INSAJDERI: “Komuna e Pejës shpenzon afro 4 mijë euro për mirëmbajtjen e lapidarit pa u bërë ende një vit” plus 19 more |
- Komuna e Pejës shpenzon afro 4 mijë euro për mirëmbajtjen e lapidarit pa u bërë ende një vit
- Brazili rikthehet në majën e botës pas 7 vitesh
- Amerika i bënë thirrje Rusisë të mendojë lidhjet me Assadin pas sulmit të “tmerrshëm”
- Burrat në Holandë kapen për dore kundër homofobisë
- Merret vendimi i shumëpritur për heqjen e roaming në Evropë
- Pas dy muajsh heshtje një dëshmitar i rëndësishëm vendos të flas për grabitjen në Rinas
- Të dhënat personale të pasigurta në telefonat “Android”
- Historia e çiftit polak që shpëtoi 300 hebrenj duke i fshehur në një kopsht zoologjik
- Senati amerikan në prag të një momenti historik
- Komunës së Prishtinës i anulohet tenderi nën dyshimet për manipulim çmimesh
- Kryesuesi i Inteligjencës tërhiqet nga hetimi për Rusinë
- Arrestohet personi që kanosi prokurorin
- OSHP kthen në ri-tenderim tenderin që kuvendi anuloi për çmimin e lartë të omletëve e hamburgerëve
- Kujdes nga mashtruesit e agjencive turistike (Video)
- Shtyhet sërish vendimi për Haradinajn
- ATK publikon listën e kompanive që lirohen nga TVSH
- Hedhet poshtë neni që diskriminon veteranët që jetojnë jashtë Kosovës
- Miku amerikan i shqiptarëve kërkon që mos ndryshohet qasja ndaj Rusisë
- Kushtetuesja hodhi poshtë kërkesën e Fakultetit të Edukatës Fizike
- Kryeministri paralajmëron riprocedim të demarkacionit gjatë këtij muaji
| Komuna e Pejës shpenzon afro 4 mijë euro për mirëmbajtjen e lapidarit pa u bërë ende një vit Posted: 06 Apr 2017 09:48 AM PDT Komuna e Pejës ka vendosur që lapidarin e dëshmorit "Qerim Muriqi" ta zhvendosë nga vendi ku është tash në hyrje të qytetit të Pejës. Të enjten kjo komunë e ka shpallur fitues kompaninë "Tosui-V" për zhvendosjen e Lapidarit të dëshmorit "Qerim Muriqi" dhe rregullimi i infrastrukturës për rreth Lapidarit në lagjen Kristal në Pejë. Për këtë do të shpenzohen fiks 3 mijë e 875 euro, pa u bërë hiq më pak sesa një vit që kur Komuna e Pejës përmes një vendimi miratoi kërkesën e familjarëve të dëshmorit për ndërtimin e një lapidari. Me një vendim të datës 28 qershor të vitit 2016, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxherri, kishte aprovuar kërkesën e familjes së dëshmorit Qerim Muriqi për ngritjen e lapidarit të dëshmorit të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Madje kryetari Muhaxheri kishte lejuar mjete financiare në shumë prej 5 mijë e 160 euro nga mjetet e buxhetit komunal, duke e obliguar shërbimin e prokurimit në këtë komunë që të fillojnë procedurën e nevojshme për shpallen e tenderit për ndërtimin e këtij lapidari. Ani pse mungojnë lajmet nëse ky lapidar është përuruar ndonjëherë Komuna tashmë ka marrë vendim që ta zhvendosë atë. Qerim Muriqi u vra me 18.03.1998 në Pejë./Insajderi.com
The post Komuna e Pejës shpenzon afro 4 mijë euro për mirëmbajtjen e lapidarit pa u bërë ende një vit appeared first on INSAJDERI. |
| Brazili rikthehet në majën e botës pas 7 vitesh Posted: 06 Apr 2017 09:05 AM PDT Një ecuri mbresëlënëse nën drejtimin e Tite ka bërë që Brazili të rimarrë vendin e parë të renditjes së FIFA-s për të parën herë pas shtatë viteve. Katër nga pesë skuadrat më të mira në renditje janë nga Amerika e Jugut. Pesë herë kampionët e botës kanë shijuar një ringjallje fantastike që kur Tite zëvendësoi Dunga-n në stolin e Selecao-s vitin e kaluar, duke fituar të gjitha ndeshje zyrtare që janë luajtur nën drejtimin e tij, një miqësore dhe tetë kualifikuese për Kupën e Botës. Fitoret e fundit të brazilianëve erdhën muajin e kaluar kur ata mundën 4:1 Uruguain dhe 3:0 Paraguain. Këto dy fitore bënë që Brazili të jetë ekipi i parë që kualifikohet për në Kupën e Botës megjithëse kanë mbetur edhe katër ndeshje. Një tjetër lajm i mirë për tifozët e Brazilit është se zëvendësuan pikërisht rivalët e Argjentinës në vendin e parë. Një pozicion që Brazili nuk e kishte mbajtur që prej vitit 2010. Gjermania është i vetmi ekip evropian që renditet mes pesë më të mirëve, ndërsa dy ekipet e tjera janë Kili dhe Kolumbia. The post Brazili rikthehet në majën e botës pas 7 vitesh appeared first on INSAJDERI. |
