e cila ka kërkuar që dialogu me Serbinë të pezullohet deri në lirimin e Ramush Haradinaj, i cili është arrestuar më 4 janar nga autoritetet franceze nga një fletëarrest i lëshuar nga Serbia, me anë të të cilit ai akuzohet se ka kryer krime lufte ndaj qytetarëve serbë. /

The post Tahiri: Ushtria kurrë nuk do të jetë pjesë e dialogut në Bruksel appeared first on Mesazhi.com.

Juventus – Barcelona, formacionet e skuadrave

Posted: 11 Apr 2017 02:19 AM PDT

Juventus dhe Barcelona takohen sonte në Ligën e Kampionëve. Këto janë formacionet e mundshme të skuadrave.

The post Juventus – Barcelona, formacionet e skuadrave appeared first on Mesazhi.com.

Nisma pritet të takohet me AAK-në dhe VV, koordinohen për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë

Posted: 11 Apr 2017 02:04 AM PDT

Nisma për Kosovën gjatë ditës pritet të mbajë takime me shefat e grupeve parlamentare të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, për t'i harmonizuar qëndrimet dhe veprimet e mëtutjeshme lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Deputeti i Nismës, Enver Hoti në një prononcim për Telegrafin tha se janë në konsultim me opozitën dhe besojnë se iniciativa e tyre do të jetë e suksesshme.

"Jemi në konsultim të ngushtë me opozitën dhe sot do të kemi takime me shefat e grupeve parlamentar të AAK-së dhe LVV-së. Do të harmonizojmë qëndrimet dhe veprimet e mëtutjeshme", ka thënë Hoti.

Ai tha se sot do të bisedojnë edhe me deputetët tjerë për t'i bindur në dhënien e nënshkrimit të tyre.

"Jam plotësisht optimist që do t'i mbledhim këto nënshkrime për inicimin e mocionit të mosbesimit pasi shumë deputetë mendojnë që vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme", deklaroi Hoti për Telegrafin.

The post Nisma pritet të takohet me AAK-në dhe VV, koordinohen për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë appeared first on Mesazhi.com.

Fëmijët refugjatë janë të rrezikuar në Ballkan

Posted: 11 Apr 2017 01:56 AM PDT

Është vlerësuar se rreth 1300 fëmijë refugjatë dhe migrantë në Ballkan janë në rrezik ndaj shfrytëzimit, dhunës dhe trafikimit.

Kjo për shkak të politika gjithnjë e më kufizuese të kontrollit kufitar dhe reagimit joadekuat të sistemeve mbrojtëse sociale në shtete përgjatë rrugëve ballkanike, transmeton lajmi.net

Ky është përfundimi i raporteve të publikuara nga organizatat ndërkombëtare International Rescue Committe dhe Save the Children, të cilat punojnë për të ndihmuar refugjatët dhe migrantët.

"Sistemet e mbrojtjes sociale shpesh dështojnë për të identifikuar dhe për të mbrojtur këta fëmijë, në mesin e të cilëve ka vetëm 9 vjeçar që ikin nga lufta, kalojnë mijëra kilometra pa prind dhe pa kujdestar. Këta fëmijë janë shpesh të padukshëm dhe vendosen në kushte të papërshtatshme", thuhet në deklaratën e këtyre organizatave.

Rreziqet për fëmijët që udhëtojnë në këtë mënyrë janë rritur më tej, një vit pas zbatimit të marrëveshjes mes BE-së dhe Turqisë për mbylljen e kufijve të rrugëve ballkanike. Për shkak të këtyre masave kufizuese, fëmijët mbeten në duart e trafikantëve, të cilët i shohin si rruga e vetme për të vazhduar rrugën.

Sipas raportit, fëmijët detyrohen të punojnë për këta trafikantë dhe kontrabandistë që të mund të vazhdojnë rrugën për ku edhe janë nisur.

Në këto rrethana fëmijët e lënë pas dore janë të ekspozuar ndaj stresit dhe rreziqeve tjera.

"Fëmijët kanë nevojë për mbështetje të plotë që të arrijnë të plotësojnë nevojat e tyre. Mënyra që ata ta bëjnë këtë në Bashkimin Evropian është pothuajse inekzistente. Shumë fëmijë mbesin jashtë sistemit formal, dhe për këtë nuk marrin ndihmë nga organizatat humanitare dhe pastaj e gjejnë veten në shënjestër të trafikantëve nga të cilët manipulohen me kërcënime dhe shfrytëezim", thote Jelene Besediq nga Save the Children.

Ajo gjithashtu ka deklaruar se gjatë rrugës ata nuk kanë kurrfarë strehimi dhe janë të pashoqëruar. Shpesh ndodhë që ata duhet të vendosen në qendra me refugjatët që nuk dihet se a është banesë apo një qendër paraburgimi si në Bullgari po Hungari.

"Çdo fëmijë duhet të marrë gjithë ndihmën dhe mbrojtjen e nevojshme. Ne duhet të sigurohemi që qeveritë të bëjnë më shumë që këta fëmijë të jenë më të sigurtë. Bashkimi Evropian dhe shtete anëtare duhet të përmbushin detyrimet që kanë marrë përsipër, dhe tu përgjgijen në mënyrën adekuate nevojave të këtyre fëmijëve", ka thënë Ashley Lovett nga IRC.

Mbi 13 organizata ndërkombëtare janë duke u marrë me trajtimin që u bëhet fëmjiëve refugjtë nëpër Evropë dhe Ballkan.

The post Fëmijët refugjatë janë të rrezikuar në Ballkan appeared first on Mesazhi.com.