| Amerika i bënë thirrje Rusisë të mendojë lidhjet me Assadin pas sulmit të “tmerrshëm” Posted: 06 Apr 2017 08:50 AM PDT Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i ka bërë thirrje Rusisë që të mendojë përsëri për raportet e saj me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, pas sulmit të qartë kimik, për të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar qeverinë e Assadit. "Nuk ka dyshim në mendjen time se regjimi sirian, nën udhëheqjen e Bashar al-Assadit, është përgjegjës për këtë sulm të tmerrshëm. Ne mendojmë se është koha që rusët realisht duhet të mendojnë me kujdes për mbështetjen e vazhdueshme të tyre për regjimin e Assadit", u tha mbrëmë gazetarëve në Uashington, Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson. Këto komente u bënë në periudhën e rritjes së tmerrit ndërkombëtar lidhur me sulmin nga i cili u vranë së paku 72 vetë në provincën Idlib në Siri para dy ditësh, dhe në ditën e njëjtë kur Departamenti i Shtetit shpalli se Tillerson do ta vizitojë Rusinë më 12 prill, që është turneu i parë në këtë vend i diplomatit më të lartë amerikan, pas inaugurimit të presidentit, Donald Trump, më 20 janar. Rusia i ka dhënë Assadit ndihmë madhore diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës gjashtëvjeçare, që pat filluar me goditjen e dhunshme kundër protestuesve që kërkonin demokraci. Nga kjo luftë deri tash janë vrarë më se 300 mijë njerëz. Presidenti Donald Trump tha se qeveria e Assadit ka lëvizur përtej "vijës së kuqe" me këtë sulm, që sipas tij është "i papranueshëm". I pyetur nga gazetarët se a ka ndryshuar qëndrimi i tij lidhur me Sirinë, zoti Trump theksoi: "Është shumë e mundshme dhe do t'ju them se tashmë po ndodhë, që qasja ime ndaj Sirisë dhe Assadit ka ndryshuar shumë", tha Donald Trump. Në komentet e tij për Sirinë, presidenti Trump nuk e ka përmendur Rusinë, por sekretari Tillerson është njëri prej zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, që e ka kritikuar Moskën lidhur me sulmin në Siri. Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, tha se "të gjitha dëshmitë tregojnë" se qeveria e Sirisë ka dorë në sulm dhe i ka bërë thirrje Rusisë që ta respektojë marrëveshjen e nënshkruar për të ndihmuar në eliminimin e armatimit kimik në Siri. Zoti Pence, për sulmin kimik para dy ditësh në Siri, pjesërisht e ka fajësuar administratën e ish-presidentit, Barack Obama, duke thënë se ajo kishte dështuar ta mbajë përgjegjëse Rusinë dhe Sirinë për ndalesën e armatimit kimik, që Assadi e ka nënshkruar në vitin 2013. Në një intervistë për rrjetin Fox News, Pence tha se është koha që Moska ta "mbajë fjalën e vet për ta parë eliminimin e armatimit kimik, në mënyrë që ky armatim më të mos jetë kërcënim për popullin në këtë vend". Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se "Assadi nuk do t'i ndalë sulmet kimike derisa Rusia e mbronë atë". "Ne e dimë se nëse nuk bëhet asgjë, këto sulme do të vazhdojnë. Assadi nuk ka arsye për të mos përdorë armatim kimik, derisa Rusia vazhdon ta mbrojë regjimin e tij nga pasojat", tha Nikki Haley.
The post Amerika i bënë thirrje Rusisë të mendojë lidhjet me Assadin pas sulmit të "tmerrshëm" appeared first on INSAJDERI. |
| Burrat në Holandë kapen për dore kundër homofobisë Posted: 06 Apr 2017 08:45 AM PDT Shumë burra në Holandë kanë zgjedhur t'i bashkohen një fushate kundër homofobisë, duke dalë nëpër rrugë të kapur për dore. Trendi mori udhë nga sulmi i dy homoseksualëve në një vend publik të dielën. Pamje dhe foto të meshkujve që kapen nga dora me njëri-tjetrin po shpërndahen nëpër rrjetet sociale me hashtagun "të gjithë meshkujt dorë për dore". Nismës i janë bashkuar politikanë, persona të famshëm, futbollistë e punonjës të thjeshtë, si në Holandë, ashtu edhe jashtë saj. Moderatori danez Mikael Bertelsen ishte njëri prej emrave më të fundit që u bë pjesë e fushatës në Instagram. 35-vjeçari Jasper Vernes-Seëratan dhe Ronnie Seëratan-Vernes, 31, u sulmuan mëngjesin e së dielës në një rrugë të Arnhemit. Rasti i tyre u pasqyrua gjerësisht në media e u trajtua edhe në "talk show"-n holandez "Pauw" në fillim të javës. Arsyeja që nxiti agresionin ishte pikërisht fakti që Jasper dhe Ronie po ecnin të kapur për dore. Sulme ndaj çifteve gay me sfond të qartë orientimin e tyre seksual, janë raportuar gjatë fundjavës edhe në Amsterdam e Eindhoven. The post Burrat në Holandë kapen për dore kundër homofobisë appeared first on INSAJDERI. |
| Merret vendimi i shumëpritur për heqjen e roaming në Evropë Posted: 06 Apr 2017 08:43 AM PDT Parlamenti Europian ka miratuar hapin e fundit drejt heqjes totale të shpenzimeve të Roaming. Marrëveshja formale është arritur mes Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit Europan që në shkurt mbi çmimet e shitjes me shumicë që operatorët aplikojnë mes tyre për të ofruar shërbimin roaming. Marrëveshja është aprovuar me 549 vota pro, 27 kundër dhe 50 abstenime. Kjo ishte pengesa e fundit për të ndaluar kostot shtesë kur del jashtë shtetit, që do të hyjë në fuqi më 15 qershor. Konsumatorët mund të telefonojnë, dërgojnë mesazhe dhe të përdorin të dhënat e rrjetit teksa ndodhen në shtete të tjera të BE-së pa paguar tarifa shtesë. The post Merret vendimi i shumëpritur për heqjen e roaming në Evropë appeared first on INSAJDERI. |
| Pas dy muajsh heshtje një dëshmitar i rëndësishëm vendos të flas për grabitjen në Rinas Posted: 06 Apr 2017 08:36 AM PDT Pasi ka heshtur për dy muaj duke mohuar përfshirjen në grabitjen e 3.2 milionë dollarëve, ish-komandoja Ditjon Memlika ka ndryshuar mendim dhe ka vendosur të tregojë shokët. Në këtë mënyrë, ai ka fituar statusin e dëshmitarit të drejtësisë në dosjen e Rinasit, çështje për të cilën ka marrë gjithashtu statusin e të penduarit edhe i arrestuari tjetër, Admir Çerpja. Me dy të penduar në dosjen e 3.2 milionë dollarëve, një pjesë e papërfillshme e të cilave u gjet e groposur në tenxhere, prokurorët po tentojnë të faktojnë rolin e secilit prej 7 të dyshuarve në grup. Por ish-komandoja Memlika në grabitjen e Rinasit ka pohuar se e kishin angazhuar si informator së bashku me Fatjon Xhyliun, për të sinjalizuar transportin e valutës sapo të dilnin nga banka. Aktualisht për këtë grup janë në kërkim edhe dy persona të tjerë të konsideruar me role kryesore në grup, Admir Murataj dhe Klement Çala. Dhe ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda po përpiqet të zbardhë se çfarë grabitjesh të tjera janë realizuar nga grupi, Prokuroria e Tiranës e mbylli dosjen dhe dërgoi si të pandehur në gjykatë 6 policë privatë të cilët do të gjykohen për shpërdorim detyre./TCH The post Pas dy muajsh heshtje një dëshmitar i rëndësishëm vendos të flas për grabitjen në Rinas appeared first on INSAJDERI. |
| Të dhënat personale të pasigurta në telefonat “Android” Posted: 06 Apr 2017 08:24 AM PDT Aplikacionet e telefonave inteligjentë, Android përdorin dhe shkëmbejnë dhënat personale të përdoruesve, thuhet në një studim të ri të realizuar nga Universiteti Virginia Tech. Ky është studimi i parë për “komunikimin mes aplikacioneve dhe tregtisë së informacionit”. Studiuesit thonë se ka dy lloje kërcënimesh: viruset e llojit "malware" dhe aplikacionet të cilat përdorin bashkëpunimin mes tyre për të mbledhur të dhënat personale të përdoruesve. Në lidhje më këtë të fundi, ata thonë se nuk janë të sigurtë nëse kjo është bërë qëllimisht nga krijuesit e aplikacioneve. Studimi përshkruan një skenar të rrjedhjes së informacionit, duke thënë, për shembull, se një aplikacion që shërben si elektrik dore mund të punojë me një aplikacion tjetër për të zbuluar informacione të përdoruesit, si listën e kontakteve apo vendndodhjen. Ekipi i studiuesve në më shumë se tre vjet ka analizuar mbi 100.000 aplikacione nga Google Play, si dhe rreth 10.000 aplikacione të prekura nga viruse të llojit "malware"./VOA The post Të dhënat personale të pasigurta në telefonat “Android” appeared first on INSAJDERI. |
| Historia e çiftit polak që shpëtoi 300 hebrenj duke i fshehur në një kopsht zoologjik Posted: 06 Apr 2017 08:19 AM PDT Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kopshti Zoologjik i Varshavës në kryeqytetin e Polonisë, u bë një strehë për hebrenjtë e fshehur nga persekutimi nazist. Filmi i Niki Caros, "Zookeeper's Wife", paraqet në mënyrë kronologjike këtë histori të vërtetë, duke theksuar guximin dhe dhembshurinë e veterinerëve Jan dhe Antonina Zabinski, një çift që rrezikuan jetën e tyre dhe jetën e djalit të tyre, për të mbrojtur ata që ishin në rrezik. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou njofton. Jeta idilike e Antonina dhe Jan Zabinskit, pronarë të Kopshtit Zoologjik të Varshavës, ndryshon papritur kur nazistët pushtojnë Poloninë në vitin 1939. Djali i tyre, Ryszard, interpretohet nga aktori nga Kosova, Val Maloku, i cili ka interpretuar edhe tek filmi "Babai". Gjatë një sulmi ajror nazist, shumica e kafshëve të tyre vriten dhe ata që mbijetojnë përballen me një të ardhme të pasigurtë. "Duhet të më besosh. Mund t'i marr kafshët e tua si trofe lufte në Gjermani. Mund t'i strehojmë aty", thotë në film oficeri nazist Lutz Heck. I orientuar nga lakmia dhe epshi, Lutz Heck, një oficer nazist, luajtur nga Daniel Bruhl, ofron ndihmën e tij për Antoninën. Skenaristja Angela Workman thotë se Lutz ishte një figurë historike: "Ai ishte shefi zoolog i Hitlerit. Familja e tij kam përshtypjen se ende shumëzon bagëti dhe cdo gjë që themi për të në film është e vërtetë. Ai ka ndjenja për Antoninën. Ai mund të hynte kur të donte. I kontrollonte ata. Kishte shumë instikte të forta dhe mendoj se ishte si gjahtar në një farë mënyre. ” Megjithëse e frikësuar nga Heck, Antonina Zabinski manipulon ndjenjat e tij dhe e bind ta lërë atë dhe të shoqin ta mbajnë kopshtin zoologjik hapur, duke operuar si një fermë derrash për trupat naziste. Nën hundën e Heck-ut, ata strehojnë hebrenj nga getot e Varshavës dhe i fshehin në tunele dhe kafazë të nëndheshëm për kafshët gjatë gjithë luftës. Jessica Chastain e përshkruan Antoninën si të kujdesshme, si me kafshët ashtu edhe me njerëzit. Filmi The Zookeeper's Wife tregon historinë e Holokaustit nga prespektiva e një gruaje, thotë regjisorja Niki Caro, e cila punoi me një grup të madh artistësh. "Feminiliteti ka qënë shpesh i barazuar me dobësi. Por, një personazh si Antonina na tregon se mund t'i kesh të dyja, edhe të jesh e butë edhe e fortë", thotë ajo. Antonina Zabinski shpëtoi jetët e gati 300 hebrenjëve, duke përdorur kopshtin e saj si një stacion. Gjatë ditës ata fshiheshin në qilarin e kopshtit ndërsa natën dilnin sapo e dëgjonin atë të fillonte t'i binte pianos. Ishte shenja e saj se nazistët ishin larguar. Në një shfaqje të filmit në muzeun e Holokaustit, në Washington, DC, skenaristja Angela Workman tha se megjithëse ishte bazuar tek romani i shkrimtares Diane Ackerman, ajo kishte marrë shkas edhe nga historia e familjes së saj. "Jam shumë e emocionuar që ndodhem në këtë muze, sepse kalova shumë kohë këtu ndërsa shkruaja skenarin. Më duket sikur shoh fytyrat e anëtarëve të familjes sime në muret e muzeut. Jam e nderuar që ndodhem këtu. Mendoj se filmi është shumë i bukur", i tha skenaristja Zërit të Amerikës. Edhe Jessica Chastain ishte shumë e prekur nga atmosfera solemne e muzeut. Ajo tha se filmi dërgon një mesazh për krizën e sotme të refugjatëve. "Pa dyshim. U trondita kur mësova se familjes së Ana Frank-ut i ishte mohuar dy herë viza për në Shtetet e Bashkuara. Antonina ishte refugjate. Ajo ishte lindur dhe rritur në Rusi dhe gjeti strehë në Varshavë dhe aty krijoi një strehë edhe për të tjerët. Shpresoj që njerëzit ta shohin filmin dhe të frymëzohen nga ndjeshmëria dhe mirësia e saj dhe të bëjnë gjithçka për të ndihmuar të tjerët", thotë Jessica. The post Historia e çiftit polak që shpëtoi 300 hebrenj duke i fshehur në një kopsht zoologjik appeared first on INSAJDERI. |
| Senati amerikan në prag të një momenti historik Posted: 06 Apr 2017 08:16 AM PDT Senati amerikan, që është duke shqyrtuar kandidaturën për vendin bosh në Gjykatën e Lartë, pritet të bëjë një ndryshim historik të rregullave të votimit të enjten, ndërsa senatorë të të dyja partive paralajmërojnë se kjo do të shoqërohet me rreziqe që mund ta ndryshojnë institucionin. Republikanët pritet të përdorin shumicën e tyre për të ndryshuar rregullat në Senat, në mënyrë që të eliminojnë procedurën e bllokimit të votimit (të njohur si 'filibuster') për kandidaturën për në Gjykatën e Lartë, një lëvizje draastike që quhet "opsioni bërthamor", pasi eliminon të drejtat e partisë pakicë në kongres. "Jemi në një moment delikat" tha senatori republikan John McCain, ndërsa partia e tij përgatitet të ndryshojë rregullat e senatit dhe të ndalojë demokratët të bllokojnë kandidatin e Presidentit Donald Trump për në Gjykatën e Lartë, gjykatësin Neil Gorsuch. "Kam frikë se një ditë do të pendohemi për atë që jemi gati të bëjmë tani", tha senatori McCain Bllokimi i votimit të zotit Gorsuch dhe ndryshimi i rregullave është diçka që senatorët e asnjërës parti nuk e duan. Por demokratët këmbëngulin se ata nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të kërkojnë një shumicë prej tre të pestash për të miratuar kandidatin e Gjykatës së Lartë për vendin e mbetur bosh nga vdekja e gjykatësit Antonin Scalia vitin e kaluar, meqë republikanët nuk e lejuan presidentin Barack Obama ta plotësonte atë. "Për herë të parë në histori, po shqyrtojmë një kandidat për një vend të vjedhur të Gjykatës së Lartë, dhe vetëm kjo mund të jetë një arsye e fortë për gjithkënd që e vlerëson këtë institucion, të refuzojë këtë kandidaturë", tha senatori demokrat Jeff Merkley nga Oregoni në fund të një fjalimi prej 15 orësh në kongres. "Ne nuk duhet të shqyrtojmë një kandidat nga një president që është nën hetim për konspiracion me Rusinë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve", shtoi ai. Nuk ishin vetëm demokratët që përdorën një retorikë të ashpër. Republikanët nga ana e tyre, i akuzuan demokratët për krijimin e pengesave të pakuptimta. . "Duket se shumë demokratë vendosën kohë më parë të kundërshtojnë këdo që do të emëronte presidenti", tha kryetari i shumicës në senat, Mitch McConnell, republikan nga Kentaki. "Demokratët do të bllokonin edhe gjykatësen liberale Ruth Bader Ginsburg në se ajo do të emërohej nga presidenti Trump dhe ne e dimë arsyen. Demokratët po përulen ndaj interesave të së majtës që nuk po kapërdinë dot rezultatin e zgjedhjeve dhe po kërkon kundërshtim të plotë të çdo gjëje që bën presidenti." Në se republikanët shkojnë me "opsionin bërthamor," zoti Gorsuch do të miratohet me një shumicë të thjeshtë votash. "Gorsuch do të konfirmohet si anëtar i ardhshëm i Gjykatës së Lartë", parashikon senatori republikan John Cornyn nga Teksasi. "Por është në dorën e miqve tanë demokratë të përcaktojnë sesi do të ndodh kjo." "Shpresoj që demokratët ta rivlerësojnë qëndirmin e tyre para votimit të rëndësishëm që do të ndodhë të enjten" tha zoti McConnell. "Shpresoj që ata do të shqyrtojnë domethënien e veprimeve të tyre për të ardhmen e këtij institucioni dhe më gjerë." Kur demokratët kishin shumicën në Senat në vitin 2013, ata i ndryshuan rregullat e votimit duke eleminuar procedurën e bllokimit për kandidatët për degën ekzekutive dhe për emërimet në sistemin e drejtësisë, me përjashtim të Gjykatës së Lartë. Demokratët thonë se ka dallim mes veprimit të tyre dhe asaj që po premtojnë të bëjnë republikanët. "Anëtarët e kabinetit shkojnë e vijnë. Anëtarët e Gjykatës së Lartë mbeten," tha senatori demokrat Brian Schatz nga Havai. "Kabineti i kësaj administrate është si një takim dashurie, takim i keq dashurie, por të paktën do t'i vijë fundi. Një gjykatës i Gjykatës së Lartë nga ana tjetër është i përhershëm. Është si martesa. Një emërim i përjetshëm". "Pa këtë procedure bllokimi ['filibuster'], në se je anëtar i partisë në pakicë, të emëruarit e presidentit nuk kanë përse të të dëgjojnë, përse të takohen me ty, apo të kenë parasysh mendimet e tua (të senatorëve të pakicës). Pa këtë rregull, këshilla dhe konsensusi është i pakuptimtë për secilën parti që nuk është në pushtet," shton zoti Schatz. Në vitin 2005, senatori McCain ishte pjesë e një grupi dypartiak senatorësh, që punuan për të shmangur procedurën e bllokimit të votimit, 'filibuster', për kandidatët e sistemit të drejtësisë të emëruar nga presidenti i atëhershëm George W. Bush. Grupi ia doli me sukses dhe opsioni bërthamor (ndryshmi i rregullave të votimit në Senat) u shmang. Duke folur në Senat të mërkurën, zoti McCain shprehu keqardhje që asnjë përpjekje e tillë nuk u bë këtë javë. "Kam patur biseda me kolegë nga të dyja palët për një përpjekje që përsëri të hapte rrugën për të shmangur si procedurën e bllokimit të votimit për gjykatësin Gorsuch edhe opsionin bërthamor," tha zoti McCain. "Fatkeqësisht … këto përpjekje kanë dështuar. "Kolegët e mi duhet ta kuptojnë se ky është një moment historik. Ajo që presim të ndodhë, do të ketë pasoja të jashtëzakonshme," shtoi senatori nga Arizona. Ndryshimi i rregullave për t'i dhënë fund bllokimit të votimit të gjykatësit do të hapë rrugën për konfirmimin e tij të premten./VOA The post Senati amerikan në prag të një momenti historik appeared first on INSAJDERI. |
| Komunës së Prishtinës i anulohet tenderi nën dyshimet për manipulim çmimesh Posted: 06 Apr 2017 08:13 AM PDT Komunës së Prishtinës i është anuluar një tender i dhënë për furnizimin me artikuj ushqimorë për nevojat e kuzhinës së institucioneve parashkollore në Prishtinë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Organi Shqyrtues i prokurimit, ka vendosur që ky tender të kthehet në ri vlerësim me qëllim të vërtetimit të çmimeve të ofruara nga të gjithë operatorët ekonomik pasi që siç pretendon kompania ankuese çmimet nuk janë të bazuara në çmimet në treg. Kompania "Hajdini Comerc" Gllogoc me 16 shkurt kishte bërë kërkesë për rishqyrtim tek Komuna e Prishtinës, ndaj operatorit OE "Neë Line&Bajraraktari, pasi që sipas kësaj kompanisë çmimet që janë dhënë në këtë kontratë nuk përputhen me çmimet e tregut. Ndërsa me 24 shkurt të këtij vitit kompania "Hajdini Comerc", bënë ankesë edhe në OSHP, i cili më pastaj vendos që ky tender të ri kthehet edhe një herët në ri vlerësim. "Ne kemi parashtruar ankesë lidhur me çmime jo normalist të ulëta, dhe pikë tjetër është mishi i freskët. Ka edhe pika tjera për çmime me 1 cent etj, mirëpo mishi i freskët është dhënë për 0.70 euro për kilogram, mish i freskët tul viçi, ndërsa lëkura e viçit kushton 3.5 euro" është thënë nga "Hajdini Comerc", në seancën e shqyrtimit kryesor. Sipas ekspertëve të OSHP-së bazuar në ekspertizë mendon se Komuna e Prishtinës në dhënien e këtij tenderi nuk i ka respektuar Ligjin e Prokurimit Publik duke bërë shkelje në gjashtë nene./Insajderi.com The post Komunës së Prishtinës i anulohet tenderi nën dyshimet për manipulim çmimesh appeared first on INSAJDERI. |
| Kryesuesi i Inteligjencës tërhiqet nga hetimi për Rusinë Posted: 06 Apr 2017 08:07 AM PDT Kryesuesi i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese, Devin Nunes, tha se përkohësisht tërhiqet nga roli i tij udhëheqës në hetimin e këtij komiteti për involvimin e dyshuar të Rusisë, në zgjedhjet presidenciale amerikane, në vitin 2016. Zoti Nunes, republikan nga Kalifornia, tha sot se ai tërhiqet nga hetimi për shkak të ankesave për sjellje jopërkatëse, që janë bërë kundër tij nga Zyra Etike e Kongresit. Ai thotë se ankesat janë false dhe të motivuara politikisht. Udhëheqjen e komitetit gjatë hetimit për Rusinë, do ta marrë republikani, Mike Conaway, derisa Nunes do ta vazhdoj punën e tij në komitet. Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese, Paul Ryan, tha se e mbështet vendimin e zotit Nunes, pasi çështjet etike "do të ishin shmangie" nga hetimi. Devin Nunes është kritikuar ashpër për takime të fshehta me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe kjo i ka shtruar çështjet e paanshmërisë së tij gjatë hetimeve të administratës së presidentit, Donald Trump. Kritikët, po ashtu, kishin vërejtje ndaj zotit Nunes pasi ai kishte luajtur rol kryesor në ekipin tranzitor të Trumpit./REL The post Kryesuesi i Inteligjencës tërhiqet nga hetimi për Rusinë appeared first on INSAJDERI. |
| Arrestohet personi që kanosi prokurorin Posted: 06 Apr 2017 07:56 AM PDT Prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda, në Prokurorinë Themelore në Prizren, Mehdi Sefa, të enjten, është kanosur në zyrën e tij të punës nga Hysin Pllava, i cili më pas është arrestuar nga policia. "Betimi për Drejtësi" ka mësuar se kanosja kishte ndodhur për shkak se prokurori Sefa kishte qenë i ngarkuar me rastin penal të djalit të Hysinit, Fisnik Pllava. Hysini fillimisht kishte kërkuar takim me prokurorin, i cili e kishte pranuar në takim në zyrën e tij. Në takim ai iu kishte drejtuar prokurorit Sefa me fjalët "a e din se ti ma ke dënuar djalin tem" dhe "do të jesh përgjegjës para Zotit dhe robit", më pas, duke bërtitur, kishte filluar ta ofendonte prokurorin me fjalë të ndryshme. Prokurori Sefa ka lajmëruar policinë dhe pak më vonë personi i dyshuar është arrestuar. "Betimi për Drejtësi" ka kontaktuar me prokurorin e rastit, Zejnullah Gashi, i cili ka deklaruar se ka urdhëruar ndalimin e personit të dyshuar dhe poashtu është bastisur shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Gashi ka njoftuar se personi është ndaluar si i dyshuar për veprën penale të kanosjes dhe si e tillë do të procedohet më tutje. "Betimi për Drejtësi" ka kontaktuar me prokurorin Sefa dhe ai ka thënë se shkak për këtë ngjarje është një gjykim gjatë vitit 2016, i zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ai kishte përfaqësuar prokurorinë dhe ku djali i Hysinit, Fisnik Pllava, ishte gjetur fajtor për veprën penale të vrasjes në tentativë. Sefa ka thënë se s'ka asnjë problem personal me Hysinin, i cili e ka kanosur, por se është fyer dhe ofenduar vetëm për shkak të punës së tij profesionale që ka bërë në lëndën penale ndaj djalit të tij. Gjykata Themelore në Prizren e kishte dënuar Fisnik Pllavën me 22 muaj burgim efektiv për kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë. Prokurori i kanosur, kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, në lidhje me lartësinë e dënimit, ku Apeli kishte aprovuar ankesën e tij dhe të Fisnik Pllavës ia kishte rritur dënimin në 3 vite e 2 muaj burgim efektiv. Hysin Pllava dyshohet për kryerjen e veprës penale kanosje, e cila sipas Kodit Penal, dënohet deri në 3 vite heqje lirie.
The post Arrestohet personi që kanosi prokurorin appeared first on INSAJDERI. |
| OSHP kthen në ri-tenderim tenderin që kuvendi anuloi për çmimin e lartë të omletëve e hamburgerëve Posted: 06 Apr 2017 07:46 AM PDT Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marr vendim që të kthehet në ri-tenderim tenderi për "Shërbime të hotelerisë në Kuvendin e Kosovës" i cili është anuluar nga Kuvendi i Kosovës në fillim të muajit shkurt. Kështu OSHP i jep pjesërisht të drejtë dy operatorëve ekonomik ankues "Luzern" dhe "Shqiponja", të cilët konsideronin se janë bërë shkelje të ligjit të prokurimit nga kuvendi. Kuvendi me 6 shkurt e kishte anuluar tenderin me arsyetimin se asnjë operatorë ekonomik nga gjashtë sa kishin aplikuar, nuk ishin të përgjegjshëm. Ndërsa në arsyetimin e ekspertit shqyrtues konstatohej se në dosjen ku përfshiheshin 52 artikuj, 8 nga artikujt nuk kishin çmim të tregut “mirëpo kurrsesi nuk hynë në çmime manipulative”. "Dy artikuj që janë si çmime jo normalisht të ulëta fjala për omletë dhe hamburger me çmim 0.70 euro ne nuk pajtohemi. Pasi këta i konsideron AK si jo normalisht të ulët, pasi gjithë e dimë se në treg një hamburger kushton 0.50 euro", thuhet në vendim. Gjykata e tenderëve i ka rekomanduar kuvendit të rivlerësoj edhe një herë këtë aktivitet me qëllim që të vërtetoj nëse çmimet e ofruara nga operatorët korrespondojnë me çmimet e tregut duke bërë krahasim me çmimet referente të publikuara nga KRPP. "Anulohet, vendimi i autoritetit kontraktues Kuvendi i Kosovës lidhur me njoftimin për anulim për aktivitetin e prokurimit me titull: "Shërbime të hotelerisë në Kuvendin e Kosovës dhe lënda kthehet në ri-vlersim", thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit. /Insajderi.com The post OSHP kthen në ri-tenderim tenderin që kuvendi anuloi për çmimin e lartë të omletëve e hamburgerëve appeared first on INSAJDERI. |
| Kujdes nga mashtruesit e agjencive turistike (Video) Posted: 06 Apr 2017 07:43 AM PDT Është bërë shprehi viteve të fundit që në prag të sezonit të verës dhe të festave të shfaqen agjenci fantome, joekzistuese të cilat shpeshherë e keqpërdorin emrin e kompanive kredibile "Kosova Airlines" e "Eurokoha" dhe të dërgojnë mesazhe, SMS-a, oferta joshëse dhe mashtruese prej vendeve të ndryshme. Përmes këtij shkrimi dhe kësaj video të realizuar të cilën mund ta shihni më poshtë, duam t'jua tërheqim vërejtjen që të mos bini pre e këtyre mashtruesve e të mos përfundoni duke bredhur aeroporteve të Evropës me familjarët tuaj. Prandaj duam t'jua rikujtojmë se "Kosova Airlines" dhe "Eurokoha" bashkëpunojnë vetëm me partnerë cilësorë, seriozë dhe të dëshmuar në fluturime, si:"Edelweiss", "Germanwings", "Eurowings", "Germania", "Airberlin” dhe "Sunexpress". "Kosova Airlines" dhe "Eurokoha" janë të gatshëm çdoherë që t'ju ndihmojnë për udhëtimet tuaja; me sigurinë maksimale, komoditetin (rehatinë) dhe çmimet më të arsyeshme. The post Kujdes nga mashtruesit e agjencive turistike (Video) appeared first on INSAJDERI. |
| Shtyhet sërish vendimi për Haradinajn Posted: 06 Apr 2017 07:32 AM PDT Vendimi për ekstradimin apo lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, është shtyrë sërish. Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 27 prill. Kjo nuk është hera e parë që vendimi përfundimtar për Haradinaj është shtyrë. Ai është arrestuar në fillim të muajit janar bazuar në një fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.
The post Shtyhet sërish vendimi për Haradinajn appeared first on INSAJDERI. |
| ATK publikon listën e kompanive që lirohen nga TVSH Posted: 06 Apr 2017 07:09 AM PDT Administrata Tatimore e Kosovës publikoi listat e bizneseve që u jenë aprovuar kërkesat për lirime të TVSH-së në importim të mallrave për Lëndë të parë dhe Pajisje të Teknologjisë Informative. Përmes Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2015, Nenit 48, janë përcaktuar kushtet dhe detajet tjera për mënyrën e realizimit të këtyre të drejtave ligjore. Bazuar në dokumentin e aprovimit për lirim nga TVSH të lëshuar nga ATK, Dogana do të lirojë mallrat nga TVSH-ja me rastin e importimit. Listën mund ta gjeni këtu. The post ATK publikon listën e kompanive që lirohen nga TVSH appeared first on INSAJDERI. |
| Hedhet poshtë neni që diskriminon veteranët që jetojnë jashtë Kosovës Posted: 06 Apr 2017 07:08 AM PDT Një nen i Ligjit për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që përjashton veteranët luftëtarë që jetojnë në vende jashtë Kosovës nga marrja e pensionit të veteranit, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kushtetuesja u ka dhënë të drejtë deputetëve opozitarë të cilët e kanë ngritur këtë çështje, por nuk ka gjetur parregullsi edhe në dy nene të tjera të kontestuara të ligjit që u miratua në fund të vitit 2016. Neni 3, paragrafi 5, ku thuhet se "veterani luftëtar i UÇK-së, që jeton në shtet tjetër, gëzon të drejtën në beneficione të tjera sipas këtij ligji, por nuk gëzon të drejtën në pension," i ishte shtuar si ndryshim ligjit paraprak për veteranët, që në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar në vitin 2014. Por, përjashtim nga ky rregull, sipas ligjit të ri për veteranët, bënin veteranët luftëtarë që jetojnë në vendet fqinje. Për këtë arsye, deputetja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, që kishte iniciuar rastin, së bashku me 23 deputetë të tjerë opozitarë, kanë pretenduar se "mohimi i realizimit të të drejtave […], duke u bazuar vetëm në vendqëndrimin e tyre, është diskriminues". Lidhur me pretendimet e Dërgutit dhe të tjerëve, Kushtetuesja ka vlerësuar se veteranët që jetojnë në ndonjë vend jashtë Kosovës por jetojnë në vende fqinje, dhe ata të cilët jetojnë në vende të tjera, praktikisht janë në një pozitë të njëjtë: të dy palët ndodhen jashtë Kosovës. "Të dyja palët, edhe veteranet e UCK-se qe jetojnë ne vendet fqinje dhe veteranet e UCK-se që jetojnë jashtë vendit, por jo në vendet fqinje, janë në situatë analoge ose në situatë relevante të ngjashme: ata nuk jetojnë në Kosovë", thuhet në vendimin e kushtetueses të publikuar në faqen e këtij institucioni. "Prandaj, Gjykata konkludon se ekziston një dallim në trajtimin e veteranëve të UCK-se që janë në një situate analoge ose në situate relevante të ngjashme, e cila përben një kufizim në të drejtën e tyre për pension", thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ligji për Veteranët e UCK-së ishte miratuar fillimisht në prill të vitit 2014, por më 28 dhjetor të vitit 2016, Ministria e Mirëqenies Sociale kishte dorëzuar në Qeveri projektligjin që do të ndryshonte ligjin e miratuar në vitin 2014. Vetëm një ditë më vonë, Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin dhe e dorëzoi në Kuvendin e Kosovës, ku u miratua më 30 dhjetor, në orët e vona të mbrëmjes. Reformimi i skemës së pensioneve të veteranëve ishte nxitur nga këshillat që Qeveria e Kosovës kishte marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që vlerësonte se buxheti i Kosovës do të mund të rëndohej deri në 100 milionë euro me pagesat ndaj veteranëve kur të bëhet llogaritja përfundimtare e numrit të veteranëve të luftës. Numri i personave që kishin aplikuar për statusin e veteranëve kishte kaluar bindshëm pritshmërinë e autoriteteve kosovare. Megjithatë, kushtetuesja ka vendosur që dy nenet tjera për të cilat deputetët opozitare janë ankuar – nenet 4 dhe 5 – janë në përputhje me kushtetutën e vendit./Insajderi.com The post Hedhet poshtë neni që diskriminon veteranët që jetojnë jashtë Kosovës appeared first on INSAJDERI. |
| Miku amerikan i shqiptarëve kërkon që mos ndryshohet qasja ndaj Rusisë Posted: 06 Apr 2017 06:47 AM PDT Dy ligjvënës demokratë në Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një masë të re për ta ndalur presidentin amerikan, Donald Trump, që të mos e ndryshoj politikën ekzistuese të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë, derisa të kompletohet një hetim i agjencisë FBI. Kjo masë e propozuar mbrëmë nga anëtarët e Dhomës Përfaqësuese, Eric Swalwell dhe Eliot Engel, është e ngjashme me një legjislacion të propozuar nga një grup i republikanëve dhe demokratëve në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Propozimi në Dhomën Përfaqësuese, sikur ai në Senat, kërkon që administrata Trump "të mos i ndryshoj sanksionet, marrëveshjet, ndihmën ushtarake ose raportet diplomatike, nga të cilat mund të përfitoj presidenti rus, Vladimir Putin, ose qeveria e tij". Çfarëdo ndryshimesh, theksohet në këtë propozimlegjislacion, mund të bëhen pasi agjencia FBI ta përfundoj hetimin e vet për lidhjet e mundshme ndërmjet zyrtarëve rusë dhe bashkëpunëtorëve të Trumpit, shkruan REL. Duke pasur parasysh se në të dy dhomat e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, republikanët e kanë shumicën, duket se ka pak gjasë që këto legjislacione të miratohen. The post Miku amerikan i shqiptarëve kërkon që mos ndryshohet qasja ndaj Rusisë appeared first on INSAJDERI. |
| Kushtetuesja hodhi poshtë kërkesën e Fakultetit të Edukatës Fizike Posted: 06 Apr 2017 06:34 AM PDT Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhë poshtë kërkesën e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS) rreth 'vlerësimit të kushtetutshmërisë së vendimit nr. 55, të Këshillit Drehtues të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina". FEFS kërkonte që “që të anulohet zgjedhja e 'asistenteve të rinj' për anëtar të Këshillit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit; dhe të anulohet e drejta e ushtrimit të votës së asistentëve të rinj për të zgjedhur dekanin e FEFS.” Mirëpo, Gjykata Kushtetuese vëren se parashtruesi i kërkesës (FEFS) nuk përmend ndonjë shkelje të të drejtave kushtetuese nga autoritetet publike, por vetëm kërkon 'interpretim ligjor të Rregullores mbi Rregullat dhe Procedurat e Zgjedhjeve të Përgjithshme në UP'. Po ashtu, Gjykata thotë se FEFS nuk ka ofruar ndonjë informacion lidhur me inicimin e procedurave pranë gjykatave të rregullta për zgjidhjen e ankesave të tij. Gjykata, në vendimin e saj, rikujton se në këtë rast Fakulteti i Edukatës Fizike dhe Sportit nuk është person juridik, dhe rrjedhimisht as palë e autorizuar. Prandaj, Gjykata Kushtetuese, mbi këto dhe fakte tjera të paraqitura në vendim, e hodhi si të papranueshme kërkesën e FEFS-it./Insajderi.com The post Kushtetuesja hodhi poshtë kërkesën e Fakultetit të Edukatës Fizike appeared first on INSAJDERI. |
| Kryeministri paralajmëron riprocedim të demarkacionit gjatë këtij muaji Posted: 06 Apr 2017 06:04 AM PDT Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se brenda muajit do ta procedojnë Demarkacionin në Kuvend. Ai tha se ky është obligim që duhet ta kryejnë herët apo vonë, raporton Ekonomia Online. Këto komente Mustafa i bëri gjatë vizitës që u bëri disa bizneseve vendëse. Për më tepër, Marrëveshja e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është kushti kryesor për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian. Kjo marrëveshje nuk kishte kaluar në Kuvendin e Kosovës, pasi Qeveria në çastet e fundit, e kishte tërhequr atë nga rendi i ditës. The post Kryeministri paralajmëron riprocedim të demarkacionit gjatë këtij muaji appeared first on INSAJDERI. |
| You are subscribed to email updates from INSAJDERI. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |













